Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e tetë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi dhe, si rezultat u emërua mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
Dokumenti sekret i Punëtorit Operativ, Th. T., me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Shkëlzeni”, i cili ishte ngarkuar për të zbërthyer Selim Kelmendin, gjatë kohës që ai mbahej i arrestuar në qelitë e Degës së Punëve të Brendshme të Krujës
SEKRET
Marrë P. Operativ Th. T.
Dhënë B.p. “Shkëlzeni”
Raport Dt.7.11.1983
Burimi njofton se në datën 5.11.1983, ai mbasi u kthye nga hetuesia, Selimi e pyeti si e kalove dhe atë mundoi hetuesi? Ai i tha se: fola për atë problemin e Zefit me Nimanin. Tregova vendet ku kishim biseduar (pa i thënë se ku Selimit), dhe hetuesi më pyeti: kush nga të arratisurit të tjerë, veç Nimanit, është takuar e ka biseduar me Zefin? Unë i thashë se nuk më kujtohet, hetuesi më tha: mendohu dhe dua përgjigje.
Por neve jemi ngatërruar keq, prandaj edhe hetuesi po m’i kërkon të shpjegoj. Selimi nuk u fut në bisedë, por mbas disa ditësh, kur u kthye nga hetuesia, i tha atij, se: sot hetuesi më foli shumë, ku më tha se është parë mirë arrestimi jot, edhe mbasi është diskutuar nga organet e larta, është marrë vendim, prandaj fol e shpjego ato që ke bërë. Selimi tha se: unë po pranoj të vuaj dhe mos të tregoj për shokët, për vete dhe për kushëririn nuk po kam gajle, përsa kam folur deri tani.
Fola për grupin e parë, ndërsa po të diktoj grupin e dytë, mua më pushkatuan, kryetar grupi, atentat kundër udhëheqësit të Partisë dhe i dërguar apostafat nga UDB-ja Jugosllave, për të kryer detyra këtu në Shqipëri. Ai i tha: këtu ju kosovarëve nuk ju dënojnë shumë, rëndë na dënojnë neve, që kemi hyrë në këto punë. Përsa më ke thënë ti Selim, ju nuk jeni kapur në flagrancë pritë, por keni shfaqur mendime dhe keni bërë muhabete të tilla.
Selimi tha: po kjo është e vërtetë, muhabete kemi bërë me shokët, prandaj tregova për atentatin, por i tha atij, si më këshillon të bëj, pasi po më mbushet mëndja që mbasi nuk jemi kapur në flagrancë dhe nuk kemi qëlluar me armë. Ai tha se: shteti na ka në dorë edhe për masën e dënimit, ti Selim për këto që thua a do dënohesh? Selimi tha: po, do të dënohem. Ai i tha, atëhere kur nuk ke çfarë t’i bësh vetes, dhe as Shefqetit, çfarë do t’i bësh edhe shokut?!
Selimi tha se: burri ka besë dhe nuk duhet folur, prandaj edhe po mbahem. Ai i tha: ashtu është, kur bëhet një punë me shokun dhe vendoset, për mos me fol, kështu del, por hetuesia i ka marrë masat përpara, prandaj ngulim këmbë dhe pa folë nuk të lëshojnë ty, as mua. Me datën 6.11.1983, kur Selimi u kthye nga hetuesia, i tha atij se: vazhdojnë të më pyesnin për shokët, por unë nuk fola, bile, në hetuesi u tregova shumë i qetë, gjoja se jam i pafajshëm, bile këta e dinë se unë do t’i hedh poshtë akuzat edhe në gjyq, e megjithatë këta nuk e çajnë kokën fare.
Bile i thashë në hetuesi se, nuk kam gjë. Ai tha se: ti Selim mua mbrëmë më kërkove mendim kur unë të thashë diçka nuk të fola keq, apo jo? Selimi tha: Jo nuk më fole keq, por nuk po di se si të veproj. Ai tha: dëgjo Selim, unë mbasi shpjegova hallin për sa kam folur në hetuesi dhe deri tani kur ka ardh puna të kërkoj mendim. Por p.sh., të ishim tre veta këtu dhe i treti të na pyeste neve të dyve, si të bëj, kështu siç po vepron ti me mua, si do t’ja jepnin përgjigjen neve të tretit, mbasi ky do të na thoshte, më këshilloni ju të dy dhe më thoni ju çfarë kam bërë unë, pale se çfarë besimi kam unë tek ju, neve do të na jepet të mendonim keq për këtë, apo jo dhe duhej t’i flisnim këtij njeriu.
Selimi tha: neve na duhej t’i flisnim me të vërtetë asnjëherë më, as unë dhe as ti, atëhere i tha ai, mendoje për vete, këtë Selim. Selimi tha: Neve të dy, nuk kemi ra deri tani thellë në muhabet, këtu po njihemi, mbasi nuk jemi njohur përpara, por tani do të flasë, siç të kam thënë 27 vjet këtu në Shqipëri, edhe i dërguar prej UDB-së, këtu nuk pata nga t’ja mbaj dhe fola për vete dhe për Shefqet Kelmendin, Estrefin e Halimin, grupin e Shkodrës, tani po më kërkojnë tjetër, grupin e dytë, por po mundohem mos me i tregu shokët, kam shokë shumë të vendosur dhe të zotë, i kam shumë të ngushtë dhe të besës, dy janë profesorë në Fushë-Krujë, njëri është kosovar, i martuar dhe me dy fëmijë, me moshë 43 vjeç, tjetri, është nga nga Kolonja, ortodoks, vëllain e tij e ka në Ministrinë e Financës në Tiranë.
Ky shoku im i Kolonjës, është shok i zgjedhur e i vendosur për çdo gjë dhe kushdo që ta pyesi, ky jua pret shkurt: Mos më folni mua për të tilla gjëra, nuk pranoi që të më flasë kush për Selim Kelmendin etj. Sapo unë të them në hetuesi dhe të shpjegoj në vend, i arrestojnë e i bien këtu në burg. Të tretin, shok të grupit, kam Myrteza Bajraktarin dhe ky është trim dhe i vendosur, i cili është këtu me punë në Tiranë, e futën në burg dhe qëndroi tetë muaj si burrat në hetuesi, pa folur, bile i diskreditoi këta në gjyq, sa mundi, është i sprovuar. I katërti, shok i grupit, është Kristina Palu, e cila ka qenë e bindur dhe pa urdhrin tim nuk shkonte të takohej as me nënën e vet, në burg në Kosovë të Elbasanit, madje as nuk dilte në pazar, e jo më të shkonte në Tiranë, pa i dhënë unë leje.
Në vazhdim, Selimi tha: Në Fushë-Krujë, kam pasur një shok lab, i quajtur Lekë, gruan ja thonë Hatixhe, me gjithë gruan time janë të dyja arsimtare edhe ne të dy arsimtarë, u familjarizuam me njëri-tjetrin, natë për natë vinim e shikonim televizorin në shtëpinë tonë. Lekës fillova me i besuar dhe Leka më tha se jam thirrur nga Kryetari i Degës dhe zëvendësi i tij, të cilët më kanë thënë, që duan të na njohësh Selim Kelmendin, se çfarë njeriu është në brendësi. Leka ma tha këtë.
Me Lekën, kam fol duke i besuar, për padrejtësitë që bëhen këtu, për shumë gjëra në vitin 1973, kur nëna më erdhi nga Jugosllavia dy muaj dhe iku me 20 nëntor 1973, unë dola e prita në kufi, sapo nëna më dha dorën, më dha një shami shpejt e shpejt, duke ma lëshuar në dorë. Kur unë me të shpejtë e futa në xhep dhe nuk na kapi njeri me sy. Në shami ishin 9 copë orë të markës “Reta”. Kur erdhëm në shtëpi, bëmë darkë, erdhi Shefqeti me të shoqen, leka me të shoqen etj.
Orët, katër copë ishin të Shefqetit, një për Shefqetin, një për gruan e tij, një për babën e Shefqetit dhe për gruan e tij, kurse pesë, ishin të mijat, kur një prej tyre ja shita Lekës 10 mijë lekë, kur të tjerët m’i kërkonin me 13 mijë lekë. Më vonë, unë u prisha me Lekën, sepse gratë na u zunë ndër veti. Ato përsëri u pajtuan, ndërsa ne, megjithëse u përpoq Leka të pajtohej me mua, unë nuk pranova. Këtë e kam dëshmitar, meqë Leka nuk shkonte mirë me babën e vet, nuk hynin dhe nuk dilnin te njëri tjetri, unë u miqësova me babën e Lekës, dhe kam folur me të, me rastin e ngjarjeve të Kadri Hazbiut dhe të Fiqret Shehut, se tani udhëheqja, u sforcua e shkoj nga Shkodra, etj.
Edhe këtë, duhet ta kem dëshmitar, po kështu edhe një kosovar i quajtur Kajtaz Berisha, me të cilin kam pasur muhabet dhe ky kishte të bënte me një vajzë të quajtur S….! Me S………………..rashë në dashuri, deri sa erdhi dhe një halla e saj e arratisur nga Jugosllavia, e cila tani është e martuar në Durrës. Këto, i përdora në sy të njëra tjetrës. S…………….. është e martuar në Tropojë, e takova, kur isha në Tropojë në vitin 1982, atje ishte……………!. Mbas bërjes dashnore, Kajtaz Berisha, u hidhërua me mua, se S……………..më dashuronte mua, edhe këtu m’i kanë përmendur S…, dhe K…, D…! Këto dashnoret e mija, për tani e kanë këtë pikë hë për hë.
Shiko i tha atij, gjatë kohës që kam qëndruar në Fushë-Krujë, nuk kam lënë banakiere pa e fut në dorë, sa merr kjo dhomë raki, e kam pi pa lek nga këto, si dhe kafe e cigare. Le të isha dhe me shokë, kurrë nuk paguaja, duke i heq, edhe shpenzimet e shokëve. Sa të mira ka parë Leka nga unë, si femra dhe ngrënie e pije pa para. Selimi vazhdoi: në vitin 1961, këtu në Shqipëri më erdhi vëllai i vogël, Ymer Kelmendi, bashkë me një shokun e tij të arratisur nga kufiri i Shkodrës.
Në kohën kur unë isha me punë në Kurbnesh, Ymerin e marrin e izolojnë në Hotelin e Shijakut për tre muaj. Ymeri gjatë kohës në hotel, që nuk e lejonin të komunikonte me njeri, as edhe me mua, fshehurazi më dërgon letrën, duke e hedhur në postë, pa e parë polici, kur unë kërkova lejen, por isha i lirë vetëm brenda rrethit të Mirditës dhe nuk më dhanë. Ymerit i dërgova tre mijë lek. Ymerit i kërkonin, duke i thënë: je i dërguar i UDB-së dhe me këtë i humbi dyshimet dhe i doli shkolla për në Elbasan.
Mbas dy tre muajsh, edhe këtu e përjashtuan se merresh me libra sovjetik dhe e internuan në Seman të Fierit. Unë tha Selimi, në Kurbnesh, u njoha me disa inxhinieria të Gjermanisë Lindore, të cilët më thonin që jeta është më e mirë në Jugosllavi se këtu. Këta inxhinieria më dhanë shumë këmisha dhe rroba të jashtme. Megjithëse më duhet të ruhesha të mos bija në sy të këtyre. Në vitin 1962, më erdhi përsëri vëllai tjetër i madh, Isuf Kelmendi, por edhe ky me arratisje. Isufin e internuan në Çermë të Lushnjes. Neve nuk na lejonin të takoheshim me njëri tjetrin, por meqenëse Shefqeti kishte shtetësinë shqiptare, vinte te Isufi dhe prej këtij, vinte dhe te unë.
Ai më vinte në korrent të çdo gjëje. Isufin këta e vendosën banakier dhe këtu Isufi fitoi influencën e të gjithë emigrantëve ku u jepte të pinin pa para. Kur i bënë inventarin, doli defiçit, por shokët ja disbursuan lekët në vend, duke thënë se kemi pirë me paradhënie. Isufi, u kërkoi këtyre ta lejonin të kthehej në Jugosllavi nëpërmjet kufirit, për të tërhequr gruan, por këta nuk e lejuan dhe i thanë Isufit, që meqenëse ke influencë tek kosovarët, do të bëjmë kryetar emigracioni, por ky u kërkoi kushte, duke u thënë se: po pranoj në qoftë se ju do t’i shkrini kampet e emigracionit, të rinjtë i kaloni në universitete dhe të tjerët nëpunës nëpër dikastere.
Këta i thanë se: Partia jonë nuk pranon kushte. Isufi, në vitin 1965 u kthye me kërkesën e tij në Jugosllavi, pas një muaj edhe vëllai tjetër, Ymeri. Isufi, para se të kthehej, erdhi dhe më takoj mua në Kurbnesh, ku fjeti dy netë. Njerëzit që kam në Jugosllavi, jetonin mirë. Ymeri ka veturë, ka edhe kamion, ku punojnë tre shoferë me turne për hesapin tonë. Vëllezërit janë në punë të mira, rrogat atje nuk janë si këtu, atje janë të mëdha, vëllezërit e mi, janë me famë, kanë vrarë e rrahur duke bërë lloj-lloj skandalesh nëpër lokale të ndryshme publike, vetëm i kanë thirrur ose dënuar shumë pak.
Isufi, iku nga Jugosllavia në Belgjikë, atje u zunë dhe i nxorën revolet njëri-tjetrit, me Muharrem Bajraktarin, dhe pas kësaj kaloi një kohë në Francë. Vëllai, Ymeri, me veturë nga Italia ku kalohet pa leje, i çoi gruan Isufit dhe Isufi u kthye përsëri në Belgjikë. Në vitin 1971, kur erdhi grupi amator i Kosovës këtu, morra një ftesë dhe më thonin të presim në Turizmin e Durrësit, shkova dhe që më takonte, organizova një darkë në Turizëm, ku ishim 16-17 vetë.
Kryetar i këtij grupi ishte njëri që e njihja që në Pejë, ky punonte me UDB-në dhe quhej Ramë Kapllani, i cili më foli për Isufin, dhe vëllezërit, pastaj më foli dhe një djalë 35 vjeç, të cilit i kishte thënë Isufi, do të më përcjellësh me “Benz”-in e tij, në kohën sapo ishte kthyer nga Gjermania Lindore. Ky shoku i grupit amator, pastaj një rugovas, më tha veç: ki parasysh, se këta që po të flasin, janë të UDB-së. Në hetuesi, më kanë thënë se: vëllezërit e tu, kanë qenë ushtar të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut.
Kjo pikë, më tha Selimi, më shqetëson, pavarësisht se janë përgjëruar. Ai i tha: mos e ka thënë Kadriu këtë, apo kështu ka ardhur haber nga jashtë? Selimi tha: se edhe mund të ketë folur vetë Kadri Hazbiu, që atëherë ishte ministër i Brendshëm. Por, nuk përjashtohet kjo të ketë ardhur nga jashtë dhe për këtë unë jam, brenda në burg. Shih si është puna. Në Kosovë kanë dalë shumë rryma që po sjellin telashe Jugosllavisë, organizata e krijuar që ka lidhje me të dy udhëheqësit kryesorë këtu në Tiranë.
Sivjet në verë, me aeroplan special, vetë këta, i sollën tre kosovarë nga Belgjika këtu në Tiranë dhe i shëtitën një muaj në Shqipëri me shpenzimet e shtetit. Vetëm hoteli, me fjet, specifikisht kushtonte 120 lekë të reja nata, këta të tre, janë vëllezër, janë në udhëheqje të organizatës të Kosovës. Kanë një të tyre në Elbasan, quhet Qazim Radoniqi. Këtë tha Selimi e di mirë, mbasi e njoh edhe vetë Qazimin. Këta të tre vëllezërit, kanë dy nipër, të cilët janë kosovarë me mua në Fushë-Krujë, njëri është profesor dhe tjetri, arsimtar, por, meqë shkojnë keq ndër vedi, ata erdhën dhe ikën, e nuk erdhën për vizitë tek nipërit në Fushë-Krujë.
Selimi vazhdoi se: kur të marrin vesh vëllezërit e mi, që jam këtu në burg, do ta kenë keq ambasadat e këtyre jashtë, mbasi do t’ja shohin sherrin. Selimi e pyeti atë: a ka oficerë të Sigurimit vendali në “Bajram Curri”? Ai i tha se po dhe tregoi dy a tre veta. Pastaj Selimi tha se unë këtu po e mësoj praktikën e pyetjeve, siç po më dalin me pyetje mua po të dalin edhe ty e më vonë hetuesi yt, do të ndalet se kur keni bërë takim me ata jashtë, apo brenda kufirit, apo jashtë në ndonjë mal, si u lidhët ju me Zefin, me ata dhe ku e ka takuar Zefi, Niman Kadriun, pas daljes nga burgu.
Ai, mbasi e shikoj në sy, i tha: Ti Selim je i zgjuar dhe nuk na dhe më tepër shpjegime. Burimi njofton se, sot mbas dite Selimi tha se: sot luftova me hetuesin, duke i thënë, se nuk kam gjë për të folur, jam i pafajshëm dhe ato që kam fol, do t’i kundërshtoj dhe porositi atë, që edhe ti mos fol, kur shkon në hetuesi, se kështu do të dënohesh pak. Po ta dija vetëm katër orë para se të arrestohesha, do të isha arratisur jashtë shtetit, shyqyr që nuk i kam vëllezërit këtu, se edhe ata do t’i kishin arrestuar.
“Shkëlzeni”
Sqarim: Dy shokët e Selimit në Fushë-Krujë, për të cilët thotë B.p., për të cilët bëjnë pjesë në grupin e dytë, këta duhet të jenë: Hil Kamani me banim në Laç, i cili është emigrant kosovar dhe Llambi Kacorri, me origjinë nga Erseka, banon në Laç dhe që të dy janë arsimtar.
– Kristina Palu, banon në Fushë-Krujë. K.P., lidhje e Selim Kelmendit.
– Myrteza Bajraktari, banon në Tiranë, emigrant, ka qenë i dënuar për veprimtari armiqësore, është në 2/A.
– Shefqet Kelmendi, banon në Lezhë.
– Leka, për të cilin Selimi thotë, se me të kam bërë biseda armiqësore, është arsimtar, banon në Fushë-Krujë.
– Kajtaz B……, banon në Fushë-Krujë, është me origjinë kosovar, ka qenë B.p. i organeve tona, i tërhequr me materiale shtrënguese, ka pas dhënë disa të dhënë për Selimin, dhe në vitin 1982, është përjashtuar, si in aktiv, tani në 2/B.
– Vëllezërit e Selimit, Ymeri dhe Isufi, është e vërtetë se kanë ardhur në vendin tonë, përmes arratisjes nga Jugosllavia dhe më vonë janë riatdhesuar. Të dy kanë qenë agjentë të UDB-së.
– Qazim Radoniqi, banues në Elbasan, është emigrant dhe ndiqet në 2/B. Në Fushë-Krujë, ka dy të afërt të tij, Nusret dhe Myrteza, Radoni, që të dy në kontroll operativ, 2/B.
Vlersim: E dhëna ka vlerë operative, pasi Selimi i flet B.p.-së, për pjesëtarët e grupit të dytë si dhe thotë: se kur të marrin vesh vëllezërit e mi jashtë, ambasadat e këtyre jashtë, do t’ja shohin sherrin.
Detyra: Në biseda me Selimin, thuaj se hetuesi mbasi më kërkoi se me cilët të arratisur të tjerë, është takuar Zefi, dhe që unë ja dhashë e mbajti proces-verbal, më tha të flas për veprimtarinë armiqësore, çfarë ke bërë ti vetë, dhe më la të mendohem mirë për këta, mbasi nga kjo derë, nuk del pa folur.
Masat Operative: Me të dhënat të njihen hetuesit.
Llambi Kacorri dhe Hil Kamani, të cilët sipas Selimit, bëjnë pjesë në grupin e dytë, të merren në përpunim dhe të merren masa kontrolli, sidomos, kur kalon udhëheqja e Partisë.
Kristina Palu, të ngrihet në 2/A dhe të forcohen masat ndaj saj.
Te Kajtaz B…….., të drejtohet agjentura, me qëllim për të parë reagimet e tij, rreth arrestimit të Selim Kelmendit. Memorie.al
Punëtori Operativ
Th. T.
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016