Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Edhe sot, njerëzit takohen po aty. Është pika më e lehtë për t’u arritur dhe më e njohura, jo vetëm për tiranasit, por edhe për ata që vijnë nga rrethet. “Rinia”, por dhe “Tajvani”, këta kanë qenë dy emrat që e kanë shoqëruar parkun më të madh në qendër të kryeqytetit. I pari i hershëm, pasi ishte rinia ajo që e ndërtoi, ndërsa i dyti, jo zyrtar, por i vënë pas viteve ’70-të, nga kryeqytetasit, ndonëse pa asnjë lidhje me ishullin e largët. Historia e atij kompleksi nis nga nata kur me aksion vullnetar, u mbollën pemë, pastaj ndërtimi i lokalit dhe liqenit, një bashkëjetesë pa iu ndarë asnjë çast njëri-tjetrit. Frekuentimi, këngët, vallëzimet me të huaj, shëtitjet më varka historitë e dashurive me turistet e vendeve lindore dhe më kuriozja, pse u quajt “Tajvan”?. Si e rrëfen sot, Sotir Qirjaqi, një personazh i njohur si “Marathonomaku” i Tiranës, i cili fëmijërinë e kaloi pranë atij Parku të Tiranës!
Ideja për një park popullor
Pas viteve ’45, në zonën e “Shallvareve”, e njohur më shumë me fushën e futbollit, bashkë me fillimin e ndërtimit të bllokut të pallateve, u hodh ideja për ndërtimin e një parku të madh. Në vitin 1949, studentë e pedagogë të Institutit të Lartë Bujqësor, brenda 48 orëve, me aksion vullnetar, mbollën shumë pemë. Në formë drejtkëndëshi 240 m. x 170 m., nga veriu kishte kopshtin e fëmijëve “Nikolica”, ministrinë dhe pak më tutje, Kinema “Brigada”, e njohur për shfaqjen e filmave rusë dhe gjyqin e Teme Sejkos; nga lindja kishte paralel bulevardin dhe Hotel “Dajti”-n, nga perëndimi, Bllokun e “Shallvareve” dhe Lanën në jug. Ky kompleks modern për kohën dhe për kryeqytetin, ishte një dëshmi se po ndërtohej “Shqipëria e Re”.
Emri “Rinia”, ajo e ndërtoi
Parku kishte gjelbërim të jashtëzakonshëm dhe kryesisht në pranverë-vjeshtë, shpërthente nga gjallëria. Gështenjat e egra lartoheshin anës rrugicave të pastra. Gjatë gjithë kohës, kishte freski, çka e bënte të frekuentuar përgjatë gjithë ditës, deri në orët e vona të natës. Por, edhe kur dimri ishte i trishtuar, me kohë të keqe, acar, mjegull, nuk mungonin të gjitha llojet e zogjve, ndërsa gjethet binin. Rrethuar me pemë, lule, gjithçka e bënte të këndshëm, qetësues, qëndrimin apo kalimin aty. Parku, të cilit i vunë emrin “Rinia”, se ishte ajo që e ndërtoi, rrethohej nga bordurë guri, 50 cm. e lartë. Për shumë vite, në bordurat e tij. janë ulur qytetarët e Tiranës, studentë, dhe në periudhën e pranverës dhe verës. ka shërbyer si paradë mode.
Bordurat krahë bulevardit, ishin më të frekuentuarat nga adhuruesit e xhiros, që qëndronin aty në grupe, deri në mbrëmje. Ato përballë “Shallvareve” mbusheshin më shumë me familjarë, ndërsa më pak të preferuara, ishin bordurat veri-jug. Brenda parkut nuk kishte asnjë statujë, ndonëse në këndin veri-lindor, qëndronte Stalini e përballë tij Lenini, shumë pranë një blloku me varre në mermer të zi, të disa personaliteteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pas saj, si: Nako Spiru, Alqi Kondi, Vasil Shanto, Qemal Stafa, Gogo Nushi, të cilat qëndruan aty për shumë vite, deri kur u hoqën, për t’u dërguar në “Varrezat e Kombit”.
