Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërt
Memorie.al publikon disa dokumente të panjohura të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi I ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që përkasin një dosje voluminoze me siglën “Tepër secret”, ku ndodhet një korrespodencë në mes krerëve më të lartë të regjimit komunist të asaj kohe, si: Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, Hekuran Isai, etj, të cilët me anë të relacioneve të ndryshme dhe raport-informacioneve të përpiluara prej tyre, i bëjnë me dije udhëheqjes së lartë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me situatën e vështirë politike dhe ekonomike që po kalonte vendi ynë, para dhe pas prishjes së marrëdhënieve politike, ekonomike dhe ushtarake me Republikën Popullore të Kinës. Korespondenca e plotë në mes drejtuesve kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komiteteve të Partisë dhe atyre Ekzekutive të rretheve, si dhe Degëve të Punëve të Brendshme në qytete të ndryshme, për bisedat e komentet pozitive dhe ato negative që bëheshin nga njerëz të ndryshëm, si intelektualë, punëtorë, ushtarakë dhe fshatarësia kooperativiste, si dhe nga “elementët e deklasuar dhe armiq”, lidhur me situatën në të cilën ndodhej vendi pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare të Shqipërisë, me Republikën Popullore të Kinës dhe çdo të ndodhte pas kësaj me vendin e vogël komunist të Ballkanit, që propagandonte se ‘do të ndërtonte socializmin, vetëm me forcat e veta’?!
Në fillimin e vitit 1978, si rezultat i përkeqësimit të marrëdhënieve zyrtare të Shqipërisë komuniste me Republikën Popullore të Kinës, gjë e cila kishte filluar të merrte të çarën e parë që nga fillimi i viteve ’70-të kur Kina Popullore e Mao Ce Dunit me anët të “politikës së ping-pongut” filloj të afrohej me SHBA-ve dhe priti në Pekin sekretarin e Departamentit të Shtetit, Henry Kissinger dhe më pas Presidentin Nikson, duket se Tirana zyrtare “vuri alarmin”. Veç të tjerash, kjo gjë duket qartë edhe nga një numër i madh dokumentesh zyrtare të asaj kohe, ku ndodhen korrespondencat “Tepër secrete” të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ministrisë se Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Jashtme, si dhe Komiteteve të Partive e atyre Ekzekutive në rrethe dhe Degëve të Punëve të Brendshme, në të cilat pasqyrohet qartë jo vetëm qëndrimi zyrtar i udhëheqjes së lartë të PPSH-së me në krye Enver Hoxhën, por në përgjithësi edhe ai i shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare, (intelektualë, punëtorë, fshatarësia kooperativiste, ushtarakë, nxënësit e shkollave dhe studentët, komunistë, “elementë të deklasuar dhe armiq”, etj.), ndaj Partisë Komuniste të Kinës dhe qeverisë kineze, lidhur me ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve politike, ekonomike, dhe ushtarake prej saj në 28 korrikun e vitit 1978.
Kështu, ish-aleati më i afërt i Tiranës zyrtare që nga fillimi i viteve ‘60-të, Kina komuniste e Mao Ce Dunit, befas do të shndërrohej në armikun më të madh ideologjik të saj, pas SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Kjo gjë duket qartë nëpër rreshtat e këtyre dokumenteve që mbajnë siglën “Tepër sekret”, ku vërehet frika e madhe dhe paranoja e thellë që ka mbërthyer regjimin komunist dhe krerët më të lartë të udhëheqjes së saj, që nga: Enver Hoxha, Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, Hekuran Isai, etj., e deri poshtë në bazën e atij pushteti me zyrtarët e pushtetit lokal, të cilët e trasmetonin atë ankth e pasiguri, tek njerëzit e thjeshtë, nxënësit e shkollave, punëtorët, e deri tek fshatarësia kooperativiste.
Këto dokumente që shohin për herë të parë dritën e botimit nga Memorie.al, janë një pasqyrë e qartë e gjendjes dhe e situatës së nderë në të cilën ndodhej asokohe regjimi komunist dhe Tirana zyrtare, sidomos pas “Letrës së hapur”, drejtuar udhëheqjes kineze, që akuzonte atë për “tradhti të lartë ndaj kursit dhe vijës së marksizëm-leninizmit”. Në kontekst të zhvillimit të ngjarjeve, ku udhëheqja e lartë e regjimit komunist, e ngritur e gjitha në një alarm, ka mobilizuar të gjithë makinerinë shtetërore dhe strukturat e saj, me në krye Sigurimin e Shtetit, për ta mbajtur situatën nën kontroll të plotë. Dhe kryesisht duke survejuar kundërshtarë politik të saj, të cilat i konsideronte si ”element të deklasuar dhe armiq të klasës”, gjë e cila zë një vend kryesor në këto raport-informacione, ku organet e Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu dhe zëvëndsave të tij, si Feçor Shehu, Rexhep Kolli etj., informojnë me detaje udhëheqjen e lartë, kryesisht, Hysni Kapon, (anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i K.Q. të PPSH-së, që mbulonte organet e ‘Diktaturës së proletariatit’) për gjithçka që fliste dhe komentonte “armiku i klasës”, në çdo rreth të vendit, si dhe komentet pozitive që bëheshin edhe prej tyre.
Kjo gjë dhe të tjera, duken më së miri në këto dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret”, ku ish ”vëllezërit kinezë”, që asokohe punonin në Shqipëri, si kuadro dhe specialist në vepra të ndryshme industriale nga Jugu në Veri të vendit, si: Kombinati Metalurgjik në Elbasan, Uzina e Ferro-kromit në Burrel, Fabrika e Letrës në Lezhë, Baza Ushtarake e Pashalimanit, Uzina e Tankeve dhe Artilerisë në Shish-Tufinë, Uzina e Municioneve Luftarake në Mjekës të Elbasanit, Uzina e Prodhimit të Armëve në Poliçan, etj., tashmë janë kthyer në “agjent, sabotatorë e komplotist” dhe përgjohen kudo dhe në çdo hap të tyre. Paisjet, armatimet dhe gjithë teknologjia ushtarake, duke filluar nga tanket, avionët, nëndetëset, silurat, artileria e rëndë, etj., me të cilat Republika Popullore e Kinës prej vitesh kishte furnizuar falas Shqipërinë komuniste, tashmë rezultonin “me defekti të rënda” dhe të sabotuara nga “revizionistët kinezë”.
Një gjë e tillë, pra ajo “tablo sinoptike” që po kalonte regjimi komunist para dhe pas prishjes me Kinën, identik, ishte parë disa herë ndër vite, kur Tirana zyrtare me në krye Enver Hoxhën, vendoste të shkëpuste marrëdhëniet me shtetet që deri në momentin e fundit i kishte pasur “aleatet” më të ngushta të saj, si Anglo-amerikanët, Jugosllavia e Titos e Bashkimi Sovjetik i Stalinit dhe atyre që e pasuan atë, si Hurshovi, Brezhnjevi, etj.
Seria e “miqve-armiq”, nisi me misionet anglo-amerikane, të cilat derisa u dëbuan nga vendi në nëntor të vitit 1946, ishin “çlirimtarë dhe kontribues të vërtetë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, ndërsa më pas u kthyen në vendet dhe shtetet më të urryera dhe më të padëshiruara për komunistët shqiptarë. E njëjta gjë do të ndodhte me jugosllavët, të cilët kur u dëbuan nga Shqipëria në vitin 1948-‘49, u konsideruan “revizionistë dhe agjentë të Perëndimit”. Për të vijuar më pas me “vëllezërit sovjetikë të baba Stalinit”, aleatin më të ngushtë të Shqipërisë komuniste të cilët pas vitit 1961, u konsideruan nga Tirana zyrtare, si “revizionistët më të rrezikshëm që kishte njohur bota deri në atë kohë”. Dhe kjo gjë, do të përsëritej identik edhe me kinezët, gjë e cila u bë publike zyrtarisht, atë fund-korriku të nxehtë të vitit 1978, kur pas “Letrës së Hapur” të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Këshillit të Ministrave të Republika Popullore të Shqipërisë, dërguar qeverisë kineze dhe Partisë Komuniste të Kinës, Kina tërhoqi nga Shqipëria të gjithë specialistët e saj, civilë dhe ushtarakë?!
Relacion i sekretarit të Komitetit të Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes Popullor, Ali Vukatana, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapo, për punën dhe sjelljet e kinezëve në bazën e Pashalimanit në Vlorë
Shoku Hysni
Sekret
Në bazë të porosive që ka dhënë Komiteti i Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, për qëndrimin e kujdesshëm ndaj specialistëve kinezë, Byroja e Partisë e Detashmentit të Palermos, po evidenton me kujdes qëndrimet dhe veprimtarinë e tyre.
Nga informacionet që na kanë dërguar dhe nga takimet që kemi pasur me drejtuesit e Detashmentit, ngrenë disa probleme për specialistët kinezë që janë në këtë objekt.
Specialistët kinezë nuk janë të lidhur me punën që bëhet në këtë objekt, më parë ata dilnin rreth orës nëntë në punë, kohët e fundit dalin në interval 2-3 ditë një here, ku qëndrojnë rreth 20-30 minuta dhe kthehen në vendin e pushimit.
Kohët e fundit që kanë pasur festën e pranverës, datë 7.II. deri më 15.II.1978, nuk kanë dalë fare nga dhomat e tyre, biles dhe ushqimin e kanë ngrënë nëpër dhoma, sidomos darkat, duke pretenduar se në Kinë festa e pranverës është pesë ditë dhe fshatarët e festojnë 15 ditë.
Nga ana e tyre nuk ka fare preokupacion për objektin që po ndërtohet, por i shqetëson më shumë puna që po bëhet, jo në përputhje me projektin dhe parashikimet e tyre.
Specialistët kinezë në këtë objekt kanë hyrë në bisedime me ushtarë dhe kuadro dhe kanë bërë pyetje të ndryshme. Kështu p.sh., më datën 14.2.1978 përkthyesi kinez Li, i bëri këto pyetje shoqes K. Fejzo, që shërben në mencën e kinezëve:
-Si bëhet dhënia llogari dhe zgjedhjet në parti këtu tek juve?
Shoqja K. F., ju përgjegj se: çdo komunist këtu tek ne jep llogari para organizatës bazë të Partisë dhe përpara masës, se si ka punuar për zbërthimin dhe zbatimin e direktivave të Partisë, se si punon dhe lufton në praktikë, si e zhvillon luftën e klasave në të gjitha drejtimet, si e bën luftën kundër imperializmit dhe revizionizmit.
-Po kërkesën për t’u zgjedhur në udhëheqje si sekretar, kush e aprovon?
Tek ne, i përgjigjet shoqja K. F., nuk bën njeri kërkesë për t’u zgjedhur, por komunistët vlerësojnë punën e secilit, aftësitë dhe e propozojnë për t’u zgjedhur sekretar organizate.
-Kërkesën për t’u zgjedhur në Byro, kush e bën dhe Byroja dhe sekretari si japin llogari? Për këtë pyetje ju dha e njëjta përgjigje, si dhe për sekretarin e organizatës bazë së partisë.
Ay bëri pyetje se si bëhet votimi me vota të fshehta apo me ngritje dore? Në përgjigjen e kësaj pyetje, ajo i tha se: “Ne votojmë për ata shokë që meritojnë të jenë në udhëheqjen e masave, zgjedhjet dhe votimi bëhen sipas statutit të PPSH-së dhe jo me gisht, siç e thua ti”.
-Përkthyesi kinez, Li, pyeti dhe për procedurën e provimeve nëpër shkolla. Për këtë pyetje, ju tha se tek ne, provimet bëhen në bazë të urdhëresave e rregulloreve që nxjerr Ministria e Arsimit dhe ju shpjegua proçedura e një provimi.
-Më datën 15.2.1978, po ky përkthyes, hynë në bisedim me dy ushtarë dhe një oficer dhe ju bëri atyre disa pyetje si:
Në ç’moshë ngrihen ushtarët? Sa vjet qëndrojnë në ushtri? Se në repart janë të gjithë ushtarë të rinj, apo ka dhe të vjetër? E mbaruat stërvitjen apo jo?
Kuadri oficer, Q. Skuqi, dhe ushtarët B. Jaupi dhe E. Selishta, që muarrën pjesë në këtë bisedë, ju përgjigjën se: jemi të moshës 19 vjeç, se në ushtri qëndrojnë 2-3 vjet dhe sa të ketë nevojë atdheu, se në reparte kanë ushtarë të rinj dhe të vjetër dhe se vazhdojnë punën dhe stërvitjen.
Mbasi ju dhanë përgjigjet, sepse ai pyeti disa herë, u largua i mërzitur.
Në fund të muajit janar, shokët e Komandës së Detashmentit, muarrën takim me specialistët kinezë mbi përfundimin e një objekti që është i lidhur me montimin që do bëjnë vetë kinezët sipas marrëveshjes dhe u ngritën si problem: të paisjes me aparatura të objektit, që ata të verifikojnë zbatimin e projektit kinez për këtë objekt dhe problemet e cilësisë së zbatimit në objekt.
Zëvëndëspërgjegjsi i grupit (mbasi përgjegjsi ka gjashtë muaj që është larguar gjoja me leje të zakonshme,) tha se do të plotësojnë patjetër detyrimet, si për dërgimin e paisjeve ashtu dhe të specialistëve. Më vonë kinezët thanë se këto kërkesa, bëjani ambasadës sonë me anë të Ministrisë.
Gjithashtu theksojmë se kohët e fundit, kinezët që po punojnë në Porto- Palermo, kanë filluar të lëvizin jashtë territorit të repartit pa mjete dhe të pashoqëruar. Kohët e fundit është vërejtur se kanë blerë sasira të mëdha varse rrobash (siç thotë shoferi i tyre mbi 100 copë) legenë kauçuku dhe sende të tjera, të cilat mendojnë se mund t’i përdorin për tregti.
Me vendosjen e përforcuesit në këtë zonë, antenat e televizorëve i kanë drejtuar nga Italia dhe Greqia. Midis tyre ka pasur dhe grindje dhe këto kohët e fundit kanë bërë kërkesa për shumë lloje ushqimesh….?! Ka pasur dhe raste kur në kuzhinën e tyre, kanë vjedhur dhe çokollata e gjëra të tjera ushqimore.
Për këto veprime dhe qëndrime të specialistëve kinezë, nga ana e Komitetit të Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, u janë dhënë porosi shokëve të të Detashmentit, që të jenë të kujdesshëm me shokët kinezë, të ndjekin me vigjëlencë veprimet e tyre dhe t’u jepen përgjigje në bazë të porosive të dhëna.
Për sa u përket punimeve në objekt, nga ana jonë janë porositur drejtorët përkatës të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, për të marrë masa për vazhdimin e mëtejshëm të punimeve, të cilët herë pas here kanë dërguar grupe studimi dhe punimet po vazhdojnë sipas varianteve tona.
20. 2.1978
Ali Vukatana
Relacioni i sekretarit të Komitetit të Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes, Ali Vukatana, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapo, për situatën me kinezët në Pashaliman
Shokut Ramiz për shokun Gafur
Të mendojmë për ndarjen e punës ashtu t’i thuhet të ndjekin me kujdes porositë e dhëna. Të jenë vigjëlentë…! Ju tha Aliut
14. IV.1978 Hysni Kapo
Në objektin e Porto-Palermos, siç ju kemi informuar dhe më parë, specialistët kinezë nuk dalin në punë. Si për të gjitha problemet e tjera që dalin për fortifikimin e këtij objekti, midis nesh dhe specialistëve kinezë janë lidhur marrëveshje dhe është bërë program edhe për stërvitjen e polumbarve.
Mbi këto baza, oficeri F. Hanxhari, me urdhër të Komandës së Detashmentit, me datën 14.III.1978, u takua me specialistët kinezë dhe u tha atyre që të fillonin stërvitjen për zhytjen e polumbarve.
Specialistët kinezë i thanë atij se: neve kemi bërë një program vitin e kaluar, pse nuk u zbatua ai? Nga ana e shokut tonë që mori takim me ta, ju tha se ky plan është shtyrë, sepse edhe punimet nuk janë zhvilluar sipas planit të objektit.
Në këtë kohë, kinezi pyeti se kush është fajtor për këtë? Shoku F. Hanxhari ju përgjigj se: ju jeni vetë dëshmitar të zhvillimit të ngjarjeve në objekt, por unë kam ardhur që t’ju pyes: do fillojmë stërvitjen bashkarisht më zhytësit apo jo?
Më datën 31.III.1978, ju kërkua përsëri takim nga shokët tanë dhe mbasi i vumë në dijeni specialistët kinezë se pjesët teknike dhe bazën materiale të teknikës së zhytjes e kishin bërë gati dhe se prisnin ndihmën e specialistit kinez që kishte ardhur për këtë qëllim, ata ndryshuan bisedën dhe pyetën shokun tonë nëse dinte gjuhën angleze, po radiot e huaja në gjuhën angleze i dëgjoni?
Shoku F. Hanxhari ju përgjigj se: unë nuk e di gjuhën angleze dhe dëgjoj vetëm Radio-Tiranën dhe duke insistuar në çështjen e stërvitjes së zhytjes, i tha përsëri se: si do të bëjmë për stërvitjen e polumbarve?!
Ata thanë se: vazhdoni sipas planit dhe ju urojmë suksese në stërvitje.
Komandanti i Detashmentit i ka marrë masat dhe ka filluar punën për stërvitjen e zhytjes. Theksojmë se specialistët kinezë jo vetëm nuk dalin në punë e nuk ndihmojnë në objekt, por në takimet që marrin me kuadrot dhe ushtarët, bëjnë pyetje të ndryshme, për të cilat kemi informuar më parë. /Memorie.al
Tiranë, me 13.4.1978
Ali Vukatana
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016