Nga Aida Tuci
– “Musine Kokalari ndërroi jetën të premten, nuk e varrosën të shtunën, sepse nuk donte njëri nga punëtorët e komunales, e diela ishte pushim. Kur vajtën të hënën, trupi i saj, kish pësuar kafshime nga…”! –
Memorie.al / “Ato të gjitha duken aq të bukura, në fotot e atyre viteve bardhezi. Sytë e tyre ndritin nga etja për dijen, për kulturën…! Ishin vajzat e Institutit Femnor “Nana Mbretneshë”. Vetëm se fati për disa prej tyre, do të ishte i tmerrshëm. Ato do të rrokulliseshin në terrin më të zi të diktaturës komuniste. Ato do të vuanin vite të gjata, nëpër burgje dhe internime. Ato më të bukurat, më të mirat e Shqipërisë”. Kështu shkruan Meri Lalaj, në librin e saj më të ri, titulluar “Instituti Femnor Nana Mbretneshë”. Në nëntor të këtij viti, do të mbushen 80 vjet nga çelja e Institutit, ku u formuan qindra vajza që luajtën një rol të rëndësishëm në emancipimin e vajzave dhe grave shqiptare. “Mes tyre, fatkeqësisht jo pak, që nga vitet 1945 deri më 1990, ranë pre e represioneve komuniste dhe shumë prej këtyre vajzave, do ta shihnin veten me pranga në duar, me shami të zeza, me jetë të nxirosur nëpër burgje, internime dhe persekutime. Vetëm pak prej këtyre vajzave, që kishin bashkëshortët në krye të shtetit socialist i mbijetuan persekutimit”, – thotë autorja e librit, shkrimtarja Meri Lalaj.
Pikërisht këtë rrjedhë ngjarjesh ka ndjekur ajo në libër, duke sjellë mes të tjerave dhe fatet e bukurosheve të viteve ‘30-’40. Ishin vajza që lexonin klasikët, jepnin shfaqje teatrore, botonin gazetën e tyre, shkruanin poezi, mësonin t’i binin violinës, pianos, shëtisnin rrugëve me biçikleta dhe motorë, dilnin me kilota dhe luanin volejboll e basketboll…por mësonin dhe sesi të bëheshin zonja shtëpie, të qepnin e të gatuanin.
Libri i Meri Lalajt, është përpjekja e parë për të rindërtuar historikun e këtij Instituti. Autorja sjell përmes dokumenteve arkivore të panjohura më parë, historikun e krijimit të kësaj shkolle, ndërsa përmes kujtimeve dhe dëshmive të disa prej protagonisteve, sjell historinë e trishtë të atyre vajzave që fati i zi i rrokullisi në terrin e zi të diktaturës komuniste. Ishin “Ato më të bukurat, më të mirat e Shqipërisë”.
Lalaj: Liri Belishova këmbënguli të shkruajë këtë libër
“As që ma merrte mendja, se një ditë do të ulesha për të shkruar këtë libër. Ndërsa unë nuk ndodhesha në Shqipëri, më telefononte zonja Liri Belishova. Kur u takuam ajo më tha se zonja Vangjeli Mele, kishte mbledhur nga Arkivi i Shtetit materiale, që kishin të bënin me Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”.
Të them të drejtën, vetëm pata dëgjuar për këtë Institut. (Flitej si nën zë, pasi mbante atë emër ‘Nana Mbretneshë’ dhe Shqipëria si vend komunist, nuk kish të bënte me mbretër apo mbretëresha.) Kisha parë edhe filmin “Vajzat me kordele të kuqe”, që i kushtohet kësaj shkolle. Nuk e di çfarë mendimi më vetëtiu në kokë atë grime kohe. kur thashë: “Po, do ta shkruaj”!
Ishte Liri Belishova ajo që i dha idenë autores Meri Lalaj dhe këmbënguli që të shkruhej një libër për Institutin Femnor ‘Nana Mbretneshë’”. “Me kthjelltësinë dhe mençurinë e saj, Liri Belishova më saktësoi shumë hollësira të ngjarjeve të kohës, me kujtime për profesorët apo bashkëkohëset. Qëllimi i këtij libri është, për të saktësuar të vërtetat në historinë e këtij Instituti dhe të jetës shqiptare në vitet që lamë pas”.
Meri Lalaj, mendoi se procesi i shkrimit të këtij libri, do të ishte thjesht vetëm për ato vajza të bukura, të mençura, që mësuan në atë Institut, pa patur as idenë më të vogël se çfarë pune e vështirë e priste, për të mbledhur materiale e dëshmi për të vërtetat (këtë e thekson shpesh gjatë gjithë bisedës rreth librit), e jetës së shumë prej ish-bukurosheve të Tiranës, që u përndoqën nga sistemi komunist. “Nuk e dija se me sa njerëz duhej të bisedoja, sa e sa libra, gazeta e materiale të tjera duhej të shfletoja dhe sa fotografi do mblidhja.
Çdo ditë unë jetoja me vitet e shkollës së tyre, me përpjekjet dhe vetëmohimin e tyre në luftën për çlirimin e vendit, me idealet, me ëndrrat e tyre të bukura për të ardhmen. Herë-herë ndihesha e burgosur, si Didi Biçaku apo Gjyslyme Dervishi, jetoja vitet e gjata të izolimit të Musine Kokalarit, provoja kulmin e karrierës dhe fundosjen me tridhjetë vite në internim si Liri Belishova, gëzoja për fatin e lumtur të Nermin Vlorës dhe Vera Blloshmit. E kudo më ndiqte nga pas Ramizeja (Gjebrea)…!
Pasi pata lexuar një shkrim në gazetë, doja të shkoja në Durrës, për të takuar zonjën Drita Malile, kur më thanë: “Drita ka shtatë a tetë ditë, që ka ikur nga jeta…”! Kërkova të bisedoj me zonjën Shpresa Qeribashi (Bushati), takova të birin, i cili më tha se nëna e tij nuk mund të fliste, për shkak të një tromboze që i kishte ndodhur më 1 janar.
Duke ecur rrugës, më zuri syri një lajmërim vdekjeje, në të cilin ishte shkruar emri Zaira Mati. Me zonjën Zaira, pata pasur rastin të ndodhemi ulur në një nga datat 15 të muajit, siç mblidheshin zakonisht vajzat e kësaj shkolle, dhe patëm biseduar për librin që ajo kishte përkthyer.
Një ditë u takova me zonjën Dhurata Strazimiri (Jegeni) dhe biseduam gjerë e gjatë, e kur telefonova për të saktësuar diçka, më doli e bija duke më thënë, se nëna e saj pat pësuar goditje cerebrale dhe ishte paralizuar krejt. Gjithnjë e gatshme më ka qëndruar pranë zonja Viktori Gjikondi, me kujtesën e saj të mrekullueshme, duke m’u përgjigjur për çdo pyetje që i kam bërë. Vangjeli Mele, gjithashtu si dëshmitare e ngjarjeve të atyre viteve dhe punën e palodhur që ka bërë në mbledhjen e materialit nga Arkivi i Shtetit dhe nga burime të tjera.
Afërdita Tutulani, më dorëzoi një foto ku kishte dalë Margarita, motra e saj me disa vajza, duke më thënë: “Kjo fotografi është pa të nxira, pasi e kishim negativin në familje…”! Janë shumë dëshmi që vijnë në këtë libër, për vajzat e Institutit: Ballkëz Halili, Didi Biçaku, Drita Kosturi, Drita Pelinku, Fiqiret Sanxhaktari (bashkëshortja e Mehmet Shehut), Liri Gega, Liri Belishova, Musine Kokalari, Nermin Vlora, Ramize Gjebrea e, shumë e shumë të tjera.
Por për autoren Meri Lalaj, ky libër mbetet i hapur për t’u vijuar dhe për t’u plotësuar me libra të tjerë dhe të tjera histori ende të pa rrëfyera. “Do doja që në këtë libër, të kishte të dhëna më të plota për Karl Gurakuqin, Arshi Pipën e të tjerë, por me gjithë përpjekjet e mia, nuk ia dola dot. Kështu ndodhi edhe me Hysni Babameton dhe profesorë të tjerë, për të cilët nuk munda dot të gjej të dhëna”.
Ish-nxënëset e Institutit Femnor “Nana Mbretneshë”, që u jepnin gjallëri atyre viteve, sot janë shumë të moshuara, një pjesë kanë ikur nga kjo jetë, duke marrë me vete edhe kujtimet dhe reliket e rinisë së tyre. Ato që kanë mbetur, vazhdojnë të ndjekin ritualin e përmuajshëm të takimeve çdo datë 15 të muajit, te “Tajvani”. Rrëfejnë histori e tyre dhe kujtojnë shoqet e Institutit. Letra e Drita Kusturit për shoqen e Institutit Femnor “Nana Mbretneshë”, Ganimet Gjilani dhe copëza historish të shkëputura nga rrëfimet në librin dedikuar vajzave që studiuan në këtë shkollë
Drita Kosturi: “Ganimet, të kërkoj falje që solla komunizmin”!
Një nga mikeshat e Institutit të Drita Kosturit ishte dhe Ganimet Gjilani (Fratari), e cila vinte nga Kosova. Të dyja vajzat ishin ndër ato të shumtat që u dënuan nga fati për të vuajtur regjimin komunist. Pas viteve ’90-të, Ganimet Gjilani fton për drekë të gjitha shoqet e Institutit, por nga njëra prej tyre, e pikërisht nga Drita Kosturi, i vjen një letër shfajësimi: “E dashur Ganimet…, mua dhe shumë shoqe të shkollës, na e mori mendjen komunizmi… por besomë, para se të provoj këto gjellëra kaq të mira, më jep një dru të mirë…!
Po po, më jep një dru, se e kam thënë edhe në një takim me të persekutuarit, pasi komunizmin… që të shkatërroi ty e mijëra të tjera si ty dhe familje për pesëdhjetë vjet me radhë…këtë komunizëm ua solla unë e shumë të tjera si unë, edhe shumë nga shoqet tona të Institutit “Nana Mbretneshë”…! Megjithatë edhe unë vetë e vuajta skëterrën komuniste porsi ju…! Tani gjej forcën për të kërkuar falje” dhe u mbyt në lot. Ky ishte fati i trishtë i dy prej vajzave të Institutit, që dëshmohet në këtë libër nga e bija e Ganimetes, Sabire Halili.
Didi Biçaku: Si i shpëtova pushkatimit, për bombën në Ambasadën sovjetike?!
Hadije (Didi) Biçaku bashkë me motrën e saj më të madhe, Semijë Biçaku, ishin të dyja nxënëse në Institutin Femnor “Nana Mbretneshë”. Didi merrej edhe me sport, luante volejboll dhe basketboll dhe stërvitej duke rrëshqitur me patina, nëpër rrugët e Tiranës. Më 23 shkurt të vitit 1951, ajo arrestohet nga tre ushtarakë të Sigurimit të Shtetit. Akuzohet për bombën në Ambasadën sovjetike. Didi Biçaaku (Maliqi) i shpëtoi pushkatimit për bombën tek Ambasada sovjetike, por jo shoqja e saj, Sabiha Kasimati. Didi ishte dëshmitarja e fundit që e pa gjallë Sabihanë.
Didi rrëfen në këtë libër: “U dëgjua një zhurmë makine. U hap dera dhe të burgosurit po i futnin në makinë, në fund isha unë me Sabihanë. Ajo hipi, kur do hipja unë, ndërsa kisha hedhur njërën këmbë, më shtyu njëri nga rojet dhe më shkëputi prangën e dorës. Sabihaja po më fliste të shikoja. Unë pandeha se ata po i lirojnë dhe po qaja, se doja të shkoja me ta. Gardiani që po më shpinte në birucë më tha: “Po ti, deshe të shkoje të Ura e Beshirit”?! Më futën në birucën e madhe. Dy ditë nuk futa bukë në gojë, vetëm qaja përmes lotëve, thurja vargje me mend për nënën, time, për motrën, mbesën e vogël…! Motrës sime i kishin thënë te porta e burgut, se më kishin pushkatuar. Pas tri a katër ditësh, më izoluan.
Kur isha vetëm në qeli, nuk kisha frikë se çfarë mund të më ndodhte, por më tepër frikësohesha nga kacabunjtë, akrepat dhe minjtë e mëdhenj, që vinin vërdallë nëpër birucë. Nga qelia më nxirrnin dhe më shpinin në hetuesi, tek “Shtëpia me gjethe”. Më mbajtën 5 muaj në burg”. Didi Biçaku pas kësaj, nuk punoi më në arsim, profesion për të cilin kishte kryer Institutin, pas daljes nga burgu, punoi si rrobaqepëse e më vonë në ndërtim. Tani është 86 vjeçe dhe me dhjetëra vite e mbajti brenda vetes ndodhinë, se si shpëtoi nga pushkatimi, nuk guxonte ta rrëfente. Nuk kishte dëshirë të kujtonte të kaluarën.
Musine Kokalari dhe rrëfimi i mjekes së Rrëshenit
Krejt rastësisht, autorja e librit Meri Lalaj, njihet me mjeken që ka qëndruar pranë Musine Kokalarit, në ditët e tmerrshme të sëmundjes që i mori dhe jetën. Meri sot ndjehet shumë e keqardhur, që nuk ia mban dot mend mbiemrin mjekes, madje shpreson që ajo të bëhet e gjallë, qoftë dhe për t’i dhënë disa foto, që Meri Lalaj ruan si kujtim, nga dita e takimit mes tyre.
Por në këtë libër, autorja sjell bisedën që ka bërë me mjeken e quajtur Marta, për ditët e fundit të jetës së Musine Kokalarit. “Siç më ka rrëfyer mjekja Marta, e cila punonte në Rrëshen, Musineja ndërroi jetën të premten, nuk e varrosën të shtunën, sepse nuk donte njëri nga punëtorët e komunales, e diela ishte pushim. Kur vajtën të hënën, trupi i saj kish pësuar kafshime nga minjtë që vinin rrotull”.
E bukura mbi të bukurat, Ramize Gjebrea
“Mbyll sytë e në përfytyrimin tim shfaqet Ramize Gjebrea, e ulur në një stol, aty tek cepi i oborrit të konviktit, duke thurur triko me shtiza…me ato flokë të verdhë, me sytë e kaltër dhe fytyrën e ëmbël…ngjante si engjëll”, – kështu e kujton Ballkëz Halili, miken e saj të Institutit, Ramize Gjebrean, e cilësuar si më e bukura mbi të bukurat. Ramize Gjebrea, u dënua me pushkatim. Skuadra e pushkatimit me qëllim u përzgjodh, të ishte vetëm me vajza. Shoqet e shkollës, qëlluan mbi trupin e Ramizesë me shtatë plumba. Njëri prej plumbave, e vrau vetëm sepse këndoi këngë dashurie.
Liri Belishova: Mësuesja ime, Liri Gega
“Mësuesja ime, Liri Gega, më futi në rrugën për t’u bërë komuniste”, – kujton Liri Belishova. Liri Gega e përqafoi lëvizjen komuniste, qysh në vitin 1940 kur ishte studente në Romë. Ajo u arrestua në flagrance, ndërsa ndodhej në takim me sekretarin e Ambasadës së Bashkimit Sovjetik, i cili ishte përgjegjës për zbulimin sekret në Shqipëri. Nga burgu e shpëtoi Mustafa Kruja: “Merre bijën tënde, por ajo tani është e infektuar me mikrobin bolshevik”, – do t’i thoshte Mustafa Kruja të atit të Lirisë, Beso Gegës.
Por edhe kjo komuniste e orëve të para, një ish-nxënëse e Institutit, nuk do t’i shpëtonte persekutimit. Në burgun e Tiranës, Lirinë e mbyllën në qelinë numër 18, e cila ishte tërë kohës e errët, pa dritare dhe plot me minj të mëdhenj. U ekzekutua tok me bashkëshortin Dali Ndreu. Flitet sikur trupat e tyre të vdekur, u shpunë diku në një fshat të Korçës dhe iu vunë zjarrin”, – dëshmon Agim Musta. Memorie.al