Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore dhe dëshmi të dhëna nga disa ish funksionarë të lartë të organeve të “Diktaturës së Proletariatit”, si ish-nënkryetari i Gjykatës së Lartë, nënkolonel Mustafa Qilimi, lidhur me disa ngjarje dhe fakte të panjohura nga historia e shumëpërfolur e ndodhur në vitet 1960-1961, me të ashtuquajturin “Komploti i grupit çam”, ku ministri i Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu, me mbështetjen dhe miratimin e Enver Hoxhës, arrestuan një grup të madh shtetasish prej 38 personash me origjinë nga Çamëria, ku pjesa më e madhe e tyre ishin në funksione të larta, si: Teme Sejko, Kundëradmirali i Flotës Luftarake Detare, Tahir Demi, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, Taho Sejko, shefi i redaksisë së Ekonomisë në gazetën, “Zëri i Popullit”, Avdyl Resuli, nënkolonel dhe Shef i Degës Ushtarake të Rekrutimit të Tiranës, etj., duke i akuzuar ata se: “në bashkëpunim me Asfalinë greke, UDB-në jugosllave dhe Flotën e VI-të amerikane në Mesdhe, do tentonin përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri”, etj. Si u tentua që t’i imponohej gjeneral-major Hilmi Seitit që “për hir të interesave të mëdha të Partisë dhe atdheut” ai të pranonte se ishte “koka e komplotit”, pasi kjo akuzë duhej për të demaskuar revizionistët sovjetik dhe ata jugosllavë” dhe pas refuzimit të tij, ai vdiq në zyrën e sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës, teksa ishte duke pirë kafe me “shokun Rita Marko”…?!
Gjeneral-major Hilmi Seiti viktima e parë e “Komplotit”
Ishte 28 mars i vitit 1960, kur gjeneral-major Hilmi Seiti, Kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Qarkut të Shkodrës, ngjiste me nxitim shkallët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pas një telefonate urgjente që i kishin bërë eprorët e tij nga Tirana. Në zyrën e Ministrit të Brendshëm, gjeneral–leitnant Kadri Hazbiut, përveç, zëvendësit të tij, gjeneral-major, Halim Xhelos, Drejtorit të Drejtorisë së Kundër-Zbulimit të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore (apo siç njihej ndryshe si: shefi i Sigurimit të Ushtrisë), ndodhej dhe Rita Marko, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Enver Hoxhës, në funksionin e Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së (që në vitet 1956-1966), të cilët prisnin ardhjen e gjeneralit me origjinë nga Çamëria që shërbente në Qarkun e Shkodrës që në fillimin e viteve ’50-të. Pasi gjeneral Hilmi Seiti u takua me tre të pranishmit në atë zyrë, ministri Hazbiu e ftoi atë pranë tij në tryezën e madhe të punës dhe i vuri përpara disa materiale që i nxori në atë moment nga kasaforta e tij e instaluar në mur. Pasi ju hodhi një sy materialeve të hapura mbi tryezë, gjeneral Seiti tepër i nervozuar, goditi me grusht mbi tavolinë dhe në mënyrë demonstrative doli nga zyra e ministrit për në korridorin e gjatë, duke i lënë ata të tre të habitur që shikonin në sy njëri-tjetrin. Në atë moment, sekretari i Komitetit Qendror, Rita Marko, u çua i pari dhe telefonoi një numër sekret që i përkiste Vilës 31, në Bllokun e udhëheqjes së lartë të PPSH-së. Pak minuta pas asaj telefonate në sheshin para ministrisë së Brendshme, ndaloi “Zim”-i i Enver Hoxhës, ku nga dera e pasme e tij pak e hapur, dikush ju drejtua Hilmi Seitit, duke i thënë: “Shoku gjeneral, ju kërkon Komandanti në zyrë”. Gjeneral Seiti zuri vend pranë personit që i foli dhe makina u zhduk me të shpejtë në drejtim të Komitetit Qendror. Nuk dihet me saktësi nëse gjeneral Seiti u takua vërtet me Enver Hoxhën apo ndonjë nga të dërguarit e tij (thuhet se Enveri delegoi përsëri Rita Markon), dhe gjithashtu se çfarë bisede u bë në mes tij dhe Kryetarit të Degës së Brendshme të Shkodrës, gjeneral-major Hilmi Seitit…?! Ajo gjë, pra ai takim ka mbetur një enigmë që nuk u zbardh kurrë?! Po çfarë kishte ndodhur dhe përse u thirr urgjent gjeneral Seiti në zyrën e ministrit Kadri Hazbiu?! Çfarë materiali ju vu atij përpara në tryezë nga Ministri i Brendshëm dhe përse ai doli i nervozuar nga zyra e tij?!
Oferta ndaj gjeneral Seitit, si “Koka e grupit çam”
Atë fund marsi të vitit 1960-të, teksa ngjiste shkallët e ministrisë për në zyrën e ministrit të Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Kadri Hazbiut, gjeneral-major Hilmi Seitit nuk i kishte shkuar kurrë në mend, se aty, ai do të gjente “Planin operativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për goditjen e një komploti i cili kishte për qëllim që: në bashkëpunim me Asfalinë Greke, UDB-në Jugosllave dhe Flotën e 6-të Amerikane në Mesdhe, të rrëzonin pushtetin popullor në Shqipëri dhe do të instalonin aty kapitalizmin”?! Dhe më e papritura, ishte që, Hilmi Seiti, do të ishte “Koka e atij komploti” armiqësor?!
“Ti duhet ta pranosh këtë, është për interesat e larta të Partisë e atdheut, për këtë është në dijeni edhe Komandanti. Na duhet kjo për të demaskuar revizionistët sovjetikë dhe ata jugosllavë…”, thuhet t’i ketë thënë Kadri Hazbiu në zyrën e tij gjeneral Seitit, i cili doli i nervozuar prej andej duke i thënë Hazbiut: “Shoku ministër, unë do të bisedoj vetë me Komandantin”.
Pas refuzimit që gjeneral Seiti i bëri “ofertës” që ai të pranonte lojën që po bëhej, që ai të ishte “Koka e Komplotit” të ideuar nga Hazbiu e vartësit e tij, ata i lanë disa ditë kohë që ai “të reflektonte” dhe t’ju kthente përgjigje. Pasi skadoi “ultimatumi” që i ishte lënë gjeneral Seitit që ai të mendohej dhe të pranonte detyrën që i kishte ngarkuar Partia për “interesat e larta të atdheut”, ditën e katërt, më 26 prill 1960, dërgohet për ta biseduar edhe njëherë atë çështje në Shkodër, Drejtori i Drejtorisë së Sigurimit të Ushtrisë, gjeneral-major, Halim Xhelo. Po atë ditë që gjeneral Xhelo udhëtonte drejt Shkodrës, bashkëshortja e gjeneral Seitit, udhëtonte drejt Tiranës, pasi ishte njoftuar nga Ministria e Brendshme, që të paraqitej në Tiranë për një “problem pune”. E gjitha kjo ishte një “kombinacion” apo “legjendim” (siç thuhej në zhargonin e Sigurimit të Shtetit), pasi gjeneral Seiti duke mos pasur bashkëshorten në shtëpi, ishte i detyruar që ta thërriste për drekë mikun dhe kolegun e tij nga Tirana, në një nga restorantet e qytetit të Shkodrës nën sytë e mjaft klientëve të tjerë?! Dhe ashtu siç ishte parashikuar, atë ditë dy gjeneralët kanë ndenjur bashkë më shumë se tre orë në sallën kryesore te “Kafja e madhe”, duke biseduar lidhur me problemin për të cilin ishte thirrur gjeneral Seiti në zyrën e ministrit, Hazbiu. Pasi gjeneral Xhelo nuk arriti dot ta bindte mikun dhe kolegun e tij, Seitin dhe të merrte një përgjigje pozitive prej tij, pra që ai të pranonte se ishte “Koka e komplotit”, ai u nda me të dhe morri rrugën e kthimit për në Tiranë pa e përmbushur detyrën që i ishte ngarkuar.
(Të gjitha këto sa më sipër, nga disa burime të besueshme, thuhet se i ka dëshmuar vetë gjeneral-major Halim Xhelo, pak kohë para se ai të ndërronte jetë në burgun e Burrelit, nga fundi i vitit 1974, ku vuante dënimin, pas letrës anonime që i kishte bërë Enver Hoxhës në vitin 1966. Dhe gjithashtu thuhet se Halim Xhelo, nuk ka varur vetën siç në qeli siç është thënë në versionin zyrtar, por atë e helmuan, pikërisht se filloj të “fliste” duke dekonspiruar disa sekrete shtetërore, siç ishte pikërisht ajo që kishte të bënte me gjeneral-major Hilmi Seitin dhe gjithë “Komplotin çam”!)
Po çfarë ndodhi me gjeneral Hilmi Seitin pas ndarjes me mikun e kolegun e tij, gjeneral-major Halim Xhelon? Gjeneral Seiti shkoi në Komitetin e Partisë së rrethit të Shkodrës ku pritej të fillonte mbledhja e Pleniumit, ku si i deleguar nga Komiteti Qendror i PPSH-së, ishte Rita Marko. Dhe në një nga pushimet në mes seancave, ai u ul për një kafe me “shokun Rita” (thuhet në zyrën e Sekretarit të Parë të Shkodrës Sul Baholli), ku pas kafes ai nuk e ndeju veten mirë?! Pak minuta më pas në të gjithë Shkodrën u hap lajmi se Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Shkodrës, gjeneral-major Hilmi Seiti, kishte vdekur papritur në një nga zyrat e Komitetit të Partisë së Shkodrës pas kafes që kishte pirë me shokun Rita Marko. Lidhur me vdekjen e gjeneral Seitit, që nga ajo kohë dhe më pas ka pasur disa versione të thënë diku hapur dhe diku nën zë, por që të gjitha konkludonin në një pikë, atë të helmimit. Por pas viteve ’90-të kjo është thënë hapur dhe publikisht në shtyp nga ish nënkryetari i Gjykatës së Lartë, kolonel Mustafa Qilimi, i cili vite më parë na ka dëshmuar: ”Unë e kisha shumë shok Hilmiun dhe sapo mora vesh lajmin, mbërrita menjëherë në Shkodër ku të parin takova vëllain e Hilmiut, i cili më tha: ‘Na e vranë Hilmiun’. Unë hyra në sallën e autopsisë në momentin që mjekët po i hapnin kapakun e kokës dhe më ra të fikët, e mjekët më nxorën jashtë. Atë ditë mësova nga Dr. Lito, se Hilmiu kishte pasur prapa koke, në enët e gjakut, një fshikëz të vogël, e cila po të plasi sjell vdekjen. Dhe ajo plaste vetëm me ndonjë stimulim nga jashtë, me anë të ndonjë helmi”.
Ndërsa këtë pohim të mjekut të famshëm, Dr. Litos (që ia tha në mirëbesim mikut të tij), nënkolonel Mustfa Qilimi do ta mbante për vete për vite me radhë, të nesërmen e asaj dite ai asistoi dhe morri pjesë në varrimin madhështor që u organizua nga Ministria e Brendshme në qytetin e Shkodrës, ku trupi i gjeneral Seitit u përcoll për në banesën e fundit me shtrat topi të mbuluar me kurora të shumta dhe me truprojën e nderit, ku fjalën kryesore e mbajti, vetë ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu.
“Gabimi” që u bë me Hilmi Seitin, nuk duhej përsëritur më dhe atë që nuk pranoi ai, tashmë duhet ta pranonte me çdo kusht, një tjetër ushtarak i lartë po me gradën e gjeneralit dhe me origjinë nga Çamëria, i cili ishte, Teme Sejko, Kundër-admirali i Flotës Luftarake Detare, që ishte diplomuar në akademitë ushtarake të Bashkimit Sovjetik. Ky ishte urdhri i prerë i Kadri Hazbiut i miratuar nga Enver Hoxha në vilën e tij në Dajt, por ndryshe nga sa u veprua me gjeneralin Hilmi Seti, Teme Sejko duhet të arrestohej dhe atë gjë ai duhet ta pranonte në qelitë e Sigurimit të Shtetit. Lidhur me këtë, veç të tjerash na njohin disa dokumente arkivore me procesin hetimor ndaj tij dhe të ashtuquajturit “Grupi komploti çam” që Memori.al po publikon duke filluar nga ky shkrim.
Relacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme
ARKIVI I MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORIA E SIGURIMIT TË SHTETIT. DEGA E PARE
DOSJA 278 TEPËR SEKRET C2 TIRANË 24.3.1961
TITULLI I DOSJES “Mbi veprimtarinë e organizatës armiqësore të kryesuar nga Teme Sejko dhe Tahir Demi”. Sasia e fletëve 22
Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 1960 u arrestuan një grup me element armiqësor të vënë në shërbim të zbulimit të huaj, që përbëhej prej 38 pjesëtarësh midis të cilëve 20 anëtarë partie. Elementët kryesorë që kanë drejtuar këtë veprimtari janë Teme Sejkua, Taho Sejko, Tahi Demi e Avdyl Resuli. Me përjashtim të 9 personave të gjithë të tjerët janë nga krahina e Çamërisë. Nga të lart përmendurit 24 prej të cilëve dhe më kryesorët janë pjesëmarrës të luftës nacionalçlirimtare, ndërsa 9 vetë kanë qenë me organizatën e Ballit. Ndër elementët kryesorë të grupit Taho Sejko, Abdyl Resuli, Sami Murati dhe Rexhep Plaku që gjatë luftës nacional-çlirimtare kanë qenë të lidhur me radhët greke dhe si të tillë janë përpjekur të pengojnë politikën e Partisë në lidhje me luftën Nacional-Çlirimtare. Duke pasur funksione të rëndësishme gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, në krahinën e Konispolit Teme Sejkua, Sami Murati, Abdyl Resuli, Resho Plaku, në bashkëpunim me Haki Rushiti u vunë në opozicion me vendimet e partisë dhe udhëzimet e Komitetit Qendror të Gjirokastrës, propagandonin elementin çam dhe sidomos në formacionet partizane të krahinës së Konispolit idenë e shkëputjes nga drejtimi i Qarkorit Komunist të Partisë për Gjirokastrën, pengonin vendosjen të kuadrove në terren dhe në batalionin “Çamëria” dhe merreshin me intriga e konflikte të paqenë, pengonin hedhjen e forcave partizane në luftë kundër pushtuesit brenda dhe jashtë krahinave të tyre. Haki Rushiti në marrëveshje me Rexho Plakun, Teme Sejkon, Avdyl Resulin dhe Sami Muratin, dezerton dhe hidhet haptazi në luftë kundër partisë dhe lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Bashkohet me forcat e Nuri Dinos dhe me okupatorin. Këta elementë dhe mbas arratisjes së Baki Rushitit nuk i shpëtuan lidhjeve me të, përkundrazi vazhduan punën armiqësore. Karakteristike është fakti se në letrën pas arratisjes të cilën Haki Rushiti u bënte thirrje partizanëve të dezertonin dhe të kalonin nga ana e tij. E ka shkruar Sami Murati, ish komisari i batalionit “Çamëria”. Veprimtaria armiqësore e përmendur më sipër vërtetohet me vetë pohimet e Sami Muratit, Abdyl Resulit, Tahir Demit etj. Mbas çlirimit të vendit shumë nga këta elementë si Taho Sejko, Rexho Plaku, Sami Murati, Vehip Demi etj, jo vetëm që janë në opozitë me vijën e Partisë, por vazhdojnë si edhe më parë të propagandojnë se elementi çam po keqtrajtohet në Shqipëri, se gjoja kuadrove kryesore çame nuk u jepet vendi që u takojnë në Shqipëri, se gjoja mohohet kontributi që kanë dhënë çamët në luftën Nacional-Çlirimtare, se gjoja krahina e Konispolit është lënë mbas dore, nuk dekorohen çamët, nuk përfaqësohen në Kuvendin Popullor etj. Nëpërmjet kësaj propagande Taho, Temja, Rexhep Plaku, Avdyl Resuli bëjnë përpjekje të afrojnë rreth vehtes elementin çam dhe të dalin si mbrojtës të interesave çame. Në vitin 1946 e më vonë goditëm për veprimtari armiqësore një sërë elementësh nga krerët çamë si agjentë të zbulimit grek lidhur me Haki Rushitin, si Rexho Plakun, Hajro Plakun e Petrit Taken të cilët në takim me Tahon e Temen përmes lidhjeve familjare, kishin dhe lidhje armiqësore. Këto mëri u propaganduan si të padrejta nga ana e tyre dhe u përdorën si mjet për të zgjeruar radhët e të pakënaqurve ndaj Pushteti Popullor. Nga zhvillimi i hetimeve rezulton se në vitet 1946-47 kanë qenë të rekrutuar nga zbulimi grek Taho Sejko dhe Avdyl Resuli. Sidomos veprimtari aktive gjatë kësaj periudhe ka zhvilluar Taho Sejko. Në vitin 1947 Tahua rekrutoi si agjent të zbulimit grek Temen. Temja në të njëjtën kohë mban lidhje edhe me Avdyl Resulin. Temja rekrutoi në vitin 1950 Tahir Demin dhe Nevruz Bejlerin. Në vitin 1954 Avdul Resuli rekrutoi Sami Muratin. Gjatë kësaj kohe dhe më vonë janë rekrutuar dhe persona të tjerë si Ali Xhelua, Hajri Mane, Shaban Rafati, Hasan Mero, Dervish Sulo etj. Lidhjet e rrjetit dhe zbulimit realizoheshin me anën e rrjetit të Zbulimit Ushtarak (Izet Osmani dhe Hajri Mane). Hasan Mero, Nevruz Bejleri, të cilët nën pretekstin e zbulimit tonë ushtarak kalonin në tokën greke e merrnin kontakt me zbulimin grek. Kështu sa herë që kalonte Izet Osmani merrte kontakt me Haki Rushitin dhe oficerët e zbulimit grek, u jepnin këtyre raporte të përgatitur nga Teme Sejko e Tahir Demi etj. Temja, Tahua, Avdul Resuli, Tahir Demi organizuan në vitin 1955 kombinacionin për hedhjen në ilegalitet të Izet Osmanit (Izet Osmani kaloi në Greqi gjoja i dërguar nga zbulimi ynë, atje simulohet vrasja e tij d.m.th. hapet fjala se u vra në përpjekje me forcat greke). Grupi organizonte mbledhje… Platforma politike e grupit ishte “Mbrojtja e çamëve, sigurimi i një autonomie për krahinën e Çamërisë duke inkuadruar brenda saj dhe Konispolin, i cili duhej të bëhej pjesë e Greqisë. Me këtë platformë është maskuar puna për rekrutimin e elementit. Qëllimi ka qenë rrëzimi i pushtetit popullor me anën e kryengritjes. Kosta Filja thotë se Haki Rushiti nëpërmjet zbulimit grek është marrë nën drejtimin amerikan. Kostë Filja dhe Haki Rushiti janë dërguar në Shqipëri nëpërmjet zbulimit amerikan. Udhëzimet këta të dy i kanë marrë nga një kolonel amerikan.
Lidhjet me Panajot Plakun
Konferenca e Tiranës. Tahir Demi deponon se në shtëpinë e Taho Sejkos është bërë një mbledhje ku ka qenë i pranishëm Tahua, Avduli, Sami Murati dhe Vehip Demi. Tahua pretendon se nuk i kujtohet të jenë mbledhur siç thotë Tahiri. Për punën e Konferencës së Tiranës ka pas një takim me Sami Muratin, Tahir Demin dhe Muharrem Demin që biseduan rreth frymës që u zhvillua konferenca e Tiranës. Para Konferencës së Tiranës Tahua është takuar në Elbasan me Bedri Spahiun dhe kanë biseduar për materialet e Kongresit të XX. Bedriu thotë se Tahiri më kërkoi fjalimin e Mikojanit, të cilin ja mora Masar Shehut ia dhashë Pëllumb Dishnicës, që mori përsipër t’ja çonte. Interesant është deponimi i Tahir Demit, mbasi morën lidhje me Panajot Plakun, filloi të koordinohej veprimtaria e grupit tonë me veprimtarët e grupit të Bedri Spahiut, Tukut e Panajotit. Me Tukun mbante kontakt Taho Sejkua, ndërsa Temja me Panajotin. Kjo ishte pas plenumit të qershorit. Temja deponon se Panajoti ka dërguar në Greqi (në gusht të vitit 1956 një relacion të hollësishëm mbi situatën e vendit tonë). Tahir Demi ka deklaruar se në shkurt të vitit 1957 në shtëpinë e tij në Elbasan është organizuar një mbledhje ku merrnin pjesë Panajot Plaku, Bedri Spahiu, Avdul Resuli, Tahir Demi dhe diversanti Izet Osmani. Në këtë mbledhje u vendos që Panajot Plaku të arratisej. Temja thotë se në plan për t’u arratisur ishte dhe Bedri Spahiu dhe Tuk Jakova.
Deponimet e Teme Sejkos rreth takimit me Panajot Plakun në vitin 1957 në rrethin e Sarandës:
”Rreth 20 qershorit 1959 erdhi në Sarandë Panajot Plaku, me pretekst për punimet që bëheshin në Butrint e prej këtej me pretekst se do të ngushëllonte familjen e Kadri Rakipit, shkuam në Konispol ku takuam Ali Rexhon. Të nesërmen unë nga Butrinti shkova në drejtim të Vrinës dhe u ktheva në kalanë e Vivacit, këtu takova Panajot Plakun dhe Izet Osmanin nga të cilët mësova se ishin dhe dy të tjerë roje. Këtë takim na e organizoi Ali Rexho, pas takimit unë shkova në Sarandë dhe Panajoti në Greqi. Në lidhje me këtë takim në mbledhjen që u bë në Durrës, si rezulton nga deponimet e Tahir Demit e Avdul Resulit në shtëpinë e Dervish Sulos në shtator 1959 ka vënë në dijeni shokët e tij në atë mbledhje. Procesi mund të quhet i gatshëm për gjyqin në afatin e caktuar duke nxjerrë personat që vijojnë: Teme Sejkon, Tahir Demin, Avdul Resulin, Sami Muratin, Hajri Manen, Ali Xhelon, Jonuz Purizon, Adem Osmanin, Nikolla Bashon dhe Nasho Gerxhon. Taho Sejkua akoma nuk flet, jo vetëm që dobëson deri në një farë shkalle proçesin gjyqësor të bëhet publik, por pengon zbulimin e fakteve që ai i di si element. Prandaj brenda afatit të kërkuar do të bëjmë përpjekje për ta zbërthyer. Deri më sot ndër 38 të arrestuar flasin vetëm 22, ndërmjet të cilëve të gjithë kryesorët, me përjashtim të Taho Sejkos, të tjerët flasin vetë pjesërisht, 10 nuk flasin fare. Prandaj që të zbërthehen edhe të tjerët duhet një kohë e gjatë./Memorie.al
Ministri i Punëve të Brendshme
Gjeneral Leitnat
(Kadri Hazbiu)
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016