Nga Ahmet Bushati
Pjesa e pesëdhjetenjë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Personi që në atë dhomë me nr. 7, do të qëndronte gjithë ditën tue lexue e shpeshherë edhe tue mbajte shënime, do t’ishte Dom Nikollë Mazrreku, njeri serioz e pak a shumë i mbyllun në vetvete, por që kur t’ i shkojshe për vizitë te vendi, prej kënaqësisë që do të ndjente me atë rast, do t’u bante njeri tjetër. Kështu Dom Nikolli, nga i vetmuem e mizantrop e, gjithmonë i mbyllun brenda nji strofulli të tij, në pajtim ndoshta edhe me parimet e misionit të tij si prift e, si studiues që ishte, ndër raste, do të provohej se ai kishte nevoje të kënaqej edhe si njeri.
Pak kohë ma parë, me ane të kriminelit Xhemal Selimi, i ishte pushkatue i vëllau, Ndreka, i akuzuem më kot se gjoja kishte hedhë nji bidon benzinë në zjarrin që kishte pasë përfshi Stabilimentin e Drunit në Fushe-Arrëz, ku ai kishte qenë me punë. Në të vërtetë, në kohën kur stabilimenti po u digjte, ai s’kishte pushue së mbushuni disa herë atë bidon, jo me benzinë, siç do t’ishte akuza e shpifun qëllimisht, por me ujë. Në këtë dhomë u ndodhshin edhe dy shtojakë, implikue me Kryengritjen e Postribës, njeni ma me moshë, që e kishte emnin Gjelosh Vata, që me trup ishte pa dyshim ma i shkurti i burgut, shumë i gjallë në lëvizje e në biseda me shokë, e tjetri, Gjon Leka, që shkruente me talent poezi me motive nga jeta e katundit.
Diku afër Hamit Kazazit e ish-kapitenit Halit Gega, u ndodhte edhe njifarë Abas Hysit, prej katundit Vithqar të Anës së Malit, i mirë e i gjatë e me do kambë si kërraba, të cilit të burgosurit e dhomës, për humor, do t’ia kujtojshin rastin kur ai nji herë i bamë nervoz me hetuesin që i kishte ra me dru pa pushim, i ishte pasë sjellë tue i thanë: “qes e s’qes, e Bedri Shazin nuk e qes”, person që siç e thojshin tue qeshë, ai hetues nuk ia kishte kërkue deri n’a atë dhomë do t’u ndodhte edhe nji tjetër anamalas me emrin Muharrem Saiti, prej katundit Muriq, që gjatë gjithë kohës qëndronte në vete, pa lëvizë prej vendit e pa kërkue me folë me njeri.
Sikurse tregojshin ata që e njifshin, ai ishte trim qe s’e kishte shoqin. Unë duhet t’isha miku ma i afërt i tij në atë dhomë, për i njohun që kishte qenë baba i im me të parët e tij. Kur unë nji herë, për të qeshe, po e pyetsha se; a ‘do të dishronte t’u bante, (nëse do të vinte nji dite siç e dishrojshim na), ai pa më shikue ne fytyrë, do tẽ më përgjigjej: “Xhandar”! “Po mandej, si xhandar, ç’ka do te bajsh ti”? – do të vazhdojsha me e pyet Muharremin, dhe ai, tue më shikue me buzë në gaz, do të m’u përgjgjte për së dyti: “Varzat që bajnë dashni dhe ato që shkojnë në kino (kinema), do t’i vras me dorën teme”.
Nuk do të kishte të vorfën në nji dhomë burgu, që sadopak t’mos u ndihmonte prej dikujt tjetër, e s’do të kishte të burgosun të panjeri, që plaçkat e tij t’mos i çojshim ndër shtëpitë tona për t’ua la. Kur ka qenë nevoja për t’i ardhë në ndihmë nji të vorfni a katundari, jo pa rrezik, kemi zbërthye natën vonë edhe derën e birucës, veç se si nji të denuemi të tillë edhe të panjohun, t’i futshim nji batanije e pak ushqim.
Gjatë qëndrimit në këtë dhomë, unë qeshë marrë intensivisht me vazhdimin e mësimit të gjuhës franceze – që dikur, siç e dimë, na e patën ndërpre, tue e pasë zëvendsue me atë ruse – si dhe me leximin e shumë literaturat të huaj. Brenda në burg, mbas “kthesës”, ndoshta për nji periudhe të caktueme, kanë mujtë me hye kryevepra të letërsisë botnore.
