Memorie.al publikon historinë e panjohur të themelimit të Bankës Bujqësore të Shtetit Shqiptar në vitet e Monarkisë së Zogut. Si u krijua ajo, cilët ishin specialistët italianë që dhanë asistencën teknike dhe e drejtuan atë, çfarë kriteresh duhet të plotësonte bujku shqiptar për të tërhequr kredinë, interesat që duhet të paguante për shlyerjen e saj dhe penalitetet që parashikonte ligji për abuzuesit e kredisë!? Deri në vitin 1937 që u themelua Banka Bujqësore e Shtetit Shqiptar, në vendin tonë ekzistonin: Banka Kombëtare e Shqipërisë, Banka di Napoli, Banka di Roma, Banka Italo-Shqiptare, Banka e Athinës dhe Banka e Beogradit, të cilat kishin hapur filialet e tyre në Tiranë, Durrës dhe dy tre qytete të tjera të vendit. Lidhur me këto, bëhet e ditur në shkrimin e mëposhtëm, i cili është botuar në revistën “Ekonomia Kombëtare” të vitit 1937, ku gazetari i njohur, Petro Marko, ka bërë një bisedë të gjatë me Ministrin e Ekonomisë Kombëtare të asaj kohe, Terenc Toçi dhe drejtorin e Bankës Bujqësore, italianin, Cav. Frigione.
Nisur nga një farë zhvillimi që mori bujqësia shqiptare në vitet e fundit të Monarkisë së Zogut, u pa e nevojshme, madje e domosdoshme, edhe hapja e një Banke Bujqësore, e cila krahas ndihmës që do t’i jepte bujkut e fshatarit shqiptar, do të bënte të mundur edhe zhvillimin e mëtjeshmë të bujqësisë në vendin tonë, në të gjitha aspektet e saj. Deri në vitin 1937 që u themelua Banka Bujqësore e Shtetit Shqiptar, në vendin tonë ekzistonin këto banka: Banka Kombëtare e Shqipërisë, Banka di Napoli, Banka di Roma, Banka Italo-Shqiptare, Banka e Athinës dhe Banka e Beogradit, të cilat kishin hapur filialet e tyre në Tiranë, Durrës dhe dy tre qytete të tjera të vendit tonë. Hapja e këtyre bankave asokohe, pjesa më e madhe e të cilave ishte me kapital italian, i dha një shtysë të madhe zhvillimit të ekonomisë kombëtare shqiptare, e natyrisht edhe përmirësimit të jetesës së qytetarëve shqiptarë. Kjo gjë, nxiti edhe hapjen e Bankës Bujqësore më 1 korrik të vitit 1937. Po si u bë e mundur krijimi i asaj banke, cilët ishin specialistët italianë që dhanë asistencë teknike dhe e drejtuan atë, çfarë kriteresh duhet të plotësonte bujku e fshatari shqiptar që të përfitonte kredinë, dhe çfarë penalitetesh parashikonte ligji i asaj kohe për ata kredimarrës që abuzonin me huanë e dhënë nga banka?
Lidhur me këto, bëhet e ditur në shkrimin e mëposhtëm, i cili është botuar në revistën “Ekonomia Kombëtare”, të vitit 1937, ku gazetari i njohur, Petro Marko, ka bërë një bisedë të gjatë me Ministrin e Ekonomisë Kombëtare të asaj kohe, Terenc Toçi dhe drejtorin e Bankës Bujqësore, italianin, Cav. Frigione. Shkrimin po e botojmë me shkurtime dhe duke i qëndruar strikt origjinalit në gjuhën letrare të asaj kohe.
Shkrimi i revistës ‘Ekonomia Kombëtare’: “Banka Bujqësore u çel”
Gjatë muajit korrik për gjithë botën dhe shtypin shqiptar, çështja e ditës ish çelja e Bankës Bujqësore, projekt i vjetër që ish transformuar në ëndërr dhe që më në fund u realizua. Për shtypin kombëtar çelja e Bankës Bujqësore qe temë kryesore që u rrah dhe u zhvillua me artikuj të shumtë e të ndryshëm prej gjithë atyre që interesohen për përmirësimin e bazës së ekonomisë të vendit që është bujqësia dhe blegtoria. Me këtë rast shtypi shqiptar nuk vonoi t’i parashtrojë publikut mendimin e tij që është caktuar të interesohet drejt për drejt për realizmin dhe zbatimin e udhëheqësit të madh të Shqipërisë. Kështu, dy fletoret e kryeqytetit, njëra pas tjetrës u nxituan, muranë dhe botuan intervista të posaçme nga titullari i Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare. Për arsye kronike dhe historike edhe në këtë të vetme Revistë Bujqësore Shqiptare duhet shkrojtur diçka mbi Bankën Bujqësore që është dinamik ose shpirti i bujqësisë dhe i blegtorisë. Por dy fletoret e Kryeqytetit, katër të krahinavet dhe të përkohshmet e tjera, a lanë gjë pa thënë mbi nevojën dhe rëndësinë e Bankës Bujqësore? Po thuaj se jo. Prandaj kjo revistë që botohet për ata që duhet të përfitojnë nga Banka Bujqësore, në përshtatje me programin praktik që i është caktuar për të arrirë sa më mirë qëllimit që ndjek në këtë rast, po ja len fjalën prap shtypit. Ja pra se ç’thotë fletorja “Shtypi”:
Organizatorët e Bankës
E pyesim Ministrin e Ekonomisë Kombëtare, z. Terenc Toçi, -Pse keni thirrur një organizator të huaj? Nuk kishte ndonjë shqiptar të zot? – Na nuk kemi bankierë, e ma tepër bankierë të specializuem në veprime Bankare–Bujqësore. Atëhere pashë nevojën-natyrisht me pëlqimet e duhuna, me marrë një organizator të huaj që të vinte tek ne, me frymë miqësie. Dhe Banco di Napoli nëpërmjet E. së Tij z. Frigani, drejtor i përgjithshëm, më dërgoi këtu z. Cav. Francesco Frigoni, i cili ishte drejtor i degës agrare po për Banco di Napoli. –Mirë po me ç’konditë ka ardhur këtu zoti Cav. Frigioni?-Duhet të dihet që Banco di Napoli rrjedh nga bamirësia dhe nuk ka aksionistë. E prandaj është i lirë me ba disa gjeste bujare, siç e ka bamë me ne duke dërguar z. Frigioni me shpenzimet e Banco-s. Gjithashtu pati nderin të na dërgonte si ndihmës të drejtorit z. Luigi Pepe, edhe ky njeri shumë i gjall e me një vlerë morale dhe shkencore të lartë. Kujdesi i parë i zotit Cav. Frigioni ka qenë ky: të adoptojë ligjin dhe rregulloren si mbas gjendjes dhe rrethanave të vendit t’onë, tue thesarizue eksperiencën e bame në zonat e Italisë jugore, të cilat i përngjajnë pak a shumë edhe vendit t’onë.
Kush do të marrë para?
Banka e Bujqësisë çelet me ligjë dhe një rregullore që nga njena anë i sigurojnë përkrahje njerëzore e patriotike popullit bujqësor, dhe më anë tjetër mbrojtje nga gjithë ata që ende të mos ta meritonin këtë përkrahje. Dhe kanë për t’u përmirësues tuj pa fitimet që do të kenë prej Bankës ata që sillen me ndërgjegje e besnikni. Ja se kemi kthyer në fillimin e bisedës s’onë-thotë zoti Toçi duke menduar.-Duhet që Banka të mos besoj lehtësisht e duhet që të veprojë me dashtuni të ndritun.-Mendoni, se po të veprohet me dhimbsuri-mëshirë dhe pa garancitë e duhuna, mund të kemi dame të mëdhaja. Pra, paret e bankës ka me i marrë dhe me i përdorë ai që e meriton, d.m.th. ai që i merr dhe i përdor me ndërgjegje duke i prurë dobi vetes dhe Ekonomisë Kombëtare. Nga nevoja që të bëhet një përgatitje e tillë serioze dhe e mirë peshuar për një Bankë të re dhe me shumë pengime, lind vonesa e çeljes. Dështimi i Bankës Bujqësore të Shtetit-Zoti mos e dhëntë kurrë-(shton me një ton prekës z. Toçi) kishte me qenë një rrënim e moral për popullin tonë.
Rreth veprimtarisë së Bankës
Si fillojnë veprimet? Këto fillojnë me afate të shkurtra, të mesme dhe të gjata, megjithëse veprimet me afate të gjata, për pesë vjet të parë i kemi kufizuar me shuma të vogla që s’mund të kapërcejë kurrë të 1000 franga ar. –Po pse kështu?-Duam të ecë ngadalë dhe me çape të sigurtë. Ndërsa z. Toçi megjith zëmër fliste duke shpjeguar bukur veprimtarinë e Bankës, për fat të mirë hyn brenda dhomës së punës edhe z. Cav Frigioni, drejtor i Bankës për të cilën neve bisedonim. Zotëria e tij pritet bujarisht prej zotit Ministër dhe merr pjesë në kuvendimin tonë. Mbasi shkëlqesia e tij shpjegon qëllimin tonë, ky kënaqet shumë dhe kërkon leje që të flas edhe ky me bujkun shqiptar.
Ç’duhet të bëjnë bujqit…?!
Dhe atëhere i drejtohemi zotit Frigioni:-Nuk më thoni zotëri, ç’duhet të bëjnë bujqit që të kenë një kredi agrare? Pikë së pari bujku duhet të bëjë një lutje në Drejtorinë e Bankës në Tiranë, të drejtuar drejt për së drejti ose nëpërmjet Kryetarit të Komunës, duke kërkuar qëllimin për të cilën kërkohet huaja. (Doemos qëllimi asht i qartë: ose për farë, ose për plehra kimike, për veglat e tjera). Mirëpo, kur një bujk kërkon të marrë një hua nga Banka, do të paraqesë garancitë e duhuna. E ç’janë këto garansi që janë të domosdoshme për tërheqje të hollash? –Huat janë garantuar prej një privilegji të posaçëm në vjeljen e prodhimeve, të caktuara me ligje me garanci për shumën e dhënë prej bankës dhe pastaj me një nënshkrim garancie që mund të jepet nga i zoti i fondit,-nëse ky ka të bëjë me një qiramarrës-ose nënshkrim të një personi që mund të paguajë bankën, në rast se bujku s’do të jetë në gjendje të paguajë vetë. – Ç’është ky privilegj? Është një e drejtë pronësore e caktuar me ligj mbi vjeljet e prodhimeve. Është në krye të tërë privilegjevet që japin ligjet e tjera, me përjashtim të së drejtës shtetërore, për shpenzimet gjyqësore. –Mirë po është një bela këtu! Si mund të dijë tjetri që ndodhet një privilegj i tillë i Bankës Bujqësore?-Këtë mund ta marrë vesh kushdo kollaj. Të drejtohet pa frikë në çdo komunë, e cila do të mbajë libra të posaçme për përshkrimet e privilegjeve (lehtësirave, shënimi ynë).
Banka huaja dhe bujku
Cilat janë veprimet e tjera të bujkut? – Huatë që ky do të kërkojë mund të jenë edhe për blerjen e gjësë së gjallë e jo për shtim të blegtorisë, por për nevojat ndihmëse të shtimit të tokës, si qe etj. Për blerjen e makinave bujqësore, për blerje veglash të ndryshme, për mbjellje bimësh,-si ullinj, vreshta, pemë të lloj-llojshme-dhe këto jo për sasira të mëdha. -Për sa kohë jepen këto huara? Këto jepen për pesë vjet. Dhe do të paguhen një e pesta për çdo vjet. –Po cilat janë garancitë për këto huara? –Pikë së pari privilegji për mallin që blihet me paret e Bankës dhe pastaj mbi vjeljet. –Po huara për përmirësimin e tokës bujqësore a jepen? Ligja e parashikon se edhe këto huara: ndreqje shtëpish për bujqër, ndreqje pusesh dhe stallash, avlli, gardhe, kanale për ujë të pijshëm dhe për vaditje, për përmirësime tokash: rrugica ndër prona dhe midis pronash, blerje tokash të vogla për familje të vogla. Doemos këto veprime ndër pesë vjetët e para do të kufizohen me 1000 franga. Pas kësaj periode do të shtohen edhe huat. -Për sa kohë paguhen këto dhe për sa kohë jepen? Një hua e tillë mund të jepet edhe për 30 vjet si mbas rëndësisë së prodhimit që mund të të japë, d.m.th. si mbas autorizimit t’arsyeshëm që paraqet vepra me mundësitë që japin prodhimet. Garancia përbëhet prej një hipoteke të posaçme dhe të privilegjuar. Që në pesë vjetët e parë të ushtrimit, do të jetë hipoteka e parë, kurse pas pesë vjetëve edhe të jetë hipotekë’ e dytë ose e tretë, prapë ka vleftën e hipotekës së parë, natyrisht për veprimet që bëhen pas vjetit të gjashtë.
Kamata dhe shteti
-Me ç’kamatë jepen këto huara të Bankës? –Kamata do të caktohet prej këshillit administrativ dhe s’ka për të kapërcyer 6 ose 7%, si mbas llojit të veprimeve. Është parapa edhe një ndihmë e shtetit për veprimet në pagimin e huarave me afate të gjata.-Ç’është kjo ndihmë e shtetit ju lutem? –Le të themi se kamata e caktuar prej këshillit administrativ është 7% dhe shteti jep një ndihmë prej 2%. Atëhere bujku paguan 5%. -Më falni edhe një pyetje tjetër:-Ç’ndryshim ka midis një huaje bujqësore dhe një huaje të zakonshme? –Huaja ordinare është një hua vetjake, kurse huaja bujqësore është dhënë me qëllim vetëm që të përdoret në dobi të bujqësisë.
Masat për kundërvajtësit
-Mirë po ç’bëhet kur një bujk të hollat që merr për hua i prish për qëllime të tjera, si për martesë, për ku e di unë? Me një fjalë ç’bëhet për ata që rrejnë Bankën? -Këtu ligja është’ e rreptë. Si mbas nenit 22 të ligjës, huamarrësi që përdor krejtësisht ose pjesërisht shumën e marrë hua, për qëllime të ndryshme, dhe jo për ato për të cilat është dhënë huaja, ose prish ose msheh sendet që gjenden nëpër privilegjin e Bankës, dënohet me burgim të rëndë, gjer në pesë vjet, sipas nenit 458, paragrafi 2 i Kodit Penal. Më së fundi zoti Cav. Frigione shton me një shprehje kënaqësie. -Unë e kam shpresa të mira dhe besim të madh në nderin dhe në karakterin e lartë që ka punëtoria shqiptare. Prandaj jam i sigurtë se për së shpejti do të dalë në shesh vlera e madhe e bujkut t’urtë punëtor shqiptar. Dhe neve i shtrëngojmë dorën duke i uruar këmbë mbarësi në misionin delikat që iu ngarkua. Dhe duke u larguar nga salla e punës, Shkëlqesia e tij zoti Terenc Toçi, shtoi edhe këto: -Tani për tani vetëm këtu në Tiranë do të çelet. Për së shpejti do të hapet një degë në Veri të Shqipërisë e një tjetër në Jugë. Pastaj me radhë do të ketë agjensira në çdo kënd t’Atdheut. Por kjo duhet të dihet prej të gjithëve: Banka e Bujqësisë do t’ia shtrijë dorën e sajë punëtorit shqiptar të ndershëm kudo që të jetë. (P.M.) /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016