• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Tuesday, July 8, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Shokët e mi nga Tirana, m’u lutën që takohesha me Selman Vaqarin, që dikur kishte organizuar rrahjen time në gjimnaz, me rininë komuniste, unë pranova, por kur ai erdhi…”! / Kujtimet e Uran Kalakullës

“Pasi më shau nga nëna dhe më tha; ‘qen’, Mihallaq Ziçishti u ngrit nga karrigia dhe më ra më grusht në nofull, sa që më theu dhëmballën e, më lau në gjak…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
“I dënuemi me burgim të përjetëshëm, që ban një delikt tjetër, ndëshkohet me një mbyllje vazhduese të re në qelië, për një kohë nga gjashtë muej, deri në…”/  Ç’farë parashikonte Kodi Penal i vitit 1928?
“Në kampin e Spaçit, kushtet nuk ndryshonin shumë, vepronte rregullorja e Repsit, po ato mizori kriminale, madje më të tmerrshme, po ato ushtarë të armatosur, që thirrjen; ‘ndal se do të qëlloj’, e…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
“Kur dy policët roje, dëgjuan alfabetin ‘mors’; Këtu komanda e Flotës së VI-të Amerikane, po ju presim për të marrë Tiranën…, në burg u dha alarmi dhe…”/ Historia tragjikomike në kampin e Kripores së Vlorës
“Dom Mark Hasi, si një orakull i vërtetë, që në vitin 1969, kur ishim në një qeli kampin e Repsit, më tha se; këta komunistët, edhe 20 vite do rrinë në pushtet, por…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik, Shkëlqim Abazi   
“Mësuesit e mi në Reps, ishin intelektualë dhe antikomunistë të spikatur, si; Marko Popoviç, Hamdi Haska, Hodo Sokoli, Agim Musta dhe Vangjel Kule, të cilët…”/ Dëshmia e rrallë, e ish-të dënuarit politik

Nga Uran Kalakulla

Pjesa e njëzetetre

                                                          Nazizmi dhe komunizmi

Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.

Gjithashtu mund të lexoni

“Për t’i shpëtuar gjenocidit serb të Tito-Rankoviçit, erdhën në atdheun amë, por ranë nga shiu në breshër, pasi përfunduan kampeve dhe burgjeve…”/ Pse u goditën intelektualët kosovarë të arratisur në Shqipëri?!

“Hyrja në ambasada, kishte filluar që më 20 qershor, kur autobusi ‘fizarmonikë’, me targë TR 00301, i drejtuar nga Bujar Alikaj, ndaloi te muret e ambasadës greke dhe…”! / Historia e panjohur e korrikut ’90-të

Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KGB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.

                                                        Vijon nga numri i kaluar

Por, që të jem i saktë, duhet të them se, kjo partia e tij, vërtetë e kishte futur në burg, por ama aty e mbante me pekule. Se Selmani nuk dilte në punë si të tjerët dhe as flinte me të tjerët nëpër kapanone. Atë, me porosi të veçantë të Qamil Manes, drejtor i Drejtorisë së kampe, i kishin caktuar një dhomë më vete: me shtrat të rregullt, me tavolinë e karrige, i jepnin ushqim të zgjedhur nga kuzhina e, madje, edhe një lloj page pa punuar.

Demek, i kishin krijuar kushte për “punë krijuese” si “shkrimtar i realizmit socialist” që kishte qenë apo që vazhdonte të ishte. Kështu, Selua tundte zinxhirin gjithë ditën, duke u sjellë vërdallë nëpër kamp. Dhe te rasti i tij vërtetohej përsëri një nga parullat e Partisë në gojën e komisarit, se “Partia e ka zemrën e madhe, me një dorë të godet kur bën faj, por dorën tjetër ta zgjat, për të të ngritur më këmbë përsëri”! Ama, kjo punë vetëm për Selmanin e shokët e tij, jo për ne të tjerët “armiqtë e poshtër të popullit”! Selmani, ndryshe nga shokët e vet të “klasës shoqërore”, kur vajtën atje, nuk u tkurr gjithaq.

