Nga Prof. Dr. Bardhyl Çipi
Pjesa e trembëdhjetë
PROVA SHKENCORE TË VDEKJEVE MBRESËLËNËSE
(Persona publikë, viktima të diktaturës, ngjarje të tjera)
Memorie.al / Bardhyl Çipi, një nga specialistët më me përvojë në vendin tonë në fushën e Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës, mësimdhënies së tyre dhe përgatitjes së ekspertëve të rinj mjeko-ligjorë. Disa nga pacientët e tij, janë: viktima që u vranë në kufi për të shpëtuar nga diktatura komuniste, por i ndihmuar nga qeni i tij besnik, për zbulimin e kufomës së tij të fshehur, gruaja e internuar që vrau veten nga dëshpërimi, qytetarët e Kosovës të vrarë nga serbët, sepse kërkonin të jetonin të lirë, për të mos u poshtëruar dhe torturuar prej tyre, banorët që kanë jetuar 1500 vjet më parë në Shqipëri, profesori i universitetit të Tiranës i grabitur dhe i vrarë, etj. Një libër mbi vdekjen dhe provat shkencore për zbulimin e llojeve të ndryshme të saj: vrasje, vetëvrasje, të stimuluara dhe të detyruara nga regjimi komunist, vrasje dhe gjenocide ndaj Shqiptarëve nga fqinjët e tyre, kufoma të freskëta apo të dekompozuara dhe të skeletizuara. Dokumentet e vdekjeve të personave të shquar; Kenedit, Linkolnit, Napolonit, Leninit, Trockit, etj., dhe ngjarje të tjera të vdekjeve të njerëzve të zakonshëm. Njohuri mbi ndryshimet që ndodhin pas vdekjes dhe ekzaminimit të kufomave në botë dhe në vendin tonë, nga pikëpamja historike, etike, mjekoligjore, juridike. Disa nga librat e tij të fundit janë; “Manuali i Mjekësisë Ligjore” (2015), “Bioethics in Albania noëadays” (2016), “Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore” (2018), “Mjekësia Ligjore Kriminalistika” (2020).
Antologjia e ekzaminimeve mjeko-ligjore të kufomave të ngjarjeve të ndryshme në vendin tonë
Identifikimi i kufomës së një gruaje
Në vitet 1990, pranë një qyteti të vendit tonë, gjendet në një zonë ku grumbulloheshin plehrat, një kufomë në një stad kalbëzimi të përparuar. Në mbeturinat e teshave dhe sendeve të tjera pranë kufomës, u gjetën edhe disa dokumente, sipas të cilave kufoma duhej t’i përkiste një shtetaseje, e zhdukur disa muaj më parë. Autopsia e kufomës vërtetoi se ajo i përkiste një personi të seksit femër, me moshë 30-35 vjeçare, etj., të dhëna këto që përputheshin me ato të kësaj viktime.
Megjithatë, për një përcaktim sa më të saktë të identitetit të saj, një vlerë deçisive pati ekzaminimi odontologjik, në bashkëpunim me specialistë stomatologë. Nga ky ekzaminim, rezultoi, midis të tjerash, prania në nofullën e poshtme në dhëmballët e para dhe të dyta majtas, të trajtuara si kariese të ndërlikuara, që kurorat e tyre ishin të mbuluara me këllëf porcelani të ngjitura së bashku; dhëmballa e parë poshtë djathtas, mungonte para vdekjes dhe është bërë zëvendësimi me urë porcelani, jo shumë kohë para vdekjes.
Te mjeku stomatolog që kishte mjekuar këtë paciente, jo shumë kohë para zhdukjes së saj, u gjet modeli i laboratorit për kryerjen e punimeve protetike (ura e djathtë dhe dy këllëfët e porcelanit nga e majta), si dhe radio-grafitë e këtyre dhëmbëve, të bëra para mjekimit. Nga krahasimi i nofullës së poshtme të viktimës, me modelin laboratorik, u konstatua një përputhje e plotë e tyre.
Po kështu edhe nga krahasimi i radiografive para vdekjes me ato pas vdekjes, u konstatua që pozicioni, gjatësia, forma e rrënjëve të këtyre dhëmbëve, kishin një përputhje të plotë midis tyre. Në këtë mënyrë, ekzaminimi odontologjik krahasues i këtij rasti vërtetoi në mënyrë të saktë identitetin e kufomës.
Vdekja nga operacioni i pakujdesshëm i ulҁerës së stomakut
Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 1986. Në muajin janar të këtij viti në spitalin civil të një qyteti, operohet një pacienti, me moshë 50 vjeç, i cili vuante prej kohësh nga një ulҁerë e rëndë, me ngushtim të duodenit (pjesa e fillimit të zorrës së hollë që lidhet me stomakun), me dhimbje të forta dhe të vjella pas ngrënies së ushqimeve.
Pas daljes nga spitali, për fat të keq, gjendja shëndetësore e tij, në vend që të përmirësohej, erdhi duke u keqësuar, me një dobësim gjithnjë e më të shprehur; ushqimin ashtu sikurse e hante, e nxirrte jashtë përsëri të patretur.
Për këtë arsye, ai shkon disa herë për t’u ri kontrolluar nga kirurgët që e kishin operuar. Në njërën prej këtyre vizitave, mjeku kirurg i thotë: “Nga operacioni nuk ke asgjë, je shumë mirë; vetëm duhet të kesh kujdes ushqimin”. Pas kësaj ai i jep një recetë, për të marrë ilaçe.
Pas tre muajsh, në një gjendje dobësie ekstreme, ai ri shtrohet në spitalin e qytetit, por përsëri nuk ka asnjë përmirësim. Në këto kushte, dërgohet për t’u re-animuar në klinikën e parë të Kirurgjisë të Spitalit Nr.2 të Tiranës, por tashmë tepër vonë. Më datë 5 qershor 1986, në orën 18.15, ai vdes.
Nga autopsia u zbulua, se ishte bërë një operacion krejtësisht i gabuar, sepse pas heqjes së zonës ulçeroze, pjesa e mbetur e stomakut, në vend që të bashkohej me pjesën e fillimit të zorrës së hollë, ishte qepur me fundin e saj.
Si pasojë e kësaj pakujdesie të rëndë, të gjitha ushqimet që hante ky pacient, tani e tutje, nuk thitheshin nga trupi, meqenëse ato nuk kalonin më nëpër zorrët e holla, të cilat siç dihet kanë funksionin e absorbimit të lëndëve ushqimore. Por këto ushqime nga stomaku, kalonin drejtpërdrejtë në zorrën e trashë. Kjo gjë solli dobësimin gradual dhe progresiv të këtij pacienti, deri në vdekjen e tij.
Fakti, që këto vuajtje zgjatën disa muaj, gjatë të cilave pacienti ju ankohej vazhdimisht kirurgëve që e kishin operuar dhe mjekëve të tjerë, e shtojnë edhe më shumë fajin e tyre. Vetëm një ndërhyrje e re kirurgjikale, që do të mund të korrigjonte operacionin e parë dhe gjithçka do të kishte vajtur mirë, për këtë të sëmurë. Gjykata që e shqyrtoi këtë rast, i shpalli fajtorë të dy kirurgët. Njëri u dënua me disa muaj punë korrektuese dhe tjetri me kusht.
Vrasja e bariut të fshatit Krahës të rrethit të Tepelenës
Në muajin korrik të vitit 1979, unë kam vajtur bashkë me grupin hetimor dhe shefin e policisë së Tepelenës, në fshatin Krahës. Atje, në një parcelë të mbjellë me grurë, përpara se të futej kombajna për kositjen e grurit, kombajneri që bën një kontroll paraprak, zbulon në sipërfaqe të tokës, kocka të shumta njeriu, të shpërndara në një zone, 10-15 metra.
Ato paraqiteshin të ngrëna dhe të shkatërruara si dhe me mbeturina indesh të buta. Ai lajmëron menjëherë policinë dhe pas kësaj u organizua nga hetuesia, ku merrja pjesë edhe unë, si mjek ligjor, këqyrja e e këtyre mbetjeve njerëzore.
Si tani më kujtohet intuita e shefit të Policisë të Tepelenës.
Sapo ai pa kafkën, deklaroi menjëherë se ky është një rast vrasjeje. Unë pas këtij pohimi të tij, e kuptova që ai kishte të drejtë, sepse kafkës i mungonte mollëza e majtë e fytyrës dhe gunga prapa veshit të majtë, të prera drejt, si dhe kishte disa thyerje të tjera në trajta vijore, dëmtime këto të shkaktuara për së gjalli, me mjet të fortë çarës, si p.sh., me një sëpatë.
U dyshua që ky skelet t’i përkiste bariut të këtij fshati, i parë për herë të fundit rreth 25 ditë më parë. Në fakt, një afat kohor kaq i shkurtër, në pamje të parë, dukej se ishte i pamjaftueshëm për një skeletizim, pothuajse të plotë të kufomës.
Në të vërtetë, një dekompozim i tillë kaq i shpejtë i trupit, ndeshet shumë rrallë, por nuk është i pamundur në kushtet e një kufome që qëndron përjashta e pavarrosur, nën ndikimin e drejtpërdrejtë të faktorëve atmosferikë dhe që mund të pësojë veprimin e shqyerjes dhe ngrënies nga kafshët e ndryshme, siç duhet të kishte ndodhur edhe në këtë shembull, ku pjesët kockore u gjetën të ngrëna, të shkatërruara pas vdekjes dhe njëkohësisht të shpërndara.
Ekspertimi i këtij rasti vërtetoi në mënyrë të saktë, se kjo kufomë i përkiste kësaj viktime. Nga ana tjetër, autori i këtij krimi, që u zbulua disa ditë më vonë, tregoi se në kohën që viktima ishte duke kullotur bagëtinë e fshatit, pranë vendit ku u gjet kufoma e saj, ai e kishte sulmuar atë për ta grabitur, duke e goditur disa herë në kokë dhe në pjesën e sipërme të trupit me sëpatë, pohim ky që ishte vërtetuar tashmë edhe nga rezultatet e këtij ekzaminimi mjeko-ligjor.
Një rast i rrallë i një çështjeje civile, të ngatërrimit të dy varreve!
Në qytetin “L.”, me rastin e transferimit të varrezave, ishin hequr nga varret e tyre edhe eshtrat e kufomave të dy personave në moshë të kaluar, përafërsisht të njëjtë, që ishin, njëri, Ali P. dhe tjetri, Adem B., Gjatë këtyre veprimeve, në varrin e ri që mbante mbishkrimin Adem B., ishin vendosur gabimisht, sipas pretendimit të djalit të Ali P., eshtrat e këtij të fundit.
Për këtë gjë, ishte njoftuar vajza e Adem B., por kjo insistonte se në varrin në fjalë, ndodheshin me të vërtetë eshtrat e atit të saj. I ndodhur para këtij refuzimi, djali i Ali P., ngriti një padi me objekt njohjeje të eshtrave të atit të tij, të ndodhura në varrin që mbante mbishkrimin e Adem B.
Gjatë shqyrtimit të çështjes, ka rezultuar se qytetari Ali P., vdekur më 1946, kishte pasur një gjatësi trupore 1.55-160 m., kurse qytetari Adem B., vdekur më 1955, trup më të gjatë, që arrinte 1.75 – 1.80 m. Për zgjidhjen e kësaj padije, u bë ekzaminimi i eshtrave të nxjerra nga varri me mbishkrim Adem B., me qëllim që të përcaktohej se cilës nga këto kufoma (të Adem B. ose të Ali P.) i takonin eshtrat që ndodheshin në varr.
Në ekzaminimin e eshtrave u konstatua se kafka ishte mjaft e dëmtuar dhe disa nga eshtrat e tjera mungonin (shpatulla e djathtë), humerusi, ulna dhe radiusi i anës së majtë, një nga fibulat, si dhe pjesa më e madhe e eshtrave të vogla të duarve dhe këmbëve.
Meqenëse gjatësitë e shtateve të të dy qytetarëve të vdekur, ndryshonin njëra nga tjetra në mënyrë të dukshme: 1.55 – 160 m., për Ali P. e 1.75 – 1.80, për Adem B. dhe meqenëse kafka ishte mjaft e dëmtuar dhe s’mund të shërbente për identifikim, ekspertimi u përqendrua vetëm në përcaktimin e shtatit, në bazë të eshtrave të gjata ekzistuese.
Matjet e gjatësisë së këtyre eshtrave dhanë këto rezultate:
-Humerusi i djathtë 31 cm.
-Ulna e djathtë 25 cm.
-Radiusi i djathtë 23 cm.
-Femuri i djathtë 43 cm.
-Tibia e djathtë 35 cm.
-Fibula e djathtë 33 cm.
Me anën e llogaritjeve të bëra sipas tabelave dhe formulave të njohura të autorëve të ndryshëm, u arrit në përfundimin se; shtati i personit të cilit i takonin eshtrat e ekzaminuara, duhej të ishte i gjatë afërsisht 1.58 – 1.64 m. Kjo gjatësi i afrohej kështu asaj të shtatit që ka pasur Ali P. (1.55 – 1.60 m.) dhe largohej më shumë nga ajo e shtatit të Adem B. (1.75 -1.80 m.).
Në mbështetje të këtij përfundimi gjykata vendosi që eshtrat e varrit të kontestuar, të njiheshin se i takonin kufomës së Ali P. (Rast i Dr. Spiro Çipi dhe Doc. Bashkim Çuberi).
Vdekja e shtetasit italian nga përdorimi i mjekimit të gabuar me sodë buke!
Aplikimi i procedurave të gabuara mjekësore me pasoja fatale ndeshen ende edhe sot. Me hapjen e Shqipërisë në vitet 1990, pas një izolimi të gjatë, është krijuar mundësia, që jo vetëm arritjet e shkencave bio-mjekësore botërore, të aplikohen në vendin tonë, por edhe ushtrimi i keq dhe i ndaluar i mjekësisë në vendet e ndryshme të zhvilluara, të transferohet për t’u përdorur te ne. Kjo ndofta edhe për dobësitë që vihen re në funksionimin e hallkave përkatëse të kontrollit mjekësor të vendit tonë.
Një rast i tillë i spikatur i praktikës mjekoligjore të vendit tonë, i përket çështjes së mjekut italian Tullio Simoncini, i dënuar dhe i përjashtuar nga e drejta për të ushtruar profesionin e mjekut në Itali, për arsye se nga mjekimi me sodë buke, që kishte përdorur për sëmundjen e kancerit në Itali dhe Hollandë, kishte shkaktuar vdekjen e disa të sëmurëve.
Sipas Simoncinit, kanceri është një infeksion kërpudhor (kërpudha candida), që zhvillohet në një mjedis biologjik me reaksion acid, prandaj Simoncini gjeti metodën e mjekimit, duke ndryshuar ph dhe për pasojë pretendonte të ndërpriste zhvillimin e tumorit, apo ta mjekonte atë. Për këtë qëllim, ai përdori perfuzione të solucionit të sodës së bukës, në përqindje të lartë.
Ai ka deklaruar që këtë mjekim, e ka përdorur për 20 vjet dhe shumë nga pacientët e tij janë shëruar, madje edhe kur mjekët e tjerë kishin parashikuar një ecuri vdekje-prurëse. Por teoria e tij, e papranuar nga shkenca mjekësore, është e gabuar, sepse soda e bukës, e futur në trupin e njeriut në doza të mëdha, çrregullon në mënyrë të ndjeshme ekuilibrin mineral dhe shkakton vdekjen e pacientit, siç kishte ndodhur edhe në rastet për të cilat, ai u dënua.
Nga ana tjetër, kjo procedurë mjekuese, nuk i është nënshtruar testeve eksperimentale me metoda shkencore.
Në vitin 2011, ky mjek, nëpërmjet mashtrimit në instancat drejtuese të shëndetësisë së vendit tonë, u regjistrua nga ‘Urdhri i Mjekut Shqiptar’, si mjek diabetolog dhe onkolog për llogari të Klinikës Mjekësore “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Në vitin 2012, ai aplikoi në një spital privat të Tiranës, metodën e tij të mjekimit të sëmundjes së kancerit, me sodë buke, te një shtetas italian 27 vjeç, që vuante nga sëmundja e rëndë e tumorit në tru. Pas kryerjes së procedurës të futjes së sodës së bukës në trupin e tij, gjendja shëndetësore e pacientit është rënduar: dhimbje koke, të vjella, atakë të vogla epileptike, nxirrje të fytyrës, deri sa vdiq gjatë rrugës, për në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës.
Nga të dhënat e shtypit, autopsia mjeko-ligjore përcaktoi se vdekja e tij, ka ardhur nga edema pulmonare akute, në një person me tumor malinj të trurit, i trajtuar me bikarbonat natriumi (sodë buke). Rasti u konsiderua nga mjekësia ligjore dhe prokuroria shqiptare, si një mjekim i pakujdesshëm, në formën e neglizhencës, pasi ky mjekim nuk njihet nga protokollet bashkëkohore, që çoi në vdekjen e të sëmurit. Gjykatat shqiptare e dënuan mjekun fajtor në vitin 2015, me burgim, për një vit e gjysmë dhe heqje të të drejtës së profesionit, për 6 muaj.
Ky rast tregon, se për shëndetësinë e vendit tonë, është e nevojshme të forcohet kontrolli nga instancat përkatëse, për pranimin e mjekëve të huaj, që ushtrojnë mjekësinë te ne, përfshirë këtu edhe shqyrtimin nga Komiteti i Etikës të Protokolleve të Mjekimit, për rastet e përdorimit nga mjekët e huaj, të procedurave mjekësore që mund të jenë të gabuara.
Vrasja e djaloshit të shkollës së “Qytetit të Nxënësve” në Tiranë
Kjo ngjarje ka ndodhur në vitet 1980, në shkollën së mesme të “Qytetit të Nxënësve” në Tiranë, ku janë arsimuar nxënës nga të gjitha rrethet e vendit tonë. Në një ditë me kohë të mirë, në orët e pasdites, në oborrin e konviktit të kësaj shkolle, qëndronin të ulur bashkë, nxënësit nga rrethet e ndryshme të vendit.
Një prej djemve i një prej klasave të larta, të cilit i druheshin dhe i bindeshin të gjithë nxënësit e tjerë, për shkak të sjelljes arrogante dhe të dhunshme që shfaqte, i drejtohet një djali të urtë të vitit të parë, duke e urdhëruar, që të ҁohej menjëherë dhe t’i blinte një paketë cigare. I prekur nga toni ofendues i këtij urdhri, nxënësi i vitit të parë nuk pranon.
Pas këtij refuzimi, nxënësi i dhunshëm, i sulet djalit të vitit të parë, duke e goditur pa pushim me grushta dhe shkelma, deri sa humbet ndjenjat dhe vdes rrugës, duke u shpënë në spital. Në këqyrjen dhe autopsinë e kufomës, u vunë re shenja të pakta dërrmishjesh dhe ekimozash, në pjesë të ndryshme të sipërfaqes së jashtme të trupit, ndërsa nga brenda, u vu re grumbullim i një sasie gjaku nën cipën e dytë, që rrethon nga jashtë trurin (hemorragji subaraknoidale).
Nga ky konstatim, në fillim, në aktin e autopsisë, u dha konkluzioni se vdekja kishte ardhur nga hemorragjia, si pasojë e çarjes së ndonjë aneurizme të arterieve të trurit. Aneurizma përbën një zgjerim anësor të mureve të enëve të gjakut, që është një keq formim i lindur, me mure të dobëta, të cilat mund të çahen kollaj nga dhuna ose dhe vetvetiu. Në këtë rast, çarja e kësaj aneurizme, mund të ketë ndodhur edhe për shkak të dhunës nga rrahja.
Familja e viktimës e kundërshtoi me këmbëngulje këtë konkluzion të mjekësisë ligjore; sipas saj, djali i tyre vdiq menjëherë, si pasojë e rrahjes shtazarake. Për këtë arsye, Prokuroria kërkoi kryerjen e një rikspertimi të ri, në bazë të dokumenteve të ҁështjes. Nga shqyrtimi i dosjes hetimore, kishte shumë dëshmi të nxënësve të pranishëm në këtë ngjarje, sipas të cilave, viktima humbi ndjenjat dhe vdiq menjëherë, pas goditjeve me shkelma në trup nga ana e agresorit, sidomos në pjesën e sipërme të barkut, zonë kjo e ndjeshme, për shkak të pleksit solar që ndodhet atje, prapa stomakut.
Këto të dhëna përkojnë në mënyrë të plotë me ato që quhen; ‘vdekje funksionale inhibitore’, të cilat janë vdekje të shpejta brenda disa minutave, nga ndalimi reflektor i zemrës, si pasojë e goditjeve, ndofta jo shumë të shprehura të zonave të ndjeshme të trupit, si zona e përparme dhe e anshme e qafës, e stomakut (ku ndodhet pleksi solar), rreth organeve të jashtme gjenitale mashkullore, etj.
P.sh., në literaturë përmendet një rast i ndodhur gjatë një mbrëmjeje, ku një person që po vallëzonte, e kap në qafë me shaka partneren e vet dhe shikon i tmerruar që ajo rrëzohet në tokë dhe vdes menjëherë. Zakonisht më të prirur për të pësuar këtë lloj vdekjeje, janë personat me ndjeshmëri të shtuar të nervit vagus, apo me paqëndrueshmëri psikike, si frika, emocionet, etj. Edhe në shkaktimin e vdekjes të këtij nxënësi, duhet të kenë qenë të pranishme faktorët predispozues të kësaj lloj vdekjeje, si; frika, emocionet, që u shfaqën gjatë zënies së tij, me agresorin.
Pra, në këtë rast, dhuna e ushtruar që përbën shkakun, ka sjellë menjëherë si pasojë vdekjen e viktimës. Për sa përket hemorragjisë të cipave të trurit (hemorragjia subaraknoidale), që u konsideruar si shkaktari i vdekjes së viktimës, pas kryerjes së autopsisë, ky version u kundërshtua nga specialistët neuro-kirurgë. Kështu në konsultë me shefin e tyre, Dr. Arian Xhumari, kjo lloj hemorragjie vdekjeprurëse, nuk shkakton vdekje të menjëhershme, siç ka ndodhur në këtë rast.
Pra, shfaqja e hemorragjisë nën cipën e dytë mbështjellëse të trurit, që i jep pasojat jo në mënyrë të menjëhershme, nuk ka pasur lidhje me vdekjen. Kështu, nga pikëpamja e mjekësisë ligjore, ky rast u konsiderua si një vrasje e pastër. Të gjitha këto shembuj të paraqitura, përbëjnë disa nga ekzaminimet mjekoligjore të panumërta, për një kohë shumë të gjatë, që kanë shërbyer si prova shkencore për organet e Drejtësisë, kryesisht në zbulimin dhe ndjekjen e ҁçështjeve të ndryshme kriminale. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016