Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së famshme shkodrane Quku, me origjinë të hershme nga një fshat i Dukagjinit, ku të parët e saj gjatë periudhës së pushtimit osman, shërbyen edhe si adjutant të Sulltan Hamitit, komandantë të Kalasë së Podgoricës, si dhe ishin miq të ngushtë të Mustafa Qemal Ataturkut. E gjithë saga e familjes së njohur shkodrane, ku pinjollët e saj pasi ishin diplomuar në akademitë ushtarake dhe universitetet më në zë të Evropës dhe Azisë, u kthyen në atdhe dhe gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, shërbyen e dhanë kontributin e tyre si intelektualë, ushtarakë madhorë, mjekë, arsimtarë, etj., duke pasur edhe funksione zyrtare, si kryetar komunash, prefektë etj. Kujtimet e Qamil Qukut dhe dëshmitë e studiuesit e historianit të njohur, Mentor Quku, (ish-Drejtor i Muzeut të Shkodrës pas viteve ’90) i cili ka lënë një arkiv, fototekë dhe bibliotekë shumë të pasur, ku flitet edhe mbi trungun e familjes së tyre, e cila pas vitit 1945 u persekutua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Origjina e fisit Quku
Sipas gojëdhënave të burrave të moçëm të mbërritura deri në ditët e sotme, Qukajt e Shkodrës, e kanë origjinën nga fshati malor Sumë, gjë e cila bëhet e ditur dhe nga libri i Dom Gaspër Gurakuqit, “Dioqeza e Sapës”, ku lidhur me këtë familje midis të tjerash shkruhet, “Në rrethin e Shkodrës përmbi Drisht dhe Boks, asht katundi i Sumës, ku janë 520 frymë të krishterë e muhamedanë, prej nga ka ra në qytet, familja katolike bujare e Kolë Sumës”. Në krahinën e Dukagjinit edhe sot, ekziston një lagje me emrin Qukë. Me historinë e këtij fisi, tepër të njohur të Shkodrës, është marrë dhe ka hulumtuar edhe njëri prej pinjollëve të tij, i quajtur Qamil Quku, i lindur në vitin 1898, dhe që jetoi deri në vitin 1972. Qamili është i njohur si një ndër burrat më me autoritet të fisit të tij, dhe ka lënë një trashëgimi, një arkiv, dhe një bibliotekë shumë të pasur me dokumenta që përcaktojnë të kaluarën dhe prejardhjen e familjes Quku.
Myftari, komandant i Kalasë së Podgoricës
Ndër të parët e asaj familjeje, ka qenë i njohur Ali Quku i cili u emërua si nëpunës në administratën e Kara Mahmud Pashës. Aliu kishte dy djem, Hysenin dhe Myftarin. Hyseni ishte major në kalanë e Podgoricës, dhe nga martesa me Kaimalen, lindi Myftari. Thuhet se ai lindi brenda në kalanë e Podgoricës. Ky djalë, trashëgoi profesionin e të atit, dhe për këtë arsye u mbiquajt Myftar Topçia. Kjo traditë ndodhi edhe me brezat e ardhshëm të kësaj familjeje. Kështu ndodhi me djalin e Myftarit, Shaqir Qukun, si dhe më vonë me dy djemtë e tij Faikun, dhe Shyqyriun, të cilët u bënë oficerë karriere. (Më pas, po këtë traditë e vazhdoi edhe djali i Hysen Topçiut, i quajtur Ermal, i cili pas viteve ’90, u diplomua në një Akademi Ushtarake në Turqi). Myftari (i parë) u rrit në shtëpinë e Qukajve (Topçijve) në Qafë, një lagje e Shkodrës fare pranë Ajasëm. Pastaj familja, erdhi në Parrucë, ku jeton edhe sot një pjesë e trungut të Qukajve. Edhe Myftari, trashëgoi profesionin e babait, dhe mori gradën më të lartë, duke u emëruar edhe ai, Komandant i Kalasë së Podgoricës. Mjeshtërinë e artilerit, Myftari e ushtroi për 50 vite dhe në mes të karrierës, ai erdhi në kalanë e Shkodrës. Kur ai plotësoi moshën (63 vjeç) shprehu dëshirën për të lënë detyrën, por meqë ishte shumë i përgatitur, atë e mbajtën prapë si komandant të Shkodrës me gradën bimbash dhe për shumë vite të tjera. Ai u martua me Kaden Budën në vitin 1851 dhe për 17 vite nuk pati fëmijë. Në vitin 1868 atyre, iu lindi fëmija i parë Shaqiri, dhe në vitet që pasuan, u lindën dhe fëmijë të tjerë. Të vjetrit e mbajnë mënd Myftarin deri në moshën 90 vjeçare, duke shëtitur me kalë në kalanë e Shkodrës. Kur u rritën Hyseni dhe Idrizi, qëndruan në lagjen Parrucë, ndërsa Shaqiri bleu shtëpinë e Ndoc Lacës në Rus. Ndërsa Myftari u rrit në shtëpinë e Hysen Qukut, së bashku me një vëlla prej nëne, Dulaq Llazanin. Prej kësaj, mbeti afërsia e Qukajve me Lacejt. I një brezi me Myftar Qukun ishte dhe Hasan Quku, i cili ka qenë mjaft i njohur në Shkodër. Kjo gjë bëhet e ditur pasi ai firmosi peticionin për protestat e popullsisë shqiptare të trevave të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut, drejtuar Kongresit të Berlinit, kundër synimeve për copëtimin e Shqipërisë në 1878. Nga fëmijët e Myftar Qukut, vetëm Shaqiri u bë artilier, ndërsa djali i mesëm, Hyseni, mbaroi shkollën e lartë, duke u diplomuar si jurist. Ai ushtroi profesionin e gjykatësit në Lezhë, Vlorë, Kukës, dhe Tiranë. Hyseni kishte prirje dhe për poezi dhe instrumentet muzikorë. Dy djemtë e tij trashëguan mjeshtërinë si instrumentistë, duke u bërë shumë të njohur në Shkodër, si p.sh., Dush Topçia dhe Nak Topçia. Ndër pasardhësit e Hysenit bien në sy mësues të talentuar si Mustaf Topçia, dhe sportistë si Hysen Topçia (i tretë), studiues dhe poliglot si Nuh Topçia, Smajl Muça dhe Sami Muça, artistë si Miriam Bruçeti (Topçia).
Idriz Quku, adjutant i Sulltan Hamitit
Ndër burrat e njohur të këtij fisi ka qenë edhe Idriz Quku, i cili ka shërbyer si pjesëtar i gardës perandorake turke dhe veçanërisht si roje personale e Sulltan Hamitit. Ai shërbeu si roje e Hamitit kur ky i fundit ishte në gjendje arresti në Selanik në vitin 1908. Idrizi vdiq në gjendje të mjeruar në qytetin e Shkodrës. Ndërsa Shaqir Quku, u lind dhe u rrit në Ajasëm dhe ai pati shërbyer si komandant artilerie në garnizonet e kalave të Podgoricës, Shkodrës, Pukës, Prizrenit dhe Tuzit. Po kështu ai ka qenë dirigjent i bandës muzikore të Shkodrës, për 15 vite. Më pas ai punoi dhe si ekonomist dhe u martua me vajzën e Oso Dedjës, me të cilën pati 6 djem dhe një vajzë. Më tej familja e tij pati shumë pasardhës, të cilët studiuan në shkollat e larta dhe u bënë mjekë, ekonomistë, dhe juristë. Djemtë e Shaqirit, Faiku, Qamili dhe Myftari, u arsimuan në Kolegjin Saverian të Shkodrës dhe mësimet e para i morën në atë institucion ku u arsimua edhe pjesa më e madhe fëmijëve të familjeve të njohura të Shkodrës. Më pas në këtë kolegj studio edhe Sabriu. Shaqiri mori pjesë në Luftën Ballkanike, ku dhe u plagos dhe më pas shkoi për tu kuruar në një spital të Stambollit ku edhe vdiq. Një vit më pas, po në Stamboll i vdiq edhe e shoqja, Esmaja. Familja e tyre mbeti e copëtuar dhe pa asnjë mbështetje në mes të Stambollit. Pjesa më e madhe e familjes ishin fëmijë të vegjël dhe ata arritën që të arsimoheshin duke u diplomuar si ushtarakë dhe juristë në vendet e Europës Perëndimore.
Shyqyri Quku, mik i Ataturkut
Një tjetër pinjoll i njohur i këtij fisi të famshëm, ka qenë edhe Shyqyri Quku. Nga disa burime dhe dëshmi të ndryshme, thuhet se ai kishte mik të ngushtë Mustafa Qemal Ataturkun. Pasi mbaroi shkollën e lartë në Stamboll, shërbeu si oficer i lartë në ushtrinë turke. Në vitet 1945-‘54 ai jetoi dhe punoi në Shqipëri. Një tjetër burrë i njohur nga fisi Quku ka qenë edhe Shtjefën Quku për të cilin ka folur dhe studiuesi italian Libardi Camillo, në librin “Lëvizjet patriotike shqiptare në vitet 1910-‘12” Në këtë libër ai thekson: “Në Mazrek kishte tre atdhetarë që ishin gati të jepnin jetën e tyre për Shqipërinë, këta ishin Dom Lorenc Spathara, Shtjefën Quku, dhe Simon Doda nga Mirdita. Këta pasi u morën vesh me kryengritësit, dërguan fjalë në malësi, dhe me dhjetëra njerëz vrapuan për në Mazrek. Aty u zgjodhën 75 të rinj nga më guximtarët dhe si i rregulluam, me municione dhe ushqime, i zbritëm në të errët drejt qytetit me Shtjefën Qukun në krye”.
Lidhjet me familjet e mëdha
Në saj të emrit të mirë të kësaj familjeje, Qukajt, kanë lidhur miqësi dhe krushqi familjare me Çaushollajt dhe Bushatllinjtë, të cilët në periudha të ndryshme të historisë së këtij qyteti kanë qeverisur Shkodrën. Po kështu ata kanë krijuar lidhje edhe me Beshirët e Tiranës, si dhe me Borshiotët e famshëm të stabilizuar në Shkodër. Po kështu ata kanë krijuar lidhje me Suljotët, Bletejt, Hotët, Dedejt, Rusët, Çekiçës, Garucët, Spahijt, dhe Hasanajt. Myftari (i dytë) u martua me Bianca Maria Bossion nga Milano, ndërsa Bardhyli, u martua me Gerianën në SHBA. Pjesëtarë e fisit Quku, kryesisht kanë shërbyer si: ushtarakë, ekonomistë, juristë, mjekë, biznesmenë, etj., por ata gjatë viteve të diktaturës komuniste, vuajtën persekutimin e egër duke u etiketuar edhe si “Çerdhe grerëzash”.
Qamil Quku, nënprefekti që shpëtoi Leskovikun
Një nga burrat e njohur që kanë dalë nga trungu i fisit Quku, ka qenë edhe Qamil Quku, i cili në periudhën e vështirë të viteve 1942-‘43, kur shërbente si nënprefekt i Leskovikut, e shpëtoi atë nga italianët që donin ta digjnin, në shenjë hakmarrje për humbjet që kishin pësuar. Kush ishte Qamil Quku, ku ishte shkolluar dhe cila ishte karriera e tij në administratën civile gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut dhe në vitet e pushtimit nazi-fashist të vendit? Qamili u lind më 5 janar të vitit 1898 në shtëpinë e vjetër të Qukejve në lagjen Perash të qytetit të Shkodrës. Babai i tij, Shaqir Quku, asokohe ishte komandant i ushtrisë në kala të Shkodrës, ndërsa e ëma, Esmaja, ishte e bija e Oso Dedjes. Lidhur me shkollimin dhe karrierën e Qamil Qukut, i biri i tij, Mentori tregonte: “Shkollën fillore dhe atë unike, babai ynë, Qamili, e bëri në qytetin e Shkodrës dhe në vitin 1915-1916, ai përfundoi vitin e pestë të gjimnazit në Kolegjin e Jezuitëve të atij qyteti. Në arkivin e familjes sonë ruhet edhe sot fletorja e dëftesës së Qamil Qukut (Topçia), me nr. 32 e klasës V të vitit 1915-‘16 me klasifikimet, muaj për muaj, si dhe me klasifikimin përfundimtar që mban datën 30 qershor 1916. Në vitin 1916, valët e Luftës së Parë Ballkanike e detyruan atë të emigronte në Stamboll. Kjo ndodhi sepse e gjithë familja shkoi pas babait, (gjyshit tonë) i cili shërbente si oficer i ushtrisë turke. Atje në Turqi, Qamili kreu liceun turk me nota të shkëlqyera në qytetin e Adrianopolit. Në kujtimet e tij zënë një vend të veçantë mjediset shqiptare që kishin pushtuar lagje të tëra të Stambollit. Mbas vdekjes aksidentale të babait të tij, Shaqirit, në vitin 1918 dhe të ëmës një vit më vonë, Qamili së bashku me vëllezërit e tjerë, në vitin 1920 u kthye në Shkodër. Me që dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, Shyqyria dhe Faiku ishin ushtarakë, e gjithë barra e familjes i ra atij. Kështu, së bashku me dajën tonë, Alush Dedjen, ai u kujdes për vëllezërit më të vegjël dhe motrën e vetme Jolldizin”, dëshmonte Mentor Quku, lidhur me shkollimin e babait të tij.
Shkollimi i fëmijëve në Turqi e Itali
Lidhur me shkollimin e mëtejshëm të babait të tij, Mentor Quku tregonte: “Me kujdesin e Qamilit, vëllai më i vogël i tij, Myftari, vazhdoi studimet në “Robert College” në Stamboll dhe më pas për Mjekësi në Torino. E motra, Sabrija, vazhdoi studimet e shkollës së mesme në Itali (me bursë) dhe pastaj në Torino për Drejtësi. Vëllai tjetër, Fetiu, vazhdoi studimet në gjimnazin e shtetit në Shkodër. Motrën, Jolldyzin, e martuan me oficerin e ri nga Prizreni, Gani Dida. Në këtë kohë, Qamilit i doli një bursë për studime në Vjenë, por ai e refuzoi për shkak të familjes që kishte në ngarkim. Në një foto të datës 6 nëntor 1936, nga Torino, mjeku i ri shkodran, Myftar Quku, i dedikohet vëllait të tij, me këtë përkushtim: ‘Qamilit, simboli i dashnis e i sakrificës vëllazërore, sot q’i bashkë me mue asht i lumtun, për gëzimin ma të madh të jetës seme. Dr. Taro Quku’. Në arkivin e familjes sonë ka me dhjetëra përkushtime të tilla që vëllezërit dhe motra i a dedikojnë Qamilit, për sakrificat e mëdha që ai bëri për ta. Më pas Qamili ndoqi kursin pedagogjik në Kavajë, që kishte hapur shteti i ri shqiptar, ndërsa i vëllai, Faiku, pranohet në ushtrinë e re Shqiptare. Pas përfundimit të atij kursi pedagogjik, ai filloi punën si mësues në një nga shkollat fillore të Shkodrës dhe në periudhën nga 21 nëntori i vitit 1921 e deri në 1929, ai shërbeu në shkollat shqipe të sapo hapura në Rus i Vogël e Perash të Shkodrës, duke qenë një nga mësuesit më të hershëm të gjuhës shqipe që dolën me rikrijimin e shtetit të ri shqiptar nga Kongresi i Lushnjes. Qamili pati si nxënës të tij, Imam Vehbi Ismailin, që deri para disa viteve ka shërbyer si kryetar i nderuar i Bashkësisë Islamike në SHBA, si dhe Arshi Pipën, etj. Edhe dy vëllezërit më të mëdhenj të babait tonë, Faiku dhe Shyqyria, e kishin Qamilin si këshilltarin e tyre më të mirë dhe më me autoritet, për shkak të përvojës jetësore të grumbulluar gjatë dallgëve ku jeta e kishte përplasur”, kujtonte Mentor Quku, për babanë e tij, Qamilin, i cili u kujdes për shkollimin vëllezërve të tij në Shqipëri dhe Itali.
Qamili, 13 vjet Kryetar Komunash
Në vitin 1929, Qamil Quku mbaroi në Tiranë një kurs që ishte hapur nga qeveria e asaj kohe për nëpunësit e komunave dhe pas përfundimit të tij, më 16 prill të vitit 1929, ai u emërua në funksionin e kryetarit të komunës së Bushatit. Që nga ajo kohë e për 13 vjet me radhë, Qamili shërbeu si kryetar komunash në rrethe të ndryshme të vendit, si në: Koplik, Bushat, Bilisht, Dardhë, Roskovec, Bozhigrad, Hoçisht, Shegan i Lushjes dhe Trebinjë e Pogradecit. Në vitin 1936, Qamil Quku u martua me Naxhijen, vajzën e Ali Borshit nga dera e mirënjohur e Borshiotëve, prej së cilëve dolën me dhjetëra juristë, ushtarakë, mësues, inxhinierë dhe njerëz të ditur. Me 4 nëntor të vitit 1942, ai u emërua si nënprefekt i Leskovikut dhe në atë detyrë qëndroi deri në çlirimin e kësaj krahine, në fund të majit 1943. Prej këtu, Qamil Quku u vendos në Tiranë së bashku me familjen e tij në banesën e të vëllait, Faik Qukut, në Tiranën e Re. Në gusht të vitit 1944, ai transferohet me gjithë familjen në qytetin e lindjes në Shkodër. Një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës së Qamilit, padyshim është ajo e vitit 1943, kur ai shërbente si nënprefekt i Leskovikut dhe e shpëtoi atë krahinë nga italianët, të cilët donin ta digjnin në shenjë hakmarrje nga humbjet që kishin pësuar nga forcat partizane e nacionaliste. Lidhur me këtë ngjarje, në kujtimet që Qamil Quku ka lënë të shkruara me dorën e tij, midis të tjerash thuhet: “Që nga data 4 nanduer 1942, deri në çlirimin e Leskovikut nga okupacioni, kam shërbye në ketë qytet me detyrën e nënprefektit. Në përfundim të aksionit të fundit që u ba për çlirimin e Leskovikut, mbas një luftimi të rreptë tri dit e net, u vranë 21 ushtarë dhe 2 oficerë italianë të garnizonit të Leskovikut. Për shpëtimin e këtij garnizoni, kanë ardhun tri autokolona të motorizueme të ushtrisë italiane, të cilat si hakmarrje do të shkatërronin krejt qytetin e Leskovikut, dhe do të vritnin deri në 250 shqiptarë. Këto ushtar u lëshuan në qytet e filluan grabitjen e pasunis së tundshme dhe me mbledhun burrat që gjejshin. Gratë fëmijët të tmerruem nga akti barbar, kërkonin shpëtimin; kështu tue kenë përpara nji rrebeshi të tillë me rrezik jete, kam ndrhye pranë Komandës, ku kam gjetun gati për pushkatim Neki Çaçin, (i ati i partizanit Skënder Çaçi), Xhaferr Glinën, i ati i militantit Skënder Glina dhe të tjerë. Këto me njëherë mbi ndërhyrjen t’ime, u liruan tuj i shpëtue edhe jetën. Në banesën time me këtë rast janë strehue familjet e ndryshme, si ajo e Neki Çaçit, Gjylsyma Starjes, Syri Konicës, etj. U ndaluan masat që kishin për të marrun italianët për shkatërrimin e Leskovikut, tuj shpëtue të gjitha banesat edhe ato të partizanëve. Gjithë plaçkat që kishin grabitë kolonat ushtarake të ardhura nga Janina e Gjinokastra, ju morën dhe ju kthyen të zotëve, në sa plaçkat e grabitura nga kolona e ushtrisë së ardhur prej Erseke, nuk i’u arrit për t’ju marrë. Para se të dilnin nga rajoni i Leskovikut, kjo kolonë ra nën goditjet e çetës së Petrit Dumes, i cili ndaloj teshat e grabitura, dogji disa kamjona dhe mori si rob ma se 20 ushtarë, përveç të vrarëve. Mbas nji jave të këtij aksioni, garnizoni i Leskovikut e len qytetin në dorë të partizanve, tuj kalue në rrugën e Gjirokastrën e për Janinë, në sa unë bashkë me familjen t’ime, nëpër mes zonës së lirue me drejtim nga Korça. Udhës jam takue në Barmash me Petrit Dumen dhe në kodrat e Borovës me çetat nacionalçlirimtare”. Kështu ka shkruar Qamil Quku në shënimet e tij lidhur me këtë ngjarje, të cilat i ka mbajtur në Shkodër në qershorin e vitit 1953 dhe që sot ruhen në arkivin e familjes Quku.
Burgoset nga komunistët
Pas mbarimit të Luftës dhe ardhjes së komunistëve në pushtet, Qamil Quku u burgos dhe u luftua prej tyre duke u etiketuar si ballist, e sidomos si vëlla i kolonel Faik Qukut, njëri nga themeluesit dhe drejtuesit më të lartë të Ballit Kombëtar. Ngjarja e vitit 1943, ku Qamili kishte shpëtuar Leskovikun nga një katastrofë e madhe dhe kishte strehuar komunistë, u interpretua ndryshe dhe emri i tij nuk u përmend kurrë. Luftërat, privacionet dhe goditjet e luftës së klasave favorizuan edhe disa sëmundje të cilave ai rezistoi ne stoicizëm ashtu si dhe varfërisë së imponuar nga regjimi komunist. Atë e pushuan disa herë nga puna vetëm për shkaqe politike. Nga 20 shtatori i vitit 1946 e deri 30 qershor 1953, ai shërbeu si sekretar-llogaritar në Spitalin Civil të qytetit të Shkodrës, ndërsa nga 1 korriku i vitit 1953 e deri më 30 qershor 1954, ai punoi si punëtor në ekonomitë ndihmëse. Ndërsa nga 6 maji i vitit 1958 e deri sa ndërroi jetë më 2 janar 1972, (në moshën 74 vjeçare) ai punoi si punëtor magazine në Fermën e Shtojit. Në qytetin e Shkodrës, Qamil Quku mbahet mënd për aftësitë e tija në fushën pedagogjike, ku ai ishte një profesionist i kualifikuar, gjë të cilën u mundua t’ua transmetonte edhe tre fëmijëve të tij. Po kështu Qamili ishte shumë i pasionuar mbas librave, filatelisë, si dhe pas fotografisë. Në shtëpinë e tij, ai kishte gjithë llojet e veglave, të muratorit, zdrukthëtarit, mekanikut, elektricistit, kallajxhiut, këpucarit, etj., të cilat i përdorte vetë, duke e konsideruar punën si një simbol e virtyt të njeriut të ndershëm. Qamil Quku dhe bashkëshortja e tij Naxhie Borshi, lanë tre fëmijë, Lirijen, Liljanën dhe djalin, Mentorin. Naxhija, ishte shembull në pune e shoqëri dhe la një emër të mirë në të gjithë ata që e njohën nga afër atë. Ajo e ndoqi shokun e saj të jetës, Qamil Qukun, kudo nëpër komuna e qytete, e përjetoi kushtet e vështira të bartjeve të herë pas hershme, të përndjekjeve, të shkatërrimit të plaçkave gjatë luftërave etj. Mbas një jete plot sakrifica dhe privacione, edhe Naxhije Borshi vdiq në qershor të vitit 2001, në moshën 83 vjeçare, e rrethuar nga fëmijët, nipër e mbesa e nga rrethi i gjerë i farefisit dhe miqve që e njohën dhe e respektuan deri në çastet e fundit të jetës.
Faik Quku, në akademinë e Versajës dhe Torinos
Më i njohuri në fisin e Qukajve, padyshim ka qenë Faik Quku, i cili ishte diplomuar si oficer i lartë në akademitë turke, italiane dhe franceze. Faiku bëri një karrierë të gjatë ushtarake në Shqipëri, dhe luajti një rol të dukshëm në krijimin e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, menjëherë pas Kongresit të Lushnjes. Në vitin 1921, qeveria franceze i akordoi dy bursa studimi Shqipërisë, për të studiuar në Akademinë Ushtarake të Versajës “San Cyr”. Njërën prej tyre e mori Faik Quku, i cili vlerësohej si ushtarak me përgatitje të larta profesionale. Lidhur me shkollimin e Faikut në atë akademi dhe karrierën e tij ushtarake pas kthimit në Shqipëri, nipi i tij, Mentor Quku, tregonte: “Aty në atë akademi të famshme, jepnin mësime strateg luftarak të shquar, mes të cilëve edhe Sharl De Gol, presidenti i ardhshëm i Francës. Faiku i përfundoi studimet në vitin 1924, me rezultate të larta, duke zënë vend në librin e artë të Akademisë. Si student i shkëlqyer, atij i’u bë thirrje që të shërbente në ushtrinë franceze, por nuk pranoi dhe u kthye në Shqipëri, ku punoi me entuziazëm për organizimin e ushtrisë, përkrah gjeneralit anglez, Percy. Faiku u caktua në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë Shqiptare me gradën toger, ku kontribuoi në krijimin e aviacionit ushtarak shqiptar. Në vitin 1926, në bazë të një marrëveshje që qeveria shqiptare kishte bërë asokohe me atë italiane, Faiku u dërgua me studime në Akademinë Ushtarake të Shtatmadhorisë në Torino. Edhe në atë akademi ai u diplomua me rezultate të larta, duke u shquar në mënyrë të veçantë në stërvitjen e Shtatmadhorisë që u organizua me rastin e diplomimit. Pas kësaj ai u kthye në atdhe dhe u emërua komandant i Garnizonit Ushtarak të Elbasanit dhe drejtor i Qendrës Speciale të Kualifikimit Ushtarak. Gjithashtu ai kishte edhe detyrën e Inspektorit të Shkollës Ushtarake në Tiranë, e cila emëronte oficerët e rinj. Në të njëjtën kohë, Faiku merrej edhe me veprimtari shkencore në fushën e shkencave ushtarake. Me porosinë e Qeverisë Shqiptare, Faiku përgatiti taktikën dhe strategjinë e mbrojtjes së vendit nga një sulm i mundshëm Italian. Ideja e mbrojtjes së vendit, sipas Faikut, ishte organizimi i rezistencës në male, meqë ushtria shqiptare nuk ishte teknikisht e paisur në një shkallë të duhur për të organizuar mbrojtjen në bregdet. Mbas kryengritjes së Fierit, në vitin 1935, Zogu e humbi besimin tek Faiku, duke menduar se kishte gisht në kryengritje, meqë një pjesë e mirë e organizatorëve të saj, kishin qenë nxënës të tij dhe e transferoi atë në Berat, në një repart rezervistësh”, tregonte Mentor Quku për xhaxhanë e tij, ushtarakun Faik Quku.
Prefekt në Vlorë e Gjirokastër
Lidhur me aktivitetin e Faikut pas shtatë prillit të vitit 1939 kur Italia fashiste kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë, Mentor Quku, dëshmonte: “Në atë kohë Faiku dhe dorëheqjen dhe u tërhoq për të përgatitur rezistencën klandestine. Në funksion të këtij qëllimi, ai pranoi propozimin e Qeverisë së Maliq Bushatit për t’u bërë prefekt i Vlorës. Atje ai u takua me patriotët e njohur, Nuredin Vlora (nipi i Ismail Qemalit) dhe Fuat Dibra, me të cilët ra në marrëveshje për organizimin e një rezistence anti-fashiste, duke bërë u bërë thirrje nacionalistëve shqiptar që të bashkoheshin në një front të vetëm. Kështu që në ditët e para të pushtimit të vendit, së bashku me Mit’hat Frashërin, Fuat Dibrën dhe Hasan Dostin, ai mori pjesë në krijimin e një organizate të fshehtë kundër pushtuesit italian, e cila më vonë do të quhej me emrin “Balli Kombëtar”. Që në mbledhjen e parë u vendos që organizata të drejtohej nga një Sekretar Ekzekutiv, detyrë në të cilën u zgjodh unanimisht Faik Quku, si më i riu që ishte. Me 28 nëntor të vitit 1939, Faiku dha urdhër që në ndërtesën e prefekturës së Vlorës të ngrihej flamuri shqiptar dhe organizoi një demonstratë që në formë pelegrinazhi përfundoi në varrezat e dëshmorëve të luftës së 1920-ës. Gjatë kohës që ishte në Vlorë me detyrën e prefektit, Faiku pati lidhje të ngushta me Seit Kazazin dhe Ndue Palin, të cilët njiheshin si eksponentë të lartë të Ballit Kombëtar. Për këto veprime, ai u pushua nga puna si prefekt, por u rimor përsëri më vonë, duke u emëruar si prefekt në Gjirokastër (në pranverën e vitit 1941), mbas luftës italo-greke. Në qytetin e Gjirokastrës, Faiku fitoi simpatinë e popullit, aq sa komunistët hapën fjalën duke thënë se ai është komunist, me qëllim që të bënin për vete popullin. Nga Gjirokastra, Faiku u transferua në Durrës, ku qëndroi vetëm tre muaj, sepse më pas u emërua e u dërgua për të shërbyer në Kosovë. Edhe atje ai vazhdoi punën për konsolidimin e organizatës së “Ballit Kombëtar”, duke propaganduar në popull platformën nacionaliste”, kujtonte Mentor Quku, aktivitetin e xhaxhait të tij, Faik Quku në periudhën kur ai shërbente si prefekt në Vlorë e Gjirokastër si dhe më pas kur ishte në Kosovë.
Delegat i Ballit në Mukje
Në shtatorin e vitit 1943, Faiku mori pjesë në Mbledhjen e Mukjes si delegate i Ballit Kombëtar dhe për atë arsye, me urdhër të Jakomonit, Faik Quku dhe disa nacionalist të tjerë, si Ethem Haxhiademi, Sulejman Meço, Islam Ndreu, Halil Meniku, Hysni Shaqiri dhe Enver Bushati, u pushuan nga puna duke u akuzuar se kishin braktisur detyrën. Pas kapitullimit të Italisë dhe ardhjes së gjermanëve, Faik Quku pati disa oferta nga Enver Hoxha për t’u bashkuar me Ushtrinë Nacional-Çlirimtare dhe për të marrë funksione të larta ushtarake në krye të saj, por ai nuk pranoi pasi kishte bindje të thella antikomuniste. Për këtë arsye Enver Hoxha e shpalli atë armik të popullit. Menjëherë pas kapitullimit të Italisë fashiste, në shtëpinë e Faik Quku në Shkodër, u bë një mbledhje me përfaqësues nga të gjitha forcat politike, si ajo që ishte bërë në Mukje. Po kështu një takim tjetër ku ka marrë pjesë edhe Faiku, është bërë në vitin 1943, (mbas Mukjes) edhe në shtëpinë e Dr. Bahri Koplikut, ku Faik Quku e Dr. Bahri Kopliku përfaqësonin Ballin Kombëtar, ndërsa Zija Dibra dhe Xhemal Broja, Nacional-çlirimtaren. Mbas okupimit të Shqipërisë nga forcat gjermane, dy oficerë madhor nazistë kërkuan të takohen me Mit’hat Frashërin e Faik Qukun, por me gjithë kërcënimet e palës gjermane, udhëheqësit e Ballit nuk i pranuan bisedimet. Faik Quku nuk mori pjesë në Kongresin e Parë të Ballit që u mbajt në Berat, për shkak të debateve që kishin filluar të lindnin mes “të rinjve” dhe “të vjetërve”. Në verën e vitit 1944, Faik Quku i’u propozua nga udhëheqja e Ballit Kombëtar që të merrte komandën e Ushtrisë së Ballit në Jug, por ai e refuzoi një detyrë të tillë. Në verën dhe në vjeshtën e vitit 1944, Faiku mori kontakt me krerët nacionalistë të parisë së Malësisë së Madhe dhe bëri përpjekje që të mos lejoheshin forcat komuniste të depërtonin në Veri. Për këtë gjë, ai u takua edhe me oficerë e misioneve britanike në malësinë e Cukalit, duke u parashtruar atyre kërkesën që të zbarkonin sa më shpejt në Shqipëri, për të shmangur marrjen e pushtetit nga komunistët. Po kështu në fillimin e vitit 1944 ai bëhet nismëtar i një takimi për bashkimin e forcave të ndryshme politike dhe në marsin e atij viti, bashkëpunoi me Mit’hat Frashërin e Vasil Andonin, për të krijuar “Besëlidhjen e Shkodrës”. Në shtator të vitit 1944, i ndjekur nga forcat SS gjermane, detyrohet të largohet në drejtim të Bogës e Malësive të Thethit dhe kur forcat gjermane kryen shumë arrestime në Shkodër, të cilët më pas i nisën për në Kampin e Prishtinës, repartet SS rrethuan shtëpinë e tij, për ta arrestuar, por ai mundi të shpëtonte”, kujtonte Mentor Quku, lidhur me aktivitetin antifashist të xhaxhait të tij, kolonel Faik Quku, në vitet 1943-‘44.
Largimi i Faikut nga Shqipëria në 1944-ën
Ashtu si shumë eksponentë të tjerë të lartë të Ballit dhe Legalitetit, edhe kolonel Faik Quku, më 21 nëntor të vitit 1944, u largua nga Shqipëria. Lidhur me këtë dhe aktivitetin e tij politik në emigracion, Mentor Quku dëshmonte: “I dëshpëruar për fatet e atdheut, kundërshtar i vendosur dhe i deklaruar kundër qeverisë komuniste të Enver Hoxhës, Faik u vendos në Gruneo në Barit të Itali, e më pas ne kampet e emigrantëve politikë që u hapën asokohe nga anglo-amerikanët, si në Santa Fara, Santa Maria De-Luka, Rexhio-Emilia etj. Më pas ai u vendos në Romë, ku kreu edhe detyrën e drejtorit të UNRRA-s për Evropën Juglindore, të cilën ai e mbajti deri në vitin 1949. Kur ishte në Romë, në vitet 1948-‘49, Faikut i’u propozua detyra e komandantit të Ushtrisë së Lidhjes së Vendeve Arabe, por nuk e pranoi, sepse ishte i mendimit se shqiptarët nuk duhej të përziheshin në “Pazaret e Mesdheut” se mund të dëmtoheshin. Gjithashtu atij i’u propozua Komanda e një Batalioni me ushtarë shqiptarë, të destinuar për mbrojtjen e viseve të shenjta të tre besimeve në Jerusalem, të cilën gjithashtu nuk e pranoi për të njëjtën arsye. Në Romë ai ra në kontakt me diplomat amerikanë për të biseduar për çështjen shqiptare dhe në vitin 1949, ai u thirr në Uashington për t’u takuar me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit dhe aty i’u propozua të kryesonte një kryengritje kundër komunistëve në Shqipëri. Faik Quku parashtroi dy kushte: të sigurohej Korça e Gjirokastra dhe kryengritja të bëhej me ndihmën e deklaruar të SHBA-ve. Një gjë e tillë nuk u pranua nga amerikanët dhe më pas, së bashku me familjen, Faik Quku u vendos definitivisht në SHBA. Në vitet 1946-‘50 Enver Hoxha i kërkoi Moskës zyrtare të bënte të mundur riatdhesimin e Faik Quku dhe nëntë nacionalistë të tjerë, me pretekstin për t’i gjykuar për krime lufte, por ajo gjë nuk u bë e mundur. Faiku vdiq në SHBA-ve në verën e vitit 1963, me brengën e mallit për atdheun e dashur, i rrethuar me nderime nga familja, nga shumë miq e dashamirës të tij. Ai la në dorëshkrim një vepër historike mbi Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, të cilën të bijtë e tij, arrijnë ta botojnë para pak vitesh. Aq e madhe ishte armiqësia e komunistëve shqiptar për figurën e kolonel Faik Qukut, sa që edhe në amnistinë e janarit të vitit 1956, emri i tij figuron në “listën e kriminelëve” që nuk kishin të drejtë të ktheheshin në atdhe”. Kështu e përfundonte Mentor Quku dëshminë e tij për xhaxhanë, kolonel Faik Qukun, ushtarakun e njohur që ishte diplomuar në tre akademi dhe nacionalistin e flakët që ndonëse i kishte kujtuar Kontit Çiano, Luftën e Vlorës të 1920-ës, regjimi komunist i Enver Hoxhës, e shpalli armik të popullit dhe i’a ndaloi kthimin në atdhe. Faiku kishte dy djem: Myftari, i cili u diplomua si mjek për sëmundjet e lëkurës dhe ato veneriane në Torino, dhe Qamili që ka shërbye si prefekt dhe arsimtar për shumë kohë. Myftari punoi në Itali dhe SHBA ku dhe vdiq, ndërsa Qamili u persekutua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, dhe vdiq në vitin 1972. Ndërsa i vëllai i Faikut, Sabri Quku, i cili ishte diplomuar në Torino si jurist dhe punoi si gjykatës e avokat deri në 1947, më pas u internua nga komunistët dhe ai vdiq në mjerim në vitin 1980. Gjithashtu mund të përmendim dhe disa pasardhës të tjerë nga ky fis i njohur, si Feti Qukun, që ka shërbyer si arsimtar gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, i cili pas vitit 1945, u burgos nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Nga brezat e rinj të Qukajve, është: Bardhyli, djali i vogël i Faikut, i cili, ka arritur deri në sferat më të larta të biznesit botëror në New York. Ndërkohë, Shenol Quku, ka arritur majat më të larta në fushën e shkencës, duke u marrë me fluturimet kozmike. Pjesa më e madhe e fisit Quku jetojnë në qytetin e Shkodrës, ku janë në harmoni të plotë me familjet e tjera shkodrane. Disa prej tyre kanë emigruar në SHBA, Kanda, Itali, Austri, Egjipt, etj./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016