Dashnor Kaloçi
Pjesa e gjashtë
Memorie.al/publikon historinë e panjohur të Jetullah Gashit me origjinë nga katundi Mramor i Prishtinës, i cili në vitin 1964, kur ishte gjimnazist, vendosi që të arratisej dhe kaloi kufirin shtetëror në zonën e fshatit Zogaj të rrethit të Tropojës, pasi e mbajtën disa ditë duke e marrë në pyetje në Degën e Punëve të Brendshme të qytetit “Bajram Curri”, e sollën në qytezën e Shijakut, duke e sistemuar në një bazë të Sigurimit të Shtetit, e cila quhej “Qendra e filtrimit e emigrantëve kosovarë”, që arratiseshin nga Jugosllavia dhe vinin në Shqipëri Për disa muaj ai i’u nënshtrua hetuesisë intensive nga ana e oficerëve të Sigurimit të Shtetit që vinin nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe që mbulonin “emigracionin kosovar”.
Dërgimi i tij në rrethin e Korçës ku mbaroi shkollën e mesme në qytezën e Maliqit dhe më pas në Tiranë Ai ndoqi studimet e larta universitare në fakultetin e Mjekësisë, të cilat ai i përfundoi në vitin 1971 dhe u emërua në Elbasan, si mjek pranë spitalit të atij qyteti. Arrestimi i tij në vitin 1977, pas disa kohësh përgjimi dhe ndjekje nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, “si agjent i UDB-së”. Pas disa muajsh tortura ç’njerëzore, u dënua me 25 vite burg politik, të cilat i vuajti në kampet e Spaçit, Qafë-Barit, Burrelit etj., nga ku u lirua në fillimin e vitit 1991, me shembjen e regjimit komunist.
“Ishte data 30 gusht e vitit 1964, kur unë pasi preva biletën e trenit nga Prishtina për në Shkup (ku punoja me babën), gjatë gjithë rrugës, vetëm mendoja se si do të arrija në Shqipëri, gjë që kishte kaq ditë që e bluaja në kokë. Unë në atë kohë nuk kisha asnjë lloj informacioni për kufirin shtetëror, Jugosllavi – Shqipëri dhe nisur nga ky fakt, vajta në stacionin e autobusit në Shkup, ku preva biletën për në Gjakovë dhe aty mbërrita në orët e vona të natës. Zbrita nga autobusi dhe nuk dija nga të shkoja, pasi s’kisha qenë asnjë herë në Gjakovë. Duke bërë gjithë përpjekjet për të shmangur kontaktet me njerëz, mora rrugën që kishte më pak qarkullim. Në fund të kësaj rruge, pashë një furrë buke, bleva disa simite dhe vazhdova të njëjtën drejtim rruge në errësirën e natës. Në krahun e djathtë të rrugës, pashë një gardh, të cilin e kalova dhe hyra brenda në kopsht. Vendosa të flija aty. Afër rrethimit, gjeta një vend të sigurt që më mbronte, pasi herë pas here kishte të lehura qensh. I lodhur më kishte zënë gjumi. U zgjova në mëngjes, pasi shikova rreth e qark vendin, u ngrita kapërceva gardhin e dola përsëri në rrugë. Kushëriri im Kadriu, më kishte thënë që kufiri për në Shqipëri, kalon nga majat e disa kodrave të ç’veshura”. Kështu e kujton 75 vjeçari Jetullah Gashi nga Kosova, momentin e arratisjes nga Jugosllavia në Shqipëri. Pasi u diplomua në fakultetin e Mjekësisë në Tiranë dhe shërbeu disa vite si mjek në spitalin e qytetit të Elbasanit, në prillin e vitit 1977, u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, duke u akuzuar si “agjent i UDB-së” dhe u dënua me 25 vjet burg. Torturat gjatë hetuesisë dhe dënimi me 25 vite burg. U liruar me të dënuarit e fundit që dolën nga “ferri komunist”, largimi për në Zvicër tek të afërmit e tij, kthimi në Shqipëri dhe largimi përfundimisht për në Kosovë, ku jeton dhe sot me familjen e tij. Lidhur me këto dhe ngjarje e fakte të tjera nga jeta e tij e dhimbshme, mjeku Jetullah Gashi, dëshmon ekskluzivisht për Memorie.al.
Zoti Jetullah, gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, a fituat ulje dënimi me ndonjë amnisti?
Nga fundi i vitit 1982, regjimi komunist i atëhershëm, shpalli gjoja një amnisti për të burgosurit politik dhe ordiner. Ne të burgosurit politik, nuk përfituam pothuajse asgjë. Shumica e të burgosurve politik që kishin bërë mbi 20 vite, nuk përfitouan. Rexhep Koçi, që kishte bërë mbi 18 vite burg, për 13 ditë që i kishin mbetur nga vuajtja e dënimit, vajti për të pyetur në Komandë, dhe ata i thanë: se nuk lirohesh, do të përfundosh edhe këto 13 ditë.
Për 13 ditë nuk e liruan Rexhepin me amnistinë…?!
Po për 13 ditë nuk e liruan dhe Rexhepi u mërzit shumë e kishte frikë se mos gjatë këtyre dy javëve që i kishin mbetur, mund ta ri dënonin përsëri. Rexhepi kishte punuar shumë, për të përfituar këto 4 – 5 ditë dhe ndërkohë unë dhe Sandër Sokoli, u munduam ta qetësonim, duke e parë që ai u trishtua e ligështua shumë. Të nesërmen kur u nisëm për në punë, po shikoja Rexhepin që nuk kishte dëshirë dhe forcë për t’ju ngjitur kodrës, për në galeri! E pyeta disa herë se mos ishte i sëmurë. “Jo’, tha Rexhepi, ‘mirë jam doktor”. Arritëm te barakat, ku do të ndërronim veshjet, me ato të punës për në galeri. Unë dola i pari nga baraka dhe po e prisja Rexhepin jashtë, por ai nuk po dilte dhe e thirra përsëri, e ai m’u përgjigj: “Ecni ju, se po ju ndjek nga pas”. Dhe këto ishin fjalët e fundit që dëgjova prej atij njeriu të çeliktë. Unë u nisa e shkova në frontin e punës në galeri dhe sapo kisha filluar me vendos trupat e drurit, m’u afrua një nga të dënuarit. e më tha: “Doktor shpejt, po na kërkojnë me dalë jashtë”.
Çfarë i kishte ndodhur Rexhepit?
Kur dolëm jashtë, marr vesh se ushtari në vendroje, kishte qëlluar me armë automatike mbi Rexhepin, pasi, sipas tyre, ai kishte tentuar të kalonte telin e rrethimit, që ishte jo më larg se një metër e gjysëm, nga baraka ku ne ndërronim rrobat që rrinim në kamp, me atë të punës që hynim në galeri. Mjeku i dënuar, Fadil Spahiu, me ndihmës mjekun, Isuf Hoxha, ishin munduar që t’i jepnin ndihmën e shpejtë Rexhepit, por Rexhepi nuk arrit as deri në kamp, i gjallë.
Ç’ndodhi më pas?
Të gjithë drejtuesit e Komandës, kishin dal e na vrojtonin më egërsinë më të madhe, se mos do të reagonim! Pas kësaj që ndodhi u duk se pati një gjendje të tensionuar dhe disi të frikshme në kamp nga ana e Komandës dhe kështu ata dyfishuan rojet, të cilët rrinin në gatishmëri e të armatosur drejt nesh. Të nesërmen do të fillonte rutina e përditshme drejt galerisë, por Rexhepin nuk e kisha më! Gjatë gjithë rrugës për në galeri, mallkoja veten që pse e lashë vetëm Rexhepin, duke e ditur që ai kishte problem me shikimin dhe mendoja e isha plotësisht i bindur, se: ai mund ta kishte kaluar gabimisht telin rrethues? Po e ndjeja veten keq dhe shkova i vetëm në frontin e punës, e nga mërzitja, punova e vendosa shumë shpejt trupat në galeri.
Përveç kësaj ngjarjes me Rexhepin, cilat kanë qenë momentet më të vështira gjatë vuajtjes së dënimit?
Pas humbjes së mikut Rexhep Koçit, ka qenë dhe një tjetër moment shumë i vështirë që kujtoj, jo vetëm i imi, por edhe i gjashtë bashkëvuajtësve të mi, kur na kanë detyruar të zbritnim në galeri në një furnelë, mbi 40 metra të lartë, duke kaluar peripeci të mëdha, të cilat na rrezikonin jetën. Edhe një rast tjetër, kur më është shembur materiali (pirit), ishte një vdekje e sigurt, po të mos manovroja, e të dilja duke u zvarritur, nga ai front i vështirë pune. Një trishtim të madh kam kaluar, kur mua më transferuan në burgun e Burrelit, në fundin e korrikut të vitit 1984, aty u takova me Nuredin Skraparin, i cili më tregoi se: “Me urdhër të komandantit, Edmond Caja, policia ka torturuar Sandër Sokolin, deri sa i ka thyer shtyllën kurrizore dhe si pasojë, Sandri, kishte ndërruar jetë”.
Kur e përfunduat dënimin, qëndruat në Shqipëri apo vajtët në Kosovë?
Pas lirimit nga burgu më 6 shkurt të vitit 1991, kam qëndruar në Tiranë deri më 30 maj dhe atë ditë kam udhëtuar me linjën ajrore për në Gjenevë të Zvicrës. Këtë ma ka bërë të mundur nipi im, që punon dhe jeton edhe sot në Gjenevë, Halil Abdullai, i cili më siguroi vizën, si vizitor me të drejtë nisje në datën e caktuar, që ishte 30 maj 1991.
Në çfarë qyteti apo kantoni shkuat në Zvicër dhe sa qëndruat aty?
Gjatë qëndrimit në Gjenevë tek nipi, erdhën të më vizitonin vëllai Hajrullai, e dajë Bajrush Brestovci. Pas mbarimit të afatit, me ligjet e shtetit zviceran, nipi më rekomandoi që të paraqitesha si azil-kërkues politik, në një qendër që ndodhej në Gjenevë. Këtu kam qëndruar afër një javë, e pas kësaj kohe, na kanë intervistuar 5-6 herë dhe në fund më kanë pyetur se ku mendoja të qëndroja në Zvicër, pasi të më mbaronte afati aty, gjë e cila ishte kompetencë e organeve zvicerane. Në Lugano, kam qëndruar tri javë dhe më pas na kanë transferuan në Zyrich, Oberengstringen Frangatoat.
Çfarë ishte ajo, qendër qëndrimi azil kërkuesish?
Po, në këtë qendër banimi të azil-kërkuesve ishin të gjithë shqiptarë. Gjysma ishin shtetas nga Shqipëria dhe pjesa tjetër shqiptar të Kosovës. Shteti zviceran na paguante 208 franga në muaj dhe ato ne merrnim të ndara në katër këste, çdo javë 52 franga. Në qendër kishim të gjitha kushtet të siguruara, si fjetja, pastërtia e higjena, kuzhina për gatim, si dhe frigorifer e televizor, kishim në çdo dhomë, të cilat ishin me ngrohje qendrore.
Si ishin aty marrëdhëniet në mes azilantve të Shqipërisë me ata të Kosovës?
Shumë keq shkonin dhe shpesh herë kanë ndodhur grindjet e përleshje ofenduese në mes shqiptarëve të Shqipërisë e të shqiptarëve të Kosovës, të cilët nuk i besonin rrëfimeve të vëllezërve shqiptar, duke ju thënë: “Mirë u a ka bërë Enver Hoxha, se asnjeri nuk e ka futur në burg apo internuar, pa bërë diçka”.
Kur dëgjonit këto mendime që kishin vëllezërit tanë nga Kosova për bëmat e Enver Hoxhës, si ndiheshit ju që i kishit vuajtur mbi kurrizin tuaj torturat dhe burgun e gjatë?
Shpesh, si ndërmjetësues, jam munduar t’i bind bashkëpatriotët e mi kosovarë, duke u thënë se: ‘të gjitha këto që tregojnë vëllezërit shqiptarë, janë të vërteta. Këto që po ju tregoj më kanë ndodhur edhe mua e shumë kosovarëve të tjerë, që kanë shkuar në Shqipni, duke na akuzuar me lloj lloj akuzash, gjoja në dëm të Shqipërisë e në favor të Jugosllavisë titiste’. Pas një pune intensive që bëra me kosovarët veç e veç, shumica u bindën për realitetin që ka qenë në Shqipëri gjatë regjimit diktatorial enverist.
Sa qëndruat në Zvicër?
Unë ndenja rreth 1 vit në Zvicër, pasi nuk munda të merrja azil politik edhe pse morra një avokat për mbrojtjen time, ishte e pamundur dhe kështu unë jam kthyer në Tiranë, me dt.18 dhjetor 1992.
Po si është e mundur që nuk u’a dhanë azilin politik në Zvicër, edhe pse ju kishit qenë në burgjet politike të regjimit komunist të Enver Hoxhës, kur në atë kohë azil politik u dha për shumë nga persekutorët tuaj, të cilët gjenden edhe sot në ato shtete perëndimore si azilant politikë?
Për të fituar azilin politik duheshin një sërë dokumentash nga Shqipëria, që unë jo vetëm nuk i kisha, por s’kishte as kush të m’i dërgonte dhe kështu kjo gjë ishte e pamundur. Ndërsa sa për persekutorët tanë që i’u dha azili politik, është krejt e pashpjegueshme dhe nuk di çfarë t’ju them asgjë. Këto absurditete që tashmë i përkasin së kaluarës, i kemi biseduar edhe me shumë nga bashkëvuajtësit, sa herë takohemi!
Pasi u kthyet në Shqipëri, çfarë bëtë, ku shkuat?
Sa kam zbritur në aeroportin e Rinasit, kam marrë një taksi dhe kam shkuar tek Xhavit Shatku, në rrugën “Bajram Curri”, në afërsi të Medresesë. Skënderi ishte një ish i burgosur politik nga regjimi komunist dhe para dënimit kishte punuar si pedagog i matematikës në Peshkopi. Ai ishte akuzuar si agjent të UDB-së jugosllave dhe ishte dënuar me 25 vite burg, të cilat i vuajti në burgun e Burrelit. (Me Skënderin isha liruar nga burgu me dt. 6 shkurt 1991 dhe së bashku kemi shkuar në Tiranë, tek Xhavit Shatku, që ishin kushëri të parë, pra baballarët vëllezër). Nëpërmjet nipit tim në Zvicër, Halil Abdullai, u lajmëruan vëllai im Hajrullai, të cilit i thanë se: ‘Jetullain e kanë kthyer në Tiranë’. Vëllai ka ardhur në Tiranë, për herë të parë në datën 29 dhjetor dhe pasi bisedoi me mua, duke më thënë: se dajallarët, Bajrush e Metush Brestovci, do të na kalonin tek dogana e Hanit të Elezit pa asnjë pengesë. Atëhere unë preva biletën e autobusit Tiranë-Shkup dhe në Shkup u takova me dajat, të cilët më qetësuan, që mos të merakosesha, se ishin marrë të gjitha masat, që të kaloja kufirin pa asnjë problem. Dhe kështu ndodhi, pas 29 vitesh, këmba ime po shkelte përsëri në tokën e Kosovës, pikërisht me dt. 31 dhjetor 1992. I shoqëruar nga daja Bajrush dhe vëllai, u futa në oborrin e shtëpisë në Prishtinë, afër varrezave të jahudive (hebrenjve)- Rruga “Taip Zeka”, ku edhe sot jetojmë unë e vëllezërit e mi.
Si e kujtoni takim me familjarët tuaj që s’i kishit parë që nga viti 1964, kur vendosët të largoheshit dhe erdhët në Shqipëri?
Ehhh (përlotet), pasi u përqafova me babain, e më pas me xhaxhallarët, Maliqin e Çerkinë, me vëllezërit e motrat, me hallën etj., me padurim e mallëngjim, po prisja të takoja nanën time, bijën e Zek Brezovcit, motrën e dajës Bajram e Naman! Pasi e pyeta disa herë babën e xhaxhallarët, (përlotet) në fund babai më tregoi, se nana kishte ndërruar jetë, para disa vitesh. Babai më tha: “Nana jote na e ka lënë amanet, mos me të tregue se më mërzitet djali”. Sado që njeriu mundet t’i përballojë dallgët e jetës, në atë moment më ka plasur vaji, e kam qarë si fëmijë.
Sot, pra pas kaq vitesh, duke pasur parasysh ato që u ndodhën juve këtu, (arrestimi, torturat, burgjet), a keni ndonjë pendesë, se përse morët atë vendim, pra për të ardhur në Shqipëri?
Ehhh, a jam penduar që erdha në Shqipëri…?! Po ju them se: Në kohën që unë, vendosa që të arratisem për në Shqipëri, kurrsesi nuk më interesonte se kush e udhëhiqte atë. Nuk më hiqet kurrë nga mëndja në atë kohë në Kosovë, kur shkonim në shkollë, në rrugën e hapur nga dëbora, shiheshin qartë gjurmët e gjakut të meshkujve, të cilët arrestoheshin dhe torturoheshin në ambientet e shkollës nga oficerët e UDB-së, gjatë aksionit për “mbledhjen e armëve”. Vendimi i profesoreshës Mania Gërbiç, duke më ngelur në klasë, gjë që bëri që të humbisja, vitin shkollor dhe kjo u bë shkas, që unë të vendosja përfundimisht, që të arratisesha për në Shqipëri./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016