Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
-Misteri i dosjes mjekësore tepër sekrete i një rëndësie të veçantë, në shqip dhe frëngjisht, e ish-numrit dy të regjimit komunist, që vdiq në Paris, më 23 shtator 1979-
Memorie.al / Më 23 shtator të vitit 1979, 45 vite më parë, ndërroi jetë në një klinikë mjekësore të Parisit, Hysni Kapo, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të PPSh-së, i cili që nga mesi i viteve ’50-të, (kur Enver Hoxha eliminoi fizikisht apo, burgosi e internoi disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë), konsiderohej figura nr. 2 e regjimit komunist, pas Enver Hoxhës. Hysni Kapo, apo “Besniku i Partisë”, siç i pëlqente Enverit ta quante në librat dhe veprat e tij, (kryesisht pas vdekjes) , në shtatorin e vitit 1979, ishte i shtruar për vizita e mjekime në klinikën e Parisit, shoqërohej nga Ramiz Alia, ndërsa një vit më parë, në periudhën tetor-dhjetor 1978, kur ai ishte po për vizita dhe mjekime në Paris, e shoqëronte Kadri Hazbiu. Vdekja e Hysni Kapos, ishte e dyta që ndodhte në radhët e udhëheqjes së lartë të PPSh-së, (pas asaj të Gogo Nushit në 1970-ën), dhe ajo vdekje është përfolur gjatë, madje që ato ditë, kur Vito Kapo, bashkëshortja e tij, i tha ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut: “…Na e vranë Hysninë…”?! Dhe Hazbiu aty për aty, iu përgjigj: “Pse më thua mua…, drejtoju atij”, – duke i bërë shenjë me dorë, nga vila e Enver Hoxhës.
Ky fakt, apo kjo dëshmi lidhur me bisedën e Vito Kapos me Kadri Hazbiun, është bërë e ditur publikisht, nga ish-kuadri i lartë i Zbulimit Shqiptar, Hasan Luçi (që mbulonte mërgatën politike shqiptare në Perëndim), në një intervistë (në fillimin e viteve 2000, në “Gazeta Shqiptare”), ku ai ka hedhur dyshimet e tij, se vdekja e Hysni Kapos, nuk ishte natyrale, nga ajo që u tha zyrtarisht, “kanceri në pankreas”! Nuk dihet me saktësi, nëse Vito Kapo, e kishte biseduar me njeri tjetër, atë që i tha Kadri Hazbiut, por dy tre ditë më pas, ajo u thirr në një takim nga Enver Hoxha, ku ai, (Enveri), pas i bëri të ditur edhe njëherë Vitos, variantin zyrtar të vdekjes së Hysniut, i kërkoi që; “të kishte besim te Partia” dhe; “të mos besonte fjalët që përhapte armiku”! Pra; “të mos kishte asnjë dyshim për vdekjen e Hysniut, për të cilën Partia bëri të pamundurën”!
Takimin që bëri me Vito Kapon, Enveri e ngriti dhe në një mbledhje të Byrosë Politike, duke u bërë me dije “shokëve të Byrosë”, “lidhur me fjalët që përhapte armiku për Hysninë, gjë të cilat fatkeqësisht, i merrnin si të mirëqena, edhe familjarët e tij, madje deri te shoqja Vito”! Po kështu, dyshime, apo rezerva, mbi vdekjen e Hysni Kapos, kanë hedhur edhe disa nga pjesëtarët e grupit të tij të shoqërimit, që gjendeshin në Paris. Dyshimet e tyre, ata i kanë dhënë me shkrim dhe me gojë, pranë grupit operativ special që kryesohej nga Zylyftar Ramizi, (Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe njëkohësisht zv/ministër i Punëve të Brendshme në atë kohë), i cili u ngrit në vitin 1982, menjëherë pas arrestimit të “Grupit armiqësor” të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut. Si p.sh., Nexhip Pajo, shoqëruesi i Hysni Kapos, i cili në letrën drejtuar ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, më datën 29 tetor 1982, midis të tjerash i shkruan: “Jam Nexhip Pajo, ish-oficer i Drejtorisë së Dytë të Ministrinë së Punëve të Brendshme, tani pensionist. Në vitin 1979, kur shoku Hysni Kapo ishte në Paris (Francë) për t’u kuruar, unë bëja pjesë në grupin e oficerëve shoqërues të tij.
