Nga Dr. Qemal Lame
Pjesa e tretë
Memorie.al/Shteti i diktaturës së proletariatit në sistemin politik të periudhës së socializmit diktatorial inskenonte dhe propogandonte se kishte “zbuluar” armiq, tradhëtarë, sabotatorë, komplotistë e puçistë për të goditur dhe eleminuar kundërshtarët politikë, si dhe për të krijuar artificialisht situata që fshiheshin me platformën e luftës së klasave për të ashpërsuar dhunën shtetërore dhe të tërhiqnin vëmendjen nga problemet e rënda të krizës politike, ekonomike e shoqërore. Në “Tabllonë Sinoptike”, ku është dokumentuar plenumi i Komitetit Qendror të PPSH-së që dënoi “komplotin e poliagjentit Mehmet Shehu” me bashkëpunëtorë kryesorë Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj., vetë Enver Hoxha ka thënë se: të gjitha komplotet i ka zbuluar Partia dhe asnjë nga Sigurimi i Shtetit!
Kjo thënie kuptohet qartë nga të gjithë se ai ishte personi që i kishte zbuluar e dënuar armiqtë e popullit e të Partisë. U eleminuan dhe dënuan kundërshtarët e tij potencial që i rrezikonin pushtetin absolut. U eleminuan edhe ata që ai i vlerësonte më të besuarit të cilët ju kishte besuar zbatimin e urrdhërave për eleminimin dhe zhdukjen e personave të deklaruar armiq. Me këtë metodë u fshehën edhe provat, dëshmitarët kryesorë që mund të bëheshin të rrezikshëm për figurën e tij të idealizuar dhe pas vdekjes dhe ndonjë rast të hetimeve me ndryshimin e sistemit politik, megjithëse mendohej si i përjetshëm.
Tragjedia e dhunës së shtetit diktatorial dokumentohet qartësisht edhe në veprimtarinë e fshehtë agjenturore të Sigurimit të Shtetit, të hetuesisë, prokurorisë e gjykatës del qartësisht e bindëse edhe në çështjen e fallsifikuar të grupit që u akuzua dhe u dënua për diversionin dhe sabotim në Kombinatin e Tekstileve në Berat. Në këtë çështje mësojmë pasojat e rënda të diktaturës për dënimin e njerëzve të pafajshëm me anë të legjendave kriminale të Sigurimit të Shtetit, të miratuara nga udhëheqja e PPSH-së dhe të imponuara për t’u ligjëruar nga hetuesia, prokuroria e gjykata.
-Gjykimi i grupit të akuzuar për “diversion, sabotim, agjitacion e propagandë, vjedhje, armëmbajtje pa leje etj”., në Kombinatin e Tekstileve në Berat.
Prokurori dhe kryetari i trupit gjykues, unë dhe Aliu, sqaruam se: “Po zbatohen procedurat e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale. Sapo ka filluar gjykimi. Nuk është me vend për t’u krijuar shqetësime në këtë fazë të gjykimit të çështjes…”
Theksuan mendimin se udhëheqja është informuar jo në mënyrë profesionale:
-Gjykimi para popullit, është e domosdoshme që të dëshmojë edhe korrektësinë në zbatimin e procedurës së gjykimit. Nuk mund të fillojë gjykimi me demaskimin e të pandehurve dhe të qëllimeve të tyre. Pasi të dëgjohen të pandehurit, do të kalohet në fazën e thellimit të gjykimit, të demaskimit të veprave penale dhe autorëve të tyre. Në këtë fazë të zhvillimit të gjykimit, bëhen edhe ndërhyrjet për të evidentuar konkretisht rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale dhe të pandehurve. Po zbatojmë me përpikmëri rregullat proçeduriale. Kështu do të bindet populli që ndodhet në sallën e gjykimit dhe masa e madhe e njerëzve që ka mbushur sheshin para Pallatit, të cilët dëgjojnë direkt me autoparlantë gjyqin.
Shpjegimet tona ishin ligjore dhe bindëse.
Mine Guri, mori direkt sekretarin e Komitetit Qëndror, Hysni Kapo e më pas Ramiz Alinë, dhe e vuri në dijeni të shpjegimeve që u dhanë nga prokurori dhe gjyqtari, duke përmendur konkretisht emrat dhe mendimet e tona.
-Shoku Hysni. Sipas porosisë tuaj, thirra prokurorin dhe gjyqtarin, i kam këtu, shokët Qemal Lame dhe Ali Zanko. Të dy më thonë, se sapo ka filluar gjykimi, po zbatohet procedura me përpikmëri. Pasi të dëgjohen dhe të merren thëniet e të pandehurve për akuzat, do të kalohet në fazën e demaskimit të veprave dhe fajtorëve. Kemi besim se gjykimi do t’ia arrijë qëllimit…
Argumentet e dhëna nga ana e jonë dhe të transmetuara direkt nga Mine Guri, patën efekt.
Dëgjuam, që Hysniu tha:
-Mirë! Kështu jemi dakord. Megjithatë, prositë prokurorin dhe gjyqtarin që të veprojnë fort. Gjykimi ka rëndësi politike. Procedurat ligjore t’i shërbejnë interesit të Partisë. Prandaj jua kemi besuar atyre atë proces. Të demaskohen të pandehurit. Populli të njihet më konkretisht me rrezikshmërinë e theksuar shoqërore të diversionit, sabotimit, të, vjedhjes dhe përdorimit të lëndëve eksplozive etj. Të kuptohet mirë nga populli përgjegjësia e të pandehurve për veprat e kryera prej tyre dhe pasojat që do të vinin në rast se nuk do të ishin arrestuar në kohë. Opinioni shoqëror dhe të pranishmit në sallë, kërkohet të njohin dhe të dënojnë këtë veprimtari diversioniste dhe sabotuese. Nga të gjithë, të njihen rrezikshmëria dhe pasojat e rënda të ardhura dhe ato që mund të ndodhnin, po të mos ishte bërë zbulimi në kohë i këtij grupi armiqësor. Populli, ushtarakët dhe çdo njeri, kërkohet të shohi se si zbatohet forca e ligjit nga gjykata dhe prokuroria. Partia nuk ka mëshirë për armiqtë, tradhëtarët, sabotatorët, diversionistët etj., etj.
U kthyem po me makinë.
Para se të futeshim në sallë, biseduam sëbashku me Aliun. Ishte e nevojshme të vepronim për të reaguar ndaj kritikave të bëra, por edhe të jemi sa më objektiv në gjykim.
Të dy e kishim të qartë, se:
-Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Pëllumb Kapo, e kishte bërë problem qëndrimin tonë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe direkt në Komitetin Qëndror. Duhet të reagojmë, por gjithmonë në bazë të ligjit. Në masën e duhur të bëhen të njohura rrezikshmëria e veprave të kryera dhe autorëve. Por, kjo vlerësohet jo e mjaftueshme. Kryetari i Degës është ankuar. Duket se është i pakënaqur me qëndrimin tonë. Ai na ka akuzuar padrejtësisht në udhëheqie për qëndrimin e mbajtur, duke i lënë të lirë të pandehurit që të japin shpjegime. Kërkohet që të jemi më aktiv në gjykim. Puna jonë e prokurorit dhe gjyqtarit, është përqëndruar në rolin edukues dhe parandalues të gjyqit, në bazë të rregullave proçeduriale. Kemi kërkuar zbatimin e rregullave proçeduriale në hetim, por kjo ka ngjallur shqetësim. Nga organet më të larta të Partisë, neve nuk na kërkohet që të tregojmë se si zbatojmë procedurën dhe rregullat për ligjshmërinë e gjykimit dhe të dënimit. Kërkohet me forcë që të ndikohet konkretisht tek njerëzit, të përqëndrohet vëmendja e opinionit shoqëror në rrezikshmërinë shoqërore të diversionit, sabotimit, agjitacionit etj., dhe përgjegjsinë e të pandehurve. Këtë do ta realizojmë në bazë të kritereve ligjore të akuzave ndaj të pandehurve dhe normave proçeduriale të gjykimit.
Reflektuam në porositë e dhëna, duke u përmbajtur në kriteret ligjore proçeduriale. U demaskua veprimtaria armiqësore dhe akuzat ndaj të pandehurve, në bazë të fajësisë së pranuar vetë prej tyre. Brenda mundësive që kishim, u tregua kujdes edhe në etikën e gjykimit për të respektuar edhe kriteret proçeduriale të të të drejtave dhe dinjitetit të të pandehurve.
Gjatë gjykimit nuk janë bërë të njohura dyshime ose kundërshtime për akuzat
Nga të pandehurit, dëshmitarët apo personat që diskutuan, nuk janë shprehur mendime për dhunë, fallsifikime ose ide të mund të hidhnin dritë për pasaktësi apo veprime të qëllimshme për të imponuar procesin agjenturor, hetimor e gjyqësor.
Në emisionin “Memorie”, të Tv Scan, në datën 29 maj, u bë e njohur për një thënie të një ish-oficeri të Xhenjos që pretendon se gjatë gjykimit ka thënë se me sasinë e eksplozivit që akuzohen të pandehurit, nuk mund të hidhej në erë kombinati…!
Këto thënie janë bëhen të njohura pas 43 vjetëve. Nuk dihen motivet e këtij qëndrimi. Për t’u sqaruar këto thënie, është me vend që ato të verifikohen me dokumentet e dosjes hetimore e gjyqësore.
Me dijeninë time, ashtu si arsyetova në emision, vë në dukje se në gjykimin e çështjes nuk ka patur asnjë pretendim nga ndonjë person përfshirë edhe këtë ish dëshmitar, ish oficer i xhenjos.
Është e drejtë dhe e pranueshme thënia se me sasinë e eksplozivit të përmendur në aktakuzë, të shqyrtuar e analizuar në seancën gjyqësore dhe të fiksuar në vendimin e gjykatës, nuk mund të hidhej në erë kombinati. Nuk bëhej fjalë për hedhien në tërësi në erë të gjithë kombinatit, por vetëm për aktin e diversionit dhe të sabotimit.
Në asnjë dokument proçedurial të hetuesisë dhe gjykatës, nuk ka të pasqyruara pretendime të kësaj natyre. Proces-verbali i seancës gjyqësore është shkruar me korektësi e përgjegjësi nga sekretarja, e cila ishte krye sekretare e Gjykatës së Rrethit të Beratit.
Procesi hetimor i fallsifikuar dhe dhuna fizike dhe psiqike ndaj të pandehurve e dëshmitarëve që realizoi skenarin e diversionit e sabotimit, kanë ndikuar që dokumentet të hartohen e arsyetohen sipas qëllimeve të parashikuara e të ndjekura me militantizëm nga personat që kanë ndjekur çështjen nga Sigurimi dhe hetuesit që ishin me të njëjtin status si oficerë të Sigurimit të Shtetit. Nuk ka patur ndonjë fjalë që të mundësonte pretendime për dhunën ose fallsifikimin e të dhënave të administruara si prova në mbështetje të akuzave.
Me përgjegjësi theksoj se po të ishte bërë ndonjë pretendim i ndonjë personi do të ishte diskutuar e analizuar menjëherë direkt nga unë si prokuror. Do të ishte një mundësi që të reagoja me mundësitë që kisha për tu thelluar hetimet dhe të kërkoja të kthehej çështja hetuesisë për plotësim të hetimeve.
Etika profesionale e morale
Në gjykim është respektuar etika profesionale dhe komunikimi korrekt. Nuk ka asnjë fjalë fyese. Është respektuar dinjiteti e personaliteti sipas normave të moralit qytetar. Në opinionin shoqëror dhe marrëdhëniet me kolegët ka qenë e mbetet e njohur korrektësia dhe etika e komunikimit dhe e edukatës qytetare nga prokurori dhe gjytari i kësaj çështjeje.
Arsyetimi i vendimit të gjykatës
Në përfundim të gjykimit dëgjohet fjala e fundit e të pandehurve. Edhe në këtë fazë kritike të akuzuarit pranuan akuzat pa asnjë kundërshtim dhe kërkuan mëshirë për masën e dënimit. Ata flisnin dhe shikonin kryetarin e degës, shefin e Hetuesisë e hetuesit.
Gjykimi përfundoi pas orës 18:00.
Mbetej nata për të argumentuar vendimin e gjykatës.
Gjyqtari, kryesuesi i seancës, Aliu ishte në vështirësitë e arsyetimit të vendimit për shkak të vështirësive dhe rrezikshmërisë së procesit dhe pritshmërisë nga udhëheqia e masa e popullit të dhënien e dënimit të rreptë për çdo të pandehur.
Bashkë me Aliun ishim të sistemuar në një dhomë në katin e parë, në anën e djathtë, të Hotel Turizmit. Ashtu si në çdo natë, punuam bashkërisht, por secili respektonte lirinë e mendimeve dhe fshehtësinë e përgatitjes dhe arsyetimit të materialeve të vlefshme për gjykimin e çështjes dhe dhënien e vendimit. Aliu ishte i tronditur dhe më kërkoi ndihmën për arsyetimin e vendimit. Me dëshirë dhe me përgjegjësi, punuam bashkë në mirëbesim dhe me ndërgjegje juridike të pavarura për të pasqyruar drejtë zbatimin me përpikmëri të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.
Aliu shkroi me dorën e tij gjysmën e vendimit. Nuk kishte mundësi të vazhdonte të shkruante në tej. Ai kishte vështirësi kur shkruante për shkak të një kontrakture në krahun e djathtë duke e mbajtur brrylin lart. Po afronte mëngjesi. Vendimi duhej të ishte i përgatitur dhe do të bisedohej në dhomën e fshehtësisë me dy ndihmës gjyqtarët, para njoftimit zyrtar e publik. Në këto momente mora përsipër të vazhdoja të shkruaja e të përfundoja arsyetimin e vendimit. Aliu u mendua shumë, Biseduam se ishte e domosdoshme të tejkalonim kriteret e rrepta të pavarësisë së gjyqtarit dhe të formulimit të akteve proçeduriale. Shkrimi im ishte pothuajse i njëjtë me të Aliut. Kështu u mirëkuptuam dhe përfundova gjysmën tjetër të vendimit.
Publikimi i kësaj të vërtete merr vlera për saktësinë. Po të lexohet vendimi origjinal në dorëshkrim, megjithë ngjashmërinë e përsosmërinë, me shikim kuptohen disa ndryshime të vogla të individualitetit e stilit të shkrimit e germave. Me akt ekspertimi nga ekspertët kriminalistë të dorëshkrimit dhe gjuhëtarë, po të jetë e nevojshme të kërkohet verifikimi, do të arrihet përfundime për origjinalitetin e shkrimeve dhe autorëve.
Mendova të publikoj këtë të vërtetë në nderim të kuptimit të rrethanave të rënda në të cilat kanë punuar prokurori e gjyqtari, origjinalitetit të dokumenteve proçeduriale dhe dokumentimit të saktë të historisë.
Në fund të gjykimi, u dha dënimi me vdekje për dy të pandehurit Luftar Protoduari dhe Riza Hazizi.
Pasi përfundoi seanca, po largoheshim bashkë me gjyqtarin, Ali Zanko.
Kur po dilnim tek dera, u afruar oficeri i policisë që komandonte trupën që shoqëronte të dënuarit dhe na u drejtua mua si prokuror dhe Ali Zankos si gjyqtar: duke thënë:
- Një grua kërkon të takojë ata që u dënuan me vdekje! Si të veproj?
- Prokurori ka të drejtë të vendosë për këtë kërkesë, ju përgjigj menjëherë Aliu.
- Shoku prokuror! E fejuara, kërkon që ta takojë për herë të fundit të dënuarin me vdekje. Rregullorja e ndalon takimin. Si të veproj?
- Të lejohet që ta takojë. Luftar Protoduari u dënua nga gjykata, në bazë të ligjit dhe fajësisë që u vërtetua në procesin e gjykimit të çështjes në seancat e hapura publike të zhvilluara në prani të popullit dhe të medias. Ai mbajti qëndrim pendues dhe bëri autokritikë e pranoi pa rezerva fajësinë e tij. Është detyrim human që të mundësojmë takimin e tij me të fejuarën.
- Të lejohen familjarët që të takojnë të dënuarit me vdekje dhe të dënuarit e tjerë. Ata mbajtën qëndrim pendues.
- Si urdhëron! Po më parë është e domosdoshme që të vë në dijeni kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme.
- Keni të drejtën tuaj për të vepruar sipas rregullave të caktuara. Unë urdhëroj me përgjegjësinë personale që të lejohen familjarët të takohen me të gjykuarit. Të lejohet e vajza të takojë të fejuarin e saj, Luftar Protoduari. Ata janë në fakt të dashuruar, nuk janë akoma zyrtarisht të fejuar. Megjithatë, janë më të afërt se të fejuar ose bashkëshortë në këto çaste të dënimit. Kanë të drejtën e takimit për disa çaste. Të dënuarit me vdekje, kanë të drejtën e fundit të lamtumirës. Nuk ka përse të presim deri sa të gjendet dhe të marret leje nga kryetari i Degës. Unë jap urdhër me përgjegjsinë time dhe në bazë të kompetencave të mija. Kur të vesh në dijeni kryetarin e Degës, i thuaj që urdhëri im ishte i prerë.
- Si urdhëron! Do të lejoj takimin.
Kështu u veprua. Familjarët u lejuan dhe u takuan me të dënuarit të afërm të tyre.
Bashkë me Aliun pritëm deri sa të vinte përsëri oficeri që komandonte trupën e shoqërimit të dënuarve.
Pas afro një gjysëm ore, ai erdhi dhe mu drejtua:
- Shoku prokuror! Urdhërin e zbatova. Lejova dhe mundësova takimin e familjarëve me të dënuarit.
- Ke bërë një veprim të mirë dhe human, i thashë duke e falënderuar.
Pas kësaj bisede u ndamë me të.
Bashkë me Aliun, u nisëm për në Komitetin e Partisë së rrethit. Atje gjetëm edhe kryetarin e Degës, shefin e Hetuesisë dhe dy punonjës të sektorit të edukimit.
Pëllumb Kapo m’u afrua dhe më tha:
- Shoku prokuror. Juve kishit urdhëruar takimin e familjarëve me të dënuarit?!
- Po! Unë urdhërova, në bazë të kompetencave që kam si prokurori i çështjes, prokuror pranë Gjykatës së Lartë, Prokurori i Forcave të Armatosura…
- Policët nuk kishin të drejtë që të vepronin për zbatimin e atij urdhëri, pa biseduar më parë me mua si kryetar i Degës. Ata varen prej meje.
- Ligjërisht dhe parimisht keni të drejtë. Megjithatë, ky është një rast i veçantë dhe veprim i kryer, shoku kryetar i Degës së Punëve të Brendshme. Në bazë të kompetenca të parashikuar nga ligji, unë kam të drejtë që të vendos vetë. Policët kanë për detyrë t’u binden urdhërave të prokurorit ushtarak, kur ai i jep direkt. Nuk është e drejtë që të bësh fajtor policët. Ata zbatuan urdhërin tim të ligjshëm. Në këtë rast, edhe juve si kryetar i Degës, kërkohet që t’a respektoni të drejtën dhe kompetencën time si prokurori i çështjes. Këto kritere zbatohen në tërësi në marrëdhëniet midis Prokurorisë dhe Degës së Punëve të Brendshme… Gjykimi u vlerësua nga populli i pranishëm në sallë dhe masa e madhe e njerëzve që dëgjonin me altoporlant në sheshin përreth kino-teatrit e në gjithë qytetin. Ishte pothuajve gjithë populli i Beratit i pranishëm. Edhe takimi i familjarëve me të dënuarit, ishte një qëndrim human. Unë dëgjova shumë njerëz që thanë se u veprua shumë mirë që u lejuan familjarët të takohen me të dënuarit.
Pëllumb! Përballuam një gjykim shumë të vështirë. Tani shkojmë dhe takojmë sekretaren e parë. Po të ketë edhe ajo mendim tjetër, atëhere do ta diskutojmë në Komitetin Qëndror.
- Unë vura menjëherë në dijeni ministrin e Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, dhe sekretarin e Komitetit Qëndror, shokun Hysni Kapo, tha Pëllumbi. (Pëllumbi është djali i Hysni Kapo që ishte i ngarkuar me drejtimin e organeve të diktaturës.)
- Keni bërë shumë mirë. Mendoj, se shoku sekretar i Komitetit Qëndror, edhe mua më ka kuptuar drejtë.
- Udhëheqia e vlerësoi qëndrimin tuaj si prokuror. Megjithatë, më thanë që herë tjetër të bashkëpunohet me Degën e Punëve të Brendshme para se të jepen urdhëra për takime të familjarëve me të dënuarit. Organet e Punëve të Brendshme kanë kompetencë zbatimin e rregullave për ruajtjen dhe sigurinë e të ndaluarve, arrestuarve, të dënuarve dhe reparteve të vuajtjes së dënimit e të burgjeve.
- I njoh dhe i respektoj të drejtat ligjore të organeve të Punëve të Brendshme. Edhe prokurori ka të drejtën e kontrollit të ligjshmërisë në këto organe. Bashkëpunimi është problem i përbashkët i metodës së punës. Këtë do ta realizojmë bashkërisht. Edhe juve, po të keni vërejtje, është mirë të bisedojmë bashkërisht para se të raportosh menjëherë në udhëheqje dhe pa ditur mendimin tim …
Në kuptim dhe zbatim të drejtë të ligjeve dhe të rregullave të burgjeve ku janë pasqyruar në përmbajtje edhe normat ndërkombëtare të pranuara, nënshkruara e ratifikuara edhe nga institucionet shtetërore e të drejtësisë shqiptare, për arsye të sigurisë së rendit dhe të personit, nuk lejohet që i dënuari i arrestuar të takohet me familjarët ose persona të tjerë pas vendimit të gjykatës.
Kryetari i Degës kishte të drejtë që nuk lejojë të shkeleshin rregullat. Për t’u sqaruar qëndrimi im në këtë rast pa precedent, vë në dukje, se e mora përsipër përgjegjësinë për të lejuar këtë takim duke anashkaluar rregullat pikërisht duke u orientuar nga bindja e brendshme, se procesi ishte i fallsifikuar dhe ndjenja e humanizmit për të plotësuar një dëshirë të fundit të një të dënuari e të së dashurës së tij, që nuk do të kishin mundësi në këtë jetë të takoheshin përsëri…! /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016