Kompleks argëtues, vendi i të dashuruarve
Nisur nga struktura, ai mjedis ka shërbyer si një kompleks argëtues për të gjitha moshat. Është shfrytëzuar nga sportistët e grumbulluar që flinin në Hotel “Dajti”, shqiptarë e të huaj, futbollistë, atletë, boksierë, etj., që dilnin duke vrapuar në orët e para të mëngjesit, përgjatë Lanës, pastaj në rrugicat e tij. Parku “Rinia”, njihej edhe si vend-takimi i të rinjve të dashuruar, por edhe i miqësive e “love story”-t të djemve kryeqytetas me turistet, kryesisht vajza gjermano-lindore, polake e ruse, të sistemuara në Hotel “Dajti”, apo të marinarëve që vinin nga Durrësi dhe aviatorë të huaj, që e preferonin atë mjedis argëtues, që ofronte parku e lokali. Shumë letra dashurie hidheshin në lulet, afër pemëve që shkëmbeheshin nga të dashuruarit.
Ndërtesat e parkut
Për të plotësuar kompleksin në hapësirën brenda tij, u ndërtua edhe një lulishte, një lokal apo pijetore, një ndërtesë njëkatëshe, jo me mjedise fjetjeje, por që frekuentohej deri në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa nga jugu, një liqen apo pishinë, siç i kanë thënë. Brenda parkut ishin edhe banjat publike, meshkuj-femra, për të cilat kujdeseshin dy punonjës, një burrë e një grua. Shumë mund ta kujtojnë ende Sulltanen. Gjysmë në nëntokë, ato kanë qenë ngjitur me lokalin, në anën perëndimore të tij. Të ndërtuara në vitin 1968, kanë funksionuar për një kohë të gjatë. Nga ana e “Shallvareve”, ishte një hapësirë që e ndante bordurën, e cila shërbente për qytetarët, që me anë të disa shkallëve betoni të zbrisnin në park.
Pijetore, vallëzim, tango dhe muzikë perëndimore
Degë e “Dajtit”, për shumë vite, ka qenë edhe lokali i parkut “Rinia”. Kur restoranti i “Dajti”-t, ishte plot me klientë të huaj, një pjesë e tyre dërgoheshin tek ai i parkut “Rinia”, që fillimisht ka qenë një pijetore klasike e mirëfilltë, me një sallë me 10-12 tavolina dhe me klientët e tij të preferuar. Lokal luksoz, ai kishte një kuzhinë universale, me kuzhinierë, kamerierë të trashëguar nga koha e Italisë, midis tyre P. Prillo, M. Kanini, Jani, Fatimja, Begzo, etj., që shërbenin brenda e jashtë, me peceta të vendosura në krah. Një banak me dru dhe në kënd një orkestër, vendosur mbi një kube, në një gjysmë dhome me dru special, me shpinë nga liqeni.
Lokali rrethohej me një mur të ulët dhe kangjella druri, të lyera me ngjyrë jeshile, që e ndante me kalimtarët, me hyrjen nga lindja, ndërsa ajo nga perëndimi, shërbente për personelin. Në mjedisin e jashtëm, kishte një pistë vallëzimi rrethore verore, e vendosur midis lokalit dhe orkestrës, me disa tavolina kryesisht në periudhën e nxehtë të verës. Brenda tij kishte paradhoma pritjeje, ku në mjaft raste shfrytëzoheshin për takimet e punonjësve të Tregtisë së Jashtme, zyrtarëve të huaj, me ato shqiptarë, etj. Më pas, pijetorja pësoi një ndryshim, duke u transformuar në restorant-bar-pastiçeri.
Liqeni, shëtitje me varka
I projektuar në formën e një fasuleje, liqeni ka qenë pjesë e pandarë e lulishtes dhe pijetores, madje në vijë të drejtë veri-jug me të. Ai u ideua si pjesë lidhëse, për të zbukuruar parkun, me ujë, por jo shatërvan, me bordurë guri, me një pelikan statujë të vogël brenda tij. Me bojë parashute, bazamenti ishte me gurë të rrafshuar dhe dy puseta, një stacion pompash, që shërbente për qarkullimin e ujit dhe shkarkimin e tij në Lanë. Liqeni ishte një vend argëtues për familjarët. Në fillimet e tij, shërbeu edhe për shëtitjet me varka druri për të notuar, pastaj pati një periudhë të gjatë braktisjeje, kur brenda tij luhej edhe futboll. Deri me restaurimin e plotë të Parkut, në vitin 1984, kur dhe liqeni u transformua në një shatërvan modern me ngjyra, baseni mbushej me ujë në mënyrë sporadike dhe u braktis më pas!