Mbas vdekjes së tij, kur u kthyem që andej, unë kam informuar në Komitetin e Partisë së Ministrisë, ish-sekretarin e atij Komiteti, Bato Karafili, për disa të meta dhe veprime të dënueshme në drejtim të shërbimit ndaj udhëheqësit Hysni Kapo dhe familjes së tij, që ndodhej atje në Paris, nga ana e ish-zv/drejtorit të Drejtorisë së Dytë, për shërbimin tonë atje, Servet Backa, të Fejzo Bijos, zv/drejtorit të Drejtorisë së Pritjes, të Llambi Ziçishtit, përgjegjës për Shëndetësinë. Ditën e fundit të konkluzioneve që do të bënim në zyrën e Feçor Shehut, mua më ka marrë në telefon nga shtëpia e shokut Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, i cili më kishte kërkuar me urgjencë, duke lënë porosi të personeli i shtëpisë, që unë ta merrja në telefon. Me të më njoftuar, unë e mora Kadriun në telefon dhe ai menjëherë, m’u drejtua: “Dëgjo, sot ju keni atë mbledhjen e fundit, lidhur me shërbimin tuaj në Paris, prandaj ki kujdes dhe tregohu më i arsyeshëm dhe më me partishmëri, për ato që ke ngritur, sepse i ke fryrë shumë dhe në mënyrë tendencioze”.
Atëhere iu përgjigja po në telefon: – Nga i keni verifikuar këto, që nuk qenkan të vërteta? “Unë i di mirë këto, e njoh shumë mirë Servet Backën, se ai është komunist i ndershëm dhe i sprovuar dhe nga ana tjetër, ai i biri i botës (d.m.th., Serveti), është bërë si i çmendur dhe vjen e më qan në zyrë si fëmijë”, – m’u përgjigj ai. – Do të ishte mirë që ai të mos qante aty në zyrën tënde, por të qante atje në Paris, ku qanim të gjithë ne, për fatkeqësinë që na kishte gjetur, por ne atje qanim dhe pinim lot, ndërsa Servet Backa, Feçor Shehu, Fejzo Bijo dhe Llambi Ziçishti, pinin raki dhe hanin bërxolla”.
Të gjitha sa më sipër, (si dhe letra e Nexhpip Pajos që është botuar e plotë nga Memorie.al), apo të tjera dëshmi ku flitet apo bëhet e ditur mbi vdekjen e Hysni Kapos, janë të njohura nga dokumentet arkivore të ish-Komitetit Qendror të PPSh-së, (që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, fondi 14, aparati dhe organet drejtuese), të cilat janë botuar në shtyp, pas viteve ’90-të dhe ndër të vetmet gjëra që nuk janë bërë publike deri më sot, janë letra e Kadri Hazbiut drejtuar Enver Hoxhës, (25 faqe me makinë shkrimi), për shërbimin që kishte bërë në Paris pranë Hysni Kapos, si dhe dosja voluminoze me kartelën përkatëse mjekësore të Hysni Kapos, e konsideruar dhe cikluar, si; “Tepër sekret, e një rëndësia të veçantë” e cila fillon në 16 maj të vitit 1959 dhe mbyllet më 23 shtator 1979, ditën që ai vdiq.
Ndërsa letra e Kadri Hazbiut, dërguar Enver Hoxhës në janarin e vitit 1979, pas kthimit nga Franca bashkë me Hysni Kapon (në fund të saj, midis të tjerash ai ka shkruar: “Disa gjëra nga shërbimi im në Francë, me urdhër epror, nuk i kam pasqyruar në këtë raport-informacion…”!), thuhet se nuk gjendet në Arkivin e Shtetit, Memorie.al, ka siguruar dhe e disponon të plotë (në frëngjisht dhe në shqip), dosjen mjekësore të Hysni Kapos, të cilën po e publikojmë pjesërisht, në disa numra, bashkë me faksimilet përkatëse, ku ndodhen kartela dhe raporte mjekësore, nga mjekë shqiptarë dhe të huaj, shënime të ndryshme, epi-kriza, elektrokardiogram, rezultate dhe përgjigje analizash, konsulta mjekësh, etj., etj.
Po ashtu, aty ndodhen dhe shënimet e Enver Hoxhës, të cilat po i publikojmë bashkë me faksimilet dhe fotot përkatëse, që ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit, si ato të bërë në Paris, ashtu dhe ato të bëra në aeroportin e Rinasit, kur u soll arkivoli me trupin e tij, si dhe varrimin e tij, ku mori pjesë Enver Hoxha dhe e gjithë udhëheqja e lartë e PPSH-së.
RAPORT-INFORMACIONI I VITIT 1970 I KLINIKËS SPECIALE DHE DREJTORIT TË SAJ, PAVLLO MILO, MBI GJENDJEN SHËNDETËSORE TË HYSNI KAPOS DHE REKOMANDIMET PËR KURAT MJEKËSORE E DIETA USHQIMORE
Shoku Hysni Kapo
Pesha kg. 76.7, Tensioni arterial 150/90.
Analizat e gjakut tregojnë gliceminë, esëll 103 mg. %, dy orë mbas buke 153 mg. %. Në urinë nuk ka glukozë. Këto dëftojnë se diabeti, është i stabilizuar mirë.
Kolesterolin në gjak, 284 mg. %; kjo është pak e lartë. Të gjithë analizat e tjera, janë normal.
Zemra: EKG, në qetësi në përgjithësi, është normale. Në krahasim me vitin 1968 e këtej, vihet re një ndryshim i lehtë.
Nga ana e mushkërive, nuk ka as gjë për të shënuar.
Ekzaminimi i syve: me syza në syrin e djathtë, 0.6 plus, në syrin e majtë, 1.5
Në syrin e djathtë, nuk ka më eksudatet që kanë qenë më 1970.
Në të dy sytë vihen re disa mikro-aneurizma të vogla, të shpërndara. Në fundusin e syve, nuk u gjetën enë gjaku të reja. Retinopatia diabetike, duket e stabilizuar, por duhet mbajtur në kontroll.
Nga kontrolli i veshëve me audiometër, dëfton një ulje të dëgjimit për zërat e hollë, më të theksuar në anën e majtë. Për frekuencat e mesme e të ulëta, dëgjimi është normal. Kjo është ulje e lehtë e dëgjimit, që lidhet me moshën dhe mund të shoqërohet edhe me zhurmë në veshët.
Përsa i përket hundës dhe fytit, u gjetën normal. Dhimbja e kokës, ka lidhje me punën mendore. Për këtë dhimbje kur është nevoja, të marrë barnat sipas rastit. Kryesore është regjimi i punës dhe i jetës.
Masat preventive: Të vazhdojë dietën që merr sot dhe terapinë për diabetin, me glukofazh, 3 tableta në ditë dhe gjysëm tableti, diabinez. Të evitojë ushqimet me përmbajtje dhjam dhe të përdoren më shumë Vajra vegjetale. Të evitojë të brendshmet e bagëtive, mbasi ka tendencë për goutte.
Të shpeshtojë pak lëvizjet, sidomos shëtitjet, të paktën një orë në ditë dhe pak gjimnastikë të lehtë. Kjo ndihmon, jo vetëm për diabetin por, edhe për zemrën. Të mos lexojë shumë natën. Të bëjë gjumë të mjaftueshëm. Të evitojë punën e pasdites.
Veç pushimit vjetor të lejës, edhe një pushim tjetër, prej dy javësh gjatë vitit.
Pas çdo pune intensive, të bëjë 2 -3 ditë pushim.
Të mos pijë duhan, mbasi rëndon dhimbjen e kokës, tension dhe zemër.
Me periudha, të marri vitamin B 1, B kompleks, lipavlon dhe një cikël me duarbolin (injeksione).
Të mos lihet që të ngrihet tensioni arterial; në rast nevoje, të përdorë doza të vogla barnash përkatëse.
Në rast shqetësimi nga zhurma e veshëve, të bëjë injeksione me A.T.P. (1 në çdo 2 ditë, interamuskular, gjithsej 10 injeksione).
Të bëhet dy herë në javë analiza e urinës, për glukozë. Të kontrollohet tensioni arterial, 1 herë në çdo dy javë, përveç rasteve kur ndjehet i nevojshëm, nga vetë pacienti. Në çdo tre muaj, glicemia.
Çdo 6 muaj, kontrolli i fundusit të syve, veshët, EKG, kolesterolemia. Çdo vit kontrolli i përgjithshëm.
Nga Klinika
Shoku Hysni Kapo
Vuan nga:
- Diabeti mellitus.
- Retinopati diabetike.
- Neurit diabetik periferik.
- Hipertension arterial të fazës së parë.
- Cefale neuro-vaskulare.
- Hipoakuzi e fazës së parë (e moshës).
- Goutte
- Sëmundje Dupuytren në duart, e përmirësuar pas operacionit.
Masa profilaktike: Diabeto është i ekuilibruar, prandaj të vazhdojë të respektojë dietën e caktuar dhe terapinë me glukofazhë e diabenezë. Mund të themi se i është arritur qëllimit, në mjekimin e diabetit dhe rekomandohet të mbajë peshën e sotme (rreth 76 kg. e 700).
Në të dy sytë, ka shenja të vogla e të vjetra të hemorragjisë. Në syrin e majtë, afër makula lutes, vihen re pak eksudate. Të mbahet në kontroll nga ana e okulistit. Megjithëse gjendja e syve, ka përmirësim nga një vit më parë, por duhet patur shumë kujdes, duke bërë kontroll periodike dhe duke marrë masa profilaktike.
Rekomandohet që të evitojë leximet e shumta, sidomos të kufizojë leximet në mbrëmje. Të përdorë aparat, për të zmadhuar shkronjat. Është e preferueshme që shtypin, t’ia lexojë sekretari. Të evitojë dritën e fortë elektrike dhe atë të diellit, duke mbajtur syza të errëta.
Meqenëse ka tensionin arterial të lartë, po ashtu edhe kolesterolin në gjak, rekomandohet që të kufizojë duhanin, deri sa ta lërë fare. Kjo është shumë e nevojshme. Të mbajë në kontroll tensionin dhe të marrë mjekimet përkatëse, ashtu edhe kundra kolesterolit të lartë. Të luftojë pagjumësinë, me barnat përkatëse.
Megjithëqë në EKG nuk u vunë re ndryshime në zemër, duhet të kihet parasysh që duke qenë diabetik dhe me hipertension të lartë, të cilët janë faktor shumë të rëndësishëm në zhvillimin e koronaro – sklerozës, duhet që pacienti të bëjë patjetër regjim të rregulli jete e pune.
Të mos punojë më tepër se 6 orë në ditë. Çdo ditë pas pune, duhet të ketë pushim. Të shëtisë një deri dy orë në ditë dhe të bëjë nga pak gjimnastikë të lehtë. Të hajë në orar të caktuar. Të bëjë gjumë të bollshëm dhe të evitojë lodhjet e tepruara.
Përveç pushimit vjetor të zakonshëm, duhet të bëjë edhe dy pushime të tjera në vit, nga 15 ditë.
Pas mbledhjeve të gjata e të lodhshme dhe pas punës në rrethe, të pushojë 2-3 ditë.
Të vazhdojë të ketë infermieren për rregullimin e dietës dhe të mbajë në kontroll urinën, dy herë në javë dhe gliceminë, një herë në tre muaj.
Të bëjë kontrolle të tjera si pas rastit.
Tiranë më 5/4/1971 DREJTORI
(Dr. Pavllo Milo)
RAPORT-INFORMACIONET ‘TEPËR SEKRETE’ TË VITEVE 1972-1973, TË DREJTORIT TË KLINIKËS SPECIALE, DR. PAVLLO MILO, MBI GJENDJEN SHËNDETËSORE TË HYSNI KAPOS DHE KONSULTAT E MINISTRIT TË SHËNDETËSISË LLAMBI ZIÇISHTI, ME MJEKUN FRANCEZ POL MILIEZ
REPUBLIKA POPULLORE SHQIPËRISË Tiranë më 20/11/1972
POLIKLINIKA SPECIALE “TEPËR SEKRET”
Nr._92____
KOMITETIT QENDROR P.P.SH.
TIRANË
Shoku Hysni Kapo u sëmur më 14/11/1972, nga një krizë stenokardie në person me insuficiencë koronare, hipertension arterial dhe arteriosklerozë e influencuar nga një sforcim i punës mendore.
Mbasi u konsultuan me mjekët kinezë, u vendos që të pushojë 15 ditë dhe pastaj të punojë për një muaj me orë të reduktuara, jo më shumë se 4 orë në ditë.
DREJTORI
(Dr. Pavllo Milo)
REPUBLIKA POPULLORE SHQIPËRISË Tiranë më 10/10/1973
POLIKLINIKA SPECIALE “TEPËR SEKRET”
Nr._____
RAPORT MJEKËSOR MBI GJENDJEN SHËNDETËSORE TË SHOKUT HYSNI KAPO
Shoku Hysni vuan prej 20 vjetësh, nga Diabeti Mellitus, aktualisht i stabilizuar me dietë dhe hypoglicemiantë oral.
Qysh në vitin 1964, është vrenjtur rritje e tensionit arterial në fillim i moderuar por që gradualisht është rritur duke arritur pothuaj në mënyrë të qëndrueshme shifra më të larta. Terapia e aplikuar, është treguar pak e efektshme dhe shpesh herë tensioni ka arritur shifra deri 190/80 dhe 210/90 mm Hg.
Dy vjetët e fundit, ai ka patur shqetësime në regionin e zemrës dhe ndonjë herë manifestime të stenokardisë. Elektro kardiograma ka treguar shenja të insuficiencës koronare, në bazë të një koronaroskleroze.
Dhimbjet e kokës, që ka patur prej vjetësh, i persistojnë periodikisht, sidomos pas lodhjeve mendore.
Prej vitit 1970, paraqet shenjat e një retinopatie diabetike, me mikroaneurizma eksudate dhe hemorragjia.
Vitet e fundit, paraqet zhurmë shqetësuese në vesh.
Të gjitha këto shenja, tregojnë se këto vitet e fundit të pacienti, po evullon në mënyrë të gjeneralizuar një vaskulopati me bazë aterosklerotike, që është shumë e avancuar për moshën e tij.
Kjo, propabilisht është e lidhur me diabetin që ekziston për një kohë të gjatë e, me një pre-dispozicion familjar për komplikacione vaskulare. Këtu ka influencuar sigurisht dhe intensiteti i punës mendore, për një kohë kaq të gjatë, si dhe obeziteti në të kaluarën.
Në konsultat e shumta të bëra tek ne me specialistët tonë dhe kinezë, është shprehur shqetësimi për prognozën e vaskulopatisë evolutive, sidomos në drejtim të vazave cerebrale dhe coronare.
Në Shtator 1972, rasti u konsultua në klinikën tonë dhe me Prof. Paul Milliez dhe ai e vlerësoi gjendjen si shqetësuese, duke marrë parasysh sidomos tensionin e lartë në këtë diabetik me manifestime të shprehura të vaskulopatisë.
Këtë shqetësim ja shprehu jo vetëm konsultës, por ja nënvizoi edhe një herë gojarisht Prof. F. Hoxhës, në prezencë të Ministrit Shëndetësisë, Prof. Llambi Ziçishti.
Vitin e fundit me gjithë terapinë e aplikuar vaskulopatia, është në evolucion.
Në këto rrethana, nuk mund të përjashtohet mundësia e komplikacioneve të rënda në enët e gjakut, të kokës, ose të zemrës.
Duke marrë parasysh sa më lartë, paraqitet nevoja, që të bëhet një eksplorim i imtë i artereve cerebrale, për të ekskluduar eventualitetin e ndonjë aneurizme, ekzaminimin kardiollogjik, si dhe mundësisht precizoni i shkakut të hipertonisë.
Këto ekzaminime të imta duhet të bëhen jashtë shtetit në një klinikë të specializuar.
DREJTORI
(Dr. Pavllo Milo)
RAPORT-INFORMACIONET ‘TEPËR SEKRETE’ TË VITIT 1975, TË DREJTORIT TË KLINIKËS SPECIALE, DR. PAVLLO MILO, MBI GJENDJEN SHËNDETËSORE TË HYSNI KAPOS DHE KONSULTAT E MINISTRIT TË SHËNDETËSISË LLAMBI ZIÇISHTI, ME MJEKUN FRANCEZ POL MILIEZ
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tiranë më 3. II. 1975
POLIKLINIKA SPECIALE “SEKRET”
Nr.__1/5___
KOMITETIT QENDROR P. P. SH.
TIRANË
Shoku Hysni Kapo kohët e fundit ka manifestuar simptoma të krizave stenokardike me ndryshime të dukshme elektrokardio-grafike, si dhe fenomene të lidhura me një ezauriment nervorë.
Konsulta mjekësore e përbërë nga Prof. F. Hoxha, Dr. I. Kali, Dr. D. Abazi, rekomandon të bëjë një muaj leje shëndetësore, të cilën duhet ta fillojë menjëherë.
Bisedova me shokun Hysni
Haki Toska
13.2.1975
DREJTORI
(Dr. Pavllo Milo)
RAPORT MJEKËSOR
Shoku Hysni Kapo vuan nga sëmundja e Dupuitran-it (kontrakturë e gishtave të dy duarve), qysh nga viti 1952.
Sëmundja ka patur karakter progresiv dhe në vitin 1968, filloi t’i shkaktojë shqetësime të mëdha si dhembje dhe pengesë në përdorimin e duarve. Për këtë arsye, po këtë vit u operua në Paris, në fillim në dorën e majtë dhe pas një viti edhe në dorën e djathtë, në po atë klinikë. Rezultatet e ndërhyrjeve kanë qenë të mira.
Vitet e fundit, në dorën e majtë kryesisht, filloi të shfaqet një recidivë, që deri tani ka shkaktuar kontraktimin e gishtit të vogël por me tendencë për të tërhequr në këtë kontraktim edhe gishtin e IV.
Në vitin 1974, në një konsultë që pati në Paris, me kirurgun kuronjës, ky i fundit rekomandohej përsëri operacion në dorën e majtë, por vetë shoku Hysni, nuk e quajti ndërhyrjen të domosdoshme.
Në vitin 1975, duke u ndodhur me shërbim në Paris, Prof. F. Paparisto, u konsultua përsëri po me të njëjtin kirurg lidhur me nevojën e ndërhyrjes kirurgjikale të përsëritur dhe ju tha se operacioni është i domosdoshëm, për të evituar përparimin më tej të sëmundjes.
Për të evituar thellimin e kontrakturës me pasojat që rezultojnë, si dhimbje dhe pengesë në përdorimin e gishtave të dorës, komisioni mjekësor këshillon, ndërhyrjen e përsëritur kirurgjikale. Nga ana tjetër, komisioni vë në dukje se kirurgëve t’anë, u mungon krejtësisht përvoja lidhur me këtë operacion, për arsye se sëmundja është paraqitur shumë rrallë në vendin tonë.
Konsulta është e mendimit se ky operacion, nuk ka karakterin e urgjencës imediate dhe mund të shtyhet në një kohë të përshtatshme, duke e mbajtur ndërkohë pacientin në observacione.
Tiranë më 26.6.1975 Ministri Shëndetësisë
Llambi Ziçishti
Shokut Haki
RAPORT – MJEKËSOR
Më datën 26/6/1975 konsulta mjekësore, paraqiti një raport për shokun Hysni Kapo, ku rekomandonte, që ai në një kohë të përshtatshme, duhej të operohej, për kontrakturat e sëmundjes së Dupuytrenit, që i janë rishfaqur në gishta e duarve.
Që nga ajo kohë, tabloja klinike e sëmundjes, ka përparuar në këto drejtime”
- Kontraktura në dorën e majtë është rënduar, duke mbledhur gishtat e tjerë dhe ajo po shprehet tani gjithnjë e më tepër edhe në dorën e djathtë. Këto ndryshime janë të dukshme me sy, nga një muaj në tjetrin.
- Intensiteti i dhimbjeve që ndjen pacienti dhe kufizimi në përdorimin e gishtave, janë në rritje.
- Qysh nga Korriku 1975,janë diagnostikuar, induracione plastike të lokalizuara në distancë, origjina e të cilave mendojmë të jetë e së njëjtës natyrë, me kontrakturat e gishtave të duarve.
Në këto rrethana, konsulta rekomandon, që afati i operacionit në duar të shpejtohet, sepse përparimi i vazhdueshëm i kontraktuarave mund të komprometojë rezultatin e ndërhyrjes kirurgjikale.
Para një muaji, u diagnostikua gjithashtu te ky pacient, një adenomë e prostatës e gradës së dytë, e cila përbën indikacion për ndërhyrje kirurgjikale. Afati i kësaj ndërhyrje, varet nga de-kursi i sëmundjes. Ajo duhet kryer në një të ardhme jo të largët, duke i lënë aktualisht precedencë operacionit në duar.
Shtojmë se për operacionin në duar, kirurgëve tanë u mungon krejtësisht përvoja për shkak të rasteve shumë të rralla, kurse për operacionin e prostatës, me gjithë sëmundjet shoqëruese komplekse (diabet me retinopati e neuropati, hypertension arterial, aterosklerozë, insuficiencë koronare me setonkardi), sëmundje këto, që mund të kompleksojnë tek ky pacient dekursin e pas operacionit, mendojmë se në përgjithësi, ekzistojnë kushtet për t’a kryer në vendin tonë. Memorie.al
Tiranë më 10/10/1975 MINISTRI
(Prof. Llambi Ziçishti)
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016