Nga Dr. Ledia Dushku
Pjesa e dytë
Memorie.al / Marrëdhëniet e regjimeve totalitare me intelektualin, janë bërë shpesh objekt diskutimesh në rrethet e studiuesve. Duket si kur ky raport përvijohet në dy kahe të kundërta, ku intelektuali duhet të zgjedhë midis të qenit “njeri i oborrit” ose, “disident”, pa pasur rrugë të mesme. Por në diktaturat komuniste ekziston koncepti i “artit të të mbijetuarit”, i cili nuk është gjë tjetër veçse një kombinim i nënshtrimit të kalkuluar, kritikës së vetë-kontrolluar, mbajtjes taktike të një profili të ulur dhe përdorimit me inteligjencë e pa zhurmë, të mundësive që mund të të krijohen. Në këtë mënyrë, pranimi i kontratës sociale të regjimit komunist, jo gjithmonë e bën intelektualin “njeri të oborrit”.
Vijon nga numri kaluar
Nga sa më sipër, marrëdhënia midis shtetit komunist dhe studiuesit Eqrem Çabej, u kushtëzua nga disa aspekte: Aspekti i parë kishte të bënte me të kaluarën jetësore, me theks te shkollimi në Perëndim, prej- ardhja familjare, rrethi shoqëror dhe veçanërisht vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Për këtë, marrëdhënia midis shtetit dhe Eqerem Çabejt, kaloi nëpërmjet sitës së Sigurimit të Shtetit. Informacioni i parë, që mbërrin në trajtën e një shënimi, në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit në lidhje me Çabejn, i përket Sektorit të Pushtetit, më 29 shtator 1946, sipas të cilit: “Eqerem Çabej në kohën e fashizmit, ishte dërguar në Itali nga Ministria e Ekonomisë për të ndjekur disa studime.
Mbas kapitullimit të Italisë, ky ka pasur marrëdhënie të mira me gjermanët, se këta e emëruan ministër, mirëpo ky nuk pranoi, sepse u këshillua nga shokët e internuar. Ky u kujdesua dhe asht elementi kryesor që bëri të vijnë në Shqipëri, Stefo Grabocka me shokë. Na lë të dyshohet se ky ka qenë besnik te gjermanët, sa të lirojë dhe të dërgojë në Shqipëri 30-40 shqiptarë, të internuar prej italianëve dhe kaq jugosllavë. Dyshohet mbi qëndrimin e tij.
Shënimi me gjasë ishte përpiluar nga Mehmet Shehu, në atë kohë shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Kombëtare, e më pas ministër i Brendshëm, prej nga ku varej Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Në dosjen formulare të Çabejt, të dhënat për implikimin e tij në procesin e riatdhesimit të dhjetëra shqiptarëve, gjenden në materialin pa datë, që mban titullin; ‘Pjesë nga relacioni pa firmë, i gjeneral Mehmet Shehut’.
Nuk do të ishin të çuditshme lidhjet e afërta të Eqrem Çabejt me kulturën gjermane, që vinin për shkak të shkollimit në Vjenë. Dokumentacioni arkivor i konsultuar deri më tani dëshmon për kontakte sporadike të Çabejt me autoritetet gjer- mane në Romë. Telegrami i konsullit Gumpert, i gjendur në Arkivin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, evidenton një përçapje / lutje, të Eqrem Çabejt, për riatdhesimin e shqiptarëve të internuar prej pushtuesve italianë, në kampe të ndryshme të Italisë Veriore dhe të Mesme.
Në lidhje me rastin në fjalë, në librin ‘Intervistë me vetveten’ (‘Retë dhe gurët’) Petro Marko tregon se, Stefo Grabocka dhe Mina Uçi, e kishin këshilluar që të takonte Eqrem Çabejn. Ky i fundit duhej “të mundohej dhe t’i siguronte një shkresë nga ambasada gjermane në Romë për të shkuar e për të mbledhur shqiptarët e burgosur e të internuar”. Çabej ia kishte dalë të siguronte shkresën e kërkuar dhe Petro Marko u autorizua “nga ambasada gjermane e Romës, të udhëtojë nëpër Itali, për të mbledhur të burgosurit dhe të internuarit shqiptarë, që t’i sjellë në Romë, se këndej ata do të riatdhesohen. Autoritetet ushtarake të Rajhut janë të lutura, të mos e pengojnë për të kryer misionin e tij”.
Brikena Çabej, sërish duke iu referuar një bisede të saj me Petro Markon, dëshmon se i ati, kishte kontaktuar dhe ndërhyrë nëpërmjet një shoku klase të periudhës së shkollimit në Vjenë, i cili ishte mobilizuar nga gjermanët dhe mbante një post të lartë në strukturat pushtuese gjermane në Romë. Takimi mes dy bashkë-studentëve, kishte ndodhur rastësisht në një kafene të Romës.
“Në atë takim, ai shok i hershëm i kishte treguar se kishte mjaft gjëra në dorë e, i kishte shfaqur gatishmërinë për ta ndihmuar në rast nevoje. Ndihma që Çabej i kërkoi shokut të vjetër në dimrin e vitit 1943, ishte pikërisht riatdhesimi i 23 bashkëpatriotëve të tij.
Më tej, Petro Marko ka shkuar bashkë me Çabejn, për të paraqitur këtë kërkesë [pranë autoriteteve përkatëse]”. Pavarësisht se ndërhyrja e Eqrem Çabejt rezultoi e suksesshme, kjo nuk përligj ndonjë lidhje të afërt politike të tij me gjermanët. Deri më tani as dokumentacioni gjerman dhe literatura e konsultuar, nuk japin indikacione për një gjë të tillë.
Në vijim, informacioni i Sigurimit të Shtetit për të kaluarën e Eqrem Çabejt, vjen e plotësohet dhe zgjerohet. Në materialin e përgatitur nga seksioni i Tiranës, më datë 9 janar 1948, krahas fakteve që kanë të bëjnë me studimet e kryera në Austri, njohjen e disa gjuhëve të huaja, prejardhjen nga “shtresa të pasura”, jetën në “rrethe borgjeze”, përbërjen e rrethit shoqëror nga “elementë kundërshtarë të pushtetit”, siç ishin Selahudin Toto, Gjergj Ashta, Vedat Kokona, Sabiha Kasimati, pjesë e studiuesve të Institutit të Studimeve, theksi vihet tek e kaluara e Çabejt, në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Ky aspekt shkëputej nga konteksti, interpretohej dhe manipulohej në frymën e kohës, çka bënte që në tërësi informacioni të ishte i paplotë, larg së vërtetës. Sipas relacionit: “Okupacionin fashist e ka pritur mirë, duke e përhapur dhe deklaruar si mik të popullit tonë, ka punuar me mish e me shpirt për fashizmin dhe ka përkrahur njerëzit e tij. Për këtë u dërgua në Itali për studime, ku qëndroi deri në kapitullimin e Italisë. Mbas kapitullimit Eqremi u caktua ministër i Arsimit, me gjithë se akoma nuk ishte kthyer nga Italia. Gjatë okupacionit nazist u kthye në Shqipëri dhe filloi të bashkëpunojë me ta, duke mbrojtur politikën e tyre”.
Pavarësisht sa më sipër, ende në informacionet që i vinin Sigurimit të Shtetit, emrit të Eqrem Çabej nuk i ishte bashkëngjitur togfjalëshi “armik i pushtetit popullor”. Për herë të parë, ky togfjalësh, përdoret në relacionin e datës 11 tetor 1950, të bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Prurësja”, por duke u specifikuar se nuk kishte “ndonjë aktivitet të zgjeruar antipushtet”. Etiketimi “armik i pushtetit popullor”, ishte rrjedhojë e së kaluarës së tij, me fokus vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Informacioni tashmë pasurohej me dy të dhëna të reja: “Çabej, ka të arratisur burrin e motrës, eksponent i Ballit” dhe “prej partizanëve, kur ende nuk ishte çliruar vendi, i është vrarë një vëlla, ka qenë prefekt në Kosovë”. Një vend i posaçëm i kushtohej marrëdhënies së Eqrem Çabejt, me Sabiha Kasimatin, kjo për faktin se “Prurësja”, ishte personi i ngarkuar nga Sigurimi i Shtetit, për të mbikëqyrur këtë të fundit.
Marrëdhënia midis tyre konsiderohej si “miqësi e ngushtë”, “më shumë me karakter politiko-kulturor”, midis të cilëve “bisedohet rreth kulturës, shkencës dhe veprave… të shkrimtarëve me kulturë borgjeze. Kultura marksiste për ta konsiderohet si hiçgjë, veprat e Leninit, jo si kryevepra, por si ngjarje të rastit”!
Marrëdhënia e Sigurimit të Shtetit, me studiuesin Çabej, mori përmasa të tjera në vitin 1952, atëherë kur regjimi duhej të bindej për nivelin e rrezikshmërisë, duke e pasur plotësisht nën vëzhgim veprimtarinë e tij. Në tetor të atij viti, niveli i survejimit të “elementit kundërshtar Eqrem Çabej”, nga niveli II/B, do të kategorizohej në nivelin më të lartë, atë II/A. Të dyja raportet e kategorizimit arrinin në përfundimin se; Çabej kryente “aktivitet antipopullor, kundra atdheut dhe popullit”.
Raporti i kategorizimit në nivelin II/A, paraqitet më i plotë në informacion, duke synuar të përligjë ndryshimin në një kategorizim më të lartë. Theksi vihej te shkollimi në Vjenë, prej nga rridhnin tendencat naziste, që konsideroheshin të barasvlershme me ato antipushtet. Këto tendenca ishin përforcuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kur ai kishte qëndruar në Itali, si “përfaqësues i Ernest Koliqit”, kohë kur i ishin propozuar postet e ministrit të Arsimit.
Në përputhje me frymën dhe orientimin e udhëheqjes komuniste, qëndrimi i të përmendurit gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte përcaktues edhe për qëndrimin e tij në të ardhmen. Sipas raportit, Çabej për shkak të së kaluarës së tij, ishte “i predispozuar për të qenë armiku i klasës, që edhe sot vazhdon të veprojë, sepse ky qysh mbas çlirimit dhe sot vazhdimisht asht parë të shoqnohet me elementë të dyshimtë, të tipit të tij…”.
Krahas emrit të biologes Sabiha Kasimati, tashmë e ekzekutuar në kuadrin e bombës në Legatën Sovjetike, për të cilën spekulohej se ishte Çabej ai që kishte bërë punë armiqësore, rrethi shoqëror plotësohej me Shyrete Turkeshin, e përjashtuar nga Partia, survejuar në nivel II/A, e cila më vonë do të ishte edhe bashkëshortja e tij; etnologun Rrok Zojzi, që konsiderohej “fashist me damkë”, survejuar në II/B; ish-ministrin e Arsimit, kolegun e tij në Institutin e Shkencave, Sejfulla Malëshova, “tradhtar i partisë”, survejuar në II/A.
Por, për ta kaluar nga kategoria II/B/ në atë II/A/ nuk kishte mjaftuar as “gjithë ky aktivitet”, as fakti se Çabej “asht nji element mjaft inteligjent edhe me nji kulturë të gjerë dhe eksponent i dorës së parë për reaksionin”. Ishte dashur “nji shënim qi ka vënë titullari i këtij dikasteri, gjeneral -leitnant Mehmet Shehu, për t’u vënë në përpunim aktiv”, shënim ky që evidentohej nga nëntogeri Taip Rada, si i rëndësishëm për ta kaluar rastin e Çabejt, nga kategoria II/B, në II/A.
