Nga Prof. Dr, Kaliopi NASKA
Memorie.al / Ismail Qemali është një personalitet historik me një veprimtari politike shumë të begatshme dhe tepër komplekse. Kjo veprimtari poliedrike pushton një periudhë gati 60- vjeçare të ngjeshur me lëvizje të armatosura, me luftë parlamentare, me kryengritje çlirimtare, me “batica e zbatica” të vrullshme në të cilat ai ka qenë pjesëmarrës mjaft aktiv në luftë, si ideolog, si udhëheqës, si organizator e diplomat. Veprimtaria dhe pikëpamjet e tij janë të shumanshme. Një vend të rëndësishëm në sistemin e pikëpamjeve të tij zënë dhe konceptet që ai kishte mbi ndërtimin shtetëror.
Për të kuptuar bazën e koncepteve të Ismail Qemalit mbi formën dhe ndërtimin administrativ të shtetit shqiptar, le t’i hedhim një vështrim të shkurtër formimit dhe veprimtarisë së tij, si funksionar në administratën turke, në të cilën shërbeu rreth 35 vjet.
NËPUNËS SHTETI NË PERANDORINË OSMANE
Kapitullin e jetës si nëpunës i shtetit në administratën e Perandorisë Osmane, ai e filloi në Stamboll, ku shumë shpejt u shqua si një person i pajisur me kulturë të gjerë, me një erudicion të thellë e konstruktiv. Thellimi i studimeve në shkencat juridike dhe inteligjenca e tij, të gjitha këto i dhanë dorë, që ai shumë shpejt të hyjë në administratën osmane dhe të kryejë funksione të ndryshme të rëndësishme si guvernator, si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, deri si këshilltar shteti.
Gjatë këtyre viteve me veprimtari të larmishme shtetërore, ai njohu problemet e shumta, të mprehta e të vështira, që kërkonin zgjidhje ose që kërkonin të paktën të mbahej qëndrim përballë shtetit dhe publikut. Këto shqetësime, formimi kulturor e ideor e shtynë atë të mendojë se Perandoria Osmane, duhej të dilte nga gjendja e nderë në të cilën qe zhytur. Për të dalë nga kjo situatë, ai mendonte se e vetmja doktrinë që do t’i jepte rrugë zgjidhje asaj, ishte zbatimi i doktrinës së Mithat Pashës, e cila ishte më përparimtarja për Turqinë në atë kohë.
Përmbajtja e kësaj doktrine e çoi Ismail Qemalin të lidhej me Mithat Pashën, që ishte udhëheqësi i lëvizjes liberale osmane. Në mënyrë të veçantë, ai u pajtua me thelbin e ideve të tij, të cilën e përbënte bindja se Perandoria Osmane mund të hynte në rrugën e përparimit dhe modernizimit me anën e reformave dhe jo me anë të revolucionit.
Kështu ai mendonte se do të likuidohej sistemi absolut i Sulltanit, i cili do të zëvendësohej me një regjim kushtetues pa eliminuar kurorën mbretërore, por duke i kufizuar pushtetin absolut sovranit. Ai u pajtua gjithashtu me parimin e decentralizimit të pushtetit administrativ shtetëror në favor të borgjezisë dhe në mënyrë të veçantë të kombësive të shumta të Perandorisë, të cilat në këtë mënyrë do të fitonin të drejtën për një vet-qeverisje provincial, në kuadrin e Perandorisë Osmane.
Pra sikurse shihet Ismail Qemali synonte të arrinte te vet-qeverisja provinciale e kombësive, nëpërmjet rregullimit rrënjësor të Perandorisë dhe jo duke u interesuar vetëm për autonominë e njërës apo tjetrës kombësi, por për të gjitha kombësitë në të njëjtën kohë, nëpërmjet rregullimit radikal të Perandorisë. Këto ide Ismail Qemali jo vetëm i përvetësoi, por u mundua t’i zbatonte gjatë karrierës së tij si funksionar i Perandorisë Osmane dhe disa prej tyre e shoqëruan edhe në detyrën e kryetarit të shtetit të parë kombëtar.
PIKËPAMJET LIBERALE TË ISMAIL QEMALIT
Ismail Qemali u bë armik i absolutizmit sulltanor pikërisht nga këndi i këtyre pikëpamjeve liberale. Kjo e shtyu atë që të marrë pjesë në hartimin e kushtetutës së vitit 1876, apo në hartimin e disa memorandumeve dërguar Portës së Lartë, ku kundërshtohej politika absolute e Sulltanit dhe nxirrej në shesh kalbëzimi i sistemit administrativ konservator. I gjithë ky aktivitet i dha dorë Ismail Qemalit të kuptojë mjaft mirë mekanizmin e administratës shtetërore.
