Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e trembëdhjete
Memorie.al / Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Ndërhyrjet e mi a në luftë me ekstremizmin e gjërave qenë të dobishme për punën e mëvonshme të specialistëve, por fatkeqësisht, më vuri mua në kontradikta me kallëzuesin, që padrejtësisht po i bënte këto keqinterpretime. Pas kësaj, ai nuk e rreshti luftën kundër meje, në çdo hap të punës sime në Institut, megjithëse unë në rastin e mësipërm më shumë mbrojta shokun, se sa sulmova atë. Ato ditë dhe javë, Instituti gumëzhinte si Pallati i Dimrit të Peterburgut, në Revolucionin e Tetorit, veçse në vend të pushkëve, në betejë luftohej me dosjet e specialistëve, që punonin me vite në këtë institucion shkencor.
Në drejtimin tekniko-shkencor na u dha porosia të rishikonim të gjitha studimet projektuese të bëra, gjithë puset e projektuar për shpim dhe atyre që ishin në shpim, në prizmin që; të dilej me propozimet përkatëse, se si duhej vepruar me ta. Duke qenë i shkëputur nga mbledhjet e diskutimet që bënin punonjësit e Institutit, për të zbërthyer; “veprimtarinë armiqësore” dhe biografitë e disa punonjësve, unë krijova grupe pune me specialistë gjeologë e gjeofizikë nga Instituti dhe nga ndërmarrjet, për çdo sektor, në mënyrë që të analizoheshin me seriozitet shkencor e përgjegjësi të lartë pune, të gjitha rekomandimet teknike, që të arrihej në përfundimin në se ishin të drejta dhe të bazuara me material shkencor faktik e interpretues apo jo.
Ne nuk u nisëm nga fakti se kush ishte autori, por gjykuam çdo gjë drejt në mënyrë kritike. Për këtë, u punua me një tension e mobilizim shumë të madh, të paparë ndonjëherë nga gjithë ata që u aktivizuan në këto grupe teknike dhe mbas një periudhe dy-tre mujore pune, ne parashtruam përfundimet me rekomandimet tona për çdo pus në shpim dhe të projektuar, e për çdo studim tjetër. Natyrisht ne tani i shikonim me një kërkesë më të lartë ndaj cilësisë së materialeve komplekse që përfshiheshin në këto studime dhe si pasojë arritëm në përfundimin, që nga puset në shpim, tek disa të bëheshin ndryshime në projekt-thellësitë e tyre, çka në tërësi, nuk përbënin vështirësi serioze për t’u realizuar.
Më e rëndësishmja ishte se në disa puse, duhej ndaluar shpimi i mëtejshëm, mbasi ishin të panevojshëm thellimet e tyre. Po kështu, ne dolëm në logjikën se në projektimet e puseve të rinj, një pjesë e tyre kishte nevojë për punime plotësuese me materiale të cilësisë më të mirë seizmike, me vrojtime gjeologjike fushore dhe interpretime të materialit gjeologo-gjeofizik apo nivelit të përcaktimeve laboratorike paleontologjike. Kërkuam të kryheshin punime gjeologo- gjeofizikë shtesë dhe pastaj të rishikonim nevojën e shpimit të tyre.
Të gjitha këto përfundime u diskutuan në kabinete, sektorë dhe sidomos në Këshillin Shkencor të Institutit, që në atë kohë u riorganizua i tëri, sepse ky ishte organi më kompetent në fushën e teknikës për miratimin e materialeve që projektonin puse, ose studime tematiko-studimore. Brenda një kohe të shkurtër, u bë një punë e madhe dhe e dobishme. Jeta tregoi më vonë, se këto rekomandime, ishin teknikisht të drejta, e si pasojë i sollën kursime ekonomisë e buxhetit të sektorit të naftës. Ky ishte një sadisfaksion shtesë për mua. Por fatkeqësisht, udhëheqja e diktaturës, e harroi shumë shpejt.
Duhet theksuar, se në gjithë atë punë, asnjëherë nuk u gjet ndonjë rast që një e dhënë faktike, të ishte vënë e shtrembëruar ne material. Nën këtë tension të jashtëzakonshëm, ne hartuam dhe një program të ri pune dhe iu kthyem disa strukturave gjeologjike, që në planet e punës së Institutit, nuk ishin përfshirë. Bile iu futëm edhe ndonjë zone, që deri atëherë qe vlerësuar si pa perspektivë, ngaqë puset e shpuar më parë në atë strukturë, kishin dalë negative dhe e kishin zbehur perspektivën e saj. Por me një thellim shkencor, me një konceptim më të drejtë gjeologjik, e pamë të domosdoshëm vazhdimin e kërkimeve në ato rajone, meqenëse perspektiva e tyre qëndronte.
I tillë ishte rajoni i Cakranit, ku nuk ishte parashikuar asnjë studim apo projektim i ri, për mundësinë e gjetjes së gëlqerorëve të mbuluar nga mbihypja e shtresave flishore. Për këtë, ne si drejtori, i vumë një rëndësi të dorës së parë, rivendosjes së punimeve seizmike dhe gjeologjike sipërfaqësore. Mbas një periudhe të shkurtër të një pune mjaft të vështirë për nga terreni për punimet seizmike, u arrit të kryhej përgjithësimi nga një grup studimi, i ndihmuar së tepërmi nga drejtoria jonë.
Organizuam konsulta për shkëmbimin e mendimeve në interpretim, sidomos në aspektin tektonik dhe kapërcimin e një sërë vështirësish që kalonin një pjesë e gjeologëve në vetvete, lidhur me cilësinë e përgatitjes së strukturave, tani, mbas dënimit që u ishin bërë disa punimeve të mëparshme. Si përfundim arritëm të luftojmë mosbesimin që kishin gjeologë të veçante ndaj disa studimeve të kolegëve të tyre të mëparshëm. U panë të nevojshme kërkimet e mëtejshme, veçse në pozicione të tjera më optimale dhe me një projekt-thellësi më të madhe, rreth 4000 metra.
Sado që të mundohet ndokush të mohojë kontributin tim të madh në zgjedhjen e kësaj strukture, në interpretimin e stilit tektonik të saj dhe në tërësi në këtë interpretim gjeologjik, do ta kishte të kotë, sepse janë të argumentuara në dokumenta e me dëshmitarë të gjallë. Ishte frytdhënëse kjo analizë kontrolli që iu bë të gjitha studimeve, nga që ato u ripanë me sy më kritik, me një seriozitet më të madh, me një debatim më të gjerë. Ne nuk u shtymë nga ndonjë presion, për të shpuar sa më shumë puse apo për të patur metrazh të lartë shpimi, për atë vit dhe vitin e ardhshëm.
Duhet thënë se për shkak të shifrave të larta që planifikoheshin nga udhëheqja e partisë, në gjeologët, ne shumicën e kohës, ishim te detyruar të viheshim para një dileme shumë të madh, të rendë dhe të vështirë, për të gjetur zgjidhjen më të mirë.
Kjo vinte se kapaciteti e niveli i aparaturave sizmike, nuk mbulonte dot një volum të madh, që t’u përgjigjej shifrave të metrazhit që planifikoheshin. Si rrjedhim, në rajonet me terren të thyer, volumi tyre ishte i pakët, gjë që vetvetiu ndikonte në cilësinë e projektimit. Dhe për këtë nuk ishin fajtorë gjeologët.
Ndodheshim midis dy zjarreve dhe mundoheshim të gjenim zgjidhjen më të mirë. Konkretisht, ne specialistët gjeologë nuk mund të kundërshtonim me forcë planifikimin e fryrë, sepse gjithmonë rrezikonim të na e merrnin për kundërvënie, ndaj mësimeve e detyrave të partisë. Kështu që punonjësit e gjeologjisë në zonat kodrinore e malore, projektonin me përparësi materialin gjeologjik. Ishte një zgjidhje e arsyeshme në ato kushte, se krijonte mundësinë që në një kohë më të shkurtër, të sqaroheshin rajone me terren të tillë të vështirë.
Po të prisnim kryerjen e punimeve më të shumta seizmike, me atë nivel teknik që ne dispononim, do të nevojiteshin shumë e shumë vite. Qeveria nuk dëgjonte zërin tonë, të specialistëve, që na pat rënë goja, për fuqizimin e nevojshëm të seizmikës, sidomos me sy nga shtetet perëndimore. Edhe na i ndreqnin kërkesat me nofka ideologjike, edhe kërkonin metrazh të lartë kërkimi! Edhe na nxitnin pastaj të shfaqnim kurajo! Ata kërkonin nga gjeologët që; mishi të piqej dhe helli të mos digjej, siç thotë një fjalë e urtë popullore.
Kështu që, në shumë raste, kjo dilemë mjaft e vështirë i detyronte që në punën projektuese, gjeologët dhe shefat e tyre, të mos zgjidhnin prerë pozicionin që do të mbanin, pra të thoshin “po”, apo të thoshin “jo”! Këto gabime ishin objektive, të detyruara nga streset e politikës së mbrapshtë të udhëheqjes së partisë, pa mendimin shkencor. Vetë i fuste specialistët në qorrsokak me terrorin e saj dhe vetë i dënonte kur të deshte, për ato gjëra që ajo i shtynte dhe ishte totalisht përgjegjëse.
Janë të shumtë puset e projektuar e shpuar me një sasi e nivel të pamjaftueshëm të materialit seizmik, por me përparësi të materialit gjeologjik, si një metodë e rëndësishme e kompleksit përgatitor, për të gjykuar për ndërtimin në thellësi. Në këto projektime, janë marrë rezultate pozitive, duke zbuluar vend-burime e reja. Kështu janë zbuluar vend-burimet më të rëndësishëm në gëlqerorët e Cakranit, Gorishtit, Visokës, Ballshit e zonave të tjera. Në këto raste, udhëheqësit e partisë, të cilët ngryseshin e gdhiheshin me mendjen tek nafta, duke ndërhyrë padrejtësisht në shumë çështje teknike, bënë vlerësime shumë pozitive, për gjeologët e drejtuesit që patën projektuar me guxim.
Ama në këto raste, askush prej tyre nuk pati kërkuar llogari se; përse nuk kish patur sasi të mjaftueshme seizmike dhe i qe dhënë përparësi faktorëve gjeologjikë?! Ndërsa kur puset dilnin negativë, atëherë kritikat ishin rrëqethëse. Puse të tillë shërbenin si sebepet më të kërkuar për ta cilësuar punën armiqësore. Pra, kur puset zbulonin rezerva të reja, partia thosh “na ruat” dhe kur ata dilnin huq, thosh “ju ruat”! Ky ishte një qëndrim i pacipë i udhëheqjes së Partisë së Punës së Shqipërisë. Por, le ta dinë të gjithë se, në qoftë se në naftë nuk do të ishte studiuar e kërkuar vetëm me të dhënat e mundësitë që ekzistonin, në qoftë se njerëzit nuk do të ishin hedhur në betejë, me guxim shkencor e përkushtim për të zgjidhur streset ekonomike të vendit, këto vendburime edhe sot e kësaj dite, nuk do të ishin zbuluar.
Vendi i ynë nuk do të kishte siguruar atë valutë të madhe dhe mungesat në treg, do të kishin qenë ku e ku më të llahtarshme. Burgu dhe dënimet kapitale që pësuan këta specialistë të ndershëm e të aftë, gjatë gjithë periudhës së diktaturës së egër komuniste në Shqipëri, ishin krime të pashembullt. Këta martirë të fushës së ekonomisë, duheshin e duhen vlerësuar si figura nga më të nderuarat dhe jo armiq, sabotatorë, tradhtarë e, me plot nofka të tjera, që iu ngjitën atyre në sallat e gjyqeve dhe nëpër bodrumet e errëta të hetuesisë.
Krahas punës në drejtimin shkencor që bënim ne si drejtori, organizatat e partisë vazhdonin javë me radhë hartimin e listave me “Kokat e turkut”. Aty shoshiteshin specialistët që duheshin larguar nga puna; u shihej e kaluara e tyre dhe e familjeve, pikëpamjet e shfaqura në mbledhje dhe në kohë të lire, e të gjithave u jepej një rëndësi historike e dorës së parë. Sigurimi i Shtetit, punonte me tre turne. U hartua përfundimisht një listë e gjatë naftëtarësh, që edhe pse të kualifikuar në fakultete të vendit dhe të huaja, me një eksperiencë njëzetë a tridhjetë vjeçare, duhet t’i thoshin lamtumirë punës në sektorët e naftës. Shumica dërrmuese e tyre, kish vite që të brengosur nga kjo lloj klime që sa vinte bëhej më e ashpër, bënin përpjekje të largoheshin.
Por jo, kurrsesi, ata nuk e deshin këtë lloj largimi, që në këto javë po e ndiqte me sy të çapëlyer, tërë opinioni i vendit. Largimi tani merte motivacione të forta dhe pasojat për ta e të afërmit e tyre. Këtë e kanë tepër zor ta kuptojnë ata që nuk kanë jetuar në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Në Institut u projektuan për t’u përjashtuar, një e treta e kuadrit shkencor. Nga partia mbërriti tek ne lista përfundimtare dhe njeriu që ma solli, më tha se unë, duhet të thërrisja njerëzit dhe t’u komunikoja largimin. I gjithë trupi m’u mbush me djersë dhe ashtu i hutuar u ula në tryezë, ndeza cigaren me duart që më dridheshin dhe nisa ta këqyr listën me vëmendje. Njeriu i dërguar nga qendra, zuri vend në një poltronë diku më larg, hodhi këmbën mbi këmbë dhe nuk ma ndante shikimin.
Shumë prej njerëzve të futur në listë, i njihja në punë prej një kohe të gjatë. Ishin specialistë të mirë e të ndershëm, korrektë e fjalë pakë, si Skënder Elbasani, Fatri Kadilli e, plot e plot të tjerë. Në një nga faqet e listës, gjeta shokun tim të fëmijërisë e të shkollës, me të cilin më vonë puna na pat lidhur edhe me miqësi të ngushtë familjare, Niko Goxhobashin. Lista kish dëshminë e një hartimi aspak të nxituar, por me siguri të pabesë, me plot goditje të ndyra pas shpine. Nikon, përshembull, me siguri e kishin futur aty, mbështetur në të kaluarën e familjes së tij të persekutuar si kulakë, e me njerëz që patën bërë vite të gjata burgu.
Duhet të isha bërë dhe në fytyrë. Është një nga kujtimet që harresa ime nuk arrin ta tresë dot edhe sikur unë të jetoja me shekuj. I zgjata paketën.
– Unë nuk e pi, – tha me një qetësi të habitshme njeriu që vinte nga Partia. E menjëherë e pyeti: Hë?! – Këtu ka emra, – i thashë si i mekur, – por nuk ka për secilin, shkakun se përse duhet të largohet.
– Nuk do t’u thuash asgjë për shkakun. U thuaj thjesht të largohen.
-Dhe si do t’i përgjigjem kërkesës së tyre për të ditur shkaqet?
Personi që më kish sjellë listën, mezi e mbuloi nervozizmin e tij.
-Do t’u thuash shkurt, se organe të tjera e dinë këtë punë. Ti je vetëm komunikuesi i listës dhe jo hartuesi i saj. Lista nuk është puna jote. Bile nuk është as edhe e imja. Duke më parë në një gjendje të mjeruar, u ngrit në këmbë dhe iu drejtua derës me nënkuptimin, se nuk deshte ta zgjaste më bisedën me mua. Pastaj, ndërroi mendje dhe që nga dera më tha: -Shoku Xhaçka, unë nuk e di se si e quan ti, por unë e quaj se ne, jemi në luftë. E di ti se si veprohet në luftë, me urdhrat eprore?
E hapi derën dhe doli pa përshëndetur. Ishim në luftë. Ishim në luftën më të çmendur që njerëzimi nuk besoj ta ketë parë në ndonjë vend tjetër të rruzullit. Ishim në luftë me pjellat e imagjinatës së Enver Hoxhës dhe shokëve të tij! Kudo njerëzit punuan me litar në grykë, por asnjë sektor i jetës në Shqipërinë diktatoriale, nuk mund të krahasohet me atë terror që bënte kërdinë në fushat, institutet, laboratorët dhe zyrat e drejtuesve që ishin angazhuar në prodhimin e naftës. Në asnjë sektor tjetër të ekonomisë, ky terror i pandërprerë gjatë dekadash të tëra nuk bëri aq viktima e nuk prishi aq familje, sa në sektorin tonë.
Shpërfillja e jetëve njerëzore, ishte e egër e pamëshirshme dhe këtë llogari historike këtë radhë diktaturës, nuk ia kërkojnë kundërshtarët ideollogjikë apo të ashtuquajturat klasa të përmbysura. Pjesa dërrmuese e atyre naftëtarëve, që panë t’u shkatërroheshin çerdhet familjare, që u torturuan, u poshtëruan, u burgosën dhe u pushkatuan, ishin komunistë dhe luftëtarë të luftës për liri e barazi. Ishin nga ato shtresa që duhet të paguanin haraçin e merituar, që iu bashkuan Enver Hoxhës dhe mostrave të tij, që në çastin kur bënë kërkesën për t’u anëtarësuar në Partinë e tij, e deri momentin kur kjo parti u shpërbë.
Ishte shpërblimi më i merituar për një jetë të helmët e monstruoze në mbledhjet e organizatave, ishte dënimi qiellor për heshtjet tona, për shfytyrimin njerëzor, për shërbimin tonë ushtarak në radhët e partisë, për dyfytyrësinë tonë të tej zgjatur, për mbytjen e klithmave tona që lindnin në atë pjesë të qenies, që na kish mbetur ende e pastër, ende e re dhe fëminore…! Ky libër është një akuzë, por në asnjë faqe të tij, ai nuk pushon së qeni një vetakuzë e imja dhe e shokëve të mi, që në llogaritë tona meskine, për t’i shpëtuar rrebeshit, e zgjidhëm duke mbyllur sytë përpara atyre, që ky rrebesh mbyste ditë për ditë në dallgët e tij. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016