• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Saturday, July 12, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Sekretari i Komitetit të Partisë së Vlorës, Y. D., ngriti në detyrë shokun S. S., si ‘kuadër me perspektivë’, pasi më parë shkuan te stanet, ku…”/ Dëshmia e rrallë nga Franca, e Vasil Qesarit

Memorie.al
Memorie.al
Memorie.al
Memorie.al
Memorie.al

Nga Vasil Qesari

Pjesa e pestë

Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e ç’gënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?  Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!  Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.  Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

                                                       Vijon nga numri i kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Thoma D., ish shoku i klasës, një dallkauk i ndyrë që bridhte gjithë kohën pas femrave, edhe në Budapest ku u diplomua, tashmë si kryeinxhinier i ‘21 Dhjetorit, erdhi te kamp-burgu jonë e, kur më pa…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

“Kur i dënuari Aqif Selimja, ish-oficer, shkoi te qelia dhe e pyeti Bedri Spahiun, se kush ishte më kriminel, Mehmet Shehu apo Enver Hoxha, Bedriu i tha…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës, që vuajti 22 vite burg

Tregim për sekretarin e parë

Këtej e tutje, S.S., nis të shkojë më shpesh në qytet, e vizitat në zyrën e shokut Y.D., shpeshtohen. Punët, po i ecin vërtet, mirë. Pak nga pak, ai i hyn në zemër sekretarit. Shpesh herë, bile, ata e pinë kafen së bashku në bar-et e Kuzbabait apo Ujit të Ftohtë, pikërisht në kthinat e rezervuara për udhëheqjen në rreth.

Më pas sekretari i Komitetit të Partisë Y.D., në krye të një ekipi prej tre specialistësh, shkon për ‘ndihmë e kontroll’ në kooperativën qe drejton personazhi i rrëfimit tonë, shoku i mirë, S.S. Kontrolli zgjat gjashtë ditë. Së pari, vëzhgohen planet e punës dhe objektivat e organizatave bazë të Partisë. Pastaj, treguesit e realizimit të detyrave, bilancet financiarë, grafikët e kryerjes së shërbimeve bujqësore, mbarështimi i blegtorisë, hapja e tokave të reja, etj.

Mbas kontrollit, jepen konkluzionet. Punët në kooperativë ecin mirë. Treguesit janë të kënaqshëm. Komunistët prijnë me shembullin e tyre personal. Shkelje financiare nuk ka. Në raport, fjalët e mira për drejtuesin e kooperativës, janë dhenë me bollëk. Shoku S.S., përgëzohet për punën e mirë nga vetë sekretari i komitetit. Ai e ndjen veten shumë të kënaqur por, si vazhdimisht, jo gjer në fund…!

Siç është tradita, mbas komunikimit të rezultateve të kontrollit, shoku S.S. merr masat e duhura për përgatitjen e drekës, për mysafirin e nderuar Y.D. dhe ekipin e tij. Një drekë të mirë, të bollshme. Krejt të veçantë e të ndryshme, nga ato që ai ka shtruar gjer atëherë, për miqtë e të ftuarit e tjerë nga qyteti. Në fakt, S.S., dëshiron të bëjë diçka origjinale. Diçka, që miqtë e nderuar, ta mbajnë mend për shumë kohë. Ai ka vendosur t’i çojë për të drekuar mes blegtorëve, në mal. Për këtë, ai ka mare masat e nevojshme, qysh më parë…!

Makina e shokut Y.D., një xhips kinez “Xing-Fu”, shkon gjer në një farë vendi e ndalet. Më tej ka vetëm gurë e shkëmbej. Por, s’ka problem. Për transportin e miqve gjer në stan, ka dy-tri orë që presin gjashtë mushka, me në krye brigadierin e blegtorisë. Shoku Y.D., tre shokët e ekipit dhe sekretari i byrosë së kooperativës, hipin mbi to e marrin një rrugë këmbësore.

Fryn një fllad i lehtë përzier me aromë lule mali. Shoku Y.D., duke u përkundur lehtë-lehtë mbi rrugën e thepisur malore, mbyll sytë nga kënaqësia e, pastaj, deklamon plot patetizëm: Si lum ju, shokë! Jeni vërtet me fat që jetoni mes këtij ajri të pastër e në këtë natyrë kaq të bukur…! Ne, aty në qytet, thithim ajrin e ndotur nga pluhurat e Babrikës së Çimentos dhe e kalojmë më të shumtën e kohës, nëpër zyra e mbledhje…!

Në mal, as dyqind metra larg baxhos, në një kasolle pranë një burimi të kristaltë me ujë të ftohtë akull, barinjtë kanë shtruar gunat dhe kuvertat e leshta. Në qendër të saj, një zjarr i madh shpërndan ngrohtësi e dritë. Fytyra e sekretarit të Komitetit shkëlqen nga kënaqësia. Së pari, ai rrufit plot kënaqësi një gotë dhallë. Pas pak, nis të shtrohet dreka.

Mbi postiqet prej lëkure, brigadieri i blegtorisë, i ndihmuar nga një bari i thatë e i heshtur, shtrojnë në vend të mbulesës, disa faqe të gazetës “Zëri i Popullit”. Mbi to, pastaj, vendosen shishet e arançatave me raki të zgjedhur, si edhe mezet me djathë të njomë, presh, ullinj e copa kukureci me zorrë, mëlçi e shpretka.

Ndërkohë, në një kënd të kasolles, qengji i pjekur në hell copëtohet e, mikut të nderuar i vihet përpara një shpatull e majme e mbi të, sipas traditës, edhe bishti me dhjamë. Shoku Y.D., ngre dolli i pari. “Të rrojë Partia! Jetë të gjatë shokut Enver…”! – uron ai, dhe e kthen  me fund. Të lumtë goja ! – pohojnë të tjerët. Të gjithë hanë të babëzitur. Me duar e thonj. “Era e malit të shton oreksin” – shton duke qeshur sekretari. Ashtu është… – pohojnë rreth tij.

Më pas, serviret kosi me qumësht deleje e, bashkë me të, edhe fruta, rrush, dardha, arra e hoje me mjaltë etj. Shoku i mirë, S.S., kujdeset e bën me sy që, sekretarit t’i vihet para edhe një shishe tjetër me raki. Dreka kalon për mrekulli. Me shëndete, romuze e të qeshura.

Ajo mbyllet me këngë polifonike për Partinë. Para se të ngrihen nga dreka, brigadieri i blegtorisë, thërret mënjanë shoferin e sekretarit të Komitetit të Partisë e të dy, dalin për pak çaste nga kasollja. Në bagazhet e “Xhips” -it ngarkohen dy arka me 10-15 kg. mish, disa shishe me raki, kavanoza me mjaltë, e një thes me arra.

Shokut Y.D., i hyn edhe më thellë në zemër, kryetari i kooperativës S.S. E përqafon fort dhe e falënderon për drekën. Pastaj, shkon e përshëndet edhe barinjtë e tufës që drekojnë jashtë, tek burimi. Mbi copa gazetash ata kanë mish, qepë, djathë e në mes, një shishe të vetme rakie. Shoku Y.D. dhe ekipi u hipin mushkave e zbresin poshtë.

Ai vazhdon të mendojë për S.S.!

 (“Xhevahir djalë ! – thotë me vete – I dashur, i sinqertë, dinamik, me biografi të pastër e i gatshëm për çdo sakrificë”. Në ditët që vijojnë, sekretari i Komitetit, e përmend gjithmonë e më shpesh emrin e tij. Në mbledhje e mes kolegësh. Ai është i mendimit se, diçka duhet bërë për vlerësimin e atij kuadri me perspektivë…!

Një ditë, ai thërret për këtë qëllim, shefin e zyrës së Kuadrit, shokun K.U. Ndërsa pinë së bashku kafe, shoku  Y.D., i thotë shokut K.U:

 “Dëgjo, shoku K…! Ka më se një muaj që, vendin e shefit të Seksionit të Bujqësisë në rreth, e kemi bosh. Kemi një djalë të shkëlqyer për ta emëruar aty. Ti e njeh fare mirë! Është S.S., kryetar kooperative në fshatin Z. Djalë punëtor, i përgatitur. Komunist i devotshëm, besnik e zbatues i zellshëm i mësimeve të Partisë. Me figurë të pastër morale.

 Nuk pi e nuk merret me femra. Pra, pa asnjë ves…! Mendoj se, duhet ta propozojmë në byro për vendin e shefit të seksionit. Si thua ti…? Sidoqoftë, shoku K., ky është thjesht mendimi im personal. Ti, shihe vetë. Pyet, informohu…! Po qe se, ai djalë të duket i përshtatshëm, atëherë, bëje këtë punë! Vure në projekt e përgatit materialin…!

Dy burrat, i buzëqeshin njëri-tjetrit me mirëkuptim e ndahen duke shtrënguar duart. Mesazhi është i qartë. Porosia e shefit është urdhër dhe, ajo duhet zbatuar pa mëdyshje. Qysh të nesërmen, shefi i zyrës së Kuadrit, shoku K., fillon procesin e quajtur përgatitja e dosjes së kandidatit. Së pari, ai kërkon nga komiteti ekzekutiv i rrethit, t’i vijë dosja personale e kryetarit të kooperativës, S.S.

(E shoqëruar me karakteristikën e tij të punës, e cila përpilohet nga treshja: sekretari i byrosë së organizatës bazë të Partisë, drejtori i ndërmarrjes e kryetari i bashkimeve profesionale).

Gjithçka duhet përgatitur me kujdes, për ta paraqitur në mbledhjen më të afërt të Byrosë, organ që vendos për lëvizjet, emërimet e shkarkimet e kuadrove në poste të ndryshme drejtuese. Brenda pak ditësh, dosja përgatitet dhe, për të kaluar edhe procedurën e fundit, shefi i kuadrit K., siç ndodh në raste të tilla, kërkon edhe informacionin përkatës nga dega e Punëve të Brendshme, mbi pastërtinë politike të kandidatit për ngritje në detyrë.

Mbas një jave, përgjigjja nga organet e Sigurimit të Shtetit vjen. Nuk ka asgjë, asnjë cen, i cili mund të pengojë emërimin e S.S., në post drejtues. Figura e tij është e kulluar. Kështu, procedura e përgatitjes së dosjes, ka përfunduar dhe, shefi i kuadrit, njofton për këtë sekretarin e Komitetit të Partisë, shokun Y.D., i cili e përgëzon për punën e kryer.

Tashmë, pritet vetëm mbledhja e zakonshme e Byrosë së Partisë, e cila mbahet çdo fund muaji. Gjatë zhvillimit të saj, pikërisht në seancën Emërime e lëvizje kuadri, shefi i zyrës së kuadrit K. prezanton dosjen me elementet e saj përbërës, si edhe propozimin për emërimin e S.S në postin e shefit të bujqësisë. (Në raste të tilla, janë sekretarët e Komitetit të Partisë dhe anëtaret e Byrosë ata, të cilët pasi njihen me dosjen, vendosin apo refuzojnë kandidaturën në fjalë).

Në rastin tonë, çdo gjë shkon në rregull. Pak a shumë, të gjithë janë në dijeni se ajo kandidaturë mbështetet e se, është propozuar nga shoku Y.D. Gjatë votimit, duart ngrihen lart pa përjashtim dhe dosja kalon. Me t’u aprovuar ngritja në detyrë e kandidatit, vendimi zyrtar me shkrim firmoset nga sekretari i Komitetit të Partisë që mbulon kuadrin e pas saj, procedura quhet e përfunduar.

Mbas tri ditësh, kryetari i kooperativës S.S., thërritet nga sekretari i parë i rrethit, i cili pasi i komunikon emërimin e përgëzon duke theksuar vlerësimin e punës së tij nga Partia. S.S. është i emocionuar. Duart i dridhen. Falënderon për besimin e zotohet se, po qe nevoja, për Partinë është gati të japë dhe jetën. Nga zyra del i turbulluar. Zbret shkallët, del jashtë e merr frymë thellë. Veten e ndjen të lumtur. Tash e tutje, ai ka hyrë në radhën e kuadrove të lartë. Për të, rruga e mëtejshme e karrierës, është plotësisht e hapur. Drejt detyrash edhe më të larta shtetërore e partiake…!

Nënë trysninë totalitare

Sipas ideologjisë marksiste-leniniste të PPSH-së, objektivi final i zbatimit të Diktaturës së Proletariatit në Shqipëri, ishte ndërtimi i një shoqërie ideale, e cila, në qendër të vëmendjes do të kish jetën e lumtur të njeriut, lirinë, të drejtat, barazinë e mirëqenien e tij. Për ta bërë sa më të besueshëm atë mision të shenjtë, në çdo hap të jetës, kudo e kurdoherë, individi ndodhej vazhdimisht nenë trysninë e propagandës idealizuese, sipas së cilës, ai duhej të besonte vazhdimisht se, vendi i tij lulëzonte e ai ish me fat që jetonte në shoqërinë socialiste. Në një shoqëri ku, pushteti e vullneti i popullit, qenë bërë realitet. Ku të gjithë, të bashkuar grusht rreth Partisë, punonin e sakrifikonin gjithçka, për realizimin e ambicieve të saj…!

Por, në realitet, ideologjia e PPSH-së, nuk ish veçse një pseudo-ideologji e cila, vërtet kish në qendër të vëmendjes (shënjestrës) shoqërinë e njeriun, por në një sens tjetër. Në shpërfytyrimin, sfilitjen e tjetërsimin e tij të plotë. Në krijimin e një atelieje industriale gjigante, ku realizohej prodhimi në seri i njeriut të ri.

 Për instalimin dhe konsolidimin e një strategjie të tillë diabolike, Enver Hoxha me shokë, më tepër se prej mësimeve të marksizëm-leninizmit, ndër të tjera, përfituan me mjeshtëri edhe nga shumë aspekte primitive të shoqërisë shqiptare. Nga rivalitetet e xhelozitë klanore, ndarjet e armiqësitë fisnore, ndryshimet fetare e krahinore, mercenarizmi e zelli për t’i shërbyer më të fortit etj.

Pikërisht, mbi bazën e defekteve të tilla të trashëguara në shekuj, udhëheqësit komunistë shqiptarë projektuan Përçarjen e Madhe, e cila, e realizuar nëpërmjet Luftës së Klasave, do sillte pasoja katastrofale për mbarë shoqërinë dhe vendin. Qëllimi final i asaj kryqëzate, e cila përgjaku e vrau jetën e brezave të tërë, qe një dhe vetëm një: ruajtja me çdo kusht dhe përjetësisht e pushtetit, zhdukja pa mëshirë e kundërshtarëve, poshtërimi dhe shtypja totale e njeriut, glorifikim i Partisë e, mbi të gjitha, i patriarkut të saj eternel, Enver Hoxhës.

Megjithatë, në Shqipëri, komunizmi ndryshonte mjaft nga ai i vendeve të tjera të Lindjes. Ndryshe nga ato, tek ne, ai nuk ishte thjesht komunizëm stalinist i importuar nga Bashkimi Sovjetik, por mbi të gjitha, produkt specifik i vetë përvojës shqiptare të krye-marksistit origjinal, Enver Hoxha.

Stalinizmi enverist, pra, sipas shumë analistëve të huaj perëndimorë, nuk ishte gjë tjetër veçse, një amalgamë, fuzion i një ideologjie të veçantë nacional-socialiste, unike në Europë. Ja, pse, ndryshe nga shumë vende të tjerë, ku tradicionalisht nacionalizmi qe kundërshtar i betuar i komunizmit, në Shqipëri, ai doli në plan të parë.

Enver Hoxha me shokë, u bënë ithtarë të flakët të tij, duke i dhenë edhe emrin e ri patriotizëm socialist. Në fakt, qëllimi i asaj krijese ekzaltuese, qe ruajtja, forcimi dhe himnizimi i sistemit, Partisë e pushtetit të saj absolut totalitar.

Kështu, në krye, ndodhej Nomenklatura e lartë. (Partia, Shteti, Sigurimi). Ndërsa, në skajin tjetër ekstrem, armiqtë e popullit të ndarë në kategori, sipas rrezikshmërisë. (Në burgje, internime apo në gjendje të lirë, por nenë vëzhgimin e policisë sekrete).

Së fundi, midis dy grupimeve të mësipërme, ndodheshin ata që përbënin shumicën e shoqërisë: masat e gjëra të popullit. Ata, të cilët, s’ishin as të privilegjuar e as të dënuar. Këto ndarje apo shtresëzime të diferencuara sociale, vërtetonin të kundërtën e asaj që propagandonte me të madhe ideologjia marksiste, e cila pretendonte se, shoqëria që ajo ndërtonte nuk kish klasa.

 (Në fakt, ajo kish pjesërisht të drejtë. Kategoritë e mësipërme, nuk përbënin klasa në kuptimin e strukturave sociale kapitaliste të shekullit të XIX-të. Ato ishin thjesht kasta të privilegjuarish e grupime njerëzish të destinuar të vuanin përjetësisht).

Ndërkohë, ndarja në kasta shoqërohej me një fenomen tjetër, i cili konsistonte në faktin që, edhe vetë brenda tyre, kish diferenca. Një anëtar partie i thjeshtë, për shembull, s’mund të kish të njëjtat atribute si ato të një instruktori të Komitetit të Partisë apo, të një drejtori ndërmarrje.

Po ashtu, një anëtar i KQ të Partisë, nuk qe në një rang me një anëtar të Byrosë. Ndërsa, pushteti i një polici përmblidhej në rrogën e tij ordinere, uniformën blu dhe rrobat e brendshme gratis, ndërkohë që Operativi i Sigurimit gëzonte privilegjin e një shpërblimi mujor shumë më të madh e, veshmbathjen civile gratis, pa folur pastaj për pushtetin e tij autoritar dhe avantazhe të tjera speciale.

Nga ana tjetër, lëvizjet apo kalimi nga një kastë në tjetrën, kishin edhe rregullat e tyre të lojës. Kështu, jo rrallë herë, ndodhte që dikush e niste karrierën nga shtresat më të ulta për t’u ngjitur pastaj në majat më të larta.

Shpesh, ndër ta, njerëz mediokër, shoferë, karrocierë, mekanikë, mjelëse lopësh e saldatorë, qenë ngjitur gjer në instancat më të larta drejtuese të Partisë e shtetit. Por ndodhte edhe e kundërta. Pra, që të kaloje nga kasta më e lartë, në një tjetër më të ulët. Apo, më keq akoma, të bije direkt e në humnerë…! /Memorie.al

                                                          Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Skoda’ ra nga 40 m. në lumin Kir, ku vdiqën 28 veta dhe 36 të tjerë janë në spital...”/ Historia e panjohur e aksidentit tragjik, 10 gusht 1985, te kthesa që “hëngri” 47 koka njerëzish

Next Post

“Kur i pushkatonin rekrutët shqiptarë para njësisë, ne të Kosovës qanim me dënesë, kur ata të Shqipërisë, i përcillnin me duartrokitje dhe...”/ ‘Masakra e Tivarit’ në ’45-ën, rrëfimi i rrallë dëshmitarit okular

Artikuj të ngjashëm

“Prof. Selman Riza më tha në burg, se ai aprovonte plotësisht ideologjinë e veprimtarinë e komunistëve…”/ Dëshmia e rrallë, e Ejëll Çobës
21 Vjet burg komunist

“Thoma D., ish shoku i klasës, një dallkauk i ndyrë që bridhte gjithë kohën pas femrave, edhe në Budapest ku u diplomua, tashmë si kryeinxhinier i ‘21 Dhjetorit, erdhi te kamp-burgu jonë e, kur më pa…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës

July 7, 2025
“Kur i dënuari Aqif Selimja, ish-oficer, shkoi te qelia dhe e pyeti Bedri Spahiun, se kush ishte më kriminel, Mehmet Shehu apo Enver Hoxha, Bedriu i tha…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës, që vuajti 22 vite burg
21 Vjet burg komunist

“Kur i dënuari Aqif Selimja, ish-oficer, shkoi te qelia dhe e pyeti Bedri Spahiun, se kush ishte më kriminel, Mehmet Shehu apo Enver Hoxha, Bedriu i tha…”/ Kujtimet e Uran Kalakullës, që vuajti 22 vite burg

July 7, 2025
“Kur më erdhi në qeli prokurori Asaf Kondi, unë e pyeta; Si jurist i regjur që duhet të jeni, desha të di prej jush se, a dënohet mendimi, i cilitdo qoftë, ai më tha…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla
21 Vjet burg komunist

“Kur më erdhi në qeli prokurori Asaf Kondi, unë e pyeta; Si jurist i regjur që duhet të jeni, desha të di prej jush se, a dënohet mendimi, i cilitdo qoftë, ai më tha…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit politik, Uran Kalakulla

July 7, 2025
Memorie.al
21 Vjet burg komunist

“Ndërkohë që kapter Rustemi hyri në qelinë time dhe më komunikoi se më ishte falur jeta, dëgjoja trokitjet e Pjetër Arbnorit nga qelia ngjitur, por unë…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës  

July 7, 2025
“Tiranasi që i kërkoi komandantit të rrinte më shumë në qeli, pasi…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik, për historitë e çuditshme në burgjet e Enver Hoxhës
21 Vjet burg komunist

“Gjatë atyre 64 ditëve, që unë me Pjetër Arbnorin, prisnim të na merrnin nga qelia, për të na ekzekutuar, Pjetri ishte shumë i sigurtë, që neve do të na falej jeta, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

July 7, 2025
“I dënuemi me burgim të përjetëshëm, që ban një delikt tjetër, ndëshkohet me një mbyllje vazhduese të re në qelië, për një kohë nga gjashtë muej, deri në…”/  Ç’farë parashikonte Kodi Penal i vitit 1928?
21 Vjet burg komunist

“Kur kryetari i trupit gjykues, Llazi Polena, na komunikoi vendimin, ku unë dhe Pjetër Arbnori, ishim dënuar me vdekje, me pushkatim, menjëherë ndjeva se…”/ Dëshmia e rrallë e Uran Kalakullës

July 7, 2025
Next Post
Memorie.al

“Kur i pushkatonin rekrutët shqiptarë para njësisë, ne të Kosovës qanim me dënesë, kur ata të Shqipërisë, i përcillnin me duartrokitje dhe...”/ ‘Masakra e Tivarit’ në ’45-ën, rrëfimi i rrallë dëshmitarit okular

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme