Nga Tomë Mrijaj
Memorie.al / Ndoshta si për të filluar për të folur për nacionalisten e shquar e atdhetaren Marije Shllaku, duhet thënë se figura e saj nuk mund të shihet e shkëputur nga atdhetarët e tjerë patriotë, si: At Benard Llupi, Kolë Parubi, Gjergj Martini, Marsel Vuçaj e, shumë të tjerë që përbëjnë numrin 27 të të dënuarve, të akuzuar nga Partia Komuniste Jugosllave dhe bolshevikët shqiptarë të Shqipërisë, mbasi kishin krijuar organizatën patriotike, me emrin kuptimplotë NDSH (Nacional Demokratike Shqiptare), duke vijuar për 13 ditë me radhë të vitit 1946, duke u dënuar me vdekje, katër të parët dhe më 25 nëntor të vitit 1946, toga e zezë e vrastarëve të regjimit sllavo-komunist, i privoi nga jeta, pikërisht në qytetin historik të Prizrenit, ku në vitin 1878 ishte bërë “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”.
Dy bashkautorët Ramiz Kelmendi dhe Viktor Gashi, si për të përkujtuar jetën dhe veprën e dëshmorëve të shquar të kombit shqiptar, vendosën një qiri drite në përkujtim të figurës së madhe të Marije Shllakut dhe shokëve të idealeve antisllavo-komuniste në ish-Jugosllavi. Preludi i kësaj lavdie historike, do të shënohet me germa gjaku, në librin e artë të historisë së popullit martir të Kosovës dhe nacionalistëve të vërtetë, të cilët me stoicizëm, mbrojtën pa iu trembur syri, flamurin kombëtar të Skënderbeut, Dedë Gjo Lulit, Isa Boletinit e, shumë të tjerëve në shekullin XX-të, duke vijuar më pas pas shembullit të tyre edhe Adem Jashari e luftëtarë të tjerë të lirisë, që luftuan bishën fashiste serbe e, tradhtarët komunistë shqiptarë, që i shërbyen verbërisht regjimit shtypës antishqiptar.
Viktor Gashi, si bir i denjë i Pejës, duke gërmuar nga kujtesa e historisë, dorëshkrimet, kujtimet e bashkëkohësve dhe të tijat personale, falë edhe kulturës së shëndoshë juridike, hodhi në kartën e bardhë përjetësimin e figurës nacionaliste të Marije Shllakut dhe bashkëpunëtorëve të saj të lirisë. Viktori, duke e ndjerë vetë peshën e përndjekjeve të komunistëve sllavë, ka prekur në shumë të vërteta historike, duke zbardhur dhe ngritur në krenari portretin e Marijes, e lënë në harresë për 50 vjet me radhë, nga antishqiptarët sllavo-komunistë.
Ai u largua nga studimet dhe fillon të marrë zanatin tradicional të të afërmve të tij, zejtarinë e punimeve të argjendarisë, duke e mbajtur thellë në kujtesë çdo episod historik të luftëtarëve të lirisë, që qysh në vitin e parë të pushtuesve serbë, mbante shënime e kujtime të njerëzve, shfletonte dokumenta, duke punuar kështu në heshtje të madhe, për të dhuruar më së fundi këtë libër dinjitoz dhe me vlera historike e, shumë serioz.
Tashmë Viktori njihet shumë mirë nga qarqet patriotike në Kosovë dhe diasporë, për aktivitetin e tij të dendur në shumë fusha, e prej disa vjetësh, është edhe anëtar dhe Kryetar i Shoqatës Mirëbërëse, me emrin kuptimplotë të “Nënë Terezës” në qytetin e Pejës. Si një studiues i kujdesshëm, është duke punuar për të dhuruar një libër mbi zejtarinë e argjendarisë në Kosovë. E tillë është edhe figura e bashkë-autorit tjetër atdhetar e bashkëqytetar, nga Kosova kreshnike, e Ramiz Kelmendit si një njohës shumë i mirë i jetës dhe veprës së patriotes së flaktë Marije Shllaku, me nacionalistë të tjerë.