Madje, pati guximin të takojë edhe disa nga të njohurit e tij të vjetër tiranas. Mua, që gjithashtu më njihte mirë, më rrinte larg, më shihte si ai qeni që duket i penduar që të ka kafshuar e, tani ka frikë se mos i turresh dhe e bën përshesh. Kurse unë, ose e injoroja fare, ose, kur më dilte rastësisht përpara, e shihja vëngër dhe ktheja kokën mënjanë, me një shprehje të qartë indinjate në fytyrë. E kisha ende të gjallë në kujtesë atë (gati vrasjen), që më bëri ai me shokët e vet të Rinisë Komuniste në oborrin e gjimnazit, afër nëntëmbëdhjetë vjet më parë.

Disa shokë tiranas, m’u lutën t’i flisja, madje me këmbëngulje, edhe pse u kisha treguar historinë time të dhimbshme me Selmanin. Vetëm pas shumë ndërhyrjeve, m’u mbush mendja ta pranoja të fliste me mua. Por, edhe këtë radhë, jo për ta falur e për t’u bërë shokë e miq, por vetëm që të krijohej mundësia t’i thoja ca fjalë, që më digjnin së brendshmi.

Të them të drejtën, ishin fjalë mllefi, me spec, që, sigurisht, do t’i digjnin fort, po të ishte aq i zgjuar. U takuam në një nga stolat e mensës mjerane ku hanim bukë. Nuk ishim vetëm ne të dy, por edhe disa shokë tiranas, emrat e të cilëve, për besë, nuk po më kujtohen saktësisht. A ishte Tit Muça me Abdulla Sallakun e ndonjë tjetër, nuk e mbaj mend me siguri.

Ai u ngrit dhe me zgjati dorën, duke më përmendur edhe emrin. Pritja e tij dukej qartë se ishte e përvuajtur, ishte një përulje kokulur e gjithë turp. Kurse unë, duke mbajtur një qëndrim të natyrshëm, por serioz dhe me dinjitet, nuk i dhashë as dorën. U ula aty pranë dhe i fola:

– “E, more Selman Vaqarri, a e sheh se si janë fatet e jetës? A e sheh se u takuam prapë? Por, këtë radhë, ti nuk e ke më prapa suvarinë e Rinisë Komuniste. Ata të kanë braktisur, ke mbetur vetëm, mes hajdutëve, imoralëve, spiunëve, njerëzve të hurit e  të litarit. Shiko se ku të degdisi Partia jote, në emër të së cilës ti çaje, ndaj më gjakose mua dhe plot nga shokët e tu të gjimnazit. Që unë jam këtu, kjo është e natyrshme, sepse është vazhda logjike e gjithë jetës sime. Po ti? Unë, të paktën, jam dënuar për një ide, një ide fisnike e të ndershme. Po ti? Unë, të paktën, kam të drejtë të ndihem krenar. Po ti?

A e sheh se sa poshtë të ka rrëzuar Partia jote? Madje, ajo s’të begenisi të të dënojë fare politikisht, por si një ordiner i padenjë, me një akuzë të turpshme. Unë nuk e di se sa e vërtetë mund të jetë akuza që të kanë bërë?! Dhe as që dua ta di. Por, shiko se si na qëlloi të takohemi: unë e shokët e mi, që ti i rrihje në gjimnaz, si politikë, se kjo ishte rruga jonë, kurse ti, si bythar e, për më tepër, si shfrytëzues i epsheve të tua të çnatyruara ndaj një fëmije”!

Shokët e mi kishin mbetur me sy hapur, kurse Selmani kishte ulur kokën e s’e ngrinte më. Kaq qe skena. Pas kësaj u ngrita dhe u largova, duke e lënë Selmanin si të dhjerë me kokën varur, sikur t’ia kishte prerë njeri me hanxhar. S’kishte faj qyqari. Për atë që i ka mbetur ndopak turp a ndërgjegje në shpirt, hanxhari i fjalës qëllon të jetë më i mprehte se ai i xhelatit. I kishte mbetur gjë e tillë Selmanit? Për shumë vjet, unë nuk e kam kujtuar më një gjë të tillë.

Madje, ka qëlluar që edhe ta kem takuar ndonjë herë Selmanin në ditët tona të sotme, në ndonjë rrugicë të Tiranës. Më ka folur ai i pari, më ka përshëndetur dhe unë i jam përgjigjur vetëm me një përkulje koke, asgjë më shumë. Dhe nuk do ta kisha shkruar këtë ndodhi të trishtueshme për të, sikur të mos merrja vesh se, po ky Selman, ende s’i paskësh shkundur morrat e vjetër, gjersa paska marrë pjesë përsëri, me nismëtarët që krijuan Partinë e Re Komuniste Marksiste-Leniniste, me idhull përsëri xhelatin Enver Hoxha. Por, nuk kanë faj ata, kur Shoqata e ish-të Burgosurve fle gjumë!

Kohë pas kohe ordinerët i hoqën të gjithë. Mbetëm ne “armiqtë” zotër të kampit. Dhe puna vazhdonte me vrull. Çdo lloj pune më ka takuar të bëj në ato lloj kampesh: gërmues kanalesh e gropash të ndryshme me kazmë e lopatë, hekurkthyes, parketist, karpentier, suvatues, murator, kalldrëmshtrues, përgatitës llaçi, mbajtës tullash, prodhues betoni në betoniere, gozhdaxhi, bojaxhi, gëlqerexhi, thyes gurësh në një frantoje, e nuk di ç’gjë tjetër. Vetëm punëra speciale nuk më vinin të bëj, edhe pse kisha një gomar shkollë. Duket, nuk isha as i besuar dhe as i denjë për ta. Për shembull, as montator, as axhustator, as llamarinxhi, as hidraulik e saldator dhe elektricist.

Të them të drejtën, këto dy zanatet e fundit edhe unë nuk i pëlqeja. Më dukeshin të rrezikshme. Dhe duke u sorollatur kampeve gati nja pesë vjet të mira, punë më punë, zanat me zanat, arrita të marr vesh shumë gjëra nga ndërtimi, sa të guxoja ta quaja veten, gati një lloj tekniku të mesëm. Tjetër punë pastaj, nëse kjo përvojë nuk më hyri sa duhet në punë edhe si dola nga burgu dhe fati im i mëtejshëm ishte vetëm puna e krahut. Ajo katandisej vetëm te kazma ose hamallëku, si punëtor i kategorisë se fundit, që mezi më lejuan të dalë në kategorizim e, të arrij të marr kategorinë e dytë, më fort në sajë të teorisë se të praktikës.

Nuk kishim veçse nja dy muaj që ishim në atë kamp, kur një paradite, ndërsa ndodheshim në objektin e punës, papritmas krisi automatiku dhe mitralozi. Ne, si gjithmonë në raste të tilla, u strukëm gjëkundi për të ruajtur kokën. Një zallamahi e madhe ndër rojat e kapterët dhe e gjithë komanda u turr përjashta. Ç’kishte ndodhur? Dy të burgosur, djem të rinj, të cilët i njihja mirë, Ylli Tabaku dhe Maksut Xhomaka (alias Babushi, siç e thërrisnin të gjithë), kishin rrëmbyer një nga kamionët “Skoda”, bashkë me rimorkio dhe ia kishin mbathur, duke shpartalluar hyrjen e kampit të punës.

Kishin marrë me vrull për të dalë te rruga nacionale. E andej për ku? Sigurisht drejt kufirit. Por, ishte një përpjekje e dëshpëruar, e pa shpresë. Së pari, sepse rimorkioja ishte e bllokuar dhe kamioni veçse e tërhiqte zvarrë. Për më tepër, në kthesën e parë, një kthesë shumë e fortë, rimorkioja përmbyset dhe atëherë puna ishte vështirësuar edhe më tepër. Së treti, në rrugën e ngushtë, qoftë edhe atë nacionale, kur të alarmohej i gjithë Sigurimi Shtetit dhe policia e mbarë vendit, nga do të kaloje? Kamioni me gjithë rimorkio do të bëhej raketë dhe do të fluturonte?

Kështu, të arratisurit i kapën, i lidhën dhe i prunë prapë në kamp dhe, si i rrahën për vdekje, i rrasën me nga një muaj birucë. Padyshim që puna e dy të arratisurve, ishte e pamenduar mirë, por ishte një akt tepër guximtar, trimëror, që, sidoqoftë, i futi komandës dhe gjithë vartësve të saj, dridhmat në shtat. Po ashtu edhe inxhinierëve e teknikëve të lirë të objektit e popullit përreth, se ne aty nuk ishim vetëm skllevërit e bindur e të poshtëruar të punës së detyruar, por, së pari, ne ishim njerëz dhe ndër ne kishte gjak shqiptari, madje shumë më të pastër e fisnik se i atyre, që na kishin mbajtur mes telash me gjemba.

Më duket se Yllin dhe “Babushin” i dënuan vetëm me birucë.

Pse? Mos ishin bërë zemërmirë sigurimsat dhe Partia e tyre? Jo aspak! Por në atë kohë po ndodhte një lloj zbutjeje e pazakontë. Kapterët nisën sikur të silleshin me ne më butë. Komisari, kur na mblodhi në një tubim të veçantë, na tha se; Paria e qeveria, po përgatiste një gjë të madhe për ne. “Prandaj, o burrani ta mbaroni fabrikën sa më parë”. Dikush nga ne, që i lexonte me shumë vëmendje gazetat, kishte nxjerrë përfundimin se vija kineze po bëhej edhe ajo e Enver Hoxhës me shokët e tij. E se kjo vijë qenkësh liberale, ku burgjet minimizoheshin në kulm. Në fakt një punë të tillë na tha edhe komisari, kur na mblodhi:

– “Dëgjoni ore mavri këto që do t’ju them. Dhe nuk i kam nga vetja, por nga lart. Një pjesë e madhe nga ju, do të shkojnë në shtëpira, por disi të kufizuar, si formë internimi, me apel tri herë në ditë e pa të drejtë të largohet nga vendi i caktuar, pa lejen e organeve kompetente. Kurse një pjesë fare e vogël, do të mbetet në burg, por me kushte shumë më të mira se deri tashti”. Unë, me mendje, hyja me siguri në kategorinë e dytë, ku, veç “kushteve të mira”, do të kishte edhe ulje të konsiderueshme dënimi. Tha, ç’tha komisari, ne e besuam dhe disa lajmëruan familjet, që t’u binin teshat e mira dhe të merrnin rraqet e zhelet e burgut.

Në atë kohë euforia e gëzimi po triumfonin në kamp dhe puna në objektet e fabrikës po shkonte fjollë e me shpejtësi. U mor vesh se në Tiranë, kishte ardhur Çu En Lai. Dhe tamam kur njerëzit prisnin me padurim që, mes të tjerave, ai të jepte sinjalin e “Liberalizimit maocedunian”, kishte ndodhur e kundërta.

Çu-ja i kishte sjellë vëllait të vogël e besnik, lajmin “e gëzuar”, se në Kinë kishte plasur “Revolucioni Kulturor”, (i bukuri revolucion), që kishte marrë përsipër të zhdukte kulturën mijëravjeçare kineze dhe të botës e, ta kthente rrotën e historisë te komunizmi primitiv, ku, në vend të zotave paganë, do të mbretëronte tash e tutje, një i vetëm, në figurën e mumosur për së gjalli të Mao-s. Kështu, Maoja po bënte edhe atë që s’e kishin bërë bolshevikët rusë, me proletkultin e tyre të shëmtuar dhe nihilist.

Megjithatë nuk ishte puna aq të kultura, se kulturës së botës i merrnin të keqen maoistët, por ishte puna se ai “Revolucion Kultural”, më fort ishte një “revolucion karnaval”, domethënë mishnor, kur njeriu do të hante mish njeriu. Edhe të shokëve të tyre komunistë, duke filluar që nga nga ish- presidenti Liu Shao Çi e, deri te veteranët e partisë kineze, veteranët e “Marshimit të Madh”, veteranët e kulturës me prirje të majta, që ishin solidarizuar me Kinën e Maos, qysh më 1949.

Por, ajo që kishte më tepër rëndësi për ne, ishte se, edhe në Shqipëri, do të kishte një kopje mizerable, si vetë revolucioni kinez. Kështu, na u pre risku i parë dhe i fundit për të dalë nga burgu, të shkonim në gji të familjes e, të mendonim me maturi se si e kur të gjenim rrugën për të dalë matanë kufirit, për të shpëtuar njëherë e përgjithmonë nga komunizmi dhe çdo lloj revolucioni maoist, hrushovian, titist a djalli me brirë. Nisën përsëri druri, prangat, birucat edhe më keq se më parë.

Takim me Riza Kuçin, shokun tim të vjetër

Kur je në moshë të thyer dhe bën bilancin e jetës sate, mes gjithë punëve të mira dhe gabimeve që ke bërë, mes shumë iluzioneve dhe zhgënjimeve që ke pësuar, ndien një kënaqësi të veçantë, kur konstaton se, të paktën, ke qenë i zoti apo ke pasur fatin të kesh gjetur një shok, një mik të saktë, i cili, jo vetëm nuk të ka zhgënjyer kurrë, por konsiderata dhe besimi për të, ka ardhur çdo ditë e më tepër duke u rritur, duke u kthyer madje në një dashuri të vërtetë vëllazërore.

Kështu ka ndodhur dhe me mua. Fati i jetës sime, mes shumë mbrapshtive, më blatoi edhe një kënaqësi a gëzim të tillë. Sepse, në këtë botë, ku kaloi jeta e brezit tim, zotëruan shumë më fort mbrapshtitë, se sa punët e mbara. Jo vetëm në jetën vetjake, por sidomos e kryesisht në jetën shoqërore dhe kombëtare.

Brezi im ka bërë një jetë të veçantë, tepër të vështirë, në një kontekst shoqëror dhe politik, moral dhe kulturor, që ia kalon madje obskurantizmit mesjetar. Ajo ishte një obskurantizëm i kuq, gjakësor, ku sundonte një “ligj” më i zi se ai i xhunglës. Dhe të arrish të dalësh në dritë nga një errësirë e tillë, jo vetëm i gjallë, por me integritet moral të pacenuar, a nuk është një kënaqësi e veçantë?

Riza Kuçi ishte pinjoll i denjë i një prej familjeve më të nderuara dhe solide të qytetit, sa të lashtë, aq dhe simpatik të Beratit. Simpatik jo vetëm për peizazhin piktoresk, por sidomos për natyrën e njerëzve: njerëz të mirë, të butë vërtetë e të sjellshëm, por edhe të vendosur e qëndrueshëm në karakter, të ndershëm dhe të virtytshëm. Ashtu siç i kam njohur kur kam jetuar mes tyre në rininë time, beratasit për mua janë një shembull i mbarë i jetesës qytetare shqiptare. Rizai u bë dhe mbeti i tillë ,ndoshta edhe nga buka e asaj toke që e rriti dhe e mëkoi që në fëmijëri.

Pak kohë më parë, po në faqet e gazetës “Liria”, është shkruar për këtë familje, për Ali Kuçin, patriot, i afërm me ata të brezit të rilindësve, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit, emigrant ekonomik në Amerikë, fermer modern, nacionalist i vendosur dhe aktiv kundër zaptuesit fashist. Ai ka qenë një nga shtyllat e “Ballit Kombëtar” për rrethin e Beratit dhe, domosdo, edhe një nga viktimat e para të terrorit komunist, që ia mori jetën me tortura.

Këtë fat pati edhe nipi i Aliut, Hajri Kuçi, që vdiq edhe ai pas pak në burgun e Beratit. Një dekadë më vonë edhe Rizai vetë, kurse pas dy dekadash të tjera edhe i biri i Rizait, që mori arratinë. Katër breza! A nuk thotë shumë ky fakt?

Me Rizanë apo Zaken, siç e thërrisnin familjarët, shokët e afërt dhe miqtë, më njohën bankat e klasave të para të gjimnazit të Tiranës, qysh në vitin dyzet. Dhe mbetëm shokë të pandarë, jo vetëm gjatë tetë vjetëve në gjimnaz, por edhe më pas, gjatë vuajtjeve e mundimeve të jetës në burg e, deri më sot. E ndoshta do të vdesim afër njëri-tjetrit.

Zakja ishte ndër shokët më të dalluar të viteve shkollore, jo vetëm në mësime, por edhe në sjellje e qëndrimin e tij. Ai kishte që në moshën e adoleshencës e në vazhdimësi, një sjellje të hijshme prej fisniku të vërtetë: i edukuar për së mbari, me një qëndrim serioz e burrëror prej njeriu të formuar si duhet (sidomos në planin moral), por pa shenjën më të vogël të një krenarie të fryrë e vanitoze, tipar ky i njerëzve bosh e tyryfyçkë.

Përkundrazi, ai kishte në sjellje dhe një thjeshtësi të admirueshme e plot dinjitet. Thjeshtësia e tij nuk është ajo e ithtarëve të filozofisë kristiane, e oshanarëve të fesë dhe as ajo e degraduara e ca mjeranëve, e lypësve, të cilët i ka rrëzuar keqas jeta. Thjeshtësia e tij proverbiale, është tek ai një tipar thelbësori i vetë qenies së tij; e mbrujtur nga mençuria, nga një vizion i qartë për botën, jetën, shoqërinë njerëzore, natyrën e vetë njeriut, nga një moral i shëndoshë dhe i paepur edhe në çdo rrethanë të mbrapshtë dhe shtrënguese deri në ekstrem.

Madje, edhe në çastet e shpërthimit të vrullshëm të një humori rinor, Zakja ka ditur gjithmonë të gjente masën e duhur të ekuilibrit dhe seriozitetit, pa rënë asnjëherë në tepri e aq më pak në qesharaken, që është tipar kryesisht i njerëzve pa personalitet dhe e bufonëve të jetës njerëzore, sepse, siç dihet, ta duash humorin e të qeshësh me gjithë shpirt, nuk do të thotë aspak të kalosh në qesharaken. Memorie.al

                                                              Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Për t’i shpëtuar gjenocidit serb të Tito-Rankoviçit, erdhën në atdheun amë, por ranë nga shiu në breshër, pasi përfunduan kampeve dhe burgjeve...”/ Pse u goditën intelektualët kosovarë të arratisur në Shqipëri?!

Next Post

“Pas vizitave te familjet e të vrarëve të 2 Prillit, shkuam te Teatri ‘Migjeni’ ku u fol për Fishtën, por kur dolëm, nja 20 a 30 veta, filluan ta shanin Ramizin dhe ai...”/ Dëshmia e rrallë e shoferit të Ramiz Alisë

Artikuj të ngjashëm

“Xhaviti thotë se; unë i kam shkruar vetëm udhëheqësit kryesor të Partisë, duke i thënë të mos krekoset si gjel, pasi…”/ Përgjimet në burgun e Burrelit, në ’81-in
Dossier

“Për t’i shpëtuar gjenocidit serb të Tito-Rankoviçit, erdhën në atdheun amë, por ranë nga shiu në breshër, pasi përfunduan kampeve dhe burgjeve…”/ Pse u goditën intelektualët kosovarë të arratisur në Shqipëri?!

July 6, 2025
“Hyrja në ambasada, kishte filluar që më 20 qershor, kur autobusi ‘fizarmonikë’, me targë TR 00301, i drejtuar nga Bujar Alikaj, ndaloi te muret e ambasadës greke dhe…”! / Historia e panjohur e korrikut ’90-të
Dossier

“Hyrja në ambasada, kishte filluar që më 20 qershor, kur autobusi ‘fizarmonikë’, me targë TR 00301, i drejtuar nga Bujar Alikaj, ndaloi te muret e ambasadës greke dhe…”! / Historia e panjohur e korrikut ’90-të

July 6, 2025
“Në kampin e Fush-Krujës, kishte dhe të burgosur ordinerë, si shkrimtari Selman V., ish-kreu i organizatës Pionerit, i cili me Janaq T., në 1946-ën, organizuan rrahjen time në gjimnaz…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës
Dossier

“Në kampin e Fush-Krujës, kishte dhe të burgosur ordinerë, si shkrimtari Selman V., ish-kreu i organizatës Pionerit, i cili me Janaq T., në 1946-ën, organizuan rrahjen time në gjimnaz…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

July 6, 2025
“Nga të burgosurit e Bulqizës, helmimi te Metalurgjiku Elbasanit dhe eksplozivi në Lezhë, te aksidenti në Zall-Bastar, ku vdiqën…”! / Ngjarjet e panjohura të vitit 1979-’80, ku vdiqën 55 veta! (faksimilet me emrat)
Dossier

“Nga të burgosurit e Bulqizës, helmimi te Metalurgjiku Elbasanit dhe eksplozivi në Lezhë, te aksidenti në Zall-Bastar, ku vdiqën…”! / Ngjarjet e panjohura të vitit 1979-’80, ku vdiqën 55 veta! (faksimilet me emrat)

July 5, 2025
“I dënuemi me burgim të përjetëshëm, që ban një delikt tjetër, ndëshkohet me një mbyllje vazhduese të re në qelië, për një kohë nga gjashtë muej, deri në…”/  Ç’farë parashikonte Kodi Penal i vitit 1928?
Dossier

“Mark Cufin e vranë në hyrje të Shkodrës dhe kur e sollën trupin në kampin e Laçit, nga ku ai u arratis, kolonel Hazbi Lamçe, urdhëroi ta bështynin kufomën, por shoku i ngushtë i tij, Islami…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

July 5, 2025
“Operacionin te ‘Rruga e Ambasadave’, e udhëhiqte Dilaver B., ku ‘sampistët’ i godisnin dhe i flaknin njerzit si lecka nëpër kamionë, kurse Zylyftar R., pa nga ballkoni im dhe…”! / Kujtimet e shkrimtarit të njohur
Dossier

“Operacionin te ‘Rruga e Ambasadave’, e udhëhiqte Dilaver B., ku ‘sampistët’ i godisnin dhe i flaknin njerzit si lecka nëpër kamionë, kurse Zylyftar R., pa nga ballkoni im dhe…”! / Kujtimet e shkrimtarit të njohur

July 5, 2025
Next Post
Akuzat e Ramiz Alisë: “Natën që vrau veten Mehmeti, shoferi i Kadriut tha që; e mora nga zyra ministrin dhe me makinë e çova te Blloku, ku ai…”/ Mbledhja e Byrosë, 12 shtator ‘83

“Pas vizitave te familjet e të vrarëve të 2 Prillit, shkuam te Teatri ‘Migjeni’ ku u fol për Fishtën, por kur dolëm, nja 20 a 30 veta, filluan ta shanin Ramizin dhe ai...”/ Dëshmia e rrallë e shoferit të Ramiz Alisë

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme