Nga Bedri Blloshmi
Memorie.al/ Në këtë shkrim po publikoj dokumentin e Gjykatës së Lartë Ushtarake për varjen në litar të nacionalistit dhe patriotit Nezir Mehmet Muzhaqi, i cili ishte komandat i forcave të armatosura nacionaliste të Ballit Kombëtar për prefekturën Elbasanit. Neziri ishte vetëm 26 vjeç, ku me urdhërin direkt të diktatorit komunist Enver Hoxha, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua me varje në litar tek rrapi i Bezistanit në qytetin e Elbasanit, në vitin 1946. Fjala e tij fundit ishte: “Rroftë Shqipëria“!
Forcat komuniste partizane dhe ato nacionaliste të Ballit Kombëtar, bënë një marrëveshje që të bashkërendonin luftimet e tyre kundër armikut të përbashkët. Më 18 prill 1943, për këtë qëllim në sopat të Bërseshtës, përfaqësues nga të dyja palët zhvilluan një takim të përbashkët, ku nga forcat partizane morrën pjesë Tuk Jakova, Kadri Hoxha, Luto Leka etj. Ndërsa si përfaqësues të Ballit Kombëtar, ishin përfaqësuar nga Haki Blloshmi, Nezir Muzhaqi, Hasan Bej Velçani etj.
Kjo marrëveshje me komunistët u kthye në luftë civile dhe më 7 mars 1944, u vra pabesisht nga terroristët komunistë, komandanti i çetës, Haki Blloshmi, bashkë me të vëllanë dhe tre burra të tjerë nga familja Blloshmi. Aty në atë masakër, u vranë 37 burra nacionalistë.
Ndërsa më vonë, në kohën kur komunistët pushtuan Shqipërinë, në fillimet e vitit 1945, filluan terrorin mbi nacionalistët e mbetur gjallë. Ja dhe një fakt se si komunistët i dënonin kundërshtarët e tyre politikë. Lidhur me këtë, po publikoj këtu dokumentin arkivor me vendimin për dënimin me vdekje (pushkatim) të komandantit të Ballit Kombëtar, që mbante gradën e majorit, Nezir Muzhaqit.
GJYKATA E NALTË USHTARAKE
Nr. i Vendimit 200
P R O C E S – V E R B A L
Gjykata e Naltë Ushtarake e formueme prej:
N/Kolonel Gaqo Floq, Kryetar
Major Frederik Nosi, Antar
Kapiten I-rë Veledin Zejneli, Antar
Në prezencën e Prokurorit pranë kësaj Gjykate, Major Myftar Tares dhe me asistencën e Sekretarit, Aspirant Thoma Rinos, sot më datë 26/VII/1945, mori në shqyrtim aktet e padis penale kundër të dënuarit NEZIR MEHMET MUZHAQI, i biri i Mehmetit dhe i Hatixhes, vjeç 26 lindur e banues në katundin Polis, i cili në akt gjykimi Nr.79 datë 20 qershor 1945 të Këshillit Gjyqësue Ushtarak pranë Komandës së Qarkut T’Elbasanit, është dënuar ME VDEKJE dhe konfiskimin e pasurisë së tij të luajtshme e të pa luajtshme në bazë të neneve 14, 15 e 18 të ligjës Nr. 41 datë 14 janar 1945, mbi organizimin e funksionimin e Gjykatave Ushtarake, mbasi është cilësue si kriminel lufte dhe armik i popullit.
G j y k a t a:
Mbasi shqyrtoj proces-verbalin e mbajtur prej Komisionit Hetues për zbulimin e krimeve të luftës dhe armiqve të popullit;
Mbasi studioj deponimet e dëshmitarëve e të dëmtuarve që kanë bërë si në hetuesi dhe para Gjykatës së Faktit;
Mbasi shqyrtoj proves-verbalin mbi rrjedhimin e Gjykimit para Gjykatës së Faktit si dhe gjithë shkresat, deklaratat që ndodhen në dosje;
Mbasi mori mendimin e Prokurorit të saj, i cili kërkon të vendoset aprovimi i akt-gjykimit të sipërme si me vend dhe i bazuem në ligjë;
Mbasi studioj çështjen nga pikëpamja e faktit dhe e së drejtës:
O b s e r v o:
NË FAKTË:
NEZIR MEHMET MUZHAQI, ish një nga inspironjësit dhe organizatorët e organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar, me anë propagande dhe agjitacioni, është përpjekur të futi popullsinë e katundeve të ndryshme të rajonit të tij në radhët mercenare të Ballit dhe t’i largojë nga Lëvizja Nacional Çlirimtare, duke i hedhur në luftë kundra saj.
Si personalitet dhe eksponent i Ballit, u bë komandant mercenarësh, dhe ka patur nën komandën e tij 250-300 vetë, duke qenë njëkohësisht i propozuar të mbajë gradën Major; Ka marrë pjesë në shumë luftime kundra forcave të lëvizjes në bashkëpunim me ushtrinë naziste dhe në këso rastesh ka provokuar vjedhje, grabitje, plaçkitje e djegëje në katunde të ndryshme duke tmerruar popullsinë me vepra terroristike që bënte.
Është provokator i vrasjes së 5 Partizanëve të Brigadës së I-rë në Çermenikë. Në Qershorin e vitit 1944, ka vrarë me dorën e tij, Alush Agon së bashku me dy djemtë e tij, Asllan e Gjysh, nga katundi Velç – Mokër; Gjithashtu ka vrarë në Librazhd, Kasapin Tushi Koci Ambon, nga Pogradeci.
Ka vrarë katër veta të tjerë duke ekzekutuar dy veta me dorën e tij dhe dy, Gjindarmi i tij që kishte me vete, për të vetmin shkak se, formoj bindje se këta ishin njerëz të Lëvizjes.
I ka bërë pritje një Batalioni të Brigadës së III më 12 Dhjetor 1943, kur ky Batalion është hedhur në Polis, dhe në luftimet që janë zhvilluar ndërmjet fuqive të Lëvizjes dhe mercenarëve ballistë, që komandoheshin prej këtij e që kishin zënë pozicione të favorshme; luftim ky që zgjati 18 orë rresht, u shkaktua vrasja e 39 vetëve nga ana e fuqive të Lëvizjes dhe 38 veta janë zënë rrobë dhe u janë dorëzuar Gjermanëve.
Në muajin maj të vitit 1944, së bashku me kriminelët Shefki Kreka nga Goliku i Mokrës, Xhevdet Blloshmin nga Bërzeshta, Aziz Biçakun nga Letmi, Adem Velçanin nga Velçani i Mokrës dhe Haki Sadikun nga Trebinja, ka marrë pjesë në operacionin që është bërë në katunde të ndryshme, duke shkuar në katundin Llengë, kanë vrarë 30 e ca burra, të gjithë prindër e vëllezër Partizanësh dhe pjesëtar dhe simpatizuesa të Lëvizjes dhe midis tyre dhe babën e Partizanit, Dhimitri Marko, të quajturin Marko Pleshishti.
Ka bërë kontrollime e arrestime të ndryshme në qytetin e Elbasanit dhe i ka dorëzuar Gjermanëve shumë persona që i ka arrestuar si pjesëtarë ose simpatizuesa të Lëvizjes, të cilët janë internuar në fusha të ndryshme përqendrimi.
Me një fjalë ka kryer mjaft vepra kriminale kundra popullsisë dhe pjesëtarëve të Lëvizjes, ka luftuar vazhdimisht kundër Ushtrisë Nacional Çlirimtare, është përpjekur të mashtrojë popullsinë katundeve për, ta larguar prej Lëvizjes dhe për t’i hedhur në radhët tradhtarë të Ballit, duke i shërbyer kështu me plot vullnet dhe koshiencë dhunëtarëve dhe okupatorit nazist.
Fajet dhe veprat kriminale që u sipër-mëndën janë provuar plotësisht e në mënyrë bindëse nga procedimenti hetimuer i zhvilluar prej Komisionit hetues për zbulimin e kriminelëve të luftës dhe armiqve të popullit; nga deponimet e dëshmitarëve dhe të ankuesve Koçi Ambos, Kristaq Koçi Ambos, Neki Alush Agos, Nezir Qemal Qyrkut, Bajram Myslimit, Sefer Mahmutit, Demir Lekës, Isuf Vaskut, Jonuz Bishtogut, Veli Gjymengës, Dyle Elezit, Shahin Vlashit, Osman Allës e shumë të tjerë; nga ankesat deklaratat dhe akt-akuzat e ndodhura në dosje dhe që janë dhe që janë paraqitur nga të dëmtuarit; nga rrjedhimi i gjykimit para Gjykatës së faktit dhe nga pohimet e pjesshme të bëra prej tij.
NË LIGJE:
Akt gjykimi i Gjykatës së faktit është i konfirmuar në dispozitat ligjore përkatëse; gjithashtu dhe ndëshkimi i caktuar kundra të dënuarit është me vend edhe në proporcion me fajet dhe veprat kriminale të kryera prej tij.
P r a n d a j:
Gjykata e Naltë në bazë të nenit 31 të Ligjit Nr. 41 datë 14 Janar 1945 (të Ligjit Nr.41 thuhen katër fjalë) mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Ushtarake, duke pranuar dhe mendimin e shfaqur prej Prokurorit.
V e n d o s i:
Aprovimin e akt-gjykimit Nr.79 Dat. 20 Qershor 1945 të Këshillit Gjyqësor Ushtarak pranë Komandës së Qarkut Elbasan, me të cilin është vendosur ndëshkimi ME VDEKJE i të pandehurit NEZIR MEHMET MUZHAQIT, nga katundi Polis t’Elbasanit, humbjen e të drejtave të tij qytetare e politike dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme në bazë të dispozitave ligjore në fuqi. Memorie.al
Tiranë, më 23/VII/1945.
S E K R E T A R I: A N T A R: K R Y E T A R I
firma firma firma
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016