Dashnor Kaloçi
pjesa e dytë
Memorie.al sjell historinë e panjohur të familjes së vjetër intelektuale shkodrane, Saraçi, ku pinjollët e saj, si djemtë e Zef e Roza Loro Gurakuqit, që ishin diplomuar në universitetet e Vjenës, pas vitit 1944 përfunduan në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke kaluar një kalvar të vërtetë deri në vitin 1990-të. Rrëfimi i Fatbardha Mulleti Saraçit, bashkëshortes së Kolindo Saraçit, për vuajtjet dhe peripecitë e asaj familje…
Një nga ato familje të njohura intelektuale shkodrane e cila u godit rëndë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, që me ardhjen e tyre në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, ka qenë edhe familja Saraçi, e cila ka banuar në rrugën me të njëjtin emër, karshi hotel “Sokrati”, ngjitur me Prefekturën, e cila që para viteve ’90-të, është e njohur me emrin: Rruga “Jorgji Karamitri”. Lidhur me historinë e kësaj familje, na njeh dëshmia e zonjës Fatbardha Saraçi (Mulleti) bashkëshortja e Kolindo Saraçit, vëllait të Angjelinit, më të njohurit të asaj familje, që tashmë nga ana mashkullore i kanë mbetur vetëm dy djem fare të rinj, të cilët për vetë moshën e tyre nuk e njohin mirë të kaluarën e asaj familje.
Angjelin Saraçi doktorohet në Vjenë
Angjelin Saraçi u lind në vitin 1906, në qytetin e Shkodrës dhe kur ai mbushi moshën për në shkollë, dy prindërit e tij, Zefi me Rozën (Gurakuqi) e dërguan për të ndjekur mësimet në kolegjin e fretërve në qytetin e Shkodrës, një nga më të njohurat e asaj kohe. Pas mbarimit të asaj shkolle, Angjelin Saraçi u dërgua në Austri, ku ai ndoqi studimet në gjimnazin klasik në Krems an der Donau, të cilin e mbaroi në vitin 1926. Më pas ai ndoqi studimet e larta në fakultetin e Histori-Gjeografisë pranë universitetit të Vjenës, të cilat i mbaroi në vitin 1930. Një vit më vonë në 1931, Angjelini mbrojti diplomën dhe disertacionin për marrjen e doktoraturës, për gradën e Doktorit të Shkencave, në të cilën paraqiti temën me titull: “Geschichte Nordalbanies bis Stephan Nemanja” (Historia e Shqipërisë së Veriut, deri te Stefan Nemanja) . Punim shkencor i tij përbëhej prej 98 faqesh, me 8 fletë bibliografi. Pas mbrojtjes së gradës shkencore, Angjelini u kthye në Shqipëri dhe Ministria e Arsimit e asaj kohe, e emëroi pedagog pranë gjimnazit klasik të qytetit të Shkodrës, ku ai shërbeu me përkushtim të madh deri në vitin 1943. Gjatë gjithë asaj periudhe dhjetëvjeçare, përveç lëndëve të tija mësimore, që ai dha pranë atij gjimnazi, u mor edhe me punë shkencore, duke shkuar nëpër të gjitha trevat e Veriut të Shqipërisë, ku mblodhi materiale të ndryshme, me të cilat hartoi një histori mjaft të pasur të atyre krahinave. Ndër to vlejnë të përmenden ato të zonës së Dukagjinit, dorëshkrimet e së cilës përbëhen prej 527 fletësh dhe ato të Zadrimës, prej 141 fletësh. Po ashtu aty rreth vitit 1943, kur Kosova ishte nën administrimin e Shqipërisë, ai mblodhi dhe materiale për atë krahinë, të cilat përbëhen prej rreth 30 faqesh në dorëshkrim. Duke pasur bindje politike thellësisht antikomuniste, gjatë viteve të pushtimit fashist të vendit, profesor Saraçi, aderoi në organizatën e Ballit Kombëtar dhe në qershorin e vitit 1944, ai u bashkua me dy batalionet e rinisë balliste, që shkuan për të luftuar kundra forcave çetnike në Kosovë. Por pas mbarimit të Luftës dhe ardhjes së komunistëve në pushtet, kjo gjë i kushtoi shumë rëndë Angjelinit, pasi komunistët e konsideruan armik të popullit dhe e arrestuan, që në fillimin e vitit 1945″, kujton Fatbardha Saraçi (Mulleti) lidhur me të kaluarën e profesor Angjelin Saraçit, intelektualit të njohur shkodran të diplomuar në Vjenë të Austrisë.
Çfarë i grabiti Sigurimi profesor Saraçit?
Pas lirimit nga hetuesia, në fillimin e tetorit të vitit 1945 ku profesor Saraçi qëndroi për më shumë se gjashtë muaj, në kushte tepër të rënda fizike dhe psikike, ai nuk u kthye dot më në shtëpinë e tij, pasi ajo ishte bastisur e sekuestruar nga Sigurimi i Shtetit, që pas arrestimit të tij. Nisur nga ajo gjendje në të cilën u ndodh, profesor Saraçi u pezmatua dhe njerëzit e tij të afërm të familjes, kanë dëshmuar se më shumë se gjithëshka, atij i vinte keq vetëm për bibliotekën e tij, mjaft të pasur e cila ishte grabitur, pothuaj krejtësisht. Pas kësaj Angjelini nisi menjëherë odisenë e gjatë, për të kërkuar pranë organeve kompetente të qytetit të Shkodrës, të gjitha ato çka atij i kishim marrë e sekuestruar, padrejtësisht. Kështu fillimisht, ai i nisi një letër të gjatë Komandës së Qarkut në Shkodër, në të cilën shkruante:
“I nënshkruari profesor Angjelin Saraçi, parashtroj lutjen si vijon: Në muajin Fryer të këtij viti jam arrestua prej forcave të Brigatës së Mbrojtjes së Popullit dhe kam ndejun i burgosun, prej më shumë se gjysë vjeti dhe mandej jam lirue, pa dalë fare në Gjyqe si i pafajshëm. N’atë kohë, si i arratisun politikisht, m’asht sekuestrue pasunija, që kisha prej forcave t’ish Korpsit të III, Seksjonit të Mbrojtjes së Popullit, etj enteve që kjo pasuni, shënohet në listën e bashkanjitun. Me kenë se unë jam lirue si i pafajshëm, kërkoj që edhe pasunija të më kthehet ose të paguhet. Shtoj se i kam çmue të gjitha sendet e sekuestrueme si mbas çmimit të tregut, që shiten sot dhe nuk asht çmue ma tepër, në mënyrë që t’ulet dhe të mbërrijmë në çmimin e vërtetë. Jam shumë në gjendje të keqe ekonomike dhe kërkoj prej asaj Komande, me ndërmjetësue ku duhet për kthimin e plaçkave ose pagimin e tyne, si mbas vleftës që asht shënue në listën bashkanjitun. Shtoj se në qoftë se materiali i mirë do të më kthehet, të më caktohet dam shpërblimi. Duke mbete në pritje të ndonji përgjegjeje,
Nënshkruem
Profesor Angjelin Saraçi
Vjedhja e prishja e bibliotekës
Ndërsa në listën e bashkangjitur asaj kërkese ku bëhet fjalë për grabitjen e bibliotekës, Angjelin Saraçi ndër të tjera ka shkruar:
“Biblioteka 1.
Disa mija Napolona letër së pakut…Fr, arit 70000. a. Mungojnë libra Tedeshk dhe Shqyp, rivista, atlase e koleksione të ndryshme gazetash. Janë shkye libra. Me hupjen e prishjen e librave e të gazetave, janë prishë koleksionet, të cillat duhet me i zavëndësue për me i bë, të vlefshme ato që kanë teprue, gjë e cilla asht e vështirë se janë të vjetër. Mund të gjinden rastësisht (okazion) në rast se janë shitë. Prej atyne që kanë mbetë, shumë janë ndy, një pjesë kanë bjerrë mblojet (kartucat) të cillat kërkojnë mjaft të holla, për përmirësim. Për ta kthye në gjendjen e maparshem bibliotekën, e vetmja mënyrë do t’ishte me shkue vetë në Austri, ku të më qillojë rasa e cilla shkakton shpenzime të madha dhe bjerrje kohet.
- Më kanë humbë dy penda Stilografike të markës Pelikan (të kohës së pagjes) me disa maje pende arit rezervë sejcilla. Tri deri në katër shishe të mëdha bojet shkrimi (pagjet) pelikan kualitet i parë, për pendë Stilografike Pelikan.
- Një katërdhjet topa letre të bardha, fort (shkrimit) Austrije të markës leyka, Italije, (shumica) e Franceze të pa markë, ble prej nji shokut që i sillte prej Francet.
- Një sasi e madhe letra etj të shkrimit autarkike.
- Nja sasi mjaft e madhe materjali tjetër si: kartuca shumë të re me lustër vojit, letra të mira për të pështjellë librat etj.
- Një sasi kilosh Naftaline kokërr për të krypë librat, për të mos me i lanë tejen me i bre”. Më poshtë kësaj letre, ku profesor Saraçi paraqet listën e sendeve të vjedhura, nga biblioteka e tij, ai ka paraqitur edhe një listë tjetër, që e quan: “Pasqyra e teshave të vëllaut Lorit të marra nga forcat ushtarake, të cillat ndodheshin në shtëpinë t’eme”. Në përfundim të asaj liste me rrobat dhe sendet e vjedhura, Saraçi ka vënë edhe shumën e tyre në para që përbëhet prej 246.677 Franga Shqiptare.
Kapiten Sabri Sevrani: Nuk e kthejmë pasurinë
Pas kërkesës të profesor Saraçit, për kthimin e pasurisë së grabitur, Komanda e Qarkut të Shkodrës, i ktheu atij një përgjigje ku shkruhej:
“Profesor Angjelin Saraçit. Shkodër. Ju komunikojmë se lutja e juaj drejtue kësaj Komande, mbi kthimin e pasunisë së sekuestrueme e që si mbas listave të paraqitura nga ana juej kanë shumën fr. Shq. 246.677? Në bazë t’urdhnit Nr. 05-1917 / I datë 1.XII.1945 të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, nuk ju merret parasysh, mbasi masat që janë marrë kontra ilegalve, t’internuemve e tjerë, si djegëje shtëpiash, sekuestrime pasunish e tjera, në kohën e ma parshme, nuk kthehen ma. Shkodër, më 14 / I / 1945.
Komisar’i Qarkut Kapiten i I Komandant i’Qarkut
Milo Qirko Kapiten Sabri Sevrani.
Pas kësaj përgjigje, profesor Saraçi u detyrua dhe i shkroi Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë në Tiranë dhe pas asaj letre, Komanda e Përgjithshme të Mbrapavijave të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, më qendër në Tiranë, i dërgonte një shkresë Komandës së Qarkut në Shkodër, në të cilën shkruhej:
“Tiranë më 6 / XII / 1945. Gjegje e shkresës Nr. 01196 datë 12.11. 1945. bashkënjitun kethejmë listat e dërguara me shkresën e sipërme, për të cilat ajo Komandë duhet të vepronte me anën e Seksionit të Mbrojtjes së Popullit aty për skjarimin e çështjes dhe zbulimin, se ku ndodhen dhe prej kuej janë përdorë materialet që janë marrë profesor Angjelin Saraçit. Parandaj të zhvillohen hetimet përkatëse, me anën e Seksionit Mbrojtjes së Popullit, si dhe nga kjo Komandë, se ku ndodhen sendet e shënuara në lista. Për këtë, në rast nevoje ju drejtojuni edhe personave që kanë kry rrekuizimin n’atë kohë. Si të jetë vërtetue sa më sipër e në qoftë se ajo Komandë, nuk do të jetë në gjendje me përfundue këtë çështje, na dërgoni aktet për shqyrtim. Komandant’ i Mrapavijave Gjeneral-Major (Dali Ndreu). Por edhe pas kësaj letre, profesor Saraçit nuk iu kthye asgjë nga pasuria, që i kishin grabitur forcat partizane pas arrestimit të tij.
Misteri i vdekjes në vetmi në Tiranë
Lidhur me jetën e profesor Angjelin Saraçit, në vitet që pasuan pas lirimit nga hetuesia, në vjeshtën e vitit 1945, Fatbardha Saraçi Mulleti tregon: “Pas daljes nga burgu, si rezultat i sekuestrimit të gjithë pasurisë dhe i mbetur pa punë e pa të ardhura, Angjelini u ndodh në një gjendje mjaft të keqe ekonomike. Duke mos shikuar mundësi tjetër, ai iku nga Shkodra dhe fillimisht u vendos në qytetin e Beratit, ku punoi disa kohë si mësues. Aty nga viti 1949, ai u vendos në Tiranë, ku për pak kohë arriti që të punonte, si specialist pranë Bibliotekës Kombëtare, por dhe prej aty e larguan shumë shpejt, për arsye biografike. Pas kësaj ai punoi edhe si përkthyes i jashtëm, pranë Institutit të Historisë, Arkeologjisë e Etnografisë dhe më pas u rregullua si përkthyes, pranë një grupi gjeologësh gjermano-lindorë, që asokohe kishin ardhur në Shqipëri për kërkime. Pas daljes në pension Angjelini, mbeti në një gjendje krejt të mjeruar ekonomike, pasi ai nuk kishte arritur të krijonte familje dhe jetonte krejt i vetëm, në një apartament të vogël, diku në lagjen “Ali Demi”. Për të përballuar jetesën, ai filloi të shiste librat e bibliotekës së tij mjaft të pasur, që pak kush mund ta kishte asokohe në Tiranë e në fondin e së cilës, gjendej edhe i gjithë fondi i bibliotekës, së ish-konsullit austriak në Shkodër, Theodor Ippen, të cilën Saraçi e kishte blerë në Austri duke shpenzuar shuma të mëdha parash. Profesor Angjelin Saraçi, pati fatin të jetonte gjatë dhe ai ndërroi jetë në shkurtin e vitit 1986, duke mbyllur sytë përgjithmonë, pa asnjë njeri pranë. Në atë kohë njëri prej komshinjve të tij, i dërgoi telegram Willi Kamësit, mikut të familjes sonë dhe pas kësaj bashkëshorti im, Kolindo Saraçi, shkoi në Tiranë për të kryer varrimin e tij. Po të mos kishte shkuar Kolindo atë ditë në Tiranë, trupi i Angjelinit, do të shkonte pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, për praktikën e studentëve. Vetëm pas viteve ’90-të, një pjesë e mbetur nga biblioteka e Angjelin Saraçit, më dt. 26. 4. 2003, iu dorëzua Universitetit “Luigj Gurakuqi” të qytetit të Shkodrës, për katedrën e Histori-Gjeografisë” /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016