NIKOLLË LOKA
Av. ALFDRED DUKA
NIKOLIN KURTI
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
PSE NUK QËNDRON AKUZA POLITIKE PËR KOLABORACIONIZËM?
-Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –
Bashkëpunim për shtetin dhe vetëm në interes të tij
Gjatë vuajtjes së dënimit
Marrë nga P.Op. Qemal Karamani
Dhanë nga B. P. “Patogu”
Raport i datës 12/10/1969
Memorie.al/ Burimi njofton se ai në një bisedë që ka patur me të shoqen e Pashko Bicit, (Leze Bici), e cila është arsimtare në shkollën e Gurëzit, ajo ndër të tjerat tha: Një ditë ishte tek nji magazine e kooperativës, ku ishin edhe dy gra të tjera dhe ish-prifti Shqefën Kurti. Ky i fundit gjatë bisedave më tha: Si e keni punën me revolucionarizimin? Shumë, shumë bëhet për këtë. Por në fakt unë marrë nxënësit e shkollës suaj të klasës 8 dhe ato nuk kanë fare kaligrafi shkrimi, nuk janë në gjendje të bëjnë një lutje të rregullt ose, të shkruajnë edhe një adresë zarfi të bukur me estetikë. Unë i thash ne punojmë, po qëllimi nuk arrihet me një herë, mbas pak kohësh, do të eliminohen ato të meta. Pastaj ata nuk munden të kenë estetikën tuaj, se ju keni një shkollë të madhe. Dakord u përgjigj ai, por, më duket se ne ma parë kemi pas mësuar ma mirë.
Në një rast tjetër, ai asht takuar vetëm në rrugë, me Shqefën Kurtin dhe mbas përshëndetës, Shqefni i tha: Sivjet keni edhe ma shumë punë, me që asht dhe revolucionarizimi i shkollës. – Ai është takuar një ditë me Marash Bicin dhe ky ndër të tjerat i tha: Një ditë kur isha duke punuar tek magazina, Shqefën Kurti filloj të na tregojë nga jeta e tij, duke thënë: Që kur kam filluar universitetin dhe gjersa kam ra në burg, nuk kam vesh ndonjëherë kostum të larmë dhe nuk e kam vesh një këmishë dy herë pa e ndërruar, çdo herë kostum të ri dhe këmisha të lara, gjë më të cilën donte të tregonte për jetën përrallore të tij në të kaluarën.
“Patogu”
U shtyp sipas origjinales
Puntori-Operativ
(Qemal Karamani)
Marr nga P.Op. Qemal Karamani
Dhan nga B.p. “Patogu”
Raport i datës 9/XI/1969
Burimi njofton se ai me një bisedë që ka pas me Shqefën Kurtin, muhabeti nga diskutimi i librit “Ngjarje të moçme shqiptare”, Shqefni e kishte lexue këtë libër dhe në mes të tjerat tha: Mirë është kthye ai libër nga poezia në prozë, por do të ishte mirë sikur të kishin shënuar në fund dhe autorin, ose kohën në të cilën ka dalë ose, nga kush janë marrë. Ai e pyeti ke shkruar ndonjë herë ndonjë gjë për gjuhën. Jo, i tha Shqefni, por kur kam qenë në Kombet e Bashkuar, e kam ngritur atë çështjen e gjuhësisë shqipe. Kam parë këtë libër dhe tekstet që shtypën tashti, por më duken të tepërta.
Ë…. që ngrihen më të madhe. Pse të mos e shkruajmë fjalën ashtu siç e shqiptojmë! Në bisedë e sipër, Luçe Maç Luli që punonte me Shqefnin, e pyeti: Sa vjeç je? Jam 72 vjeç tha Shqefni. Pastaj e pyeti: A ke punuar ndonjëherë gjatë kohës që ke ndenjur në burg? Jo i tha Shqefni, nuk kam punuar asnjëherë. Në bisedë e sipër Mri Luca, i tha: Se me kushtet e jetesës aty ku je, nuk je keq. Shqefni tha: Për ju këto kondita, nuk janë të këqija në krahasim se ç’keni qenë në të kaluarën. Dante Aligeri thotë: Nuk kam gjë më të vështirë, se sa të kujtosh ditë të lumtura në kohë të vështira. d.m.th. që Shqefni ma parë kish qenë shumë mirë, e tashti ishte i pakënaqur.
“Patogu”
Jan nxjerr sipas origjinales
Puntori Operativ
(Qemal Karamani)
Marr nga P.Op. Qemal Karamani
Dhan nga B. P. “Adresa”
Raport i datës 24/I/1970
Burimi njofton se me datën 29/12/1967, jam takuar me Shqefën Kurtin në rrugë afër dyqaneve të Gurzit, gjatë bisedave që kam patur me të, Shqefni i tha burimit: sa më patën emëruar si famullitar në kishën e Shënavlashit të Durrësit, më larguan, shkak për këtë u bë prifti i Durrësit, mbasi u ankua te Peshkopi dhe në qeveri për emërimin tim. – Këto ai i bëri vetëm se i zvogëloheshin të ardhurat, mbasi ai kryente shërbimin meshtar në Durrës?
Shqefni i tha burimit: Ai është zemërlig, i ecën fjala dhe është edhe shumë pro qeverisë. Në këtë kohë ai i tregoi se është strehuar në qelën e kishës së Gurëzit, mbasi prifti i ri, e mori të jetonte bashkë me të, si person pa të ardhura. I tha: se prifti i ri, është më i mirë se Dom Anton Doçi, si njeri dhe prift.
“Adresa”
U shtyp sipas origjinales
Punëtori Operativ
(Qemal Karamani) Sekret
Marrë nga P.Op. Sabri Krifa
Dhënë nga agj. “Shëndeti”
Raport
Tiranë, më 7/IV/1970, erdhi tek ai plaku 70 vjeçar Shtjefën Kurti, dikur prift, tani anëtar kooperative në Gurëz të Milotit, për të blerë sende ushqimore në Tiranë. Gjithmonë ankohet se ndodhet në gjendje të keqe ekonomike, prandaj duhet me punue shumë. Kurti pyeti atë çfarë ishte bërë me liturgjinë fetare, se ishin bërë reforma dhe ndryshime. Ai i përgjigjet se edhe ai ka dëgjuar se ishin bërë disa ndryshime në meshë.
Kurti tha se kishte dëgjuar në radio se ndryshime ishin bërë në meshë sa që besimtarët në Itali, kishin dalë prej meshe, në shenjë proteste. Ai shtoji se këtë nuk e kishte dëgjuar. Nuk di se çfarë të themi tha Kurti, ndryshime të mëdha po bën ky Papa. Nga Perëndimi si duket populli katolik është i përkëdhelur. Ai thotë se ne nuk dimë gjë më gjatë. Kurti shtoji se si duket, ndryshime të tilla bahen që meshtari të jetë në kontakt me popullin gjatë ceremonisë.
“Shëndeti”
Puntori Operativ
Sabri Krifa
Marrë P.Op. Thoma Lango
Dhënë B.p. “Lulja”
Raport i datës 14/4/1970
Burimi njofton se ai gjatë bisedimeve që ka bërë me Mark (Bardhok) Markun, në birucë, prej datës 31/3/1970 dhe deri më 14/4/1970 Bardhoku i ka treguar:
-Nikoll Ndue Miri, më ka thënë që: pse ngutesh për shtëpinë –për gishtin e Krishtit dhe ata që i kanë ndërtuar shtëpitë në tokat e huaja, nuk kanë me i pa hajrin.
-Kolë Lukën kam frikë se do e pyesin kështu: çfarë ke vjedhur e ke folur me Bardhokun, mbasi si i ka treguar vet dhe në këtë rast kam frikë se Kola, do të flasë dhe rreth pakënaqësive e jetesës keqe në kooperativë bujqësore, që kam folur me të. Të pa kënaqur janë dhe njerëzit që kanë punue e luftue me ta, mbasi këta nuk i kanë mbajtur llafet që kanë pasur në mal. Ja p.sh; thotë Bardhoku, është e drejtë: që fillojnë me ndërtua një shtëpi unë e ti, pastrojnë ferrat bashkë, hedhim themelet, muret, dyert e dritaret, bëjmë murin e oborrit dhe i vëmë derën e, kur vjen për të shti teshat brenda, unë të të them se s’ke pjesë, hë si të duket kjo?
Kur ti kërkon pjesë, unë të të them që ja ke dekoratat, oh ç’ti bësh dekoratat, t’i shtiesh në myth? Përsa i përket jetesës së keqe në kooperativë kjo duket, janë 60 shtëpi në Gurëz që nuk hanë darkën ose mëngjesin, masi nuk kanë me çfarë e blejnë bukën, ka familje 7-8-9 frymë, që janë me një krah pune dhe marrin 70 lekë, ndërsa vetëm për bukën duhen 70 lekë, çfarë jetese është kjo? Unë di një familje në Gurëz që, më shumë bije çdo darkë pa bukë, se me bukë. Po kështu thotë Bardhoku, di një familje në Gurëz që është 18 veta, që dalin 3 punëtorë në punë dhe i kam parë që gjithë muajt e verës, këta e marrin bukën me dy speca të pjekur me kripë, ose me një gjysëm qepe.
Gjithashtu di thotë Bardhoku, njerëz në Gurëz që rrinë 3 javë pa u rruar, pse nuk kanë 5 lek të marrin një brisk. Pse jetesë e mirë mund t’i thuash që, për një vit nuk merr dot një këmishë të re ose një palë pantallona? – Çdo vit ka ardhur duke u ngushtua çdo gjë, ajo që ka qenë vjet, nuk do të jetë sivjet, ajo që është sivjet, nuk do të jetë vitin që vjen.
S’ka me pas ma me thanë dynymi im po dynymi jonë, s’ka me pas lopa ime, po lopët tona, s’ka me pas pula ime, po pulat tona, s’ka me pas voja ime, po voet tona, s’ka me pas shtëpia ime e teshat e mija, po shtëpitë tona e teshat tona dhe kjo gjë ka me ndalu vetëm kur të vijë puna të xhaketa që ke veshur, më ka thënë Shtejfën Kurti.
Në Qeverinë tonë thotë Bardhoku, vetëm dy veta urdhërojnë, nga një herë pyesin dhe një të tretë, por çfarë thotë i pari bëhet, dhe të gjithë të tjerët, veç se bëjnë sehir. P.sh mund të ngrihet ndonjë që të diskutojë dhe aprovon plotësisht ato që thotë i madhi, që populli të mos mbajë 3 xhaketa por vetëm 2 dhe 1 e ka tepër, atëherë mund të ngrihet ndonjë tjetër dhe thotë se popullit s’kan ç’i duhen dy xhaketa dhe 1 mirë e ka dhe të tjerë bëjnë sehir.
Bile një shokë më ka thënë se, një pjesë të udhëheqjes të Partisë dhe Qeverisë, nuk i pyet kush dhe nuk bëjnë një farë pune. Një shok më ka thënë se, më sa pyetet nëna ime, aq pyetet një nga udhëheqësit, ai veç se merr atë rrogë dhe çdo plan mbi ushtrinë ja bën i pari, vetëm në një gjë nuk ja kalon kush atij, në haje. Dhe mbeturinat e pjatave të një udhëheqësi, mund të mjaftojnë të hajë një familje prej 8 vetash që vuan për bukë në Gurëz.
Shqefën Kurti më ka thënë se: sekretarët e I-rë të Partisë në rrethe rrojnë mirë, kanë tre shërbëtorë, një për të fshirë e larë, një me i mbajt fëmijët dhe një për kuzhinë. Kështu Sekretari i I-rë i Partisë në Durrës, ka dy vetura në dispozicion, një aeroplan transporti dhe një aeroplan reaktivë. Ky Shtejfën Kurti, me gjithë se 60 vjeç, e ka mendjen e freskët si të një të riu fringo dhe ai di më shumë se ata që janë në Tiranë.
Shtjefni më ka treguar disa gjana bash me t’u ngritur leshi kres për krimet e këtyre, Shtjefni më ka thënë për torturat që i kanë bë atij në birucë, zhveshur, lidhur, rrahur, në çimento me ujë e, duke i futur spiunë në birucë dhe një spiun më tha Shtjefni, ja kanë lanë 5 muaj në birucë dhe Shtjefni është aq i vendosur, se atij spiuni, për 5 muaj nuk i tha një herë mirëmëngjesi, por vazhdimisht kur ai tentonte të fliste, ky i kthente shpinën.
Unë tregon Bardhoku, nuk e kam lënë keq këtë, i kam çue tëlyen, djathë dhe çdo gjë që i nevojitej, bile i kam dhënë dhe pare, megjithëse ky pare dhe ka dhënë mbi 30.000 lek borxh në Gurëz. Ky tregon Bardhoku, është shumë i vendosur dhe shpirt mirë. Këtë e ka pyet Jakomoni dhe Zogu dhe në atë kohë të priste litarin, po t’i qaheshe.
“Lulja”
Detyra:
- Në biseda me Bardhokun, mendoni të mësoni çfarë aktiviteti tjetër ka zhvilluar me këta persona të tjerë, nëse ky aktivitet, ka qenë i organizuar midis tyre dhe kush është kryesori. Për të mësuar këto, t’i thuash Bardhokut se: unë mendoj se për çka të dish për Kolë Lukën e Nikollë Mirin, mendoj t’i deponosh se këta mund të të rrezikojnë e, Kola për të mos e hequr nga brigardjerllëku, mund të ketë kallëzuar ato që ka bërë ose, t’i ka thënë vet ty. Nikolla mund t’i thotë nga frika ose për të përmirësuar biografinë e vet. Kurse për Shtjefën Kurtin, nuk të besoj se, ai merret prap me politik dhe jo vetëm se ai siç më thua ti është i vjetër tash, por dhe se ka qenë një herë në burg, pra i ka djegur vala dhe tash duhet t’i fryjë dhe kosit.
Vlerësimi të dhënë:
E dhëna ka vlerë operative se në të del strumbullari veprimtarisë armiqësore të ish priftit Dom Shtjefën Kurti.
Masat operative:
1) Të merren masa për të vërtetuar këto të dhëna.
2) Raporti të shtypet në 4 kopje.
3) Shtjefën Kurti të merret në përpunim me që për të kemi dhe të dhëna të tjera.
Puntori Operativ
(Thoma Lango)
Marrë P. Op. Thoma Lango
Dhënë B.p. “Lulja”
Raport i datës 16/4/1970
Burimi njofton se gjatë bisedimeve që ka bërë, si me Bardhok (Mark) Markun në birucë, Bardhoku i ka thënë: Kam biseduar shumë herë me Shtejfën Kurtin, vetëm e në prezencën e Pjetër Bibës dhe Shtjefni më ka thënë se, deri tani historia e ka treguar se Gjermania dhe SHBA-ja, janë shtetet ma të forta dhe as një shtet nuk mund tu rezistojë këtyre. Po kështu na ka thënë se, në Itali jetohet mirë, mund të mbash dyqan e toka sa të duash. Kemi dëgjuar radion, Zërin e Amerikës në shtëpinë e Shtjefnit dhe Shtejfni na ka shpjeguar, çfarë thoshte radio në gjuhën italiane, gjermane dhe sovjetike për ne. Shtjefni më ka thënë se: së shpejti ky sistem do të prishet, se është i destinuar të dështojë.
Në Parti e në Komitetin Qendror, ka grindje dhe pritet ndo një ndryshim. Një ditë kur po rrija tek hangarët, Shtejfni më dha dy letra të trasha dhe disa letra të futura në to dhe më tha: futi brenda në furrë dhe rri sa të digjen këto. Mua nuk më kujtohen të gjitha bisedat që kam bërë me Shtjefnin e Pjetrin. Nuk di tha Bardhoku, po Shtjefni në burg do të jetë? Pa tjetër i tha ai, për deri sa kanë dalë këto gjëra. Bardhoku vazhdoi: atëherë e mori dreqi punën, apo nuk është plak e, nuk ka kush ta ndihmojë.
Bardhoku i tregoj se kam biseduar me një herë me Pjetër Bibën, Preng Lukën dhe Frang Lukën, na tha se Qeveria ka shumë trazira dhe së shpejti ky sistem do të ndryshojë. Me një rast tjetër, kam biseduar me Zef Nishin rreth jetesës keqe në kooperativë dhe kur unë i thashë se a mundet t’i mbaj 4 vet me 70 lekë në ditë? Zefi më tha se: si ti ke shumë njerëz, bile nuk ka një hae.
Në një rast tjetër kam qenë duke shkuar anës kanalit me Ndue Lleshin dhe Ndueja më ka thënë se: uji na erdhi, drita po, tani duhet të ndryshohet dhe sistemi i Partisë. Rreth jetës keqe në kooperativë, kam biseduar në një rast dhe me Preng Ndue Lleshin dhe Prenga më tha: “Shiko si jemi të shkyem dhe laskaruem e, të gjitha i kemi pasi u bëmë kooperativë, pa vjedh nga pak nuk jetojmë dot”! “Lulja”
Detyra ju lanë të zbatojë ato që i janë dhënë me datën 14 e 15 të këtij muaji.
Masat Operative:
1) Të nxirret implikimi për Preng Lukën më vete, të merret adresa e tij me që është ushtarë dhe t’i dërgohet atje.
2) Raporti të shtypet në 5 kopje. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016