Ndërtesat e parkut
Për të plotësuar kompleksin në hapësirën brenda tij, u ndërtua edhe një lulishte, një lokal apo pijetore, një ndërtesë njëkatëshe, jo me mjedise fjetjeje, por që frekuentohej deri në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa nga jugu një liqen apo pishinë, siç i kanë thënë. Brenda parkut ishin edhe banjat publike meshkuj-femra, për të cilat kujdeseshin dy punonjës, një burrë e një grua. Shumë mund ta kujtojnë ende Sulltanen. Gjysmë në nëntokë, ato kanë qenë ngjitur me lokalin, në anën perëndimore të tij. Të ndërtuara në vitin 1968, kanë funksionuar për një kohë të gjatë. Nga ana e “Shallvareve”, ishte një hapësirë që e ndante bordurën e që shërbente për qytetarët, që me anë të disa shkallëve betoni të zbrisnin në park.
Pijetore, vallëzim, tango dhe muzikë perëndimore
Degë e “Dajtit”, për shumë vite, ka qenë edhe lokali i parkut “Rinia”. Kur restoranti i “Dajtit” ishte plot me klientë të huaj, një pjesë e tyre dërgoheshin tek ai i parkut “Rinia”, që fillimisht ka qenë një pijetore klasike e mirëfilltë, me një sallë me 10-12 tavolina dhe me klientët e tij të preferuar. Lokal luksoz, ai kishte një kuzhinë universale, me kuzhinierë, kamerierë të trashëguar nga koha e Italisë, midis tyre P. Prillo, M. Kanini, Jani, Fatimja, Begzo, që shërbenin brenda e jashtë me peceta të vendosura në krah. Një banak me dru dhe në kënd një orkestër vendosur mbi një kube, në një gjysmë dhome me dru special, me shpinë nga liqeni.
Lokali rrethohej me një mur të ulët dhe kangjella druri të lyera me ngjyrë jeshile, që e ndante me kalimtarët, me hyrjen nga lindja, ndërsa ajo nga perëndimi shërbente për personelin. Në mjedisin e jashtëm kishte një pistë vallëzimi rrethore verore, e vendosur midis lokalit dhe orkestrës, me disa tavolina kryesisht në periudhën e nxehtë. Brenda tij kishte paradhoma pritjeje, ku në mjaft raste shfrytëzoheshin për takimet e punonjësve të Tregtisë së Jashtme, zyrtarëve të huaj me ato shqiptarë, etj. Më pas, pijetorja pësoi një ndryshim, duke u transformuar në restorant-bar-pastiçeri.
Emri nga një piktor kryeqytetas
Mund të jenë të shumtë ata që pyesin se përse edhe sot ai vend njihet si “Tajvani”. Nuk ka pasur një pagëzim zyrtar dhe as një arsye politike, për vëllazërinë shqiptaro-tajvaneze. Në vitet ’70-të, pjesa Lindore në Azinë e Largët, është përfshirë nga konflikti Kinë-Tajvan dhe çdo ditë, radioja, shtypi shqiptar, gazetat “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, etj., e shoqëronin situatën me komente rreth ngjarjes. Të ndikuar nga kjo atmosferë, e ka zanafillën edhe emri që mori lokali.
Duke qenë se në dimër, nga shiu, ai rrethohej nga të katër anët me ujë, dhe për të hyrë brenda vendoseshin tulla që shërbenin si urë kalimi, duke të krijuar idenë e një ishulli të vogël, si dhe zhurma e madhe çfarë po ndodhte me Tajvanin e largët, ngacmuan fantazinë e një grupi frekuentuesish, kur njëri prej tyre, piktor mjaft i njohur në Tiranë, do të shprehej: “si në Tajvan është bërë”. E përdorur fillimisht në rrethe të ngushta miqësie, midis artistëve, intelektualëve, duke thënë: “takohemi, …e pimë kafen… apo të pres te Tajvani”, në vitet që pasuan, ky emër u bë më funksional. Ndonëse me “Tajvanin” e largët nuk e lidh asgjë, jo i rrethuar me ujë, nëse e sheh nga lart, ky lokal realisht të ofron pamjen e një ishulli, që i vetëm qëndron në atë mjedis plot gjelbërim.
Tajvanezë në kërkim të ishullit
Emri “Tajvan” ka ngjallur një interesim të veçantë, sidomos për turistët që vijnë nga Azia e Largët, kryesisht ata tajvanezë, kur nga “Google”, pasi janë njohur me Tiranën, informohesh se në qendër të qytetit, ndodhet një lokal me emrin “Tajvan”. “Nisur nga ky fakt shumë kurioz për ta, veprimi i parë kur janë në kryeqytetit, me harta në dorë, kërkojnë të shkojnë te ky lokal, të njihen me historinë dhe prejardhjen e emrit. Sillen rreth e rrotull, por e kanë të vështirë ta gjejnë”, tregon një shoqërues i turistëve. “Dhe kjo për një fakt shumë interesant, pasi emri “Tajvan”, nuk figuron në asnjë vend të dukshëm të lokalit. Ka të tjera emra, vetëm “Tajvan”.
Sotir Qirjaqi, i njohur si marathonomak, ka banuar te “Shallvaret” dhe te ai park, e ka kaluar fëmijërinë dhe rininë. Ruan kujtime nga nata kur studentët mbollën pemët, këngët që këndonin, varkat dhe liqeni ku mësonin notin fëmijët e Tiranës. Pastaj, pijetorja, orkestra, filmat e xhiruar, turistët, deri dashuritë dhe intimiteti që të ofronte ai park.
Z. Qirjaqi, si e kujtoni adoleshencën tek ai park?
Parku mendoj se ka kaluar tri faza të ndryshime kolosale. Ndërtimi me stil dhe lulëzim rus, ku dominonte teknologjia për ta mbajtur jeshil e me gjelbërim. Pas ’61-shit dhe goditjes politike ndaj Bashkimit Sovjetik, parku e humbi konfidencialitetin. Pastaj, faza tjetër, ajo në vitet ’80-të, kur u transformua në një park perëndimor, dhe i treti, pas viteve ’90-të,, kur u shkatërrua plotësisht.
Ju kujtohen ditët e aksionit?
Kam qenë në moshë të vogël, por më kujtohen disa momente. Madje, edhe një këngë që studentët e këndonin duke punuar me këtë teksta: “Ju të rinj e ju të reja /I madh është numri ynë/ Kundër tiranisë fashiste / e gjithë bota Lufton / Atje punojmë djersën ta kullojmë / se ndërtojmë Shqipërinë e Re”. Midis tyre ishin edhe pedagogët V. Shqau, I. Nako, S. Rusi, etj., të cilët kanë kontribuar në ndërtimin e atij parku.
Po lokali a frekuentohej? Mbani mend ndonjë figurë të njohur?
Duke qenë në qendër të kryeqytetit, në mbrëmje, vinin shumë intelektualë, emra të njohur. Pas shfaqjeve, gjeje artistë, kompozitorë, balerinë, nga Avni Mula, Pjetër Gaci, Çesk Zadeja, Pamajot Kanaçi, Besim Zekthi, Nikolin Xhoja, Aadem Rada, Bashkim Stërmasi, etj., shkrimtarë, sportistë gjithashtu, por edhe mjekë e profesorë.
Ishte në stilin shqiptar, si kudo, në çdo qytet funksiononin gjëra të kësaj natyre, një lulishte dhe një lokal, ku njerëzit mund të argëtoheshin dhe shpesh ato mjedise të krijonin idenë, sikur ishte i shkëputur nga jeta e qytetarëve. Ne fëmijët e rrethonin “Tajvanin”, duke dëgjuar orkestrën, vinte erë bërxolla…! Një shishe birrë kushtonte nga 22, deri 30 lekë (të vjetra). Në mjaft raste, tingujt e orkestrës ishin kthyer në shqetësim për familjarët e “Shallvareve”, që ankoheshin prej muzikës që vazhdonte deri në orët e vona të natës.
Shqipëria ishte një vend i izoluar, megjithatë te “Tajvani” kishte orkestër, muzikë.., si ju dukej
Darka në restorant shoqërohej nga një orkestër interesante, me xhaz, kitarë, fizarmonikë, saks, etj. Tonin Shala, Fredi, në piano, Meti me mustaqe, apo bashkëshorti i Fitnete Rexhës, Mahmut Qosja, Platoni, etj., ishin disa nga instrumentistët. Kujtoj se brenda xhazit, vinin një llambë për ndriçim, ndërsa sipër lëkurës, një shami për të amortizuar zhurmën e shkopinjve. Kishte imitacione, këngë ruse, italiane, midis tyre “Mama son’tanto felice”, etj. Rreth mes-viteve ’60-’70-të ekzekutoheshin këngë melodioze spanjolle, si e famshmja “Esperanca”, që e këndonte edhe Vaçe Zela.
Por edhe këngë shqiptare nga festivalet, këngë korçare, shkodrane. Kujtoj “Skoda ime përqafon, o ju delet e mia mos u trembni”, “Cuca e Radohimës”, “Faqet me nishana”, etj., që interpretoheshin nga këngëtarët Reshat Kasapi, Lin Syla, Pjetër Gjergji, Bujar Deliallisi, Kasem Hallulli, Bajrami ish-student në Poloni, me grua polake, si Ray Charles, këndonte më sy mbyllur. Apo Nora, Gita, Brixhida, që ishin shumë të njohura në Tiranë.
Po vallëzime, kishte aty?
Po patjetër, Kishte një pistë vallëzimi, ku kërcehej tango, twist dhe që frekuentohej mjaft edhe nga turistë nga Europa Lindore, polakë, çekë, etj. Deri nga fillimi i viteve ’70-të, është kënduar e kërcyer pa mbarim.
Kujtoni ndonjë histori që ju ka lënë mbresa?
Do të kujtoja një histori të trishtuar. Ka ndodhur në vitin 1956, ditë pranvere ka qenë. Fëmijët e liqenit, të “Shallvareve”, në kërkim të aventurave, për të imituar aktorët e filmave rusë, apo Tom Sojerin, kalonin shpesh nga Hotel “Dajti”, ose futeshin në tunelin e nëndheshëm, matanë Lanës që të nxirrte te stadiumi “Qemal Stafa”. Kështu, përballë Kishës Orthodokse sot, pa e ditur se çfarë ishte, e të shtyrë nga kurioziteti, ngacmuan një objekt, i cili plasi. Ishte një bombë italiane, që kishte ngelur aty në atë zonë. U plagosën disa fëmijë dhe fatkeqësisht, humbi jetën Arben Dine, një shoku im.
Flasim pak për liqenin?
Periudha e parë, ajo nga vitet ’51-’58-të, ishte i rrethuar me kangjella, rrjetë teli, me një sistem filtrimi të shkëlqyer me ujin që shkarkohej në Lanë. Xhelil Qinami, roja, qëndronte te dera dhe hyrja kushtonte 5-lekë. U vunë katër varka druri, me lopata për shëtitje. Një orë kushtonte 10 lekë, ndërsa 5 lekë, gjysmë ore. Shpesh, në ato vite, aty kalonin udhëheqësit e shtetit dhe bordura shërbente edhe për t’u ulur. Pastaj, me kalimin e viteve, e kthyen në liqen, ku laheshin fëmijët.
Aty mësohej noti aty?
Duke qenë se ai kishte një thellësi që fillonte nga 60 cm., ai ka qenë vendi ku kanë mësuar notin në mënyrë të rregullt, fëmijët nga e gjithë Tirana, nga rrethet e Pallatit të Pionierëve, të shoqëruar me mësues, si; Maqo Kodra, etj. Plaçkat i linin te dhoma e kompresorëve dhe frekuentues të tij, ishin edhe fëmijët e familjeve ruse, me punë në Tiranë. Ata i jepnin gjallëri kur vinin, kishin edhe një shkollë ku mësonin, një ndërtesë që ndodhej përballë “Piramidës” që është sot, nga ana e lindjes.
Çfarë ndodhi me të më vonë?
Periudha e dytë, ajo e fillim-viteve ’60-të, ai braktiset, nuk mirëmbahet dhe fëmijët laheshin rrallë në ujin tashmë të ndenjur. Më pas, ai u boshatis dhe brenda tij luhej futboll, me porta të vogla, duke vendosur plisa bari, te zona e portierit. Ndeshjet shoqëroheshin me tifozllëk, pasionantë që uleshin në bordurat rrethuese të tij. Edhe me patina, kemi luajtur aty.
E megjithatë, më vonë e pati një tjetër shkëlqim apo jo?
Deri në fillim të viteve ’80-të, si parku, lokali, tashmë i kthyer në bar-pastiçeri-restorant popullor, kalon një periudhë qetësie, u bë serioz, deri në vitin 1984, kur inxhinieri Faik Alimehmeti, projektoi një park modern, jo më të stilit rus, por me kuadrate, që i dha pamje europiane, për të cilin do të kujdesej Ndërmarrja e Ndërtim Gjelbërimit. Gjithçka e re, rrugica me asfalt, u vendosën stola dërrase, ndriçim, dhe liqeni u transformua në shatërvan modern, me ngjyra, me sistem uji, nga nëntoka.
Si i përjetuat vitet ’90-të?
Këtu fillon periudha e lidhur me zaptimin e parkut, me mbi 140 kioska, të vendosura brenda tij. Nuk ka më gjelbërim, as argëtim, por një mjedis i rrënuar, jo argëtues. Madje, filluan të tregtoheshin, shiteshin vende për vendosjen e tyre, edhe brenda liqenit apo shatërvanit, kërkuan të vendosnin kioska, por nuk mundën. /Memorie.al