NIKOLLË LOKA
Av. ALFDRED DUKA
NIKOLIN KURTI
Pjesa e tridhjetë e tre
-VRASJA E PARALAJMËRUAR E NJË KLERIKU RILINDËS –
Memorie.al / Përpara se të fillojmë të analizojmë përciptazi dosjen hetimore e gjyqësore në ngarkim të pandehurit Shtjefën Kurti e të tjerë, për lexuesin do të bëjmë një parantezë të të drejtës dhe historisë se saj në shoqërinë njerëzore, me qëllimin e përqendruar për të ardhur tek e drejta jonë penale e proceduriale, që në fillimet e saj dhe përgjatë viteve të diktaturës.
Një rishqyrtim i gjykimit të parë, për të kuptuar gjyqin e dytë
I N F O R M A C I O N
Gjatë qëndrimit tim në dhomat e izolimit në Tiranë me Shqefen Kurtin, ai më ka thënë si ma poshtë:
1- Në ndërhyrjen që kam organizue në shtëpinë (dhomën) ku banonte ky vet, në të cilën mbrëmje kam pasë 1 pulë dhe 1 kg. raki dhe ca djathë që ka sjellë Bardhoku, ndërsa ky vet ka gjet 8 kokrra vezë. Në këtë mbrëmje kanë marrë pjesë prifti, Bardhoku, Zefi dhe Pjetër Biba, fëmijët e Pjetrit dhe Prenda. Kur fëmijët ranë gjumë, na kemi zhvillue këtë bisedë:
Pjetër Biba më tha mue që ti, ke pasë rastin me ikë me kohë nga Shqipnia, për ku ke pasë qef të vesh; pastaj më tha a kishe me ik tashti, dhe unë (prifti) i thash që po, dhe më tha Pjetri se nga ku kishe me ikë; unë (prifti) i thashë se kisha me ikë në Jugosllavi për tokë, dhe nga Jugosllavia kisha me shkue në Itali dhe pastaj në Amerikë.
Pjetri më tha se a kishte me na marrë me veten e tij; unë i them që jam me ju, po themi me ik. Në këtë kohë Prenda ishte t’u nejt t’u shporeti. Pjetri i tha: pusho ti. Unë (Prifti), ju them atyre shokëve që këtë punë, e bëjmë kur të doni ju, në këtë kohë tha Bardhoku këtë punë do ta bëjmë mirë, por ta kryejmë mirë këtë punën që kemi nis, d.m.th., (vjedhjen), por ti Pjetër e Zef, duhet të interesoheni në rast si biem në sy për vjedhje, të më njoftoni që të largohemi përpara se të na arrestojnë.
Unë ju thashë (Prifti), që, sa të kalojshin në Jugosllavi si njeriu që jam kenë (për letrën që kam shkrue në vitin 1930 për trajtimin e shqiptarëve në Jugosllavi), do të më kishte thirrë qeveria dhe do të më kishin shëtit nëpër Kosovë. E do të më kish bë qeveria me fol me veti. E nuk do të më kishte leju me u largu nga Jugosllavia. Qeveria janë të pafe dhe të falimentum dhe të marrë (tue shëtit Sigurimi nëpër Tiranë), sepse këtë qeveri të sotshme, ose kanë me na e rrëzue të tjerët, udhëheqësit e saj kanë me ik e kanë me ardhë të tjerë, me që janë kundra tyre, ashtu siç u bë në Bashkimin Sovjetik mbas vdekjes së Stalinit.
Pjetër Biba ka thanë: presim. Në vjeshtën e vitit të kaluar, më ka thirr dhe mua në gosti, aty isha i thirrur dhe shkova. Pjetri ka ngre gotën e rakisë dhe mbasi tha: qoftë lavdue Krishti, unë (prifti), i thashë Pjetrit, këto muhabete mos të bahen në sy të fëmijëve, se thonë po re në dorë të tyre, do të tregosh dhe sa herë ke pi qumësht te nana jote. Se unë s’kam për me u thanë se prifti i ka pas shërbye Geraldinës së Mbretit. Këtë e tha për të ndërru bisedë dhe sigurisht me qeshë.
Me sa di unë (prifti), që kam njohur, Bardhoku, Pjetri, Zefi, Nikolli, shpesh herë ishin së bashku në shpinë e Pjetrit.
Komunistin që vinte disa herë te prifti, që e kam shkru në informacionin e parë, e quanin Gjergj, të cilin ma kanë prezentue Pjetri, mbasi e kishte shok të ngusht. Asht mundue që të ma afroje nga pak dhe një komunist tjetër, të qujtun Gjon Zef Leka, por ai nuk ka ndigjue. Hetuesia më ka pyet për shumë njerëz ku kam hy e kam dal e kam bë biseda me ta. Ndërsa për këtë komunistin dhe për disa kulakë, nuk më kanë pyet fare.
E vërteta asht se na shërbente familja e Pjetrit, se i jepshin nga njëherë ndonjë xhep fasule nga magazine; e kooperativës bujqësore dhe këta i kam ndihmua vazhdimisht edhe ma parë për të ble copën e bukës. Thashë se ky pushtet asht pushtet policisë dhe i ka rrasë të vetët që i kishte dhe i ka spiunët e tyre. Ai thotë se kur të dal në gjyq, e të më thoj kryetar i gjyqit: Thuaj fjalën e fundit, kam me thanë të më sjell me fytyrë nga populli, si ai çobani i mirë që i len beret vetëm. Ndërsa nëse me dënojmë me pushkatim dhe nëse me pushkatojmë në prani të popullit, kam me thanë: Rroftë feja e Krishtit dhe poshtë Komunizmi. Bardhoku asht tuj i tregu të gjitha sa din, sepse e rrejnë këta e tash po e lirojnë.
Më trego qëndrimin që mban hetuesia karshi teje:
Kur më lenë me ndonjë jam shumë i qetë dhe me thanë të vërtetën nuk tregoj gjë. Dhe kur i them ndonjë fjalë të mirë, ai njeriu në birucë nuk thirret në hetuesi, vetëm një herë në ditë dhe asht shumë i qetë. Por kur thirret dy herë në ditë dhe i kërkoj kur të kthehet: Me trego ndonjë send, më thotë se Bardhoku ka fillue me tregue dhe nuk kam përse të mos tregoj, sepse kjo qeveri ka me falimentue, qoftë ne rrugë paqësore kur të ndërrohen këta udhëheqës. Ose nga ndonjë agresion i jashtëm.
Por unë po të la një amanet, që nëse ka me mbet gjallë ndonjë prift, shko një herë te ai dhe thuj se kam ndejt në burg me Dom Shtejfnin dhe thuj se edhe ai për këtë ditë ka luftue. Dhe ka lanë amanet që në venin ku është pushkatue, të më ndërtojnë një monument, ku të shkruajnë emrin e tij, luftën për Shqipërinë e lirë. Edhe përpara më kanë arrestua dhe në qeli kam vujt. Herën e parë përpara se u arrestua në qeli, në podrum ka fsheh një teneqe me vojët, një sasie të mirë.
Tiranë 15 Korrik 1970, Hajrullah Piranej
I N F O R M A C I O N
Gjatë qëndrimit tim në dhomat e izolimit në Tiranë së bashku me Kurtin, nga dt. 17/6 deri në 7/7/970 më ka tregue Shtjefën Kurti si më poshtë:
- I bënë përshtypje trajtimi kaq i mirë në krahasim me ish burgun e parë që është kenë tue i dhanë ushqim special, dhoma e izolimit e mirë në dërrasa dhe t’u i dhanë batanije.
- Deri në kohën që kishat kanë qenë të hapura dhe kanë funksionuar, unë kam qëndruar pasivë, por kur janë mbyll kishat unë jam bërë aktivë, duke folë kundër pushtetit popullor, duke ju thanë disa fshatarëve që unë kisha besim si, njëfarë Bardhoku, Pjetër Biba, Zefi e ndonjë tjetër se, ky është pushtet i vuajtjeve, prodhimet tona i marrin dhe na vuajmë për bukën e gojës, me qëllim lufte kundër kësaj qeverie. Aty ku kam pas besim, i kam nxit për vjedhje të prodhimeve bujqësore në Kooperativë, si drithna, patate, qepë, etj.
- Me gjithë që kishat janë mbyllë, unë përsëri shërbimin fetar e kam ushtruar, sidomos kulakëve bile dhe personave të tjerë. Këto shërbime fetare ju kam bë në shtëpinë ku unë banoja, duke thënë meshë, kungime, pagëzime, rrëfime bile edhe kurora (martesash) fetare dhe për këtë të fundit ai na tregon një rast që i kishte vu kurorë një djali dhe nuses.
- Në kohën e mbylljes së kishave një person, i cili paska qen hyzmeqar tek ky (prifti), kur është bërë një mbledhje, organizata bazë e partisë për gabimet fetare, ai i ka thanë: A paska lanë gjë pa bë ky prifti?!
- Në fshatin Gurëz, siç thotë një komunist, i cili qenka anëtar kryesie i Koop. Bujqësore, emrin e këtij komunisti nuk e ka tregu akoma, na ka dhanë çdo herë edhe informata për çdo gjë tjetër që u diskutonte në mbledhje të organizatës, ndërsa baba dhe vëllai i këtij komunisti, vinte vazhdimisht në shtëpi të priftit ku, kanë diskutuar në çështje fetare.
- Pjesa më e madhe e fshatarëve që ne shohim në Koop. Bujqësore, siç ishte Pjetër Biba, Bardhoku dhe Zefi, më tregojshin që kanë vjedhur dhe unë u jepshim bekimin kështu p.sh., Pjetër Biba më ka thënë një herë se ti Shtjefën po na jep leje fetare që të vjedhim në Koop. Bujqësore dhe më ke thanë se nuk asht gjynah me kenë se unë (Pjetër Biba), të kam borxh 2.400 lekë të vjetra, a bën me të paguar me para të vjedhura dhe unë i thashë: po se ato janë mundi dhe djersa e juaj.
- Është shumë i frikshëm, mos kanë arrestue një farë Pjetri i cili i paska ndenjë në Gurëz, te i quajtur Dom Doçi dhe ka frikë se mos ditka gjë kundër tij, sepse gjoja qenka kundra tij sepse unë (Shtjefni) paskam dijeni se Pjetri dhe Bardhoku i kanë vjedhë dikur një karton me misër Dom Doçit.
- Gjithashtu më tregoj punën e një sahati që e ka blerë, i cili paska hy në vendin tonë kontrabandë. Paskëtaj me tregoi për çfarë ka tregue në hetuesi:
- Kush më ka borxh.
- Kujt i’a ka shit rrobat që i kanë ardhë nga Jugosllavia.
- Për një mbrëmje që kanë bërë në shtëpinë e tij me pjesëmarrjen e Bardhokut, Pjetër Bibën, Zefit dhe të Prendës dhe aty kanë qenë prezent edhe vajza e Pjetrit, Dava.
- Kam tregue shtëpiat që kam ndërtue në Gurëz, kur kam qenë në Jube të rrethit të Durrësit.
Hetuesia e ka përqendruar fajin e tij me anë të këtyre pyetjeve:
- Çfarë keni biseduar në mbrëmjen për arratisje, për qëndrimin karshi vendit tonë nga Bashkimi Sovjetik.
- Materialet që i keni fshehë.
- Puna që kem bërë karshi pushtetit për ta dëmtuar dhe lufta për shkatërrimin e Koop. Bujqësore. Për të cilat i kam tregue të gjitha çfarë kam.
Më tregon për disa punë përpara çlirimit të Atdheut.
- Një here, – thotë ai, – kam marrë rreth 100 fshatar dhe i kam çue në takim te Papa në Itali. Mbasi ka përshëndet Papa, u çue një fshatar nga Shëngjini dhe u ul në gjunjë karshi Papës dhe i tha: Besa ti fole shumë mirë për fenë dhe Krishtin, por a po mi jep 20 barrë kallamboq, t’jua çojmë robëve se i kemi pa bukë. Meqenëse ky fshatari fliste shqip, Papa më tha, çfarë thotë Dom Shtjefën? Shumë mirë i thashë, ju falënderojmë për pritjen që na bate, pra nuk i thash të vërtetën, sepse ishte fyese.
- Një herë mora 60 vajza me moshë 13-14-15-16 vjeçare, 30 nga Tirana, 30 nga Shkodra dhe i çova në Itali, mbasi u bë një takim femërorë botëror, ku këto vajza u kënaqën duke e parë Papën.
- Kur paska pushkatue Italia 3 djelmosha te rinj, një nga Pllana e rrethit Lezhë, një nga Malësia e Madhe e rrethit të Shkodrës dhe një nga Mirdita, meqenëse ata ishin katolik, shkova me u bë ritet fetare e asistova aty në pushkatim, para se ata të pushkatoheshin thanë: Rrnoft Krishti dhe Djelmnia Shqiptare.
- Pastaj më tregonte për jetën e lartë aristokrate që ka bërë, për kushtet jashtë atdheut si në Itali, Gjermani, Rumani, Zvicër etj.
- Më ka tregue sesi informonte Vatikanin për gjendjen në Shqipëri gjatë viteve 1945-1946, nëpër mes të legatës franceze.
Tiranë 7/7/1970
Hajrullah Pinaj
I N F O R M A C I O N
Datë 16/V/1970
Gjatë qëndrimit tim në dhomat e izolimit nga 11/6/970 deri më dt. 16/6/970 me Shtjefën Kurtin, mbasi më pyeti mue nga jam, ç’punë kam bërë dhe mbas 3 ditëve pse jam arrestue dhe mbasi filloj me formue njëfarë tensioni ai, (Shtjefni), më tregoj emrin dhe më tregoj se është nga fshati Gurëz i rrethit Krujë, tue më tregue se kishte qenë prift dhe kishte bë 16 vjet e gjysëm burg dhe se ishte lirue para 7 vjetëve. Pastaj më tregoj tue më thanë se nuk e di përse më kanë arrestua.
Ma vonë më tha se më thirri një hetues dhe më tha (hetuesi): Më trego përse të kemi sjellë këtu, unë i thash (Shtejfni), më pyetni ju se unë po ju tregoj, po ai (hetuesi), ngulte këmbë me i tregue unë vet. Kur më thirri radhën e dytë (hetuesi), unë (Shtjefni), i tregova se kam bisedua me fshatarët, tue u tregue se si asht jeta jashtë shtetit; kam ndigjue Radio Roma, Vatikani dhe Amerikën.
Pastaj më tha se unë (Shtjefni), ju kam thënë fshatarëve që vidhni se djersën tuaj e merrni. Ma vonë më tha se si e kishin ballafaqua me një fshatar nga Gurëzi, i cili ka ra për vjedhje në burg, dhe në ballafaqim ai (fshatari), më tha se si unë i kam dhanë këtij fshatari, disa libra me i djegë, të cilët kanë qenë me përmbajtje fetare. Ky (Shtjefni), shtoj se unë me këto libra brenda kam pas disa fotografi të mesave të mija dhe këto libra ja dhash në kohën kur disa kolegë (prifta) të mi, janë kenë arrestua dhe ma vonë dy prej tyre janë pushkatua.
Më tha se ky vet (Shtjefni), kishte përkthyer një libër nga italishtja në shqip, i cili libër i bënte një luftë komunizmit, të cilën libër mbasi e kam përkthyer ja kam dhanë një prifti.
Në mes të tjerave (Shtjefni), më ka thënë edhe këto gjëra, përse nga fshati merren të gjitha prodhimet si misër, qumësht, fasule e tjera dhe shiten në qytet, ndërsa ne në fshat s’kemi asgjë; na japin hirrë dhe këtë me 3 lek kg., të cilin përpara çlirimit, e kemi përdorë për derra.
Një natë erdh te unë (Shtjefni) dhe më sollën 1 kg. raki dhe 1 pulë, mbasi mori kungimin biseduam për vjedhjet. Çka është e vërteta, unë kam fol me ta, duke ju thane: vjedhni se nuk është gjynah se, merrni djersen tuaj.
Paskëtaj më ka tregue për rrethin e tij, duke me tregue se ka një vëlla në Jugosllavi në Pula, i cili ka një djalë dhe një vajzë në Amerikë, ka dhe një motër në Jugosllavi, një vëlla në Gurëz dhe dy nipa në Tiranë, të cilëve thotë ai, ju kam bë një shtëpi të mirë me paret e mija.
Më ka tregue se ka dhe dy nipa në Shkodër, paskëtaj më tregon për jetën që ka kalue përpara çlirimit, duke bë një jetë të mirë dhe luksoze, kam pas thotë kinema, bilardo, fotografi prej të cilave, kishte fitime të mëdha.
Ai thotë se dojnë me mbarur punë shpejt me mua, sepse me sa di unë, kanë arrestue shumë fshatarë nga Gurëzi dhe m’u (Shtjefnin), duen me më pushkatue, por me sa shoh unë ata (hetuesia), dojë me më bë kryetar grupi, sepse ky pushtet i ka pushkatue mbi 60 priftë.
I kam thane, – thotë ai (Shtjefni), se ka me fillue lufta, e mundet kundër Kinës me ndonjë dhe i shkon në ndihmë Bashkimi Sovjetik, sepse mendohet janë bashkë në çdo pikëpamje.
Më ka tregue se ka qenë në Jugosllavi, Itali dhe Gjermani. Mua më tha se me pas ikë në Greqi, pastaj ti kishe shkue në Itali, kishe bë një jetë të mirë, dhe familjes i kishe dërgue petka me vlerë dhe pastaj kur gjendja do të ndërrohet në Shqipëri, ishe kthyer. Ai thotë se kur të ndërrohen këtu udhëheqësit e sotëm, patjetër ka me ndërrue edhe qeveria, ashtu siç ndërroj qeveria në Bashkimin Sovjetik, mbas vdekjes së Stalinit.
Duke më porosit që të kesh kujdes të madh se ka spiunë në burg, mos i beso kurrkujt. Ki shumë kujdes për këto që po bisedojmë bashkë, për këto që po t’i thoja unë. Tërë ditën dhe natën në dhomë të izolimit, rrini duke ju lut Krishtit, thanë mes të tjerave, thotë Krisht për ty, jam tu e bë këtë për kundra të pafeve, pra mua që të mos u nënshtrohen këtyre më jep force!
Tiranë, 16/6/970
“Tomorri”
Hajrullah T. Pinaj
I N F O R M A C I O N
Gjatë qëndrimit tim në dhomat e izolimit në Tiranë së bashku me Shtjefën Kurtin, gjatë kësaj kohe më ka treguar sa më poshtë:
- Bardhoku paska bë një drekë në të cilën kanë marrë pjesë: Zef Biba, Zef Nishi, Pjetër Gjergji, Uk Kosova, po kështu kanë ba edhe një darkë Bardhoku ku, ka marrë pjesë: Zef Nishi e Pjetër Biba.
- Një herë Shtjefni (prifti), ka bë një darkë ku ka pas: pulë, djathë, vezë e qepë, bukë. Në këtë drekë ka ftuar Uk Kosovën. Ukë Kosova ka thanë që: unë jam 100 përqind kundra kësaj Kooperative Bujqësore dhe pastaj Shtjefnit, ti, duhet të kesh ma tepër urrejtje se ky pushtet, e hoq krejtësisht fenë dhe i tregon sesi feja (katolike), po merresh në tërë botën bile dhe në Bashkimin Sovjetik, sepse kjo është një vërtetë dhe jo siç thonë komunistët. Sa të jetë gjallë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu s’ka gjë prej tyre, po ka me ardhë tjetri, e me e ndryshua sistemin.
Rrinë t’u thanë se, Pjetër Gjergji dhe Llesh Nishi, janë qytetarë të mirë dhe besnik se, më kujtohet se këta të dy janë arrestua. Pjetër Gjergji qenka magazinier i Koop. Bujqësore dhe ka një vajzë me gruan e parë dhe një vajzë në Tiranë. Në kohën që paska qenë kryetar i Koop. Bujqësore, në këtë kohë kishte qenë në Koop. Bujqësore edhe i vëllai i priftit.
Në këtë kohë ka qenë njëfarë lidhje me Zef Hasin, Pjetër Gjergjin edhe të vëllain. Pra prifti, asht i friksuem për Pjetër Gjergjin dhe Llesh Nishin. Deri sa ka thanë se unë (prifti), qysh se asht liru nga burgu, nuk kam qenë asnjëherë te nipat në Tiranë, tani thotë se ka qenë disa herë, bile tashti thotë ka qenë një herë e aty ka gjetë djalin e Kolë Jakovës.
Ai (prifti), thotë kurdoherë që kam udhtue në Tiranë, kam fjetë te Noc Sahatçia me gjithë se ky asht një prej tyre (me qeverinë tuej, Sigurimin). Aty kam pa shpesh herë t’u ardhë, një oficer i Sigurimit, bile e kam pa kur janë lirue gradat se, ka qenë major. Te Noc Sahatçia, kam ndigjue radio të huaja si Vatikanin, Romën dhe këtë e bënte edhe vet Noci, që më ka thanë se vërtet unë (prifti), e kisha frikë Sigurimin.
Dava që ka tregue gjithë këta emra që kanë hy e dal tek unë, pse nuk e ka tregue që motra e saj vinte shpesh herë tek unë bashkë me burrin e saj. Por s’ka tregue se ka dasht me i mbrojt. Kur qenka lirue nga burgu Luigji, unë (prifti), nuk kam shkue me e takue sepse kishim frikë. Bile mbas një kohe i kam çue fjalë se nuk mund të vij. Një herë jam takue me Luigjin dhe i tregova se unë kam bë burg dhe vuajtjet e mija në burg, se tash nuk asht si përpara.
… Më ka treguar për një Dod, i cili paska hy te prifti dhe e ka ndihmua shumë me ushqim nga shpija e tij, me qumësht, kos, djath, raki e tjera. Më thoshte, më ka thanë me pas kujdes hetuesin. Më kërkoj që t’i tregoj me kë jam takue dhe kush ka ardh në shpi tek unë. Prifti thotë që: me ma heq mishin nuk tregoj se i marrim në qaf këta njerëz dhe i fusin në burg. Kërkesat e hetuesisë janë për vjedhjet dhe të tjera vepra në Koop. Bujqësore dhe në agjitacion kundra qeverisë. Ai thotë se: përse kërkohen më shumë gjana prej meje, përderisa unë jam armik i betuar kundër këtij regjimi. Ka tregue se ka një kostum të zi stofi, te i vëllai në Gurëz.
Tiranë 23/7/970
Hajrullah T. Pinaj
Sot më 24/7/970, Shtjefën Kurti i paska thanë se e kan ndigjue njerëz të tjerë në Gurëz se, ish – kryetari i Koop. Bujqësore, Zef Hasi, i ka dhanë një gruje drithë, dhe dyshohesh se ky drith ka qenë i vjedhun. Po kësaj gruje i ka dhanë edhe kashtë për bagëtinë. Zef Hasi, ka dhanë shpesh herë prodhime bujqësore. Këto thotë prifti i kanë marrë edhe të tjerët, por se kush janë këta nuk i thotë.
Po kështu thotë se një gruje që e ka takue në organizatën e gruas për me shkue në Krujë për problemet e organizatës së grave i ka thanë mos shko, se këta dalëngadalë të bëjnë komuniste e do të largohesh nga feja e Krishtit. Këtë grua e paska pas kojshi me shpi prifti.
Tiranë, 24/7/970
Hajrullah T. Pinaj
Nga Op.10.XI.70
Agostini paraqitet i tronditun, ka frikë se mos pushkatohet. Nuk i besojnë, thotë më quajnë gënjeshtar. Se Bardhoku e Frani u kanë thanë se unë kam lidhje me njerëz të tjerë, se unë kam pas bisedue me Ded Vukën dhe Zef Bicin. Deda ma ka thanë për ardhje diversantësh.
Në vitin 1967, kam ardhë në Tiranë me marrë një dokument shkolle, kam takue Bardhokun dhe këtij i thashë që: ta minosin monumentin e Satlinit, se unë me vete kisha marrë një dinamit. Për këtë veprim i thashë Bardhokut, do të marrim pare. Por Bardhoku më tha, se për këtë gjë duhet të bisedojmë edhe me Fran Vocin. Bardhokut dhe Franit, u kam thanë gënjeshtra se, kam lidhje me priftë dhe kriminelë.
Prokurori me datën 9-XI-70, më ka thanë se, ky asht dashi i monumentit, d.m.th., do të më iki koka. Ndërsa të dielën, disa oficerë të veshur ushtarak, njëri i foli tjetrit në gjuhën greqishte, për punën e monumentit.
Tomorri
I N F O R M A C I O N
Gjatë qëndrimit tim në dhomat e izolimit në Tiranë, së bashku me Shtjefën Kurtin, më ka tregue se:
- Se kur ka pas Dom Anton Doçi ditën e emërimit, jemi mbledhë për të bërë festimin, ka qenë dhe një prift tjetër, emrin e të cilit s’ma ka treguar. Tani i ka hyrë frika se mos janë arrestue edhe këta prifta dhe se mbas tij mos shpifin gjë për të (Shtjefnin). Dyshimi për arrestimin e tij, ju ka formuar se një ditë, paska ndigjue ushtarët t’ue thanë se: a të erdhën priftat Pjetër.
- Thotë se do t’i tregojë hetuesit vetë, se kan bisedue disa gjëra të tjera me Llesh Nishin se, i kam dhanë hetuesit, se u ka thanë se si ishte jeta në shtetet kapitaliste.
- Më ka tregue mue se, përpara se do të bëjmë një vizitë nandorin e ardhshëm në Zvicër dhe në një shtet tjetër. Memorie.al
Tiranë, 30/7/970
Tomori
Vijon numrin a ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016