Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ publikon reportazhin e panjohur të gazetarit rumun Dr. Vlad Banateanu, korrespondent i gazetës “Cuvantul” të Bukureshtit, i cili vizitoi kryeqytetin shqiptar, Tiranën, në vitin 1933 dhe shkroi artikullin me titull: “Tirana, qyteti dhe jeta e kryeqytetit të Shqipërisë” (i botuar fillimisht në gazetën “Cuvantul”), i cili u përkthye më pas nga publicisti e përkthyesi i njohur Anastas Plasari dhe u botua më edhe në gazetën “BESA” të Tiranës, më 4 nëntor të vitit 1933. Këtë reportazh, ku gazetari rumun përshkruan dhe flet me detaje për jetën e kryeqytetit shqiptar të asaj kohe, duke pasqyruar si zhvillimin e as, ashtu dhe disa nga anët e errëta të saj.
“Tirana, qyteti dhe jeta e kryeqytetit të Shqipërisë”
Prej pjacë së Tiranë s‘bën disa hapa dhe arrin në rrugën Mbretnore që asht një rrugë moderne. Prej këtej sheh xhaminë e vjetër. Në Tiranë gjen restorante evropianë, kafehane dhe ëmbëltore në të cilat njerëzia rin gjer më 12 të natës, duke harxhuar bakllava dhe kadaif. Gratë nuk hyjnë në kafene, se këto janë të rezervuara vetëm për burrat. Kur unë bashkë me shoqen time hyra në kafane, si çdo evropian ish një eveniment: Pothuaj u ngritën të gjithë më këmbë, që të na shikonin më mirë. Jeta familjare vazhdon të jetë e kufizuar dhe e pushtuar prej supersticionesh dhe traditash të vjetra, nga të cilat mezi po largohet gjenerata e re. Shumë gra prej klasës së mesme dhe të ulët, vazhdojnë të mbajnë perçen dhje jo vetëm muhamedanët por edhe të krishterët. Hotelet përgjithësisht janë të pastër, ndonëse nuk kanë komfortet t‘ona (përveç hotelet e mirë). Megjith këto në çdo dhomë hoteli gjen mobilie të reja si dysheqe etj. Vetëm një gjë mungon e këtë mund ta konstatosh shumë herë dhe ndër ne; ujë i rrjedhshëm ndër dhomat. Në qytete tash kanë filluar të bëhen kanalizime. Kjo mungesë e mos rregullimit të ujit të mirë, rrjedh nga shkaku se duhet sjellë prej vendeve të largëta, prej maleve e kushton shumë. Gjer sa të rezervohet kjo çështje ishin shumë të tjera për të mbaruar. Prandaj në Tiranën moderne ajo që të bën përshtypje është të shohësh ujë të ngarkuar në kafshë, sidomos kur për një kohë të gjatë nuk bije shi, shterojnë puset, dhe ahere ujë shitësit janë në qejf. Kur në Tiranë dhe në qytete të tjerë do të ketë ujë të mjaft në barazim me dritën e elektrikut, do të bëhen shumë ndryshime. Vetëm në një hotel gjeta ujë të rrjedhshëm në një dhomë. Besoj se gjer më sot shumica e hoteleve do ta kenë rregulluar çështjen e ujit dhe në këtë mënyrë do të zhduket dhe një kujtim i vështirë i Orientit. Kudo në Orient ndjehet era e trëndafilit, gjithë kështu edhe në Tiranë; bankënotat shqiptare e kanë këtë erë të ëmbël dhe karakteristike, sa që beson se në Shqipëri bankënotat mbahen prej grave…në gji. Në rruga dhe nëpër kafene, gjen plot lustro që me kutitë e tyre mbi të cilat kanë varur furçe, ulen, pa i thirrur nëpër këmbë të klientëve që rrinë me qetësi në kafehane, ia marrin këmbën mbi kuti dhe fillojnë të lustrojnë…! Klienti me indiferencën e tij orientale nuk kundërshton e kështu pranon të bëhen këpucët dy tri herë në ditë vetëm me një lek. Gjithë shqiptarët i shihja me këpucë të lustruara dhe pandehja se e bëjnë nga përkujdesja për pastërti. Fort rrallë shihen njerëz që e heqin këmbën nga kutia e lustraxhiut i cili me hidhërim i shikonte këpucët e lustruara. Sa herë delja nga hoteli, më ndiqnin duke më thënë: Llustro zotni! Ata nuk dinin kush isha unë.
