Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dy dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi 14. Aparati i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) të cilat mbajnë siglën “Tepër sekret” dhe u përkasin datave 4 janar dhe 7 shkurt të vitit 1966, ku Ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Kadri Hazbiu, me anë të një relacioni, informon sekretarin e parë të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe njëkohësisht Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë, Enver Hoxhën, lidhur me shkurtimet që ishin planifikuar të bëheshin në organikën e kuadrit të efektivave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku u nxorën në lirim, 1915 ushtarakë, të cilët deri në atë kohë, kishin shërbyer në atë dikaster. Detajet e raportit të ministrit Kadri Hazbiu, që nga ristrukturimi i dikasterit që ai drejtonte në bazë të drejtorive përkatëse, ku më delikatet ishin ato të Zbulimit Politik me jashtë, si dhe ato të Kundërzbulimit, (Drejtoria e Sigurimi të Shtetit), nga do vareshin ato pas kësaj, e deri tek sistemimi me punë i të gjithë efektivave që u nxorën në lirim.
“Shkurtimet arrijnë në tërësi 1915 veta, në të gjitha organet dhe repartet. Nga këta 850 oficerë, 652 nënoficerë e policë, 118 civilë dhe të tjerët ushtarë. Shifra 1915 përfaqëson 16% të efektivit, kurse 870 oficerët që shkurtohen, 25.5 % mbi limitin organik dhe 24.5 % mbi efektivin oficer (kjo shpjegohet se me urdhër të veçantë, mbajmë mbi limitin 100 e ca oficerë, që janë në dispozicion). Nga të shkurtuarit prej 1915 veta, mund të konsiderohen të ikur deri më datën 5/2/1966, 555 vetë ose 29 % e tyre. Përveç 115 kursantëve, që kaluan Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, gjithë të tjerët kanë shkuar në prodhim dhe një pjesë e mirë në kooperativat bujqësore (në fshat e ferma. Vërehet një rezistencë e fortë sidomos për në fshat. Pengesë e madhe, bëhen gratë dhe të afërmit e kuadrove, të cilët bëjnë vazhdimisht presione negative”.
Kështu thuhet ndërmjet të tjerash në dy dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi 14, i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhen dy relacione të cilat mbajnë siglën “Tepër sekret” dhe u përkasin datave 4 janar dhe 7 shkurt të vitit 1966, ku Ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Kadri Hazbiu, informon sekretarin e parë të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe njëkohësisht Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë, Enver Hoxhën, lidhur me shkurtimet që ishin planifikuar të bëheshin në organikën e kuadrit të efektivave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku u nxorën në lirim, 1915 ushtarakë, të cilët deri në atë kohë kishin shërbyer në atë dikaster.
Raporti “Tepër sekret”, i Ministrit të Brendshëm, gjeneral-leitnant, Kadri Hazbiu
Tepër sekret
Tiranë, më 4 Janar 1966
MBI DISLOKIMIN E NJË NUMRI KUADROSH TE ZBULIMIT NE MINISTRINË E PUNËVE TE JASHTME
- Për drejtimin të gjithë punës agjenturiale-operative të zbulimit që zhvillohet nëpërmjet rezidenturave pranë përfaqësive tona diplomatike, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme, të dislokohen një numër kuadrosh të Zbulimit, me në krye një kuadër të lartë, të emëruar në rang zv/Ministri të Punëve të Jashtme.
- Zv/Ministri i Punëve të Jashtme, që drejton edhe punën e Zbulimit, ka lidhje të dyfishta me Ministrinë e Punëve të Brendshme, për detyrat që janë në kompetencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
- Kuadri i Zbulimit, sipas nevojave vendoset në sektorë të ndryshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe kryen detyra të zbulimit e të kompetencës së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe përgjigjet përkatësisht për të dy sektorët.
- Numri i kuadrit të Zbulimit që do të vendoset në Ministrinë e Punëve të Jashtme, është 20 vetë. Meqenëse se kuadri dhe detyrat zgjerohen, del e nevojshme që në strukturat e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të bëhet ndonjë ndryshim.
- Për qarkullimin e kuadrit dhe për të ruajtur profilin e punës, del e nevojshme që në organikat e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të krijohet një rezervë.
- Politikën e kuadrit si brenda ashtu dhe jashtë, e bën Ministria e Punëve të Jashtme. Në rast se kur del nevoja që kuadrit të Zbulimit t’i ndryshohet profili i punës së tyre, vendimi përkatës merret në bazë të një marrëveshjeje të dy ministrive.
- Trajtimi ekonomik i kuadrove të Zbulimit, do të jetë sipas funksioneve që kryejnë, i njëjtë si për të gjithë kuadrot e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
P.sh. Në këto struktura të kryhen edhe shërbimet e zbulimit të Ushtrisë, duke futur një ose disa kuadro të këtij profili.
Me propozimet e mësipërme, janë dakord shoku Beqir, shoku Behar dhe unë.
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
GJENERAL-LEITNANT
KADRI HAZBIU
Shënimi i Enverit: “Unë jam dakord me këto gjëra, të bisedojmë me shokët dhe të vendosim”
Shoku Hysni, unë jam dakord me këtë gjëra, mund të bëj një bisedë të shkurtër me Kadriun, Mehmetin, Beqirin dhe Ritën dhe të vendoset e të raportohet sa më parë.
Enver
U bisedua me Beqirin, Ritën, Kadriun, Hysniun, Beqiri ka biseduar dhe me Mehmetin, ai për pikën 8, ka shfaqur rezerva.
Të gjithë jemi dakord. Për pikën 8, u ngarkua Beqiri të bisedojë me Mehmetin.
Për pikën 9, mendova të këtë një hetuesi, të shikojë dhe nga duhet të varet.
8.II.1968
Raporti i dytë i Kadri Hazbiut: “Një pjesë e konsiderueshme e efektivëve të Sigurimit i çuam në Ferma e Kooperativa Bujqësore”.
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME “TEPËR SEKRET”
TIRANË Ekz. Nr.
Tiranë, më 7/2/1966
DISA ÇËSHTJE QE DUHET TE VENDOSEN SA MË SHPEJT NE MINISTRINË E PUNËVE TE BRENDSHME
Për informacion I
Deri tani kemi përpunuar në mënyrë paraprake strukturën dhe organikën, dhe del se:
- Shkurtimet arrijnë në tërësi 1915 vetë në të gjitha organet dhe repartet. Nga këta 850 oficerë, 652 nënoficerë e policë, 118 civilë dhe të tjerët ushtarë.
Shifra 1915 përfaqëson 16 % të efektivit, kurse 870 oficerët që shkurtohen, 25.5 % mbi limitin organik dhe 24.5 % mbi efektivin oficer (kjo shpjegohet se me urdhër të veçantë, mbajmë mbi limitin 100 e ca oficerë, që janë në dispozicion).
- Nga të shkurtuarit prej 1915 vetë, mund të konsiderohen të ikur deri më datën 5/2/1966, 555 vetë ose 29 % e tyre.
Përveç 115 kursantëve që kaluan Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, gjithë të tjerët kanë shkuar në prodhim dhe një pjesë e mirë në kooperativat bujqësore (në fshat e ferma)
Vërehet një rezistencë e fortë sidomos për në fshat. Pengesë e madhe bëhen gratë dhe të afërmit e kuadrove, të cilët bëjnë vazhdimisht presione negative.
- Përpunimi përfundimtar i organikave, do të japë besoj shkurtime akoma dhe më. Në aparatin qendror shkurtimet janë më të forta. Duke përjashtuar disa sektorë që merren direkt me punën operative, në atë që e quajmë aparat, shkurtimet janë më të ndjeshme. Ato arrijnë nga 50 e deri në 80 %.
Mbi të gjitha efektivat e Ministrisë (në qendër) përfshi dhe sektorët që merren me punë operative direkt, deri tani dilet me variantin e shkurtimit 30-32 %, por kjo përqindje do të rritet akoma.
II
Çështjet që duhen zgjidhur tani për procedurë urgjente si në ndërtimin përfundimtar të organikës, ashtu dhe shpërndarjen e kuadrit.
Këto çështje janë diskutuar tek ne dhe dilet me propozim që të hiqen si nga funksionet e Ministrisë së Punëve të Brendshme ashtu dhe nga organikat e saj.
- Gjithë sistemi i ruajtjes së objekteve ekonomike me roje ushtarake (ushtarë dhe policë) përfshi edhe rezervat shtetërore. Në përgjithësi rojet, të jenë civilë dhe të hyjnë në organikat e veta të objekteve. Armatosja dhe instruksioni për shërbim, të bëhet nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nëse duhet që ndonjë objekt i tillë të ruhet nga forca ushtarake, kjo do të bëhet me ushtarë dhe jo me policë.
- Komitetet e Partisë dhe Komitetet Ekzekutive, të mos ruhen me policë, por nga roje civile, që t’i kenë vetë në organikë. Organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme në organizimin e shërbimit për ruajtjen e rendit, patjetër do të kenë në qendër të vëmendjes këto komitete.
- Shërbimi zjarrfikës, së bashku me mjetet e njerëzit, të shkëputen nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ai të merret nga Komitetet Ekzekutive dhe nga seksionet komunale dhe në qendër po nga Ministria e Ekonomisë Komunale.
- Gjendja civile që deri tani ka varësi nga Ministria e Punëve të Brendshme si dhe sistemi i Pasaportizimit (për ato funksione që i mbeten), të shkëputet nga nga sistemi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke kaluar të gjitha, ç’u përket Komiteteve Ekzekutive.
- Autoinspektorati, me funksionet e lëshimit dhe të heqjes së patentave, si dhe me ndonjë funksion tjetër që mund t’i ngarkohet, të hiqet nga sistemi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, si një shërbim që nuk i përket. Ministria e Punëve të Brendshme të ushtrojë funksionet e kontrollit mbi rregullat e qarkullimit, dhe asgjë tjetër. Të mos merret as dhe me kontrollin e biletave ose të disiplinës për kontrollin e automjeteve. Autoinspektorati, në qoftë se nuk mund të mbahet dot direkt nga Kryeministria, t’i kalojë Ministrisë së Komunikacionit.
- Shifra shtetërore (prodhimi i saj me të gjithë gamën e rregullave) të hiqet nga sistemi i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ky shërbim duhet të ketë varësi nga Kryeministria, për vetë funksionin e saj të rëndësishëm. Këtij mund t’i ngarkohet edhe sistemi i prodhimit të vulave zyrtare, kontrolli i ruajtjes së sekretit në administratën shtetërore etj., funksione këto që deri më sot janë kryer me pa të drejtë, nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme.Për efektet e shkëputjes nga Ministria e Punëve të Brendshme të gjitha këtyre shërbimeve, do të hiqen (me transferim) nga efektivi i saj 1105. Dhe do ta vinin Ministrinë e Punëve të Brendshme, në rolin e saj të drejtë, duke mos e lejuar atë që të kryejë funksione mbi-dikasteriale.
- Të aprovohet vartësia e kufirit nga kryetarët e Degëve të Punëve të Brendshme, duke ruajtur strukturat e sotme të batalioneve. Po ashtu, për efekt të punës së Partisë, të varen nga Komitetet e Partive të rretheve ku janë dislokuar. Kjo varësi është e mundshme dhe e domosdoshme, sepse jo vetëm forcon në tërësi punën, por jep edhe reduktime të ndjeshme në organikat e kufirit e të Degëve të Punëve të Brendshme respektive për disa funksione, likuidon dy komanda sektorësh që sot janë, si dhe lehtëson organikat e Drejtorisë së Kufirit e aparatit politik në qendër.
- Shërbimi i Zbulimit jashtë shtetit, me sa duket ka defekte dhe organizative. Mendoj se duhet identifikuar ky shërbim në një organ të vetëm (si për Ministrinë e Mbrojtjes Popullore ashtu dhe për atë të Ministrisë së Punëve të Brendshme), me varësi nga Këshilli i Mbrojtjes. Ministria e Punëve të Brendshme, mund të kryejë zbulim të afërt nëpërmjet kufirit, si dhe duke shfrytëzuar mundësitë e brendshme për mbledhje të informatave. Ajo duhet të plotësojë nevojat e këtij organi epror të Zbulimit të Republikës, i cili në tërësinë e qëllimit të tij, duhet të bëjë një punë më të thellë dhe të gjithanshme. Në qoftë se ky propozim nuk shihet me vend, atëhere të vendoset mbi studimin që kemi paraqitur për ta shkrirë në strukturën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, shërbimin e Zbulimit që kryhet me anë të kanaleve legale (përfaqësive tona jashtë).
- Të vendoset nëse do të krijohet apo jo një organ i vetëm hetimor, si dhe vartësia e tij. Arsyetimet tona për këtë janë të njohura./Memorie.al
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
GJENERAL-LEITNANT
KADRI HAZBIU
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016