Nga Ardian Jasiqi
Memorie.al / Të zhveshur, të prerë dhe të dëbuar. Të quajtur shtazë dhe të lënë totalisht pas dore, pa asnjë ndihmë nga askush, kishin mbetur shqiptarët në Luftën e Parë Ballkanike. Kështu e përshkruan Kosovën, gazetari i gazetës “Riget”, nga Danimarka, Fritz Magnussen, cili sjell rrëfime nga fronti serb, në muajt tetor – nëntor 1912. Rreth 25 faqe, raporte gazetareske të gazetarit, ende ruhen në Arkivin e Bibliotekës Mbretërore të Danimarkës, të cilët tek ne tani, pas 100 viteve, janë lejuar për botim. Lidhur me këto e të tjera, po sjellim disa nga rrëfimet e gazetarit, Magnussen.
Çfarë raportonte gazetari danez, nga frontet e luftës pushtuese serbe, në tetor – nëntor 1912?
Ai raportonte për njerëz të varur nëpër pemë, për ushtar që ndjenin kënaqësi, për vrasje shqiptarësh dhe masakra të tmerrshme të ushtrisë serbe, në; Shkup, Prizren, Vranjë dhe Gjakovë. Po flasim këtu për gazetarin danez, të revistës “Riget”, Fritz Magnussen, shkrimet e të cilit në disa pjesë, rastësisht ishin gjetur, nga gjuhëtari, Palle Rossen Brenderup. I interesuar për zhvillimet në Ballkan, që nga viti 1992, Brenderup, kishte përcjellë me vëmendje marrëdhëniet në mes të Shqipërisë dhe Kosovës. Madje, ai kishte lexuar me vëmendje, edhe disa vepra historike mbi këtë çështje.
“Një ditë jam ulur me studiuesin letrar Robert Elsie, i cili ka shkruar librin “Kosovo in the Heart of the Poeder Keg” (New York 1997). U befasova kur gjeta një citat nga një gazetar danez, Fritz Magnussen, që ishte korrespondent i gazetës daneze “RIGET”, për Luftën e Parë Ballkanike, në vjeshtën e vitit 1912”, shkruan Brendrup, pasi kishte lexuar Elsie-n dhe kishte shkuar për t’i lexuar, shkrimet e gazetarit, Fritz Magnussen.
Gazetari Fritz Magnussen
Viti 1912 ishte një vit i vështirë kur njerëzit mund të merrnin informata për luftën, sidomos nga vijat e para të frontit të Luftës se Parë Ballkanike. Kështu ka qenë edhe për gazetarin Fritz Magnussen (1878-1920). Ai ka qenë piktor dhe artist i arteve figurative. Që në artikullin e tij të parë, ai është skeptik mbi censurën dhe ai humbet shpejt besimin për konferencat zyrtare të shtypit. Kur ai përmend dekretin mbi lirimin e të burgosurve të Mbretit Petar, është një informacion që ai e ka marrë nga burime zyrtare, por është hera e vetme që ai përdor informacion të tilla, direkt. Në herët e tjera, ai i drejtohet burimeve vetjake, ose përmbledh përshtypjet e tij. Me 12.11.1912, përmend masakrën shqiptare pranë Kumanovës (gra dhe fëmijë të shpuar me bajoneta), ku thotë se; “nuk mund ta dimë nëse kanë qenë bandat shqiptare, që e kanë marrë këtë veprim, apo bëhet fjalë, për një propagandë serbe”?! Por mund të kuptohet që gazetari, e ka marrë këtë dëshmi, nga një ushtar që ka jetuar tetë vitet e tij të fundit, në Berlin.
Këtu ka mundësi që është ajo pjesë, që e bën Freundlich, të shkruajë pikëpamjet e tij pro serbe. 3000 shqiptarët e vdekur, përmenden këtu, si të vdekur në luftë. Në 15.11.1912, ai shkruan që; “Serbët kanë të drejtë që të gëzohen”. A është mendimi i tij apo, duhet të jemi të vëmendshëm të besojmë, që siç ka bërë të ditur vetë – korrespondentët e luftës, janë të regjur me shpërthimet të fuqishme, të gëzimit kombëtar? Në një moment kur ai bëhet i qartë, për masakër dhe shfarosje, ai zgjedh që fshehurazi të dërgojë mesazhin. Ai shkruan telegram special, jo më vonë se data 3 nëntor (1912) dhe ky mesazh, u botua në “RIGET” më datë 7 nëntor. Nuk është e lehtë të kuptosh se si ka punuar censura. Por puna e tij nuk ka qenë efektive, pasi ka pasur mungesë të përkthyesve danezë. Por, a mund të themi se vonesa në informacion, është vetëm për shkak të kaosit dhe konfuzionit? Apo bëhet fjalë për një arrogancë të pastër? Apo ndoshta “gardianët e burgut“, e kanë vonuar vetë dërgesën e informacioneve, qëllimisht?!
Lufta e Parë Ballkanike
Shumica e historianëve, thonë se arsyeja e Luftës së Parë Ballkanike, ka qenë dobësimi i Perandorisë Osmane. Italia në shtator 1911, i kishte deklaruar luftë Turqisë dhe kishte arritur në Tripolis. “RIGET”, raporton në mënyrë të vazhdueshme mbi luftën. Mbas kësaj Bullgaria, Greqia dhe Serbia, i shpallën Turqisë luftë. Mali i Zi, ishte anëtari i katërt i aleancës së re, që i hapi luftë në tetë tetor 1912. Është me interes të shihet, se këto katër vende krishtere, i shpallën luftë Turqisë, pa u këshilluar me Fuqitë e Mëdha. Serbët e mbështetën shpalljen e luftës, me arsyen se donin të siguronin zbatimin e Traktatit të Berlinit, të vitit 1878 dhe shpallën autonominë për të krishterët. Të 10 artikujt që janë botuar në gazetën “Riget”, duken interesante, si nga gjuha edhe nga përmbajtja. Përkthyesit e dokumentit, kanë gjetur probleme me gjuhën, pasi që sipas tyre, është përdorur gjuhë e vjetër, por që gjatë leximit, duken si pjesë pikante të mënyrës së të shkruarit. Gazetari ka përdorur fjalën moderne “Albansk”, në vend të fjalës që ai përdorte shpesh në artikuj, që ishte; “Albanesisk”.
Gazeta “Riget”
Gjuhëtari dhe albanologu Robert Elsie, kishte marrë citate nga austriaku Leo Freundlich dhe nga libri i tij “Albanians Golgatha – Anklageakten eide die Vernichter des Albanervolkes” (Eien 1913), ku e gjithë përmbajtja e librit, është një ri-publikim i “Poeder Keg”, faqe 338-360. Përndryshe, “Riget” në atë kohë, ishte një gazetë me një projekt ambicioz, por që pati një jetë shumë të shkurtër. Ajo u botua nga viti 1910, deri në vitin 1913. Kryeredaktori i parë, ishte Franz von Jessen, i cili kishte bërë një pjesë të madhe të punës përgatitore, për të gjetur fonde dhe gazetarë. Përmbajtja e gazetës, duhet të ishte kombëtare. Një pjesë e rrethit të botuesve, kishin dëshirën që të ishte një gazetë e majtë, mbështetëse e qeverisë së Berntsen-Neergaard. Në të kundërt, Franz von Jessen, dëshironte një gazetari të pavarur. Gazeta pësoj tronditjen e parë, ku pas 38 ditësh, shkrimtarët L.C.Nielsen, Johannes V. Jensen dhe Ludvig Holstein, duhet të largoheshin nga gazeta, me propozim të von Jessen. Për këtë çështje, u shkruan shumë artikuj të cilat, dëmtuan imazhin e gazetës. Përveç kësaj, gazeta u prezantua, si një gazetë cilësore dhe serioze, që i kushtonte shumë vëmendje çështjeve të jashtme dhe të kulturës.
Shkrimi i parë i Fritz Magnussen, për Ballkanin
-Kryeshtabi në Vranjë – Të burgosurit e parë Arnaut-
Nga korrespondenti ynë i dërguar – Vranjë, 24 Tetor 1912.
Kur u zgjova në Vranjë, gjëja e parë që dëgjova, ishte bubullimat dhe krismat që vinin nga Kumanova. Vranja dukej si një qytet gjysmë-aziatik, në mesin e maleve të kaltërta. Unë arrita dje në mbrëmje me automobil. Ushtria ka konfiskuar gjithë automobilat, me përjashtim të katër automobilave, që janë vënë në dispozicion të korrespondentëve. Përndryshe, stacioni i trenave, gjendet disa kilometra larg qytetit. Të reshurat e vrullshme të shiut, i kishin shndërruar rrugët që shpinin drejt qytetit, në grumbuj të vogla dherash, dhe vetëm një pip fishkëllimë, i paralajmëronte rojet, për ardhjen dhe kalimin tonë. Hotel “Vranja”, është selia e Shtatmadhorisë, këtu gjendem unë i vendosur me shumicën e shokëve të mi, që kemi ardhur nga vende të ndryshme. Hoteli funksionon, si një qendër e një kampi lufte. Të gjithë oficerët nga grada më e lartë, deri tek ajo më e ulëta, takohen këtu në mesditë dhe në mbrëmje. Figura kryesore rreth së cilës sillen të gjithë, është Princi, Alexis Karagjorgjeviq, përndryshe djali i axhës të Mbretit, Petar Karagjorgjeviq. Alexis, është një oficer i çmueshëm, i cili nuk lodhet nga pyetjet tona të shumta, që ia parashtrojmë çdo ditë, kur kthehet nga fusha e betejës në Kumanovë.
Ai ulet në mesin tonë, me një çerek litër verë në dorë dhe na tregon në gjuhën frënge, gjermane dhe angleze, se çfarë ka parë gjatë ditës. “Karakteristike, – thotë Princi, – është se shumë pak nga të vrarët dhe të arrestuarit, janë trupa të rregullta turke, shumica që luftojnë në këtë front, janë shqiptarë”. Shqiptarë janë edhe gjithë të arrestuarit, që sot i kam parë këtu në qytet, ishin në grupe të vogla, të lidhur me litarë të hollë. Shumica e tyre, kanë të veshur uniforma ngjyrë si të dheut. Janë të zbathur dhe shikojnë përpara vetes kur ecin. Vërehet se shumica e tyre, janë të qetë dhe duket se janë pajtuar me fatin e vetë, bile edhe pak buzëqeshin, kur i fotografojmë. Fati i tyre, pothuajse po ashtu, është disi i mirë, pas lëshimit të një dekreti për lirimin e të gjithë të burgosurve turq, nga ana e Mbretit Petar. Pikërisht sot, u soll këtu komplet, një fshat tërë me të burgosur turq. Dhe tani burra dhe gra me fëmijët në dorë, bredhin rrugëve të qytetit, normalisht, jo vullnetarisht kanë ardhur këtu, por shikojnë si turistët qytetin.
Burgu që në mëngjes, ishte i mbushur dhe nuk kishte vend për më shumë të burgosur, tani në mbrëmje është bosh, pa asnjë të burgosur. Këtu në Vranjë, fitohet përshtypja e vërtetë për entuziazmin ndaj luftës, që i josh serbët. Oficerët janë të palodhshëm, të paraqesin shkaqet kryesore të saj, që sllavët e jugut, i kanë kundër armiqve të vet të vjetër. “Arnautët (Shqiptarët), janë si kafshë të egra” – është thënia e zakonshme këtu. Ata, që i kanë parë duke luftuar në Prishtinë dhe Egri Palanka, kanë kuptuar, se ata janë një mijë vite prapa zhvillimit. Është urrejtja e madhe tek sllavët, ndaj shqiptarëve, aq më shumë nxiten shqiptarët, që në luftën e përgjakshme dhe vdekjeprurëse, akoma më shumë i kundërvihen kundërshtarit fitimtarë. Lëndimet që vijnë si pasojë e luftës së ashpër, u ngjajnë mishtoreve (thertoreve). Ushtarët sllav me lëndime të tmerrshme, të shtruar në spitalin e Vranjës, janë dëshmi e një përleshje të karakterit mesjetar.
Disa mijëra sllavë nga veriu, Çekia dhe Sllovenia, janë paraqitur vullnetarisht të luftojnë krahas me serbët. Në ndërkohë këta persona, janë refuzuar nga shkaku i numrit të madh të ushtarëve serb. Një vullnetar paramilitar slloven tetëmbëdhjetëvjeçar, është pranuar, pasi ka qenë këmbëngulës, për të marrë pjesë në luftë. Kur austriakët ia ndaluan kalimin e kufirit në Semlin, kaloi me not lumin Sava, me rrymë të ashpër dhe u paraqit tek njëri nga komandantët në Beograd. Kur atje u refuzua, me vetiniciativë, mblodhi një numër boshnjakësh dhe shkoi për në front. Aty më në fund, pas shumë përpjekjeve, u vendos që të pranohet si pjesëtar i komitëve – vullnetarëve. Nga ana tjetër, studentët nga Laibach (Lubjana) u refuzuan. Ne kemi në mesin tonë, një numër të konsiderueshëm të korrespondentëve sllav dhe në veçanti rus, mes tyre edhe korrespondentin e njohur çek, Klofatsch, që po ashtu është shumë entuziast, sikur edhe revistat liberale austriake.
Megjithatë asnjë nga ne, nuk ka parë ndonjë gazetë këtu, bile edhe nuk kemi parë gjatë shtatë ditëve të fundit, ndonjë gazetë. Aq më pak edhe të kemi dëgjuar diçka, nga vendlindjet tona. Tani kemi një zyrë të rregullt të gazetarëve, me kritere të rrepta pune. Zoti e di, a do të arrijnë letrat tona në destinacionin e duhur?! Posta dhe telegrafi këtu, janë në gjendje kaotike. Askush nuk e di, edhe sa do të na lejojnë të qëndrojmë këtu në Vranjë. Ushtria është e gatshme, për të hyrë në Shkup. Nëse jo komforte për të qëndruar, do ishte Vranja, në kushte tjera tepër interesante për turistët. Ky qytet i vjetër turk, është tejet i ngjyrosur, dhe bahçet e shtëpive, shkëlqejnë me të gjitha ngjyrat që sjell vjeshta. Qyteti ka edhe një lagje me romë, që banojnë në kasolle dhe kulla vëzhgimi, të ndërtuara prej druri.
Në afërsi të qytetit gjendet një mal, që për momentin e konsiderojmë, si vendi i qëndrimit te të dashurave tona. Kemi telashe të arrijmë deri atje, nga shkaku i kontrolleve të shumta nga ana e komitëve, të armatosur me bajoneta. Komitët nuk kanë respekt edhe për shiritin tre ngjyrësh, që e mbajmë në dorë, sepse ata mendojnë se ne, do të dezertojmë dhe do t’ju dorëzohemi turqve.
Nga ky mal, gati se e shohim kampin ushtarak në Kumanovë, nga këtu shihen trenat, që prore bartin kafshë, miell, bukë dhe vezë, deri tek vija frontale. Mjekët e malaries, të armatosur rëndë, marrin kuajt me vete, për të arritur deri te fusha e betejës dhe për të arritur qëllimin. Do të donim sikur të na lejohej edhe neve, të shkonim bashkë me ta! Ne vëzhgojmë çdo tym që ngjitet në qiell, në drejtim të Egri Palankës dhe Kumanovës. Mirëpo grupet e njerëzve, që gjithnjë i shohim nëpër lugina, janë ushtarët, që akoma nuk kanë arritur tek pika e zjarrtë, por i dëgjojmë krismat e tyre, kur gjuajnë larg. Ndoshta do të vijmë njëherë, deri atje. Vagonat që sjellin çdo ditë të lënduar nga fronti, dëshmojnë për luftime të ashpra. Neve na është premtuar se, në betejën e madhe në Ovçe Polje, do të na mundësohet të vëzhgojmë nga afër betejën.
Botimi me në “RIGET” – me 7.11.1912
Gjueti Serbe njerëzish
“Trupat serbe, drejtojnë një luftë shfarosëse të frikshme, ndaj popullsisë shqiptare – banorët hidhen jashtë nga shtëpitë dhe qëllohen me armë si minj” –
Telegram special nga korrespondenti jonë, i dërguar pranë komandës serbe, Yskyb mbi Semlin, e Mërkurë.
Lufta serbe në Maqedoni, ka marrë karakterin e një masakre të tmerrshme të popullsisë arnaute (Shqiptare). Ushtria ndjek një luftë shfarosëse të tmerrshme. Sipas prononcimeve nga oficerë dhe ushtarë, janë vrarë 3000 arnautë, midis Kumanovës dhe Yskyb (Shkupit) dhe 5000, përreth Prishtinës. Fshatrat shqiptare rrethohen dhe më pas, ju vihet zjarri. Banorët që dalin nga shtëpitë, qëllohen për vdekje si minj. Kjo gjueti njerëzish tregohet me gëzim nga ushtria serbe.
Gjendja në Yskyb, është e tmerrshme. Janë bërë kontrolle në shtëpitë e arnautëve dhe nëse gjenden gjëra që ngjajnë me armë, njerëzit qëllohen në vend. Është shumë e pasigurt që të qarkullosh në rrugë, sepse vazhdon të qëllohet drejt shtëpive dhe brenda tyre. Ne çdo moment, fluturojnë plumba të vegjël nëpër rrugë. Dje, 36 arnautë u dënuan me vdekje, pa gjyq dhe u ekzekutuan në vend. Lumi sipër në të djathtë, është i mbushur me kufoma. Çdo ditë krijohen ekspedita ndëshkuese pushkatimesh, në fshatrat përreth. Dje një oficer serb më tha mua, se kishte marr pjesë në një “gjueti” të tillë, ku njëkohësisht mburrej se pardje më në fund, kishte vrarë nëntë arnautë. Nuk kalon asnjë ditë, pa pasur ndonjë vrasje makabre, e ndonjë arnauti. Unë dërgoj këtë telegram, me një korrier të veçante nga Yskyb në Semlin, për të shmangur censurën e fortë. Do të provoj më vonë, që të dërgoj korrespondencën.
Barbarizmi serb në Shkup e Prishtinë
-Rënia e Shkupit-
Në shkrimin tjetër për rënien e Shkupit, Magnussen, të titulluar “Rënia e Shkupit – Triumfi Serb – Vallja e Mbretit”, gazetari përshkruan rënien e Shkupit, në duart e serbëve dhe “gjuetinë” e tyre, kundër arnautëve. “Shkupi kapitulloi, Serbia feston! Na u bë e ditur sonte, kur ishim ulur në sallonin e hotelit dhe darkonim. Në hotel ishim oficerë dhe korrespondentë, bashkë me princin Alexis”, shkruan pos tjerash ai. Ai tregon se si Shkupi, kishte rënë në duart e Serbisë, pa asnjë rezistencë të madhe të armatosur, si dhe festën serbe, ku brohoritej; “Rroftë mbreti”!
“Nga Pashiçi (kryeministër), deri tek oficeri me gradë më të ulët dhe komitët, të gjithë ishin nisur rrugës, te vila ku ishte vendosur për ta përgëzuar Mbretin për fitoren”. Në shkrim, kemi edhe deklarata të çuditshme të disa gazetarëve, të cilët urojnë serbët, për fitoret e tyre. “Korrespondenti çek, uroi serbët për fitoren dhe shtoi se Shkupi, nuk duhej asnjëherë më, të binte në duart e turqve. Ndërsa Mac Hugh, nga “Daily Express”, solli urimet e popullit anglez dhe citoi deklaratën e Lloydit Georges, ku thuhej se kjo luftë, duhej t’i sillte Ballkanit të Osmanlinjve, përparim kulturor”, shkruan Magnussen, në këtë artikull.
Masakrat në Shkup
Në artikullin e datës 12 nëntor, të titulluar “Rëndësia e veçantë”, gazetari Magnussen, flet për panikun në kryeqytetin maqedonas dhe vrasjet e shqiptarëve në rrugë. “Këtu në Yskyb, ne kemi mësuar për luftën, me të gjithë tmerrin dhe egërsinë e saj”, shkruan ai. Ai e përshkruan Shkupin, si një qytet të bukur dhe oriental, që shtrihet në luginën e Vardarit dhe gazetari shpreh edhe frikën e tij, për të treguar masakrat kundrejt shqiptarëve. “Masakrat ndaj arnautëve, sigurisht që nuk mund t’i tregosh zyrtarisht. Këto letra do të vijnë në Evropë, vetëm nëpërmes telegrameve speciale ose korrierëve”, shkruan ai.
Më tutje, ai tregon edhe qëllimin e ushtrisë se Serbisë, për të marshuar në drejtim të Durrësit, si dhe keqtrajtimin që u kishin bërë atyre. “Ndër të tjera, kishin bërë ç’ishte e mundur, për t’i dhënë qytetit një pamje serbe. Mijëra metra pëlhurë të kuqe, blu dhe të bardha, vareshin duke formuar trengjyrëshin e shëmtuar, që përshkonte çdo derë dhe dritare”, shkruan ai. “Masakrat mbi arnautët, ishin pikërisht një gjë e përditshme, një sport gjahu, për ushtrinë serbe. Një ditë unë isha bashkë me një korrespondent të ‘Daily Mirrors’ dhe ishim dëshmitarë të një skene të këtij lloji. Një arnaut erdhi me shpejtësi nga një rrugicë pranë nesh, i ndjekur nga tre ushtarë serbë. Të shtënat na kaluan para hundës dhe djali u rrotullua përtokë. Ai ishte ulur dhe mbante kokën mbi gjunjë dhe shikonte i frikur”, shkruan ai.
Masakrat në Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë
“Në Prishtinë dhe në rrethinat e Kumanovës, është bërë ç’është e mundur, për të shfarosur popullsinë shqiptare. Sipas atyre që thonë oficerët dhe ushtarët, janë 3.000 arnautë të varrosur në fshatrat e shkatërruara dhe që del akoma tym, midis Kumanovës dhe Yskyb-it. Akoma më tepër janë qëlluar për vdekje, në zonën e Prishtinës. Në rrethinat e Yskyb, çdo ditë digjet nga një fshat. Fshatrave u vihet zjarri dhe njerëzit dalin nga shtëpitë e tyre, për t’iu shmangur tymit të dendur dhe kur dalin, qëllohen për vdekje si kafshë të egra”, shkruan gazetari. Fritz Magnussen, flet edhe për një pemë të madhe, ku ishin varur shumica e arnautëve shqiptarë. Edhe në kohë të Turqisë, kishin ndodhur varje në këtë pemë. “Shumë gjak ka rrjedhur nën këtë pemë, në kohët e tmerrshme të sundimit turk”, shkruan gazetari, shkrim të cilin e kishte censuruar gazeta dhe nuk e kishte botuar.
Ai tregon edhe për masakrat që i kishte parë nga udhëtimi i tij, prej Shkupit në Prizren. “Demat tërheqin ngadalë qerret e tyre të mëdha, të mbingarkuara me familje arnautë të shpërngulur. Gratë, që janë të mbuluara në fytyrë, janë ulur midis lloj-lloj sendesh kuzhine, me fëmijët e tyre që thanin së ftohti dhe të mbështjellë rreth gjoksit, me copa të ndryshme. Kasollet vazhdojnë të digjen dhe t’u dalë tym”, shkruan ai. “Një familje e vogël, kërkon një strehë, për të kaluar natën nën qerre. Një burrë i vjetër, shtrihet i vdekur për tokë, gishtat e tij janë ngulur thellë në baltën e rrugës. Gruaja e familjes, është ulur e kërrusur dhe dy fëmijët e vegjël me fytyrat e tmerruara, shikojnë nga shalli që i mbështillte. Burri i familjes, një arnaut i ri, punon në mënyrë të dëshpëruar, për të rregulluar rrotën e shkatërruar”. Ai tregon se si kishte parë në sheshin e burgut të Prizrenit, dy trupa shqiptarësh të vdekur nga sulmet e natës. “Pothuajse e gjithë popullsia e frikuar muhamedane, ka ikur nga qyteti. Ku janë arratisur? Pyes një komitac, i cili pasi ngre shpatullat – drejton me gisht drejt maleve, ku është rruga për në Gjakovë. “Në malet e larta ndodhet Gjakova, gjë që sinjalizohet nga disa pika të kuqe mbi male. Dëshmitarë të ndryshëm na thonë, se shqiptarët e shkretë, janë në gatishmëri tërë kohës”, shkruan Magnussen në shkrim e tij të ndaluar.
Dhuna solli panikun te shqiptarët
Fritz Magnussen
Lufta e dhunshme serbe, ka ngjallur panik te shqiptarët dhe te kryengritësit. Natyrisht që dëshira e udhëheqësve shqiptarë, është që nëpërmjet kësaj lufte, të realizojnë ëndrrën e tyre për autonomi. Me sa di unë, një diplomaci e tërë është ngritur në Vjenë, për të ndikuar te Fuqitë e Mëdha, për çështjen shqiptare.
Popullata tjetër e ulët shqiptare, është shumë e frikësuar nga njoftimet që ata marrin nga familjarë të ikur nga fshatrat. Me siguri, pritet të ketë tollovi, këtu në Shkup. Vetëm me një patrullim në lagjet shqiptare, i largojnë tollovitë për ndonjë çast. Udhëheqja serbe, nuk e fsheh idenë se çka dëshiron me arritjen e paqes, që të mbetet si plaçkë e Serbisë. Çdo pjesë që është në të majtë të lindjes nga Vranja në jug, e Shkupi në lindje.
Kufiri i jugut, do të jetë pak më në veri nga Manastiri, portat e Durrësit dhe Lezhës, të mbeten nën shtetin serb. Mali i Zi, do të marrë një pjesë të vogël të Tregut të ri të Sanxhakut, si falënderim për ndihmën. Pra, ky duhet të jetë fitimi serbo-bullgar. Pastaj bullgarët, duhet të marrin pjesën e madhe të Maqedonisë lindore, kurse grekët, do marrin Selanikun dhe Manastirin. Nga kjo ndarje, nuk do të ketë më pjesë tjera, kështu që në këtë mënyrë, realizohet Bizanti Bullgar. Mbreti dhe Pashiqi, kanë udhëtuar për në Beograd dhe, sipas informatave, flitet se kanë shumë punë të rëndësishme, për çfarë nuk dihet, pasi që nuk ia vlen të pyetet, nga një korrespodent i paautorizuar. Ai që në veten e tij ndërtoi, duke ngritur shqiptarin dhe NJERIUN! Memorie.al
Marrë nga gazetadielli.com