Nga Dr. Gjelosh NIKOLLA
ÇLIRIMI, APO PUSHTIMI I IBALLËS?!
“Është më mirë t’i meritoni nderet dhe të mos i gëzoni ato, se sa t’i gëzoni dhe të mos i meritoni”! (Mark TUEN)
Memorie.al / Sipas artit ushtarak, tokë e pushtuar quhet vetëm atëherë kur e shkel këmba e ushtarit. Çfarë do lloj ushtrie, që kalon në një vend pa u ndalur, por e përdor atë si rrugë kalimi, në këtë rast nuk mund të quhet pushtim. Historikisht zona e Iballes në rrethin e Pukës, ka njohur vetëm 2 (dy) pushtime, atë romak dhe atë komunist, këtë të fundit, vetëm fizikisht, por kurrë shpirtërisht. Ekspedita ndëshkimore kundër krahinës së Iballës, më vrasje të popullsisë së pafajshme, me djegie shtëpish, me dhunime e përdhunime, si dhe me grabitje të pasurive, janë ndërmarrë shumë shpesh, sidomos në periudhën e pushtimit turk. Por në këtë krahinë, ata nuk kanë arritur të qëndrojnë dhe përsëri këto ekspedita, nuk mund të konsiderohen si pushtim.
Në rrugët e krahinës së Iballës kanë kaluar si ushtar, këmbësorë të pushtuesve. Në krahun e djathtë të fshatit Mërtur, sipër fshatit Aprripë e Gurit rranxë Gurit të “Qllumit Merturit”, që është rreth 1 (një) orë, për të arritur aty ku ndodhen shkronjat (shkrojlat), të duket si e pa besueshme që këto janë shkronja turke sepse, në krahinën e Iballës, nuk është vendosur kurrë ndonjë garnizon turk, por ka një të vërtetë tjetër, se aty gjendën mbeturina të trojeve shumë të vjetra, prandaj për t’i saktësuar, duhet hulumtim me specialist të fushës përkatëse sepse, ato shkronja duhet të jenë Ilire, Bizantine, shumë më pak Turke.
Në krahinën e Iballës për mikun, shtrohej sofra e bukës, kurse për armikun pushtues, shtrohej vetëm sofra e barutit. Ekspedita ndëshkimore në zonën e Iballës, kanë organizuar dhe forcat partizane, të quajtura “Repartet e Ndjekjes”, kundër të ashtuquajturve kriminelë, sepse ata ishin kundër ideologjisë komuniste, por duke e keqpërdorur pushtetin komunist, të vendosur tashmë me forcën e armës, ndaj tyre dhe familjeve të tyre.
Duke lexuar, rilexuar, studiuar dhe nënvizuar të njëjtin shkrim, botuar në 2 (dy) gazete, tek “Gazeta e Alpeve”, me datën 15/31 dhjetor 2020, me titull “Veterani Man Avdi Arifaj tregon për Iballën”, faqe 22 dhe tek “Gazeta Veterani”, me titull “Si u arrit çlirimi i Iballës, 76 vjet më parë” (Sipas referimit të veteranit nga Iballa e Pukës, Man Avdi Arifaj) dhjetor 2020, faqe 8, 9., nga Xhemal Meçi, “Mjeshtër i Madh”, Pukë.
Më datën 1 (një) nëntor 1944, (Natën e të Shumve, festë e 90% e popullit) në orët e mbas ditës, në fshatin Iballë, në hyrje të saj, nga jugu erdhi Brigada e VI-të Sulmuese (partizane), me komisar Haki Toska dhe jo me datën 4 nëntor. Situata ishte tepër e vështirë për banoret e këtij fshati, sepse vetëm një pushkë po të kërciste tek ky katund, ai do të shkretohej, nën pretekstin se janë fshatarët e Kol Bibë Mirakës, prandaj ishte përgatitur hyrja e tre brigadave.
Brigada e XXII-të Sulmuese nga Kryeziu dhe një brigadë tjetër, e quajtur “Çeta Bajram Curri”, që do të vinte nga Tropoja. Duke parë situatën e rrezikshme që po i kanosej Iballës, dy burra trima e të zgjuar, Stak Pjetër Pemati dhe Mehmet Ramë Hyseni, mblodhën popullin e Iballës, në qendër të fshatit dhe këta dy patriotë, morën me vete dhe një grup burrash të tjerë dhe i dolën përpara brigadës së VI-të, Sulmuese, ku u takuan me komandant Jaho Gjoliku dhe komisar Haki Toska.
Kur u ftuan që të hynin në Iballë, Haki Toska i pyeti; “Si do të hyjmë në Iballë”? Këta ju përgjigjën; “Me ne! Prandaj kemi ardhë që t’ju shoqërojmë”. Përseri, Haki Toska ju tha; “Kjo është Iballa e Kolë Bibë Mirakës, si do të hyjmë”?! Këta dy burra të zgjuar dhe patriot trima, ju përgjigjën: “Iballja është e Iballasve dhe jo e Kolë Bibë Mirakës. Ai ka tokën dhe shtëpinë e vet”. Pas kësaj bisede, këta dy burra, duke futur në mes komandantin dhe komisarin, hynë në Iballë, ku gjetën popullin të mbledhur. Populli duartrokiti, duke ju uruar mirëseardhjen, kurse partizanët zbrazën armët, se u çlirua Iballa. Mbas këtij takimi, partizanët i ftuan nëpër shtëpitë e tyre mysafirët partizan, sipas traditës të popullit të Iballës.
Ky qe një çlirim imagjinar (kështu bënim çlirimin imagjinar, para viteve ’90-të, kur ishim në shkollën e mesme, me rastin e festave të nëntorit). Ju lutem, më thoni; nga kush u çlirua Iballa, në një kohë që aty, as nuk ka pasur, as nuk pati gjermanë, as italianë, as serbë, as grekë dhe asnjë lloj këmbe ushtari armik? Kryetari i parë i “Këshillit Nacional-Çlirimtar” u vendos Stak Pjetër Pemati, me pëlqimin e popullit.
Nuk e kuptoj për se mohohet aktiviteti patriotik i këtyre dy burrave, Mehmet Hysenit dhe Stakë Pematit. Prap tani do vijojmë t’i quajmë ata me epitetet; “kulak”, “reaksionarë” apo “të deklasuar”, siç quheshin para viteve ’90-të?! Dua të theksoj, se Gjokë Nikolla (babai im), nuk ka qenë më këtë grup, që i dolën përpara Brigadës VI-të Sulmuese (partizane) dhe për të mos përmendur emra të tjerë, ky grup, nuk është i saktë nga shkruesi i shkrimit.
Duke lexuar “Kujtime për Iballën”, të komisar Haki Toskës 1944 (arkiv i Komitetit Partisë Pukë, 19 shtator 1984), i lënë me shkrim dore, ky që disponojmë, është i shtypur më makinë shkrimi, marrë në Komitetin e Partisë Pukë, i tjetërsuar, i deformuar, duke mohuar të vërtetat e të ashtuquajturit çlirim i Iballës. Duhet të sqarojmë se; në Iballë dhe në krahinën e saj, nuk arriti kurrë të formohet dhe të organizohet një celulë komuniste e deklaruar.
I ngarkuar nga udhëheqja e Qarkorit Komunist të Shkodrës për këtë, ishte Zef Gashi. Ai arriti të merrte si bashkëpunëtor, Zef Nikollën (ku dhe strehohej) si dhe Lekë Berishën, të cilët më vonë e pësuan më jetë, nga pabesia komuniste, sidomos Lekë Berisha. Haki Toska atë natë, u strehua në shtëpinë e Zef Nikollës, ku gjeti Zef Gashin. Pak më vonë, dëgjohet një zhurmë jashtë. I kishin vënë zjarrin, shtëpisë së Kolë Bibë Mirakës. Në këtë moment, jep urdhër Haki Toska, që të shuhet zjarri dhe ashtu u bë.
Ai porositi që; “mos të digjen, sepse na duhet për spital, për të plagosurit” dhe në të vërtetë për këtë qellim u përdor, ku shërbeu si doktor, Prof. Fejzi Hoxha. Me partizanët e Brigadës së VI-të u bashkuan; Hamez Mehmet Hyseni, dy vëllezërit (xhaxhallarët e mi) Ndue Nikolla e Tomë Nikolla (Rapsodi popullor, fitues i ‘Medaljës së Artë’ në Moskë, në vitin 1957) dhe Prend Çun Nika i Kopratit, kurse me Brigadën e XXII-të Sulmuese, inkuadrohet Zmal Mehmet Hyseni (vëllai i Hamzës). Hamez Hyseni dhe Ndue Nikolla, shkuan me Brigadën e VI-të deri në Sanxhak të Jugosllavisë së asaj kohe, kurse Tomë Nikollën e kthejnë në Kukës, për moshën e re, 17 vjeçare (lindur më, 26 shtator 1927).
Këta janë partizanët e parë të Iballës, kurse Mark Zefi ngarkohet nga Komanda e Brigadës së VI-të, për të dërguar postën e komandës partizane, në Qaf-Mali, ku ndodhej Pjetër Kosta, një kuadër i lartë i njësive partizane. Pasaktësira dhe shtrembërime të vërtetës nga autori i shkrimit, kemi të përsëritura herë pas herë. Duke biseduar dhe u konsultuar për shumë ngjarje historike në krahinën e Iballës, me një nga shokët e mi më të mirë, me të ndjerin Beqir Arifaj, sidomos për librin e tij monografik me titullin “Man Avdi Arifaj”, përgatitur për botim, por i pa botuar. Nuk e cilëson as edhe një here, që baba i tij, të ketë qenë veteran dhe ai nuk pati kurrë dokumentin e veteranit. Mani ka qenë nën punës në Komitetin Ekzekutiv në Seksionin e Financës, ku ka dhënë dorëheqje, por nuk është larguar nga puna. Temë që Beqiri ja ka kundërshtuar edhe herë të tjera Xhemal Meçit.
Man Avdia, nuk mund të quhet “Intelektual Popullor”, sepse ai nuk kishte mbaruar ndonjë fakultet, por në të vërtetë, Mani qe një burrë i zgjuar, i sinqertë, fjala e tij zinte vend në kuvend me burrat. Mani nuk bëri kurrë dallime mes komuniteteve përkundrazi, respektonte më shumë kumarët e tij. Sofra e bukës e shtëpisë së Man Arifajt, mirëpriste dhe respektonte kumarët katolik. Tek vëllezërit katolik, sofra e tyre shtrohet edhe për vëllezërit musliman, festat i kemi të përbashkëta. Ju siguroj se në monografinë “Man Avdi Arifaj”, nuk ka asnjë fjalë të shkruar për sa më sipër, të thënë nga Xhemal Meçi. Këto që thamë më sipër, i vërteton dhe vëllai i të ndjerit Beqir Arifaj (A. A.). Pas vdekjes së Beqirit, botohet shkrimi në dy gazetat e sipër përmendura. Ky veprim, e ka emrin pabesi!
Si ka mundësi që të quhen aktivist të Lëvizjes Nacional- Çlirimtare (LANÇ), personat me moshë 8, 10 dhe 14 vjeç, të cilëve nuk dua që t’ua përmendi emrat, vetëm për etikë. Në Iballë, nuk u formua kurrë Celulë Komuniste, çlirimi imagjinar i Iballës, vendosi pushtetin dhe kështu ata nuk mund të quhen aktivist të Luftës, por familjet e tyre, bashkëpunuan me regjimin, kurse këta akoma ishin fëmijë, as adoleshent jo.
Në një intervistë të marrë nga K. P., pasardhës i familjes së Stakë Pematit, më tregon së deri në vitin 1948, sipas traditës zakonore, fëmijët së bashku më nënën e tyre, të shkonin tek shtëpia e kumarës që i kishte marrë flokët dhe ata qëndronin në këtë familje, si tek vëllai vetë, ndoshta një javë, ose më tepër. Pra jo që kishte mundësi, por dhe detyrim, që famulli i tyre, Xhemal Meçi, t’i shkruante pak rreshta për këtë familje, pas viteve ’90-të. Kjo e ka emrin mohim i vlerave të kësaj familjeje dhe më gjerë, ose më saktë; bukëshkelës.
Nuk flitet për dekoratat e Hamëz M. Hysenit, nëntoger, oficer në rezerve, me dokumentin Nr. 004834. 1 (medalje trimërie) dhe 1 (një) të çlirimit, me Nr.13162, Tiranë, me 9 korrik 1946. Medaljen e Trimërisë, “Certifikatë”, Nr. 4849, me 6 dhjetor 1946. Librezë e Veteranit, Nr. i Vendimit 11 dhe Nr. Regj. Themeltar 60/50. Ndue Nikolla, Certifikatë, dekoruar me “Medaljen e Çlirimit”, më dokument Nr. 26010. Tiranë, me 4.6. 1946. Këto dokumenta disponohen nga familjaret si relike, pushteti komunist ua akordoj, por nuk ua konsideroi. Tomë Nikolla, Certifikatë “Për kontributin e dhënë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare”.