Afër Tiranës të pret një rrugë shumë e kujdesur, e gjerë dhe me pemë, nga të dy anët që lëshojnë hije; është Rruga e Durrësit që të shpije afër uzinave elektrike (njëra e një shoqërie italiane dhe tjetra shqiptare) afër kazermave dhe auto-repartit. Këtej është dhe një stacion i vogël, por modern i radios (që lidh Tiranën me Vjenën, Zagrebin dhe Brindisin), shkon afër sheshit t‘aeroplanëve ushtarakë dhe civilë (në Shqipëri mund të gjesh aeroplanë që shkojnë në çdo qytet); kështu hyn në qytet me anën e rrugës “Nana Mbretneshë” që të shpije në qendrën e qytetit në pjacën “Skanderbeg”. Në të gjithë kohën e udhëtimit, shkon nëpërmjet rrugësh të gjera dhe të mbjella me dru anëve. Çuditesh kur sheh ndërtesa të mëdha të shtetit dhe vila private me stil ultramodern sa që kurrë nuk beson t‘i gjesh këtu.
Dy uzinat elektrike
Dy uzinat e elektrikut ndriçojnë dhe zbukurojnë kudo në mbrëmje, e kur hyn në qytet nuk besohet se je në Shqipëri. Në kohët e para Tirana ka qenë katund. Që në kohët e independencës flitej që Tirana të bëhej kryeqytet nga shkaku i klimës së shëndoshë pozitive së saj në qendër dhe afër Durrësit që është skela kryesore. Q‘ahere qyteti shquhej nga pastërtia dhe shtëpitë e fshehura përgjysmë prapa mureve prej qerpiçi (plitharë) bënin përshtypje të këndshme. Rrugët përshkonin qytetin në rregull dhe ishin të gjata. Një rrugë, rruga Koço Kotta, është 3 km. e gjatë dhe përshkon lagjen më të vjetër, lagja Abdulla bej, dhe shpije gjer afër malit të Dajtit. Rrugët janë të gjata sepse dhe qyteti është shumë i zgjeruar; zë një sipërfaqe prej 12 km. katror. Më 1880 Tirana ka pasur 20.000 banorë, më vonë ky numër u pakësua. Nga shkaku i kopshteve shtëpitë janë të fshehura. Kodrat e shumta dhe malet e rrethit i japin një pamje të këndshme dhe të mrekullueshme. Në lagjet e vjetra rrugët janë të qeta, këtu vazhdon të rrojë jeta orientale. Tirana nuk ka luajtur ndonjë rol me rëndësi në historinë e Shqipërisë; është e një datës së re, ndonëse mbas traditës thuhet që ekziston qysh prej kohës së Skënderbeut. Ky qytet, si mbas De Hshunit, ekziston vetëm që më 1600, e ka qenë themeluar prej një të quajturi Sulejman Beu. Traditat thonë se ky Sulejman kishte një shërbëtor i cili mbas një ëndrre të mrekullueshme, shkoi në Pallatin e Padishaut dhe atje arriti të behet Vezir. Atehere thirri ish-aganë e tij dhe i dhuroi një çiflig në Shqipëri; në këtë çiflig ndodhej edhe katundi Tiranë, që i pëlqeu këtij dhe prandaj u stabilizua aty ku ngriti edhe një xhami që është edhe sot dhe quhet “Xhamia e vjetër”; është shumë piktoreske dhe ka dekorime të zografuara në mënyrë të këndshme.
Prishja e ndërtesave të vjetra
Sot Tirana është kryeqytet dhe në këtë përzihen vjetërsinat orientale, me mbi modernizimin e importuar prej ingjinerëve dhe arkitektëve të huaj e të vendit. Qyteti transformohet çdo ditë dhe çdo gjë e vjetër, që i qëndron përpara i bije viktimë. Kështu do të sakrifikohen pa sentimentalizma lagjet, që sot vazhdojnë të jenë të mbuluara, të heshtura dhe misterioze, prej poezisë orientale. Qyteti i ri është krejt evropian; nga qendra e pjacës “Skënderbeg” zgjaten disa bulevarde moderne, të gjera të shtruara mirë me ronde të posaçme për lule etj. Çdo gjë që ndodhej përpara inxhinierëve u rrëzua pa mëshirë. Një xhami i vjetër dhe e mirë, “Xhamia e Karapicit”, u shemb fare për t‘i bërë vend Bashkisë, para së cilës janë ngrehur njëra pas tjetrës, të gjitha godinat e ministrive. Vetëm godina e Parlamentit, ka mbetur e vogël dhe modeste sikurse ka qenë bërë në kohën e Independencës, asnjeri nuk u kujtua për një tjetër godinë madhështore. Bulevardet më kryesore janë; Bulevardi “Zog i I” dhe Bulevardi “Musolini”, në të cilin ndodhen pothuaj të gjitha legatat. Rruga “Nana Mbretëreshe” dhe ajo “28 Nëntori” (dit e proklamimit t‘indipendencës në Vlorë më 28 nëntor 1912 e cila festohet çdo vit me shkëlqim) përshkojnë dy bulevardet. Kudo ndërtesa të mëdha me beton arme zënë vendin e shtëpive të vjetra; godinat zyrtare, hotelet, magazinat etj. Një lagje e posaçme e vilave banohet prej nëpunësve të Shtetit dhe prej të huajve, që merren me tregti, industri, etj, shtrihet nga mali Dajt.
Tregu i qytetit që gumëzhin
Përveç dy xhamive të vjetra (afër njërës gjendet një kube ku është varrosur themelonjësi i qytetit Sulejman pasha) në qendër të qytetit, është dhe pazari ku pasqyrohet jeta e vjetër qytetare dhe orientale. Rrugët e ngushta të pazarit janë plot me dyqane dhe puntorira të hapura dhe të zëna, me mall të katundarëve që i sjellin për shitje. Kallaballëk i madh kudo kur bien në pazarllëk, blerësi me qetësi karakteristike ulet afër mallit të shitësit dhe bisedon me nge, qoftë edhe sikur të mos ujdisin, niset duke pranuar një “t‘u ngjat jeta” të ëmbël. Rrugët buçasin prej çekanëve të teneqexhinjve, këpucarëve, opingaxhijve, që bëjnë opinga prej lëkurësh ose prej kopertonash të prishura t‘automobilave. Këtu shikon shumë fabrikantë fesash,(qeleshe) që i bëjnë prej leshi të bardhë, për katundarë dhe të zeza, për tregtarë dhe qytetarë. Në këtë pazar mund të shohësh dhe të admirosh punimin e çibukëve dhe pipave shqiptare prej druri, (specialitet i Tiranës) ose mund të admirosh punimet e holla të argjendarëve, që bëjnë punë ari dhe argjendi të sistemit venecian.
Muzeu privat i armëve të Eqerem bej Vlorës
Gjithë ashtu sheh armë t‘argjenda ose pisqollë me ar të pastër, jataganë, thika etj; nga këto pashë një koleksion që meritonte admirim të madh, në muzeun privat të Eqerem Bej Vlorës në Vlorë. Fabrikimi i armëve prej argjendi dhe ari, ka qenë specialitet i shqiptarëve që në kohët e para. Jorganxhinjtë punojnë në dyqane t‘ hapur, punime të ndryshme mëndafshi. Midis këtyre dyqaneve të vegjël, janë dhe kafehane, në të cilat klientët rijnë përdhe dhe thithin kafe, prej kualiteti më të mirë. Kafexhiu shpie kafe dhe nëpër dyqanet e zejtarëve ose tregtarëve, që i ka afër, këto harxhohen prej të zotëve të dyqaneve ose prej myshterinjve të tyre. Kur kafexhiu merr filxhanët bosh, në vend të parave, shënon me tebeshir në qepenat e dritares, të debitorit. As njeriu nuk i shkon në mënd, të fshijë shenjat e kafexhiut, gjer sa ky të marr të hollat dhe i prish vetë. Kur nuk ka myshteri, shpesh herë edhe para dyqanit shtyp kafe, me një havan të madh. Më ditët e pazarit, t‘ enjteve, katundarët e gjithë rrethit, sjellin produktet e tyre për t‘i shitur, pemë, shpendë, vezë, zarzavatet, djath e gjizë, enë të punuara në Kavajë, me formë romake etj.
Tradita e veshjeve popullore
Në një rrugë të posaçme të pazarit gjenden për të shitur kostume Shqiptare të bukur me gajtanë të ndryshme për burra dhe gra, të qepura me fill ari të pastër; Xhoke të zeza për gra, me të qepura me harxhe të rënda prej ari dhe argjendi, me breza prej argjendi masiv të rënda që peshojnë disa okë e që më shumë i mbajnë gratë e Hotit dhe malësive. Edhe mëndafshtat e punuara prej shqiptarëve, kanë bukuri në bojra dhe desen. Më parë tërheq pamja piktoreske që prezantohet prej shumicës së madhe, të tipave të bukur të malësorëve, shqiptarë, Toskë e Gegë, me kostumet e tyre aq të ndryshme, Midis këtyre përzihet edhe rroba ushtarake e ushtarëve që kërkojnë të takojnë bashkë katundarët e tyre, që vijnë në pazar dhe së bashku me këta përzihet edhe veshja evropiane e tregtarëve, qytetarëve dhe vizitorëve të rrallë t‘ardhur nga vende të ndryshme, sikurse ishim edhe na. Pashë edhe të tjerë qytete orientale, por nuk përngjasin me pazaret shqiptare.
Tirana dhe historia e saj nga themelimi, te ngjarjet politike në vitet 1913-1923
Për historinë e vjetër të kryeqytetit shqiptar dhe ngjarjet më kryesore politike, që ajo kaloi që nga shpallja e pavarësisë në vitin 1912 e deri në vitin 1927, ka shkruar gjatë në dy librat e tij voluminozë, “Shqipëria më 1927”, Teki Selenica, ish-funksionar i lartë gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, i cili ka qenë dhe mbetet dhe një nga staticienët e vetëm, që ka bërë studime e botime të sakta në këtë fushë. Lidhur me këtë, mes të tjerash në atë libër ai ka shkruar:
Kryeqyteti shqiptar, Tirana, ndahet në këto lagje: Abdulla bej, Ali bej, Ismail efendi, Lagjja e re, Pazari, Suleyman pasha, Xhami Sherif dhe ka 2.816 shtëpi, 16.513 frymë, prej të cilëve 12.513 janë popull autokton edhe 4.000 të ardhur mbas vendosjes së Tiranës si kryeqytet, ku ditë për ditë shtohet popullsia e po shumohen ndërtesat e shtëpijat. Për historinë e kryeqytetit tonë dimë këto: Tirana deri në vitin 1600 nuk ka qenë gjë tjetër, veçse një lëndinë e pyllit dhe nuk kish as shtëpi dhe as emër; në këtë vit në mes lumit Erzen dhe Ishëm, Sulejmani beu i shtëpisë së Barkaj, ngrehu qytetin e sotshëm dhe e pagëzoi, Tiranë për kujtim të një luftë që kish fituar në Persi, kur kish vajtur me ushtrinë turke dhe kështu qyteti i ri me ngjasim nga Tahran-it të “Persis” mori emrin Tiranë. Themeluesi i Tiranës Sylejman beu, si ngrehu qytetin e ri, vdiq në Bagdad e zemra e tij për shenjë trimërie, sado që u mbajt atje, por trup i tij ish sjellë në Shqipëri, ku është varrosur në xhaminë e vjetër të qytetit. Tirana deri në mbarimin e luftës ballkanike, si qendër nënprefekture, mbeti në dorën e turqve dhe mbas ikjes së këtyre, ra në dorën e ushtrisë serbe dhe mbas pak kohe, si vendosi Konferenca e Ambasadorëve në Londër, mbeti si kurdoherë tokë shqiptare. Më 1913 kur Esat Toptani u nda nga Vlora dhe erdh në Durrës e me një grusht pasanikët e tij, formoi qeverinë e “Shqipërisë së Mesme”, Tirana ish pjesa e kësaj qeverie e cila si kufi me qeverinë e Vlorës, kishte Shkumbinin. Më 1914, mbas ardhjes në Durrës të mbretit, Tirana u bashkua me vendet e tjera të Shqipërisë, por mjerisht mbas pak kohe me Musa Qazimrat, Haxhi Qamilrat e saj, u bashkua me rebelët dhe u bë selia e rebelizmës e cila më 3 Shtator 1914, shtrëngoi mbretin, të lërë Durrësin e t‘ikë nga Shqipëria. Më 1 Tetor 1914 kur Esad Toptani, arriti në Durrës e mori qeverimin në dorë, Tirana pak kohë qëndroi nën urdhrin e tij, por më vonë nën kryesinë e Musa Qazimit, shpalli kryengritjen kundër tij dhe rrethoi Durrësin, deri sa më 20 maj 1915 ra në dorën e Serbëve, të cilët siguruan stabilitetin e Qeverisë së s‘Esadit e cila veproi me një drejtësi shembullore kundra rebelëve dhe këta i faroi nëpër burgje dhe litar. Më 23 Kallnuer 1916, si u zhduk qeverisi i Esadit dhe ky iku nga Shqipëria, Tirana ra në dorë të Austriakëve dhe qëndroj deri sa më 25 Tetor 1918 u mblodh Kongresi i Durrësit dhe zgjodhi delegatin e saj dhe kështu si gjithë pjesët e Shqipërisë dhe Tirana, hyri në sundimin e kombit. Më 21 Kallnuer 1920, kur u çel Kongresi i Lushnjes, Tiranën e vendosi si seli provizore të qeverisë kombëtare dhe kështu prej asaj date, Tirana është kryeqyteti Shqiptar. Tirana mbas kësaj date është bërë dëshmitar i këtyre ngjarjeve: Fuqitë italiane në mbledhjen e Lushnjes, mbasi panë me sytë e tyre guximin, patriotizmin, trimërinë dhe vullnetin e një kombi të bashkuar, dal nga dal u larguan nga Shqipëria dhe kështu Tirana për herën e parë, priti Këshillin e Naltë të formuem prej Z.z. Aqif Elbasnai, Dr. M. Turtulli, Emzot Bumçi e Abdi Toptani, dhe kabinetin shqiptar të formuar prej Z. Z. Sulejman Delvina, A. Zogu, M. Konica, Sotir Peci, Ndoc Çoba, Eshref Frashëri, e Idhomone Kosturi. Më 13 Mars 1920, Tirana mori në gjirin e vet administratën e Shkodrës dhe më 26 maj 1920 dhe atë të Korçës. Më 13 Qershor 1920, Tirana dëgjoi vrasjen e Esadit dhe shpëtoi nga lëvizja kryengritëse e Esadistëve dhe nga rebelimi i ngushtë i këtyre fuqive. Më 2 Gusht 1920, për herë të parë Tirana mbas Baronit Aliotit, priti përfaqësuesin e Italisë, Conte Mazonin me të cilin qeveria nënshkroi paktin e parë të dorëzimit të Vlorës, mbas një lufte plot heroizëm e nder. Më 17 Gusht 1920 Tirana mori sihariqin e lirimit të Vlorës, të cilën e bashkoi në fatin e motrave të saj.
Tirana në vitin 1921
Më 21 Prill 1921 Tirana pa çeljen e parlamentit të parë të Shqipërisë. Më 9 nëndor 1921 Qeveria Shqiptare e Tiranës mori lajmin e gëzuar se pushtetet e mëdhenj njohin Shqipërinë de jure et facto si një shtet indipendent. Më 7 Dhjetor 1921 Mustafa Kruja me shokë bënë cup d’etat-në dhe detyruan kryeministrin Z. Pandeli Evangjeli të japë dorëheqjen i cili e dha dhe kabinetin e formoi Hasan Prishtina dhe ky më 11 Dhjetor 1921 u detyrua të japë emisionin dhe në këtë rast u formue kabineti provizor prej Z. Idhomene Kosturi e Drejtorëve të Ministrive. Më 22 Dhjetor 1921 Tirana pa mbledhjen ekstraordinare të Parlamentit i cili rrëzoi deputet e Drinit, dhe dy anëtarët e Këshillit nalt. Z. Aqif Elbasanin e Imzot Bumçin dhe në vend të këtyre zgjodhi Z. Ymer Pasha Vrionin e Ndoc Pistullin. Më 24 Dhjetor 1921 dhanë dorëheqjen dhe dy anëtarët e tjerë të Këshillit të nalt Z. M. Turtulli dhe Abdi Toptani dhe në vend të tyre u zgjodhën Refik Toptani e Sotir Peci, gjithë në këtë datë u formua dhe kabineti nën kryesinë e Z. Xhaferr Ypi.
Tirana në vitin 1922
Më 8 Mars 1922 si u vra në Valias trimi i paharruar Meleq Frashëri, Tirana pati fatin e zi të shohë rebelët e Mustafa Krujës, Zija Dibrës e të Elez Jusufit të cilët hynë brenda në qytet dhe luftuan nëpër rrugët e tij deri sa u ç’duknë me heroizmin e rrallë të Ministrit të P. Mbrendshme, A. Zogut, i cili u mbyll në pallatin e Parlamentit dhe atje vendosi të vdiste për të mos shkelur dinjitetin shtetnor, dhe mbas disa ditësh, si këta ashtu dhe rebelët e qarkut të Durrësit, me shpejtësi rrufeje, i dërmoj dhe në kryeqytet u ngreh një gjykatore e shtetrrethimit e cila gjykoj dhe dënoj shkaktarët e kryengritjes.
Tirana në vitin 1923
Tirana në vitin 1923 shkoi në një qetësi e punë dhe e vetmja ngjarje me rëndësi është kjo: Më 3 Mars 1923 Kryeministri Z. Xhaferr Ypi u zgjodh anëtar i Këshillit të naltë dhe kështu bara e formimit të kabinetit iu ngarkua Z. A. Zogut, i cili duke mbajtur dhe dikasterin e Ministrisë së P. Mbrendshme, formoj kabinetin e ri në kohën e të cilit u bënë zgjedhjet për asamblenë konstituente dhe u provokua, në fitimin e opozitës, përçarja e partis qeveritare./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016