Nga Kastriot Dervishi
Memorie.al / Të dhënat dhe faktet për objektet e kultit Kristian, janë të shumta si për vlerat që ato kanë ashtu edhe për fatin e keq të shumë prej tyre deri në zhdukje përfundimtare. Në janar të vitit 1967, rinia e shkollës së mesme “Naim Frashëri”, në Durrës, shpalli publikisht nismën: “Të luftojmë deri në fund ideologjinë fetare, besëtytnitë dhe zakonet prapanike” dhe më 6 shkurt 1967, Shqipëria u shpall “shteti i parë ateist në botë”. Dhe pas kësaj lëvizjeje regresive një pjesë e madhe e objekteve të kultit u shkatërruan përfundimisht, një pjese iu ndryshua destinacioni, duke u kthyer në depo e magazina. Kujtojmë kishën e Shendëlliut që u shndërrua në stallë për kuajt e ushtrisë. Rezistenca e besimtarëve ka qënë fare e vogël, për mos të thënë e pamundur, pasi shteti i diktaturës shtypte me dhunë gjithçka kundër tij. Raste sporadike edhe ka pasur. Vlen të përmëndet një fakt i dalë nga arkivat e kohës.
Në një relacion për lëvizjen kundër fes, shkruhet: “Përveç parullave, elementi dhe kleri reaksionar kanë bërë presione direkt mbi njerëzit e Partisë. Në Vokopolë të Beratit, para se të merrej kisha u vendos një fletë-rrufe anonime, ku shkruhej: Prishja e kishës në Vokopolë, ka tronditur gjithë fshatin, të mëdhenj e të vegjël. Ai që gris këtë fletë-rrufe do të përgjigjet”.
Por ishte e pamundur mbrojtja e tyre. Dhe fati i keq i takoi të gjithë objekteve të kultit, por disa si: Kisha e Shën Kollit, Sinjë, Kisha e Shën Kostandinit dhe Helenës në Kondas, Kisha e Shën Thanasit, Vërtop, Kisha Fjetja e Shën Mërisë, Mbreshtan, Katedralja e Shën Dhimitrit, Berat, Kisha e Shën Sotirit, Konezbaltë, Shën Pjetri e Shen Pavli, ne Poshnje u shkatëruan përfundimisht.
Falë studiuesve dhe ruajtjes së një pjese të objekteve të kultit dhe ikonave nga Instituti i Monumenteve të Kulturës që ne mund ti rikthejmë në kujtesë vlerat që ato ruanin.
Kisha e Shënkollit Sinjë
Fshati Sinjë njihet si një nga fshatrat më të hershëm me popullsi ortodokse në rajonin e Beratit, e dhënë kjo që vjen edhe nga kisha heremite e Shën Mërisë, kisha e Shën Kollit dhe Kisha e Shen e Premtes, nga e cila nuk ka mbetur asnjë gjurmë.
Kisha e Shën Kollit ka qenë ndërtuar në shek XVII-XVIII. Ka qenë kishe e madhe nga përmasat me ikonostas dhe afreske. Kishte një portik në hyrje dhe kambanore shumë të bukur. Ka qenë e ndërtuar ku janë varrezat sot, mbi çezmën e Sinjës. Është prishur ndër të parat në lëvizjen komuniste, kundër fesë në vitin 1967 nga një grup të rinjsh. Në eksponatin kryesor të muzeut “Onufri”, është ekspozuar ikona e Johan Pagëzorit, me autor anonim e realizuar në shek. XVII -XVIII
Ikona nga Kisha e Shën Kollit, ruhen në Fondin e Monumenteve të Kulturës së Beratit, një ndër to është ikona “Shën Mitri mbi kalë”, e marrë nga ikonostasi, e cila ka qenë pjesë e ikonave të vogla. Autori është anonim, por e hasim edhe në Kishën e Shën Kollit, (Sadovicës), në ikonën Ngjallja e Krishtit.
Kisha e Shën Konstandinit dhe Helenës në Kondas, 1791
Kjo kishë ka qenë në periferi të qytetit Beratit, dhe u prish përfundimisht në vitin 1967. Ikona dhe pjesë ikonostasi të kësaj kishe, ruhen në fondin e Monumenteve të Kulturës së Beratit. Në apsidën e kishës, ka qenë i gdhendur viti 1791, datë e cila duhet të tregonte ndërtim ose rindërtim. Në këtë kishë, janë gjetur ikona të realizuara nga Tërpo Zografi dhe Naum Çetiri.
Në mbishkrimet e tyre shkruhet: “Me dorën e Tërpos birit të Konstandinit Zografit, viti 1792, shtator 9. Mbishkrim i gjetur ne ikonën e Shën Konstandinit dhe Helenes” dhe: “1823, në muajin prill u pikturua kjo ikonë me shpenzimet e Stavro Mezëliçit dhe birit te tij Konstandinit me dorën e Naum Çetirit”, mbishkrimi ne ikonën e Shën Mërisë.
Kisha e Shën Thanasit Vërtop, 1806
Në fshatin Vërtop, ka qenë Kisha e Shën Thanasit e cila është shkatërruar plotësisht në vitin 1970. Për këtë kishë kemi të dhëna nga Theofan Popa, në mbishkrimet e kishave. “U pikturua ky tempull në kohën e të gjithëhirshmit Mitropolitit të Beratit, zotit Joasaf, nga qyteti Bubullimani me dorën e Nikollës së Gjergjit, nga qyteti Grabovë. Më 1806 dhe përfundoi në janar 15”.
Në mbishkrim janë edhe emrat e famullitarit, kujdestarit dhe drejtuesve të kishës. Mbishkrimi ka qenë në portën jugore të Kishës. Piktura murale e kishës ka qenë e Nikollë Gjergj Çetirit, e realizuar në vitin 1806, po këtë vit Johani Çetiri dhe i biri, Nauni, pikturojnë në kishat e fshatit Kozare.
Kisha e Shën Mërisë, Mangalem, viti 1808
Kisha e Shën Mërisë në lagjen Mangalem, ka qenë një kishë e madhe në anë të Lumit Osum, pranë Urës së Goricës. Sot gjendet vetëm një dhomë e vogël nga rrënojat e kishës së vjetër, si dhe muri mbrojtës nga ana e shkëmbit të kalasë. Kisha ka pasur naosin, altarin dhe ambiente ndihmëse nga perëndimi, oborrin me ambiente ndihmëse dhe kambanoren nga lindja.
Për këtë kishë ka shkruar Piere Batiffol dhe Gjergj Haxhi Mihali. “Në rrethinat e lagjes Mangalem, – shkruante Batiffol, – në hyrje të Urës së Vjetër mbi lumin Beratinos, më kishin treguar një kishë të restauruar së fundi që kishte një ‘vocable’ të ‘Dormition de la Vierge’ (vendit të fjetjes së Virgjëreshës) dhe që kishte, siç më thanë me siguri, një ungjill të shekullit të IV. Zbrita aty disi me emocion dhe gjeta një ungjill tetë shekuj më të vonët se ai datim, (XII)”.
Për këtë kishë, ka shkruar Gjergj Haxhi Mihali në vitin 1927, ku mes të tjerash thuhet: “Nën kishën e Shën Millit, është kisha e Shën Mërisë së Shumbullit, përmbi udhën e madhe anës së lumit, ndoshta ka qenë kishë e vogël dhe më përpara po, sipas gojëdhënës së pleqve u bë transferim, pas okupacionit turk, i kishës së Shën Mërisë, Murat Çelepijasi në këtë vend, në vitin 1800, u dogj, po u ngrit prapë si është dhe sot, me piktura të bukura në vitin 1808”.
Kisha ka qenë e mbuluar me çati e cila ka pasur tre tambure dhe katër frontone, në pjesën ballore mbi hajatin e mbyllur. Ndërtimi i çatisë që ka pasur mjaft ngjashmëri në ndërtim me atë të Katedrales së Kalasë, na lejon të përshkruajmë pjesën e brendshme të ndërtimit arkitektonik të naosit, i njëjtë me katedralen, nisur dhe nga koha e njëjtë e ndërtimit brenda një dhjetëvjeçari të Katedrales së Kalasë dhe të Shën Mërisë së Mangalemit dhe ato mund t’i shohim në fotot e mjeshtërve beratas Ilia Xhimitiku dhe Naum Vruho, të realizuara për kartolina në vitet 1940.
Kambanorja ka qenë e shkëputur nga Kisha. Midis kambanores dhe kishës, ka qenë oborri i kishës me ambientet ndihmëse. Kambanorja ka ka qenë ndërtuar me teknikën e klausonazhit. Me katër frontone në të katër anët, të stolisura me nga dy rreshta tullash dhe me kupolë sipër. Kambanorja e Katedrales së Kalasë, ka ngjashmëri me të, por kjo ka qenë me më shumë vlera arkitektonike. Kisha u dogj gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe u prish përfundimisht me zgjerimin e rrugës kryesore.
Kisha e Shën Mërisë, Mangalem ka qenë më e kërkuara nga artistët e shek XIX-të dhe gjysmës së parë të shekullit të XX-të. E ndërtuar në një vend mjaft piktoresk, ku përfshihej pjesa më e bukur e qytetit, si: Kalaja, Mangalemi, Ura e Goricës, lagja Çelepias, lumi dhe vetë arkitektura e saj.
Edward Lear e ka pikturuar në tre vepra në vitin 1848. Fotografë të huaj hungarez në 1918, austriaku Hugo Adolf Bernacik në vitin 1929. Foto të saj gjenden ne koleksionet Luçe dhe Vera në Itali si dhe fotografët shqiptar Ymer Bali, 1927 dhe Irfan Ago, 1935 si dhe nga fotografët beratas Ilia Xhimitiku dhe Naun Vruho e kanë pasur disa herë burim frymëzimi në vitet 30-të.
Kisha Fjetja e Shën Mërisë, Mbreshtan, 1815
Ka mjaft të dhëna për këtë kishë në mbishkrimet e Theofan Popës të cilat, ai i ka marrë në kishë para se ajo të prishej në vitin 1967. Kisha manastir e Mbreshtanit, ka qenë mjaft e rëndësishme, pasi mjeshtrit më të mirë të ndërtimit, kanë punuar për të. Kjo është nga të parat kisha të prishura nga regjimi komunist dhe në vendin e saj, u ngrit reparti ushtarak.
Kisha ka qenë ndërtuar në vitin 1815, datë e cila gjendej në portën veriore, ku ka pasur të shënuar edhe emrin e kujdestarit të kishës, Stefani. Në ikonën e madhe të “Fjetjes së Shën Mërisë”, në ikonostasin e kishës shkruhej: “Lutje e shërbëtorëve të perëndisë Gjergjit, Janit, Kostandinit, Haxhi Nastit, prej të cilëve dhurohet kjo ikonë në ndjesë të mëkateve. U pikturua me dorën e Kristo Itibrianit, më 18 shkurt, viti 1826”.
Në vitin 1853, ndërtuesi, mjeshtër Nauni, punoi për dekorimin e kishës, emri ka qenë i gdhendur në derën e bukur të ikonostasit. Më 10 gusht 1897 ndërtuesi, mjeshtër Anastas Voskopojari, ka vendosur emrin në një gur të kambanerisë, si dhe mjeshtër Ali Banari, në portën veriore të kishës. Dhe nga gojëdhënat, thuhet se mjeshtër Jani Ceca, ka ndërtuar vetëm një kube të kishës që kishte rënë.
Ikona e Shën Dhimitrit është marrë nga Kisha e Shën Marisë e fshatit Mbreshtan dhe është ekspozuar në muzeun “Onufri”. Gjithashtu ikona nga kjo kishë gjenden në Fondin e Monumenteve të Kulturës së Beratit.
Shën Dhimitri, paraqitet mbi një kalë të kuq me veshje luftarake në momentin final të ndeshjes, gjatë së cilës shoqëroi Nestorin në një dyluftim me shtiza, kundër një gladiatori që vriste të krishterët. Figura e tij kalorësiake, paraqitet në momentin final të aktit, kur i ka ngulur shtizën kundërshtarit të shtrirë horizontalisht, në fund të skenës i mbuluar me pelerinë të kuqe. Skena zhvillohet përpara një peizazhi, që paraqet në sfond një gji deti dhe kodra pas tij.
Kisha e Shën Dhimitrit, shek XIX
Në qendrën e re të qytetit sot, afër katedrales së re të Shën Dhimitrit, ka qenë Katedralja e Shën Dhimitrit, bazilikë me tri nefe e cila, ishte ndërtuar në mesin e shek. XIX-të. Ajo ishte një kishë kryesore e madhe me shume anekse, këmbaneri dhe mafil, por që u prish në periudhën e komunizmit dhe në themelet e saj diktatura ndërtoi Komitetin e Partisë. Në vitin 1922, Kisha e Shën Dhimitrit, u shpall katedrale.
Dy piktorë nga Fjonati i Greqisë, Mihali dhe Kostandini, kanë pikturuar ikona për këtë kishë. Në mbishkrimet e Theofan Popës, shkruhet: “1861 dhjetor 19. Me dorën e Mihalit dhe Kostandinit fjonatëve”. Fjala Fjonateve vjen nga Fjonati (Hjonadhes) i Greqisë. Mbishkrimi gjendet në ikonën e Shën Mërisë në ikonostasin e kishës. Piktor Kostandinin nga Fjonati e gjejmë edhe në Kishën e Shën Mitrit në fshatin Drobonik, në ikonën e Kostandinit dhe Elenës.
Kjo kishë ka pasur mjaft elementë të ardhur nga Apollonia një ndër to është edhe busti i burrit, shek. I-II e.s. Kjo skulpturë e ardhur nga Apollonia, ka qenë e vendosur në murin e Kishës së Shën Mitrit, në qendër të qytetit. Phraschniker, e përshkruan në librin e tij dhe nga ky libër kemi edhe foton e kësaj skulpture. Busti ka qenë rreth 60 cm. dhe paraqet portretin e një burri me mjekër, me kokën të kthyer pak djathtas, me flokë kaçurrela të shprishura dhe me pamje të vrenjtur në fytyrë.
Kisha e Shën Sotirit, viti 1882
Në fshatin Konezbaltë, ka qenë Kisha e Shën Sotirit e ndërtuar në vitin 1882. Mbi portën perëndimore të kishës ka qenë gdhendur viti 1882. Theofan Popa, mendon se kjo datë është për vitin e ndërtimit ose rindërtimit të kishës. Kjo kishë u shkatërrua nga themelet në vitin 1967.
Mbi kodrat që rrethojnë qytetin e Beratit ka qenë edhe kisha e Shën Thanasit. Eshtë bërë një rindërtim i vogël nga familja Lole. Mjaft kisha, si Shën Marina në Gurin e Bardhë, Shën Mëria në Konisbaltë, Shën E Premtja në Kutalli, Shën Pjetri e Shën Pavli në Poshnje (e cila ka qenë kishe e madhe), nuk ekzistojnë më.
Në zonën e Shpiragut ka pasur edhe disa kisha të tjera, por që koha i rrënoi përfundimisht, si Kisha e Shën Kollit në Palikesht, (ku tani janë vetëm rrënojat e saj), Kisha e Shën e Premtes Sinjë, nuk ka asnjë shenjë. Një kishë tjetër në majën e malit të Shpiragut në Penj, është Shëndëlliu, në Sadovicë ka qenë kisha e Shën e Premtes.
Edhe në zonën e Tomorrit, ka pasur mjaft kisha por që shkatërrimi i tyre ka filluar shumë shpejt që në kohë e pushtimit turk. Në Mbrakull, ka qenë kisha e Shën Todrit, në fshatin Tomorr, kisha e Shën Mërtirit. Në fshatin Malëshove, ka pasur tri kisha: Shën Maria, Shën Kristofori dhe Shën Thanasi. Kisha e Shën Marisë, ka qenë me dy kambanore, e tipit bazilikal me tri nefe. Rrënojat e saj kanë arritur deri në vitet 1990. Memorie.al
Burimet:
Theofan Popa. ‘Mbishkrime të kishave të Shqipërisë’. Botim i Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Historisë. Tiranë 1998;
Admirina Peçi. Shqiptarja.com. Lufta kundër fesë, Si u mbyllën brenda gjashtë muajve 2169 kisha e xhami;
Kartelat e Muzeut Kombëtar ‘Onufri’, Berat: Nr.97, 98 Agron Polovina;
Kartelat e Fondit të Monumenteve të Kulturës Berat. Nr. 647;
Gjergj Haxhi Mihali, “Diturija” “Berati plak”, Vol. II, Nr. 9.10.11., 1927;
C. Praschniker – A. Schober, Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro, Wien 1919;
Ksenofon Ilia. Kishat e Beratit, Berat, 2006;
Parashqevi Sahatçi, Albumi “Berati në fototeka”;
Luan Rama. Gazeta Shqip 26 prill 2017. Tashmë e njohim portretin e zbuluesit të Kodikëve të Beratit;
-Autori, me profesion piktor dhe historian arti, prej vitesh jeton në qytetin Montreal, Kanada.
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016