Nga Afrim Imaj
Pjesa e tretë
Memorie.al / “Kur zhvillohej gjyqi i Beqir Ballukut dhe në Tiranë nuk e dinte kush, një ambasadë e huaj, ndiqte nga afër seancat e procesit te porta e 313-ës” Dëshmia e rrallë e Lirim Gjetajt, shfaq më së shumti konturet e një misteri të pazbardhur dhe mbetet në kufijtë e një ngjarje, që nuk ka kaluar pa lënë gjurmë…! Fillimisht, ushtari nga Lezha, e ka vërejtur me shpërfillje, por kjo vetëm disa çaste. Tensioni i trupit gjykues, pas konstatimit tronditës për nxjerrjen e sekretit dhe dyshimi i krerëve të regjimit, për një lidhje të mundshme të puçistëve me agjenturat e huaja, e ka përfshirë dhe atë në vorbullën e makthit. Lirim Gjeta, kujton se, asnjëherë nuk e mori vesh cilës ambasadë i përkisnin diplomatët, që ndiqnin nga afër seancat e gjyqit të bujshëm, por mban mënd se, të gjitha lëvizjet e trupit gjykues, ndiqeshin “rrotë më rrotë” nga një makinë me targa CD.
Fjala e fundit e Beqir Ballukut në gjyq: “Një pjatë grosh e një presh”!
“Dëshira e fundit!”. Aranit Çela dhe gjyqtarët e tjerë, nuk mund të ndaheshin me gjeneralët e dënuar, pa mësuar pengun e fundit nga goja e tyre. Ishte rasti ku Beqir Balluku dhe të tjerët, mund të flisnin hapur. Ora e tyre tashmë kishte ngecur dhe nuk bëhej fjalë për zgjidhje tjetër. Lirim Gjetaj, njëri nga dëshmitarët e këtyre çasteve dramatike, kur kërkon të kujtojë mënyrën si u sollën gjeneralët pas apelit rrëqethës, ndalon paksa, si për të sistemuar mendimet dhe humbet i tëri në vegimin e kujtimeve tronditëse.
“E rëndë, shumë e rëndë, të dëgjosh klithmën e fundit të atij që pret pushkatimin”, shprehet ushtari që ishte pjesë e trupit gjykues, në procesin e të ashtuquajturve puçistë. Sakaq, fillon të përshkruaj gjendjen e tyre, duke u munduar të riprodhojë belbëzimin e fundit të gjeneralëve fatkeq. “Po të kisha vetëm pak minuta jetë dhe do më kërkonin çfarë dëshiroja, do t’u thoshja shkurt: Të mësoj edhe diçka të re”. Ka mbetur proverbiale, përgjigja e njërit prej profetëve të shquar në zgjidhjen e dilemës tunduese, para çasteve fatale.
Po ish zëvendëskryeministri i Shqipërisë, tiransi që arriti majën më të lartë të ekzekutivit shqiptar, si reagoi?
Çfarë i kishte mbetur peng pas asaj hetuesie të tmerrshme dhe poshtërimit çnjerëzor, gjeneralit të famshëm që kishte shijuar privilegjet e ‘Bllokut’ dhe ishte përfolur aty, këtu si manjaku i kënaqësive? Ç’tha së fundi, njeriu që kishte patur burrërinë të deklaronte se, kur ndeshen dy vezë, njëra do të thyhej, dhe, ja, qe thyer veza e tij. Me çfarë brenge iku ish-partizani trim, që më së fundi i kish thirrur viteve të betejave ku kish marrë pjesë në rininë e vet dhe kish treguar ballëhapur se, ishte kundërshtar i prerë i “tezës tjetër”, pra, i “Teorisë së rrëshqitjes”, që Enver Hoxha, e kishte cilësuar si diversion kundër mbrojtjes kombëtare, inspiruar nga kinezët.
“Ato çaste u ktheva nga ai”, thotë Gjetaj. “Beqir Balluku perëndoi sytë e lodhur, duke belbëzuar diçka nëpër dhëmbë. Sytë nisën të bëheshin të qeshur paksa, aq sa mund të qeshte një njeri, i shpartalluar fizikisht dhe psikologjikisht. Pa nga ne dhe aty për aty, shqiptoi vetëm dy fjalë. “Një pjatë fasule dhe një pras, o lal”. Lirim Gjetaj, njeriu që ka dëgjuar nga afër fjalët e fundit të ish-ministrit të Mbrojtjes, e ndërpret sërish tregimin, për të vazhduar më tej me dilemat e shumta që ka përjetuar pas kësaj.
Çfarë deshi të thoshte me këtë Beqir Balluku? Kërkesë e një njeriu me mentalitete grykësi?
Sfidë e një natyre tjetër, si ajo e legjendës së krehrit para litarit? Dëshirë e njeriut të ahengjeve, për t’u kënaqur edhe një herë para vdekjes? Një goditje e tërthortë ndaj sistemit që po i merrte jetën, duke i kujtuar se, kish ardhur nga rrogozi, se kish vuajtur si populli, se ishte njeriu i tij, i fasules dhe prasit…?!
Po si rrodhi dialogu i fundit, me ish-ministrin e Mbrojtjes në sallën e gjyqit…! U kujtohet sa ditë zgjati procesi i gjeneralëve?
Me sa mbaj mënd rreth 10-12 ditë. Nisi aty nga fundi i tetorit dhe u mbyll në fillim të nëntorit. U bënë me dhjetëra seanca, u thirrën dhjetëra dëshmitarë, u hodhën prova të shumta e të gjithëllojta. Ishte diçka e lodhshme, shumë e lodhshme, sidomos për mua. Të them të drejtën, gjatë tërë kohës kam qenë si i mpirë. Fakti që nuk kuptoja mirë përmbajtjen e çështjeve dhe izolimi total që më ishte imponuar, madje edhe jashtë seancave gjyqësore, më krijuan një gjendje makthi, plot stres e sfilitje. Isha ushtar, kisha bërë betimin para flamurit, e kjo nënkuptonte zbatim rigoroz të detyrës, përndryshe, pasojat ishin të jashtëzakonshme…!
Çfarë keni parasysh kur thoni se ishit i izoluar edhe jashtë procesit gjyqësor?
Që ditën e parë kur më thirrën nga reparti i Zall-Herit dhe më komunikuan pjesëmarrjen në trupin gjykues, isha i detyruar të qëndroja larg kontaktit me njerëzit. Kjo do të thoshte se veç pranisë në sallën e gjyqit gjatë seancave, tërë kohën tjetër, duhej ta shpenzoja brenda katër mureve, të njërës prej dhomave të godinës së policisë ushtarake të Tiranës. Madje dhe aty me roje te porta.
Nuk bëhej fjalë për liridalje në qytet, për bisedime telefonike me familjen, apo për takime me miq e shokë. Deri në përfundimin e procesit, ato i kisha rreptësisht të ndaluara. Lëvizjet e detyruara për të ndjekur agjendën e seancave gjyqësore, në të gjitha rastet, ishin të kontrolluara dhe në praninë e shoqëruesve të zgjedhur. Për një të ri ky lloj regjimi ishte gati mbytës, por gjithsesi duhej përballuar, gjithnjë në emër të detyrës…!
Të gjitha seancat e procesit gjyqësor ndaj Beqir Ballukut dhe gjeneralëve të tjerë, te ‘Burgu 313’ u zhvilluan?
I gjithë procesi, nga fillimi në fund u bë aty. Gjeneralët e pandehur, vinin me pranga në duar nga qelitë e tyre që ishin vetëm pak metra larg sallës së gjyqit. Ne, pjesëtarët e trupit gjykues, prokurori dhe personeli i sigurisë, shkonim aty nga Gjykata e Lartë dhe sa mbaronte seanca e radhës, ktheheshim përsëri në zyrën e Aranit Çelës, për t’u parapërgatitur për seancën e radhës…!
A është e vërtetë që seancat gjyqësore janë zhvilluar në orët e vona të natës dhe kanë vazhduar deri në agim?
Asnjëra nga seancat e procesit, nuk është zhvilluar në orët e natës. Ato çdo ditë, fillonin në orën 8 të mëngjesit dhe vazhdonin normalisht, sipas procedurës së përcaktuar. Nuk qëlloi asnjëherë që procesi, të kalonte mbi tetë orë në ditë. Pra, zërat se gjyqi i gjeneralëve, është bërë në orët e vona të natës, nuk janë të vërtete.
Flitet se gjatë procesit ka patur debate të nxehta midis të pandehurve dhe trupit gjykues…?!
Në një farë kuptimi, i gjithë procesi ishte një debat, një ballafaqim midis dy palëve, por në përgjithësi nuk pati përplasje të nxehta siç flitet aty këtu. Gjeneralët, vinin aty pas një sfilitje të jashtëzakonshme, gjatë hetimit një vjeçar në kushtet e izolimit të plotë. Kjo binte në sy menjëherë, sidomos nga fytyrat e përvuajtura dhe pamja e venitur e vështrimit të tyre.
Po kështu edhe në aspektin psikologjik, dukeshin të shkërmoqur. Megjithatë, mënyra si dëgjonin dhe dialogonin me përfaqësuesin e akuzës dhe gjyqtarët, të linte të kuptoje se ishin të kthjellët, pavarësisht se aty këtu e humbitnin durimin dhe rrëshqisnin nga rrjedha e çështjes…!
Pra, e ruajtën vet përmbajtjen…?
Në përgjithësi, me sa më kujtohet, ata shfaqeshin të kujdesshëm në të gjitha përgjigjet dhe ndërhyrjet e tyre. Në tërë atë maratonë seancash, pati dhe momente kur ndonjëri prej tyre, humbi vetëkontrollin. Po kjo, vetëm për një çast, sidomos kur bëhej fjalë për ndonjë akuzë të rëndë, siç ishte ajo për grushtin e shtetit dhe eliminimin e Enverit…!
Çfarë keni parasysh kur thoni që gjeneralët patën raste që e humbën vetëkontrollin gjatë procesit?
Të tilla ka pasur vetëm pak, disa episode sporadike që aty ndizeshin e aty shuheshin. Ndër to, më kujtohet një përplasje e kryetarit të trupit gjykues, me Beqir Ballukun. Ishte një argument i akuzës, që bënte fjalë për grushtin e shtetit që do bënin gjeneralët. Aranit Çela, i nxehur nga qëndrimi mohues i ish-ministrit të Mbrojtjes, i’u kthye hakërrues: “Kot mundohesh të dredhosh Beqir Balluku. Partia dhe shoku Enver, ta dogjën planin në xhep dhe të sollën këtu si puçist. E di ç’të pret apo jo”?!.
Si reagoi Beqir Balluku?
“Unë nuk bëra plan, nuk kisha pse ta bëja…”! u përgjigj aty për aty Beqiri, por Aranit ja zuri fjalën në grykë: “Deshe t’i bije murit me kokë, po harrove se do thyeje qafën”. “Ç’është ky mur, po qafa e thyer, ç’hyjnë këto këtu?”, plotësoi Beqir Balluku i revoltuar. “Hyjnë, si jo, hyjnë”! shtoi me ironi Araniti. “Muri, nuk është si veza që thyhet kollaj, shoku kryetar” “Pa hë Beqir, na i shkoqit pak këtë punën e vezëve ti”? Sakaq Beqir Balluku, u ngrit prape në këmbë dhe me një ton të qetë, ja ktheu shtruar. “Sa për vezët po, ato thyhen. Thyhen kur përplasen me njëra tjetrën. Po jo të gjitha. Më të fortat durojnë. Kështu, apo jo?! Kjo ndodhi dhe me vezën time?! U përplas me të Enverit dhe u thye. Patjetër që kështu do të ndodhte, se ndryshe…”! Këtu durimi i Aranitit, nuk mund të përmbahej. Mbaj mend që, përplasi grushtin në tavolinë, duke ju kërcënuar ashpër, urdhëroi mbylljen e seancës, me një zë luftarak.
Mos ndoshta e ngatërroni këtë episod, pasi është folur se, reagimin me historinë e vezëve në sallën e gjyqit, e ka bërë Hito Çakua…?!
Nuk bëhet fjalë ta ngatërroj, sepse ky ishte një nga momentet më tronditëse, jo vetëm për mua, që isha më i riu ndër gjyqtarët, por edhe për të tjerët. Si sot e kam parasysh Beqir Ballukun në këtë reagim të papritur. Po, po, e kam fiksuar mirë. Ai u çua dhe aty për aty, ja dha si me breshëri “I thoni Enverit se, dy vezë që përplasen, njëra do të thyhet. Veza ime ishte më e dobët dhe kuptohet fati i saj”. Për herë të parë në atë proces, emri i Enverit u përmend jashtë etikës zyrtare dhe në një qasje disi shpërfillëse. Po siç e thashë, Araniti, nuk e la t’i rrëshqiste situata nga dora dhe e mbylli seancën menjëherë…!
Po gjeneralët e tjerë, si reaguan përball akuzës?
Petrit Dumja, fund e krye qëndroi në pozita pohuese, lidhur me gabimet e artikuluara nga akuza dhe dëshmitarët e shumtë, por në të gjitha rastet, e mbyllte ligjëratën e tij me refrenin “pa dashje” “pa qëllim”. Pak a shumë, me të tillë profil shfaqej dhe Rahman Perllaku, i cili dukej më i lënduar nga pasojat që e prisnin. Ndërsa Hito Çako, herë pas here rebelohej dhe mundohej t’i kundërshtonte akuzat e shumta. Të paktën kështu më janë fiksuar mua. Kanë kaluar 30 vite dhe kuptohet, nuk ka si t’i mbaj mënd të gjitha detajet…!
Çfarë u kujtohet nga mbledhja e trupit gjykues për të marrë vendimin, kush e drejtoi dhe a kishte zyrtarë të tjerë në të?
Ky moment, në mos gaboj, erdhi diku aty nga dita e dhjetë. Pikërisht kur kishin mbaruar të gjitha procedurat zyrtare, Aranit Çela, u çua në këmbë dhe komandoi tërheqjen e trupit gjykues, për të marrë vendimin. Një moment, mendova se do futeshim në ndonjë zyrë, e do diskutonim gjatë, por çuditërisht, Araniti, sa dolëm në korridor, u vendos në një kënd të tij dhe hapi një dosje të verdhë që mbante në dorë. “Ja dhe kjo punë kaq e pati”, tha aty për aty dhe lexoi vendimin e parapërgatitur, për dënimin e gjeneralëve. “Besoj se e kemi të qartë”, – tha në fund dhe si pa që nuk kishte ndonjë mendim të kundërt, na ftoi të futeshim në sallë. Aty ishin vetëm të pandehurit, të cilët sa u hap dera, u çuan në këmbë si me komande.
Aranit Çela, si zuri vend, rihapi dhe një herë dosjen e verdhë dhe komunikoi me një ton solemn: Vendim i Gjykatës së Lartë i Republikës Popullore Socialiste…! Sot më….Beqir Balluku dënohet me vdekje (pushkatim)… Petrit Dume me vdekje (pushkatim)… Hito Çako me vdekje (pushkatim)…! I gjithë ky kumtim i tij, nuk zgjati më shumë se pesë minuta. Pastaj, sallën e pushtoi një heshtje varri. Ishin momente të tmerrshme. Për një çast, hodha sytë nga tre gjeneralët e sapo dënuar me vdekje. Fytyrat e tyre ishin zbehur tërësisht dhe dukeshin në kllapi të plotë.
Sakaq Aranit Çela, i ulur siç ishte, mbylli dosjen që kishte mbi tavolinë dhe ja zgjati sekretares, duke shqiptuar diçka si nëpër dhëmbë. Kur konstatoi që nuk e morën vesh çfarë tha, shpjegoi se e kërkonte procedura që, të pandehurit, të shpreheshin për dëshirën e fundit. Ky me sa dukej do të ishte dhe kontakti i fundit me ta. Të parit ju drejtua Beqir Ballukut. Beqiri perëndoi sytë e lodhur dhe qeshi pa vetëdije, aq sa mund të qeshte një njeri i shpartalluar fizikisht, moralisht e psikologjikisht. Unë, çfarë desha unë, shtoi aty për aty dhe si ndenji disa çaste i menduar tha se; donte një pjatë me grosh me një presh.
Cinizmi i Enver Hoxhës në Kuvend: “Si thoni, ta pushkatojmë Beqirin?!
“Hë mo, si thoni, ta pushkatojmë Beqir Ballukun”?! Gjashtë muaj pas ekzekutimit të Beqir Ballukut dhe gjeneralëve të tjerë, Enver Hoxha, kërkon me cinizëm miratimin e deputetëve të Kuvendit Popullor për pushkatimin e tyre(!) Dokumenti me këtë ndërhyrje të çuditshme, mban datën 6 maj 1976. Dosja me vulën e parlamentit komunist, ka në faqen e parë rendin e ditës së mbledhjes, ku si pikë e pare, parashikohet shqyrtimi i letrës së Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, për t’u falur jetën. Ishte ky një ritual i rëndomte sipas të cilit, të dënuarit me vdekje, mund të përfitonin nga “zemërgjerësia” e kreut të shtetit komunist, i cili formalisht, vendimin e tij do ta noterizonte në organin më të larte legjislativ të vendit.
Në rastin e gjeneralëve fatkeq, të dënuar nga Gjykata e Lartë me vendim të formës së prerë me vdekje (pushkatim), në fillimin e nëntorit ‘75, kërkesa ishte depozituar brenda afateve te kabineti i Haxhi Lleshit dhe Enver Hoxhës, por i qëlloi fati i keq, me shqyrtimin pas gjashtë muajsh, ndërkohë që ata kishin ndërruar jetë! Patjetër që Enver Hoxha, e dinte çfarë kishte ndodhur me gjeneralët e kryqëzuar, madje në dhjetëra tubime politike, e kishte trumbetuar me të madhe: “vrimën e miut ku i futi Partia puçistët e rrezikshëm”, por “lojën” me ta, nuk mund ta mbyllte pa përçmuar fundin e viktimave të tij.
Pikërisht në çeljen e mbledhjes së Kuvendit të datës 6 maj 1976, Enver Hoxha, me pamje solemne, u çuan nga vendi dhe me një letër në dorë, u drejtua nga salla: “Kam këtu kërkesën e Beqir Ballukut dhe puçistëve të tjerë për tu falur jetën. Si thoni ju, t’i pushkatojmë apo jo”? Sakaq, sallën e pushtoi heshtja. Të gjithë mbetën të befasuar. Çfarë kërkonte kreu i tyre, tani që gjeneralët kishin shkuar në botën tjetër? Mos vallë lajmi për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, kishte qenë një farsë? Çdokush prej tyre, dinte dhe rrethanat në të cilat ishte bërë ekzekutimi i tyre.
Sidoqoftë, Enveri nuk mund t’u kërkonte kot miratimin e tyre. “Hë mo si thoni, ta pushkatojmë Beqir Ballukun?”, u drejtua ai përsëri nga salla. “Shoku Enver, shoku Enver…gjeneralët më duket se janë pushkatuar. Partia na ka informuar se, vendimi i gjyqit është ekzekutuar”! Më në fund dikush nga deputetët, mori guximin dhe u çua për të korrigjuar lapsusin e tij. Sakaq, Enver Hoxha me vështrim të menduar, shtoi: “Pra, pika e parë e rendit të ditës qenka ezauruar. Kalojmë në pikën e dytë”! Si tha këto, u ul qetësisht dhe ja dha fjalën drejtuesit të seancës. Komedia e turpshme, i përket seancës së parlamentit komunist të datës 6 maj 1976. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016