Nga Afrim Imaj
Memorie.al / Arratia spektakolare e Minella Andonit në janarin e vitit ’88, ka qenë një nga ngjarjet më të bujshme të dekadës së fundit të regjimit komunist. Ishte rasti i parë që postblloku i kufirit shpërthehej nga një automjet i drejtuar nga njëri prej ushtarakëve të lartë të Ministrisë së Brendshme. Mënyra si mbërritën në Jugosllavi, e më vonë në SHBA-ës, babai i Arian Selimit me 11 të tjerë, ka preokupuar si rrallëherë, tërë piramidën e Sigurimit të Shtetit, që me sa duket ishte zënë në befasi.
“Ishte diçka e papritur, shprehet njëri nga ish-zv/ministrat e Punëve të Brendshme, duke kujtuar faktin që protagonist i arratisë ishte njëri nga të “zotët e shtëpisë”. Ca më tepër që Minella, sipas tij, vinte nga një familje atdhetare dhe dallohej në hierarkinë e shërbimit për profil të spikatur profesional e kulturor.
Sidoqoftë, për numrin dy të Ministrisë së Brendshme, rrethanat si u shpërthye postblloku i kufirit mesditën e 16 janarit ’88-të, në postën e Hanit të Hotit, ishin tërësisht specifike dhe përtej kontureve të arratisjeve të tjera. Më tej, ish-funksionari i lartë i Sigurimit, zbulon për herë të parë të pathënat e arratisë spektakolare të familjes së Arian Selimit dhe odisenë e mbërritjes së saj në SHBA….!
Në janar të vitit 1988 kur ju keni qenë zëvendësministër i Punëve të Brendshme, ka ndodhur një arratisje spektakolare në pikën kufitare të Hanit të Hotit me protagonist një zyrtar të Policisë, që me sa dimë ka qenë edhe miku juaj. Çfarë mbani mend nga kjo ngjarje e bujshme?
Kanë kaluar vite dhe kuptohet shumë detaje koha i retushohen dalëngadalë, por konturet e ndodhisë, për vet specifikën dhe zhurmën e jashtëzakonshme që shkaktoi, i kam parasysh si tani. Ishte një arrati disi e veçantë nga të tjerat, jo vetëm për nga numri i të depërtuarve, por edhe nga mënyra e shpërthimit të kufirit. Në krye të gjithë kësaj aventure këtë radhë ishte një nga oficerët e Ministrisë së Brendshme që kishte shkelur me dhjetëra herë postat e kufirit. Njihesha nga afër me të, dhe si i thonë, kishim një lloj miqësie. E respektoja sidomos për aftësitë profesionale dhe sjelljen qytetare…
Është fjala për Minella Andonin…?!
Pikërisht për atë, birin e një familje të njohur për atdhetari e kulturë të spikatur nga Vunoi i Bregut. Askush në atë kohë nuk e mendonte arratinë e Minellës. Vet biografia e tij nuk të linte të dyshoje assesi. Njëri nga xhaxhallarët, Llambro Andoni, ishte vrarë në luftën antifashiste dhe ishte shpallur “Hero i Popullit”. Gati i gjithë fisi Andoni ishte anëtarësuar në radhët e Partisë së Punës.
I përzgjedhur nga këto rrethana, Minella u rekrutua në strukturat e Ministrisë së Brendshme, pas diplomimit në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Qysh në fillimet e veta u prezantua si specialist i aftë dhe kërkues. Për disa vite shërbeu si shef Prapavije, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Përkushtimi dhe profesionalizmi në punë, e bënë të njohur jo vetëm në sektorin përkatës të Ministrisë, por edhe në pjesën tjetër të institucionit. Vetë krerët e dikasterit krijuan një respekt të veçantë për mënyrën si operonte në sektorin e tij…!
Po përtej profilit të detyrës, kush ishte Minella Andoni?
Një shok i mirë, i afërt e i komunikueshëm me të njohurit, një prind i ndjeshëm. Adhurues i librave dhe sidomos futbollit. Ky ishte Minella jashtë kontureve të uniformës. Kam pasur rastin të njihem edhe familjarisht me të. E shoqja, Luçija, ishte nga Shkodra. Një grua e qytetëruar, e dhënë pas humorit të vendlindjes. Punonte si ekonomiste në Ndërmarrjen Tregtare te “Bërryli”, (sot qendra Rozafa).
Shkonin shumë mirë bashkë. Përplaseshin vetëm kur ballafaqohej “Dinamo” me “17 Nëntorin”. Minella ishte ‘dinamovit’ i thekur. Ajo adhuruese e skuadrës kryeqytetase. Me sa më kujtohet, ishte koha kur te “17 Nëntori”’ shkëlqente Ben Minga e Agustin Kola dhe te “Dinamo”, Demollari. Kishin dy fëmijë, një djalë e një vajzë…!
Pra, deri në momentin e arratisë nuk ka pasur dyshime për personalitetin e tij…?
Për aq kohë sa shërbeu në Tiranë, njihej si një ndër specialistët e spikatur të logjistikës të strukturave të Ministrisë së Brendshme. Madje, mbaj mend se disa here, arritjet e tij ishin bërë objekt i përgjithësimeve në rang dikasteri…!
Në kulmin e këtij shkëlqimi në Tiranë, ka ndodhur që Minella Andoni është transferuar në Shkodër…?!
Pikërisht këtu fillon edhe historia e metamorfozës së tij. Në atë kohë urdhri i këtij transferimi, ka qenë diçka e beftë për Minellën, madje edhe për pjesën më të madhe të personelit të Ministrisë së Brendshme. Rasti nuk kishte të bënte thjesht me qarkullim kuadri, por edhe me ulje në detyrë, në përgjegjësi. E gjitha kjo, kur kishte nisur procedura zyrtare për ta emëruar në Ministri, në krye të sektorit të prapavijës. Transferimi në të tilla kushte, ndiqte një procedure ekstra…!
Që do të thotë…?
Jo për shkak të personalitetit, të aftësive profesionale, të mungesave në detyrë, por për rrethana krejt të tjera, që nuk zbardheshin kurrë publikisht. Me to njihej një pjesë shumë e kufizuar e organit të emërtesës…
Besoj se në këtë rreth të ngushtë, bënte pjesë edhe zëvendësministri i linjës…?
E donte rregulli i detyrës, ishte në logjikën e procedurave, jo thjesht njohja me arsyet e lëvizjeve të tilla, por edhe përfshirja në këto operacione delikate…!
Pra, Minella Andoni ulej në detyrë për çështje që nuk kishin të bënin me aftësitë profesionale dhe integritetin moral. Atëherë përse e transferuan në Shkodër?
Për çështjen e të shoqes, Luçies…!
Çfarë kishte ndodhur me të?
Penalizimi i Minellës lidhej me historinë e vizitës së Luçies në Itali. Pavarësisht faktit që udhëtimi matanë Adriatikut, për t’u takuar me të afërmit në Romë, ishte bërë sipas procedurave zyrtare, gruaja e Minellës, kishte tejkaluar limitet zyrtare të dhuratave të sjella prej andej. Madje, jo vetëm ato, por edhe “limitet” e të shprehurit në komunikimin me të afërmit në Itali. Më shumë se kaq, Luçia pas riatdhesimit, u bë objekt i detektivëve së Sigurimit, për mbresat nga vizita “tronditëse”. Shumëkush prej tyre, në mënyra nga më të ndryshmet, kishte koleksionuar befasitë e saj nga realiteti italian dhe i kishte përcjellë pa koment te eprorët e lartë. “Italia është krejt ndryshe, nga çllomotisnim ne”!
“Aty ka liri të vërtetë, ka mirëqenie e progres të jashtëzakonshëm”, “Shqipërisë do t’i duhen shekuj t’i afrohet Italisë”! Ishin këto të dhëna që asokohe stigmatizoheshin me togfjalëshin “agjitacion e propagandë”, për të cilat përfundoje në qeli. Në rastin konkret, fakti që artikuloheshin nga bashkëshortja e një ushtaraku të lartë të Ministrisë së Brendshme, çështjen e bënte më delikate. Me sa më kujtohet, për të u diskutua gjatë në piramidën e Sigurimit dhe në fund u gjet si zgjidhje oportune, transferimi i Minellës. Ishte kjo një arsye e pa kumtuar, por, gjithsesi, jo e panjohur nga Andoni, që i njihte mirë praktikat e kësaj natyre.
Në çfarë rrethanash ndodhi arratisja nga Hani i Hotit?
Arratia e Minellës me familjen në mesin e janarit 1988, ka qenë një operacion i mirorganizuar. Me sa duket, detyra e shefit të Prapavijës së Degës së Brendshme të rrethit kufitar, ishte një avantazh për idenë e depërtimit në Perëndim. Provat e para për këtë, siç konstatuam më vonë, Minella i kishte bërë në postën kufitare të Murriqanit dhe pasi e kishte vlerësuar të pamundur, ishte përqendruar në idenë e arratisë nga Hani i Hotit. Aty pastaj ndërtoi skemën, mori njerëzit e mjetet e nevojshme në makinën e Ministrisë të Brendshme dhe shpërtheu postbllokun e kufirit. Me sa duket, shfrytëzoi rastin që në postë dhe te dogana, punohej për rikonstruksionin e godinave të tyre…!
Kaq lehtë mund të arratiseshe në mes të ditës, nga Hani i Hotit?
Minella ishte oficer i Degës së Brendshme të Shkodrës dhe si i tillë, kishte të drejtë të futej në të gjitha postat kufitare. Pra, për të nuk kishte asnjë vështirësi kapërcimi i postbllokut. Problem mbetej pjesa tjetër e familjes dhe miqve, me të cilët kishte vendosur për t’u arratisur. Ata nuk mund të afroheshin as te pjesa e klonit, që ishte disa kilometra larg postës. Ideja e Minellës, për t’i fshehur në karrocerinë e makinës, funksionoi mrekullisht dhe ata në pak minuta, u gjendën në tokën jugosllave…
Pra, nuk pati asnjë reagim nga njësiti kufitar…
Mënyra si ishte organizuar arratia, shmangu çdo lloj reagimi nga njësiti kufitar. Së paku në çastet e para. Makina me të cilën Minella udhëtonte nga Tirana, mbërriti në Han të Hotit afër mesditës. Më herët, në postën e kufirit, ishin lajmëruar se ishte nisur për aty shefi i Prapavijës, për të bërë furnizimin e radhës. Ishte ky njoftim që hiqte çdo dyshim, për praninë e kamionit misterioz në territorin e postës.
Me mbërritjen e tij aty, rojës së shërbimit, nuk i mbetej gjë tjetër, vetëm të nderonte me grusht shefin e Prapavijës dhe të hapte pa hezitim postbllokun. Pastaj, kamioni me furi, shpërtheu postbllokun e palës jugosllave. Në këto momente, rojet tona hapën zjarr. Po me zjarr iu përgjigj edhe grupi i porsa arratisur. Disa çaste, postën tonë e pushtoi kaosi. Ndërkaq, situata në postën përballë u vu në kontroll të menjëhershëm…!
Kush ishin njerëzit në makinën që shpërtheu postbllokun?
Ishte një grup me 12 veta. Minella me gruan, djali Armado (Arian Selimi) 14 vjeç, e bija Mariola, 2 vjeçe. Tetë të tjerët, ishin familjarët e vëllait të Luçies dhe shoferit të kamionit. Me sa më kujtohet, makina tip “Gaz 51”, që shpërtheu postbllokun, ishte e Drejtorisë së Tiranës. Dhjetë “pasagjerët” e panjohur nga kufitarët, ishin fshehur në karroceri, midis materialeve të ndryshme. Minella dhe shoferi gjatë gjithë kohës, ishin në kabinë.
U bënë përpjekje më pas për t’i riatdhesuar 12 të arratisurit?
Autoritetet tona, u vunë në lëvizje që ditën e parë, por pala jugosllave, nuk pranoi për t’i riatdhesuar. Pas disa ditësh, na kthyen makinën dhe pjesën e armatimit, që Minella kishte marrë me vete…!
Dhe që këtej të arratisurit nga Hani i Hotit mbërritën në SHBA-ës?
Fillimisht i akomoduan në një burg afër Titogradit, pastaj në një kamp në periferi të Beogradit, ku kishte edhe të arratisur të tjerë. Që aty filluan procedurat për ti pajisur me vizë amerikane, si emigrantë politik. Me sa mbaj mend, qëndrimi në Beograd nuk zgjati më shumë se dy muaj. Këtë moment e kam fiksuar mirë në kujtesë, sepse lëvizjet e tyre, i ndiqnim hap pas hapi në rrugë agjenturore.
Madje për këtë u organizua një operacion special, me emërtimin “Nepërka”, që ndiqej nga Drejtoria e Parë (Kundërzbulimi) dhe ajo e Tretë, e destinuar për Zbulimin Politik, që operonte jashtë vendit. Deri në vitin 1990, Sigurimi i Shtetit, ka patur të dhëna të përditësuara, rreth aktivitetit dhe lidhjeve të tyre në SHBA-ës.
Raporti sekret nga Beogradi: Të arratisurit drejt SHBA-së
Një relacion me të dhëna nga Beogradi, është dokumenti më interesant i dosjes së Sigurimit të Shtetit, për ngjarjen e 16 janarit 1988. Veç siglës “Tepër sekret” në krye (dokumentet e tjerë mbajnë emërtimin “Sekret”), e bën të tillë informacioni i veçantë, i vjelë në rrugë agjenturore nga burime të huaja. I koleksionuar si një komunikim midis Drejtorisë së Parë (Kundërzbulimit) dhe Drejtorisë së Tretë (Zbulimit Politik), relacioni për arratinë e Minella Andonit dhe 11 të tjerëve, përmban kronikën e ngjarjes zbardhur, sipas autoriteteve jugosllave, vlerësimet e këtyre të fundit për arratinë e pazakontë dhe të dhënat e përditësuara, rreth të depërtuarave nga Shqipëria.
Dokumenti sqaron se; grupi me 12 veta, i arratisur me Minella Andonin, pas kontrollit nga autoritetet e Titogradit, është transferuar në një kamp në periferi të Beogradit. Zbuluesi shqiptar, ka siguruar të dhëna të konfirmuara se aty, do qëndrojnë një muaj, pastaj do t’i çojnë në hotel “Trimi” për të përgatitur procedurat e azilantëve politik. Sakaq, në relacion pasqyrohet fakti që në ndjekje të arratisurve të 16 janarit ’88, Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit, ka ndërtuar operacionin “Nepërka”.
Po çfarë pasqyron tjetër materiali tepër sekret i Policisë së Fshehtë….?
“Familja që u arratis në Jugosllavi në datën 16 janar 1988, ka pasur me vete 6 automatikë dhe 12 pistoleta. Në momentin e kalimit të kufirit, ata kanë përdorur bomba tymuese, ndërsa oficeri ka qëlluar me automatik në ajër. Në automjetin me të cilin realizuan arratisjen, kishin ngarkuar mobilie të vjetra druri, si dhe sende të tjera, me qëllim për t’u mbrojtur nga goditjet e mundshme me armë, të rojeve të kufirit. Një fëmijë i tyre, ishte gjetur pa ndjenja, mbasi para kalimit të kufirit, ai kishte filluar të qajë dhe është goditur nga oficeri me dorezën e pistoletës.
Në anën tjetër të kufirit, të arratisurit janë pritur pa ndonjë reagim të veçantë. Pasi është njoftuar Sekretariati i Punëve të Brendshme të Titogradit, është dhënë alarmi dhe janë kontrolluar të gjitha automjetet që lëvizin nga kufiri në drejtim të Titogradit, sepse kanë dyshuar, se mund të ketë edhe shkelës të tjerë kufiri nga pika të tjera. Ky kontroll ka vazhduar për disa ditë rresht.
Për këtë ngjarje organet e kufirit jugosllav, u është tërhequr vëmendja, që nuk kanë mundur të reagojnë në momentin e shkeljes së kufirit me forcë dhe përdorimit të armëve nga të arratisurit shqiptarë. Aktualisht, të arratisurit ndodhen në burgun e Spuzhes, në afërsi të Titogradit dhe me përfundimin e hetimeve, do të dërgohen në kampin e Beogradit. Lidhur me këtë ngjarje, përveç njoftimit të shkurtër të dhënë në radio, televizionin dhe shtypin jugosllav, komente të veçanta deri tani nuk janë bërë.
Nga një e dhënë tjetër e Drejtorisë III-të, thuhet se: “Grupi prej 12 vetash të arratisur me Minella Andonin, ditët e fundit i kanë çuar në Beograd. I kanë vendosur në periferi të qytetit dhe i mbajnë gjysmë të izoluar. Mendohet që atje të qëndrojnë rreth 30 ditë dhe pastaj t’i çojnë në hotel “Trim”, ose në ndonjë vend tjetër në qytet, ku ka edhe të arratisur të tjerë. Ndërsa nga familja e arratisur prej Vermoshit, pesë vetave, u ka dalë viza për të shkuar në SHBA-ës”.
Të dhënat e mësipërme janë parë edhe nga zëvendësministri, shoku Zylyftar Ramizi, i cili porositi që këto materiale, t’i dërgohen Shkodrës dhe Tiranës, për të ndjekur lidhjet e tyre. Nga ana juaj, në bazë të planit të përcaktuar dhe detyrave të ngritura për përpunimin e lidhjeve të të arratisurit Minella e Luçiana Andoni, të punohet për kryerjen brenda afateve të përcaktuara, për të dhënat që do të dalin të njoftohet dega e I-rë, e cila e ndjek të centralizuar në problemin “Nepërka”.
Post ngjarja
Një stuhi e vërtetë ka shpërthyer pas ngjarjes së 16 janarit ’88, në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës, por jo vetëm. Brenda ditës, janë shkarkuar nga detyra 20 oficerë, që përfshinin tërë zinxhirin e hierarkisë së institucionit. Kryetari i Degës dhe dy zëvendësit e tij, kanë qenë viktimat e para të reagimit agresiv, për ngjarjen e jashtëzakonshme.
Po kështu, me urdhër të prerë kanë përshëndetur; “Lamtumirë armë”! shefi i Kufirit, komandanti i Batalionit, i baterisë së Hanit të Hotit dhe dy nënoficerët e shërbimit. Rasti i Hanit të Hotit, i kushtoi sakaq vendin e punës, drejtorit të Sigurimit të Shtetit, atij të kufirit dhe drejtorit të Policisë së Tiranës. Memorie.al