Marije Shllaku me një histori të dhimbshme por krenare shqiptare
Sot më shumë se kurrë, studiuesit, analistët, historianët, monografët, krijuesit, kanë material dhe dëshmi të gjalla historike, sapo të rreken të gërmojnë mbi jetën dhe veprën e madhe të Marije Shllakut dhe shumë atdhetarëve të tjerë, që dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre, për të mbrojtur gjuhën e nënës, trojet tona etnike shqiptare, dinjitetin shqiptar, kulturën e hershme të të parëve tanë, krenarinë e të qenurit autoktonë në trojet e stërgjyshërve, antikomunistë të vendosur dhe simbole të shqiponjave që duan të fluturojnë sa më lart të lira, të patrembur nga pushtuesit shekullorë sllavo-komunistë serbë, që ndër shekuj kanë kryer masakra kundra bijve më të shquar të popullit martir kosovar.
Por ky emër i kësaj heroine, është gdhendur thellë në memorien e popullit të Kosovës, ashtu sikurse kujtohen motrat dhe nënat trime suljote, që pranuan të hidheshin nga shkëmbinjtë e thepisur, vetëm e vetëm që të mos bijnë në dorë të pushtuesve turq. Ky emër autokton shqiptar, kishte zënë rrënjë të thella në zemrën e atyre që e njohën nga afër dhe brezi më i ri, që kishin dëgjuar për heroizmat e saj.
Ajo krahas fjalës së gjuhës shqipe, doket e zakonet e të parëve të saj, guximin e trimërinë e Hodo Sokolit e Isa Boletinit, në odat e tymosura nga duhani i fortë i burrave të kuvendit, mori edhe nektarin e dashurisë së trojeve shqiptare, si pasuri e shtrenjtë dhe e shenjtë për çdo shqiptar, në dimrat e gjatë të maleve në Kosovë, Marije Shllaku, tashmë ishte rritur me flamurin nacional në kraharorin e saj, duke e bërë të njohur për të gjithë brezat, si një luftëtare sypatrembur.
Për të mposhtur krenarinë dhe trimërinë e një vajze me të vërtetë kurajoze, pushtuesit dhe tradhtarët e vendit kanë përdorur forma e metoda nga më të stërholluarat, por gjithnjë dështuan ashtu sikurse dështuan malazezët dhe serbët ndaj Shkurte Galicës. E Marije Shllaku ishte një “Norë e Kelmendit” të Prekë Calit, një Shote Galicë e bjeshkëve shqiptare, që luftonte krah për krah burrave të shquar të kombit kundra pushtuesve shekullorë serbë dhe komunistëve të regjimit të Beogradit.
Si bashkë-atdhetarë, e ndjeva si obligim përmes këtij shkrimi simbolik, të vë një lule të freskët në fillim-shekullin XXI, për vajzën kreshnike të të gjithë Kosovës sonë, duke larguar pluhurin e madh të harresës, ndaj kësaj kreshnike. Marije Shllaku, u përcoll gjatë bisedave në odat e ngrohta të vatrave shqiptare, u këndua përmes telave të çiftelisë, nga rapsodët popullorë, që përjetuan kështu emrin e saj të madh, dashurinë që ruante dhe ruan Kosova dhe Shqipëria (Shkodra, vendlindja e saj) për këtë heroinë të pavdekshme, në zemrat e historianëve të ditëve tona.
Sado që të shkruhet sot për këtë heroinë, veçse hapet faqja e re e rivlerësimit të merituar ndaj kësaj kreshnike të denjë të nacionalizmit shqiptar. Në moshë të re emrin e saj e përjetoi lahuta, duke zënë vend në gojën pavdekshme të rapsodëve, historisë gojore për të mbijetuar e freskët edhe në ditët tona.
