Nga Bashkim Trenova
Pjesa e pesëdhjetë e një
Memorie.al /publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturg dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëri e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
ME “HERONJTË E POPULLIT”
BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA
Takimi im i parë me “shokun” Sofo Lazri!
I vetmi anëtar i Komitetit Qendror të Partisë me të cilin kam patur marrëdhënie disi të afërta pune, ka qenë Sofokli Lazri apo, siç thërritej më shpesh, Sofo, shoku Sofo. “Takimi” im i parë me Sofokli Lazrin ka qenë në vitet kur unë bëja stazhin e kandidatit të Partisë në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit. Ishin vitet e Plenumit të IV famëkeq dhe të prerjes së kokave të gjeneralëve të ushtrisë shqiptare. Më parë, por edhe gjatë kësaj periudhe, kam bashkëpunuar rregullisht me Napolon Roshin, për botimin e disa artikujve në gazetën “Bashkimi”. Ai ishte atëherë shef i Sektorit të Jashtëm të kësaj gazete. Ai më kishte ftuar për vizitë edhe në shtëpinë e tij, e më kishte njohur me nënën, me bashkëshorten dhe dy vajzat, ende në moshën e fëmijërisë. Napoloni njihej jo vetëm si një gazetar me përvojë dhe i talentuar i problemeve ndërkombëtare, por edhe për trajtimin origjinal e të guximshëm të tyre, për aq sa mund të mendohet kjo gjë në kushtet e kohës. Një ditë mësoj nga shokët, se ai ishte pezulluar nga detyra, madje e kishin larguar edhe nga gazeta, e kishin lënë të papunë. Thuhej se Sofokli Lazri ishte shkaku. Ky kishte folur për një artikull të botuar ato ditë nga Napoloni, duke e quajtur atë të gabuar politikisht. Fjalët që filluan të qarkullojnë për të ardhmen e Napolonit, nisën të bëhen gjithnjë e më ogurzeza. Në këto ditë kam shkuar për ta takuar atë në shtëpi. Gruaja e tij më tha se ishte në sallën e një biblioteke të Lagjes, që ndodhej në atë kohë në fillimin e rrugës së Pishës, në anën e djathtë të trotuarit.
Sofo Lazri, largoi nga puna Napolon Roshin, për një shkrim ku ai ishte bërë “tellall i revizionizmit”!
Napoloni ishte edhe aktivist i Frontit Demokratik në lagje. Ai kishte shkuar në një mbledhje të Frontit. Aty u takuam. Ndenjëm bashkë deri në përfundim të mbledhjes. Pastaj shkuam e pimë një kafe dhe ai më shpjegoi pozitën e vështirë në të cilën gjendej. Në të vërtetë, ai kishte botuar një artikull ku kishte cituar të plotë në disa radhë mendimin e udhëheqësit të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Këtë citim e kishte bërë për të treguar, se sa i pabazë ishte mendimi i kreut të Kremlinit, sa i rrezikshëm etj., etj. Për Sofokli Lazrin, që atëhere punonte në Komitetin Qendror të Partisë, ky ishte mëkat i pafalshëm. Sipas profesor Sofos, Napoloni, duke dhënë të plotë në formë citati mendimin e kreut të Partisë Komuniste Sovjetike, ishte bërë trumbetues i këtij mendimi, apo thënë ndryshe, me gjuhën e kohës, ishte bërë tellall i revizionizmit dhe social-imperializmit sovjetik. Për një “krim” të tillë të pretenduar, mjaft të tjerë, para dhe pas Napolonit, janë dënuar me vdekje nga diktatura. Nuk e di se si rrodhën punët më pas, por di se Napoloni u rikthye sërish në “Bashkimi”, në detyrën e tij. Ndoshta e mbrojti vetë artikulli i tij, i cili i botuar, nuk linte vend për interpretime ekstreme, si ato të Sofo Lazrit.
Besoj se për Napolonin ato ditë të ankthit, të pritjes së një fundi, gjithsesi të tmerrshëm, kanë mbetur të pashlyeshme në ndërgjegjen e tij. Mendoj se ato ditë kanë vendin e tyre në qëndrimet e viteve të tij të mëvonshme. Mund të kujtoj këtu takimin e pasuesit të diktatorit, Ramiz Alisë, në gushtin e vitit 1990 me 40 intelektualë të kryeqytetit. Aty morën pjesë edhe Ismail Kadare, Sali Berisha, e të tjerë intelektualë të njohur të kohës. Në këtë takim vetëm Napolon Roshi u shpreh për pluralizmin politik dhe propozoi të formohet Partia Ekologjike Shqiptare. Ishte ky një qëndrim tepër kurajoz për kohën. Më pas Napoloni do të ishte një nga aktivistët e flaktë të Partisë Demokratike dhe deputet i saj deri kur u largua nga vendi pasi u caktua me detyrën e ambasadorit.
Në mbarim të stazhit të kandidatit të Partisë së Punës, sikurse kam shkruajtur në ndonjë rast më parë, unë nisa punë në redaksinë e gazetës “Zëri i popullit”, në Sektorin e Jashtëm. Vitet e “Zërit të popullit”, më bënë të njoh më mirë Sofokli Lazrin. I dashuruar marrëzisht me vetveten, ai e shihte me lentë zmadhuese kokën e tij. Ai ishte sa shpirtzi, po aq cinik e mashtrues, njeri i prapaskenave, tepër i rrezikshëm në marrëdhëniet shoqërore apo në marrëdhënie pune, më tepër se i rrezikshëm, regresiv për fatet historike të vendit për aq sa varej prej tij.
Sofokli Lazrin, e kam takuar në zyrën e Xhelil Gjonit, kur ky ende ishte kryeredaktor i “Zërit të popullit”. Ai kishte ardhur aty së bashku me Ramiz Alinë. Xhelili më parë më kishte kërkuar që të ndiqja informacionet mbi një takim ndërkombëtar që do të bënin Partitë Komuniste në Bratislavë, në mos gaboj. Ne, gazetarët e problemeve ndërkombëtare, si burim ditor informacioni, kishim atëherë vetëm Buletinin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Ky Buletin ishte një përmbledhje e transmetimeve të agjencive të ndryshme ndërkombëtare të lajmeve. Ato ditë, këto agjenci njoftonin për mbajtjen e takimit të partive komuniste, por nuk bënin asnjë koment apo analizë paraprake rreth tij. Si përfundim, edhe njohuritë e mia për këtë takim do të ishin të pamjaftueshme. Unë u përpoqa të plotësoj boshllëkun duke rishikuar të gjitha materialet, që ishin botuar në të kaluarën në raste të ngjashme. Sidoqoftë, arrita të përgatis një tufë skedash, që ia kisha dhënë Xhelil Gjonit para arritjes së Ramiz Alisë dhe Sofo Lazrit, në Redaksinë e gazetës “Zëri i popullit”.
Në prani të Ramiz Alisë, për të treguar se e kishte ndjekur problemin, Xhelili filloi të lexojë disa nga skedat, që kisha përgatitur unë. Ramizi dhe Sofo miratuan leximin e Xhelilit. Bënë edhe ndonjë sugjerim. Me largimin e tyre, Xhelili më tha: “Merri këto skedat që kam përgatitur unë, ki parasysh edhe ato që tha shoku Ramiz e shoku Sofo dhe fillo e shkruaj artikullin”. Më bëri përshtypje se si skedat që ishin përgatitur prej meje, ai i paraqiti si të përgatitura prej tij, tashmë jo para Ramiz Alisë e Sofo Lazrit, por edhe i vetëm ballë për ballë me mua!
Unë e shkruajta artikullin. Xhelili, pasi e lexoi, më thirri së bashku me Qako Dangon në zyrën e tij. Ata të dy filluan të punojnë mbi atë që kisha shkruar unë. Pothuajse nuk lanë gjë nga artikulli. U befasova. Xhelili e vuri re këtë gjë e më qetësoi duke më thënë se, duhet të mësohesha të punoja në ekip. Si përfundim, artikulli u dërgua për miratim në Komitetin Qendror të Partisë. Të nesërmen na e kthyen atë në redaksi. Në të vërtetë, nga ajo që kishim shkruajtur ne, kishin mbetur vetëm dy apo tri rreshtat e parë. Gjithçka ishte rishkruar nga e para dhe asgjë nuk ishte aty nga sa u bisedua në Redaksi me Ramiz Alinë dhe Sofo Lazrin. Me sa mund ta gjykoj këtë rast, mendoj se Sofokli Lazri ka dashur të tregojë se Redaksia e “Zërit të popullit”, nuk ishte e aftë të shkruante artikuj redaksionalë të këtij karakteri, se në këtë fushë vetëm ai dhe askush tjetër mund të ishte i suksesshëm. “Mësimi” i jepej, sigurisht në radhë të parë Xhelil Gjonit, por më pas edhe mua.
Konflikti me Sofo Lazrin pasi u takuam te Rajoni Nr.3!
Në një rast tjetër, Sofo Lazrin e kam takuar në zyrat e Komitetit të Partisë të Rajonit Nr.3, në mos gaboj, më saktë në zyrën e Fize Bozhegut, ish-Sekretare e Parë e këtij Komiteti. Të pranishëm ishin edhe disa të tjerë. Ishte koha kur Shqipëria po i prishte marrëdhëniet me Kinën e Mao Ce Dunit. Në “Zëri i popullit”, ishin botuar artikuj kritikë ndaj “teorisë së tri botëve” të kreut të Partisë Komuniste Kineze. Sofo, sikurse edhe unë e të tjerë, që u mblodhëm në zyrën e Fize Bozhegut, ishim caktuar nga aparati i Komitetit Qendror të Partisë, që të shkonim nëpër qendra prodhimi, që shtriheshin në territorin e këtij Komiteti Partie. Mua më caktuan Fabrikën e Tullave në Vorë, pranë Tiranës. Ne ishim ngarkuar për të “sqaruar masat punonjëse”, rreth teorisë së ‘tri botëve’ dhe rreth qëndrimit të Partisë së Punës ndaj kësaj teorie, përgjithësisht për të sqaruar marrëdhëniet midis Partisë së Punës dhe Partisë Komuniste të Kinës. Mua më është dukur sikur Sofo nuk e ndjente veten mirë në “shoqërinë” tonë, sikur atë gabimisht e kishin caktuar të bënte po atë gjë, si të gjithë ne të tjerët.
Atij, sidomos vitet e fundit, i ishin rritur tepër kreditë. Ai ishte këshilltar personal politik i diktatorit dhe pra, sëra e tij nuk mund të ishte e njëjtë me tonën. “Gabimin”, Sofo u përpoq ta ndreqë duke marrë menjëherë poza udhëheqësi, e duke na dhënë udhëzime. Për të na treguar thellësinë e tyre, ai me zor i nxirrte fjalët, si me çengel. Në të vërtetë udhëzimet konkrete ne duhet të na i jepte Fize Bozhegu. Udhëzime të tjera jashtë atyre që ishin thënë në artikujt e botuar në “Zëri i popullit” ose, që ishin thënë nga Enver Hoxha, askush nuk kishte të drejtë të shtonte. Në fakt edhe profesor Sofo, vetëm përsëriste. Fize Bozhegu, nga ana e saj, duke qenë e lidhur me krushqi me familjen e Hysni Kapos dhe duke qenë në domenin e saj, nuk dëshironte të lejonte Sofon të sillej si kapo. Kështu nisën gërr-vërret midis tyre. Sofo kaposh dhe Fizja kapo. Ne të gjithë i ndiqnim duke qeshur. Hamendësoj, se ndoshta që këtu nis edhe ai qëndrim jo dashamirës i Sofos ndaj meje. Ai, i kompleksuar nga kjo njohje, ka dashur vazhdimisht të më tregojë vendin, pra të më tregojë se të qenurit të “barabartë” në Komitetin e Partisë, ishte një aksident, se e qeshura ime edhe me të në këtë Komitet, kishte një çmim. Ai nuk do ta harronte këtë. Unë do të duhet të paguaja.
Fodullëku dhe sjellja harbute e Sofo Lazrit me vartësit e tij!
Fillimisht më ka bërë përshtypje një mënyrë sjelljeje e njëjtë midis Sofos dhe Xhelil Gjonit. Edhe ai kthente kokën menjë anë kur, rastësisht ose jo, ndodhej pranë meje. Disa kohë mendova se nuk më shihte. Nuk mund të mendoja se në Komitetin Qendror të Partisë, anëtarët e tij ose disa prej tyre, e kanë në stil këtë mënyrë sjelljeje. U binda më pas për këtë. Një ditë, Sofo se përse kishte ardhur në zyrën e kryeredaktorit të “Zërit të popullit”?! Kryeredaktori më thërret të shkoja ta takoja. Trokita menjëherë në zyrën e tij dhe hyra brenda. Aty gjeta edhe Sofo Lazrin të ulur në një kolltuk. E përshëndeta. Sofo jo vetëm nuk dënoi të kthejë përshëndetjen, por edhe hapi gojën si përgjumësh dhe ktheu kokën mënjanë, si një luan dembel i bezdisur! Mësimi ishte i qartë. Sofokli Lazri, në të vërtetë nuk e di për ç’arsye, nuk donte as të më përshëndeste, pra nuk ishte se nuk më vinte re rrugës. Për Xhelilin, së paku, e dija arsyen.
Në një rast tjetër Sofo Lazrin e kam takuar në një Kongres të Gruas Shqiptare, që, mesa më kujtohet, i zhvilloi punimet në Durrës. Presidente e kësaj organizate formale, si të gjitha organizatat e tjera të masave në Shqipëri, ishte në atë kohë Lumturi Rexha. Ishte udhëheqja e Partisë së Punës që e kishte zgjedhur në këtë post, sikurse e zgjodhi edhe anëtare të Komitetit Qendror, deputete në disa legjislatura të Kuvendit Popullor dhe anëtare e Presidiumit në Kuvendin Popullor. Paturpësisht, disa vite më vonë, kur komunizmit po i rrëshqiste toka nën këmbë, Ramiz Alia për t’u treguar “reformator”, do te ironizonte me aftësitë e Lumturi Rexhës.
Në prag të punimeve të Kongresit të Gruas Shqiptare, Lumturi Rexha, më dërgoi një ftesë dhe njëkohësisht më kërkoi që të ndihmoja në punën e Byrosë së Shtypit të këtij Kongresi. I ftuar aty ishte edhe Sofo Lazri. Ai, si të thuash, ishte shefi ynë i madh në Byronë e Shtypit, pra ai na jepte udhëzimet se si duhet të vepronim ne konkretisht në një rast apo në një tjetër. Sofo na tregoi edhe se si duhet të vepronim me tekstin e përshëndetjeve të delegacioneve të huaja të ftuara në këtë Kongres. Sipas rregullit, delegacionet e huaja duhet të dorëzonin tekstet e tyre të përshëndetjes për t’u përkthyer në shqip. Me këtë rast, bëhej një rrugë e dy punë. Pas përkthimit, fjalimet silleshin në Byronë e Shtypit.
Aty verifikohej përmbajtja e tyre. Sipas fjalëve të Sofos, unë dhe kolegë të tjerë gazetarë, që ishim angazhuar në këtë Byro, duhet të censuronim fjalë apo fraza, që nuk ishin plotësisht në linjë me qëndrimet e Partisë së Punës dhe fjalimet e shokut Enver Hoxha. Ne duhet të linim për t’u lexuar nga mikja e ftuar një tekst jo më të gjatë se dy faqe, vetëm ditirambe për Partinë dhe shokun Enver, për arritjet madhështore të gruas shqiptare në Shqipërinë socialiste. Nga teksti duhet të hiqeshin edhe linjat që paraqitnin gjendjen e grave në vendet e huaja përkatëse, edhe lufta apo fitoret e gruas në këto vende. Shqipërisë socialiste dhe diktatorit nuk i duheshin këto. Atij i mjaftonin himnet dhe refreni i fitoreve të patjetërkundëshme që duhet të këndonin me zjarr njëra pas tjetrës përfaqësueset e delegacioneve nga vende të Europës, Azisë, Amerikës Latine dhe nga Afrika.
Një qëndrim i tillë nga mikpritësit nuk mund të mos krijonte pakënaqësi midis delegacioneve të huaja. Më kujtohet rasti i një afrikaneje që, siç paraqitej, do të përshëndeste Kongresin në emër të gruas kongoleze. Ajo kishte përgatitur, në fakt, jo një fjalë përshëndetëse, por një referat mbi përpjekjet, vështirësitë dhe arritjet e gruas kongoleze në rrugën e saj të emancipimit, mbi rolin e saj në shoqërinë kongoleze etj. Sipas porosive të Sofokli Lazrit, ne e shkurtuam fjalën e saj. Kongolezja nuk pranonte asnjë ndërhyrje në tekstin e gjatë që kishte përgatitur. Sidoqoftë, me hir apo me pahir, kjo punë mbaroi ashtu si na kishte udhëzuar shoku Sofo. Ne ia ngarkuam këtë “detyrë partie”, përkthyeses së frëngjishtes, Violeta Kekezit, e cila “e bindi” Kongolezen. Me Violetën njihesha që kur punoja në Radio Tirana. Ajo ishte atëhere përkthyese e emisionit të frëngjishtes. Më pas kaloi si pedagoge e frëngjishtes në Universitetin e Tiranës. Për vite të tëra e ruajtëm shoqërinë. “Detyrën e Partisë”, në të vërtetë, ajo e mori përsipër si një detyrë shoqërore, thjesht për të na shmangur një bezdi. Ajo ishte një grua me mjaft cilësi.
Përfaqësuesja e gruas kongoleze, siç doli, nuk ishte e bindur aspak për dobinë e shkurtimit të fjalës së saj përshëndetëse. Në tribunën e Kongresit, ajo lexoi variantin e shkurtuar, i bëri edhe një dhuratë Bashkimit të Gruas Shqiptare dhe u largua duke turfulluar. Në banketin që u dha me rastin e përfundimit të punimeve të këtij Kongresi, vura re në sallë Kongolezen, që ende turfullonte dhe vetëm turfullonte. Mendova ta qetësoja disi. Nuk e di pse e ndjeva për detyrë këtë gjë, kur asnjë nga ato që e kishin ftuar atë në Shqipëri, nuk i pashë të shqetësoheshin. Për to, siç duket, misioni i Kongolezes kishte mbaruar. Nga ana e saj, më duket se edhe Kongolezja e quante misionin e saj të mbaruar sepse e pashë që po largohej nga salla në mënyrë demonstrative. Unë i dola përpara dhe, meqë orkestra kishte filluar të luante një pjesë vallëzimi, e ftova që të vallëzonim. Ajo nuk pranoi. Unë këmbëngula, por ajo sërish nuk pranoi dhe u largua duke më thënë në frëngjisht, pothuajse në mënyrë arrogante, vetëm: “Natën e mirë”. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016