Nga Ali Buzra
Pjesa e dyzetë
– JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
Ganiu, kohët e fundit ka punuar në transport nafte për makineritë bujqësore, me mushkën e tij. Këtë mundësi ia dha ish-kryetari i kooperativës, Ramiz Albrahimi. Ramizi, ishte organizator mjaft i zoti. Ai nuk merrej shumë me anën politike, por donte korrektësi e rregull në punë. Ganiu i mbarte në mënyrën më perfekte këto cilësi. Ai ishte punëtor i gjallë. Ngrihej që me natë dhe bënte furnizimin e traktorëve në të gjithë sektorët, duke shkuar në çdo parcelë. Mirëpo, nuk e linin rehat. Një ditë Sekretari i Byrosë së Partisë, i thotë Ramizit, se përse e mbante kulakun ke nafta.
“Nuk po e fus në parti, – i përgjigjet ai, – më bën punën, prandaj e mbaj”. Ramizi, ishte edhe anëtar i Byrosë së Partisë së rrethit, e kishte mbështetje. Menjëherë mbas largimit te Ramiz Albrahimit si kryetar kooperative, Ganiun e heqin nga puna si furnitor të traktorëve me naftë. Kryetari i ri i kooperativës bujqësore që zëvendësoi Ramizin, urdhëron largimin e tij të menjëhershëm nga puna. Ndërkohë kërkojnë t’i marrin edhe bidonët, me te cilët ai kryente transportin, që i kishte siguruar vetë. Me gjithë këmbënguljen e kuadrove të kooperativës, Ganiu nuk i jep ato.
Djalin e tij të madh, Hyqmetin, ai e martoi me vajzën e Sali Hoxhës nga Rrajca, i cili qe i dënuar me 22 vite burg, i akuzuar për agjitacion e propagandë. S’kishte si të bënte, nuk i jepte kush nuse në fshat. Njërën nga vajzat e martoi me Bexhet Gurrën, nipin e Daut Gurrës, në Dragostunjë, ndërsa dy të tjera, i dha te fisi Blloshmi në Bërzeshtë. “Ne ishim më keq se të internuarit në Belsh, si dhe me kulakët e Vilanit, – shprehet Xhemali. – Ata ishin të gjithë së bashku e shkonin te njëri-tjetri, ndërsa ne s’kishim ku shkonim”.
Në vitin 1985, Ganiu me Xhemalin, i bëjnë kërkesë kryetarit të Frontit Demokratik në fshat, për t’u pranuar në organizatë, me qëllim që t’u hiqej titulli kulak. “Nuk do e merrnim për keq, në qoftë se do të na thoshte, se nuk mundem, – rrëfejnë ata. – Por ai na vuri kusht, që të ndaheshim me Nebiun, i cili vazhdonte të vuante dënimin”. Sot, cilido, mund të thotë: Si mund t’i kërkosh djalit të braktisë babain e tij, apo vëllai vëllanë, për të marrë teserën e Frontit, aq më tepër që ai ishte në burg, e kishte nevojë për mbështetje?
Problemet për familjet kulake, ishin nga më të ndryshmet. Atyre u dilnin pengesa për çdo punë që nisnin. Me punë, sakrifica e kursime, Gani Dosku nis të ndërtojë një shtëpi të re, mbasi në shtëpinë e vjetër, ishte shumë ngushtë. Për këtë merr tre ustallarë nga fshati. Sapo filluan punë, ndaj tyre filluan presionet, se po punojnë për ndërtimin e shtëpisë së kulakut. Harun Muçës, i cili ishte njëri nga ustallarët që filloi punë aty, i thonë se do t’ia hiqnin djalin e tij, Muhametin, nga puna si mësues. Ganiu, shkon në Degën e Punëve të Brendshme.
Aty takon operativin e zonës, të cilit i thotë se ka nisur të ndërtojë shtëpitë, e po u bëhet presion ustallarëve. “Tani, ose duhet të rri pa shtëpi, ose duhet të arratisem, siç bëri vëllai”, – i shprehet ai operativit të Sigurimit të Shtetit. Pas 2-3 ditësh, e thërret operativi, e i thotë të gjejë ustallarë nga ndonjë fshat tjetër. U detyrua të kërkojë fshat më fshat. Shtëpinë e tij e ndërtuan; Mustafa Shera, Rakip Qeti e Neshat Zika nga Prevalli. Për fat të mirë, tre të lartpërmendurit ishin mjeshtra të punimit të gurit. Mirëpo, erdhi radha e vendosjes së çatisë. Lëndën drusore, Ganiu, e pati prerë me leje në vendin e quajtur “Dushk-Trashë”, mbi lagjen “Balca”. Lënda do të transportohej me krahë e donte shumë njerëz.
Në fshat, nuk mund t’i merrte, sepse mund t’u krijonte probleme. Kështu, transportin e bëri me disa burra që erdhën nga familjet kulake të fshatrave të tjerë. E ç’të bënin kulakët e shkretë! Për çdo gjë, ishin kundra-vajtje. Kur martoi vajzën te Blloshmi në Bërzeshtë, Ganiu, bisedoi me një shofer të një ndërmarrje shtetërore, që ta çonte si pasagjer, në një makinë tip “Zis”. Ganiu me Xhemalin, rrëfejnë raste të panumërta të kufizimeve me të cilat ata përballeshin. “Ne nuk mundëm të shkojmë në varrimin e motrës sonë këtu në lagje, – shprehet Ganiu, – si rezultat i presionit të jashtëzakonshëm që u bë mbi familjen e saj ndaj nesh”.
Një problem tjetër ishte se të rinjtë kulakë, nuk pranoheshin në Organizatën e Rinisë. Ashtu si dhe për Frontin, kur bëhej mbledhja e rinisë, ata detyroheshin të largoheshin, ashtu me kokën ulur. Meqenëse m’u dha rasti të shkruaj, do të përmend, se si u bë e mundur të pranohej djali i Gani Doskut, Hyqmeti, në organizatën e rinisë. Në vitet e diktaturës, ne mësuesve na aktivizonin me detyra në organizatën e Frontit, të Rinisë, të Bashkimeve Profesionale, të Gruas etj. Kryenim kështu, detyra shoqërore, duke propaganduar vijën e Partisë. Në mbledhjet që organizonim me popullin, punonim tema e bënim biseda me përmbajtje krejtësisht politike, ku vihej në dukje në mënyrë të drejtpërdrejtë roli udhëheqës i Partisë në të gjithë jetën e vendit. Këtë punë e kemi kryer më së shumti ne mësuesët vendali, mbasi e njihnim fshatin e ndodhshim me vendbanim aty.
Me sa më kujtohet, ishte viti 1981. Mbas disa vitesh me punë në fshatra të tjerë, si në Prevall, Kostenjë e Qarrishtë, në vitin 1978, u afrova me punë në fshatin tim, Gizavesh. Në një mbledhje që u organizua në qendër të kooperativës, u zgjodha, ose më mirë të them, u caktova, Sekretar i Komitetit të Rinisë të Kooperativës së Bashkuar Dorëz, ku përfshiheshin fshatrat Dorëz, Gizavesh, Librazhd-Katund e Qarrishtë. Në këtë mbledhje ishte Sekretari i Parë i Komitetit të Rinisë së Rrethit. Isha në moshën 25 vjeç. E pashë që në prezantimin e parë, se i deleguari ma vuri syrin. Jo vetëm se isha në moshë të re, por edhe vendali. Për hir të së vërtetës, ky person, do të bëhej çelësi i suksesit tim në jetë, mbasi dy vjet më vonë, më dha mundësinë për të vazhduar studimet e larta në degën Histori-Gjeografi. Deri në këtë kohë, isha vetëm me Pedagogjike dhe nuk më qe dhënë mundësia për të vazhduar studimet e larta.
Mbas afro një muaji, më thërret në Librazhd e më thotë se është ngritur një kurs njëvjeçar filozofie, me orientim për drejtues të rinisë, në Durrës. Ishin caktuar katër veta, mes të cilëve edhe unë. Aplikantët, duhet të kishin kryer shkollën e mesme. – “Ju e plotësoni më së miri këtë kriter, – më tha ai, – sepse jeni edhe me Pedagogjike. Në qoftë se dëshironi, ju çojmë”, – e përfundoi fjalën ai. – “E pranoj”, – i thashë. Dhe kështu u bë. Në këtë kurs u bëmë afro 100 kursantë, nga të gjitha rrethet e vendit. Nga Librazhdi, ishte Bajram Çoço, nga Katjeli, Zyba Hysa, nga zona e Hotolishtit, Xhevrie Poçi, nga Bërzeshta dhe unë. Atje ishim me të drejtë page, të vendosur në një nga mjediset e hoteleve të plazhit dhe kushtet ishin të mira. Studentët me arsim pedagogjik ishin të paktë, mbasi shumica ishin aktivistë të rinisë me arsimim bujqësor. Ne të Librazhdit, mbanim rekord, sepse ishim tre me pedagogjike. Një pjesë e mirë e studentëve ishin të organizuar si anëtarë ose kandidatë partie, ndërsa nga ne të Librazhdit, nuk kishte të organizuar në parti.
Programi mësimor, kishte për objekt studimin dhe përvetësimin e temave të Historisë së PPSh-së, Doktrinën marksiste-leniniste që përbëhej nga temat mbi Materializmin dialektik e historik, Ekonominë politike të socializmit e kapitalizmit, si dhe tema të punës drejtuese organizative me masat. E mbaruam kursin në qershor të vitit 1979, duke kryer edhe 10 ditë praktikë pune në rrethe. Në grupin ku unë bëja pjesë, ishte kryetare një grua e cila quhej Polikseni Shope, nga Poliçani i Gjirokastrës. Ajo, ishte me kombësi greke nga minoriteti dhe dallohej për korrektësi e sinqeritet të jashtëzakonshëm. Në të spikatnin virtytet më të larta shoqërore e njerëzore që kam njohur ndonjëherë. Ne, praktikën e bëmë në rrethin e Kukësit. Mbas praktikës, na pajisën me diploma dhe u kthyem nëpër rrethet përkatëse. Në muajin gusht fillova përsëri punë mësues, tanimë jo në fshatin tim, por në Librazhd-Katund, ku jepja lëndën e gjuhës e të letërsisë.
Më 3 janar 1980, më emëruan dhe filloj punë si instruktor në Komitetin e Rinisë së rrethit Librazhd. Sekretar i organizatës bazë të Partisë në fshat, ishte miku ynë i familjes, krushku Halil Koçi, i cili lëshoi karakteristikën time, pa asnjë nuancë negative. Fillimisht, mbuloja sektorin e shkollave, bashkë me Zenepe Lukën, e cila ishte me profesion gazetare. Më pas më kaluan të mbuloja sektorin e rinisë kooperativiste në shkallë rrethi. Për momentin dukej si punë e preferuar, por me kalimin e kohës, pashë se helmin e kishte brenda. Pas tre vitesh kërkova largim dhe u vendosa përsëri në arsim, ndërkohë që isha në përfundim të studimeve të larta, në Institutin e Lartë Pedagogjik Gjirokastër.
Gjatë tre viteve punë në Komitetin e Rinisë, shkoja e vija kryesisht më këmbë në Librazhd. Shpesh herë rrugën e bëja për shkurt nga Kodra e Madhe, duke kaluar përballë shtëpisë së Gani Doskut. Përshëndeteshim në rrugë, sepse ai bënte transport nafte me mushkën e tij, e në ndonjë rast ndërronim cigare. Gjatë komunikimit, ai ishte shumë korrekt, aspak provokativ, megjithëse me arsim fillor, por një orator i zoti. Një ditë, më tha se kishte një problem, e që shpresonte se do t’ja zgjidhja unë. “Urdhëro”! – i thashë. – “Ti e di si është puna me familjet tona. Ne nuk jemi pajisur me triska fronti, e kemi mbetur të veçuar. Për momentin nuk kemi shpresë. Vëllai i madh, Feriti, është arratisur, me të cilin nuk kemi lidhje, por vitin e kaluar u dënua edhe Nebiu”. – “Unë nuk merrem me frontin, por me rininë”, – i thashë. – “Pikërisht, për këtë dua të bisedoj”, – më tha. Për momentin, mendova me vete; “Po ç’mu desh t’i përmendja rininë”, – por nuk korrigjohej më.
Nga ana tjetër, duke e vështruar, vura re se vërtet ishte mjaft i shkathët, sepse shumë shpejt më çoi atje ku deshi. – “Unë kam djalin e madh Hyqmetin, – vazhdoi ai, – që nuk bën pjesë në organizatën e rinisë, prandaj po të drejtohem ty, në qoftë se mundesh, të më ndihmosh për ta pranuar në rini, me qëllim që të mos mbetet i veçuar nga shokët e brigadës”! E dëgjova dhe e pashë me vëmendje. Përpara, kisha një burrë nevojtar, por dinjitoz. Në sytë e tij, lehtësisht mund të dalloje, dhembshurinë për djalin, shfajësim, ndërkohë nuk ndihej fajtor, e as nuk kërkonte që unë të sakrifikohesha. Veç këtyre, edhe diçka tjetër më vinte në mendje: Gjyshi im nga nëna, e kish patur mik të ngushtë babanë e tij, Maliq Doskun. Këtë e dinim të dy, por ai nuk ma tha.
Më kujtohej edhe një moment i shumë viteve më parë, aty rreth moshës 7-8 vjeç. Duke kaluar në atë rrugë, me babanë, tezen dhe nënën e sëmurë, që do të dërgohej në spital Librazhd, Nebiu, na nxori mushkën me një batanije të hedhur mbi samar, që e përdorëm për vajtje e kthim. Për të gjitha këto arsye, doja ta ndihmoja, por nuk ishte e lehtë. Në afërsisht dy vite punë aty, nuk qemë ndeshur me një rast të tillë. Ndërkohë, nuk mund ta bëja i vetëm dhe nuk dija se çfarë qëndrimi do të mbanin shokët atje, ndoshta duhej informuar edhe Komiteti i Partisë së Rrethit. Këto po i mendoja, ndërsa ai fliste. Mbasi ai përfundoi, qëndrova për disa sekonda, ashtu i heshtur, me kokën ulur. – “Në siklet mos u fut, – vijoi përsëri ai, – po qe puna, sikletin do ta mbaj unë kështu siç e kam”. Duke e ngritur vështrimin e duke e parë në sy, i thashë: “Dëgjo Gani! Mos kujto se nuk e di që jemi miq të vjetër. Gjyshi im, Abdulla Hunçi dhe babai yt, Maliq Dosku, kanë qenë dashur shumë. Do të përpiqem që të ndihmoj, por t’i e kupton, se jo gjithçka varet nga unë”. – “E di, – më tha, – bëj sa të mundesh. Unë dua të të shoh ashtu siç je dhe aty ku je”. Kjo ishte në vija të përgjithshme biseda në rrugë me të etiketuarin kulak, Gani Dosku, nga fshati Dorëz.
Vendosa të bëj ç’është e mundur. Në kursin e Rinisë kishim kaluar shumë literaturë të Partisë së Punës, nëpërmjet të të ashtuquajturave vepra të Enver Hoxhës. U përpoqa të kaloj nëpër mendje detaje, ku flitej për luftën e klasave, të cilën e kishim studiuar me përparësi. Më kujtohej që diku flitej për të rinjtë që vinin nga radhët e kulakëve, por nuk mbaja mend detaje. Çdo mendim apo vendim, duhej mbështetur në thëniet e Enver Hoxhës, në të kundërt mund të të kushtonte edhe jetën. Në bibliotekën time disponoja pothuaj të gjitha veprat e tij, si dhe dokumente të tjera të PPSh-së, të “klasikëve” siç quheshin në atë kohë libra të Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit. Kisha dhe një indeks alfabetik të veprave. E shfletoj atë dhe shumë shpejt shkova në paragrafin e duhur. Aty thuhej, se mund të pranohen në raste të veçanta edhe nga familjet kulake në rini, me qëllim që fëmijët t’u kundërvihen prindërve të tyre për të kaluarën. Fillimisht, e bisedova me një shok timin, i cili mbante detyrë të rëndësishme në Librazhd, por ai ma preu shkurt: – “Ali, mos u ngatërro me kulakët, se i hap punë vetes”. E pashë që nuk kisha gjë në vijë me të.
Mbas disa ditësh kontaktova e me Sekretarin e Parë të Rinisë në zyrën e tij, i cili ishte direkt eprori im. I thashë se një prind, kulak nga Dorëzi, më ka kërkuar që të pranojmë në rini djalin e tij, 19 apo 20 vjeçar. Më pyeti për të me detaje. I shpjegova se babai i prindit të djalit, ka vdekur në burg, por trupi është lejuar të merret, njëri nga vëllezërit e tij është arratisur, ndërsa tjetri është dënuar për agjitacion e propagandë. – “Po nga e ëma e djalit, si janë”, – më pyeti ai. – “Me shumë probleme”, – i thashë, duke i treguar për familjen e Eminajve; të burgosur, të arratisur e së fundmi janë të gjithë të internuar. Mbasi u mendua pak, siç duket, për rrethanat tepër të komplikuara, m’u drejtua, se ku e bazoja pranimin e tij në organizatën e rinisë. I tregova, dhe të dy së bashku e lexuam me vëmendje fragmentin, në veprën e Enver Hoxhës, për të cilën e pata shënuar numrin e faqes. – “Atëhere, mirë – më tha, – por do t’i kërkosh prindit, që djali, fillimisht, ta vijë në aksionin lokal, Librazhd”.
Dola nga zyra e titullarit, duke provuar një ndjenjë të veçantë kënaqësie. Tani shpresoja se puna do të kryhej. Mbasi lashë punën, u nisa për në shtëpi duke kaluar në rrugën përballë shtëpisë së Ganiut. Aty eca me ngadalë, por nuk pashë njeri jashtë. Mendova njëherë të thërras, se për të shkuar në shtëpi, as që mund të bëhej fjalë, por hoqa dorë. Ganiun e takova në rrugë pas dy a tre ditësh, tek po merrte naftë në botin e karburantit në Krastë, mbi rrugën automobilistike. Sa më pa më psikologjisi, se kisha diçka, e zbriti në xhade. “E kam biseduar, – i thashë, pa i dhënë detaje, – por në qoftë se dëshironi, djali të vijë dy muaj në aksionin lokal”. U gëzua pa masë. – “Edhe katër po u desh”, – m’u përgjigj. – “Jo, – i thashë, – dy muaj është aksioni”.
Më duhet të përmend, se puna më e vështirë për ne punonjësit e aparatit të Komitetit të Rinisë, ishte plotësimi i kontigjentëve me aksionistë për në atë lokal. Kjo, sepse ishte dy muaj punë, në kodrat e Spatharit apo të Dragostunjës, ndërsa aksioni kombëtar ishte një muaj në Jug të vendit, ku të rinjtë shkonin më me dëshirë, edhe për të parë. Ndërsa, kulaku pranonte ta çonte edhe katër muaj! Jo se ishte më mirë ekonomikisht, apo se dëshironte të punonte në një punë të papaguar, por se nuk donte ta shihte fëmijën e tij të ndarë nga shokët e shoqet e lagjes, apo të fshatit. Në fillim të muajit tjetër Hyqmet Dosku u paraqit pranë kazermave të aksionit të Rinisë, që ndodheshin mbi stacionin e trenit, në Librazhd. Komandant të aksionit, ishte Hyqmet Shalja, një shoku ynë nga Dorëzi, i cili nuk shfaqte antipati ndaj kësaj shtrese shoqërore, përkundrazi me zemër ishte në përkrahje të tyre. Punoi, djali i Ganiut, për dy muaj në aksion, duke tejkaluar për çdo ditë normën ditore, ku u pajis me disa “sulmuese”. Ai ishte i fortë fizikisht, dhe kishte marrë porosi që të mos na zhgënjente.
Mbas mbarimit të aksionit, do të plotësonim dokumentin e Rinisë për Hyqmetin, të cilin mendova t’ia jap atje te brigada, në fshat, ku ai punonte. Ndërkohë që isha i përgatitur moralisht për të bërë këtë, më thërriti në zyrën e tij Sekretari i Parë i Rinisë. “Ulu”! – më tha, – e më jep në dorë një dyfletëshe fletoreje të zakonshme, të shkruar me shkrim dore. Ai vetë, po merrej me një dokument zyrtar, që e kishte përpara, ndërsa mua më tha të lexoja letrën e shkruar. E ktheva nga fundi për të parë kush e ka shkruar, por letra ishte anonime. Rreshtat e parë, i mbaj mend, se fillonte me emrin tim: “Ali Buzra, instruktor në Komitetin e Rinisë së rrethit, do të pranojë në organizatën e rinisë, Hyqmet Doskun…”, etj. Më pas rendiste biografinë e këtij të fundit, me detaje. Ishin katër faqe të shkruara. Në letër na fajësonte për zbutje të luftës së klasave etj…! Megjithëse formulimi ishte i rëndomtë, por përmbajtja dilte e qartë. Më iku mendja fare.
Ndonjë fragmenti, fillova t’i kthehem për së dyti, por pothuajse u shpërqendrova tërësisht. Ishte koha, kur arrestimi dhe dënimi, deri me vdekje, i personave, që nga kupola e shtetit e deri bazë, kishte ngjallur konfuzion, mosbesim, e frikë. Mendimet m’u ngatërruan në kokë, e harrova se isha në zyrë të eprorit, që realisht në atë kohë gëzonin një autoritet të veçantë. Sekretari, kishte përfunduar së lexuari materialin që pati në dorë dhe po më shikonte. Ai siç duket e vuri re gjendjen time, e duke qeshur më tha: “E lexove”?! – “Po” – i thashë, me gjysëm zëri, por edhe i habitur me qetësinë e tij. – “Përse mërzitesh?! Ato që shkruhen aty, ne i dimë, ti nuk i mbajtur fshehur, e ne vendosëm ta bëjmë. Plotësoi teserën”! – më tha. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm

 
	    	 
		    