Me emrin e kësaj heroine, që në moshë të re u flijua për të mos u harruar nga brezat shqiptarë, në qytetin e Prizrenit, të asaj shtëpie të vogël dykatëshe që ruan thellë nga shekujt kujtimin e një ngjarje të madhe për popullin shqiptar, “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” ashtu sikurse ishte edhe lidhja për jetë a vdekje, që Marije Shllaku bëri së bashku me shokët luftëtarë të idealeve nacionaliste, që trevat tona kosovare të liroheshin nga pushtimi i egër serbo-sllavokomunist. Në Prizrenin historik rilindi nacionaliteti ynë, liria, krenaria nacionale, dashuria për gjithçka shqipe e të trashëguar nga ilirët tanë, krenaria e dardanëve bujarë, trima e të zgjuar.
Dhe historia për Marijen flet…!
Nga sa kemi mundur të hulumtojmë me kujdes dhe në mënyrë vijuese rreth jetës e veprës heroike të Marije Shllakut, shënojmë se shkrimet e para për këtë vajzë 26 vjeçare, u panë në shumë fejtone të gjata deri në 26 pjesë, ku shkroi shefi i UDB-së Gojko Medenica, në gazetën e përditshme, pothuajse tërësisht bulevardeske të Beogradit, me titull: “Veçernje Novosti” me titull në serbisht “Poraz pod Pastriko” (Disfata në Pashtrik). Për të hequr vëmendjen e popullit dhe të lexuesve të saj, autori në fjalë e nisi fejtonin e tij kilometrik më 22 shkurt dhe e mbylli më 19 mars, të vitit 1965.
Si për të mos mjaftuar me kaq, por menjëherë do të vijnë fejtoni tjetër, por që për nga gjatësia ishte më i shkurtër se i pari dhe ka për autor Gojko Medenica, edhe në gazetën shqiptare “Rilindja”, për shtatë ditë me radhë, nga 20 shkurti, deri më 27 shkurt të vitit 1965, me titull: “Nata e Frorit”. Ajo që të bie në sy, pasi i lexon dhe rilexon me kujdes çdo rresht e frazë të shkruar në tym, del se autorët denigrues, kërkojnë të hedhin baltë mbi figurën e kreshnikes shqiptare, Marije Shllaku, ku gjuha e djallëzisë dhe e anatemimit absolut, është shumë i theksuar.
Sigurisht që autorët janë vetëm zbatuesit e urdhrave të padronëve të tyre serbë, që i paguajnë për të bërë të tilla masakra, përmes pendës shpifëse dhe trilluese, duke u nisur nga shprehja turke: “Shpif, shpif se diçka do të mbetet”. Këtu vërejmë dhelpëritë dhe poshtërsitë e OZN-së jugosllave, që ishte mobilizuar për ta zënë me të gjitha mjetet një vajzë të re shqiptare, këtë trimëreshë të armatosur, që si sorkadhe e shpejtë lëvizte nga një mal në tjetrin, nga një zonë në tjetrën, për të bërë ndërgjegjësimin e popullit, për t’u ngritur kundër pushtuesve barbarë serbë dhe komunistëve të pafe, si në Jugosllavi dhe në Shqipëri.
E rafinuar dhe shumë djallëzore, ishte bashkëpunimi midis Partisë Komuniste Jugosllave dhe Partisë Komuniste Shqiptare, të cilët pasi kishin syrgjynosur popullin shqiptar në Shqipëri, me ideologjinë e komunizmit shterpë, kërkonin që edhe në Kosovë, të eliminonin çdo përpjekje të vërtetë nacionaliste që ishte organizuar, për t’i dhënë vlera patriotizmi popullit, duke çjerrë masën ideologjisë mashtruese komuniste, që gjithnjë e më shumë po bënte kurban bij më të mirë të popullit tonë. Kështu atë ditë PKSH (bolshevike) kishte menduar të vepronte në këtë mënyrë, duke dërguar në Kosovë për të folur me Marijen, njeriun më të dashur të saj, që ishte babai i saj, Mark Simon Shllakun, të ardhur nga qyteti i Shkodrës, për t’u takuar.
Por shqiponja e maleve kosovare, Marije Shllaku, duke e kuptuar veprimin djallëzor të komunistëve bolshevikë të Tiranës dhe Beogradit, nuk pranon të heq dorë nga qëllimet e saj fisnike, idealet më të pastra atdhetare e nacionaliste. Për fat të mirë takimi midis vajzës sokoleshë dhe babait të saj, përfundoi pa sukses, dhe babai duke e parë se e bija e saj kishte vazhduar atë udhë që i kishte mëkuar ai, u bind se vajza e tij trime, nuk e kishte tradhtuar, por si një trimëreshë, fluturonte e lirë përkrah shqiponjës shqiptare, pa yllin komunist të partizanëve. Ai u kthye në Shkodër i gëzuar për vajzën e vet, gëzim të cilin njerëzit ia lexonin në sytë e tij dhe asnjëherë nuk e tradhtoi të bijën e vet, që e donte aq shumë si sytë e ballit.
Mark Simon Shllaku u kthye në Shkodër, duke thënë: “Nuk pata mundësi me taku Marijen”. Në të vërtetë, Marku e kishte parë Marijen, tek fluturonte si një shqiponjë mali dhe me vështrimin e saj sypatrembur, i përcillte mesazhe falenderimi babait të saj, se unë Marija, bija jote e dashur nuk të kam tradhtuar ndonjëherë dhe përsëri jam ajo e pathyeshmja, nga serbët dhe bolshevikët e Tiranës së kuqe.
Por diktatura komuniste në Shqipëri, duke e pritur një fund të tillë të turpshëm (sepse komunistët kërkonin të shkatërronin zakonet e moçme shqiptare, ku shqiptari të presë në besë shqiptarin, për më tepër kur është baba e bijë, shënimi im T. Mrijaj), fillojnë menjëherë kalvarin e tmerrshëm, të persekutimit të familjes Shllaku. Si bir i Shkodrës martire, që mbijetoi kalvarin e egër komunist gjatë 50 vjetëve, familja Shllaku u detyrua të provonte të gjitha llojet e masakrimeve dhe presioneve psikologjike, fizike, ekonomike, internimet, për “fajin” e vetëm, se Marija donte Shqipërinë dhe Kosovën të bashkuar, pa sllavo-komunistë në Kosovë e Shqipëri.
Për të shpëtuar sa të jetë e mundur nga ajo që ka mbetur nga familja Shllaku (kujtojmë se mbiemri i familjes, vjen nga emri i një zone me tradita patriotike, zakonesh, besimi dhe trimërie, ku ka lindur shkrimtari i madh prof. Martin Camaj, një antikomunist i vendosur), ndryshojnë mbiemrin nga Shllaku, në Vercaku, mbasi diktatori Enver Hoxha, kishte vendosur që t’i zhdukte të gjithë si familje.
Por vitet do të kalojnë, duke marrë me vete dhe shumë episode nga jeta dhe aktiviteti patriotik i Marije Shllakut. Ardhja e demokracisë në Shqipëri, pas rrëzimit të murit të madh të hekurt që kishte mbërthyer Shqipërinë me Kosovën, kishte filluar të binte. Njerëzit nisën të lëviznin me lehtësi nga një zonë në tjetrën, për të takuar të afërmit e tyre, miqtë e vjetër, duke depërtuar në këtë mënyrë, edhe episodet e historisë së dhimbshme të Marije Shllakut.
Filluan të zgjohen kujtimet dhe historia të thotë fjalën e vet me vërtetësi, dokumente, dorëshkrime, faksimile, fotografi që botohen për herë të parë, dëshmi rrëqethëse, qysh nga koha e izolimit të vendit të shqiponjave nga politika e Beogradit dhe Tiranës së kuqe zyrtare. Pluhuri i harresës, filloi të largohet nga rrezet e diellit, të cilat kërkonin të depërtonin sa më thellë, në labirintet e vërtetësisë, duke zhdavaritur deformimet dhe zhargavinat e historiografisë komuniste, në Kosovë dhe në Shqipëri…!
Kështu më 28 shtator të vitit 1995, u botua libri i parë “Shqipëria e Marije Shllakut – katër martirët shkodranë”, me autor Ramiz Kelmendi dhe Viktor Gashi. Në ballinën e librit të bie në sy, një pikturë e realizuar në akuarel, e ruajtur me shumë kujdes për vite me radhë, nga piktori i njohur Engjëll Berisha, me emrin Nora, e që ishte vetë Marije Shllaku. Ky është ruajtur në fshehtësi nga piktori, në mënyrë që të mos binte asnjëherë në dorë të agjentëve, të policisë serbe, duke e ruajtur thellë në zemër dhe kujtesë këtë heroinë shqiptare.
Libri në fjalë, është një homazh respekti dhe nderimi të veçantë për patrioten Marije Shllaku dhe katër martirët e tjerë shkodranë, i shkruar me përkushtim nga të dy bashkëvuajtësit dhe bashkë-gjykuarit në gjyqin. Kur e lexon këtë libër shumë prekës, menjëherë rifutesh në këto ngjarje që të rrëqethin, nga vetë mënyra se si autorët i kanë sjellë të freskëta sot për lexuesit mbarëshqiptar, të gjithë të “harruarit e paharrueshëm”, që dhanë jetën në altarin e Atdheut.
Në shumë shkrime e kujtime të atyre që Marijen e njohën nga afër bashkëpunuan dhe luftuan për të njëjtat ideale të zjarrta të atdhedashurisë, sheh nga afër ato skena që asokohe ishin të kobshme, për të gjithë të akuzuarit në bankën e dënimit, gjyq i cili ishte tërësisht e montuar, për të eliminuar elementët nacionalistë. Mbi të gjitha heroina kryesore e librit, shquhet për qëndresën e saj të vendosur, ndonëse në moshë të re dha shumë përgjigje, sikur të ishte një juriste e vërtetë, duke mbrojtur idealet e saja dhe të popullit, të cilin e donte dhe për të cilin ishte e gatshme të flijonte gjithçka edhe më të shtrenjtën për njeriun, që është jeta.
UDB-ja gjithnjë e më tepër inatosej kur Marija pa iu trembur syri, hidhte poshtë çdo shpifje e trillim të gatuar nga kuzhina e Beogradit, duke mohuar çdo gjë që kishte shkruar e thënë më përpara, nga presioni i torturave dhe në hetuesinë e egër të organizuar kundër një vajze trimëreshë, që me koshiencë e dinte se e priste vdekja e sigurt.
Shkrimi fillon me autorin dhe profesorin shumë të nderuar Shefqet Kelmendin dhe që sot jeton në qytetin e Shkodrës, ku lindi dhe u edukua qysh në djep Marija e vogël. Shefqetin të gjithë e njohin në Shkodër, sikurse të birin e tij shkrimtarin e talentuar (fituesin e “Pendës së Argjendtë” për librat e tij) Shpëtim Kelmendin. Si familje ata kaluan mal-trajtime, duke i syrgjynosur në internime në Lushnje për arsye të bindjeve të tyre antikomuniste. E Shefqeti ka qenë bashkë me Marijen, në burgun e egër sllavo-komunist. Ai i qetë përshkon sot rrugët e Shkodrës dhe i gëzuar që emrin dhe vepra atdhetare e patriotes së flaktë Marije Shllaku, filloi të zbardhet në ardhë të parë nga vetë bashkëvuajtësit në Kosovë e Shqipëri.
Shefqeti vargjet e tij plot nota dhembshurie dhe respekti për motrën e idealeve antikomuniste dhe anti-serbe, Marijen ,i shkroi në burgun e Zejmenit, në Lezhë, në vitin 1986. Edhe në atë gjendje vuajtjeje dhe privacioni të lirisë, Shefqetit i bie ndër mend të kujtojë historinë e viteve të rinisë, e mbushur me luftë dhe ideale të pastra atdhedashurie dhe demokracie të vërtetë, pa hienat komuniste që po bënin që shqiptarët të vuanin të rrethuar me tela me gjemba, në këtë burg gjigant të shtetit të diktaturës së Enver Hoxhës.
