Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat mbajnë siglën “Tepër sekret” dhe që i përkasin vitit vitit 1982, ku ndodhen disa raport informacione të anëtarit të Byrosë Politike, Spiro Koleka, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me mbledhjet e komiteteve të Partisë së Pogradecit dhe Korçës, ku ai kishte marrë pjesë si i deleguar i Komitetit Qendror. Çfarë u diskutua në ato mbledhje ku u analizua letra e Enver Hoxhës për “armiqtë e tradhtarët, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj.”
Nga kjo dosje, po publikojmë raport-informacionin e ish-anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Spiro Koleka, dërguar Komitetit Qendror, lidhur me aktivin e partisë të rrethit të Pogradecit, ku ai ka marrë pjesë si i deleguar, më 25 shtator të vitit 1982.
Raport-informacioni “Tepër sekret” i Spiro Kolekës për Komitetin Qendror të PPSH-së
PARTIA E PUNËS SHQIPERISE Sekret
KOMITETI I PARTISË RRETHIT Ekz. Nr. 1
Nr. 675 Pogradec, më 28.9.1982
L ë n d a: Informacion “Mbi punimin e vendimit të Plenumit të K.Q. të PPSH”
KOMITETIT QENDROR TE PPSH SHQIPERISE
GRUPIT TE INSTRUKTOREVE
TIRANE
Më datën 25 shtator 1982 sipas orientimeve të Komitetit Qendror të PPSh-së, u mbajt aktivi i partisë së rrethit, ku u punua vendimi i Plenumit të 4-të të K.Q. të Partisë dhe fjala e shokut Enver “Tabllo Sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu”.
Aktivi i Partisë në rreth u solidarizua plotësisht me materialet e këtij Plenumi dhe me indinjatë dhe urrejtje të thellë dënoi veprimtarinë agjenturore e komplotiste të armikut Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Nga aktivi i komunistëve u miratua një rezolutë drejtuar Komitetit Qendror të PPSH-së ku shprehet dashuria e pakufishme për partinë tonë tonë sokoleshë dhe udhëheqësin tonë të dashur shokun Enver Hoxha, i cili me guxim dhe zgjuarsi zbuloi dhe dënoi veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu e bandës së tij kriminale.
Më 26 dhe 27 shtator 1982, në të gjitha organizatat bazë të partisë të rrethit u punuan materialet e Plenumit të 4-të të KQ të Partisë ku asistuan të deleguar të Komitetit të Partisë të rrethit. Nga organizatat-bazë të partisë janë dërguar për Komitetin Qendror të Partisë, e Komitetin e Partisë të rrethit 41 letra e rezoluta.
Në të gjithë organizatat-bazë të Partisë, komunistët u solidarizuan unanimisht me vendimin e Komitetin Qendror të Partisë dhe fjalimin e shokut Enver në këtë Plenum. Kudo u tregua dashuria e zjarrtë për Partinë, Komitetin e saj Qendror me shokun Enver Hoxha në krye, besimi i patundur tek udhëheqja e ndritur e partisë në rrugën e lavdishme të socializmit.
“Jam shumë e lumtur – tha ndërmjet të tjerave një komuniste – që jam anëtare e PPSH-së dhe ushtare e shokut Enver. Mbasi dëgjova fjalimin u mbusha me gëzim dhe krenari që kemi një Parti e udhëheqës si shoku Enver, i cili gjithmonë me vigjilencë revolucionare e drejtësi të patundur ndaj Marksizëm-Leninizmit ecën në rrugën e ndritur të socializmit”. Një komunist tjetër shprehet: “Ne kemi fatin e madh që në krye kemi shokun Enver Hoxha. Për Partinë dhe shokun Enver nuk do të kursejmë asgjë dhe do të jemi me të sa të jetë jeta”.
Një komuniste, nënë me shumë fëmijë, kur dëgjoi se agjenti Mehmet Shehu kishte si qëllim që agjenti e banditi Mehmet Shehu kishte si qëllim të asgjësonte shokun Enver, u trondit dhe filloj të qajë. Shprehje e qëndrime të tilla që tregojnë dashurinë e thellë për Partinë dhe shokun Enver ka pasur nga shumë komunistë.
Si nga aktivi i Partisë në rreth, ashtu dhe nga organizatat bazë të Partisë i propozohet Komitetit Qendror të Partisë, që për merita të shquara e revolucionar i madh, shokut Enver t’i jepet edhe njëherë titulli “Hero i Popullit”, ose një tjetër më i lartë.
Aktivi dhe gjithë komunistët e rrethit tonë dënuan ashpër veprimtarinë agjenturore të armikut të përbindshëm Mehmet Shehu dhe komplotistëve të urryer, bashkëpunëtorëve të tij. Një komunist i moshuar duke folur me urrejtje për tradhtarin dhe kriminelin e pabesë Mehmet Shehu, tha: “Haram i qoftë buka që ka ngrënë nga populli ky armik i betuar i Partisë”.
Nga organizatat bazë të partisë është propozuar që mbi bashkëpunëtorët komplotistë të Mehmet Shehut e lakenjtë e tij, të godasë shpata e drejtësisë sonë popullore duke dhënë dënimet më të rënda.
Kudo, komunistët u zotuan se do të studiojnë e thellohen pa rreshtuar në dokumentet e Partisë dhe veprat e shokut Enver, do të zhvillojnë drejt luftën e klasave dhe duke vlerësuar me seriozitet çdo dukuri negative, do të jenë kurdoherë në ballë të punës e të luftës për realizimin e tejkalimin e detyrave, do të luftojnë e punojnë pa u lodhur për forcimin e çelikosjen e mëtejshme të unitetit Parti-Popull, do të jenë vazhdimisht revolucionarë të vendosur për mbrojtjen e vijës së Partisë.
Gjatë punimit të fjalës së shokut Enver në plenumin e 4-të të Komitetit Qendror të Partisë, në disa organizata bazë partie dualën këto pyetje të cilat u sqaruan:
- Si i ka bërë bashkëpunëtorë armiku Mehmet Shehu pjesëtarët e familjes së tij?
- Si do ta realizonte likuidimin e shokut Enver nëpërmjet helmimit?
- Llambi Ziçishti e të tjerë ku ndodhen tani?
- Për çfarë pune shkoi në Francë Fiqret Shehu, kur morri helmin? A u shoqërua kjo nga personeli i ambasadës?
- Si do të veprohet me masën për t’u njohur me këto materiale?
- Partia e dinte këtë gjë dhe a kishte dyshime për ta si armiq?
- Pse është vendosur Feçor Shehu Ministër i Punëve të Brendshme?
- Çfarë dëme ka shkaktuar ky grup armiqësor në ekonomi?
- Në ç’kohë erdhi Ivanovi këtu?
- A dihej nga partia që kur u arrest grupi i Beqir Ballukut se Mehmet Shehu ishte i lidhur me të?
- Si e kishte siguruar radion Mehmet Shehu?
- Ku punonte Llambi Peçini?
Janë bërë edhe këto pyetje, të cilat kanë nevojë për sqarime të plota:
- Si do të konsiderohet Nako Spiro?
- Si është sjellë me kuadrot e shkollës së partisë armikja Fiqrete Shehu?
- Shoku Kadri Hazbiu a bie në fis me armikun Mehmet Shehu?
- Çfarë lidhje kanë Mehmet Shehu dhe Feçor Shehu?
- A kishte ndonjë farë dyshimi Partia në kohën kur Nexhip Vinçani kërkonte me këmbëngulje që armiku Mehmet Shehu të vinte përsëri në ushtri?
- Mos ka ndikuar ky grup agjenturor në vdekjen e parakohshme të shokëve Hysni Kapo dhe Gogo Nushi?
- Shtetet e huaja a kanë bërë komente të tjera për vetëvrasjen e Mehmet Shehut?
- Grupet e tjera armiqësore a kanë deponuar ndonjë gjë për Mehmet Shehun?
- Si është e mundur që Avni Vërçuni erdhi në Pogradec si kryetar i Komitetit Ekzekutiv të k.p. të rrethit mbas Konferencës së Tiranës më 1956, kur ai kishte marrë masë partie për pjesëmarrje në këtë veprimtari?
Në organizatën bazë të shtabit të Kufirit u ngrit:
- Të dalë përgjegjësia e shokëve Kadri Hazbiu, Raqi Iftica dhe Rexhep Kolli, si punonjës të MPB, që kanë punuar për një kohë të gjatë në këtë Ministri?
- Edhe pas dënimit të Mehmet Shehut, shoku Raqi Iftica ka shfaqje të arrogancës dhe të “unit” në dhënien e urdhrave. Ai është shprehur: “Unë do t’ju çoj te Ministri, të shihni kush do të fitojë, etj, ose mblidhni shokët e t’ju japë një vllagë që të kryejnë detyrat”.
Organizata bazë e Partisë e Sigurimit në Degën e Punëve të Brendshme ngriti këto probleme:
- Armiku Feçorr Shehu, Llambi Peçini dhe Elham Gjika, në një rast para një viti, kur nga ana e Degës së punëve të Brendshme Pogradec u kapën 4 shkelës kufiri dhe nga verifikimi që u bë doli se ishin nga Vlora dhe kishin tendencë arratisje, me urdhër të këtyre armiqve u lanë të lirë, duke thënë se u këshilluan.
- U dhanë mendime nga organizata-bazë e partisë se duhet thelluar kritika dhe të dalë përgjegjësia e zëvendësministrave të Punëve të Brendshme që ishin me punë pranë aktivitetit të armikut Feçorr Shehu.
- U ngrit se në dosjen hetimore të agjentit Marko Koli Laçka nga qyteti i Pogradecit, aktualisht i ri dënuar nga gjykata e rrethit Krujë, dhe vuan dënimin në repartin 313 Tiranë, rezulton se ai ka deponuar…?! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016