Dashnor Kaloçi
Pjesa e pestë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret”, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) të cilat i përkasin vitit 1961 dhe janë pjesë e një dosje voluminoze me letra, raporte, informacione, relacione, udhëzime, peticione, etj., ku bëhet fjalë për fillimin e kontradiktave dhe prishjen e marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me Bashkimin Sovjetik, gjë e cila asokohe u ndie shumë tek studentët shqiptarë që asokohe ndodheshin me studime në shkollat dhe universitetet e Bashkimin Sovjetik, të cilët, sipas urdhrit të marrë nga Tirana, i ndërprenë studimet dhe prisnin udhëzimet për t’u kthyer në Shqipëri. Dosja e plotë e studentëve shqiptarë në ish-Bashkimin Sovjetik, ku pjesa më e madhe e tyre, kryesisht ata që vazhdonin Akademitë Ushtarake, Shkollën e Lartë të Sigurimit të Shtetit, Policisë, Kufirit, Drejtësisë, etj., patën probleme të mëdha dhe u ndeshën me peripeci të shumta me autoritetet zyrtare ruse, duke u vënë deri në masën e arrestit si dhe ndërhyrja e atasheut ushtarak shqiptar në Moskë, gjeneral-major Halim Ramohito, për zhbllokimin e situatës dhe kthimin e studentëve ushtarakë shqiptarë në atdhe.
Fondi: KOMITETI QENDROR I PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË
(Drejtoria e Jashtme)
Përmbajtja: RAPORTE E RELACIONE TË ISH ATASHEUT USHTARAK SHQIPTAR NË BASHKIMIN SOVJETIK HALIM RAMOHITO, PËRGJEGJËSVE TË GRUPEVE E SEKRETARËVE TË ORGANIZATAVE BAZË TË PARTISË TË KURSANTËVE DHE TË OFICERËVE QË STUDIONIN NË SHKOLLAT USHTARAKE TË BRSS KU BËHET FJALË: MBI ZBATIMIN E URDHRIT TË QEVERISË SË RPSH, PËR KTHIMIN NË ATDHE TË KURSANTËVE TË MARINËS, ETJ. PENGESAT DHE VËNIEN E TYRE NË KONDITA ARRESTI NGA ORGANET SOVJETIKE, QËNDRIMIN E MIRË POLITIK TË KURSANTËVE DHE OFICERËVE SHQIPTARË DHE BISEDAT QË ATA KANË PASUR ME QYTETARË, KURSANTË E OFICERË SOVJETIKË, PËR GJENDJEN NË BASHKIMIN SOVJETIK PAKËNAQËSITË NDAJ POLITIKËS SË HRUSHOVIT, MBLEDHJEN E BUKURESHTIT E TË MOSKËS, QËNDRIMIN NDAJ REVIZIONIZMIT JUGOSLLAV, SOLIDARITETIN E POPULLIT, KURSANTËVE, SI DHE DISA OFICERËVE SOVJETIKË, ME QËNDRIMIN E DREJTË TË PPSH-së.
TEPËR SEKRET
R A P O R T
Biseda e A.P.P.SH. Jorgji Pando, me ish – Drejtorin e Fakultetit, Kol. Cibikin Afanas Vasilijeviç
Pando: Në lidhje me njohjen unë, do t’ju them juve se njohja ka tre mënyra me anë të së cilave, mund të arrish në konkluzione për një çështje ose për një tjetër. Një nga ato është e të parit me sy. Unë, e njoh mirë si Shqipërinë ashtu edhe Bashkimin Sovjetik. Kurse ju, e njihnit Shqipërinë si të mirë, nga fjalët e mira, që ju thonë njerëzit e mirë. Por tani e njihni si të keqe, nga fjalët e këqija, që ju thonë njerëzit e këqij. Por Shqipëria, është më e mirë se kurrë dhe ndonjëherë, jo vetëm për veten e saj, por edhe për popullin sovjetik, dhe për marksizmin. Por unë, po e shoh që po dialogoj me një njeri nga i cili, nuk shpresoj që do të dali marksist. Ashtu sikundër dhe ju, nuk shpresoni që unë të dal mbrojtës i revizionizmit dhe oportunizmit.
Cibikin: Oh shoku Pando, mesa po shoh e keni studiuar mirë filozofinë.
Pando: Mundohemi dhe që ta aplikojmë.
Cibikin: Atëherë pse shokët tuaj, patën frikë kur i morën një nga një në pyetje?! Pse shokët Vangjel Xhixho dhe Mato Idrizi, protestuan apo se mos patën frikë se nga radhët tuaja do të kishte “lëkundje”?!
Pando: Shumë gjë e kënaqshme është që po konstatojmë se qëllimi i komisionit tuaj mësimor, nuk ishte për të parë sukseset tona në mësime, por kishte një “mision special” për të kontrolluar “lëkundjet” tona. Po përgjigjen e morët?! S’kemi pse të kemi lëkundje pasi Partia jonë, na e tha të gjithë të vërtetën, kurse juve, ju kanë mashtruar. Ne, kemi biseduar me shumë qytetarë sovjetikë dhe ata, na japin plotësisht të drejtë.
Cibikin: Kush janë ata sovjetikë, që juve ju flasin ashtu?!
Pando: Juve, keni gjetur këtë mënyrë bisedimi me mua për të siguruar pensionin, kurse ata njerëz, kanë parë tek ne besnikërinë dhe kanë besim që ne, nuk do të jemi shkaktarë që fëmija i tyre të ngeli pa bukë.
Cibikin: Pse bërtisni urrraaa dhe rroftë Bashkimi Sovjetik, ditën që përcollët Xhixhon dhe Idrizin. A nuk është kjo një demagogji?!
Pando: Na dhimbset Bashkimi Sovjetik, dhe populli i tij i mrekullueshëm. Miqësia jonë ka qenë, është, dhe do të ngelet e pathyeshme. Besoj se populli juaj, këtë nuk e quan demagogji. Juve, thatë se shokët tanë do të lëkundeshin. Por unë po ju them, që asnjë nga ne, nuk mund të durojë taktikën e njohur të provokacionit. Dhe ne, dërguam përfaqësuesit tonë që t’ju thoshin se: ja ku është sheshi i burrave. Ata, ju transmetuan fjalët tona, vendimin e të gjithëve, dhe palëkundshmërinë tonë. Dhe ju, i quajtët anti-sovjetikë. Unë theksoj që nëse ju do të ishit anti-shqiptar, siç kanë qenë ata anti-sovjetikë, atëherë unë, do t’ju bëja “gëzuar” të sinqertë, dhe do të entuziazmohesha nga anti-shqiptarizmi juaj. Unë, dëshiroj që ju të jetoni gjatë për të parë të vërtetën.
Cibikin: Faleminderit për urimin. Do të jetoj një shekull.
Pando: Unë, do t’ju uroja më shumë por e vërteta, do të dalë shumë shpejt.
Cibikin: Po e vërteta jonë?
Pando: Ju, thoni me ju. Ne, themi me ne. Dhe ne besojmë më shumë.
Kështu, mori fund kjo bisedë. Por ndërmjet të tjerash kur unë i deklarova se ajo ishte një taktikë provokimesh, ai m’u përgjigj që ja: p.sh. Enver Hoxha, nuk donte që miqësia të rregullohej, pasi Hrushovi e ftoi dy-tre herë që të bisedonin. Atëherë unë, i’u përgjigja se: ne edhe këtë fakt e dimë, por ne na pëlqen që të flasim si komunistë, dhe si burra atje ku të na dëgjojnë të gjithë dhe jo në mënyrë të fshehtë dhe në prapaskena. Vetëm këtë rrugë, njeh marksizmi i vërtetë dhe jo fshehtësinë e prapaskenave që njohin imperialistët dhe revizionistët, që kanë frikë nga e vërteta.
Shënim: Këtë bisedë, e raportova në ambasadën tonë në Moskë. Midis atij raporti dhe këtij, mund të ketë disa ndryshime shprehjesh. Ndoshta këtu, mund të ketë më shumë ose më pak, gjë që vjen nga të kujtuarit tekstual të fjalëve të tij dhe të mijat. Por thelbi i bisedës, është dhënë i plotë.
Me nderime dhe respekt
A.P.P.SH.
Jorgji Pando
(Kuadër i ushtrisë në Drejtorinë e IV)
Fondi: KOMITETI QENDROR I PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË.
(Drejtoria e Jashtme)
Përmbajtja: RELACIONE E INFORMACIONE NGA PËRGJEGJËSIT E GRUPEVE E TË ORGANIZATAVE BAZË, DHE KUADROT E ORGANEVE TË PUNËVE TË BRENDSHME QË KANË QENË PËR STUDIME NË SHKOLLAT E SIGURIMIT, POLICISË, KUFIRIT, DHE DREJTËSISË, NË BASHKIMIN SOVJETIK KU BËHET FJALË MBI KOMUNIKIMIN PËR LARGIMIN NGA SHKOLLA DHE KTHIMIN NË ATDHE TË OFICERËVE DHE KURSANTËVE, BISEDAT QË KANË ZHVILLUAR NË SEMINARE, ME PEDAGOGË E PERSONA TË TJERË LIDHUR ME KONTRADIKTAT POLITIKE E IDEOLOGJIKE, MASAT E PADREJTA QË KA MARRË HRUSHOVI NDAJ VENDIT TONË, ETJ, ETJ.
I N F O R M A C I O N
Ne, Thoma Duro e Maman Hasani, ish-studentë të kursit të III-të, të Shkollës së Lartë pranë Komitetit të Sigurimit të Shtetit të BRSS-së, në kohën kur po përgatiteshim për provimet shtetërore, më datën 6.4.1961, na thirri Shefi i Shkollës, Gjeneral-Major Kuljenkov. Dhe në prezencën edhe të Kolonel Grigorjev, Shefi i Fakultetit të V-të, të po asaj shkolle, menjëherë na komunikuan përjashtimin tonë nga shkolla dhe largimin për në atdhe brenda 48 orëve, si persona të padëshiruar për të qëndruar në Bashkimin Sovjetik. Pyetjes sonë se përse u mor një masë e tillë ai, iu përgjigj si më poshtë:
- Për Thoma Duron:
- Në një seminar të zhvilluar në klasën mësimore, ka thënë se Mbledhja e Bukureshtit, ka qenë një njollë e zezë në lëvizjen komuniste botërore.
- Si Sekretar i Organizatës Bazë në vitin e III mësimor, ka lejuar që shokët e grupeve të ndryshme të merren me biseda politike, në vend që të merreshin vetëm me mësimet. Kjo gjë ka bërë që të shkelet plani mësimor dhe disiplina në shkollë.
- Për Maman Hasanin:
- Në një seminar të zhvilluar në një klasë mësimore, ka shfaqur pikëpamje jo të drejta.
- Ka pyetur se përse shtypi sovjetik, nuk shkruan asnjë fjalë për Shqipërinë.
- Si Komandant Grupi, ka lejuar shokët që në vend që të merren me planin mësimor, të flasin për tema politike.
Ne, insistuam tek ai që të na thoshte më konkretisht se çfarë bisedash të tjera politike të padrejta, sipas tij, janë bërë nga ana jonë apo e shokëve tanë, por ai, nuk na tha asnjë tjetër konkrete.
Lidhur me çështjet e ngritura kundër nesh, ne i deklaruam: Është më se e vërtetë se në seminaret e organizuara sipas programit të shkollës, ne kemi diskutuar dhe kemi thënë se Mbledhja e Bukureshtit ka qenë një njollë e zezë në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Dhe se ne, nuk e shohim të drejtë faktin që India dhe Egjipti, ku çdo ditë po ndërmerren masa të ashpra kundër komunistëve, dhe nga ku po nisen kontigjente të tëra të armatosura në shërbim të imperializmit për të shtypur luftën patriotike të popullit kongolez, të harxhohen miliarda e miliarda rubla, në vend që këto rubla, të akordohen si ndihma për rimëkëmbjen ekonomike të vendeve më pak të zhvilluara të kampit socialist, si dhe në vetë Bashkimin Sovjetik.
Ne kemi pyetur dhe vazhdojmë të pyesim, i thamë atij, se përse shtypi sovjetik nuk shkruan asgjë për Shqipërinë, si vend socialist që është. Pikëpamjet tona dhe çështjet që kemi ngritur, nuk kanë qenë sharje e ofendime për njeri, nuk kanë qenë shpifje por gjëra të drejta e parimore në mbështetje të Deklaratës së Moskës, përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore, si dhe në mbrojtje të marksizëm-leninizmit, gjithashtu kanë qenë fakte konkrete të ndodhura në realitet.
Ne, kemi luftuar që gjatë gjithë periudhës së shkollës, të realizohet plani mësimor, të përfitohet sa më shumë nga ai, të forcohet rregulli dhe disiplina në shkollë, për të cilat flasin qartë rezultatet tona në mësime.
Duke i folur nga ana jonë rreth këtyre çështjeve ai na tha : “Të hidhemi konkretisht në vendimin që kemi marrë në datën 8 qershor. Të niseni për në atdhe me avion, dhe nuk lejoj që brenda mureve të shkollës sime, të bëhen biseda politike por vetëm biseda rreth planit mësimor. Për këtë, vazhdoi ai, të porosisni dhe shokët e tjerë para se ju të largoheni se përndryshe, do të ndërmerren masa të tjera”. /Memorie.al
(MAMAN HASANAJ)
(THOMA DURO)
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016