Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente “sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë , të cilat i përkasin vitit 1972, në raport-informacionin e hartuar nga ambasadori shqiptar në Romë, Piro Koçi, dërguar ministrit të Punëve të Jashtme në Tiranë, Nesti Nase, ku ai i bën me dije eprorit të tij, lidhur me takimet e shpeshta të gazetarit Michele Rubin, me diplomatin shqiptar të asaj përfaqësie, Faikun, i cili në mes të tjerash, i kishte treguar se elementë të CIA-s amerikane, duke e ditur se ai ishte një mik i ambasadës shqiptare, janë përpjekur që ta korruptonin atë, me shumë të mëdha monetare, që ta infiltronin në çështje të Shqipërisë. Raport-informacioni i ambasadorit shqiptar nga Roma për ministrin Nesti Nase, ku në mes të tjerash, thuhet: “Të shtunën, datë 5 gusht, ora 6 e pasdites, gazetari Michele Rubini, i bëri Faikut një vizitë në ambasadë. Ndër të tjera, ai i tha si vijon: “Elementë të CIA-s amerikane, me qendër në Itali, kanë marrë kohët e fundit, takim me të dhe janë përpjekur ta korruptojnë me anë të të hollave, la të kuptojë se edhe me presion, në mënyrë që ky të pranonte, që në ndonjë takim me Faikun, të zhvillonte ndonjë bisedë provokative dhe ta incizonte, për ta pasur si material komprometues për këshilltarin e ambasadës. Lidhur me këto dhe të tjera na njeh dokumenti në fjalë, që Memorie.al e publikon në këtë shkrim me faksimilet përkatëse.
Raport-informacioni i hartuar nga ambasadori shqiptar në Romë, Piro Koçi, dërguar ministrit të Punëve të Jashtme Nesti Nase në Tiranë, për takimet e gazetarit rumun Michele Rubin, me diplomatin e ambasadës tonë, lidhur takimet e bisedat e tij me agjentëve të CIA-s amerikane
AMBASADA E REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË
Romë, 7 gusht 1972
MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME
(Shokut Nesti Nase)
Të shtunën, datë 5 gusht, ora 6 e pasdites, gazetari Michele Rubini, i bëri Faikut një vizitë në ambasadë. Ndër të tjera, ai i tha si vijon:
Elementë të CIA-s amerikane, me qendër në Itali, kanë marrë kohët e fundit takim me të dhe janë përpjekur ta korruptojnë me anë të të hollave, la të kuptojë se edhe me presion, në mënyrë që ky të pranonte, që në ndonjë takim me Faikun, të zhvillonte ndonjë bisedë provokative dhe ta incizonte, për ta pasur si material komprometuese për këshilltarin e ambasadës.
Ata, si mbas tij, i kanë thënë se: janë në dijeni të takimeve të tij me Faikun, por që siç tha Rubini, kanë nevojë që “t’i japin një goditje, këshilltarit të ambasadës shqiptare”. Rubini tha se, nuk e pranoi një shërbim të tillë dhe i dëboi ata, duke thënë se, marrëdhëniet e tij me Faikun, janë marrëdhënie të shëndosha dhe miqësore, që nuk kanë të bëjnë me gjëra që mund të justifikojnë provokime të tilla.
Rubini gjatë bisedës me Faikun, tha se, priste që e ky ta falënderonte atë për këtë sinjalizim. Faiku me takt, i kujtoi Rubinit se ishin njohur bashkë në një pritje në ambasadën rumune këtu, dy vjet më parë dhe se Rubini është treguar i interesuar për t’u njohur me probleme të vendit t’onë, se kishte ardhur në ambasadë, për të marrë materiale mbi Shqipërinë, se ai e kishte ftuar Faikun për drekë në restorant dhe se Faiku i është përgjigjur, se Rubini kishte thënë se do të përpiqej për të shkruar artikuj pozitiv mbi vendin tonë në shtypin Italian dhe bile, kishte shfaqur dëshirë që të vizitonte vendin tonë me qëllim që, të shkruante akoma më mirë.
Faiku i kujtoi, se ai është i interesuar, në raste të veçanta, për t’u njohur me qëndrimin e vendit tonë për probleme të ndryshme ndërkombëtare, kështu që, në takimet e bisedimet, nuk ka pasur asnjëherë gjëra që të shqetësonte njeri, dhe se këto marrëdhënie, të krijuara me iniciativën e Rubinit, kanë qenë pa asnjë detyrim ndaj njeri tjetrit dhe se bisedimet kanë qenë kurdoherë korrekte dhe normale.
Kështu që, i tha Faiku, nuk shihte ndonjë arsye për t’a falënderuar për këtë “sinjalizim”, për deri sa në marrëdhëniet e tyre, nuk ka pasur gjëra që nuk venë.
Rubini përsëriti karakterin krejt normal dhe të rregullt të takimeve të tij me Faikun dhe shtoi se CIA amerikane nuk heq dorë nga “goditjet” kundër këshilltarit të ambasadës shqiptare. Ai tha se CIA, vepron edhe ndërmjet Shoqatës së Miqësisë Itali-Shqipëri dhe nëpërmjet grupeve marksiste-leniniste, ose që e heqin veten si të tillë, kështu që sinjalizimi i tij, duhet kuptuar me një kuadër më të gjerë dhe si një synim i caktuar.
Faiku i foli shkurt për karakterin e Shoqatës, si një qendër e miqve italianë të Shqipërisë dhe i tha se ambasada, nuk ka të bëjë me marksistë-leninistët e tjerë, se në ambasadë mund të vijë çdo qytetar Italian, për të kërkuar ndonjë material mbi Shqipërinë, kurse neve si ambasadë, nuk na interesojnë pikëpamjet e tija politike ose ideologjike, sepse neve jemi përfaqësi shtetërore dhe kryejmë detyrat tonë në përputhje me parimet që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Rubini u përgjigj se CIA, si në Itali ashtu dhe në vende të tjera, vepron në mënyrë të pavarur nga marrëdhëniet shtetërore midis vendeve, kështu që ajo, d.m.th., CIA, ka futur, ose do të depërtojë me njerëzit e saj, si elementë provokatorë, qoftë në Shoqatë, ashtu edhe në grupet marksiste-leniniste, ose që e heqin veten si të tillë. Ai përsëriti, që synimi është gjithnjë goditja ndaj Faikut.
Gjatë bisedës, Faiku i tha Rubinit, se ai është një mik i ambasadës, pra i Shqipërisë, se ne do ta ftojmë, ashtu si dhe deri tani, edhe në të ardhmen, në shfaqje filmash në ambasadë dhe në pritje të ndryshme që mund të kemi, dhe i përket atij, ashtu siç ka thënë më parë, për të bërë përpjekje për të shkruar artikuj pozitivë mbi vendin tonë në shtypin italian, sepse kjo i shërben mirëkuptimit ndërmjet dy popujve dhe dy vendeve. Ai tha se, do të interesohet për të shkruar. Me këtë dhe u mbyll bisedimi.
Kush është Michel Rubini? Është rreth 30-32 vjeç. Me profesion gazetar. Punon si korrespondent i gazetës rumune FLACARA. Një pjesë të kohës e kalon në ambasadën rumune këtu, ku është njohur dhe me Faikun në një pritje dy vjet më parë. Nuk është i martuar dhe si mbas tij nuk bën pjesë në parti të ndryshme politike. Gjithnjë ka folur si i majtë, d.m.th., kundër imperializmit amerikan, kundër kapitalizmit dhe Vatikanit. Ka folur edhe kundër revizionizmit sovjetik dhe atij italian.
Ka thënë se në materialet tona ideologjike, ka gjetur kurdoherë analizë shkencore të gjendjes ndërkombëtare, gjë që e ka ndihmuar edhe atë si gazetar, për të kuptuar më drejtë dhe më thellë problemet, siç është Lindja e Mesme, Mesdheu, bashkëpunimi sovjeto-amerikan, etj.
Gjatë takimeve me Faikun, nuk ka bërë pyetje, qoftë dhe indirekt me karakter provokativ. Ka qenë korrekt. Që vitin e kaluar, ka shfaqur dëshirën për të vizituar vendin tonë, me qëllim që të shkruante artikuj pozitiv në shtypin italian. Disa muaj më parë; ka thënë se në bazë të materialeve tona të studiuara prej tij, ka nxjerrë çështje të cilat do t’i trajtojë në artikujt që mendon të botojë në organe të ndryshme të shtypit italian.
Takimet me të kanë qenë normale, për arsye se ai shkon në pritje të ndryshme në përfaqësi diplomatike, si dhe në aktivitete të ndryshme të shoqatës së miqësisë, Faiku është takuar me të edhe në këto raste dhe siç ndodh, në raste të caktuara, në këto pritje, gjatë bisedave me të, kanë qenë edhe gazetarë ose diplomatë të tjerë, kështu që bisedat kanë qenë krejt të zakonshme dhe normale. Disa herë ka kërkuar që ai të vijë vetë në ambasadë dhe është pritur nga Faiku
Rubini nuk është shumë i pjekur dhe konfuz në mendime. Është vështirë të jepen konkluzione të përcaktuara lidhur me ato që tha Michele Rubini. Ne megjithatë kemi këto mendime:
1 – Ka mundësi që elementë të CIA-s, t’i jenë afruar atij, ashtu siç thotë ai. Kjo për arsye se siç dihet, organet e Kundërzbulimit të Europës Perëndimore në bashkëpunim me CIA-n amerikane, punojnë në drejtim të forcave të majta “ekstra-parlamentare”, si në Itali, Francë, etj.
Kjo çështje, siç ju kemi vënë në dijeni, është biseduar dhe ndërmjet udhëheqësve italianë dhe Rogersit, gjatë vizitës së këtij të fundit, muajin e kaluar në Romë. CIA, bashkëpunon me Shërbimin Sekret Italian dhe me atë grek, për asgjësimin e forcave dhe grupimeve të majta, duke futur në radhët e tyre elementë provokatorë.
Michele Rubini, jo rastësisht përmend në këtë takim Faikun, Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Itali, si dhe partitë marksiste-leniniste që, e quajnë veten të tilla. Marrëdhëniet e ambasadës me shoqatën, janë korrekte dhe normale. Dihet gjithashtu se, në ambasadë vijnë Fosco Dinnuci, Livio Risaliti, Carmelo Fragomeni, Angelo Grazzi, dhe udhëheqës të tjerë të Partisë Komuniste Italiane.
Vijnë gjithashtu dhe ata të “Servile il Popolo”. Ajo që bie në sy përsa i përket Shoqatës, nuk është vetëm aktiviteti i saj propagandistik për Shqipërinë, dhe fakti se aty takohen herë pas here udhëheqës të Partisë Komuniste Italiane, si dhe militantë të tjerë të kësaj partie, jashtë aktiviteteve masive që zhvillohen nga ana e shoqatës.
Për mendimin tonë, është një presion që na bëhet nëpërmjet Michele Rubinit që, të kemi parasysh lidhjet tona me Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Itali, ose dhe forcat marksiste-leniniste, që e heqin veten si të tilla.
Është e vështirë të thuhet lidhur me këtë, nëse Rubini ka mbajtur realisht qëndrimin që thotë ndaj elementëve të CIA-s që i janë afruar apo, kërkon të bëjë lojë të dyfishtë para nesh, duke u hequr si njeri që po na ndihmon me këtë sinjalizim por, që është i ngarkuar që të kryejë pikërisht këtë detyrë.
2 – Nuk përjashtohet mundësia që Rubini nën maskën e CIA-s, kërkon që pikërisht të mbulojë autoritetet italiane dhe konkretisht Shërbimin Sekret Italian, që mund ta kenë futur që të na bëjë neve këtë sinjalizim. Dihet se Faiku, ka qenë punonjës i Sektorit të Jashtëm të Komitetit Qendror dhe është marrë me problemet e lëvizjes marksiste-leniniste.
Njëkohësisht ai, takohet këtu me anëtarë të Partisë Komuniste Italiane dhe militantë marksistë-leninistë. Pavarësisht se ai, vetëm i dëgjon ata dhe asnjëherë nuk shfaq mendime apo konsiderata, për problemet që ngrenë ata. Dihet se ai, i mban këto lidhje prej kohësh. Përse pikërisht tani, ky sinjalizim nga ana e Rubinit?!
Mos ndoshta fakti që titullari, që dihet se ka qenë Zv/Drejtor i Drejtorisë së Jashtme të Komitetit Qendror, është marrë nga Shërbimi Sekret Italian si një forcim i mëtejshëm i marrëdhënieve tona si ambasadë, me forcat marksiste-leniniste?!
Kështu që lë të kuptohet se ambasada, duhet të ketë kujdes në marrëdhëniet e saj me këto forca, sidomos që tani qeveria e Giulio Andreottit nga njëra anë, dhe Shërbimi Sekret Italian në bashkëpunim me amerikanët nga ana tjetër, po hartojnë masa drastike kundër këtyre grupimeve të majta, duke futur në radhët e tyre, elementë provokatorë si dhe duke goditur udhëheqësit e tyre.
- Michele Rubini, ka lidhje të afërta me punonjësit e ambasadës rumune, dhe nuk përjashtohet mundësia dhe me ata të ambasadës sovjetike, për shkak të lidhjeve të ngushta midis Rumanisë dhe Bashkimit Sovjetik. Revizionistët sovjetikë, po aq sa revizionistët italianë, i shqetëson fakti se autoriteti i Partisë sonë, është rritur shumë si në çdo vend tjetër, ashtu edhe në Itali.
Ekziston mundësia që nëpërmjet Rubinit sovjetikët, të na bëjnë presione psikologjike ndaj nesh me qëllim që ne, të heqim dorë ose të kufizojmë punën tonë, për shpërndarjen e materialeve ideologjike dhe propagandistike, qoftë nëpërmjet Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Itali, qoftë nëpërmjet Partisë Komuniste Italiane, në adresë të të cilave ne i dërgojmë drejtë për së drejti këto materiale. Kjo, do të ishte një heqje dorë ndaj luftës kundër revizionizmit sovjetik dhe atij italian.
- Ka mundësi që këtë sinjalizim, e sajon vetë Michele Rubini, me qëllim që të fitojë besimin tonë dhe që ky të vizitojë Shqipërinë. Ai, e ka kërkuar një gjë të tillë por ne, nuk ja kemi aprovuar. Ne, nuk i kemi thënë gjë për propozimin tonë, dhe as për përgjigjen e qendrës. Por i kemi lënë të kuptojë se edhe pa shkuar në Shqipëri, mund të shkruajë artikuj për të parë kështu edhe mundësitë e tij në këtë drejtim.
Këto janë variantet e mundshme. Dhe lidhur me këtë ne, do të marrim këto masa:
1 – Të rishikojmë njohjet tona dhe të rrisim vigjilencën tonë politike në marrëdhëniet me ta, duke seleksionuar gradualisht dhe me takt, personat që mendohet se nuk përbëjnë një garanci të shëndoshë për punën tonë, duke i studiuar ata në tërësi, p.sh., si nga rrethi i tyre shoqëror, ashtu edhe nga pikëpamjet e tyre politike personale.
2 – Me Rubinin, të mos i shkëpusim marrëdhëniet në mënyrë të menjëhershme, por ta bëjmë këtë gradualisht. Nëse ai kërkon që të vijë në ambasadës, ta pranojmë por vetë ne, të mos e ftojmë nëpër evenimente të ndryshme. Në takimet me të, ose në pritjet që organizon ambasada, të jemi të kujdesshëm. Të mos i japim që të kuptojë se ne dyshojmë për të, por se ne e vlerësojmë për sinjalizimin që na bëri.
3 – Të bisedojmë me Fosco Dinnucin, në mënyrë që të heqim dorë nga praktika e drekave e darkave me të, kur vjen në Romë, në kuadër të vigjilencës, por pa hyrë në konkretizime. Ai, të caktojë një person që të mbajë lidhje me ne në ambasadë.
4 – Në takime me të njohur vendas, do të trajtojmë kryesisht probleme të gjendjes ndërkombëtare. Problemet e brendshme këtu, t’i trajtojmë me shumë takt dhe kujdes. Këto të fundit, t’i ndjekim nëpërmjet shtypit dhe në takime me diplomatë të vendeve të tjera. /Memorie.al
Ambasadori
(Pirro Koçi)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016