Nga Qerim Vrioni
Memorie.al / Ardhja e italianit Pietro Marubbi (Piaçenca, 1834-Shkodër,1903) në Shqipëri në mezin e shekullit XIX-të, ishte ndoshta një rastësi, por për fatin e kulturës tonë, rezultoi mjaft e mbarë. Ai ishte marrë në vend-lindje, edhe me veprimtari patriotike, kundra pushtimit austro-hungarez. Ndjekjet për këtë e shtrënguan të ikte nga Italia dhe të shkonte në fillim në Korfuz e, më pas në Vlorë. Këshilla e konsullit Italian në Vlorë, për të shkuar në Shkodër “se atje ka katolikë”, nuk do zinte vend, nëse atje nuk do gjente edhe mjedisin kulturor europian, të këtij qyteti.
Në qytetin e lindjes, Pietro Marubbi kishte lëvruar pikturën, skulpturën, arkitekturën dhe…fotografinë. Me këtë të fundit italiani nga Piaçenca, vendosi të merrej në vend-banimin e ri. Kështu, ai rreth vitit 1855, hap në Shkodër atelien e parë fotografike, me emrin “Studio Marubbi”, më e para në vend e, nga të parat në Ballkan.
Filloi të fotografoje me procesin e kolodiumit të lëngët, si në të gjithë Europën, kryesisht njerëz të njohur, por edhe të panjohur të qytetit. Ndër fotografitë e kësaj periudhe, është dhe ajo e kaçakut të njohur të krahinës, Hamz Kazazi (1858), me të cilën ze fill, fotografia shqiptare.
Tri vjetë më pas (1861), realizon peizazhin e parë fotografik, që paraqet Shkodrën. Dalëngadalë, Pietro Marubbi nisi të përthithti mendësinë e shqiptarëve dhe në saje të mikpritjes së veçantë të shkodranëve ndaj tij.
Kështu, pasi mësoi edhe shqipen, shkodranët ia shqiptarizuan emrin në Pjetër. Duke qenë nga pak edhe piktor e skulptor, ai kryen pikturat murale të Kishës Ortodokse të qytetit e, po ashtu shpesh i merrej mendimi nga qytetarë të ndryshëm, për aftësitë e fëmijëve të tyre në artet pamore.
Një nga këta, ishte dhe Arsen Idromeno, që me këshillën e mjeshtrit Marubi, e dërgoi djalin e tij, Kolën, të studionte pikture, në Venecie të Italisë. Ndoshta piktori i njohur Kol Idromeno, është një dhuratë e madhe e Pjetër Marubit, për kulturën shqiptare.
Ndërkohë, mjeshtri fillon të dali nga atelieja e të fotografoj në natyrë, subjekte shoqërore, por edhe historike. Kësaj periudhe i përkasin foto të tilla, si shumë e njohura; “Lypës në rrethinat e Shkodrës” (1875) me forcë të madhe shprehëse, si dhe; “Portret gruaje” (1878) e, “Cigania e vogël”.
Me vlera të mëdha është dhe fotoja e Pjetër Marubit, që paraqet delegatët e Vilajetit të Shkodrës në Lidhjen Prizrenit (1878), si dhe ajo që pasqyron Kryengritjen e Mirditës (1876-1877).
Me këto foto ai nis bashkëpunimin e gjatë me revista të njohura europiane, si; “L’Illustration”, “La Guerra d’Oriente” dhe “The Illustraed London News”, duke u bërë kësisoj fotoreporteri i parë, në histori të fotografisë shqiptare.
Fotot e Marubit, mbi lëvizjet luftarake të shqiptarëve për liri, janë pothuaj vërsnike, me ato që mbahen më të parat fotografi botërore të luftës, si të anglezit Fenton dhe amerikanit Brady. Përmendim gjithashtu se, ai ka realizuar fotografitë e para në Malin e Zi (1865).
Fotografitë në atelie, Pietro Marubi i realizonte me ndriçim natyror, që hynte nga një baxhë (dritare në çati), ku hapësira e futjes së dritës, ishte e ndryshueshme. Si sfonde, brenda në studio, mjeshtri, ashtu si gjithë kolegët e tij europianë, përdorte beze të pikturuara, të përshtatshme me atë që do fotografohej, si natyra të qeta, peizazhe të natyrës shqiptare, pamje te mjediseve familjare, etj.
Gjithashtu, ai vendoste shpesh brenda atelies edhe bar, degë e trungje pemësh, përherë me lidhje ideore me subjektin që do fotografonte. Në fillim, Marubi përdori procesin kolodium në përgatitjen e negativit, ndërsa rreth viteve 1885-1890, e zëvendësoi me pllaka të thata xhami, të prodhuara në mënyrë industriale në fabrika, me xhelatinë bromuri argjendi, çka lehtësonte mjaft dhe e bënte më praktik, fotografimin. Pjesa më e madhe e fotove të tij, janë stampuar në bardhë e zi, por të tjera edhe në sepje.
Krijimtaria fotografike e Pjeter Marubit, përfshin shumë zhanre, si; foto portretin, peizazhin natyror dhe urban, etnografinë, historinë, fotografinë me subjekte sociale, etj. e, në një farë mënyre, ajo përbën një “minierë” të vyer, për studiues të fushave të ndryshme të shkencës. Aparatet e tij në fillim të veprimtarisë, ishin prodhime franceze dhe gjermane, me përmasa 30 cm. me 40 cm.
Shumë foto të tij. janë shtypur edhe si kartolina postare. që kërkoheshin nga të huajt për bukurinë dhe ekzotikën e tyre. Pjetër Marubi, është nderuar edhe me një medalje arit (“Premiato con Medaglia d’Oro”) për fotografi e, këtë e mësojmë nga një kartolinë, ku fatkeqësisht, nuk përcaktohet, as data e, as vendi i konkursit.
Rreth vitit 1885, Pjetër Marubi merr si “djalë dyqani” pesëmbëdhjetëvjeçari, Mikel Kodheli, i cili krahas punëve të përditshme, nisi të mësonte edhe të fshehtat e procesit të fotografimit. Kjo gjë, i pëlqeu dhe mjeshtrit plak, që filloi ta ndihmonte pa u kursyer djaloshin, që jepte shenja se mund të bëhej fotograf i zoti. Dhe nuk u gabua. Pa mbushur ende njëzet vjeç, Keli (Mikeli) i njihte pothuaj të gjitha skutat e zanatit, madje edhe me kërkesa artistike.
Në vitet e fundit të jetës së tij, Pjetër Marubi, ndjente një farë qetësie shpirtërore. Ai jo vetëm që kishte “mbjellë” fotografinë në Shqipëri, por kishte krijuar edhe një vazhdues të denjë të punës së tij. E, kjo nuk ishte pak për të.
Kështu, Kel Kodheli, më pas me mbiemrin Marubi, pas shuarjes së Marubit-plak, e çoi më tej veprimtarinë fotografike të “Studio Marubi-Shkodër” si në pikëpamje teknike, ashtu edhe artistike, të filluar nga Pjetër Marubi, i cili gjithsesi e ka monumentalizuar emrin e tij, si; “Babai i fotografisë shqiptare”.
Pietro Marubbi, i pari i Lumierëve shqiptarë
Pietro lind në Piaçenca të Italisë, më 1834. I talentuar në shumë fusha, dhuntitë e tij i kultivoi në vend-lindje. Përveçse arkitekt, piktor e skulptor, u shqua sidomos në artin e fotografisë. Është fotografi i parë në Shqipëri e në Ballkan.
Duke përjetuar nacionalizmin italian dhe lëvizjet maciniane e ato garibaldine, u gjend i përfshirë në vrasjen e kontit të Piaçencës, (asokohe qyteti qeverisej nga austriakët), për të cilët lëvizjet garibaldine, ishin një halë në sy. Këto rrethana politike, e detyruan të zhvendosej drejt Ballkanit.
Nga Korfuzi, Vlora, kaloi në Shkodër, sepse atje “ka katolikë” (sipas këshillës së konsullit italian në Vlorë). Qyteti që atëherë, bashkë me Janinën, ishin qendrat më të mëdha të kulturës në trevat shqiptare. Më 1856 mbërriti në Shkodër, ku gjeti strehë, duke u shpëtuar përndjekësve të tij. Falë ndikimeve e rrethanave, filloi punën si fotograf.
Në të njëjtin vit, hapi atelier-in (frëngjisht, dhomë pune e artistit) e parë fotografik “Studio Marubi”. Një dhomë e madhe me sipërfaqe 35 m², gjysmë prej muri, gjysmë prej xhami. Ana e djathtë e mureve edhe çatia, ishin të tëra prej xhami (baxhë/-a), me qëllim që drita të hynte dhe të depërtonte natyrshëm.
Klishetë e para bardh e zi, qenë të formateve 21×27, 26×31 dhe 30×40. Më pas vijnë e ndryshohen dhe fotografi arrin të bëjë klishe, thuajse të të gjitha formateve të kohës. Gjithashtu, ai vendoste shpesh brenda atelies edhe bar, degë e trungje pemësh, përherë me lidhje ideore me subjektin që do të fotografonte.
Në fillim, Marubi përdori procesin kolodium në përgatitjen e negativit. Si sfonde, brenda në studio, mjeshtri, ashtu si gjithë kolegët e tij europianë, përdorte beze të pikturuara të përshtatshme me atë që do fotografohej, si natyra të qeta, peizazhe të natyrës shqiptare, pamje të mjediseve familjare etj. Të mos harrojmë se jemi në një kohë kur Europa, veçse pak vite më parë, kishte njohur artin mrekulli të fotografisë (1839).
“Qyteti kishte mir’prit’ kráh’háp nji magjistar, qi ndezte flakë do pluhna dhe lângje e, mândêj t’népte në dorë nji copë letër të trashë, ku ishe pikërisht ti” – shkruanin kronikat në gazetat e kohës.
Në arkivin e Muzeut Historik të qytetit të Shkodrës (Fondi Marubi) ruhet një model – tip i faturës që lëshonte studio “Marubi” më 1929, me kokë të së cilës, në shqip e italisht, shkruhet: Shtëpi e themelueme më 1856 (Casa fondata nel‘ 1856). Këtë e konfirmojnë edhe pasardhësit e familjes Marubi.
Nuk mund të thuhet me siguri se cila qe fotografia e parë. Meqë negativi prodhohej në studio, duke lyer xhamin me solucionin e nitratit të argjendit (kolodio i lëngshëm), pas stampimit në letër, për arsye kursimi, negativi fshihej dhe mbi xham vendosej shtresa e re e solucionit, duke krijuar një negativ të ri, për fotografinë pasardhëse. Kjo metodë vazhdoi deri në vitet ’90-të të shekullit XIX-të, kur u importuan negativët e gatshëm (kolodio i thatë).
Studioja e tij u specializua jo vetëm në shërbime fotografike private (portrete të personave e familjeve), por në vitet ’70-të të shekullit XIX-të, Pietro shërbeu si reporter për revistën italiane “Illustrazione Italiana”, në vilajetin e Shkodrës. Qyteti shqiptar në veri të vendit, pranë maleve të larta, dallohej për këngët e bukura qytetare lirike, por edhe epike.
Në një mjedis të tillë, Pietro Marubi pas disa vitesh qëndrimi në Shkodër, vetëquhet “Pjetër Marubi, shkodran mes shkodranëve”. Pjetri, duke pasur shumë punë, merr të parin ndihmës, një djalosh si “djalë dyqani”, birin e bahçevanit të shtëpisë së tij, Mati Kodhelin.
I lindur më 1862, Matia, i mrekulluar nga puna e mjeshtrit, i kërkon të punësohet pranë tij. Ky e dërgon për specializim në Trieste. Pas specializimit, kthehet në Shkodër të punojë pranë Pjetër Marubit, ku lidh miqësi të ngushtë me Kolë Idromenon.
Fatkeqësisht jeta për Mati Kodhelin, është shumë e kursyer. Vetëm 21-vjeçar, Mati Kodheli mbyll sytë më 1881, duke lënë denjësisht emrin, në atë që do të quhet; “Dinasti e Marubëve”, fotografët e parapëlqyer, nga të gjitha klasat shoqërore. Memorie.al