Me të drejtë autori Kelmendi, i ka vënë titullin poezisë së tij “Motrës”, Marije Shllakut, ku ndër të tjera vargëzon:
“Pranë një qyteti
është një varr pa varr,
është një vajzë e re,
që prehet në qetësi,
e varrin e saj,
askush sot s’e di…
Nuk ia thau rininë,
dashuria e vrarë.
Nuk ia shkimi dritën,
ndonjë e papritur.
Hëna pesëmbëdhjetëshe
e harroi vetveten.
Theu pasqyrën e nusërisë.
I dogji edhe studimet,
se një zë nga brenda i thirri:
“Bija ime, rininë tënde falma mua.
Digje zemrën për mijëra zemra,
që gufojnë sot anekënd”!
Dhe shkodrania doli në ballë me flamurin e Skënderit. Autori, i shqetësuar për fatin e zi të popullit të tij, pas ripushtimit të trojeve shqiptare nga ideologjia komuniste, e krahason këtë errësirë me re të zeza dhe vendin, se po e mbulon ky tym i zi, që do të sillte për shumë dekada, veçse vdekje, martirizim, keqtrajtime, burgime, litar, gjyqe farse, pushkatime, dhunime, djegie shtëpie e, pasurie.
E për çfarë nuk do të shquhet toka e martirëve gjatë kësaj kohe, që ndoshta edhe shekujt e ardhshëm, nuk kanë për të mundur për të zbardhur krimet dhe malin e madh të të vrarëve atdhetarë dhe nacionalistët e vërtetë shqiptarë. Tema Shefqetit, është sokolesha Marije Shllaku. Ai ndër të tjera në vargjet e mëposhtme, do të shkruajë me kujdes edhe këto vargje historike:
“Sokolesha s’iku natën në dhé të huaj
për të shpëtuar lëkurën.
Mali u bë çerdhe.
Toka ujë i dha të pijë.
Po një ditë me mjegull shumë,
pesëthepat të gjallë e zunë…”.
“Ti armike e popullit, – i thanë në një sallë, – fol për fajet e tua”!
“Për tokat e të parëve, luftova sa munda. Kreva veç detyrën”.
“Po ti, a e di se për këto krime, plumbi ty të pret”?
“Nuk më trembet syri. Unë ia fala jetën Kosovës martire. Ndaj jam krenare, se mbi varrin tim lule do të sjellin të rinjtë e kësaj toke”.
Shefqeti, duke qenë bir i Kosovës martire, e ndien se Kosova dhe vetë Prizreni, do t’i jenë mirënjohës për gjithçka që ajo bëri për këto troje, të larë me gjak trimash e trimëreshash. Ky mesazh nderimi dhe respekti i përhershëm si mirënjohje, lexohet thekshëm edhe në vargëzimin e mëposhtëm të autorit Kelmendi, ku ndër të tjera ai vargëzon kështu:
“Kjo ka pak rëndësi.
Emrin tim, zotëri,
ju s’e zhdukni dot”
e salla pikoi lot…
Brinjët ty t’i thyen,
po nuk ta thyen zemrën…
Buzët t’i shkruamuan,
po s’ta mbyllën gojën…
Sytë t’i shterruan,
po në dritë u shndërruan…
Verë e vitit dyzetegjashtë…
Sot Prizreni në gji të vet.
Me xhelozi ruan një sekret.
Borxhlinj të jemi, motra jonë,
O Marije, o shqiponjë”!
Ndoshta në numrin e ardhshëm për bashkëqytetarët shkodranë dhe në veçanti për brezin më të ri, do të sjellim fakte, dëshmi dhe heroizmin e kësaj shqiponje kreshnike, për të cilën komunistët shqiptarë dhe serbë, hodhën baltë. Këtu në Amerikë dhe në Kosovë, Marije Shllaku nderohet dhe respektohet me nderime të veçanta, për tërë kontributin e madh të saj, për trimërinë dhe atdhedashurinë. Memorie.al