Vendosja në kategorinë II/A, u shoqërua me hartimin e planeve të detajuara të “masave operative agjenturore”. Nga tetori i 1952-shit deri në qershor të 1955-s, u hartuan shtatë plane masash dhe një plan special, në korrik të 1954-ës. Plani i parë e vinte theksin te përdorimi i agjenturës dhe bashkëpunëtorëve ekzistues të Sigurimit të Shtetit, “por nëse të tillë nuk gjendeshin, atëherë të studiojmë gjetjen e një kandidati për rekrutim dhe ta rekrutojmë”. Menjëherë u aktivizua një rrjet i tërë bashkëpunëtorësh, ku në vitet e para, spikatin pseudonimet “Prurësja”, “Drojtja”, “Edija”, “Dhelpërija”, “Çajupja”, “Taraboshi”.
Puna e tyre ishte të informonin në detaje, mbi çdo aspekt të veprimtarisë së Eqrem Çabejt, karakterin që ai kishte, veprimtarinë shkencore, rrethin e njerëzve me të cilët shoqërohej, interesimin ose jo për politikë, bisedat që zhvillonte, jo vetëm në Institutin e Shkencave apo Bibliotekën Kombëtare, por edhe shtëpi apo, kudo ku ai shkonte, në Tiranë apo jashtë saj. Ndërkohë, filloi puna për të gjetur informacion nga proces-verbalet e të akuzuarve të tjerë, prej nga ku duhej të nxirrej informacion që implikonte studiuesin Çabej. Qëllimi ishte që të përligjej “veprimtaria armiqësore agjenturore”, e Eqrem Çabejt.
Për shkak se nuk u sigurua informacioni që pritej, më 10 prill 1953, u përgatit plani i dytë i masave, ku u shtua mbikëqyrja e korrespondencës, brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe kontrolli i hyrjeve e daljeve në shtëpinë ku ai banonte. Por, pavarësisht planeve të njëpasnjëshme, dëshirës dhe vullnetit të Sigurimit të Shtetit, për të zbuluar “veprimtarinë armiqësore dhe agjenturore” të Eqrem Çabejt, objektivat mbetën të parealizuara. Si rezultat, në tetor të 1958-ës, niveli i survelimit u ul nga kategoria II/A në atë II/B. Intensiteti i survejimit ra dhe në vitin 1963, dosja formulare do të arkivohet, por jo përgjithmonë.
Aspekti i dytë që kushtëzoi marrëdhënien e shtetit komunist me studiuesin Çabej, ishte profili psikologjik dhe karakteri njerëzor. Natyra dhe karakteri i Eqrem Çabejt, u vendos në fokus të punës së bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, për të kuptuar shkallën e rrezikshmërisë së tij. Në përgjithësi relacionet, ku spikasin ato të bashkëpunëtorit me pseudonimin “Edija”, student i Çabejt dhe prej vitit 1952, koleg me të, e përshkruajnë profesorin, si njeri me “kulturë borgjeze”, mjaft i zgjuar e inteligjent, por dinak.
Edhe në kohën e Zogut, “kur vendi i zakonshëm për shumicën e profesorëve ishte kafeneja, ky studionte, nuk është njeri i bixhozit”. Shfaqte ego të madhe, e çmonte shumë veten, prekej shpejt në sedër, por manifestonte gjithmonë maturi dhe seriozitet. Sa i përket asaj që në terminologjinë e kohës konsiderohej “anë politiko-shoqërore”, evidentohej mbajtja gjithnjë e me konsekuencë i bindjes së “një nacionalisti borgjez të vendosur”.
Në përputhje me pritshmërinë e kohës, në fokus të relacioneve të bashkëpunëtorëve, vendosej marrëdhënia e Çabejt me politikën. Në përgjithësi, aty evidentohej drejt e kaluara jopolitike dhe e tashmja indiferente / shpërfillëse, karshi politikës. Bashkëpunëtori me pseudonimin “Edija”, e gjente me vend të tregonte mendimin e Çabejt, se: “Ka disa njerëz të mëdhenj që qëndrojnë mbi politikën, nuk interesohen, s’e përfillin fare politikën”. “E tha me pasion këtë, – theksonte “Edija, – aq sa më dha të kuptoj, se edhe ai ishte i bindur se një qëndrim i tillë, ishte i përshtatshëm për njerëzit e mëdhenj, prandaj ai mbante…”! Më tej, Çabej konsiderohej mendjemadh, që nuk pajtohej me luftën e klasave dhe çështjet shkencore i shihte të ndara nga politika, duke sfiduar kështu ideologjinë e kohës.
Nga sa më sipër, përshkrimi i karakterit të Eqrem Çabejt përgjithësisht, nuk e përligjte profilin e “armikut të pushtetit popullor”, me rrezikshmëri të lartë. Ndonëse relacionet e bashkëpunëtorëve, evidentojnë natyrën e tij tejet të rezervuar, prirem të mendoj se ky ishte një aspekt jo plotësisht i lindur i karakterit të Çabejt, por i krijuar nën ndikimin e rrethanave të kohës, si një masë mbrojtëse karshi ashpërsisë së regjimit dhe ndjenjës së rrethimit nga spiunë të kudogjendur.
Duke konsultuar dosjen formulare, dukshëm të bie në sy se rrethi i personave me të cilët Eqerem Çabej kontaktonte, zvogëlohet ndjeshëm, veçanërisht që prej vitit 1952, kohë kur ai u vendos në survejim. Kështu, nëse në vitin 1948, Çabej kishte kontaktuar 62 persona, në vitin 1953, numri kishte shkuar në 17, ndërsa në 1956-ën, gjatë 5 ditëve të survejimit, ai kishte takuar jashtë familjes së ngushtë, vetëm 2 persona, njëri prej të cilëve ishte i vjehrri.
Po si qëndron profili veshur me ideologjinë e kohës, përballë profilit të bijës për atin. Brikena Çabej, e përshkruan kështu të atin: “Njeri i matur e i përmbajtur, me një edukatë të pabesueshme në komunikimin me të gjithë, që nga një fëmijë i vogël, deri te plaku më i respektueshëm. E kam parë shumë rrallë të humbiste durimin dhe të nervozohej. Zakonisht, kur ndodhte kjo, ikte nga dhoma. Nuk shante njeri dhe i shmangte konfliktet sa të mundej. Besoj se bënte atë që thotë populli: ‘Mishi të piqet dhe helli të mos digjet.’
Kishte një ndershmëri proverbiale dhe një karakter vërtet për ta pasur zili. I ndihmonte shumë të tjerët, nuk bënte asgjë me bujë. Kishte parime, të cilat nuk i shkelte kurrë. E dinte fort mirë se ku ishte dërrasa e kalbur dhe i qëndronte larg. Mundohej t’u nguliste njerëzve përreth, mendime e ide, pa dhënë këshilla, por duke dhënë shembullin e tij; ishte një shprehje që përmendej shpesh në shtëpinë tonë, ai e përmendte shumë shpesh: ‘Fjalët të mësojnë, shembujt të tërheqin.’
Nuk ankohej kurrë, megjithëse nuk ka bërë jetë të lehtë. Presioni i regjimit, e bëri modest. Për gjërat që i dhembnin, nuk fliste. Në qoftë se kishte një thelb në karakterin dhe në qenien e tij, ishte atdhedashuria dhe patriotizmi. Sa i përket politikës, e ndiqte me interes, por vetë shmangte plotësisht që të merrej me të”!
Aspekti i tretë që ravijëzoi marrëdhënien e shtetit komunist me studiuesin Çabej, ishte raporti që Partia dhe Enver Hoxha, krijoi me Institutin e Shkencave në përgjithësi dhe atë vetë në veçanti. Kjo marrëdhënie u kushtëzua nga vëmendja që mori nga njëra anë përgatitja e “kuadrove të rinj” dhe rolit që do të luanin studiuesit me përvojë dhe nga ana tjetër, procesi i reformimit të “kuadrove të vjetër”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm