Nga Bashkim Trenova
Pjesa e njëzetë
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
Vijon nga numri i kaluar
Armiqtë e popullit
Kiço Fotiadhi, një zë i talentuar i Radio-Televizionit Shqiptar me “njollë në biografi” !
Një tjetër zë i talentuar i Radio Televizionit Shqiptar ka qenë edhe Kiço Fotiadhi. I qetë, i qeshur, optimist, ai ndoqi traditën e leximit të krijuar nga Haki Bejleri dhe e çoi më tej atë. Kiço Fotiadhi ishte i të njëjtit brez me mua. Në vitin 1966, pasi mbaroi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, ai u emërua si spiker kryesor në Radio-Televizionin Shqiptar. Bashkëpunimin me Radio Tiranën e kishte nisur që nga viti 1959. Ndërsa ishte ende nxënës në Liceun Artistik, ai filloi të flasë si bashkëpunëtor i jashtëm në mikrofonin e Radio Tiranës. Në atë kohë, Radio Difuzioni Shqiptar transmetonte me orë të reduktuara, në 06-08 e mëngjesit, në 12.00 – 18.00 dhe pastaj në orët 20.00-22.00 në mbrëmje.
Në vitin 1960 nisi transmetimet televizioni eksperimental shqiptar. Edhe këto ishin mjaft të reduktuara, filluan me një orë transmetim dy here në javë, vetëm për kryeqytetin, Tiranën. Me 13 mars 1963, ndërsa studionte për aktor në Institutin e Lartë të Arteve, Kiço Fotiadhi jep emisionin e parë të lajmeve në televizionin eksperimental shqiptar. “Në vitin 1963’, do të thotë ai, ‘Stoli Beli më propozon mua për të dhënë lajmet në Televizion. Unë shkova dhe fillova të punoja me kamerën. Bëra një javë praktikë. Studioja ishte një sallë e thjeshtë 5 x 6 metro, një tavolinë e thjeshtë dhe një stol i vogël”. Në atë kohë e gjithë Tirana, duke përjashtuar ‘Bllokun’ ku banonin udhëheqësit e lartë partiakë e shtetërorë, mund të kishte nja 15-30 copë televizorë bardhë e zi.
Me kalimin e viteve Kiço e zgjeroi shumë gamën e punës së tij në Radio-Televizion, gjë që rriti gjithashtu edhe personalitetin e tij. Përveç leximit të lajmeve, ai u mor edhe me bisedat politike, shoqërore, ato historiko-kulturore, me paraqitjen e spektakleve, por edhe me telereportazhin. Kiço Fotiadhi karakterizohej nga një forcë e shëndoshë në leximin logjik të tekstit dhe për diksionin e tij të pastër. Ai dinte ta përdorte gjuhën amtare në mënyrën më të përkryer.
Nuk qe e thënë edhe për Kiçon të vazhdonte gjatë në Radio-Televizionin Shqiptar. “Radiologët” politikë zbuluan se edhe ai ishte me “njollë në biografi”. Në një letër anonime të dërguar nga fshati, nga e kishin origjinën prindërit e tij, thuhej se babai i Kiços kishte qenë anëtar i Partisë Fashiste. Anëtarë të Partisë Fashiste, sipas një urdhri zyrtar, ishin automatikisht në atë kohë, të gjithë ata që punonin në administratë. Ky “rregull” e përcaktonte të tillë edhe babanë e Kiços. Më tej në letër shkruhej se: nëna e Kiços kishte kushërira të para, të dyta, të treta të arratisura në Greqi. Në atë kohë, të kishe një të afërm të arratisur nga Shqipëria ose jo të arratisur, por thjesht të larguar, madje para Luftës së Dytë Botërore, si emigrant ekonomik, ishte e mjaftueshme që të ishe politikisht i dyshimtë për diktaturën. Pasojat nuk mungonin. Kështu, më 1 korrik 1974 edhe Kiçon e larguan nga Radio Televizioni dhe e degdisën, së bashku me gruan, punëtor në një fermë ku duhej të mbërthente me thumba arkat me kastravecë apo domate të përgatitura për treg.
Mbas dy vjetësh e çojnë për dy vjet të tjera të punojë në zonën malore të Lurës në veri të Shqipërisë dhe më pas rikthehet në Tiranë si drejtor i Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi”. Ndërkohë u hoqën nga arkivi i Radios emisionet speciale që ishin bërë me zërin e Kiços dhe u hoqën nga Televizioni kronikat e tij. Kiço trokiti lart deri tek disa të njohur të babait të tij në Byronë Politike, por trokitja binte në vesh të shurdhër. Vetëm në vitin 1980, atij iu bë e mundur të rifillojë bashkëpunimin me Radio-Televizionin Shqiptar. “Atëhere filloi restaurimi im biografik”, do të thotë Kiço. Siç duket, u “sqarua” se diagnostikimi kishte qenë i gabuar, pra “njolla” nuk ishte e vërtetë ose, së paku, nuk paraqiste rrezikshmëri. Për tërë këto vite stresi, diskriminimi dhe denigrimi as që mendohej se dikush duhej të mbante përgjegjësi. Vetë Kiço dhe familja e tij duhet, madje, t’ua dinin për nder Partisë së Punës dhe diktatorit e shokëve të tij, që u treguan “objektivë” dhe e panë me zemër në dorë problemin e tij.
Letrat anonime ndaj Alfon Gurashit, mjeshtrit të gazetarisë televizive!
Lista e atyre që u larguan apo që prisnin të largohen, në ato vite dhe më pas nga Radio Televizioni, është shumë e gjatë. Ishte koha e letrave anonime, e shpifarakëve, hakmarrësve dhe larësve të llogarive. Kjo ushtri aktive e regjimit ishte shpatë mbi kokat e të gjithëve, pavarësisht meritave në punë, stazhit, pavarësisht edhe devotshmërisë që mund të kishe treguar duke i shërbyer diktaturës, për një arsye apo një tjetër. Një letër e tillë u dërgua në Drejtorinë e Përgjithshme të Radio-Televizionit edhe kundër Alfons Gurashit, njërit prej radio kronistëve dhe telekronistëve më të mirë, më të aftë e të talentuar që ka patur ky institucion, një gazetar i lindur. U përgatit largimi i tij nga puna sepse në këtë letër pohohej se babai i Alfonsit kishte qenë federal fashist gjatë viteve ‘40-të. Babai i Alfonsit, Kola, ashtu si edhe babai i Kiços, ishte në ato vite një mësues i nderuar dhe i respektuar.Të tjera letra që kërkonin largimin e Alfonsit nga Radio-Televizioni Shqiptar “kujtonin” se ai kishte një xhaxha, Rrok Gurashin, klerik katolik, të burgosur nga pushteti popullor. Të tjera “kujtonin” se ai kishte një vëlla për babë të arratisur në Australi etj.
Ironia është se figura të tilla si Kiço Fotiadhi apo Alfons Gurashi, në shënjestër të spastrimeve të mëdha që u bënë në Radio- Televizionin Shqiptar gjatë diktaturës, u larguan prej andej ose u zhvendosën nga ekrani edhe pas përmbysjes së diktaturës, pas vitit 1992. Kiço Fotiadhin e larguan sepse kishte lexuar dikur në mikrofon dhe në kamera fjalime të Enver Hoxhës, pra sepse i kishte shërbyer me besnikëri monizmit! Pas kësaj fillon për Kiçon një periudhë e re e vështirë, sidomos pasi mbyllet edhe Pallati i Kulturës Ali Kelmendi ku ai vazhdonte të ishte drejtor i saj. Për të jetuar ai shërben si përkthyes për disa tregtarë, i papunë shkon edhe tek fëmijët e tij emigrantë në Greqi. Në vitin 1997 do të kthehet nga Greqia dhe do të rifillojë bashkëpunimin me Televizionin Shqiptar.
Alfons Gurashin e larguan nga Televizioni shqiptar sepse kishte bërë radio kronika dhe telekronika nga vizitat e ndryshme të diktatorit në Shqipëri! Portreti i tij nuk duhej të ishte më i pranishëm në ekranet e televizionit! Ai kaloi në Radio Tirana për të vazhduar punën atje ku e nisi ditën e parë. Në Radio Alfonsi ndërtoi një emision në bazë të të cilit ishte bashkëbisedimi direkt me dëgjuesit. Edhe këtu nuk iu ndanë “anonimët”. Një ditë në bisedë në telefon i del dikush që fillon t’i “kujtojë” Alfonsit biografinë e tij. Pasi e dëgjon pa e ndërprerë, Alfonsi i thotë: “More se harrova, e nuk të pyeta. Nga ishe ti?” Nga telefoni personi në linjë i përgjigjet: “Nga Kruzha”. “Shumë mirë, shton Alfonsi. Ti duhet ta dish se në Kruzhë ka një fjalë të urtë që thotë se: “çdo fis e ka një pis.” Kruzhaku nuk e zgjati më tej bisedën, u largua nga linja. Disa kohë më pas u largua edhe Alfonsi nga Radioja.
Ndryshe nga Kiçon, që e njoha në Radio Tirana, Alfonsin e kisha njohur që fëmijë. Të dy kemi qenë në rrethet e pionierëve në Pallatin e Kulturës Ali Kelmendi. Unë isha në në rrethin e korit, Alfonsi ishte në rrethin e Teatrit. Ai edhe recitonte shumë bukur. Ishte këmbëngulës dhe donte të arrinte me çdo mënyrë atë që synonte. Më kujtohet se si në vitin 1956, u mblodh Kongresi i III i Partisë së Punës të Shqipërisë. Pionierët e Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi” u zgjodhën për të përshëndetur këtë Kongres. Mua më caktuan të isha në treshen e parë të pionierëve që do të hynin në sallën e Kongresit. Bëmë disa herë prova se si do të hynim e si do të dilnim nga salla. Në momentin e fundit, para hyrjes, më dhanë edhe një trombë pionierësh në dorë dhe më thanë se duhet t’i bija asaj si sinjal se pionierët arritën. Bëra një provë, por tingulli nuk dilte ai që duhej. Pa humbur kohë, Alfonsi ma merr nga dora trombën, i bie asaj ashtu siç duhej. Ai zuri vend në treshen e parë dhe unë u zhvendosa diku andej nga fundi.
E takova sërish më pas Alfonsin në «Shkollën e Kuqe», në gjimnazin “Çajupi” dhe në Fakultetin Histori-Filologji. Ai ishte gjithnjë i qeshur, gjithnjë i gatshëm për të marrë pjesë në shakatë më të papritura si ajo e një mbrëmjeje të viteve të gjimnazit, kur po zhvillonim mësimin e përgatitjes ushtarake. Në fushën e sportit të Shkollës së Bashkuar “Enver Hoxha”, që përgatiste oficerë për ushtrinë shqiptare, ndërsa në errësirë instruktori ushtarak po na jepte shpjegimet e rastit, Alfonsi bashkë me një tjetër, që nuk më kujtohet, i afrohen dhe nga pas urinojnë mbi pallton e tij!
Alfonsi mbaroi studimet një vit para meje dhe filloi punë në Radio Tirana në vitin 1965, pra një vit më parë nga unë. Po në këtë vit filloi punë në këtë institucion edhe Agron Çobani. Ashtu si kur kujtojmë folësit e emisionit të lajmeve e nuk mund të përmendim Haki Bejlerin, pa kujtuar njëkohësisht edhe Vera Zhejin ose e kundërta, edhe kur flasim për kronikanët e kohës, nuk mund të flasim për Alfonsin, pa kujtuar Agronin apo e kundërta. Të dy këta i dhanë një hov të dukshëm radio kronikës duke mbuluar problemet politike, ekonomike dhe sociale në Redaksinë e Informacionit. Falë atyre, mund të thuash pa gabuar, u krijua edhe shkolla e radio kronikës shqiptare.
Në më shumë se 30 vjet punë në Radio-Televizionin Shqiptar, Alfonsi realizoi, gjithnjë me sukses, kronika, intervista, reportazhe të panumërta. Ishte ai, Alfonsi, që nisi së pari të fuste në kronikat e tij lëvizjen studentore kundër regjimit, ishte ai sërish që na dha të ekranizuar rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës, që njoftoi mbi krijimin e partisë së parë opozitare, Partisë Demokratike.
Bashkëpunimi im i parë me Alfons Gurashin, që nuk ishte komunist!
Unë kam patur vetëm në një rast, një “bashkëpunim” të vogël me të si radio kronist. Alfonsi kishte regjistruar një bisedë me një kryetar kooperative bujqësore. Kur po afrohej ora e transmetimit, në kohën e montazhit në studio, ai kuptoi se regjistrimi ishte dëmtuar, ishte i pa transmetueshëm teknikisht. Më thërret mua dhe më kërkon që të bëj rolin e kryetarit të kooperativës. Unë pranova. Ai më bëri disa pyetje dhe unë iu përgjigja atyre ashtu siç më thoshte Alfonsi. Në fund e pyeta se mos i krijohej ndonjë problem meqë kryetari do të kuptonte se nuk ishte zëri i tij. Alfonsi më siguroi se, në një rast të tillë, ai do t’i shpjegonte kryetarit se në mikrofon zëri pësonte njëlloj ndryshimi, pra nuk ishte besnik i origjinalit! Sidoqoftë, më tha Alfonsi, kryetari do të gëzohet që doli në një emision të lajmeve të Radio Tiranës.
Alfonsi nuk ishte komunist, nuk kishte asgjë të përbashkët me komunizmin dhe tiraninë, kulisat apo intrigat e tij. Pas vdekjes së tij të papritur, nuk u dëgjua asnjë zë, nuk u shkruajt asnjë radhë që do ta akuzonte atë si shërbëtor i bindur i diktaturës, si gazetar i kultit të diktatorit apo si lajkatar i pushtetit. Përkundrazi, ai u cilësua si “mbreti” i kronikës, si “ikonë” e gazetarisë. Vetë kryeministri shqiptar, zoti Sali Berisha, do të thoshte me këtë rast se: “Alfonsi ishte një gazetar i emancipuar me një veprimtari të fuqishme krijuese, publicistike, gazetareske, por ishte njëkohësisht një qytetar, një prind, një familjar, një mik, një shok i dashur për të gjithë ata, që e kanë njohur.Në këtë kontekst ai le pas dhimbjen e një humbjeje të vërtetë për gazetarinë, por edhe si qytetar, si njeri me vlera të arrira njerëzore”. Në Shqipëri i nderojnë shumë të vdekurit, madje më shumë se të gjallët! Në këtë rol “Palmën e artë” e meritojnë, sidomos, krerët e politikës, të cilët duken sikur me zor presin një vdekje për të shpalosur të gjithë oratorinë e tyre.
Alfonsi vdiq në maj të vitit 2007 në një dasëm. Nuk ka vdekje më të bukur! I gëzuar siç ishte gjithnjë në jetë, ai vdiq midis gëzimit, u largua së bashku me të.
Në 18 nëntor të vitit 2011 kam marrë një mesazh nga Tamara Gaci, ish përkthyese e emisionit të rusishtes në Radio Tirana. Pasi lexoi një pjesë të kujtimeve të mia, ato që lidheshin me Radio Tiranën, ajo më shkruan: “Baçi! Lexova materialin me kureshtje dhe me vëmendje, por shpesh sytë më mbusheshin me lot, te cilët përziheshin me lajtmotivin e një kënge ruse me këto fjale: “Kak mollodi mi bili, (sa të rinj kemi qenë), Kak mollodi mi bili (sa të rinj kemi qenë), Kak verili sebja (sa besonim në vetvete). Ishte një kohë tmerrësisht e vështirë në pranverën e jetës tonë, por fatmirësisht ishte pranvera. Dhe falë të gjithë koloritit të saj të fuqishëm si: Forcë rinore, besimi në vetvete, naiviteti, entuziazmi, ëndrrat, dëshira për të jetuar dhe lulëzuar, ne mbijetuam dhe lamë mbrapa “Gulagun” e gjithë popullit shqiptar. Lamë mbrapa edhe pranverën tonë.
Tani të gjithë protagonistët që kemi mbetur nga Radio-Tirana e asaj kohe , jemi në moshë; ne moshë te pjekur, te shumtët janë bile edhe të përzhitur nga ajo kohe;përzhitur deri në thellësi të shpirtit.
Ky ishte fati ynë. Personalisht nuk kam urrejtje për asnjë nga kolegët dhe bashkëpunëtorët, sepse e di që edhe ata të kuqtë, të kuq shumë, nuk vepruan me dëshirën e tyre. Të themi që është çështje karakteri?! Edhe këtë pyetje shpesh e eliminoja me një fjalë: Fëmijët – gjëja më sublime për çdo njeri.
Mbas dallgëve të fuqishme që kemi lënë mbrapa, i uroj të gjithëve pleqëri të mbarë, ripërtëritjen në fëmijët dhe nipërit tanë, në Shqipërinë e lirë, të bukur siç e kemi ëndërruar, në Shqipërinë evropiane.”
STAZHI PËR KOMUNIST DHE KOMUNIST NE OFIÇINËN E AUTOMJETEVE TË NDËRTIMIT
Ishte Bardhyl Zekia, shoku dhe kolegu im në Redaksinë e Lindjes, ai që më shtyu të bëja kërkesën për tu pranuar anëtar i Partisë së Punës. Kështu, siç më thoshte ai, Kiço, Hasani, Dhori e të tjerë, nuk do të kishin mundësi të flisnin dhe të vendosnin për mua pa praninë time. Unë vetë nuk kisha ndonjë shtytje për tu bërë komunist. Veten e ndjeja të tillë edhe pa qenë anëtar i Partisë së Punës. Unë, madje, ndjehesha më i devotshëm si komunist se mjaft prej atyre që, sipas meje, ishin të tillë me teserë, por jo me zemër, që kishin mbushur radhët e Partisë si kontrabandistë dhe jo si militantë të një ideali sublim.
Organizata e Partisë e Radios së Jashtme më pranoi si kandidat për anëtar të Partisë së Punës.Ajo vendosi që unë gjatë tri vjetëve të punoja tri ditë në javë në Radio, pra të vazhdoja punën si gazetar.Tri ditët e të tjera të javës duhet të punoja në një qendër prodhimi, midis klasës punëtore. Sipas rregullit, vendimi i organizatës së Partisë së Radios së Jashtme u shqyrtua në Komitetin e Partisë së Rajonit, që mbulonte edhe Radio-Televizionin Shqiptar.Ky Komitet e miratoi kandidaturën time.
Pas disa ditësh m’u tha të shkoja e të filloja stazhin si punëtor në Ndërmarrjen Rruga-Ura që ndodhej në periferi të Tiranës. Nuk e kisha idenë se me se do të merresha atje. Dija se kjo ndërmarrje kujdesej për mirëmbajtjen apo asfaltimin e rrugëve të kryeqytetit. Për hapje rrugësh të reja nuk bëhej fjalë. Gjatë afro gjysmë shekulli pushtet komunist në Shqipëri, në Tiranë, përveç unazës së brendshme të qytetit dhe ndonjë rruge të vogël në atë që quhej “Tirana e re”, pothuajse nuk u ndërtua asnjë rrugë tjetër. Kështu veten e shihja duke shoqëruar me lopatë ndonjë rul, që presonte asfaltin e hedhur rishtas diku në qendër apo në rrethinat e Tiranës, në dimër apo në verë, sipas rastit. Kjo do të ishte kalitja ime ideologjike, njohja me jetën, me klasën punëtore dhe problemet e saj! Atëhere përdorej shumë parulla: “Komunisti është ushtar i Partisë”, gjë që nënkuptonte Partinë, si ushtri dhe disiplinën e Partisë si disiplinë kazerme, pra bindje e verbër ndaj komandës. Verbëria barazohej kështu me devotshmërinë! Parapëlqehej, madje, që ajo të ishte sa më e thellë për t’u ngjitur kështu edhe më lart në shkallët e devotshmërisë.
Në ditën e caktuar u paraqita në Ndërmarrjen Rruga-Ura për të filluar punë. Atje më thanë se nuk kishin asnjë vend të lirë në organikë, pra, unë nuk mund të bëja stazhin e kandidatit të Partisë në këtë ndërmarrje. Për pasojë, Komiteti i Partisë së Rajonit vendosi që unë të bëja stazhin në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit (OAN), që ishte fare pranë Ndërmarrjes Rruga-Ura.Unë isha “ushtar” i Partisë dhe do të shkoja atje ku mendonte Partia. Mund të isha edhe kooperativist, edhe fshesaxhi, edhe kujdestar i ndonjë stalle kuajsh, asgjë e kësaj natyre nuk ishte e përjashtuar.
Në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit takova fillimisht me drejtorin e saj, Agim Hysa, një burrë i shkurtër, mjaft dinamik, me një të folur të shpejtë e të hapur. Gjatë tre vjetëve sa qëndrova në OAN dhe më pas, ruaj për të kujtimin më të mirë Ai gëzonte respektin e punëtorëve të Ofiçinës. Rastësisht kam takuar në Bruksel, 35 vjet pasi isha larguar nga Ofiçina, një ish përgjegjës reparti të saj, Lutfi Dashin. Ai kishte ardhur për vizitë tek djali i tij. E pyeta, midis të tjerave, edhe për Agim Hysën. Lutfiu më tha se ai kishte vdekur. Punëtorët e Ofiçinës së Automjeteve të Ndërtimit, kishin mbledhur fondet e nevojshme nga kursimet e tyre dhe kishin ngritur në oborrin e ofiçinës një bust të tij. Nuk besoj se mund të ketë ndonjë rast tjetër të ngjashëm, së paku në Shqipëri.
Në OAN nisa punë në repartin e baterive. Në këtë repart grumbulloheshin bateritë e prishura të automjeteve, hiqeshin nga kutitë e tyre pjesët e plumbit dhe shkriheshin në një furrë të improvizuar për t’u derdhur në formën e mëparshme dhe për t’u vënë sërish në përdorim. Në këtë repart punonin pesë vetë, Milto Mima si përgjegjës, Haxhi Kulla, Liria, Lulja dhe një grua tjetër që e thërrisnin “nusja”. Me Milton u miqësuam shumë shpejt. Ai ishte kunati i Robert Shvarcit, me të cilin unë kisha vite që punoja në Radio Tirana. Motra e tij, Aristeja, ishte martuar me Shvarcin. Edhe bisedat tona të para u bënë rreth Robert Shvarcit.
Puna në repartin e bateristëve nuk ishte e vështirë, por rreziku ishte i madh. Furra e shkrirjes së plumbit ishte pothuajse e hapur. Nga kazani i saj avujt e plumbit qarkullonin lirisht në hapësirën e repartit dhe “ngopnin” mushkëritë e gjakun e punëtorëve të saj e më tej. Të gjithë ishin të ndërgjegjshëm për rrezikun, por nuk i shmangeshin dot atij, sepse puna në këtë repart ishte e paguar disi më mirë se në repartet e tjera. Masat e mbrojtjes së shëndetit ishin zero, po të përjashtojmë një apo dy gota qumësht tejet i skremuar për person çdo ditë, një analizë vjetore gjaku e detyrueshme dhe një veshje pune doku një herë në vit apo në dy vjet, nuk jam i sigurt.
Si e gënjeva drejtorin e OAN-it, për punëtorin që çonte qumështin në shtëpi!
Tek bateristët pashë se si punëtorët nuk e pinin qumështin që u jepej për punën që bënin, por e ruanin atë për ta çuar fshehurazi në shtëpi, për të ushqyer fëmijët e tyre. Një herë më rastisi të isha dezhurn në hyrje të Ofiçinës, si të thuash njëlloj kontrollori apo përgjegjësi për hyrje-daljet e automjeteve dhe të njerëzve në Ofiçinë. Pak para mbarimit të punës më afrohet drejtori, Agim Hysa, dhe më thotë se gjatë largimit të punëtorëve, unë do të ndaloja Haxhi Kullën, të cilin do ta shoqëroja deri në një kabinë të vogël, që shërbente si “zyrë” apo post i dezhurnit. Ai kishte sinjalizime se Haxhiu nuk e pinte qumështin, por e dërgonte në shtëpi. E ndalova Haxhiun në hyrje dhe e shoqërova në kabinë. Atje priste drejtori, Agim Hysa. Ai më tregoi një enë të vogël, që Haxhiu e mbante në dorë. “Kontrolloje”, më tha. Unë e hapa enën, e tunda disa herë majtas e djathtas dhe në fund thashë: “Nuk ka gjë, është bosh!”. Haxhiu u largua i qetë, por mjaft mirënjohës ndaj meje.
Në të vërtetë unë gënjeva. Ena kishte në fund një apo dy gota qumësht, që qumësht kishte vetëm emrin, sepse ishte më tepër ujë se qumësht. Me ndërgjegjen si komunist nuk mund të isha i qetë. Me ndërgjegjen si njeri ishte ndryshe. Po të kisha treguar të vërtetën, Haxhiu do të ishte dënuar. Nuk mund të them me saktësi se ç’masë mund të merrej ndaj tij, por edhe largimi nga puna si “vjedhës” nuk përjashtohej. Në biografinë e tij kjo “etiketë” nuk do t’i ndahej kurrë. Për kaq gjë të tjerë kishin provuar edhe burgun. Sigurisht që tërë këto arsyetime nuk më erdhën në mendje në çast. Thashë se “ena është bosh”, sepse ashtu e ndjeva që duhej thënë. Nuk desha që Haxhi Kulla, një punëtor i shkëlqyer, që një pjesë të mirë të jetës e kaloi i pambrojtur midis avujve të plumbit e të acidit të baterive, të ndëshkohej sepse mendoi më parë për fëmijët se sa për veten, për shëndetin e tij.
Në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit pashë se “kujdesi” i nënës Parti për klasën punëtore, që trumbetohej si klasa, që zotëron në mënyrë të pandashme pushtetin në të gjithë vendin dhe në të gjitha hallkat e tij, ishte pothuajse zero! Në sajë të këtij “kujdesi” nuk pushonin së shtruari në spital për helmim të gjakut njëri pas tjetrit për vite me radhë punëtorët e repartit të baterive. E pyeta Lutfi Dashin për ta, kur e takova në Bruksel. Ai më tha se Haxhiu kishte vdekur, po kështu “nusja” dhe Liria, për Lulen nuk dinte a ishte gjallë apo jo. Asnjë prej tyre nuk kishte moshën për t’i thënë “lamtumirë” jetës, fëmijëve, familjeve. Ata nuk u pushkatuan si armiq të pushtetit popullor, nuk u qëlluan me plumb në kokë apo në zemër nga skuadra pushkatimi. Zemra e tyre pushoi së rrahuri sepse avujt e plumbit helmuan gjakun e saj. “Armiqtë e pushtetit”, sikurse cilësoheshin kundërshtarët e tij dhe “krenaria e pushtetit” sikurse cilësohej e quajtura klasë punëtore, i bashkonte kështu, jo rrallë, i njëjti fat tragjik, vdekja nga plumbi. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016