Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e tridhjete tre
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Dom Marku vazhdoi: “Në kët FERR ma t’zi se FERRI, duhet me pështu ç’mund të pështohet. Mirëpo, do duhen shum sakrifica e vite me i dal n’kry; e n’fund, jo t’tan kan me ia mbrijnë asaj dite. Koha ka vërtetu se shpesh antikrishti ose me e than ma shkoqun, antinjeriu, ka luftue dhe e ka nënshtrue për nji periudhë të caktueme t’mirën, por sidokjoft, n’fund e mira ka triumfue. Për me përhap krishtërimin, jan dasht sakrifica të panumërta dhe vullnet i jashtzakonshëm; në rrugëtimin e gjatë kan ra shumë martirë; n’Romën e vjetër u jan dasht m’u fshye ndër shpella e katakombe. Kristianët e vetdijshëm kan përfundue n’kryqe, si udh’heqsi i tyne Krishti, por s’u ligshtun, mbas shum e shum vuajtje e mundime, triumfoi drita e lumnueme dhe kingji i t’Madhit Zot, Jezu Krishti. Edhe ma vonë e mira dhe e keqja kan ken n’luft të pashterrun, e n’fund e mira ka triumfue, pavarsisht nga çmimi që asht dasht me pague.
Njitash jena në t’njajtin stad, komunizmi asht antikrisht, antinjeri, mëton me i eleminue fizikisht, t’tan kundërshtarët e vet. Komunistët jan ateistë t’pamshirshëm, të pamoral, jan gjakatarë e cinikë të pafre; për me arrit synimet e tyne të mbrapshta, përdorin ç’do mjet dhe s’kan ndërmend m’u kthye pas. I kan mbush burgjet plot, jo se kan ba faj, po me shpërhap terrorin n’masa. Na kan shti mbrend, jo vetëm me na vra, po të dojshin me e ba, s’i pengonte kush, na kishin qit fare. Por i druhen mollës ndalueme, eleminimi do na kthente n’martirë t’fesë e t’kombit. Pra, qëllimi i tyne asht, me na diskretitue n’sy t’popullit, tuj na sha e tuj na rrah publikisht, për me humb reputacionin, e mandej me dek avash- avash, si qen të harruem ndër qelat e burgjeve.
Kjo metodë e mbrapshtë të sjelluni, ka ba t’nevojshëm kundër reagimin. Pra, me kërkue rrugë se si me mujt me sigurue vazhdimësinë, e për kët qellim, duhet me i ruejt njerzit, për me mujt me i qit gjall prej burgut. Mirpo ene kta, duhet me ken t’rinj e të formuem, të ndershëm e t’besuem, t’urt e të ditun, po mbi t’tana t’fortë e të duruem, për me shkue larg. E njitash du me t’theksue, kjo murtajë nuk zhduket shpejt, do duhen vite deri te e mbramja. E së fundi, du me shtu, se brezi i jëm dhe shum të tjerë, kan me mbet rrugës, s’kena as mundsi fizike dhe as moshën, me ja mbrit asaj dite t’lume…”!
Me biseda të tilla dhe herë herë edhe në heshtje të imponuar, ngaqë prifti kuvendonte më eterin, mbërritëm mbas-diten kur prifti përfundoi dënimin. Ditën e daljes nga qelia, u ndamë si miq të vjetër. Kishim kaluar së bashku mbi dy javë që fizikisht qenë torturë njëzet katërorëshe, po shpirtërisht, një fluturim në qiejt e amshuar të lirisë hyjnore. Atë çka mësova ato ditë, s’i kisha nxënë për gjithë vitet e jetës tok, po ato dy javë në shpirtin tim, ndodhi katarsisi më i rëndësishëm, u platit urrejtja dhe u çimentuan themelet për ngrehinën shpirtërore të së ardhshme. Në momentin kur policët i hapën derën e qelisë për ta nxjerrë, prifti eci gjer te pragu, atje ndaloi dhe ngriti kryet lartë, si të ngopej me qiellin e munguar, mandej u suall kundruall meje dhe me dorën e shtrirë bëri kryqin.
– “Jesui të pastë nën mbroj, or bir! Ta krysh shndosh e faqebardhë”! – hodhi batanijet në sup dhe i palosur më dysh, me çap të ngadaltë, mori tëposhtën drejt infermierisë. E ndoqa me sy, deri te bërryli pas dyqanit të Nojes, mandej iu drejtova nevojtoreve. Kur më liruan edhe mua, u takuam të përmalluar. Përsa kohë qemë në të njëjtin kamp, shiheshim shpesh, ndonëse prifti ish pothuaj përherë i sëmurë.
Por shumë shpejt do na ndanin, ama gjithsesi, do mbeteshim miq të afërt. Pavarësisht se më pas rrugët tona s’do puqeshin më dhe s’do na ndihte fati të takoheshim sërish për së gjalli në këtë dynja, miqësia dhe ndihma e priftit humanist, Dom Mark Hasi, s’do më mungonte asnjëherë. Dëgjoheshim nëpërmjet të dënuarve që lëviznin nga njëri kamp në tjetrin apo, nga kampet në kaushin e Burgut të ri Tiranë, ku grumbullonin të dënuarit rishtarë nga gjithë Degët e Brendshme të Shqipërisë, për t’i nisur pastaj në destinacione të ndryshme, që t’i shfrytëzonin si krahë pune, pa shpërblim.
Për të marrë dhe shpënë lajme, shfrytëzonim edhe rrugët alternative, si për shembull të dënuarit që i nisnin për në spitalin e burgut, që në ecejaket hyrje-dalje nga spitali, si vendstrehim dhe pikë shpërndarje, mbeteshin po kaushët e burgut të ri. Pra, nëpërmjet atyre që lëviznin në këtë itinerar, ruajta lidhjet dhe shkëmbeja informacion me Dom Markun. Ndërkaq, nga miqësia e lindur javët që kaluam në birucat e Repsit, që më vonë u konsolidua, unë pata benefice të pamasa; përfitova dije e miq të rinj dhe në këmbim të saj, dhashë vetëm një falenderim: “Faleminderit Dom Mark, për gjithçka bëre për mua”!
Po edhe këtë “dhuratë”, prifti martir s’deshi ta pranonte dhe m’u shpreh: “Kam ba detyrën teme. Zoti më faltë, nëse s’e kam krye ma s’miri”! Kohë më pas, kur mësova për vdekjen e tij në burg, u dëshpërova pa masë. Largimi nga jeta i atij burri malesh, të përkushtuar ndaj detyrës së shenjtë, që deri në dekikën e fundit iu dedikua Jezusit dhe i këndoi plotë veneracion, me zërin e tij të veçantë, jehona e të cilit më ushton ende në vesh, si dyzet e dy vjet më parë, e privoi tokën Arbnore nga një njeri i madh, por i shtoi amshimit, një shenjtor më shumë. Lavdi të përjetshme, o prift stoik!
Natën që mbeta vetëm, do ndihesha njeriu më fillikat në planet, si një jetim i braktisur edhe nga vet Zoti. Kalova orë të tëra pa gjumë, duke sjellë dhe risjellë në kujtesë bisedat e shkuara me priftin. Kështu e shtyva, deri sa mbylla dënimin. Në qeli më sillnin bujtës njënatësh apo njëzetekatër orësh, përjashto një matjan, që e dënuan tri ditë. Me këta vizitorë afatshkurtër s’njihesha, po as tentova të hyja në biseda të përveçme, edhe kur qëllonte të hapej ndonjë temë me zarar, heshtja. Më vinin ndër mend këshillat e priftit të urtë:
“Ruhu bir!… ktu jan shtue njerzit e liqë e spiujt…! E nuk din, kah me u rujt ma par robi i shkretë…”, kështu që shkëmbeja me ta, vetëm muhabete të përgjithshme, pa hyrë në hollësira. Jo se mendoja se medoemos ata duhet të ishin të këqij, por thjeshtë pse s’i njihja. Secili zhytej në hallin e tij dhe shtynim natën, deri sa gdhinte. Të nesërmen, ai shkonte me shokët e vet, kurse unë mbetesha po aty. Pa ndonjë ngjarje të shënuar, e mbylla afatin e dënimit, deri në minutën e fundit.
Gjatë atij muaji, përftova ca nocione të reja, që në kushte të tjera, as i kisha imagjinuar. Por këto mund t’i besoj vetëm kujt i ka rënë shansi, të ketë njohur qelitë e kampit. Në atë mjedis të izoluar, lindnin dhe zhvilloheshin pa vetëdije, ca shprehi të paprovuara më parë. Si pa e kuptuar në jetën e individit, ndërfutje tinëz një zakon i ri, një ide e re, një farë përfytyrimi imagjinar, që transformonte ndërgjegjen, si ajo currila e ujit, që gërryen shkëmbin ditë pas dite; bënte të përftoheshin ca reflekse të kondicionuara, si te kafshët, që i transmetojnë gjenetikisht nga mëma te pjella.
Fundja këtu synonte komunizmit, që qenien më inteligjente ta shndërronte në kafshë instiktive, për t’i nënshtruar më lehtë, për t’i mposhtur pa rezistencë që mandej të përjetësonin sundimin final. Na kishin shndërruar, në kavje prove! Pra, birucat i kishin kthyer pak a shumë, në laboratorë ku kryenin studime mbi mbijetesën. Kushtet anormale të këtij “laboratori” pervers, diktonin të përvetoje ca veti paranormale, që në një tjetër ambient edhe më cinikun, do ta bënin të qeshte me veten. Për ilustrim po marr një shembull akustik: Vetëm duke dëgjuar trokëllimën e takave me thumba, të duhej të arrije të përcaktoje nëse personi që iu avitej birucave, ishte oficer apo polic; apo thjeshtë nga jehona e trokut të çizmeve, të hamendësoje, me kë do të binte radha të ballafaqoheshe, me ndonjë skile të vjetër apo, me ndonjë fodull mendjetrashë.
Konkretisht, kur vinte operativi ecte qethaz si dhelpra që gjurmon kotecet, priste pak minuta pas dere, me hundën zhytur në birën e çelësit dhe veshët ngrehur, duket kish të zhvilluar shqisat e nuhatjes dhe dëgjimin. Mbasi sigurohej se s’ishte pikasur, hapte befas derën, që të zinte të izoluarin gafil, me ndonjë send të ndaluar, që pastaj të niste presionet: jo kush ta dha e, jo kush e futi, etj., etj.
Kur në biruca vinte për inspektim komisari i kampit, trokthi i thumbave oshtinte që larg, si për të na dhënë të kuptonim se atje; “ku shkel Partia gjëmojnë edhe malet”! Pastaj të duhej të arrije të ndaje, vetëm nëpërmjet mënyrës së frymëmarrjes, apo të shikimit, atë që vinte të kryente shërbimin brenda normave, nga ai që synonte të shkaktonte konfuzion artificial, që më pas të fillonte reprezaljet. Pra, zhvillohej deri në perfeksion instinkti, për të dalluar qëllim-mirin nga qëllim-ligu.
Miku im vlonjat Luan Koka, sa herë diskutohej mbi këto veti sekondare të karakterit human, shprehej: “T’iu falemi komunistëve, që po na bëjnë nder të veçantë, duke na pajisur me instiktin e dhelprës, të qenit, të ujkut, të maces, të hienës që i shquan veçanërisht këto kafshë inteligjente, nga të tjerat. Me këto veti që janë tiparet dalluese të tyret, mund t’i përballim më lehtë! Xhi-hi-i-xhi! Helmi kundër helmit”! – e mbyllte miku im dhe natyrisht kishte plotësisht të drejtë, sepse në vartësi të përvetësimit të këtyre ndjesive, mundëm të organizonim mbrojtjen e çdoditshme dhe t’iu shpëtonim shumë e shumë mundimeve, shumë e shumë kurtheve që ata sajonin ndaj nesh.
Pra, qelia mprihte inteligjencën, shikimin, ndigjimin, ndijimin, ne anën më të padukshme, ato që zoologët i kanë klasifikuar “instinkte të fjetura”, dhe që bëjnë të pamundurën t’i stimulojnë në kafaz, te kafsha e zbutur. Në një farë mënyre komunizmi e shndërroi njeriun modern, ne një kafshë-kavje. Ditën e fundit të dënimit, me zor i shtyta. Minutat dhe orët m’u bënë muaj, mezi po prisja çastin të më nxirrnin. Kisha një muaj të tërë pa u larë, sa m’u neverit vetja. Atë mbas-dite në qeli zbarkuan dy policë dhe një oficer, që e shihja për së pari. Me sy ngulur pas vrimës së derës, ndiqja veprimet e tyre; ata qëndruan pak metër më tej dhe diç flisnin. Ngjesha veshin pas birës mos kapja ndonjë copëz bisede, po më kot, ishin larg dhe flisnin ulët.
Vura sërish syrin dhe ia ngula të sapoardhurit, ai ish një vrarëlije, rreth tridhjet apo më tepër vjeç, me fytyrën plotë birëza të thella, si të shpuara me majë gozhde, që i jepnin çehres hije edhe më të rëndë, nga ç’mund të kishte në të vërtetë. Mbasi përfunduan me qelinë përbri, hapën derën e birucës sime. – “Ky është”? – pyeti vramuzi. – “Si urdhno ky, shoqi komandant”! – “Or ti, sa ditë t’u bën këtu”? – m’u kthye mua. – “Tridhjetë”. – “Sa ta kishin prerë”? – “Një muaj”. Ai po më hante me sy. – “Po ky muaj, sikur është me tridhjetenjë ditë, nesër e mbush”! – shtoi dhe bëri të largohej.
Sikur më ranë me varre mu në lule të ballit, aq u trondita atë çast; ditët i kisha numëruar një për një. Që mos t’i lajthisja, çdo mëngjes gërryeja nga një vizë, në suvanë e murit. “Hej dreq, nga na dalka tani, u dashka edhe një ditë”! Gati më doli truri vendit, s’m’u durua dhe iu ktheva: – “Jo, zoti komandant, i keni bërë llogaritë gabim, tani jemi në shkurt. Ky muaj ka njëzetetetë ditë. Kështu, më rezulton të kem bërë edhe dy ditë më shumë”!
– “Or tëj, a je n’tepelek t’kresë, apo t’ka zan malli për hekrat”! – m’u kërvesh një nga policët. – Pa le, pa dashke me na msue në ç’muj jena, a”! – “Jemi në shkurt…”! – “Pusho, bre! U ba surrati jot, me na kallzue sa dit ka mueji”! – dhe m’u ngrehos si gjel para hundës. Por oficeri që kishte bërë ca hapa poshtë, u kthye sërish. “Ej dreq, ç’e kërkova si cjapi te kasapi”! mendova, kur vramuzi po kqyrte me vëmendje. “Prite kur të më futen vënçe me dajak!” dhe u struka në këndin pas derës, që të mbrohesha një farë soji.
Por ai si bëri dy hapa, qëndroi në krye të shkallëve, pastaj iu kthye policëve dhe i urdhëroi: – “Qiteni dhe plotësoni formularët, po e përsëriti, herën tjetër do bëjë dhe një ditë plus”! e – mori tatëpjetën, pa shtuar gjë tjetër. – “Or tëj, ç’pret ala, apo t’ka pëlqye hoteli”! – u tall ai që pak më parë më ish ngrefosur. Mora batanijet e sendet personale nga sergjeni dhe i ndoqa prapa.
Sapo zbrita shkallët, u ktheva për nga fjetinat. – “Ku je tuj shku, or tëj”?! – dëgjova nga pas zërin e policit. – “Në kapanon”! – ja ktheva. – “Jo or mëk, s’mbyllet kaq kollaj kjo pun! K’tu hyn leht, po del zorit”! – “S’e dija”! – “E pra, m’soje njitash”! – “Do përpiqem”! Duket shprehja ironike, s’i erdhi pas midesë policit, sepse më kërcënoi: “A e din se ke rraf nieri, or tëj”?!
– “E mbarova dënimin”! – u mbrojta. – “Ke krye d’nimin, po duhet me firmue n’proces-verbal”! “Bela e madhe, të bësh tridhjetë ditë birucë, kokërr më kokërr dhe ja tani, na dalka ky proces i mallkuar, që u dashka firmosur”?! por s’e zgjata dhe u nisa pas tyre. Policët para, unë me batanijet dhe trastë në dorë pas tyre, u futëm në zgëqen e oficerit të rojes. Brenda asaj palo zyre, ku na shtinë ditën e parë kur mbërritëm në kamp, ishte nxehtë. Në një fuçi karbiti përshtatur në stufë, brumbullonte zjarri që kish përskuqur paretet anësore të llamarinës. Gati më mbyti duhma e qelbur e karbitit, që ndotte ajrin e asaj hapësire të ngushtë.
Mbas tridhjetë ditësh të akullta në qeli, s’po e duroja dot afshin e nxehtë, po më vinte mendja rrotull. U qasa derës që t’i rrija sa më larg stufës. Ndërkaq policët hoqën kapotat e trasha dhe zunë vend në ca karrige të shtrembëta, ndanë një tavoline që u anua sakaq, sikur të ish ne tri këmbë. Mbi syprinën e saj, ndehej një regjistër i trashë me faqe të brejtura, si ta kishin çërmitur minjtë. Se nga qitën edhe një tjetër nga një sergjen i fiksuar në mur dhe nisën të shkruanin.
U përkula të lexoja proces-verbalin që plotësonte njëri syresh, sapo mbështeta shputën e dorës në një cep, tavolina gati sa s’m’u vidhis mbi këmbë, duket vërtetë ajo kish qenë me tri këmbajka. – “Hap sytë or tëj, apo don me na zhgatrru ene zyrën njitash”! – m’u shkreh me inat polici përkarshi. – “Jo, doja të lexoja ç’shkruet në këtë letër”! – “Letra e sat’ame”! – më kërcënoi tjetri përbri dhe lëshoi mbi syprinën e pistë kallamarin e, po më vështronte sikur desh të më përpinte. – “S’a letër kjo, or tëj, a proces-verbal! A, ma tepri se letër, ka sipri vulën e Partëjs”! –e, kapi fletët e brejtura e m’i tundi në surrat.
– “Merr vesht, or tëj”! e, – si grabitqarët më zhvati jakën e peliçes. – “Qyre, plasi sëjt, shiqo ku a ene vula e Partëjs”! – gati më nxori sytë me gishtat thonjë-paprerë. U tërhoqa paksa, e këqyra me vëmendje; një njollë e ngallosur boje, që s’kuptohej ç’shkruej në të, nxironte mbi fletë. Me siguri, në të do qe gdhendur në basoreliev diçitura: “REPARTI I RIEDUKIMIT NR. 303 REPS, SHPAL, MIRDITË”, sepse këtë adresë, përdornin në shkresat zyrtare dhe shkruanim mbi zarfet e letrave që merrnim e dërgonim, dy herë në muaj në familje.
“Eh, ç’ironi e padëgjuar! Përdorin “REPART”, kur duhej të theksojnë “BURG”! sikur të ishim një batalion rekrutësh në stërvitje ushtarake dhe jo një koloni të burgosurish politikë! Tallje klasike, në kohët moderne! T’u riedukoka robi nëpërmjet keqtrajtimeve, e për më tepër, në gjysmën e dytë të shekullit të atomit! O Zot”?! S’doja ta zgjasja me këto sofizma medituese, por mezi prisja të shpëtoja nga kthetrat e tyre e, të dilja jashtë. Pas dritares së zyrës, shqova siluetat e pleqve të mi të shtrenjtë, që ishin mbledhur xhumbë.
– “E pashë”! – pohova. Shpejt e shpejt i hodha një sy përmbajtjes, ngaqë i druhesha ndonjë rrengu. Kështu, mbasi lexova gjëra të zakonshme, si data e hyrjes, data e daljes dhe shkaku i ndëshkimit, s’e zgjata më tej, po fët e fët siglova nën emrin tim dhe për dere e, jashtë. Sapo u dhashë në prag, m’u turrën pleqtë, kush më rrëmbeu batanijet, kush trastën dhe të tjerët mua vetë. Më përqafonin të malluar, si të takonin fëmijët që s’i kishin parë prej kohësh. Atë çast më oshtinë në vesh fjalët e Dom Markut, kur më thosh: “As un e as ti, nuk jena prind, për me ndi dhimbën e prindit…”, dhe i dhashë të drejtë. Duhej ta prekja dhe t’i provoja vet atë mbasdite të murrme shkurti, që të kapja thelbin e atyre fjalëve të arta. Post prova! (Apo karrocën, qylyken, qyrekun.)
Sakaq, jashtë derës së oficerit rojes, u gjenda i pushtuar në krahët e tufës së të moshuarve që prisnin aty. Sulua, Vaska, xha Sherefi, xha Dauti, Meleq Hasa, më futën në rreth, kush e kush të më prekte me dorë, mbase s’po iu besonin syve se isha mes tyre. Rizai dhe nja dy pleq të tjerë pak më tej, më përshëndesnin, ndërsa nga tarraca më sipër, më buzëqeshnin një grup mbi dhjetë vetash. Pjesa më e madhe ishin të panjohur ose, thjeshtë nga ata që i kisha parë vetëm për fytyrë. Varg përpjetë, nga dy e nga tre, morëm shkallët për në kapanon.
Procesionit i printe xha Esherefi, që me romuze gazmore, shpërndau mesazhin: – “Hapni udhën bre burra, se u kthye profesori! Njitash sa ka dhan’ provimin, e asht laurue me diplomën e asistentit”! Pa prekur platformën e epërme, m’u kthye mua: – “Or mec, a gati kazani, së pari shko lahu! Ma nep mu ‘diplomën’, kurse morrat lëni n’banjo! S’dum me na i pru peshqesh ke shtrati, or cull”! – më rrëmbeu trastën e më bëri një gjysëm rrotullim me fytyrë, nga dushet: – “Nisu pra”!
Pa e zgjatur u ktheva për nga dushet. Atje patrioti im, Bajram Hoxha, më priste me një bohçe në dorë. U përqafuam me mall, mandej më priu në një nga të ndarat ku kishte ndehur një batanije të teripsur. Mbasi vari rrobat e lara në gozhdë, solli dy kova të nxira nga zjarri dhe hyra në dush. Sigurisht s’bëhej fjalë për banja në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, aty s’kishte të instaluar as dushe, as kaldaja për ujë të ngrohtë, po thjeshtë i kishin emërtuar kështu, që t’i dallonin nga nevojtoret, të cilave iu thoshin banjo.
-“I ke të tëra brenda! Hyr, lahu, ama shpejt se do ftohesh! Po t’u desh akoma ujë i ngrohtë, bëmë një zë”! – u mënjanua jashtë kthinës, Bajrami i mirë. Hoqa teshat e pista dhe i flaka jashtë nga poshtë batanijes. M’u ndërmend pleviti i ditës së parë dhe kusuri që hoqa, ndaj i rashë shkurt; si hodha nja dy sapllake ujë, u sapunosa shpejt, u shkumova me një shtupë të leshtë, u shpëlava, u fshiva, u vesha dhe dola jashtë. E sikterisa skrromën e qelisë!
Falënderova nga thellësia e zemrës Bajramin, atë burrë shtat-imët, fjalëpakë po punë-shumë, që bënte për të tjerët atë që s’e bëri kurrë për veten, pastaj u nisa për te jataku im, ku kisha një muaj pa u shtrirë. Ngjita shkallaret e drunjta dhe u ula mes shokëve të krahëve. Kur e gjenda aty, një ndjenjë e veçantë kënaqësie më kaploi shpirtin. M’u bë se isha kthyer në shtëpi, mbas një mërgimi të gjatë e të lodhshëm! “Çudi si u tjetërsoka robi! Edhe atë shtatëdhjetë centimetër territor, ku na kishin ngujuar me dhunë, ta konsiderokërka pronë, edhe kur kjo s’i përkiste individit, po komandës së kampit! Po edhe dy fqinjët, deri dje të panjohur, t’i shohkërka si pjesëtarë familje”!
Këto po bluaja atë moment, por s’pata kohë të shtyhesha më thellë, sepse të njohur dhe të panjohur afroheshin, më jepnin dorën, më hidhnin një “të shkuara” apo “të shkume”, sipas dialektit dhe iknin, t’iu linin radhën të tjerëve. Unë që s’e prisja gjithë këtë kallaballëk, iu shtrija dorën mekanikisht, përcillja të parin me një; “tu rrit ndera” dhe prisja tjetrin më pas. S’më besohej që në aq pak kohë, të isha bërë kaq i njohur!
Por kisha qenë i gabuar, vargu pafund i vizitorëve të moshuar apo të sëmurë, që s’iu dija as emrin, më detyroi të ndryshoja mendim. I ndryrë në qeli mendoja se për një muaj, do më harronin edhe ata që më kish pjekur puna, jo më të tjerët! Por ngjarjet kishin rrjedhur ndryshe. Në kamp gjestit tim i kishin veshur ngjyra nga më të çuditshmet. E kishin sjellë e përcjellë, e kishin gjykuar e stërgjykuar, e kishin tjerë gjatë muhabet pas muhabeti dhe në fund, efekti që kish prodhuar ky lajm, kish marrë sens krejt të kundërt, me atë që mëtonin komanda; domethënë, të arrinin të intimidonin të rinjtë e tjerë, nëpërmjet terrorit.
Ngaqë pjesa e shëndoshë këtë gjest e merrnin si shembull pozitiv, ua servirnin rishtarëve, si mënyra më e mirë të të vepruar, kur të gjendeshin në të njëjtët kushte apo nën presionin e spiunëve dhe imoralëve, të futur nga operativi. Por kish dhe nga ata që e konsideronin këtë veprim, një reagim ekstrem, të tejskajshëm, pothuajse çmendurak. Gjithsesi në interpretime, mbizotëronte opinioni pozitiv. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016