Nga Ahmet Bushati
Pjesa e njëzetepestë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Lëvizja antikomuniste e gjimnazit të Shkodrës
Ndërkohë, në shkollë u zhvillonte edhe reforma arsimore e cila po përmbyste krejt sistemin shkollor të mëparshëm. Figurat madhore të letërsisë, si Fishta, Konica me shokë, që deri atëherë kishin kenë konstrukti shpirtnor i kombit tonë, do t’u denigrojshin e anatemoheshin, e vepra e tyne, që aq shumë kishte ndikue në brumosjen e popullit tonë me idealet kombëtare, do t’u denigronte gjithashtu me arrogancë në atë rast, e vepra e tyne do t’u përjashtonte prej programit, për karakterin reaksionar, irredentist e, deri edhe shoven që thuhej se kishte.
Kultura evropiane e botnore, e shpallun borgjeze e obskurantiste, do t’u mohonte gjithashtu. Në letërsi do t’u fuste “realizmi socialist”, që s’ishte tjetër veç kronikë e regjimit. Gjuhët italiane e franceze, që na po i mësojshim qysh prej shumë vitesh, do t’u hiqshin pa mëshirë prej programit, për t’u zavendësue me gjuhën sllave të rusëve të mbrapambetun, e cila do të fillonte me “cirilicën” e saj të famshme, gjuhë që koha provoi se përgjithësisht as u desht dhe as u mësue asnjiherë si duhej!
Për mësuese të parë të gjuhës ruse, do të kishim njifarë Xhina Aleksandrovnet, thellësisht fshatare për origjinë e sjellje, edhe pse, si për kontrast, ajo do të mbante artificialisht mbi krye nji cilindër të zi. Nji ditë, kësaj Xhine do t’i shkojshin për vizitë disa shoqe të klasës tonë, dhe mbasi tu kthejshin të skandalizueme për ç’kishin vërejt atje, do të na thojshin: “Ajo ishte krejt katundare! Na priti zbathët, megjithëse e kishim njoftue për vizitën, e me do fëmijë të papastër nëpër kambë. Sa ushqimin që e kishte!!! Tlynin, me teneqe”!
Etika e shkollës, konsiderue formale e si gjithnji borgjeze, ishte barazia komuniste, që s’njihte hierarki edhe në rastin e marrëdhënieve mësues-nxanës. Profesorët e profesoreshat, nuk u lejonte ma t’u thirrshin me titujt “zotni”, “zonjë”, a si mbas rastit edhe “zonjushe”, por thjeshtë me emnat që kishin e pa distancë. Nxanës komunistë nëpër klasa, si të porositun që ishin, për presion psikologjik mbi profesorë e nxanës, si në dele që duhej të ktheheshin, do t’i kërkojshin me arrogancë profesorit të letërsisë, – në rastin tonë prof. Filip Ndocaj – , që të lexonte para klasës hartime të nxanësve të njohun si kundërshtarë, si dhe të tregonte notën me të cilën ai i kishte pasë vlerësue.
Mbas dreken e ditës 11 dhjetor 1946, aty poshtë në sallën e madhe të palestrës, na erdhi Spiro Pano, sekretar i parë i Komitetit të Partisë, i cili mes tjerash, do të shqiptonte premë e me nervozitet: “Duhet që djemtë e popullit ta çojnë shkollën atje ku është e nevojshme, në të mirën e masave të gjëra të popullit. Nxenësit e tjerë, nuku do të kenë vend në shkollën tonë. Nuk mund të kalosh indiferent para plagëve të shumta të popullit tonë. Të kalosh kështu, do të thotë të bësh krim dhe krimi dënohet”!
Aluzionet e tij direkte, do të ishin të qarta e paralajmuese për ne studentët e komprometuem qysh gjatë vitit të kaluem. Ligjëratën e tij inteligjente e konçize, me theks të pastër minoritari e me tone që ma shumë tregojshin vendosmëni se sa nervozizëm, ai do ta përfundonte me fjalët: “Si uji që në njiqind gradë do valojë se s’bën, ashtu edhe disave këtu, u themi se kur të mbushet kupa, burgu ju pret”! Paralajmim ma të qartë nuk mund të kishte.
Ndërkohë, njifarë Marian Zhagarit, në fytyrën e rregullt e serioze deri në të pikllueme, të të cilit do të bijshin në sy nji palë mustaqe të plota e të zeza shumë, ishte personalitet i spiunazhit jugosllav në Shqipni, i maskuem nën titullin e këshilltarit jugosllav pranë ministrisë tonë të arsimit në Tiranë. Ky njeri-enigmë e gjithmonë me pamje të zymtë, do të vinte rregullisht, dy herë në javë në Shkodër, që në gjimnaz të jepte gjuhët sllave e ruse e, në orët e lira, do të shihej gjithmonë tue shëtitë me Ferit Mandinë, njeri i Sigurimit, por edhe që dinte gjuhën e Marianit.
Lufta ndaj studentëve, përgjithësisht prej konviktorëve, po edhe prej disa tjerëve, – vegla të verbëta të pushtetit e Sigurimit – gjatë vitit shkollor ’46-’47, do të merrte karakter të fortë agresiv. Ndjekja e jonë ishte rritë në maksimum. Ata do të kontrollojshin çdo lëvizje tonën, si ditën për diell, ashtu dhe nëpër terr të natës, jashtë e deri edhe brenda shtëpive tona. Ka pasë raste që natën ata të ishin futë msheftas brenda oborreve të shtëpive tona, për të vërejt kush hynë e del aty e të qëndrojshin edhe me orë e orë poshtë dritareve të dhomave tona, tue përgjue se mos ne po ndigjojshim “Radio-Londrën” e “Zanin e Amerikës”, që në atë kohë po flitshin shumë për shkelje të randa të lirive e të të drejtave të njeriut, nga ana e qeverisë komuniste.
Nga koha në kohë do t’u përjashtojshin nga organizata e rinisë, e pjesërisht edhe nga shkolla, grupe studentësh kundërshtarë. Përjashtimet e studentëve kundërshtarë u bajshin përmes nji “ceremoniali” të tillë policor: u mblidhte e gjithë shkolla në palestër dhe aty nga të rinjtë komuniste, si mbas radhës, u bante diskreditimi i atyne studentëve që me atë rast do t’u përjashtojshin. Asnji kundërshtim dhe asnji apologji sado e vogël, as që mund t’u imagjinonte për t’u ba. Ata, disa e disa herë kishin deklarue e do të vazhdojshin me deklarue: “Dyert e burgjeve, i kemi të hapuna për cilindo”.
Deri sa na t’u futshim ndër burgje, qenë përjashtue nga rinia dhe shkolla gjatë atij vjeti shkollor, studentë e studente si ma poshtë: Gjylter Pipa, Sadush Ulqinaku, Faik Luli, Xhevat Quku, Sander Gera, Njazi Barbullushi, kurse vetëm nga rinia, Shyqyri Ahmetaga, Thabit Rusi, Hamdi Omari, Xheudet Vjerdha, Fuat Zajmi, Abdulla Miloti, Pashko Luka, Ahmet Bushati, Qazim Borshi, Asime Pipa, Linda Boriçi, Dodona Karafili, Marije Rranxi, Suzana Laca e ndonji tjetër. Dhe, ja, p.sh., nji prej lajmrimeve për të përjashtuemit prej shkollës, që nxirreshin në atë kohë përmes drejtorisë:
Republika Popullore E Shqipnisë
Vdekje Fashizmit
Liri Popullit
Nr. Prot. 194/II
L A J M R I M
Me Propozim t’Organizatës së Rinisë Popullore dhe aprovim të Ministrisë s’Arsimit nxansit: Faik Luli, Ana Daja, Njazi Barbullushi e Sandër Gera, dëbohen nga ky lice për qëndrim kundra shkollës.
Drejtori i liceut
(Nesti Havari)
firma
Sigurimi, sidomos gjatë kësaj periudhe, do t’u ndihmonte nga nji rrjetë agjenture e vendosun në shkollë, caktue për çdo moshë e klasë. I përjashtuemi nga shkolla, nuk do t’u bante fare i gjallë e do të qëndronte si i burgosun brenda shtëpisë së tij, pa hjekë nga mendja për asnji çast mundesinë e burgosjes, kurse të përjashtuemit prej “Organizatës së Rinisë”, do t’u lejojshin me vazhdue shkollën, por si të kthyem në “heretikë” të pushtetit, do të mbartshin me vete rrezik për cilindo që do t’iu afronte. Ata ishin të detyruem të qëndrojshin të veçuem e të vetmuem, brenda e jashtë shkollës.
Të fundit në rreshtimin e klasës në oborr të shkollës, të vetëm e në bankat e fundit brenda në klasë. Shoqnimi i nji personi me të përjashtuemin nga organizata e Rinisë, do t’u konsideronte si nji provë flagrante dhe e mjaftueshme e qëndrimit kundërshtar të tij. Në shtëpinë e nji shoku a të nji shoqeje të përjashtueme nga rinia, – e jo ma edhe nga shkolla – u donte ba kujdes me shkue vetëm natën, e edhe atëherë, tue shikue para e mbrapa se mos po të shiqonte njeri. Ishte pra ajo kohë, kur “hegjemonia” e ndjekjes për shumë student, të ishte e pranishme kudo.
Ajo, porsi nji hije e keqe, do të na ndiqte deri në shtratin e gjumit, dhe nuk mund të thuhet se si rezultat i presionit të madh, t’mos qe lëkundë personaliteti i ndonji studenti, pra që t’mos kishte studentë që me atë rast të ktheheshin në frikacakë e hipokritë, por që megjithatë, e vërteta për shumicën e tyne ka qenë se të shumtët e studentëve, nën shembullin e djelmëve e vajzave ma të mira, do të vazhdojshin me u mbajtë dinjitoze në qëndrimin e tyne kundërshtar ndaj regjimit, e luajalë mes tyne, pavarësisht buzëqeshjes e entuziazmit të nji viti ma parë, që ai gjimnaz do ta kishte humbë, si pasojë e fantazmës së frikshme të Sigurimit që studentëve u endej pa ia da, sa para – mbrapa.
Edhe vetë studenti Hamit Beqja, nji ndër kryesorët e të rinjve komunistë në atë kohë, tue e përshkrue vite ma vonë periudhën për të cilën po flasim, do t’u shprehte në shtyp: “Në këtë kohë, në gjimnaz u zhvillue nji luftë e gjanë dhe e mprefet klasore, e cila mori edhe forma të ashpra, me karakter të theksuem politik” dhe në vazhdim do të shtonte: “Forcat reaksionare në shkollë veprojshin. Nji mbështetje e randësishme në këtë luftë qe rinia e konviktit”!
Ngjarjet e atij vjeti shkollor, të drejtueme e të kontrollueme ndoshta nga nji shtab studentësh të besueshëm shkodranë, që s’qe deklarue asnjiherë, do t’u realizojshin nga disa konviktorë, sjellja e të cilëve, vulgare dhe aventureske, do të pasqyronte pleksjen e njifarë provincializmi të tyne me fanatizmin komunist që kishin fitue, ose rrugaçëri tipike, siç do të ishte rasti i nji Hajredin Çeliku nga qyteti i Tiranës ose Elbasanit, që u shquente mbi gjithë të tjerët.
Qëndrimi rebel i atyne konviktorëve, do t’u vuloste si nji njollë e pashlyeshme shëmtimi në sfondin e ndritun të nji gjimnazi historikisht të lavdishëm, siç kishte qenë ai i Shkodrës dhe, si dheu që s’u mbulon të vdekunve çdo vepër të keqe që ata të kenë krye kur të kishin kenë në jetë, ashtu edhe protagonistëve të atyne ngjarjeve të turpshme, koha ka provue e vazhdon të provojë, se asgja s’u ka harrue as falë, sepse do të ishin ata konviktorë e ata të pakët komunistë të rinj shkodranë, që në kundërshtim me prirjet ma fisnike të shumicës së studentëve, ata, me papërgjegjshmërinë e arrogancë, do të kërkojshin për me ndërtue lumninë e tyne mbi fatkeqësinë e atyne me të cilët ishin bashkënxënës prej vitesh.
Përleshja e Xhevat Qukut me konviktorë, para se ta përjashtojshin nga shkolla, do t’u fuste në histori si model e simbol i kundërshtimit ma dinjitoz ndaj arrogancës së konviktorëve e pushtetit të tyne të urryem, si nga studentët, ashtu edhe nga populli. Nuk e dij nëse këta ish studentë, persekutorë tonë, gjatë kohës që studiojshin ndër universitete të hueja e mbrapa me punë e jetë të mirë, a mos të kenë këthye ndonjiherë shikimin për mbrapa, për kah “bëmat” e “viktimat” e tyne të dikurshme, dhe në se po, ç’të kenë provue? A mos me atë rast vuejtën sadopak ndonji skrupull ndërgjegjet? Dhe në se po, si t’u ketë folë ajo? Sepse në fund të fundit, ja ku po ndryshokan kohët e po vikan edhe ditë që ne të mbijetuemit e diktaturës, të shkruejme e të tregojmë.
Diku andej kah qershori i atij vjeti, do t’u arrestojshin katër shokë tonë: Injac Serreqi, Gjon Kovaçi, Vitor Kujxhia e Çesk Hilgega, përkatësisht dy të parët nga të klasës tonë të V-të e, dy tjerët nga të së IV-ës. Ishin ba dy vjet që me Xhevatin kishim bisedue për nevojën e lidhjes me gjimnazin e Tiranës. Kur kah fundi i vjetit shkollor, na qe thanë që të zgjidhshim mes shkuemjes “vullnetare” në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Peqin apo, brigadave kulturore nëpër Malsi, unë preferova hekurudhën, me shpresë që atje të gjejsha gjimnazin e Tiranës, si nji rast për t’u shfrytëzue.
Për fat të keq, gjimnazi i Tiranës kishte pasë tjetër destinacion, por ne atje, diku pa mbërrijtë në Peqin, ku qemë ndalue, do të gjejshim gjimnazin e Durrësit dhe ‘Normalen’ e Elbasanit. Si të kalojshin disa ditë, do të na u afrojshin disa djelm të mirë durrsakë, si Ramazan Kthupi, Mas’har Kapidani, Muntaz Bakiri, Leka Dosti, vëllaznit Vehbi e Agim Dermani, Ruzhdi Cara e ndonji tjetër, me të cilët koha prej ma shumë se tre muejsh pat mjaftue që na t’u njifshim e t’u lidhshim si shokë me njeni- tjetrin. Në ditët e fundit të qëndrimit tonë atje, unë do t’iu hapsha Ramazan Kthupit e, do ta pyetsha në mënyrë shumë konfidenciale e konspirative, nëse e shikonte të mundun krijimin e nji grupi në gjimnaz të Durrësit, me personat e masipërm?
Zani nga ana e tij do t’u tregonte i gatshëm e, ta pranonte me shumë dëshirë propozimin tim, tue më thanë se besonte që formimi i nji grupi me personat në fjalë, duhet të ishte punë ditësh. Biseduem për format fillestare të punës, tue shërbye si model praktika, e jonë e Shkodrës e theksuem nevojën e madhe të konspiracionit, tue dhanë fjalën që të mbeste sekret lidhja mes nesh. Zani gjithashtu mori përsipër që të realizonte lidhjen time me nji shok të mirë të tij në gjimnazin e Tiranës. Me qëllim që të kishte kohë për të gjitha, takimin tjetër e lamë për 30 prill të vitit të ardhshëm në Tiranë, si ditë e vigjiljes së festës së 1 Majit, që u donte të maskonte takimin tonë, gja që, për fat të keq, nuk do t’u realizonte, mbasi unë do t’u arrestojsha qysh në janar.
Në nji ndër ato ditë të fundit të qëndrimit tonë në kamp, Tinka Thani që kthente prej Shkodret, ku kishte shkue me leje për pak ditë, do të sillte me vete lajmin e hidhun të vdekjes së Qemal Draçinit, që siç kemi tregue, do të kishte efektin e nji gjame të vërtetë për mue, e ndonji tjetër atje.
Me 28 tetor 1947, lamë kampin e punës vullnetarë në hymje të Peqinit dhe u kthyem në Shkodër, ku gjetëm natyrisht nji atmosfer të ngarkueme me ngjarje të reja e si gjithnji, tronditëse, ndërmjet tjerash, edhe vdekjen e nji djali tim të hallës, Xhemal Jukës, që siç kemi tregue edhe ma sipër, për t’i shpëtue mundimeve të matejme, i kishte pasë dhanë fund jetës, tue pre me nji copë xhami damarë e bark, e dekë në nji ditë me Qemal Draçinin, trupat e pajetë të të cilëve, nji karro plehnash, i kishte pasë hedhë diku për anë të ndonji prej të grryemeve të shumta që kishte i famshmi Zallë i Kirit, që q’prej gati tri vjetësh ishte kthye në nji varrezë pa varre.
Takimi me Bardhosh Danin
Koha kalonte dhe nji ditë, kah gjysma e dhjetorit, në nji nga pushimet mes orëve të mësimit, me afrohet Bardhosh Dani, tue më kërkue që t’u takojshim atë mbasdite. Pamvarësisht diferencës prej dy vjetësh në moshë që kishim, ne ishim rritë bashkë si dy vëllazën. Me t’u takuem atë mbas dreke, Bardhoshi hyni menjiherë në temë: “Ahmet, jam i bindun që ti zhvillon aktivitet kundër ‘këtyne’, megjithëse unë nuk kërkoj që ti të më tregojsh gja. Unë me disa shokë kemi formue nji organizatë me emnin ‘Përpjekja Shqiptare’, jena të rij e pa eksperiencë e kena nevojë me na drejtue dikush. Mue më ka shkue mendja te ti”!
Unë po hezitojsha t’iu përgjigjsha Bardhoshit aty për aty, e si për të fitue kohë, nisa ta pyes rreth veprimtarisë që zhvillojshin. Ata ishin aq të rinj e naivë, sa ç’ishte e rrezikshme edhe situata. Pa nji drejtues ma të rritun, nuk mund t’u bajshin politikisht të dobishëm, pamvarësisht vullnetit e guximit të tyne të admirueshëm që kishin. Dy vjet ma parë edhe na kishim pas atë moshë, por me eksperiencë ma tepër që kishim pasë bartë prej kohës së luftës, ndryshimi me ta ishte i madh.
Për t’mos u zgjatë, Bardhoshi, ndër tjera, me tregoi se ata kishin pasë marrë nji vendim që në ditët e ardhshme, të shkruejshin parulla kundër pushtetit në faqet e mureve të gjimnazit, gja për të cilën kishin ba edhe nja dy prova paraprake, tue u pasë praktikue secili në detyrën që do të kishte me atë rast, si ata që do të shkruejshin parullat, ashtu edhe ata që do të jepshin sinjal në rast zbulimi, si dhe të tjerë që u cilësojshin si mbrojtës të tyne, të pajisun me disa mjete të forta prej hekuri.
Unë këtë aksion të tyne e kundërshtova me arsyetimin se me nji akt të tillë, ata do t’u zbulojshin para Sigurimit, i cili do të bante që misioni i tyne vigjilent e i ashpër, nga ç’kishte qenë deri atëherë. Me sa mbaj mend, më tregoi se në çdo mbledhje ata këndojshin nji hymn me nota betimi, për luftë e besnikëri. Mbas këshillave të mia, Bardhoshi u bind ma në fund, dhe më premtoi se s’pakut përkohësisht, do ta ndërpriste aksionin në fjalë, por që megjithatë, parullat “Poshtë komunizmi”, “Jashtë rebelët”! etj., do të nyjshin muret e hymjes së gjimnazit, jo ma vonë se tre-katër ditë mbas takimit tim me të. Dhe ndodhi ashtu si e pata paralajmerue Bardhoshin:
Kund mbas pesë-gjasht ditësh tjera, u arrestuen dy shokët e mij, Remzi e Xhevat Quku e, me ta edhe vëllau ma i vogël i Xhevatit, Osja, që për arsye moshe, do t’u lionte mbas dy-tri ditish, që ishte mbajtë nën hetim. Remzinë do ta arrestojshin në korridor të shkollës, në momentin që po dilte për pushim mbas mbarimit të nji orë mësimi. Do ta kontrollojshin menjiherë, e prej cepave të palltos së madhe të tij, që si mbas rregullit, kishte kenë varë në korridor, t’i nxirrshin disa fletushka komprometuese, që vetë Sigurimi, me anë të veglave të tij në gjimnaz, i a kishte pasë shtie pak ma parë ndër xhepa, e mandej, në sy të shumë studentëve të ndodhun aty, t’i thojshin me ironi: “A të xumë me presh ndër duer”?!
Në takimin me Bardhoshin, dilemën mes “detyrës” e “prudencës”, përfundimisht e pata zgjidhë në favor të së parës, d.m.th., pranova bashkëpunimin, me kusht që anji prej shokëve të tij, t’mos mësonte anjiherë lidhjen e tij me mue. Kur unë mbas dy ditësh që ishin shkrue parullat, të takojsha Bardhoshin, ai do t’u justifikonte tue me thanë: “Nuk qe e mundun me i ndalue shokët, nga ai veprim për të cilin ishin pregatitë shpirtnisht shumë. Çdo ndërhymje e ime, që krejt e kotë, sepse ata kishin vendosë ta kryejshin atë aksion”!
Shpresën për krijimin e “Grupit të Durrësit”, unë ia pata besue Xhevatit, tue ia pasë ba të njohun edhe emnin e Ramazan Kthupit, që Sigurimi s’do ta merrte vesht kurrë, kurse lidhjen me Bardhoshin, a se kush i pat shkrue parullat, – për të cilat ai fatkeqësisht do të binte në burg – unë nuk ia pata folë, si gjithnji për arsye konspirative. Mbas dy-tri vjetësh në burg, në bisedë me njenin prej bashkëpunëtorëve ma të besueshëm të Bardhoshit, Et’hem Bakallit, unë do të mësojsha se Bardhoshi, mbas arrestimit tim, e kishte ndëpre për disa kohë mbledhjen e grupit, derisa nji ditë mandej, i kishte mbledhë përsëri, tue iu pasë thanë:
“Përderisa na nuk pësuem gja, duket se Ahmet Bushati po reziston e, na po vazhdojmë punën që kemi nisë”! Lidhun me veprimtarinë e grupit që mban emnin e Bardhosh Danit, Et’hem Bakalli, njeni ndër bashkëpunëtorët ma të ngushtë të tij, me rastin e shtatëdhet-vjetorit të gjimnazit të Shkodrës, do t’i dorëzonte komisionit të ngrijtun për organizimin e këtij përvjetori, kumtesën e hartueme në bashkëpunim me disa prej ish-pjestarve të organizatës “Përpjekja Shqiptare”, ku ai kishte ba pjesë:
“Në tetor të vitit 1947, në shtëpinë e Nihat Bakallit u formue organizata ‘Përpjekja Shqiptare’. Veprimtaria e kësaj organizate qe e dendun dhe e shumanshme. Akti i parë i saj do të ishte shkruemja e parullave në muret e gjimnazit. Boja për shkruemjen e parullave, qe pregatitë nga Myseret Muka, në dyqanin e patriotit Visho Barbullushi. Me arrestimin e maturantëve me të cilët Bardhosh Dani u lidhte nëpërmjet Ahmet Bushatit, situata në gjimnaz u randue aq shumë, sa u detyrue që veprimtaria e organizatës të dilte jashtë mureve të shkollës. Në janar të 1948-ës, me ndërmjetësi të Viktor Lukës, kjo organizatë u lidh me grupin ‘social-demokrat’ që kishte për kryetar Mark Shllakun.
Mbas vrasjes së Bardhosh Danit, gusht 1948, bashkë me Brahim Dërgutin e Mark Cacën, tek po kalojshin kufinin, riorganizimi i organizatës që ba me radhë në shtëpitë e Alfons Radovanit e të Viktor Lukës. Qenë shtypë tri herë trakte, i pari me rastin e 28 nandorit të 1948-ës, përsëri për 28 nandorin e 1949-ës, si dhe herën e tretë me dt. 7 prill 1950, në të cilin mes tjerash do t’u thonte se; 29 nandori për popullin tonë, kishte qenë njisoj si 7 Prilli i 1939-ës”. Me që makina e shkrimit e Mërgim Danit nuk mund ta përballonte ndër disa raste nevojën që kishte organizata, u mendue edhe për nji makinë të dytë shkrimi. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016