Nga Nazmi Berisha (Dyzi)
Pjesa e tetë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Nazmi Berishës me origjinë nga fshati Llap i Komunës së Podujevës në Kosovë, i cili i joshura nga propaganda e regjimit komunist dhe nga programet që jepte Radio-Tirana për “begatinë socialiste” si dhe për t’i shpëtuar metodave rankoviçiane të regjimit titist, në vitin 1960, ai vendosi që të arratisej dhe erdhi në Shqipëri, duke kaluar me not lumin Buna në të ftohtin e madh të atij dimri të egër. Dëshmitë e rralla të Nazmi Berishës, se si u prit ai në atdheun amë, ku ushtarët dhe oficerët e kufirit e rrethit të Shkodrës, pasi e lidhën me tel, e dërguan në Degën e Brendshme, ku për 24 orë nuk i dhanë as bukë për të ngrënë, e më pas e nisën për në qytezën e Shijakut ku ishte “Qendra e Filtrimit” të emigrantëve kosovarë. E gjithë aventura e djaloshit 20 vjeçar nga Kosova që Sigurimi i Shtetit e akuzonte se: ishte agjent i UDB-së, që e kishte dërguar me mision sekret, Çedo Topalloviç, kryetari i UDB-së për Kosovën, për t’u takuar me Kundër admiralin e Flotës Luftarake, Teme Sejko dhe torturat ç’njerëzore që i’u bënë atij në Degët e Punëve të Brendshme të Lushnjes, Krujës, Tiranës etj., ku atë e mbanin të izoluar dhe i kërkonin që të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, duke i nxjerrë si dëshmitarë, bashkëpatriotë të tij nga Kosova, dhe refuzimi i tij, që bëri që ai të kalonte plot 20 vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Rexhep Shabani nga Dibra e Madhe, ishte aty. Ardhur në vitet ‘50. E kishin çuar nga Tirana në Çermë, për agjitacion dhe propagandë. Kishte thënë që dikur beu ecte me kalë, sot kryetari ecën me motor, dikur prefekti ikte me pajton, sot sekretari i parë ikën me makinë luksoze. A po gënjente vallë ai? Prerje e artë me 10 vjet burg. Rajko Simonoviç, i ardhur në Shqipëri në vitin 1948, nga Mali i Zi, kishte punuar ca kohë si këshilltar i Kadri Hazbiut. Më pas ishte martuar në Elbasan, ku kishte dhe një vajzë. Erdhi dita dhe për të, spiun jugosllav! 10 vjet burg. Ai e vuante kot dënimin. Aty ishte dhe një tjetër malazez, Simo Markoviç nga Gjakova. Pati provuar Llakatundin si prelud të burgut. Lirohet në 1956 dhe merr një letër nga miku i tij Jovica Cervenko, dhe shkon në ambasadën jugosllave. Aty i’a fotokopjojnë letrën dhe i’a botojnë tek Borba. Jovica dënohet me 20 vjet burg, kurse Simo, çohet në Berat për të punuar dhe jetuar. Në 1974 arrestohet i akuzuar si agjent jugosllav. Dënohet me 25 vjet burg, madje flitej dhe për një rrjet të tij.
Hysen Bukoshi i burgosur pas Simos, vjen në Shqipëri në vitin 1969. Ai bashkë me Ali Boletinin, nipit e Isait, kishin një biografi interesante. A ishte takuar Hyseni me Simon në Berat? Këtë e dinte Sigurimi. Hysen Bukoshi ishte arrestuar në Prizren, bashkë e grupin e Adem Demaçit. I çojnë në burgun e Nishit. E njihte Hilmi Rakovicën dhe ishte i një mendjeje me mua. Hyseni më tregonte për Sabri Novoselën, për shkrimtarin Teki Dervishi, për torturat ndaj Fazli Graicevçit që shkruante artikuj tek ‘Jeta e Re’. Koha provoi që ai ishte martir i papërkulur. Lojë pandershmërie e padëgjuar. Pushtuesve serbë, edhe i’u shkonte, por pushtuesve shqiptarë të vetvetes, mund t’ju dukej dhe si idiotësi. Të vërtetën për Fazli Graicevçin e pati thënë i riu Sabri Berisha, që i kishte rënë me sëpatë mësueses, për fyerje të rëndë ndaj shqiptarëve. Histori më vete ajo e Sabriut, siç qe dhe jeta e panënshtruar e Fazli Graicevcit dhe Hysen Bukoshit. Historia e një të burgosuri ka dramë të madhe. Ashtu ishte dhe jeta e Hysenit. T’i dëgjoje veprën gjakovarit Besnik Koçi të burgosur në 1957, dhe të mos shkruaje për të që valviti flamujt kuq e zi në qytet, ditën e dasmës së tij? Po për Hysen Dobrunën, që pasi dënohet 7 vjet me Demaçin, del nga burgu dhe në dasmën e tij me 300 vetë valëvit flamurin shqiptar. 35 vetë nga ajo dasëm arratisen për në Shqipëri.
Berati për Hysen Bukoshin bëhet streha e parë e detyrueshme. Martohet me një vajzë vendase dhe i lindin dy fëmijë. Njeri i drejtë e i besës, fiton autoritet si arsimtar patriot. Po a e duronte dot këtë gjë diktatura e kuqe e Tiranës?! Gjendet një pretekst për vizitën e patriotëve kosovarë që takohen me Hysenin. Atëherë urgjentisht në burg. Dëshmitarë: Sima Markoviçi. O Zot, Hyseni në Kosovë ishte burgosur se kishte shprehur Shqipërinë etnike. Në Shqipëri, burgoset me të njëjtin motiv. Irredentizmi kosovar u dënoka dhe në atdheun e tij. Shefi i Degës së Beratit, i’a pati thënë hapur Hysenit. Nuk ishte e lehtë të kërkoje nacionalizëm për atdheun. Në Jugosllavi u dënua 4 vjet, në Shqipëri 10 vjet. E keqja s’ka ku të shkojë. Me Hysenin do të kryeja dënimin në Ballsh. Familja e tij me punë të detyruar në fermë. Gruaja dhe fëmijët i vinin shpesh. Ai ishte patriot i vërtetë. Padrejtësia ndaj tij ishte paradoks i gjallë është ndoshta pandershmëria klasike e kërkuar nga tragjedianët e mëdhenj. A do shkruhen vallë tragjeditë e Shqipërisë?
Idriz Zeqiri nga Istogu ishte burgosur në vitin 1973, dhe ishte shok i Xhafer Shatrit, i ardhur në Shqipëri në vitin 1963. Pati filluar për Gjuhë – Letërsi në Tiranë. Vitet e fundit arrestohet nga Sigurimi dhe Kadri Ismailati, sadisti shefi i Tiranës, i bashkëngjit në grupin e Bajramit nga Gjilani. Në birucat e Tiranës, tortura, por të reja. Një kurth kriminal për ta. Idrizi i gjorë ndihmat ekonomike në të ardhura dhe veshmbathje ua shpërndante njerëzve për bamirësi. Për këtë e pyesnin hetuesit dhe ai u thoshte se po ndaj mjerimin. Vihet në mbrojtje të Kapllan Resulit dhe Myrteza Bajraktarit. Kërcet klithma e gjyqit dhe dënohet me 10 vjet burg. A duhen më?! Idrizi i izoluar në Berat, njihet me gjuhëtarin Selman Riza. Sigurimi e pyet se ç’mendonte ai për të? Idrizi ishte burgosur për tre gjëra, e para për kontaktin me kosovarët, e dyta për qëndrimin në Tiranë, e treta për Selman Rizën. Dy dëshmitarë fals të torturuar keq dhe dëshmojnë për të. Ata s’dinin kurrgjë. Kjo pra ishte ndershmëria klasike e shtetit të kulluar socialist të kollosit Enver Hoxha.
Abdulla Zagora nga Shkodra, i burgosur në vitet ‘70. Burgoset nga jugosllavët në Sarajevë për arsyen e pjesëmarrjes në një organizatë myslimane. Pasi kryen 10 vjet lirohet nga Sremska Mitrovica famëkeqe dhe vjen në Shqipëri gjoja me nënshtetësi. Autoritetet shqiptare, e lanë të lirë për një kohë në Shkodër, dhe më pas e dënojnë 10 vjet burg për agjitacion propagandë. I ziu Abdulla, nuk e kuptoi pse u dënua. Për bolshevikët shqiptarë, një fetar si ai ishte rrezik për fjalën e tij të lirë.
Shefqet Kaçaniku nga Prizreni, mësues biologjie. Vjen në vitet ‘60 në Lezhë. Në vitet ‘70, vijnë shumë miq të tij intelektualë. Të gjithë i vështronte Sigurimi. Ky ishte rasti më i mirë për t’a, pasi PPSH-ja nuk duronte që autoriteti i saj, të gërvishtej sado pak. 10 vjet burg për agjitacion propagandë. I lidhur me fatin e Shefqetit, ishte dhe Esat Myftari nga Peja. Ish gazetar i “Rilindjes”, student në Beograd, vjen në Shqipëri në vitin 1963. Kur arrestohet Shefqeti, ky proteston për këtë padrejtësi, dhe akuzon diktatorin se nuk po respekton Kushtetutën. E arrestojnë dhe Esatin dhe e dënojnë po me 10 vjet burg. Ai kishte qenë i dënuar në mungesë në Jugosllavi për aktivitetin e tij patriotik. Kam dëgjuar që është martuar me të bijën e Shefqetit.
Tragjedi më vete është historia e shokut tim, Zeqir Rashica nga Vushtria. Në moshën 60 vjeç u dënua me 10 vjet po për agjitacion propagandë. Zeqiri ishte patriot, i drejtë dhe për këtë arsye e vunë në krye të sindikatës së minatorëve të Trepçës. Burgoset në Nish. Aty takohet me Isuf Visokën të birin e patriotit Hoxhë Visoka dhe me Hoxhë Marevcin i burgosur nga jugosllavët. Ishin së bashku me Adem Demaçin. Asokohe në Jugosllavi bëhet një amnisti, dhe ata të tre lirohen. Në vitin 1964, të tre ata së bashku me Jetulla Gashin, ikin për në Shqipëri. Vijnë në Elbasan. Hoxhë Marevci shkon tek Kadri Hazbiu dhe i rregullon të drejtën e studimit për Mjekësi Jetullait. Ndërkohë Sigurimi, burgos Aziz Zhilivodën i ardhur në Shqipëri që në vitet ‘40. Akuzohet për agjitacion propagandë në favor të Jugosllavisë. Sepse i kishte kërkuar të birit një pallto.
Dëshmitarët e tij ishin Hoxhë Marevci, Isuf Visoka, e Zeqir Rashica. S’ka ku të vejë më turpi dhe e keqja. I futi në thes Sigurimi që të tre. Sigurisht i gënjyen, duke i thënë se Azizi ishte pro Fadil Hoxhës dhe UDB-së. Askush nuk i torturoi ata të tre, e pra ata e donin atdheun. Dhe ja dilemë më të madhe s’ka. Ku Shqipëria e ku Azizi! Dhe ai dënohet 10 vjet burg. I kryen në Ballsh dhe pak kohë pas tij, arrestohen dhe dëshmitarët e tij. Azizi nuk fliste fare me ta, se i trajtonte si spiunë të Sigurimit. Kollaj fare. Për hatër të Shqipërisë, duhet të shpalleni spiunë të Jugosllavisë. Sepse e dimë mirë se kush jeni. Por le t’i lëmë mënjanë interesat e ngushta dhe të shikojmë interesat e Shqipërisë.
Ata bien në kurthin e poshtër për dashurinë ndaj atdheut të tyre. Një provë e rëndë dhe dyluftim i madh shpirtëror. Triumfon në shpirtin e tyre ideja e Shqipërisë. Pandershmëri klasike e denjë për tragjedi, shkruaju brezave të rinj fytyrën tënde kriminale më të damkosur. Mos harro të monologësh dhe dyluftimin e të mirës me të keqen në shpirtrat e atyre njerëzve. Hoxhë Marevci 15 vjet i dënuar në burgjet e Jugosllavisë, la pa mënd udbashët për qëndrimin e tij heroik dhe ishte kthyer në legjendë për martirizimin e tij. Tani i duhej të futej si kufomë e gjallë në qefinin e bardhë. Po a mund të rroket dot njeriu se c luftë ka pasur shpirti i tij ndërmjet Shqipërisë dhe akuzës si agjent i Jugosllavisë? S’besoj.
Po Isuf Visoka dhe Jetullah Gashi si e përjetonin gjendjen e tyre vallë? Sa keq j’ua katandisi regjimi ndjenjat dhe dinjitetin. Ç’vlerë paska jeta më tej?! Sigurisht ajo luftë vazhdoi me seanca tepër të gjata e të lodhshme. (Më kishte treguar Pjetër Arbnori, historinë e llullës së Stalinit, e cila gjoja paskësh humbur dhe u gjet në kanape nga vetë Stalini. Dhe i’a thotë Shefit të Sigurimit, Berias, ndërkohë që ky i vë në dukje se për atë llullë, ka futur brenda 150 vetë. Dhe përgjigjja e Stalinit: “Po, a s’ka gropa silazhi”?! Dhe fantazia e Berias, kishte vazhduar më tej….) Çdo histori e të burgosurve që më rrethonte, bashkë me fatin tim më dukej si ajo e Stalinit!
Kuptohet se secili prej tyre dënohet nga 10 vite për …agjitacion e propagandë.
Ndërkohë Zeqir Rashica nuk burgoset. I martuar me një elbasanase, ndonëse kishte lënë gruan dhe vajzën në Kosovë, fillojnë t’i vijnë vizitorë nga Kosova. Merret vesh për arrestimin e vëllait, torturat dhe se tashmë priste vdekjen. Merr vesh keqtrajtimet histerike të shqiptarëve. Nuk i beson edhe arrestimet të Hoxhës, Isufit dhe të Jetullahut. Ndoshta ndonjë gabim! Kështu vjen edhe dita e tij. Arrestimi. Agjent! Trego! Grupi. Lidhjet me Hoxhën, Isufin, Jetullahun. Kryetari? Zeqiri qeshte keq. Rrahje. Pështyma. Shkelma. Ai duhet të pranonte me çdo kush torturat, mirëpo të thyente kockat Sigurimi, të bënte ulok! Korente elektrik, çimento pa ushqim, pa ujë, pa Tesha, i lidhur me hekura gjermani!
O Zot! Nuk e dorëzonte fjalën Zeqir Rashica. Jeta e Zeqirit ishte fjala dhe atë ai nuk e nxirrte kurrë. Le të vdiste! Por edhe Sigurimi e quante tashmë të panevojshme dhe të mos thuhej fjala, gjyq. Nxjerrin si dëshmitar të parin, Jetullah Gashin, i cili deklaron se: jo ky proces, por të gjithë janë nënshtruar dhunës. Ne kemi deklaruar me dhunë, kurse Zeqiri, është patriot. Por s’mund ta linin ta mbaronte fjalën. Hoxha e Isufi nuk u ftuan. Dënimi, s’qe e zorshme nga “kukullat” gjykata. Zeqiri rrinte vazhdimisht shtrirë dhjetë vjet. Edhe shokët, ndërsa Jetullahu, 15 vjet. E priste vdekjen çdo ditë me dëshirë. I kishte humbur të gjitha, përveç dashurisë për Shqipërinë. E kjo nuk është parullë. Po vallë a ka fuqi pandershmëria, qoftë dhe moderne, ta kuptojë shpirtin e një atdhetari të zjarrtë?!
Ndërsa më duhej gati një vit për t’u liruar, më ndodh edhe incidenti me Operativin. Gjergji. Gjatë apelit më thotë: Ti je Titist, sepse nuk po futesh në rresht me shpejtësi! Dhe unë: Titist je ti dhe shokët e t’u, ndërsa unë as kam luftuar me Titon, as e kam njohur, ju i kini barë muhabetet! Rojet, drejtoria, deklarata e Gjergjit: do ma paguash shtrenjtë. Arrestimi im i mëparshëm, i kisha rënë vetë në duar. Gjergji më kurdisi një rrahje nga Adem Muja dhe njëfarë Zeneli nga Ulqini te berberi Alaudin Kapo, por meqenëse atje qëlluan Hysen Bukoshi me Jahirin, shpëtova paq. Do ta haja një muaj birucë dhe Jahari, 15 ditë. Kisha kohë të grindesha me veten time, duke hulumtuar për ditët që po më vinin. Nuk pinte ujë as revolja dhe kurrgjë tjetër. Isha i deprimuar, sado që kisha ndihmën e shokëve dhe sidomos Hysenit dhe Esatit. Por e shkoja nëpër mënd. Kishte vdekur Hysni Kapo dhe se qarkullonte fjala e shpifur nga Zenel Ulqinaku, se ata do të vdesin të gjithë, se komunistët janë të poshtër, se ky është pushtet gjakatar. I qenë vërsulur Zenelit keq dhe ai kishte kërkuar nga drejtoria që t’a lironin, se fajin e kishte ai vetë. Ndërkohë Huseni dhe Esati, i shkruajnë letër Enver Hoxhës, por kot. Pandershmëria ishte ulur këmbëkryq. Ajo po shkruante një proces të ri.
Fitorja e Pirros, gjykimi im i tretë në Ballsh
Bash m’u në datën e 29 të birucës, vjen roja e më merr për t’u rruar dhe siç thotë, për të më “prerë kostumin”. D.m.th., do të gjykohesha. E prita me qetësi. Isha i përgatitur. Asnjëherë nuk kisha qenë në dukje aq i qetë, ndërsa nga brenda vloja. Ata kujtonin se kjo ishte befasi, por jo, logjikën e tyre unë e njihja mirë. Mjaftonte një gjykatës, dy ndihmësa, dy dëshmitarë dhe pikë! Të vihej festja menjëherë.
Farsa filloi pa ceremoni. Trupi gjykues, hetuesi, kryetar, dy oficerë Sigurimi, për anash, dy policë dhe sekretarja. Duhej të çohesha në këmbë. Paskësha plagosur Zenelin dhe se ka bërë agjitacion e propagandë kundër shtetit shqiptar. Protesta ime qe e thatë, si shprazje e një nga njëshme e automatikut. Ndërkaq ulem dhe më urdhërojnë që të çohem, por a mundesha vallë? Le të më mbanin për krahësh policët, dhe ashtu ndodhi. Hetuesi – gjykatës, vuri në dukje se ky gjyq, paskësh detyrë të gjente të vërtetën dhe jo të dënonte një të pafajshëm. Të kishte bërë punë letra drejtuar Enverit?! Apo ishte thjesht një pasiguri?!
I pari dëshmoi Alaudin Kapo. Drejt. Pa përmendur emra, ashtu si ndodhi, tinëzare, që varur në çengelin e tyre të drejtësisë…! U thirrën Hyseni, roja Ademi. Kryetari dëshmoj, por nuk tha se unë paskësha kundër shtetit. Prita? Ndoshta…Zeneli, dëshmoj se s’paskej asgjë me mua, se ishte I shtyrë dhe më përqafoi. Qau si fëmijë. Ndërkohë ngrihet Hysen Bukoshi, trim dhe i drejtë si ai. Po ndodhte, diçka e pazakonshme në gjyqet e Shqipërisë! Vuri në dukje që plagët e marra në burgjet e Jugosllavisë, ende nuk qenë tharë dhe po për atë shkak, pse e donte Shqipërinë, I qenë hapur varrë të reja. Ai deklaroi në përgjegjësinë më të madhe morale e patriotike, pafajësinë e Nazmi Berishës dhe se unë isha viktimë e kurtheve të Gjergjit me shokë. Foli aq sa duhej dhe për çka duhej. Ishte i tronditur dhe fliste me një protestë të natyrshme. I kishte hije gjithë sa bënte dhe jo se kjo kishte lidhje me mua.
Gjykatësi e deklaroi gjyqin të mbyllur. Nazmi Berisha, për mungesë faktesh, merr pafajësinë. Të gjithë më përqafuan, përveç Ademit. Një skenë vërtet prekëse, ishte kjo një fitore, por një fitore si e Pirros!? Simboli i fitores ishte në thelb kundërshtimi i dhjetëvjetëshit klasik të dënimeve për agjitacion e propagandë. Sidoqoftë, mirënjohja ime për këtë fitore, binte mbi dy burra: Hysen Bukoshi dhe Esat Myftari. Diku nga mesi i shkurtit, vjen roja dhe njofton për mua dhe Hysen Bukushoin që të gatiteshim se do të shkonim në një burg tjetër. Diskutimet, hamendjet, shkurt do të na qe ngritur…? Ndarje prekëse. Nga sytë e mi, nuk shqitej lehtë pamja e Zeqir Rashicës, ashtu pa lëvizur dhe me lotët çurk. Një monument i kujt epoke vallë? Iknim si dy fitimtarë si Pirroja i Epirit nga viset italike, fitimtarë pa ushtarë. Atë Pirron e kishte pritur diku tjegulla për t’i rënë në kokë, po ne? Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016