Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Astrit Leka me origjinë nga Borshi i Sarandës dhe me banim në Zvicër, një nga veteranët e Luftës së Dytë Botërore si pjesëtar i Lëvizjes Antifashiste në Shqipëri, ku ai ishte anëtar i njësiteve guerile të Tiranës, përgjegjës i Rinisë Komuniste të Batalionit “Çermenika” dhe partizan në Brigadën e Parë Sulmuese, të komanduar prej Mehmet Shehut. Dëshmitë e Astrit Leka, që nga periudha kur ai studionte në kolegjin “Cicognini” të Pratos-Firence në Itali dhe në vitin 1941, goditi një nga krerët e rinisë fashiste të shkollës, që shau flamurin shqiptar një ditë pas atentatit të Vasil Laçit, ndaj Mbretit Viktor Emanueli i III-të, takimi me Qemal Stafën që e bindi të kthehej në atdhe, për të luftuar kundër okupatorit, angazhimi me ‘Grupin Komunist të të Rinjve’, ku ishin edhe Alqi Kondi e Ramiz Alia, aksionet e shumta në Tiranë e Durrës, e deri tek atentatet e dështuara ndaj kryeministrit Mustafa Kruja, që mbeti i plagosur, si dhe ndaj Xhaferr Devës, ku Astrit Leka, kishte mundur të hynte brenda shtëpisë ku zhvillohej mbledhja. Si u shpall Astriti “armik i popullit” në vitin 1967 dhe u detyrua që të punonte si punëtor krahu deri në vitin 1990, kur u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Zvicër.
“Ndërsa unë qëndroja brenda shtëpisë ku zhvillohej mbledhja dhe informoja rregullisht Nako Spiron, Gogo Nushin e Ymer Dishnicën, për çfarë flitej aty, më erdhi urdhri që të mos kryhej atentati ndaj Xhaferr Devës, pasi aksioni ishte anulluar! Pas kësaj dhe prita që ishte bërë jashtë shtëpisë, u hoq dhe Adem Kosova, me shokët e tjerë u larguan “. Kështu e kujton Astrit Leka, njërin prej 44 aksioneve, që ai ka kryer gjatë periudhës së Luftës Antifashiste, kur ai drejtonte njësitet guerile të udhëhequra nga Partia Komuniste Shqiptare e kryesuar prej Enver Hoxhës. Edhe pse mbante mbi vete autorësinë e një barrë aksionesh dhe ishte diplomuar në tre fakultete, në vitin 1967, atij i’u mohuan të gjitha, u shpall “armik i popullit” dhe u detyrua të punonte si punëtor për vite me radhë, deri sa u largua nga Shqipëria, në maj të 1990-ës.
Përveçse i zgjedhur si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Federatës Botërore të Veteranëve për Konfliktet Ushtarake, me qendër në Paris, Anëtarë i Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Shqipërisë, (OBVL-Tiranë), Themelues dhe Kryetar i ‘SOLIDEST’ (Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillimin e Vendeve Lindore me seli në Gjenevë), ish-Këshilltar i Përgjithshëm i Federatës Botërore të Veteranëve (me 37 milionë anëtarë), FMAC-Paris, Zv/President i Konfederatës Evropiane të Veteranëve dhe Ushtarakëve të Luftës, CEAC-Paris dhe Kryetar Nderi i Bashkimit të Intelektualëve Shqiptarë ‘UIAS’ – Bernë, Zvicër, zoti Astrit Leka, pas viteve ’90-të ka dhënë edhe një kontribut shumë të çmuar për përhapjen e vlerave më të çmuara, të kombit shqiptar në botë, si dhe për vendosjen e busteve të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në disa kryeqytete të Botës, për të cilat, në vitin 2019, u vlerësua me një medalje nga ana e ambasadës shqiptare në Bernë të Zvicrës.
Zoti Leka, a mund të na thoni se çfarë detyrash dhe përgjegjësish keni pasur gjatë Luftës Antifashiste?
Unë jam angazhuar me Lëvizjen Antifashiste në maj të vitit 1941, kur Qemal Stafa, atëhere student në Firence, erdhi në kolegjin tim “Cicognini” të Pratos-Firence në Itali. Ai më mësoi se si të mbrohesha për të mos u përjashtuar nga shkolla, pasi të nesërmen e atentatit të Vasil Laçit, kundër Viktor Emanuelit të III-të, unë kisha goditur rëndë një nga krerët e rinisë fashiste të shkollës, i cili shau flamurin shqiptar.
Çfarë biseduat me Qemal Stafën?
Me Qemalin biseduam shumë gjëra për atdheun tonë të robëruar dhe pas thirrjes që më bëri ai, unë u ktheva në Shqipëri, për të luftuar dhe u lidha me Grupin Komunist të Shkodrës. Me formimin e Rinisë Komuniste Shqiptare, më qëlloi rasti të bëja pjesë në ‘Grupin e të Rinjve’ të gjimnazit ku militonin dhe Ramiz Alia, Manush Alimani, Prokop Murra, Muhamer Spahiu, etj.
Çfarë detyrash u ngarkuan te ai grup dhe në përgjithësi gjatë Luftës Antifashiste?
Në fundin e vitit 1942, mua m’u ngarkua përgjegjësia e anëtarit të komisionit të parë koordinues të luftës, midis Rinisë Komuniste Antifashiste dhe Rinisë të Ballit Kombëtar. Në pranverën e vitit 1943, unë u ngarkova me detyrën e anëtarit të Qarkorit të Rinisë Komuniste Shqiptare, të degës së Elbasanit, ku ishte sekretar Alqi Kondi dhe më pas përgjegjës i Rinisë Komuniste të Batalionit “Çermenika”. Në 8 shtator 1943 në Labinot, u ngarkova nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste, që të punoja me rininë në qytet dhe komandant njësiti e njësitesh guerile, duke vepruar nga Myzeqeja në Mitrovicë dhe nga Shkupi deri në Durrës. Në shatorin e ’44-ës, unë u inkuadrova në Brigadën e I-rë Sulmuese, të komanduar prej Mehmet Shehut.
Në sa aksione keni marrë pjesë dhe cilat janë ato më të rëndësishme që keni bërë ju personalisht gjatë asaj kohe?
Pseudonimi im që nga periudha e ilegalitetit ka qenë ‘Alariku’ dhe gjithë periudhës së Luftës, unë kam marrë pjesë në më shumë se 44 aksione dhe të gjitha ato, kanë pasur rëndësinë e tyre sipas kohës, rrethanave e kushteve kur janë kryer. Por unë po ju veçoj aksionet e atentateve ndaj kryeministrit Mustafa Merlika, Ministrit të Brendshëm, Xhaferr Deva, sekuestrimin e Ministrit të Ekonomisë Kombëtare, Ago Agaj në Tiranë, aksionin e depove të Bankës së Durrësit dhe marrjen me forcë të miellit në furin elektrik të Pazarit të Ri në Tiranë, që furnizonte gjermanët, policinë, xhandarët etj. Në të gjitha ato që kam kryer, unë i kam bërë bashkë me shokët e mi.
Kush vendosi për kryerjen e atentatit ndaj kryeministrit Kruja dhe si u realizua ai aksion. Nga i merrnit urdhrat ju personalisht?
Vendimi për kryerjen e atentatit ndaj kryeministrit Mustafa Kruja (Merlika) u morr nga Nako Spiro, Gogo Nushi dhe Ymer Dishnica, të cilët bënin pjesë në udhëheqjen e lartë e Partisë Komuniste të Shqipërisë, etj., që unë nuk i dija se kush ishin ata, pasi atëhere kishte konspiracion të madh dhe çdo njeri nga ne duhej të dinte vetëm detyrat e tij.
Kur ka ndodhur ky aksion dhe si e kryet atë?
Në tetor të vitit 1943, kur Muhamer Spahiu, njëri nga anëtarët e Qarkorit të Rinisë Komuniste të Tiranës, siguroi një informatë të saktë, mbi lëvizjen e Mustafa Krujës, i cili do të shkonte për të kuruar dhëmbët tek klinika e Dr. Xhevdet Asllanit, në kryqëzimin e Rrugës së “Dibrës” me atë të “Barrikadave”.
Çfarë bëtë pas këtij informacioni që morët nga Muhamer Spahiu?
Pas kësaj të dhëne, Nako me Gogon e Ymer Dëshnicën, të cilët ishin mbledhur të tre në shtëpinë e Esat Dëshnicës, bazë e rëndësishme e Luftës, që ndodhej fare pranë Fabrikës së Cigareve “Flora”, vendosën që të bëhej atentati ndaj Mustafa Krujës dhe caktuan të gjithë personat, që do të merrnin pjesë në atë aksion, ku një prej tyre isha dhe unë.
Cila ishte detyra konkrete që do kryenit ju, në përbërje të atij grupi në atë aksion?
Ata, pra krerët kryesorë të udhëheqjes, Nako, Gogo dhe Ymer Dishnica, më kërkuan që t’ju gjeja dy makina (auto-vetura) me të cilat do të kryhej aksioni dhe më thanë se: pasi t’i gjeja makinat, do të vinte për t’i marrë, Shahin Ruka, i cili në atë kohë ishte komandant i njësiteve guerile të Tiranës. Por desha të sqaroj, se unë nuk varesha nga Shahini, por direkt nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste të Shqipërisë, si Enver Hoxha, Nako Spiro, Gogo Nushi, Ymer Dëshnica etj., prej të cilëve merrja edhe udhëzimet.
I gjetët makinat?
Unë i gjeta makinat, duke i rrëmbyer ato me anë të një aksioni që bëra në një ndërmarrje ekonomike italiane në Tiranë, e cila ishte në shërbim të plotë të organizatës “TODT”, të Komandës së Përgjithshme gjermane, që merrej me kundër-zbulimin, prapavijat dhe ndërtimin e fortifikimeve, kundër zbarkimit të aleatëve. Pasi i sigurova dy makinat, sipas kërkesës së Gogos, erdhi dhe i mori në dorëzim tek unë, Shahin Ruka, i cili ishte dhe personi që bashkë me njësitin e tij, drejtoi aksionin e atentatit ndaj kryeministrit Mustafa Merlika Kruja.
Si përfundoi aksioni i atentatit dhe kush ishte njeriu që ishte caktuar për të qëlluar mbi kryeministrin?
Njeriu që u caktua për kryerjen e atentatit, ishte Shyqëri Ishmi, i cili qëlloi dhe e plagosi kryeministrin Merlika.
Po ju, a morët pjesë në aksion, apo detyra juaj mbaronte me gjetjen e dy auto veturave?
Me porosi të Gogo Nushit, unë mora pjesë në atë aksion, duke mbështetur njësitin, i vendosur në Mapon që ndodhej në fillim të “Rrugës së Dibrës” dhe jam larguar i fundit nga ajo zonë, pasi ishin larguar me dy auto veturat të gjithë pjesëtarët e njësitit.
Ç’ndodhi më pas me Shyqyriun, cili ishte fati i tij?
Shyqyriu i cili ishte trim i madh, u vra në janarin 1944 gjatë një beteje në Luftën e Tujanit. Pas vitit 1944, ai është shpallur “Dëshmor i Atdheut” dhe emrin e tij e mban një rrugë këtu në Tiranë, e cila ndodhet diku përballë Lidhjes së Shkrimtarëve.
Për atentatin ndaj ministrit të Brendshëm, Xhaferr Deva, ç’mund të na thoni?
Pak kohë pas atentatit ndaj kryeministrit Mustafa Merlika, ne siguruam një të dhënë tjetër, se në një shtëpi këtu në Tiranë, do të bëhej një mbledhje me shumë rëndësi. Sipas asaj informate, aty do të merrnin pjesë shumë patriotë të ardhur posaçërisht nga të gjitha krahinat e Shqipërisë Etnike, të cilat kishin pasur poste të larta, si prefektë, deputetë, ministra e kryeministra, që nga qeveria e Ismail Qemalit, ajo e Monarkisë së Zogut, e deri tek ato nën okupacionin fashist italian. Po kështu aty do të merrnin pjesë edhe disa persona të tjerë, siç ishte dhe Xhaferr Deva, që kishte bashkëpunuar me gjermanët në Mitrovicë e Vuçiternë, ndaj të cilit u mendua që t’i bëhej atentat, pasi ai të dilte nga ajo shtëpi.
Përveç Xhaferr Devës, cilët ishin personat e tjerë që do merrnin pjesë në atë mbledhje dhe çfarë do të vendosej aty?
Përveç Xhaferr Devës, i cili në atë kohë ende nuk e kishte marrë postin e Ministrit të Brendshëm, ndër personat që do të merrnin pjesë në atë mbledhje ishin: Lef Nosi, (ish-ministër në qeverinë e Ismail Qemalit e anëtar i Regjencës, nën pushtimin gjerman) Rexhep Mitrovica, (kryeministër nën pushtimin gjerman) Qemal bej Karaosmani, (firmëtar i Pavarësisë dhe më pas Kryetar i Bashkisë së Elbasanit) Profesor Ahmet Gashi, Ago Agai etj. Të gjithë ata patriotë, që ishin mbledhur aty, do të diskutonin mbi fatin e Shqipërisë nën pushtimin gjerman.
Kush e vendosi që të bëhej atentati ndaj Xhaferr Devës dhe kush do e kryente atë?
Ato ditë, Ibrahim Biçaku i kishte dërguar fjalë Myslym Pezës, duke i thënë se Xhaferr Deva, po bashkëpunonte hapur me gjermanët dhe ishte kthyer në një agjent i tyre. Pas kësaj, Nako, Gogo dhe Ymer Dishnica, morën vendimin për kryerjen e atentatit ndaj Devës. Ata të tre më thërritën mua në shtëpinë e Esat Dishnicës, e cila ndodhej jo shumë larg shtëpisë sonë (familjes Leka) që gjithashtu ishte bazë e rëndësishme e Luftës dhe ma ngarkuan aksionin për kryerjen e atentatit ndaj Devës.
Vetëm do e kryenit ju atë aksion për atentatin ndaj Xhaferr Devës?
Përveç meje që do kryeja rolin e atentatorit, duke u futur brenda në shtëpinë, ku do bëhej mbledhja, në atë aksion do të merrte pjesë dhe Adem Kosova, i cili me disa shokë të njësitit, do të më mbështeste mua nga jashtë shtëpisë.
Si vepruat ju pasi i’u ngarkuan atentatin ndaj Devës?
Duke shfrytëzuar njohjet e miqësitë që unë kisha me familjen, ku do të bëhej mbledhja, munda që të hyja brenda në atë shtëpi dhe të isha prezent, gjatë gjithë zhvillimit të saj, duke dëgjuar nga afër të gjitha diskutimet. Duke qenë se shtëpia ku zhvillohej mbledhja, nuk ishte më shumë se 100 m. larg asaj ku ndodheshin Nako me shokët e tjerë të udhëheqjes, unë kisha mundësi,që me anë të njerëzve tanë që hynin aty brenda, t’i mbaja në korrent ata, për gjithçka që flitej aty.
Mund të na thoni shkurtimisht se çfarë u diskutua aty?
Midis të tjerash, aty u tha se : do t’u kërkohej gjermanëve që ushtrinë e tyre në Shqipëri, ta mbanin duke paguar me flori në dorë dhe jo siç kishin bërë në shtetet e tjera të Europës, ku kishin prerë kartëmonedha e kishin shkaktuar inflacion të paparë. Dhe po të shohim se si u zhvilluan ngjarjet më vonë, ajo gjë u vërtetua plotësisht, pasi vetëm në një ditë, gjermanët sollën në Tiranë 750 mijë napolona flori, duke i shkëmbyer ato me kartëmonedhat vendase që ishin në qarkullim asokohe. Dhe pas kësaj, kursi i floririt nuk lëvizi asnjë pikë, deri në mbarimin e Luftës, kur gjermanët u larguan nga Shqipëria.
Çfarë diskutoi aty Xhaferr Deva?
Po, në diskutimin e tij, Xhaferr Deva, kërkoi që t’i jepeshin veshmbathje dhe armatimet e nevojshme, për të rekrutuar një regjiment me kosovarë, të cilët do t’i përdorte për të zhdukur rrënjët e komunizmit sllav në Shqipëri.
U aprovua kërkesa e tij?
Kërkesën e Xhaferr Devës e kundërshtuan të gjithë, që nga Lef Nosi, që u ngrit i pari, i zoti i shtëpisë që ishte i biri dhe dhëndër i dy nënshkruesve të Pavarësisë, e deri tek Rexhep Mitrovica e Prof. Ahmet Gashi etj.
Si e argumentonin ata kundërshtimin e tyre ndaj kërkesës së Xhaferr Devës për të zhdukur nga rrënjët komunizmin sllav?
Mes të tjerash ata thanë: “Ata që luftojnë në male, janë djemtë tanë, pavarësisht se kanë iluzione, se sllavët janë vëllezër dhe se komunizmi, do t’i sigurojë Shqipërisë zgjidhjen e çështjes nacionale dhe problemet e saj sociale. Në këtë situatë, detyra që po marrim përsipër do të na komprometojë si bashkëpunëtorë të gjermanëve, por ne po sakrifikojmë veten, që të mbajmë një administratë shqiptare për t’i lehtësuar popullit peshën e okupacionit”. Këto ishin pak a shumë fjalët e tyre që kundërshtonin kërkesën e Xhafer Devës.
Si vepruat për realizimin e aksionit?
Ndërsa unë qëndroja brenda shtëpisë dhe shkoja e informoja rregullisht shokët e udhëheqjes, për çfarë flitej aty, më erdhi urdhri që të mos e kryeja atentatin ndaj Devës, pasi aksioni ishte anuluar. Pas kësaj dhe prita që ishte bërë jashtë shtëpisë, u hoq dhe Adem Kosova me shokët u larguan.
Pse u anulua atentati ndaj Xhafer Devës?
Si duket, shokët e udhëheqjes e kishin pleqëruar mirë pasojat, që do të kishte atentati im, ndaj Xhaferr Devës dhe ata vendosën ta anulonin atë, për të mos i dhënë shkas gjermanëve, që të bënin masakra ashtu siç bënë, më pas më 4 shkurt ‘44. Por ajo më kryesorja që mendoj unë, se solli anulimin e atentatit, ishte qëndrimi i patriotëve shqiptarë, në atë mbledhje të cilët vendosën që të ishin neutrale, pasi gjermanët do të ishin vetëm kalimtarë në Shqipëri. Pra duhej menduar mirë ajo punë… ! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016