Nga Mal Berisha
Prej vitesh jam marrë me studimin e veprimtarisë së amerikanit Charles Telford Erickson, në dobi të shqiptarëve. Kam botuar libër biografik për të, i kam përkthyer veprën për shqiptarët, kam dhënë intervista televizive, kam bërë prezantime rreth jetës së tij deri sa kam krijuar edhe një koleksion të gjerë rreth veprës së tij. Koleksioni përbëhet nga dhjetra materiale që i japin të kuptojë masës dashamirëse, pro–amerikane dhe patriotike, në të tërë forën shqiptare në Ballkan dhe në botë për dashurinë e tij për ne. Sa herë që bie në ndonjë dokument që dëshmon për të njëmijtën herë përkushtimin e atij njeriu ndaj vendit tonë, “zhgënjehem”, pasi “rrëzohet” shpresa ime se e kam studiuar atë në mënyrë shteruese. Kështu ndodhi edhe këtë herë, kur pashë se në vitin 1933, ai e futi Shqipërinë në një nga botimet më prestigjioze amerikane, të titullar “Bibliotekat Popullore të Botës”.
Kontributi i Erickson- it në këtë aspekt është i padiskutueshëm megjithëse njohuritë e tij për gjendjen e bibliotekave në Shqipërinë e asaj kohe duket se kanë qenë ca si të kufizuara. Ai ka dështuar të përmendë faktin që në disa qytete si Shkodra dhe Elbasani kishin biblioteka qysh në shekullin e 19 – të, dhe se Rilindja Kombëtare Shqiptare kishte filluar shkrimin e shqipes moderne qysh me Milosaon e De Radës, në vitin 1836. Para se të shkruhej ky artikull, pra me datën 12 Maj 1929, në Rrugën e Shën Gjergjit në Tiranë ishte themeluar Biblioteka Carnevon. Pak më vonë, në vitin 1932, ishte hapur Biblioteka Publike “Marin Barleti” në Shkodër të cilin qytetarët e thërrsinin “Milet Bahçe”. Shkodra kishte biblioteka të etërve jezuitë që më 1858 dhe atyre françeskanë që më 1875, ndërkohë që ishte edhe një bibliotekë e Medresesë së Naltë pranë Kalasë, e vitit 1860. Në Korçë ishte hapur Biblioteka Turtulli që në vitin 1927. Në të vërtetë Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë daton që më 10 Korrik 1920 me një bërthamë të një fondi të quajtur “Biblioteka e Komsisë Letrare Shqipe”.
Në pranverën e vitit 1931, thuhet në libër, Komiteti mbi Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Shoqërisë Amerikane të Bibliotekave, i paraqiti një rekomandim Bordit të vet, ku përfshihej kërkesa për disa publikime mbi gjendjen e bibliotekave në vende të ndryshme të botës. Sugjerimi u mor në konsideratë, ndërsa si redaktor u zgjodh Dr. Arthur E. Bostwick, bibliotekar i shquar dhe autor i njohur në tërë botën.
Dr. Bostwick dhe Dr. W. Bishop, Kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i drejtuan shtatëdhjetë vendeve të botës një kërkesë për përfshirjen e përshkrimit rreth bibliotekave të tyre popullore në atë botim voluminoz dhe prestigjioz. Dyzet e tetë vende të ftuara iu përgjigjën asaj kërkese. Shqipëria ishte e para, sipas rendit alfabetik, dhe këtë dhuratë asaj ia ofroi miku i saj, tashmë i njohur, Dr. Charles Telford Erickson, në cilësinë e drejtorit të Shkollës Shqiptaro–Amerikane të Bujqësisë në Kavajë, Shqipëri.
Në parathënien e tij, Dr. Bostwick ka shkruar se botimi i këtyre artikujve në Librin “Bibliotekat Popullore të Botës”, jep një pamje të larmishme të gjendjes së atyre vendeve dhe pasqyron shkallën e zhvillimit të tyre në fushën e letrave dhe të arsimit.
Siç thuhet në hyrjen e librit, në të gjitha vendet e civilizuara ka pasur biblioteka, por Bibliotekat Popullore, siç i njohim sot, kanë qenë të paimagjinueshme përpara se të përhapej shkrimi dhe këndimi. Zhvillimi më i shpejtë i këtyre bibliotekave ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vendet e Evropës Veriore. Ky popullarizim kaq i madh bën që të merret si shembull dhe të përhapet në tërë botën.
Shumica e artikujve në këtë vëllim janë shkruar prej bibliotekarëve ose njerëzve të tjerë të interesuar profesionalisht në vendet që ata i referohen. Ato paraqesin karakteristikat e veçanta të secilit vend. Për shembull, në vendet ku janë ngritur Biblioteka Popullore, kjo çështje ka marrë një rëndësi parësore duke u nisur që nga ndërtimi i objekteve, pajisja si dhe metodat e përshtatura për t’i bërë librat edhe më të përdorshëm nga lexuesit. Ka raste kur është dashur t’i besohet gjykimit të kontribuesve mbi këtë çështje.
Në përgjithësi, Bibliotekat Popullore, të përshkruara në këtë botim, kanë si qëllim të ofrojnë informacion të gjerë dhe të bëhen të përdorshme për të gjitha kategoritë e lexuesve. Pa dyshim që në vende të ndryshme ku kanë ekzistuar prej kohësh biblioteka të formuara me qëllimin e njohur për kërkime studimore, nuk ka qenë nevoja të ngrihen Biblioteka Popullore që t’i dublojnë koleksionet e librave, me përjashtim të rasteve kur publiku nuk ka akses në këto koleksione të caktuara.
Në ato vende ku janë ngritur Bibliotekat Popullore të kohëve të fundit, prirja ka qenë që t’u sigurojë lexuesve të zakonshëm libra të të gjitha kategorive. Ajo që bie në sy nga tërë kjo përmbledhje e materialit historik dhe statistikor është e një karakteri esencial, demokratik, të Bibliotekave Popullore. Në fakt, kjo kërkon nga bashkësia e lexuesve të zakonshëm dhe jo vetëm nga personat të cilët thjesht kuptojnë atë që shohin në faqet e shtypura të letrave, por edhe të atyre që i gëzohen leximit, që të jenë mendërisht të aftë për të përfituar prej tyre. Kjo mënyrë ka qenë pjesë e përpjekjeve dhe politikave të caktuara për të reduktuar analfabetizmin dhe ka pasur ndikim të fuqishëm në arritjen e këtij qëllimi.
Duhet mbajtur parasysh se njerëzit analfabetë nuk janë domosdoshmërisht injorantë. Paaftësia e tyre për të lexuar nuk e argumenton inferioritetin mendor. Në Kinë për shembull, që prej mijëra vjetësh rrallë gjen një grua që di të lexojë, por vetë jeta e gruas në jetën shoqërore dhe shtëpiake është shumë e vyer. Të lexuarit nuk është vetëm mjeti prej të cilit rrjedh kultura por edhe metoda me të cilën kultura vjen më lehtësisht dhe më shpejt tek njeriu.
Gjithsesi, analfabetët, pavarësisht mentalitetit të tyre, e marrin edukatën nga burime të tjera dhe jo vetëm nëpërmjet fjalës së shkruar. Bibliotekat dhe librat brenda tyre presupozojnë shkrim e këndim, shkollë dhe dijeni. Një vend pa shkolla për rrjedhojë është edhe një vend pa biblioteka. Megjithatë ka pasur vende me shkolla por pa biblioteka. Në veçanti ka pasur vende me shkolla publike por jo edhe me Biblioteka Popullore. Kështu ka qenë edhe SHBA, një shekull më parë.
Bibliotekave private, atyre të kishave ose të korporatave, u kanë paraprirë përherë bibliotekat e financuara nga taksat. Kjo vjen pasi idetë tona për nevoja publike, që janë të mbështetura me të drejtë nga taksat tona, e kanë zgjeruar shumë këtë të fundit. Është e vështirë të gjesh një qytezë që nuk i ka rrugët e shtruara, që nuk ka ujësjellës publikë ose rrugë të pandriçuara, por kjo duhet të shtrihet edhe tek ndërtimi i Bibliotekave Popullore, pasi ato janë produkt i disa shkaqeve ndërvepruese ndër të cilat, përhapja e shkrimit dhe e leximit.
Ka vende të botës, ku nuk ka fare Biblioteka Popullore. Në disa të tjera, po fillojnë të shfaqen. Edhe aty ku ato tashmë ekzistojnë, madje edhe në vendet më të zhvilluara, janë aq pabarazisht të shpërndara, sa ka ende pafund punë për t’u bërë në këtë fushë. Ka edhe vende ku bibliotekat janë subjekt i censurës së rreptë për shkak të qëndrimeve politike të partive në pushtet.
Në të vërtetë, mbetet shumë për t’u bërë në shërbim të përhapjes së librit nëpërmjet Bibliotekave Popullore, në tërë botën. Historitë e sjella së bashku në këtë botim provojnë se sa shumë punohet sot anë e mbanë në këtë drejtim.
Arthur E. Bostwick
SHQIPËRIA
Shkruan Ch. Telford Erickson
DREJTOR I SHKOLLËS SHQIPTARO–AMERIKANE TË BUJQËSISË, KAVAJË, SHQIPËRI
Shqipëria u bë shtet i pavarur evropian pak përpara së të shpërthente Lufta Botërore dhe Konferenca e Paqes. Ndryshe nga shtete të tjera, të krijuara në atë kohë, ajo erdhi drejpërdrejt prej Perandorisë Lindore të Turqisë, pa rrënjë në civilizimin evropian dhe perëndimor.
Asaj i duhej ta fillonte procesin e edukimit që nga formulimi i Alfabetit të vet kombëtar të Gjuhës Shqipe.
Praktikisht nuk kishte asgjë në harkun kohor midis shekullit të pesëmbëdhjetë dhe atij të njëzetë. Shkollat, tekstet shkollore, madje edhe abetaret në gjuhën shqipe ishin yasak – të ndaluara. Pa dyshim, ajo që ndodhte me arsimin, ndodhte me të gjitha fushat e jetës së vendit, në bujqësi, industri, shëndetin publik, strehimin, ushqimet, jetën sociale, rrugët dhe të gjitha format e komunikimit brenda dhe jashtë vendit.
Duke marrë parasysh se çfarë mungesash kishte vendi kur doli nga robëria, ai ka bërë shumë përparim të dukshëm. Janë hapur qindra shkolla dhe çdo mësues është përgatitur në shkollat normale kombëtare. Shtypi publik është bërë faktor në jetën intelektuale të vendit. Njëri prej dyqaneve më të frekuentuara dhe ku njerëzit blejnë është vendi ku shiten libra. Pronari i saj, Mit’hat Bey Frashëri, la një post diplomatik shumë të rëndësishëm me qëllim që të merrej me këtë punë.
Rreth dy vjet më parë është krijuar një Shoqëri Shtetërore e Bibliotekave, e cila filloi në mënyrë aktive të mblidhte libra për një Bibliotekë Kombëtare në Tiranë. Ata po mbledhin veçanërisht libra që përmbajnë dokumente që kanë të bëjnë më së shumti me atë pjesë të historisë së tyre 2000 vjeçare, të varrosur. Pa dyshim që librat e huaj, evropianë dhe amerikanë, janë njësoj të kërkuar.
Përveç kësaj, janë edhe dy biblioteka, një nga Shkolla Rinore Kryqi i Kuq (Amerikan), në Tiranë dhe biblioteka e shkollës me të cilën unë jam i lidhur. Kjo bibliotekë është e specializuar në shkencë, ndërsa tjetra në bujqësi, në punët dhe prodhimet shtëpiake, artizanatin dhe punën e dorës.
Kjo është ajo çka është arritur deri më sot. Biblioteka Amerikane në Paris ka kontribuar në mënyrë shumë bujare, sikundër edhe disa biblioteka të tjera, shkolla dhe kolegje nga Amerika. Për t’u shënuar janë ndihmat e ofruara prej znj. Robert B. Gregory, në Chikago, gjë që ka bërë që të rrisë në mënyrë qenësore mbarëvajtjen në bibliotekën e shkollës tonë.
(Botuar na Chicago nga Shoqata Amerikane e Bibliotekave, në vitin 1933)
Shënim: Sot këto dy monumente të investimeve amerikane në Golem të Kavajës janë degraduar dhe rrënuar. Shih fotot e vitit 2020./Memorie.al