Nga Hysen Selmani
Pjesa e gjashtë
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Tiranë më 3 prill 1939
Kur po dilnim ne, erdhi Mehmet Konica dhe menjëherë u pranua prej Mbretit. Ndërkohë, kryeministri Kotta dhe Ministri i Brendshëm Musa Juka, shkuan të hynin që në orën 6 të mbrëmjes, të vinin. Ndërsa unë, shkova deri në Durrës, për të parë e biseduar me komandantët e Garnizonit, si edhe për të folur me 200 të burgosur, që ishin në Durrës, Mat, Dibër, Mirditë, ishin burra të fortë e i njihja të gjithë e, ju thashë se për çdo gjë, ju mos u mërzitni e, bile do t’ju lemë më të lirë, se unë jam bërë garant për ju, e në rast nevoje, mundem të kem besim tek ju, e bile, për t’ju armatosur, duke qenë nën urdhrat e Komandës së Garnizonit të Durrësit.
Ata m’u përgjigjën, duke u betuar se: “Jemi besnik të Mbretit e të Atdheut, se për neve edhe një herë të garantohesh dhe jemi gati të vdesim, pa as më të voglën dhimbje”. Me kaq u ndava me ta e, u ktheva në Tiranë, direkt në Pallat.
Kur u ktheva në Pallat prej Durrësit, aty gjeta kryeministrin Kota dhe ministrin e Brendshëm Juka, komandantin e Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Aranitasin, komandantin e Xhandarmërisë, kolonel Shatkun dhe nënkolonel Sami Kokën. Ato ishin në sallon, e si u përshëndeta me ta, hyra tek Mbreti dhe i parashtrova gjithçka, përsa vizitova në Durrës. Ai më urdhëroi që të hynin tek Mbreti, kryeministri dhe të tjerët, e kështu hymë të gjithë brenda.
Më parë, u ngrit ministri i Brendshëm Juka dhe parashtroi gjendjen e qeverisë së vendit, në të gjitha Prefekturat, që mbretëronte më së miri, si edhe mbi udhëzimet që ju kishte dhënë Prefekturave, që të jenë ngushtësisht në marrëdhënieje me Komandat e Ushtrisë e, të Xhandarmërisë dhe t’u japin të gjitha ndihmat që ju nevojiten. Por deri tani, nuk u është paraqitur asgjë nga Ushtria dhe as që kanë parë ndonjë lëvizje.
Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Arantiasi, parashtroi se: “Sot janë urdhëruar batalionet e Xhandarmërisë për t’u transportuar nëpër vendet e caktuara, u dhanë kamionët e nevojshme, e sa u përket plotësimit të forcave ushtarake, komandat, akoma nuk kanë dhënë njoftime, të shpresojmë se sonte do të na lajmërojnë, për sa kanë plotësuar”.
Mbreti i mërzitur ju tha: “Komandantë, kur nuk e prisja nga ju këtë neglizhencë kaq të madhe, pra, të gjitha mund të falen, por gënjeshtra, sidomos për ne ushtarët, kurrë nuk falet. E një komandant që merr përsipër përgjegjësi, që ka të bëj me fatin e atdheut, e nuk kuptoj sepse nuk thoni të vërtetën”.
Dhe i urdhëroi komandantin e Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Aranitasin, komandantin e Xhandarmërisë, kolonel Shatkun, nënkolonel Sami Kokën, që: “E gjithë përgjegjësia është mbi ju, për plotësimin e planit të paraqitur dhe të pranuar prej jush. Këtë, e dua ekzakt të kryer, jo më vonë se deri më 5 muajit prill. Natyrisht, pa ndonjë bujë të madhe, por edhe pa u dukur nuk ka mundësi të plotësohen këto lëvizje, por sidoqoftë, me çdo mënyrë, duhet të ketë datë, që të kenë marrë fund të gjitha rendimet e plotësuara, ndër vendet e caktuara të mbrojtjes, sipas planit, që ju vetë e keni paraqitur dhe po ju them: ministri i Brendshëm Juka, siç deklaroi deri tani, ka dhënë të gjithë instruksionet Prefektëve, që të jenë të gjithë dakord me Komandat e Ushtrisë dhe të Xhandarmërisë, duke u dhënë të gjitha përkrahjet për nevojat që do ju duhen, si në transport, logjistikë dhe të tjera nevoja.
Veçanërisht, ministri i Brendshëm Juka, ngushtësisht, do të jetë i lidhur në bashkëpunim me Komandën e Ushtrisë, se edhe ky, është përgjegjës, porsi ju, se situata e vendit, është e lidhur me operacionet ushtarake, e tani, nuk ka se çfarë ju pengon. Ministri i Brendshëm, komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, komandanti i Xhandarmërisë, të lidhur ngushtë e, me një harmoni e besim të plotë, nën një përgjegjësi aq të madhe, që ka të bëjë me fitoren e ndershmërinë, e atdheut”.
Dhe ju tha: “Këto janë urdhrat e fundit, që po ju jap dhe çdo mungesë që ka për t’u konstatuar, përgjegjësia nuk ka për të qenë vetëm e njërit, por e të treve, njësoj. Që tani, filloni e plotësoni çdo mungesë, së bashku në një përgjegjësi. Me kaq, zoti ministër, së bashku me dy komandantët e me nënkryetarin, mund të shkoni e të jepni të gjithë kontributin tuaj, për mbrojtjen e atdheut”. Por, Musait, nuk ju bë qejfi, sepse ai, më tepër se të tjerët, kishte punuar shumë.
Si shkuan këta, Mbreti i tha kryeministrit Kotta, se ishte e ditur, që për të ndryshuar komandë, në këtë moment që ndodhemi, është tepër e vështirë, sepse akoma, në të gjitha seksionet e komandës, janë organizatorët italianë. Sepse, edhe një komandanti që do të merrte komandën, do t’i duhej për të ndryshuar të gjithë oficerët, e zyrave të Komandës. E kjo, brenda kësaj kohe, nuk bëhej, sepse askush nuk e merrte përsipër.
TIRANË, MË 3 PRILL 1939
Madhëria e Saj, Mbretëresha Gerlandinë, ndihet mjaft e lodhur, saqë profesori austriak, Veibel, që është thirrur për Mbretëreshën, lajmëronte se, brenda dy ditëve, kemi një lindje, prej Mbretëreshës të Shqiptarëve. Ky lajm, u hap në popull.
Kur u hap në popull, të gjithë demonstratat, prej katër ditëve, që thirreshin kundër Italisë, u kthyen, duke thirrur se; duam një trashëgimtar. Ky lajm, menjëherë u hap ndër të gjitha Prefekturat e Shqipërisë, ku populli priste në Postat e Telegrafëve, mbi lajmin gazmor, si edhe kanë informuar delegacionet e presin nëpër zyrat e Prefekturave, që të nisen për në kryeqytet, për të marrë pjesë, në urimet gazmore, për trashëgimtarin e fronit të tyre.
Ndërsa, Bashkia e kryeqytetit, ka filluar me shpejtësi, të gjitha instalimet e ndriçimet për festën që pret Kombi Shqiptar, pas 500 vjetëve.
Të gjithë demonstruesit, që ishin prej katër ditëve nëpër rrugë pa gjumë, burra, gra, vajza, djem të shkolluar, zyrtarë, janë të pajisur të gjithë me flamuj në dorë, e këndojnë himnin Mbretëror e të flamurit Kombëtar. Këta, sillen rreth e rrotull Pallatit, duke pritur një trashëgimtar të tyre, e duke thirrur.
“Në orën 5, pasdreke, të kësaj date, më vjen kolonel De Andrea, italian, në zyrën e Mobilizimit të Komandës së Mbrojtjes Kombëtare dhe dëshiron të takohet me mua, për një gjë me shumë rëndësi. Menjëherë i thashë, që të urdhërojë në zyrë dhe brenda pesë minutave, erdhi. I dhashë dorën dhe duke qeshur i thashë; o sa mirë keni bërë, se ka dy javë që nuk ju shoh”. E mora me vete e hymë në zyrë. Porsa u ulëm, më tha:
“Zoti komandant, ju lutem më lejoni t’u pyes diçka, mbasi jam i urdhëruar e presim përgjigje”. “Me gjithë qejf i thashë, – flisni atëhere”. Ky tha: “Jemi të informuar se keni vënë në thirrje për të mobilizuar të gjitha fuqitë vullnetare, në Burrel, Mat, Dibër, Kthellë, e ndër vende të tjera. Dhe Komanda e Mbrojtjes Kombëtare, nuk ka asnjë dijeni. Por, na tha që shkoni tek kolonel Selmani. Në është e vërtetë, për çfarë arsye bëhet ky mobilizim?! Ju lutem, në është e mundur, më jepni një përgjigje, se është edhe në interesin tuaj, d.m.th., të Shqipërisë”.
Edhe unë e njihja mirë këtë dhe ju përgjigja: “Po zotëri kolonel, është e vërtetë. Por jo mor mobilizim, por për festim, se kështu është zakoni në vendet tona, për të tilla raste, shumë festive, e sidomos, pasi është i pari trashëgimtar që pritet, pas 500 vjetësh, ku përsëritet një lumturi në shpirtrat e të gjithë popullit shqiptar, ku kemi bindjen e plotë, se edhe ju italianët, si aleatë dhe miq të Shqipërisë, e ndjeni këtë gëzim. E pra, kolonel i dashur, kjo është thirrja që më thoni, si edhe në të gjitha Prefekturat e Shqipërisë, janë mbledhur turma popullore, e presin minut për minut, lajmin e gëzuar. Me kaq shpresoj, se ju kam kënaqur, për sa ju dëshironi”.
Kolonel De Andrea, pas këtyre fjalëve, u ngrit në këmbë, më nderoi dhe tha: “Ju uroj me gjithë zëmër, dashtë perëndia, një djalë trashëgimtar, me plot jetë të gjatë e plot lumturi, për të mirën e Kombit mi e aleat shqiptar, e i sjelltë fatet më të lumtura. Me kaq ju faleminderit shumë, e më keni gjithmonë personalisht, mik të ngushtë”. E mori leje, doli si i kënaqur.
E pasi përcolla kolonel; D’Andrenë, shkova në Pallat, dhe menjëherë hyra tek Mbreti. Aty ishte dhe kryeministri Kotta. I parashtrova Mbretit, për sa kishte ardhur kolonel D’Andrea, si dhe përgjigjen që i dhashë. Mbreti më tha: “Shumë mirë i ke thënë, kështu duhet të thonë edhe të tjerët”.
Por, – u kthye kryeministri Kotta, duke ju drejtuar Mbretit: “Më lejoni Madhëri”!
“Po, flisni zoti kryeministër”, i tha Mbreti.
“Ju lutem, a është fjalë kjo, që komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, i cili sot është edhe komandanti i Operacioneve ushtarake, guxon t’i thotë një italiani, në shërbim të Komandës: Shkoni në Pallat, pyetni kolonel Selmanin, sepse ai e di, Komanda nuk di asgjë”. E pra, turp Madhëri, për këtë njeri. Si e lini?! Ky është një provokacion që bëhet këtu, se kjo fjalë, nuk u thuhet asnjë shqiptari, në këto rrethana që jemi sot, jo më një italiani”!
Mbretit i erdhi shumë mirë nga fjala e kryeministrit Kotta dhe qeshi: “Keni të drejtë zoti Kryeministër, por edhe ju, vini dhe m’i thoni mua. A nuk ja thoni komandantit këto fjalë”?! Por duke qeshur, i thotë: “Jo serioze”. Kryeministri Kotta tha: “Mor… jeni Madhëria Juaj, se të jetë për mua, asnjë orë, nuk e lija atë në komandë”. Me këto fjalë, Mbreti u kënaq pak, se e donte shumë Kottën.
Madhëria e saj, Mbretëresha, ndihet mjaft e lodhur. Pallati me dyer hapur, natë e ditë. Mbreti prej dy javësh, është pa gjumë, i lodhur dhe me punë, natë e ditë, sa me ministrat e huaj, sa me Qeverinë shqiptare, sa me Parlamentin, dhe me Komandat, e persona të tjerë. Lloj lloj lajmesh i vinin. Të gjitha përmbi Mbretin, rrahin. Si të brendshmet dhe të jashtmet. Një problem, që nuk mund të përshkruhet, as me dhjetë volume, kjo ngjarje e këtyre kohërave kaq kritike. Populli, natë e ditë, është në demonstrata, duke thirrur rrugëve dhe rreth Pallatit. Sa telegrame e letra të Musolonit, vetëm për të kaluar kohën, e jo tjetër. Nuk mbetej në të vërtetë më, asnjë shpresë besimi, ndër fjalët e mëdha të Musolinit.
Thirrja e kreshnikëve në Mat, Dibër, Mirditë, e në vende të tjera, ka bërë bujë të madhe, saqë, edhe Komanda e Mbrojtjes Kombëtare, është shumë e frikësuar. Kurse në të vërtetë, ato vetë e bënë thirrjen e tani, zënë shkak, sepse u bë! Unë dërgova menjëherë, major Sulkurtin, në Burrel, për t’ju dhënë armët, dhe dërgova tre oficerë, për rregullimin e ushqimit në Burrel dhe në Qafë-Shtamë.
Në orën shtatë të mbrëmjes, po të kësaj date, thirra kolonel Ali Topallin, komandant i zonës së Vlorës dhe e pyeta se: “A ka marrë urdhër nga Komanda për t’u nisur në qendër”? Ai m’u përgjigj se: “Jo, asnjë urdhër”.
“Atëhere, mirë, – i thahë, pa më thuaj, nëse Komanda e Rojës së Kufirit, ka vetëm Batalionin e Instruksionit në Korçë, të gatshëm, e jo tjetër”?!
“Po mirë mirë, – i thashë – vetëm bëhuni gati për t’u nisur”. Në bisedime me kolonel Ali Rizanë, mora në telefon komandantin e Mbrojtjes Kombëtare, e i thashë se: “A keni dhënë urdhër për nisjen e kolonel Ali Rizasë, për instruksionet, si dhe a është urdhëruar për sa u përket batalioneve të Rojës së Kufirit”?
“Po”, më tha. Pas kësaj shkova në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare bashkë me kolonel Ali Riza Topallin. Para komandantit, i thashë kolonel Ali Rizasë, se: “Brenda 20 orëve, duhet të vësh në zbatim urdhrin që Komanda, do t’ju japë tani”.
Kolonel Ali Rizaja, tha: “Po, jam gati dhe bile më parë, mund t’i plotësoj të gjitha, vetëm se të më caktohen qendrat ku do qendërzohen”. Në këtë kohë, komandanti po dridhej dhe nuk po fliste.
I thashë: “Zoti komandant, përse nuk po e urdhëroni”?! “Po, po –tha dhe u kthye e i tha: “Zoti kolonel, prej teje duhen tre batalione, të jenë të gatshëm, si dhe batalioni i misionit”.
Kolonel Ali Rizaj, ju përgjigj: “Unë jam gati për t’i rregulluar, por kur duhen qendërzuar këto batalione”? Unë e preva fjalën dhe menjëherë thirra nënkolonel Sami Kokën, në prezencën e komandantit dhe të Ali Rizasë, i thashë se: këtë urdhër që tani ja tham me gojë kolonel Ali Rizasë, ja konfirmoni zyrtarisht me shkresë, në bazë të planit, që ishte parashtruar Mbretit, dhe t’i vihen në dispozicion mjetet e nevojshme të transportit, tani duke qenë unë këtu. Menjëherë, shkoi kolonel Sami Koka, e përpiloi urdhrin, bashkë me tabelën e vendeve të caktuara dhe ja dha për ta nënshkruar, komandantit të Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral, Aranitasit. Ai e nënshkroi dhe e morri kolonel Ali Riza Topalli e shkoi në komandën e tij, për të dhënë urdhrat e rastit. Kur doli kolonel Ali Rizaja, i thashë që: “Posa të marshoj, dhënien e urdhrave, të vini pak tek unë”.
Si shkoi kolonel Ali Rizai, e ndalova nënkolonel Sami Kokën aty e i thashë, komandantit të Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral, Aranitasit: “Ju shoh pak të lodhur, duket se jeni pa gjumë”?
-“Po, – më tha, – nuk e ndjej veten mirë”. Atëhere, ju ktheva Sami Kokës dhe i thashë: “Duhet ta ndihmoni komandantin, se edhe ju, nuk shpëtoni nga përgjegjësia. Përse nuk janë vënë në zbatim që prej dy javësh, këto urdhra?! Keni qenë edhe ju vetë kur i keni parashtruar Madhërisë së Tij, Mbretit, planin dhe duke premtuar se janë të gatshëm. Kurse sot, komandanti i r ii Kufirit, kolonel Ali Rizai, nuk ka pasur asnjë dijeni. E pra, tani lipset të plotësohet, krejtësisht plani, se ka mundësi, që Mbreti, të më urdhëroj, për të kontrolluar, të gjitha vendet”. Me këto fjalë, u dhashë dorën dhe dola, shkova direkt në Pallat.
Sa shkova, hyra tek Mbreti dhe ja parashtrova të gjitha, mbi sa u bisedua, dhe gjendjen e komandës. “Shumë mirë më tha Mbreti”, por, është këtu Sadik Shaska, me një pjesë së parisë së Vlorës, e bisedo me ta dhe mbaji mirë, e lajmëro Hotel “Internacional”, që këta, janë miqtë e Pallatit, e faturat, t’i dërgojnë tek ti. Paguaj nesër, në ora 10 të mëngjesit, silli tek unë, dhe këto do të nisen bashkë me kolonel Ali Rizanë, e me major, Bilal Nivicën, e përgatisni 1.200 pushkë, me municionin e nevojshëm, për të mobilizuar Prefekturën e Vlorës.
Do të bisedojmë me parinë e Vlorës, se ato do të jenë, përgjegjësit e fuqisë kreshnike. Por, armët, të jenë gati, i thuaj komandantit, të jenë të ngarkuara në kamion. Vetëm kur të vijë paria e Vlorës, thirre edhe kolonel Ali Rizanë, që t’i themi disa fjalë, e më vonë, dhe Bilal Nivicën, dhe atij, t’i flas, se këta, do të shkojnë së bashku”, përfundoi Mbreti.
Pas urdhrit të Mbretit, urdhërova Shefin e Indendencës së gardës Mbretërore, kapiten Mendu Kodrën, që të thërrasë drejtorin e Hotel “Internacional” e t’i thotë, se paria e Vlorës, janë miqtë e Pallatit, e përsa i përket shpenzimeve të tyre, dërgoni faturën, e merrni të hollat, pranë Gardës. Pas kësaj, shkova edhe vetë personalisht, dhe ju bëra një vizitë, e brenda këtyre bisedimeve miqësore, i thashë, se jeni miqtë e Pallatit, për çdo shpenzim, si dhe nesër në ora 10.00 paradite, do të jeni në audiencë, tek Mbreti. Po ju të vini më parë në zyrën time e shkojmë së bashku. Kur u nisa me u ngjit, prapa, Sadik Shaska, më tha: “Çfarë keni”? Ju përgjigja: “Shumë gjëra kemi, por si të mbaroni bisedimet me Mbretin, do të vini në komandën e Gardës, e aty do të bisedojmë për të gjitha”, – e u përshëndetëm. Unë shkova direkt në Pallat, hyra tek Mbreti dhe i parashtrova, për sa i përket bisedimeve me parinë e Vlorës dhe dola. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm