Nga Amik Kasaruho
Pjesa e parë
Memorie.al / Amik Kasaruho lindi në Tiranë në vitin 1932. Babai i tij, i’u pushkatua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, mbas ngjarjes së bombes në ambasadën sovietike në Tiranë, në vitin 1951. Në të njëjtën kohë, kur ishte vetëm 17 vjeç dhe nxënës në gjimnazin e Tiranës, Amikun e arrestojnë dhe dënojnë me 10 vjet burg politik, me akuzën agjitacion e propagandë dhe me vendim gjyqi, u përjashtua nga të gjitha shkollat e vendit. Mbas lirimit nga burgu, në periudhën 1956-1962, ai jetoi në qytetin e Kavajës dhe më pas u internua familjarisht në fshatin Gosë të Kavajës, (ku familja e tyre qëndroi deri në vitin 1990, që po shembej regjimi komunist). Nga viti 1956 deri në vitin 1960, Amiku punoi si punëtor krahu në Elbasan, Lushnjë, Kavajë, më pas si punëtor ndërtimi në Gosë, gjeometër dhe si teknik ndërtimi, në Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimit në Durrës. Ndërkohë, gjatë viteve ’60-të, ai u mor edhe me përkthime, por emri i tij nuk vihej në librat dhe tekstet që përkthente. Vetëm pas shëmbies së regjimit komunist në fillimin e viteve ’90-të, u bë e mundur botimi i shkrimeve dhe librave të tij. Në fillimin e viteve ‘90-të, ai u largua nga Shqipëria dhe pasi jetoi për një kohë të gjatë në Itali, (ku shkroi disa libra), në 2009-ën ai u kthye përsëri në Tiranë, ku për disa kohë, shërbeu edhe si këshilltar i Presidentit të Republikës. Po ashtu në këtë kohë, ai u mor edhe me eseistikë e përkthime. Librat e tij, si p.sh. “Një ankth gjysmëshekullor”, (1997) “Çmimi i një ëndrre”, botuar në Itali (2000), “Midis qiellit dhe burgut”, “Ikje nga trilli i perëndive” (Roman autobiografik), “Pa mëri – Publicistika e jetës sime” (2013), (ku përfshihen shkrime dhe intervista të autorit, botuar në shtypin shqiptar), janë të përkthyera në gjuhë të huaj dhe disa janë nderuar edhe me çmime ndërkombëtare. Po ashtu, Amik Kasoruho ka përkthyer në shqip edhe vepra nga autorë të huaj, si: Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins, Patrick O’Brian, John Selby etj. Një ndër përkthimet e tij të fundit ishte edhe “Revolta e Atlasit” e shkrimtares dhe filozofes së mirënjohur amerikane Ayn Rand. Kasaruho është fitues i çmimit special të jurisë në konkursin Eks & Tra për shkrimtaret emigrantë në vitin 1999. Në vitin 2000, ka marrë çmimin “Civitas – Arberia 2000 Calabria” për mirëmbajtjen e revistës italo-shqiptare të arbëresheve “Katundi Ynë”. Kasoruho është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “Nderi i Kombit”. Ai u nda nga jeta më 5 maj të vitit 2014, në moshën 82 vjeçare. Shkrimi që kemi përzgjedhur këtu për botim, është marrë nga libri i tij “Një ankth gjysmëshekullor”.
FRAGMENTE NGA LIBRI ESEISTIK “NJË ANKTH GJYSMËSHEKULLOR”
Lindja e një partie ose “Mortis Tua Vita Mea”!
Mashtrimi
Të nesërmen e 8 nëntorit 1941, shqiptarët mësuan se ishte krijuar fshehurazi në Tiranë, Partia Komuniste Shqiptare. Zinte fill kështu, me një veprim domethënës klandestin (gjë krejt e kuptueshme ndër ato ditë pushtimi fashist të vendit), rrugëtimi i asaj partie e cila, një pjesë të madhe të veprimtarisë së vet, do ta fshtillte me një mister të dendur. Dukuria më e theksuar dhe absurde e kësaj prirjeje ndaj të fshehtës, del në shesh në periudhën 1945-1948 kur, edhe duke qenë forca e vetme në pushtet, në praktikë vijoi të mbetej në klandestinitet. Edhe pse kjo fjalë ekziston në gjuhën shqipe, përdorej termi “ilegalitet”, ndoshta sepse, në mënyrë të pavetëdijshme, përmbyllte një gjykim mbi veprimtarinë e partisë.
Në pesëdhjetë vjetët e jetës së vet, partia s’la gjë pa bërë: nuk u njohu meritat pionierëve të saj, mohoi aleatët e një kohe, gëlltiti parime që ishin shpallur të paprekshme, quajti demokraci totalitarizmin më të pakualifikueshëm, shtypi me një brutalitet të paparë çdo lëvizje demokratike, dënoi barbarizmat në luftën e Koresë dhe Vietnamit dhe heshti për “spastrimet” staliniste, për kampet e përqendrimit të Siberisë, për masakrën e Katinit, për shtypjen e përgjakshme të kryengritjes hungareze në 1956, për gjakun e studentëve kinezë në sheshin Tien An Men. Nuk harroi as edhe njëherë të godiste padrejtësitë shoqërore të shoqërisë së konsumit, por popullin e vet e detyroi të njihte urinë shpirtërore dhe fizike.
Gjatë këtyre pesëdhjetë vjetëve, ka bërë historinë e vendit të vet, pa pasur kurajën ta shkruante ashtu siç po zhvillohej. Ka pretenduar të interpretojë interesat e kombit, pa pyetur e pa respektuar popullin. Nuk qe një parti: qe një ankth i ngjitur në pushtet. Politika e asaj partie nuk qe një politikë shoqërore: qe vargëzimi i zgjedhjeve dhe vendimeve të gabuara, qe një inkuizicion i ri. Populli paguante harxhet, nomenklatura gëzonte të mirat. Një ditë do të merret vesh sa kap shuma e të hollave dhe vlefta e arturinave dhe e gurëve të çmuar, që familjet e Enver Hoxhës dhe të bashkëpunëtorëve të tij, kanë depozituar nëpër bankat e huaja.
Një parti që u mohon anëtarëve të vet të drejtën për të pasur kurajë civile dhe që u kërkon të binden verbërisht, nuk mund të mos shndërrohej në burim padrejtësish të dhimbshme. Por edhe në shënjestër mërish.
Kjo parti u bë një vegël e Enver Hoxhës. Nëse nuk e pat krijuar ai, s’ka dyshim që arriti ta ngjizte sipas synimeve të veta, duke e shndërruar në një forcë që nuk duhej të mendonte.
Kur u themelua partia, Shqipëria kishte një milion banorë dhe vetëm 26 vjet pavarësi kombëtare (më 1939, për shkak të pushtimit fashist, pat humbur pavarësinë e fituar më 1912). Enver Hoxha ishte 32 vjeç dhe mbas vetes kishte një njësit dyqind vetash: përpara tyre shtrihej një rrugë e gjatë gati gjysmë shekullore pushteti absolut.
Nëse qenë mjaft kur nisnin të hidhnin hapat e parë, me kalimin e kohës zunë të binin kokat e vetë themeluesve. Edhe pse më vonë u quajtën tradhtarë, merita u takon edhe kryetarëve apo anëtarëve të grupeve të para komuniste, që nuk u bashkuan me radhët e tyre, të cilët më pas bënë pjesë në parti.
Kësisoj, përkrah Ali Kelmendit, Halim Xhelos, Qemal Stafës, Vasil Shantos (fort të nderuar nga partia), zënë vend edhe të mohuarit: Sadik Premte, Anastas Lula, Zoi Fundo, Zef Mala, Niko Xoxi e të tjerë. S’mjafton të thuhet se çdo revolucion është një nënë që shqyen fëmijët e vet, duhet shtuar se, nganjëherë janë bijtë ata që shqyejnë nënën. Mbase ky është rasti i të shquarit revolucion popullor në Shqipëri, i cili u tradhtua nga vetë udhëheqësit e tij.
Lufta për pushtetin absolut, atij që merr pjesë në të, i zhvesh çdo ndjenjë kameratizmi (pa folur për miqësinë dhe ndershmërinë). Vitin që vdiq Hoxha, në krye të Partisë, s’kishte mbetur as edhe një nga udhëheqësit historikë të Lëvizjes Komuniste: pjesa e tyre më e madhe nuk ishte shuar nga vdekja e natyrshme dhe ata që nuk kishin vdekur, përsëri kishin përfunduar keq…!
Fakte dhe krime
Farsat tragjike
Në rrafshin ekonomik, ishin hedhur bazat e një finance kryesisht të shtetëzuar. Konfiskimi i industrisë private (asaj të paktë që ekzistonte), i latifondeve të mëdha, i bankave, akumulimi shtetëror i likuiditeteve, vendosja e tatimeve të jashtëzakonshme, anullimi i koncesioneve të huaja: të gjithë këto formojnë skeletin e shtetit të sapolindur.
Në planin shoqëror synohej (apo të paktën kështu thuhej), të krijohej një shoqëri egalitariste, nga e cila veç do të mbetej jashtë klasa drejtuese që, brenda pak kohe, do të zbatonte një stil jete të vetin, të mbështetur në privilegje sulltanësh. Me pretekstin t’u jepte të gjithëve mundësinë për të bërë një jetë dinjitoze, kjo filozofi, përkundrazi, krijoi nivelimin e vlerave materiale, duke krijuar një shoqëri të zbehtë dhe skeletike dhe rrafshoi vlerat morale, duke krijuar një zbrazëti të frikshme aty ku kishin pasë hedhur rrënjë të fuqishme precepte të shëndosha morale, trashëguar nga një histori përpjekjesh fisnike për liri dhe nga fe që kishin përcaktuar një kod moral dhe etik.
Në planin politik, qysh në ditët e para, po ravijëzoheshin preferencat për Lindjen europiane dhe kryesisht për Jugosllavinë fqinje. Zgjedhja që e kishte katapultuar Shqipërinë në hemisferën lindor e kishte shkëputur nga Europa, para edhe se të rreshtohej zyrtarisht krahas shteteve sllave.
Brenda vendit kishte filluar ajo luftë që, me kalimin e kohës, do të merrte emërtimin luftë klasash, një mënyrë kjo për të përligjur përdorimin e armëve kundër të panënshtruarve, të cilët, nga ana e tyre vijonin të luftonin maleve (malet, për shqiptarët, kanë qenë gjithë jetën simbol i lirisë).
Mbas këtij shteti të ri, fshiheshin synimet e serbëve, etja për pushtet e kastës së re qeverisëse dhe një popull i çorientuar, i zënë në befasi, i mashtruar në shpresat e veta dhe i braktisur në fatin e vet, i privuar siç qe prej atyre personaliteteve që do të mund t’i kundërviheshin pushtetit komunist.
Kongresi i Përmetit i kishte dhënë një kahje politike por jo besueshmërinë juridike shtetit të ri. Ky boshllëk duhej mbushur sa më parë. Prandaj u caktuan të parat zgjedhje të përgjithshme më 2 dhjetor 1945. Ditët e para të 1946-ës, Asambleja Kushtetuese ishte zgjedhur.
Më vonë ajo u shndërrua në Kuvendin Popullor, që në të vërtetë nuk qe kuvend (sepse askush nuk diskutonte propozimet e ardhura nga lart) dhe aq më pak popullor.
Ishin të parat zgjedhje me votim të drejtpërdrejtë, për herë të parë e drejta e votës u nde edhe ndër gratë dhe ushtarët. Por qenë të parat e një vargu zgjedhjesh farsë, me të cilat shqiptarët do të mësoheshin për katër dhjetëvjeçarë.
Për shkak të numrit të madh të analfabetëve, vota shprehej me një kokërr gome që qytetarët mund ta hidhnin në njërën prej dy kutive, njëra për votat që i shkonin Frontit dhe tjetra për ato të opozitës. Kandidatët jashtë listës së Frontit (numëroheshin në majë të gishtave), jo vetëm që nuk fituan, por u persekutuan nga regjimi.
Mjafton një shembull: avokati Koço Dilo, që kishte vënë kandidaturën në qytetin e Tiranës, pak kohë mbas zgjedhjeve, u burgos i akuzuar për veprimtari kundër popullit; më vonë u internua në Grabjan, në rrethin e Lushnjes, bashkë me gjithë familjen.
Mund të merret me mend ç’mashtrime elektorale u bënë: kokrrat prej gome mund të kaloheshin lehtë nga njëra kuti në tjetrën, duke i’a nisur kështu asaj komedie bajate të rezultateve të falsifikuara pa pikë gajle: përqindja e votuesve do të ishte gjithmonë më shumë se 90% dhe votuesit për kandidatët e Frontit thuajse gjithë do të ishin më shumë se 99%.
Në godinën ku kishte mbajtur mbledhjet e veta Asambleja Kushtetuese, për gati njëzet vjet u vendos më vonë Teatri i Operës dhe Baletit. Historia deshi të falte një similtudë fort simbolike, midis themelimit të shtetit komunist dhe komedisë skenike!
Asamblesë Kushtetuese i takonte ushtrimi i një pushteti juridik dhe legjislativ, i cili nuk do t’i hynte në punë një shteti, që për këtë lloj pushteti, nuk kishte asnjë lloj respekti.
Më 11 janar 1946, Shqipëria shpallej Republikë, me cilësimin “popullor” për të përgënjeshtruar opinionin, sipas të cilit një shtet i drejtuar nga komunistët, nuk mund të ishte veçse një republikë komuniste. Loja kishte filluar: tani duhej çuar përpara, sipas rregullave të vendosura që në kohë të luftës.
Partia Komuniste e Shqipërisë, vazhdonte të mbetej në hije, nuk përmendej kurrë, sikur të mos ekzistonte fare. Nën emrin e Frontit Demokratik, vazhdonte të drejtonte me dorë të hekurt gjithë jetën e vendit. Në të vërtetë sekretari i saj i përgjithshëm, ishte President i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik.
Komiteti i saj Qendror, fshihej mbas Këshillit të Përgjithshëm dhe mbledhjet e organizatave bazë të partisë, maskoheshin me asambletë e vetë Frontit. Edhe pse ky ishte një sekret qesharak, kjo farsë vijoi përsëri edhe katër vjet të tjera mbas çlirimit.
Diçka nga kjo filozofi e klandestinitetit mbeti në jetën e Partisë së Punës të Shqipërisë. Thuajse gjithmonë mbledhjet e organizatave bazë të saj zhvilloheshin me dyer të mbyllura, ndoshta për të mos u vjeguar nga kompleksi i atij që duhet t’u japë shpjegime të tjerëve për atë që kryen. Falsiteti, mashtrimet, denoncimet, akuzat, intrigat, kanë nevojë për errësirë që të kenë efikasitet të plotë.
Nga ana tjetër mungesa e tejdukshmërisë ishte edhe mënyra më e mirë për të shkarkuar përgjegjësitë, duke ia ngarkuar ato masës amorfe të partisë dhe jo vetëm anëtarëve të Komitetit Qendror, pjesëtarët e të cilit vazhdonin të ushtronin një pushtet absolut po aq sa edhe arrogant. Efektivisht 45 vjet më vonë, do të thuhej se gabimet e së kaluarës ishin kryer nga partia, e kuptuar kjo si një entitet mase dhe jo nga krerët e saj. Një parashikim fort gjenial!
Aristokracia e re…!
Të paktën gjatë kohëve të para, krerët e PKSH-së nuk u panë në publik, po të përjashtohet Kongresi II-të i Rinisë Antifashiste, në fillim të 1946-ës, Lojërat Ballkanike (tetor i po atij viti) dhe ndonjë manifestim masiv (si përkujtimi i ditës së Dëshmorëve të popullit). Kishin shumë punë?! I druheshin ndonjë atentati? Ishte kjo një periudhë ndërhyrjeje që të mund të meditonin?
Një gjë mund të thuhet me siguri: as atëherë dhe as më vonë, përveç se në ndonjë kongres apo në ndonjë parakalim, krerët nuk u dukën në publik. U veçuan, u mbyllën në një privaci të artë, u izoluan plotësisht dhe përgjithmonë.
Për të banuar, Enver Hoxha nuk zgjodhi Pallatin Mbretëror të Zogut dhe jo pse ishte kundër salltanetit, por sepse ajo godinë, edhe pse ndodhej në qendër të qytetit, ishte e veçuar dhe e vështirë për t’u mbikëqyrur. Nga ana tjetër ishte një godinë tashmë e vjetruar dhe pa komoditetet moderne. Zgjodhi, si banesë, shtëpinë e ish-kryeministrit të Zogut, Koço Kotës, një vilë e bukur dhe e bollshme në Tiranën e Re.
Me një shpejtësi marramendëse, ajo godinë u shndërrua në një pallat. Po aq lehtë, pa qenë shpallur asnjë ligj që ta përligjte veprimin, u konfiskuan të gjitha banesat përqark, të cilat u destinuan të bëheshin banesat e prozelitëve të Hoxhës, duke krijuar kështu atë lagje që u quajt “Blloku”, shenjë e gjallë e distancimit të qeveritarëve të rinj nga qytetarët e thjeshtë.
Brenda pak kohe “Blloku” erdhi e u bë një ishull në mes të kryeqytetit, i ruajtur nga roje të armatosura deri ndër dhëmbë dhe ku askush nuk mund të avitej, me përjashtim të atyre që banonin brenda tij dhe njerëzve që shërbenin aty. Ky bllok pati zhvillimin e tij, jetën e tij, fatin e tij: nuk pati as edhe një pikë përqasjeje me jetën dhe me fatin e vendit dhe të popullit.
Dhe mund të supozohet, pa rrezikuar të gabosh, se në atë zonë të qytetit janë ndërtuar tunele të nëndheshëm që krijojnë një rrjetë strehimesh në rast rreziku. Ne atë “Bllok” gjetën dhe ushqyen një ambient ideal nepotizmi i pafytyrë dhe favorizimi i shfrenuar.
“Marksi dhe Engelsi ishin të mendimit se komunizmi mund të triumfonte me anë të një revolucioni në shkallë botërore, Lenini provoi se komunizmi mund të triumfonte në një vend të vetëm, Enver Hoxha vërtetoi se shoqëria komuniste, mund të ndërtohet edhe vetëm në një lagje”! shkruante Mitro Çela, një nga të parët që demaskoi padrejtësitë dhe krimet e regjimit, në ditët e lëvizjes demokratike të 1990-ës.
Dialektika marksiste vepronte së prapthi për pishtarët e marksizmit shqiptar, duke zbuluar ato parime feudale që thoshte se kishte dashur të luftonte. Dëshira për t’i dhënë vetes të drejta që nuk i takonin ishte rrënjosur thellë tek krerët e Partisë së Punë së Shqipërisë dhe veçanërisht në mendësinë e atij që një ditë arriti të thirret Komandanti.
Thjesht, mani madhështie…!
Për hir të së vërtetës, duhet thënë se Enver Hoxha nuk kreu kurrë funksionet e një kreu ushtarak, për të vetmen arsye se nuk kishte asnjë lloj përgatitjeje për këtë gjë. Enver Hoxha u shpall Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, mbas çlirimit, edhe pse nuk ishte e qartë se kush ishte kryetari i vërtetë i shtetit, Presidenti i Presidiumit të Kuvendit Popullor apo Kryeministri (që ishte edhe sekretar i përgjithshëm i partisë)!
Kjo strategji autocelebrative kishte nisur në korrik të vitit 1943, kur, nga Konferenca e Labinotit, ishte emëruar Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Detyra e komandantit, i’u ngarkua Spiro Moisiut, ushtarak i karrierës, që ishte bashkuar me radhët e partizanëve dhe Enver Hoxha, si përfaqësues i PKSH-së, u emërua komisar politik i këtij shtabi.
Në hierarkinë e Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, nuk pati ekzistuar kurrë dhe asnjëherë detyra e komandantit të përgjithshëm dhe nuk dihet se nga kush e pse iu atribuua Enver Hoxhës. Qe ky më shumë një titull nderi se sa një funksion real. Hoxha uzurpoi meritën që të shpallej si kreu i një ushtrie që përfaqësonte gati 7% të popullsisë.
Nuk vonoi shumë dhe doli sheshit se ai ishte shtresa e një intelektuali gjysmak dhe një frikacak, që rrëmbente meritat e të tjerëve, pa bosht kurrizi para të fuqishmëve aq sa edhe arrogant me ata që kishte nën vete. Mund të nënshkruante vendimet me vdekje me buzëqeshjen më të ëmbël ndër buzë dhe, në të njëjtën kohë, të binte pre e manisë së persekutimit, duke i’u trembur komploteve të njëpasnjëshme.
Mosbesimi ndaj të tjerëve u shndërrua në një rregull të pandryshuar të jetës së tij. Ishte një qenie mediokre që deshi të jetonte si njeri i zgjedhur nga Fati. Lindi kështu një pothuajse përbindësh.
Sekretar politik (apo i përgjithshëm) i Komitetit Qendror të PPSh-së, kryeministër, ministër i Jashtëm, ministër i Mbrojtjes, komandant i përgjithshëm i Ushtrisë, shef i Shtatmadhorisë, kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, këto qenë atributet e njëkohshme të Hoxhës ndër vitet e para pas lufte (nga mbarimi i jetës kishte mbajtur vetëm detyrën e sekretarit të përgjithshëm të partisë dhe atë të komandantit të Ushtrisë).
Të gjitha këto nuk provonin vetëm megalomaninë e tij të pakufi, por edhe mosbesimin që ushqente ndaj, gjithë atyre që i rrinin përqark. “Beso e kontrollo”, ishte slogani kontradiktor që përdorej shumë ndër ato kohë dhe që përbënte vijën përçuese gjatë gjithë kohës së Enver Hoxhës në pushtet.
Krerët e tjerë jetonin dhe vepronin në hijen e tij. Ishin gurët e shahut që ai i lëvizte sipas dëshirës. Për shembull, Omer Nishani, i pari president i Presidiumit të Kuvendit Popullor, sa kohë zgjati qenia e tij në atë detyrë, qe thjesht një hije pa rëndësi dhe një simbol i pushtetit legjislativ.
Hysni Kapo, aktivist i partisë dhe një nga organizatorët e rezistencës në krahinën e Vlorës, i qëndroi pranë Enver Hoxhës deri sa vdiq. I njohur gjatë Luftës me emrin “Besniku”, i tillë qëndroi për të, derisa arriti të bëhet zëvendësi i tij. Oficer menjëherë pas çlirimit, më vonë kaloi në diplomaci (si ambasador në Beograd dhe Moskë), qe ministër i Bujqësisë, pastaj i Ekonomisë dhe, më në fund, nën kryeministër.
Në rrethin e ngushtë të njerëzve besnikë ishte edhe Gogo Nushi, me origjinë punëtore, ish-anëtar i Partisë Komuniste të Francës, komandant i njësive guerilje të Tiranës gjatë Luftës. Mbas çlirimit, pati detyra të ndryshme partie, por nuk shkëlqeu as për mençuri dhe as për mprehtësi politike. E mbaroi karrierën e tij, si president i Sindikatave Shtetërore. Kur vdiq, ashtu siç ndodhi më vonë me Kapon, u celebruan funerale shtetërore.
Veç Kapos e Nushit, nga 1944 deri më 1985-ën, populli shqiptar nderoi me funerale shteti vetëm dy personalitete të tjera politike: Alqi Kondin, anëtar i Komitetit Qendror të PKSh-së dhe sekretar i përgjithshëm i Rinisë Komuniste dhe Myslim Pezën. Gjithë të tjerët kanë vdekur si tradhtarë.
Armiqtë e partisë ishin armiqtë e Enver Hoxhës. Ose më mirë armiqtë e Hoxhës, ishin armiqtë e partisë. E thëna e njohur e Majakovskit (në poemën Vladimir Iliç Lenin) “Ne themi PARTI dhe nënkuptojmë LENIN dhe kur themi LENIN, nënkuptojmë PARTINË”, qe përvetësuar fjalë pë fjalë nga Hoxha.
Lufta në shumë fronte
Në vitet më të para të Republikës, atëherë kur asgjë nuk ishte fiksuar përfundimisht dhe kur mbi të nesërmen rëndonte hipoteka e gueriljes së brendshme, si dhe kur fuqitë Perëndimore s’e kishin njohur zyrtarisht qeverinë shqiptare, zuri fill qëndresa e kundërshtarëve të regjimit. Gjendja mbetej e turbullt.
Çdo ditë e më shumë Shqipëria po bëhej vendi i pasigurisë; nuk kishte ende ligje të qarta dhe definitive; Kodi i ri Penal nuk ishte redaktuar ende dhe i vjetri përdorej vetëm pjesë-pjesë.
Gjindja gjykohej dhe dënohej në mbështetje të ligjeve të pashkruara; pasuritë dhe mallrat konfiskoheshin kur ende qeveria nuk kishte sanksionuar kriteret ku të mbështetej kjo lloj mase. Shteti pa ligje vendoste arbitrarisht për fatin e qytetarëve dhe ky ishte preludi i gjendjes së mëvonshme, kur u nxorën ligjet për t’i shërbyer shtetit despotik.
Deri edhe simboli i hyjnisë së drejtësisë, u hoq nga të gjitha gjykatat: peshorja e saj nuk hynte më në punë, shpata kish kaluar në dorë të gjykatësve, nga të cilët vetëm fare pak vetë kishin studiuar për drejtësi (po t’u referohemi viteve ’50 – ’60-të).
Brenda kufijve shtetërorë gjendja nuk ishte ende nën kontroll të plotë. Lëvizja partizane antikomuniste, që ishte zhvendosur nëpër male, gjente mbështetje në popull, tek i njëjti popull që kishte përkrahur e ndihmuar partizanët antifashistë. Ndëshkimet për ata që jepnin ndihmë ishin tepër të ashpra dhe çuan në një klimë të përgjithshme dyshimesh e denoncimesh.
Me qindra shtëpi u dogjën apo u bënë rrafsh me tokën. Me mijëra njerëz u pushkatuan në krahinat e Dibrës e të Mirditës, në Dukagjin, në Krujë, Mat, në Malësi të Madhe dhe në Shqipërinë e Mesme. Po aq u internuan apo u burgosën. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016