Mbaj mend që unë aty të kem lexue në italisht vepra të Stainbeckut, Cronninit, Dickensit, Bernard Show-t, Hugoit, Bourgetit etj., si dhe shumë prej veprave kryesore të Tolstoit e Dostojevskit, në frëngjisht novela të Çehovit, Lermontovit e Gogolit, reportazhe interesante të Ilia Eremburgut prej frontit të luftës së fundit, si dhe në shqip nga udhëtimi i tij në Amerikë, me ç’rast ai ndër tjera, do të fliste edhe për “vorreza makinash”, gja që athere edhe ne si vete Eremburgun, do te na çudiste shumë, si fakt e si emërtesë!
Mbaj mend që aty pata lexue “Gli Eori” të Carlyle-it, përmbledhjen e shkurtueme filozofike në librin me titull; “Il Pensiero”, prej të cilit n’mos paça kuptue si duhej përmbajtjen, s’ pakut pata marrë vesh se ç’ishte në vetvete një traktat filozofie e, njohë me atë rast për emën e biografi vargun e gjatë të filozofëve, që tue pase fillue me grekët Sokrat, Platon e Aristotel, do të përfundonte me Bergson e Santayana.
Ndoshta ishte vetë burgu, që leximi i çdo libri të të ngjallte interes e t’i atribuojshe atij vlera që ndoshta në realitet s’i kishte. Kështu p.sh., nji herë lexojsha një libër -ndoshta të Settembrinit- një libër voluminoz e pa shumë vlera artistike, por që mue do të më tërhiqte për faktin se tue tregue si italianët po luftojshin për te shporrë prej tokave të tyne pushtuesit austriakë, autori do të cilësonte si ma trimat, luftëtarët shqiptare {arbëreshë), ç’ka mue do të ma bante librin edhe ma tërheqës.
Unë e të tjerë si unë, do të lexojshim edhe mjaft letërsi me karakter shkencor e shoqëror, siç mund të ishin librat; “Come si crea la vita, questo sconosciuto”, te Carrelit; “La vita comincia a quarantanni”, “L’uomo sessant’anni”, të Harry Boxit, “L’inferiorita mentale della donna”, “Sesso e Carattere” të Eainingerit, “L’importanza di vivere” e të famshmit kinez Lin Ju Tang etj., etj., që s’asht nevoja të kujtohen nji për nji.
Do të kishte nga ata të burgosun që kishin mbet pak a shumë rob vetëm të nji libri për shumë kohë, si p.sh. Xhevat Dani e Dom Mark Hasi, të cilët me vite do të mbajshin nën jastëkë përkatësisht romanin “Figlio, figlio mio”, e tjetri “Il divorzio”, që do t’i lexojshin pjesë-pjesë, kushedi për të satën herë. Por jo të gjithë ish-njerëzit e shkollës, – le të kishin qenë edhe studentë të shkollave të mesme, apo edhe të nalta – do të kërkojshin me lexue libra, ose me mësue gjuhë të huaja.
Kishte kështu prej atyne të rinjve që ishin dhanë shumë mbas bisedave të pambarim të burgut, sikurse do të kishte edhe prej atyne të tjerëve, si p.sh. rasti i nji Sami Repishti, që për çudinë, e ndoshta edhe gazin e shumë të burgosurve, e shikonte të nevojshme me lexue deri edhe statutin e nji kooperative bujqësore. Pra, secili si mbas nji “modus vivendi” të tij, me të cilin ai kishte kuptue burgun e, kohën që fatmirësisht, vazhdonte me kalue.
Për jetën e nji dhome burgu, mund të shkruhet gjatë e të shikohet se si ajo, për kushtet që ka pasë, në vend që t’i kishte ngja nji vorri me njerëz të gjallë brenda, për meritë të vete të burgosurve, të moralit të tyne të ngritun, si dhe vetisë njerëzore të të përshtatnit në çdo rrethanë, ishte shndrrue në nji mjedis të ngrohtë e interesant, mjedis i komunikimit të sinqertë dhe i nji solidariteti të papërsëritshëm.
Për sa kohë që t’isha në dhomën 7, do të hyjsha në garë me Maliq Bushatin, se cili prej nesh dinte ma shumë fjalë në italisht. Maliqi kishte mbarue për jurisprudencë në Bolonja të Italisë, kurse unë italishten e kisha përmirësua në burg. Kështu që për humor, në prani të nji ose dy dëshmitarëve, do të zhvillojshim “garën” për të cilën unë gysh ma parë, fshehtas tij, do të kisha nxjerrë fjalë të rralla prej fjalorit.
Dom Pjetër Gruda, ndonëse prift, ka qenë ai numër i veçantë që ndoshta nuk e a pasë jo ma dhoma e jonë, por as burgu. I ndjeshëm e impulsiv siç ishte, i prirun shumë për humor e vazhdimisht gazmor, për marrëdhëniet që kishim me të unë e disa shokë, shpeshherë zor t’u kujtojshim që ai t’ishte edhe prift. Batutat e forta “shekullare” te Dom Pjetrit, gojë mbas goje, do të kalojshin në të gjithë burgun e, të mbrrijshin edhe në veshët e p.sh. nji Patër Frano Kirit të rreptë atje në dhomën 4, ku mandej Dom Pjetri, do të hante me atë rast nji dru, e të bante që ai, tue mos dashtë me përsërite gabimet, t’u shkëpuste gjoja për nji periudhe prej jo ma shumë se dy javësh prej nesh, për t’u tradhëtue përsëri prej vetes.
Gjatë atyne ditëve të gjoja “pendesës”, Dom Pietri, edhe pse me gojë nuk na fliste, me që s’iu rrinte, ai me qëllim provokimi do të mbështillte deri nalt mbi krye nji peshqir, tamam si t’ishte çallëm hoxhet e, të qëndronte pa folë e as shikue askënd. Na ndërkaq do t’i shkojshim mbrapa tue e thirr për emën, ndërkohë që ai, si gjoja seriozisht i zemruem me ne, do të na u përgjigjite pa na shikue në fytyrë: “M’u hiqni, s’ju njoh, s’ju njoh, kush jeni ju”?!
Leximin e gazetës në nji orë të caktueme të mbrëmjes, e kishin marrë përsipër Dom Pjetri e Asim Golemi, dhe si njeni-tjetri, për t’u tallë, atë lexim do ta shndrrojshin në dialekt të theksuem kavajas, tue i zgjatë e hapë edhe ma ato “a”-të e tij karakteristike e, tue shtue mandej vend e pa vend fjalën “lalë”, gjithashtu karakteristike të Kavajës.
Ajo orë e leximit të gazetës, qe kthye shpeshherë në orë të vërtete gazmore. Sidomos Dom Pjetri i deformonte shumë fjalët e fjalitë gjate leximit, tue improvizue e perifrazuara ndër raste “xhevahire” që shkrijshin në gaz nji dhomë të tanë. P.sh., nëse në gazete ishte i shkruem emni i Enver Hoxhës, Dom Pjetri aty për aty do të shtonte në vazhdim: “…që rin si gomari mbi urë”, ose nëse në gazete t’u shkruente për Stalinin, Dom Pjetri, tue mos hekë shikimin prej gazetës, do të vazhdonte: “…se ai Stalini, që m’i ka mustaqet si…e që me nderë jush burra, m’hangërt m…”, e të tjera e të tjera si këto.
Fati i jetës me Dom Pjetrin, do t’ ishte shumë i ashpër: mbas shumë vitesh që kishte dalë prej burgut të parë, do ta arrestojshin përsëri, dhe vetëm tre muaj pa plotësua të dhjetë vjetët e burgut të dytë, e pikërisht në vitin 1989, ai do të vdiste.
Nuk mund të largohem prej dhomës me numër 7, për pa kujtue edhe Gac Çunin, i cili disa herë, tue u pasë shkëputë prej dhomës së tij të të sëmurëve, do të vinte vjedhtas rojeve e të hidhej si “fluturimthi” në mesin tonë, dhe mbasi të kalojshim nga nji bisedë e shkurtë në tjetrën, me humorin që Gaci e sillte përherë me veti, do të niste me këndue jo vetëm “Kaçurrelat” e, atë të “Çobanit” tẽ porsa kompozuem prej tij, po dhe të tjera me radhë, e në të gjitha ato raste, na do të kishim kënaqësinë që në grup, por me za të ulët, të ndiqshim Gacin, Gac Çunin, që sa kishte kenë pa hye në burg, përmes “Radio Shkodrës”, me zanin e tij prej bylbyli të vërtetë, kishte vazhdue të kënaqte një Shkodër të tanë.
Në se ai burg ka pasë ndonjëherë nji të burgosun që t’ishte i përjashtuem nga politika, ai njeri ka kenë Gac Çuni, me vetëm prirje arti e gazmore për jetën. Tue i u sjellë nji herë oborrit të burgut në orën e ajrosjes, Gaci do të më thonte: “M’vjen turp me ma marrë vesh kush, veç në qoftë se ky burg ka nji njeri që s’don me ditë për politikë, jam unë”! Njeriu edhe pa qenë bestyt, në burg bahet i tillë. Asht e vërtetë se të burgosurit u besojnë ëndrrave për nevojë, por asht gjithashtu e vërtetë, që ëndrrat t’u kenë parafolë disa herë të burgosurve për ngjarje që në të vërtetë do t’u ndodhshin vërtetë në te ardhmen.
Kur u zgjonte i burgosuni që atë natë të kishte pa nji ëndërr, ai ma s’parit do ta shqyrtonte nji herë a dy, me vete, do ta riprodhonte edhe ndonj herë tjetër në mendjen e tij, e mandej ashtu të kristalizueme, do t’ua tregonte nji a dy vetëve që kishte ma pranë. Kur andrra kishte nevojë për interpretim – sepse ajo shumë herë u shfaqte përmes simbolesh, atëhere i interesuemi do t’u drejtonte te ata që në burg u njifshin si “specialistë”, në shpjegimin e tyne.
Unë vete kam kenë nji prej atyne që do të më dilshin andrrat, të cilat disa herë m’i kanë pasë parapri shumë ngjarjeve që do të më ndodhshin mbrapa, po edhe t’atilla që s’do të lidheshin me mue, ndonëse unë, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, s’do t’i flitsha me asnji.
Si ëndrrat, në burg besohen edhe shpatullat e bagëtive, në të cilat u besonte se u lexojshin ngjarje që lidheshin me fatin e nji njeriu, të nji shtëpie ose kolektivi, siç do t’ ishte rasti i jonë para se të dilshim në kamp, në maj të vitit 1951. Qysh disa ditë para, nëpër dhomat e burgut pat qarkullue fjala se; “ai shllaksi i dhomës nr. 4 – i njohun si ma specialisti në shikimin e shpatullave – kishte thanë se; “këta të burgosun që po u niskan kësaj here për në kamp, nuk po u kthyekan ma në burg e, se disa prej tyne edhe po vdiskan atje, sepse shpatulla dëfton gjak”. Dhe e vërteta do t’ ishte, se ne që dolëm me atë rast, nuk u kthyem kurrë ma në burg e, se disa edhe patën vdekë atje.
Shef Dege në atë kohë, do t’ishte Hilmi Seiti. Si student i gjimnazit të Shkodrës që kishte qenë vite ma parë, disa prej ish-bashkënxënësve të tij, do t’i gjente në burg. Keq nuk do t’u sillte me asnji prej tyne, po shumë mirë do t’u sillte sidomos me ata që me të kishin qenë konviktor të konviktit “Malet Tona”, siç do t’ishin p.sh., Mark Lulashi, Fran Sokoli e ndonji tjetër, kurse me Kolë Kurtin, Zef Zorbën, Ruzhdi Çobën, Sirri Anamalin etj., disi ma ndryshe.
Ka pasë ndonji rast që të na kishte ardhë edhe pijshëm, dhe se nji herë, tue pasẽ qenë në nji gjendje të tille, do t’i binte në qafë Dom Nikollë Mazrrekut, tue ia kujtue Ndreken, vllaun që ia kishin pushkatue pak kohë ma parë, me ç’rast ai Dom Nikollë, nga dhimbja për të vëllanë e pafajshëm, do t’iu kundërvinte atij me aq zemërim e guxim, sa do të na çudiste e bante përshtypje të gjithëve.
Fran Sokoli, tue i pasë besue sjelljes miqësore të Hilmisë me të, nji ditë do t’i fliste: “Hilmi, kur po na i bien ato makina që të na nxjerrin m’atë anë”? “A seriozisht e thua”?! – i ishte sjellë Hilmia Franit, dhe Frani me qetësi, ia kishte përsëritë edhe nji herë po ato fjalë e, atëherë Hilmia përfundimisht, i kishte pasë thanë: “Fran, po fole edhe nji herë kështu, do ta pres gjuhën”!
Trajtimi, sidomos me dy-tri vitet e parë, nuk kishte të krahasuem. Dy herë në ditë na nxirrshin në oborrin e madh e, kur të vinte pranvera, disa prej nesh gjatë asaj ore do të luejshim volejboll. Dy skuadra volejbollistësh përfaqësojshin respektivisht dhomat poshtë e nalt të burgut. Aty kishte volejbollistë që në kushte lirie, do të kishin pasë pa asnji dyshim vendin e tyne të merituem, në përfaqësuesen e qytetit.
Volejbollistët, si Mark Lulashi, Fran Sokoli, Gani Ymeri, Man Qehaja, Nush Simoni – që sa ishte pa u sëmurë arrinte me dalë me gjoks mbi rrjetë – Ahmet Kopliku, Paulin Kel Pali e ndonji tjetër, si zor t’i kishte vetë ekipi i Shkodrës në atë kohë. Mirë shumë do të luejshin edhe priftënt Dom Mark Hasi, Dom Pjetër Gruda, si dhe xhakoni Ndue Soku. Unë e Refik Bushati, do të plotësojshim gjashtëshen e dhomave poshtë, kurse arbitër përgjithësisht, do të ishte Ruzhdi Çoba.
Herë mbas here nëpër duert e ne të rinjve, do të qarkullojshin do si komunikata të shkrueme me dorë prej Zef Zorbës, që pasqyrojshin gjendjen politike të vendit e, ku u vinte në dukje faktori i jashtëm që nji ditë do të përmbyste regjimin komunist në vendin tonë. Stili i lehtë, i thjeshtë, konçiz e gjithsesi me kulturë, nga ana e Zef Zorbës, do të fliste vazhdimisht për pre-gatitjen tij intelektuale, si dhe talentin që kishte.
Ndërsa unë me Patër Gardinin, nji mbrëmje po pritshim radhën në korridor para rreshtit të W.C.-ve, aty futet Ismail Baruti që përqafohet me ne. Nga burgu i Tiranës, e kishin kthye atë ditë në burgun tonë. Me vete kishte sjellë prej andej nji kangë që po u quente; “Kanga e Qelisë”, të cilën ai na e këndoi aty për aty, me zanin e tij të lehtë e të ëmbël, e që më duket se për autor ka pasë Pjetër Gjinin, e burgosun në Tiranë:
“I burgosun unë i mjeri dhe i mbyllun ne qeli,
Si në vorr ktu e shkoj jetën,
Pa kend temin, në vetmi.
Refreni:
Qeli, natë e ditë unë të mallkoj,
Qeli, vorr për s’gjallit, s’të dishroj,
M’more jetën para kohe,
s’të vjen keq për nji të ri,
A po ndjen moj, a s’ke zemër,
e mallkuemja, ti qeli.
Vaj i mjeri si po tretem
dhe po dergjem në këtë vend,
Rreze dielli pa pa kurrë, botë,
as lule, asnji send,
Me çelik edhe çimento,
i rrethuem jam pa kërkënd,
Refreni:
Liri, fjalë e shejtë që t’adhuroj,
Liri, fjalë e ambël që t’dishroj,
Pa ty jeta s’asht e lumtun,
Ktu aspak nuk ka qetsi,
Dangadalë po ma tretë jetën,
Burgu i namun, burgu i zi.
Kam nji nanë të idhndueme,
që prej mejet pret gezim,
Kam nji grue të dishprueme,
që prej meje pret lumnim,
Kam nji djal, oh! të parritun,
që prej mejet pret mësim.
Refreni
Dashni, fjalë e shtrejtë që të kujtoj,
Dashni, fjalë e ambël që t’dishroj,
Pa ty jeta s’asht e lumtun,
dite e natë une rri e fshaj,
Fshaj për prind e për dashnore, që…
Refreni
Qeli, natë e ditë unë të mallkoj…”
Kur Smajli mbaroi kangën, unë i mallëngjyem vërejta në fytyre patër Gardinin, dhe pashe se sytë e tij po vezullojshin prej dy si perde te skuquna lotësh. Për kënaqësinë tone, Smajli na e këndoi atë kangë për herë të dytë, në kohe qe rreth nesh qenë afrue edhe disa të burgosun të tjerë. Mbas dy ditësh kjo kangë po u këndonte në të gjitha dhomat e burgut. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016