Në kujtim të 50-vjetorit të festimit të çlirimit të atdheut, akorduar nga Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Sali Berisha. Ali Bytyçi, nuk pati asnjë lloj funksioni dhe kontributi në çlirimin e Iballës, ai qe vetëm udhërrëfyesin i Brigadës VI-të. “Komunistët e rinj”, ishin të pa besueshëm, gjë që do ta shohim më poshtë. Në ditët në vazhdim, filloj diktatura dhe krimi komunist, ndaj popullit paqedashës të Iballës. Në oborrin e shtëpisë së Zef Nikollës, ku ishte vendos komanda e Brigadës VI-të Sulmuese, mblidheshin partizanët dhe fillonte kënga labçe, me zërin e tyre në maksimum, me iso, shoqëruar me klarinetë, fizarmonikë, tupan, lodër, e tjera vegla muzikore (dhe keto në volumin maksimal) me qëllim që të mos ndigjoheshin të bërtiturat, që shkaktonin torturat brenda shtëpisë, nga xhelatët komunist.
Xhemë Prendin e Poravit, e torturuan kaq shumë fizikisht, sa që i këputën muskulin e kërcirit të këmbës dhe ai nuk mund të shkonte në shtëpinë e tij, në fshat, futet dhe kërkon ndihmë në shtëpinë e Gjokë Nikollës (babaj im). Muskuli i kërcirit, ishte i varur poshtë dhe ky burrë i pamposhtur, e këputi muskulin dhe ja hodhi macës, duke i thënë; “Merre se është pjesa e jote”. Mbasi mbaroj lufta, brigadat partizane, u kthyen në struktura të tjera, ku spikatën famëkëqijat “Repartet e Ndjekjes”. Këtyre reparteve, u parapriu krijimi i Brigadës së XXV-të Sulmuese, me 6 nëntor 1944, me qëllimin e vetëm për të luftuar “reaksionin e brendshëm”, me komandant Niman Doçi dhe komisar Nuri Arapi.
Drejtuesit e komandës dhe strukturat e saj në Iballe, sajuan dhe krijuan shumë “armiq të popullit”, duke i cilësuar “kulak”, të “deklasuar”, e të tjerë epitete ofendues. Një ndër ta ishte dhe Ali Marku, lindur në Iballë të Pukës, më 11 korrik 1880, i vrarë pa gjyq për motive politike, me 3 shtator 1946. (Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist, vol. V, gërma L-M, Tiranë, 2016, fq. 218).
B.Z. Selimi, kapter nga Qerreti, efektiv me Repartet e Ndjekjes, binte në sy, i cili thoshte; “Pushkatoni Iballasit, se janë Iballasit e Kolë Bibë Mirakës”. Këtij kapteri, i mbahej goja (ishte gagaç) dhe thoshte: “Puckatoni”, jo “Pushkatoni”. Komunistët u treguan të pabesë, jo vetëm ndaj Stak Pjetër Pematit dhe Mehmet Ramë Hysenit, dy burrave që kryen aktin patriotik dhe shpëtuan një popull pa u masakruar, duke i cilësuar “kulak”, ndaj popullit patriot, bujar dhe paqedashës të Iballës, por dhe ndaj vetë anëtarëve të partisë së saj. Krahina e Iballës, quhej “zonë reaksionare, thellësisht armiqësore”, por vetë Lekë Berisha, vinte nga kjo zonë.
Është koha kur në udhëheqjen e drejtimin e lartë të Partisë, fillon ajo që Enver Hoxha e quante: “intrigë shumë e rrezikshme, që kishte për qëllim dobësimin e organizatës së partisë të rrethit të Pukës, krijimin në atë organizatë të dy tarafeve: komunistë të vjetër dhe të rinj. Krijimin e pikëpamjes se; komunistët e vjetër janë më të besueshëm dhe të pa gabueshëm, kurse të rinjtë, më pak besnikë, bile dhe të dyshimtë”’. (Letër e sekretarit të përgjithshëm të PKSH-së, Enver Hoxha, drejtuar gjithë Komiteteve të Partisë, 26 janar 1952).
Njëri nga më të dyshuarit, ishte Lekë Berisha. Bazuar në akuza të sajuara, ata arrijnë që; Lekë Berisha, të kthehet nga anëtar, në kandidat partie dhe çështja e tij, të kalohej, siç quhej asaj kohe, për revizionim (riedukim). Pikërisht në këtë kohë, ndodhi dhe vrasja e tij, një vrasje e organizuar nga Sigurimi i Shtetit, për disa qëllime themelore të tilla si:
- Saktësimi se në Iballe, nuk mund të gjeje njerëz të besuar dhe se zona duhet goditur.
- Lekë Berisha dhe sekretari i parë, Zenel Islami, ishin miq të ngushtë me njeri tjetrin. Kjo edhe nga jeta e tyre, pasi që të dy ishin rritur jetimë dhe nuk kishin vëllezër, duke e gjetur vëllazërinë tek njëri tjetri dhe një grup të rinj, drejtues të zonës.
- Synim për të bërë të gjithë të rinjtë, djemtë e atyre trevave të pabesueshëm dhe të dënueshëm.
- Duke krijuar një legjendë të rreme, për Lekë Berishën, si një njeri që kishte dashur të bënte aksione vrasëse ndaj shokëve kryesor, do të vihej tek akuza se; mbështetja ndaj tij dhe zonës së Iballës, kishte qenë jo vetë e gabuar, por dhe dyshimtë.
- Sigurimi i Shtetit, do të vendosej edhe një herë mbi organizatën e partisë, ashtu si dhe do të ndodhte herë pas here.
Ngjarja e Lekë Berishës, por dhe vrasjet e ndodhura në Iballë, nuk kaluan pa pasoja të rënda në psikozën dhe jetën e banorëve të rrethit të Pukës. Duke u nisur nga kjo dhe qëndrimet e Sigurimit të Shtetit, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit Pukës, Zenel Islami, i drejtohet Komitetit Qendror të Partisë me dy letra.
Letra e parë:
“Për mbytjen e Lekë Berishës, nga ana e Sigurimit të shtetit.
(Komitetit Qendror të Partisë së Punës Shqipërisë)
Tiranë
Shokët e Sigurimit pretendojnë se, nuk ka qenë porositë Gjini, ta mbytë Lekën, por ta rrihte, vetëm se ai, gjoja ka dashtë e ka mbytë. Këtë çështje, e ka marrë vesh dhe populli, pse N/Shefi i Brendshëm, shoku Veliko Xhaferi, në mbledhjen e popullit, duke qenë i prekur pse se kishte vënë ndieni N/Shefi, për çështjen e Lekës, ai i tha hapur se Lekë Berisha, është mbytur nga intrigat e Sigurimit. Kaq për dijeni”!
Për Komitetin e P. P. Rrethit
Zenel Islami
Në letrën e dytë, për Komitetin Qendror të P. P. Shqipërisë, Zenel Islami midis të tjerash shkruan: “Nga ana tjetër, dyshohet se mbrëmjen kur është mbyt Leka, duhet të ketë qenë dhe ndihma e Xhevdet Milotit, për faktin se në kohën kur u mbyt Leka, ky i fundit, ka thërrit: ‘Më nxore në pritë Xhevdet Miloti’. E vejmë në dijeni Komitetin Central. Për Komitetin e Partisë Elbasan, Zenel Islami. (Gazeta “Dita”, “Dy Letrat që vranë Lulin e Vocërr”, e diel, 10 korrik 2016, fq. 2-3).
Shteti komunist, si festë kombëtare, vendosi 29 nëntorin, ditën kur sipas tyre u largua ushtari i fundit gjerman nga Shkodra, kurse në Pukë, festa e rrethit u vendos më 20 tetor 1944. “Lufta e Rrapës”, që festa e rrethit duhej të vendosej më 1 (një) nëntor, sepse armiku i fundit imagjinar, u largua nga Iballa. Ky ishte çlirimi, që i solli popullit të Iballës, përqafimi i ideologjisë komuniste, nga komunisti Ali Bytyçi, luftën e klasave, cilësimin kulak, torturat, rrahjet, internimet, burgosjet dhe pushkatimet pa gjyq.
Prandaj Xhemal Meçi, e promovon si; shpëtimtarin e popullit të Iballës. Ju lutem, sot ka ikur koha shkrimeve provokative, deformuese, shtrembëruese, mohuese të së vërtetës, sepse keq informojmë brezat që vijnë. Është e pa pranueshme të fyejmë popullin, duke promovuar ata përfaqësues të regjimit, që i mori lirinë dhe e vrau shpirtërisht këtë popull. Ai që të vret shpirtërisht, ai të ka vrarë në gjithçka. Memorie.al