Dashnor Kaloçi
Pjesa e pare
-Shtypi perëndimor: “Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën e Mao Ce Dunit po ftohen, për shkak të qëndrimit ndaj vrasjes së presidentit Kendi, për të cilin ‘Zëri i Popullit’, i kushtonte një artikull, ku e çmonte veprën e tij, etj”-
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore me siglën “Sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së) të cilat i përkasin vitit 1963 dhe janë shkëputur nga një dosje ku ndodhet një korrespodencë me informacione, raporte, relacione, letra, telegrame, raport-informacione etj., midis Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, me ambasadat shqiptare të akredituara në disa vende të botës dhe Drejtorisë e Marrëdhënieve me Jashtë, pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së. Siç do të shohim edhe nga dokumentet në fjalë, titullarët e ambasadave shqiptare të akredituara në disa vende të botës, kryesisht ato të Vjenës, Romës dhe Parisit, informojnë eprorët e tyre pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe nëpërmjet tyre Komitetin Qendror të PPSh-së, lidhur me artikujt e ndryshëm të botuar në shtypin perëndimor, (si gazeta “The Observer”, “Die Press”, “Stuttgarter Zeitung”, “Ilustër Kronen Zeitung”, “Industriekurier”, “Die Velt”, etj.) të cilat trajtonin dhe pasqyronin vijën politike, që ndiqte udhëheqja e lartë komuniste e Partisë së Punës së Shqipërisë e Tirana zyrtare, pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare me Bashkimin Sovjetik, gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale, që mbizotëronte në vend, marrëdhëniet e saj me fqinjët, kryesisht me Jugosllavinë e Josif Broz Titos, nga ku si rezultat i klimës së terrorit që ushtronte udhëheqja e Tiranës, shumë shqiptarë kalonin ilegalisht kufirin dhe arratiseshin për në Jugosllavi, marrëdhëniet dhe raportet e Partisë së Punës së Shqipërisë, me partitë komuniste marksiste-leniniste të vendeve të ndryshme të Europës, si dhe shenjat e ftohjes dhe largimit që po dukeshin ndërmjet Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës së Mao Ce Dunit, për arsye të qëndrimit të tyre të ndryshëm në lidhje me vrasjen e Presidentit të SHBA-ës, Kendit, për të cilin “Zëri i Popullit”, i kushtonte një artikull, ku e çmonte veprën e tij, etj. Një nga temat kryesore që ka trajtuar shtypi perendimor, (kryesisht ai britanik e më pas ai gjermano-perendimor dhe austriak), në shumë nga artikujt e botuar përgjatë periudhës gusht – shtator – tetor 1963, është dhe ai ku thuhej se; në Shqipëri po përgatitej një kryengritje nga ana e ushtarakëve të lartë me në krye ministrin e Mbrojtjes Popullore, gjeneral-lejtnant Beqir Balluku, për rrëzimin e kreut të shtetit, sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxhës. Pas këtyre artikujve, një vend kryesor në artikujt e ndryshëm të shtypit perëndimor për gjendjen politike në Shqipërinë e asaj kohe, zënë edhe ato ku trajtohet prishja e marrëdhënieve zyrtare të Tiranës me Moskën, si dhe dënimin që i bëri udhëheqja e lartë e PPSh-së dhe personalisht Enver Hoxha, anëtares së Byrosë Politike dhe sekretares së Komitetit Qendror të PPSh-së, Liri Belishova dhe Koço Tashko, (ish ambasador në Moskë), duke i akuzuar ata si mbështetës të vijës politike të Moskës zyrtare të udhëhequr nga Nikita Hrushovi. Për më shumë rreth këtyre temave dhe ngjarjeve që ka trajtuar shtypi perëndimore në vitin 1963, lidhur me Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, na njohin relacionet dhe raportet sekrete të dërguara në Tiranë, nga ana e ministrit fuqiplotë shqiptar në Vjenë, Gaqo Nesho.
Dokumenti sekret i përpiluar nga Dega e Shtypit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, dërguar Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, nga zv/ministri, Vasil Nathanaili
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË S E K R E T
MINISTRIA E P. TË JASHTME Tiranë, më 11-XII-1963
DEGA E SHTYPIT Ekz.
Nr. 601
LANDA:
KOMITETIT QENDROR TË P.P. SHQIPËRISË
(Drejtorisë së Jashtme)
T I R A N Ë
Bashkëngjitur, po ju paraqesim kopjen e relacioneve si më poshtë:
Relacion i shtypit për muajin tetor 1963, dërguar nga ambasada jonë në Budapest.
Relacione mbi disa probleme që ka trajtuar shtypi austriak, gjatë tremujorit të tretë, mbi problemet që ka trajtuar shtypi austriak, Gjermanisë Perëndimore dhe Zvicrës, lidhur me vendin tonë, gjatë periudhës, gusht, shtator, tetor.
Lidhje, 4 relacione
ZV/MINISTRI
(Vasil Nathanaili)
Relacioni i ambasadorit shqiptar në Vienë, Gaqo Nesho, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtmë në Tiranë, lidhur me artikujt e botuar në shtypin perëndimor, për Shqipërinë
RELACIONE MBI PROBLEMET QË KA TRAJTUAR SHTYPI AUSTRIAK, I R.F. GJERMANE, I R.D. GJERMANE DHE AY I ZVICRRËS NË LIDHJE ME VËNDIN TONË, GJATË MUAJIT TETOR 1963.
Shtypi i vendeve të lartpërmendura ka botuar gjatë këtij muaji, 32 njoftime, 13 artikuj, (pothuaj identike), që shkruajnë plotësisht kundër vendit tonë, 5 artikuj, në të cilët Shqipëria preket pjesërisht, dhe në 10 artikuj ku ajo preket vetëm njëherë.
Nga këto, 28 njoftime dhe 16 artikuj, janë nga shtypi austriak, dy njoftime dhe 10 artikuj, janë nga Gjermania Perëndimore, një njoftim është i Zvicrës, dhe një njoftim e dy artikuj, janë të Republikës Demokratike Gjermane.
Njoftimet kanë shkruar mbi mos nënshkrimin e marrëveshjes së Moskës, mbi ndalimin e pjesëshmë të provave bërthamore nga vendi ynë, mbi një konferencë ndërkombëtare të Partive Komuniste, në të cilën paska për t’u ftuar edhe P.P.Sh.-ja, Partia Komuniste e Kinës, etj., mbi rezolutën e delegacionit të R.P. të Shqipërisë në O.K.B., për rivendosjen e të drejtave legjitime të R.P. të Kinës në këtë organizatë, mbi mospranimin e kësaj rezolute nga O.K.B.-ja, mbi konsultimin e përfaqësuesve të organizatës të standardizimit të vendeve socialiste në Varna, në të cilin mori pjesë edhe një delegacion nga vendi ynë, mbi qëndrimin e delegacionit tonë në mbledhjen e këshillit governor të Organizatës Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, i cili votoi kundër rezolutës, që u aprovua këtu në lidhje me marrëveshjen për ndalimin e provave bërthamore në atmosferë, mbi gjoja 14 qytetarët shqiptarë që janë arratisur ilegalisht nga Shqipëria për në Jugosllavi, mbi një gjyq që u zhvillua në Ohër kundër “dy qytetarëve shqiptarë, për spiunazh në favor të shërbimit të fshehtë shqiptar”, me nga pesë vjet burgim secili, mbi tufanin që kaloj nëpër Shqipëri, dhe mbi pesë pulla të reja sportive që kanë dalë në vendin tonë.
Artikujt kanë shkruar për kryengritjen ushtarake që gjoja po përgatitet në Shqipëri, për mbrojtjen që i bën komunisti antirevizionist austriak, Frans Strobel, Partisë dhe udhëheqësve tanë në letrën e tij personale drejtuar komunistëve austriakë, mbi materialet e tjera të komunistëve anti revizionistë austriakë, ku merret gjithashtu në mbrojtje udhëheqja e Partisë sonë, mbi telegramin që Kuvendi Popullor i R.P. të Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave i R.P. të Shqipërisë, i dërgon Këshillit të Shtetit dhe të Republikës Demokratike Gjermane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës Demokratike Gjermane, me rastin e 14 vjetorit të saj, mbi atë që Shqipëria nuk bën pjesë në K.N.E.R., etj.
Shtypi borgjez i Gjermanisë Perëndimore dhe ai i Austrisë, duke u bazuar në shtypin britanik, kanë synuar ta paraqesin gjendjen të turbullt në vendin tonë, duke shpifur në mënyrë të paskrupullt për këtë.
Gazeta “Stuttgarter Zeitung”, (e Republikës Federale Gjermane), dt.14/10/1963, duke bërë fjalë sa thamë më sipër, shkruan: “Gazeta Liberale britanike e së dielës, ‘The Observer’, tregon mbi një krizë të brendshme politike në Shqipëri. Gazeta pohon, se ka marrë vesh mbi një kryengritje që do të bëhet së shpejti në ushtrinë shqiptare, që siç thuhet përkrahet nga Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, i cili cilësohet si pro-sovjetik.
Për arsye të izolimit të Shqipërisë që po shtohet, si rezultat i qëndrimit miqësor të kryetarit të qeverisë, Enver Hoxhës, ndaj Pekinit, u përhap një pakënaqësi e madhe në popull, e cila shpërthen në sulmet goditëse të fshatarësisë së zëmëruar kundër nëpunësve qeveritarë. Sipas njoftimit të gazetës angleze, me gjithë mbrojtjen e rreptë, një turmë të arratisurish nga Shqipëria, po kalon kufirin për në Jugosllavi”.
Megjithëse nga ky artikull del se këto shpifjet kundër vendit tonë, janë përhapur nga gazetat britanike, prapë se prapë, është e qartë se ato e kanë burimin nga Beogradi.
Kështu p.sh., gazeta vjeneze “Ilustër Kronen Zeitung”, dt. 19/10/’63, në fillim nuk shkruan se burimi i këtyre lajmeve shpifëse, është Londra, por Beogradi. Edhe gazeta e Gjermanisë Perëndimore, “Di Velt”, dt. 14/10/’63, si burim për lajmet e përmendura, jep Londër-Beograd, ndërsa gazetat e tjera që botojnë të njëjtin artikull, japin Londrën si burim për të.
Shtypi borgjez i Gjermanisë Perëndimore, ka synuar gjithashtu që të fusë përçarje në udhëheqjen tonë, duke trilluar shpifje të ulta në këtë drejtim.
Ja se çfarë shkruan gazeta e Gjermanisë Perëndimore “Industriekurier”, dt.24/10/’63, në lidhje me sa thamë më sipër: “Lajme nga Tirana theksojnë se në gjirin e Ushtrisë Shqiptare, ekziston një situatë kryengritëse, e cila drejtohet kundër burrit të fuqishëm të këtij shteti të vogël, Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste, Enver Hoxhës.
Siç thuhet, kjo situatë përkrahet nga ana e Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku. Ndërsa, Enver Hoxha dhe “Presidenti i Shtetit”, Haxhi Lleshi, kanë mbajtur një qëndrim pro-kinez në konfliktin midis Kinës së Kuqe dhe Moskës, cilësohet qëndrimi i Ballukut, si pro sovjetik………..”!
Një synim tjetër i shtypit borgjez të Gjermanisë Perëndimore, ka qenë fakti, se ay është munduar ta paraqesë vendin tonë, sikur po afrohet me Perëndimin. Gazeta “Industriekurier” e dt. 24/10/’63, që cituam këtu më sipër, shkruan ndër të tjera në lidhje me këtë, si vijon: “…Që nga prishja me Moskën, Tirana është përpjekur për kontakte me Perëndimin, por të vetmet shtete Perëndimore që kanë kontakte diplomatike me Tiranën, janë Italia, Franca dhe Austria…”!
Shtypi borgjez vazhdon të përkrahë Jugosllavinë kundër vendit tonë. Me qëllim që të diskreditohet vendi ynë dhe t’i ngrihet autoriteti Jugosllavisë, ai përhap vazhdimisht lajme për shqiptarët e shumtë që gjoja arratisen në Jugosllavi, pasi në Shqipëri, ata “terrorizohen” dhe “jetojnë në kondita të vështira”!
Duke bërë fjalë në lidhje me ketë, gazeta “Die Presse”, dt. 7/10/’63, ndër të tjera shkruan: “14 qytetarë shqiptarë, kanë kaluar ilegalisht kufirin për në Jugosllavi dhe kanë kërkuar strehim politik. Ata deklaruan se e kanë braktisur Atdheun, për arsye të terrorit dhe të kushteve të vështira të jetesës”!
Ndërsa gazeta “Industriekurier”, dt. 24/10/’63, në lidhje me këtë, ndër të tjera shkruan: “….Në një masë që vjen duke u rritur, tentojnë oficerët, intelektualët dhe pjesëtarët e ndërmarrjeve shtetërore (të mineralit të kromit, bakrit, qymyrit dhe të vajit) që të kalojnë kufirin për në Jugosllavi…..”! Memorie.al
MINISTRI FUQIPLOTË
(Gaqo Nesho)
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016