Aktiviteti që zhvilloi në Perandorinë Osmane si funksionar i saj, tregoi qartë se ai ishte një iluminist e veprimtar reformator, përfaqësues i interesave të borgjezisë liberale të të gjitha kombësive. Prestigji i madh që gëzoi në Turqi dhe në rrethet e larta diplomatike, patriotike dhe intelektuale dhe të Evropës, ndjenjat e tij liberale demokratike e përparimtare, e bënë atë një figurë mjaft të njohur dhe me autoritet, por dhe armik të rrezikshëm e një shenjë goditje për autokracinë anakronike, osmane me të cilën Ismail Qemali nuk pajtohej dot.
Për dhjetëra vjet deri në fund të shekullit XIX-të Ismail Qemali u shqua si militant i lëvizjes demokratike liberale osmane në kuadrin e së cilës ai mendonte se do të gjente zgjidhje dhe çështja nacionale shqiptare. Por në fillim të shekullit XX-të, kur lëvizja liberale osmane hyri në rrugën e nacionalizmit turk, që e ndërlikoi zgjidhjen e çështjeve nacionale në perandori, atëhere Ismail Qemali pa hequr dorë nga pikëpamja e tij liberale, e shkëputi lëvizjen nacionalçlirimtare shqiptare nga lëvizja liberale borgjeze osmane dhe e ktheu në çështje më vete.
Me një përgatitje të tillë politike dhe horizont kulturor, ai u ingranua shumë shpejt në radhët e lëvizjes kombëtare shqiptare, duke marrë pjesë aktivisht në të, ku u shqua si politikan, diplomat dhe statist i madh, që u mbrujt me traditat e kulturës më përparimtare të kohës e të vendit të vet, që asimiloi gjithçka të mirë që kishte lëvizja çlirimtare shqiptare me armë e me penë dhe që e ndoqi këtë lëvizje deri në kurorëzimin fatlum.
Kombi shqiptar me plot të drejtë e konsideron atë si protagonistin kryesor të Kuvendit të Vlorës i cili, shpalli më 28 Nëntor 1912 pavarësinë kombëtare. Pavarësisht nga origjina për vetë formimin e tij shumëvjeçar, ai u brumos si burrë shteti demokrat, duke u zgjedhur dhe kryetar i qeverisë së parë shqiptare, duke u bërë kështu udhëheqësi kryesor i jetës politike të vendit në momente jashtëzakonisht të ndërlikuara dhe të vështira që kaloi Shqipëria, e rilindur në periudhën kritike të ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha dhe të monarkive fqinje, të cilat u turrën për ta asgjësuar atë.
BAZAT E PARA TË SHTETIT SHQIPTAR
Shpallja e pavarësisë shënoi fillimin e një etape të re historike që shtronte detyra te reja dhe të ndërlikuara përpara popullit shqiptar dhe udhëheqësve të Lëvizjes Kombëtare, që kishin marrë përsipër barrën e rëndë të krijimit të shtetit të pavarur. Kryetarit dhe qeverisë i dolën detyra të mëdha për organizimin e shtetit dhe ngritjen e administratës shtetërore, sigurimin e njohjes ndërkombëtare të Shqipërisë dhe kufijve të saj që përfshinin trevat e banuara prej shqiptarëve.
Që në dhjetor të vitit 1912, u morën masat për hedhjen e bazave të para të organizimit të shtetit dhe u miratuan aktet e para legjislative që u përcaktuan nga vendimet e kuvendit kombëtar, i cili përfshinte delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe përfaqësonte objektivisht vullnetin e gjithë kombit, duke u bërë organi më i lartë i shtetit shqiptar, mbrojtësi dhe shprehësi i sovranitetit shtetëror.
Prandaj vendimet e tij kishin vlerën e ligjeve kushtetuese që sanksiononin vullnetin e popullit shqiptar për shkëputje nga Perandoria Osmane e, për krijimin e një shteti të pavarur. Organ tjetër që zgjodhi kuvendi ishte dhe pleqësia kompetencat e së cilës nuk u përcaktuan shprehimisht nga kuvendi kombëtar, por ky pranoi pikëpamjen se pleqësia nuk ishte një parlament apo senat dhe se nuk kishte të drejtë të shkarkonte ministrat, por duhej konsideruar si një organ këshillimi dhe kontrolli ndaj qeverisë.
NJË MBRET QË NUK SUNDON
Kuvendi Kombëtar u kufizua me Shpalljen e Pavarësisë dhe me zgjidhjen e qeverisë dhe të pleqësisë. Ai nuk mori në shqyrtim çështjen e formës së qeverisjes së shtetit shqiptar. Por dihet se shumica dërmuese e aktivistëve të rilindjes, duke përfshirë dhe përfaqësuesit që morën pjesë në kuvendin e Vlorës, mendonin se Shqipëria duhet të lindte si një shtet monarkik, sepse Monarkinë ata e shikonin me të drejtë ose pa të drejtë ashtu, siç e kishin parë të gjithë themeluesit e shteteve ballkanike, madje dhe europiane, si konsolidim të shtetit kombëtar.
Në fakt të gjitha shtetet ballkanike ishin Monarki. Por personalitetet politike të kohës dalloheshin nga mënyra se si e konceptonin Monarkinë, absolute apo parlamentare. Pikërisht në këtë kuadër Ismail Qemali, shfaqet me pikëpamjet më progresive, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Ballkanin, pasi ai ishte për një Monarki konstitucionale ku sipas parimit, kur pushteti do të qe në duart e përfaqësuesve të popullit, Mbreti do të kishte funksionin e kryetarit të shtetit i cili “do të mbretëronte, por nuk do të sundonte”.
PRO ARDHJES SË PRINC VIDIT
Mendimi i tij u përkrah edhe nga përfaqësues të qeverisë dhe gjeti pëlqimin në mbledhjen e qeverisë, ku u miratua programi i komisionit që do të parashtronte kërkesat e shqiptarëve përpara Fuqive të Mëdha, në një nga këto kërkesa përcaktohej dhe vendosja në Shqipëri e një monarkie kushtetuese me një mbret nga vendet europiane. Me gjithë parashtrimin që iu bë nga komisioni shqiptar Konferencës së Ambasadorëve në Londër ajo nuk bëri ndonjë përcaktim zyrtar të formës së qeverisjes.
Ajo vetëm përcaktoi se Shqipëria shpallej principatë sovrane, autonome e trashëguar me një princ të caktuar nga Fuqitë e Mëdha. Caktimin e një mbreti europian Ismail Qemali dhe patriotët e shihnin si personifikimin e një zhvillimi të shpejtë ekonomik e politik e shoqëror të vendit. Prandaj Ismail Qemali në cilësinë e kryetarit nguli këmbë pranë fuqive, që të shpejtohej caktimi i Princit, i cili sipas tyre do të siguronte stabilitetin e qeverisë kombëtare dhe do të zhdukte të gjitha vështirësitë e brendshme, duke siguruar një zhvillim të ri të vendit.
Këto qenë arsyet që Ismail Qemali dhe patriotë të tjerë do të vlerësonin ardhjen e princ Vidit në Shqipëri, si një faktor pozitiv, që do të ndikonte në realizimin e aspiratave kombëtare dhe do ta udhëhiqte vendin drejt bashkimit kombëtar. Por zhvillimi i ngjarjeve tregoi se nga Princ Vidi nuk mund të pritej që ai të vepronte për interesat e Shqipërisë, kur këto binin në kundërshtim me vullnetin e Fuqive të Mëdha.
ADMINISTRATA, GJYKATAT, XHANDARMËRIA…
Meqenëse Konferenca e Ambasadorëve nuk bëri përcaktimin mbi formën e shtetit, shteti i pavarur shqiptar u krijua si një shtet me sistem parlamentar, rolin e të cilit e plotësonte Kuvendi Kombëtar, i cili edhe pasi i dha fund punimeve të tij, ruante prerogativat si organi më i lartë i shtetit. Por në kushtet ekzistuese Kuvendi Kombëtar nuk pati mundësinë efektive të mblidhej dhe në të vërtetë qeveria e Ismail Qemalit në bazë të pushtetit që i ishte deleguar nga kuvendi, përqendroi në duart e saj të gjithë pushtetin shtetëror, duke zhvilluar një veprimtari administrative ashtu dhe legjislative.
Pavarësisht se kjo veprimtari ka qenë më e kufizuar për shkak të rrethanave të luftës ballkanike, janë pikërisht këto rrethana të jashtëzakonshme që shpjegojnë përse Ismail Qemali nuk qe në gjendje të zbatonte plotësisht parimet e veprimit konstitucional, duke mos ja njohur pleqësisë të drejtën e votës deliberative, siç e kërkon parimi konstitucional dhe duke ia kufizuar këtë të drejtë vetëm me votën konsultative.
Kështu Shqipëria që nga fundi i vitit 1912, i kishte elementët e një organizimi shtetëror të pavarur, siç janë qenia e një popullsie të caktuar në një territor të caktuar dhe e një pushteti publik që e drejton atë. Ismail Qemali për të vënë shtetin e ri shqiptar mbi baza të organizuara, së bashku me qeverinë morën masat për ngritjen e strukturave organizative, si ngritjen e administratës shtetërore, organizimin e gjykatave, xhandarmërisë, policisë etj.
SHQIPËRIA TË NDAHET NË TRE KANTONE
Idetë për mënyrën e organizimit të vendit ai i kishte shfaqur para shpalljes së pavarësisë. Në atë kohë duke parashikuar vështirësitë që do të ndesheshin në organizimin e një pushteti të përqendruar, ai kishte shprehur mendimin për ndarjen e Shqipërisë në kantone, si mbas shembullit të Zvicrës. Por në këtë çështje ai shfaqi një pikëpamje jo të drejtë, e cila rridhte nga fakti se ai duke jetuar për dhjetëra vjet larg Shqipërisë, nuk e njihte mirë vendin dhe i dha rëndësi të madhe peshës që ushtronin në jetën e brendshme të popullit shqiptar, dallimet e tij krahinore dhe fetare.
Në këtë mes duket se ndikoi dhe ekzistenca e autonomive lokale të disa krahinave që kishin ekzistuar, dhe të cilat Perandoria Osmane nuk kishte mundur t’i asgjësonte. Këto autonomi ai mendonte se mund të shfrytëzoheshin në të mirë të shtetit modern. Këtë ide e ruajti dhe pas shpalljes së pavarësisë dhe u përpoq ta pasqyronte dhe në hartimin e Kanunit të Përtashëm të administratës civile të shtetit shqiptar. Sipas Ismail Qemalit, Shqipëria do të ndahej në tre kantone, me kryeqytete Shkodrën, Durrësin, Vlorën, të cilët do të kishin për qeveritarë respektivisht Preng Bibë Dodën, Esat Pashë Toptanin e Ismail Qemalin.
Idenë kantonale të tij, ai e përforcoi sidomos në fjalimin që mbajti në mitingun popullor të Vlorës më 21 tetor 1913, ku theksoi se çdo krahinë (kanton), duhej të qeverisej sipas veçorive të saj. “Nga kjo- theksonte ai,- del që labi do të jetë lab, gega gegë dhe toska toskë dhe secili do të punojë vetëm për Labërinë, për Gegërinë dhe Toskërinë, por të gjithë me ideale shqiptare do të punojnë si shqiptar dhe do të vriten si shqiptarë për Shqipërinë, duke marrë fuqinë prej përparimit të vendit të vet”.
JO NDARJES SË SHQIPËRISË NË KANTONE
Por veçoritë krahinore që jepte Ismail Qemali, nuk përbënin arsye për ndarje në kantone. Në ndonjë vend perëndimor kishte një farë autonomie administrative lokale, por kjo s’kishte të bënte me kantonet në Zvicër, që ishin ndarë sipas veçorive gjuhësore, fetare, lokale. Dihet se Shqipëria në kufijtë e vitit 1913, në shumicën e saj dërrmuese përbëhej nga popullsi e thjeshtë shqiptare. Pra një sistem i tillë i zbatuar në një shtet me përbërje heterogjene kombëtare siç qe Zvicra, nuk mund të zbatohej në një shtet të tillë me homogjenitet etnik, siç ishte Shqipëria.
Një rrethanë e tillë nuk ka qenë e paditur për Ismail Qemalin. Propozimi i bërë prej tij për ndarjen e Shqipërisë në kantone në këtë kohë, nuk përputhej me detyrën që i dilte shtetit shqiptar, për forcimin e administratës dhe centralizimit të saj. Kjo nuk ishte rruga për ruajtjen e “unitetit” kombëtar të Shqipërisë dhe të pavarësisë së tij. Siç tregoi koha qysh atëhere, pavarësia e Shqipërisë mund të sigurohej vetëm në luftë me separatizmin, që kishin mbjellë klikat feudale të përkrahura nga fuqitë dhe shtetet fqinje. Zhdukja e pushteteve separatiste dhe vendosja e një drejtimi të centralizuar qe e vetmja rrugë për përparimin ekonomik shoqëror e politik të Shqipërisë. Interesat kombëtare kërkonin që ajo të mbetej një dhe e pandarë dhe nga pikëpamja administrative.
Është kjo arsyeja që ideja e tij nuk u pranua nga shumë anëtarë të qeverisë, midis të cilëve edhe nga atdhetarë të shquar, madje edhe nga bashkëpunëtorët e tij të afërt, si Luigj Gurakuqi, Petro Poga, Pandeli Cale etj. Ata kundërshtuan ndarjen e vendit në kantone, duke e cilësuar atë si një “masë të dëmshme për bashkimin e për rrojtjen e kombit tonë”.
Ata theksonin me të drejtë se që të forcohej kombi, duhej të mos thellohej ndarja midis krahinave përkundrazi, këto duhej të lidheshin ngushtë me njëra tjetrën dhe të administroheshin nga një qendër e vetme. Kritikat e bëra në këtë çështje Ismail Qemali i mori parasysh dhe aq më tepër tregoi, se ai nuk ishte shumë i bindur në epërsinë e organizimit kantonal, për kushtet e vendit. Si rrjedhim ideja e tij kantonale nuk u përfshi në “Kanunin e Përtashëm” dhe nuk u pasqyrua në ligjet që qeveria e Vlorës filloi të shpallte dhe të zbatonte.
“KANUNI I PËRTASHËM” DHE LIGJET E REJA
Pas diskutimesh të shumta që u bënë për drejtimet që do të merrte organizimi i administratës, rëndësi të veçantë pati shpallja nga ana e Qeverisë së Përkohshme në nëntor të 1913–ës, e “Kanunit të Përtashëm”, të cilin e përmendëm më lart, ligjit që përcaktonte ndarjen e re administrative të vendit. Kanuni do të rregullonte me hollësi ndarjen administrative dhe kompetencat e organeve lokale. Ky përcaktonte një akt normativ të mbështetur në parimin e centralizimit administrativ të vendit sipas modelit të shteteve europiane.
Në themel të tij u vu parimi i krijimit të një administrate qendrore. Sipas kanunit Shqipëria u nda në prefektura që përfaqësonin njësinë më të lartë lokale dhe këto nga ana e tyre në nënprefektura dhe krahina. Nga normat që përmbante kanuni, dilte se në Shqipëri pushteti do të përqendrohej në duart e Qeverisë së Vlorës. Ligjet që nxori qeveria për organizimin e hallkave të administratës lokale, përbënin një hap të rëndësishëm mbasi ato ndryshonin nga administrata perandorake turke, për faktin se i dhanë shtetit shqiptar në një farë shkalle, fizionominë e një shteti modern nga forma dhe nga përmbajtja me një administratë të përqendruar përparimtare.
Të tilla ligje që dallonin nga legjislacioni i mëparshëm, qenë p.sh.; përjashtimi i ndërhyrjes së organeve shtetërore në punët e drejtësisë, apo ndarja në një farë mase e institucioneve shtetërore nga ato fetare. Gjithashtu nxorën akte të reja si në mënyrën e ndarjes së trashëgimisë etj. Pavarësisht se ligji mbi ndarjen administrative territoriale nuk u zbatua plotësisht, se Qeveria e Vlorës qëndroi në fuqi vetëm dy muaj pas miratimit të tij, ai përbënte një përpjekje serioze për të ngritur një administratë lokale të mbështetur në kritere relativisht demokratike, përderisa parashikohej funksionimi i organeve të zgjedhura sado me kompetenca të kufizuara.
Kësaj përpjekje të kryetarit dhe qeverisë së tij, për t’i dhënë vendit struktura të përshtatshme dhe moderne, u duhen shtuar dhe masat e tjera si caktimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, hapja e shkollave etj. Si përfundim mund të themi se kontributi që dha Ismail Qemali dhe qeveria në miratimin e akteve të rëndësishme të kanunit, për organizimin e aparatit shtetëror qendror dhe organizimin e organeve të administratës lokale, ndihmuan në plotësimin e fizionomisë së plotë të shtetit shqiptar të organizuar dhe të pavarur, si në qendër ashtu dhe në bazë. Ai dhe qeveria e tij hodhën baza të reja të administratës lokale në vend. / Memorie.al












