Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzete një
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu dhe lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
Dokumenti sekret me raport-informacionin e hartuar nga zv/Drejtori i Drejtorisë së III-të, të Sigurimit të Shtetit, Haki Keta, lidhur me ankesat e kërkesat e paraqitura nga ish-i dënuari politik, Myrteza Bajraktari
SEKRET
Ekzemplar Nr. 1.
E përkohshme, 2 vjet
Tiranë, më 5/8/1974
I N F O R M A C I O N
Në datën 31/7/1974, në një takim që bëmë me Myrteza Bajraktarin, ish-i dënuar tre vjet me grupin e Kapllan Resulit, u shpreh midis të tjerash: “Kërkoj të sqarohet figura ime moralo-politike. Dua ta kem të qartë se ku jam.
Mbasi të bëhet kjo, unë jam gati të vihem në dispozicion të Partisë dhe të pushtetit, për të gjitha gjërat kardinale, jo vetëm me personin tim, por me të gjithë pjesëtarët e familjes, jashtë dhe brenda. Unë kam arsye për dyshime. Nga dosja ime, disponoj dy dokumenta, që janë jo të mira. Në vitin 1966, para se të vija në fakultet, bëhej sqarim, nëse isha ose jo i përshtatshëm. Në të bëhen shënime kontradiktore e të përcipta.
Dokumenti i dytë, është sqarimi i një letre nga ana e hetuesisë. Këtë letër, e kam marrë nga burri i motrës, kur isha në Seman dhe që kisha bërë 24 lutje e kërkesa, për të ardhur në shkollë. Më vonë hoqa dorë, sepse m’u premtua shkolla. Kjo letër ka rënë në dorën tuaj, pas arrestimit tim. Në të dyja këto dokumenta, të cilat i janë dhënë gruas kur janë dorëzuar sendet e mija personale, ka interpretime, me qëllim, që të errësohet figura ime sa më tepër.
Mendoj se këto nuk janë dorëzuar gruas gabimisht, por për të më vënë mua në një pozitë të tillë, që të mos kërkoja pafajësinë, pra për të më bërë presion. Megjithatë, më tej, nuk di si të them në lidhje me to.
Një gjë, dua ta kemi të qartë, çfarëdo gjëje të bëhet ndaj meje, sido që të silleni me mua, unë nuk tundem. Do tërhiqem zvarrë dhe nga Shqipëria nuk kam për t’u larguar. I poshtri, sado mirë që të trajtohet, ngelet i tillë, po ashtu edhe i miri, sado keq që të trajtohesh, ngelet i tillë.
Edhe sikur të ketë dyshime ndaj meje, të paktën, të mbetem tek juve dhe unë të mos i ndjej, megjithëse, unë kam kaq kohë, që kam ardhur dhe duhet të ishte sqaruar personi im. Kërkoj nga juve, që të ulemi dhe t’u sqaroj, çdo moment që mund të jetë, akoma i dyshimtë në dosjen time. E kuptoj se gjithë ngatërresa qëndron, tek qenia ime dy herë në burg, para se të vija në Shqipëri”.
Në fund, ngriti çështjen e strehimit dhe të stabilizimit me punë, megjithëse këto, i konsideroj të dorës së dytë, në krahasim me çështjet e mësipërme.
Dokumentet ju kërkuan dhe mbas një ore, i solli. Nuk ju kërkuan sqarime të mëtejshme, lidhur me to, vetëm se tha se, i kishte gjetur para disa kohësh, kur kishte kontrolluar sendet e kthyera. Këto dokumenta, janë: Dy shënime operative, një fletë me shënime biografie dhe letra e kunatit. Solli dhe një fletore të tij dhe proces-verbalin e dorëzimit të sendeve. Këto dokumenta i bashkëngjiten informacionit.
Në lidhje me këtë bisedë dhe dokumentet e sjella, mendojmë:
-Rënia në dorë të tij, është rast flagrant dhe tregon pakujdesi në ruajtjen e sekretit shtetëror nga shokët e Drejtorisë së Tiranës. Nëpërmjet këtyre dokumenteve, ai ka mësuar shumë gjëra në lidhje me veprimet tona si organ.
-Këto materiale atë, e kanë frikësuar, prandaj nuk ka barë asnjë demarsh, lidhur me to.
-Kohët e fundit, është mbajtur afër, gjë që ndoshta, e ka nxitur për të na i bërë prezent, këto dokumenta.
-Nuk përjashtohet mundësia, që këto, t’ua ketë treguar, edhe personave të tjerë. Për një gjë të tillë, nuk e pyetëm dhe nuk e porositëm.
ZV/DREJTORI I DREJTORISË SË III-të
Haki Keta
Konc. dhe dakt. V.P.
Dokumenti sekret me raport-informacionin e hartuar nga kryetari i Degës së IV-të, i Sigurimit të Shtetit, Tahir Malo, lidhur me të dhënat e nxjerra nga biseda e bërë me Myrteza Bajraktarin te posto-blloku i Ministrisë së Brendshme, ku ai u paraqit, pas largimit të motrës së tij nga Shqipëria
SEKRET
Ekzemplar Nr. 2
E përkohshme, 2 vjet
Tiranë, më 20/8/1974
I N F O R M A C I O N
Më datën 19/8/1974, erdhi në post-bllok dhe kërkoi takim Myrteza Bajraktari. Gjatë bisedës, shtroi si më poshtë:
“Motrën e përcolla deri në Pogradec, dhe prej andej shkoj me autobus. Në kufi e kishin pritur kunati dhe motra ime e vogël. Më njoftuan me telegram, se kishte mbërritur mirë. Ajo ngeli e kënaqur nga qëndrimi këtu. Unë e pyeta për gjendjen andej dhe më tregoi atë që dinte, të cilat i kam shkruajtur dhe ua kam dhënë juve. Nuk e di, se si është materiali. Motrës i thashë se, këto gjëra, më duhen për vete.
Më tregoi motra, se vëllai im, që ka qenë kolonel, me poste të rëndësishme në Ushtrinë Jugosllave, do të vij këtu nga muaji shtator. Ai e kishte porositur motrën, që për ardhjen e tij, të mos i tregonte njeriu, përveç meje. Vëllai, kohët e fundit ka qenë me funksion në Sekretariatin Federativ të Mbrojtjes, për çështjen e kombësive në radhët e Ushtrisë. Atje kishte ngritur problemin e mungesës së kuadrit ushtarak, me kombësi shqiptare, por mendimet e tij, nuk ishin aprovuar.
Nën pretekstin se ishte i sëmurë, vëllai dha dorëheqje dhe tani është në pension, megjithëse, është 49 vjeç. Para disa ditësh, më dërgoi një kartolinë nga Italia. Nuk e di, se në ç’rrugë do të vij këtu, direkt nga Jugosllavia, apo nga ndonjë vend tjetër, meqenëse e ka pasaportën për jashtë.
Ai ardhjen kërkon ta mbajë sekret, ndërsa në fakt, ka qenë në ambasadën shqiptare në Beograd, ku është takuar me sekretarin e parë. Gjithashtu më shkruante se ka mundësi të shkoj për dy vjet në Marinën Tregtare.
Kur isha në burg, më erdhi këtu vëllai tjetër, i cili, kishte dashur të më takonte, por nuk e kishte lejuar kunati, duke i thënë, se; nuk është mirë, sepse Myrtezai mund të tronditet.
Së fundi, kam çështjen e punës dhe të shtëpisë. Po qëndroj kot. Pa punë nuk rrihet. Nuk e di se çfarë do të bëhet dhe kur mund të vijë të marrë përgjigje”.
Shënim:
-Me Myrtezanë u takua P.op. Vehip Proda, të cilit, para se të largohej motra, i dha edhe një material, pa ndonjë vlerë, për gjendjen në Maqedoni. P.op., nuk i kërkoi asnjë sqarim, apo hollësi, për vëllain dhe të afërmit e tjerë.
-Mendoj se: konsumimi i kësaj të dhëne nga Myrtezai, është i dyshimtë dhe mundet që, pa dijeninë e tij, motra të synojë për t’i hapur rrugë e mundësi, vëllait, Xhemal Bajraktari, për të ardhur në vendin tonë dhe për të vënë dorë, ne si Zbulim.
-Kemi mendimin se Xhemal Bajraktari është person i dyshimtë dhe nuk duhet të merremi me të.
-Myrtezait ju tha se për problemin e punës dhe të strehimit, do të marrë përgjigje nga Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, ndërsa, për problemin e të vëllait, nuk ju tha gjë, dhe ai vetë, nuk kërkoi mendimin tonë.
KRYETARI I DEGËS SË VI-të
Tahir Malo
Dokumenti sekret me raport-informacionin e hartuar nga kryetari i Degës së IV-të, i Sigurimit të Shtetit, Tahir Malo, lidhur me kërkesat e bëra nga Myrteza Bajraktari, për të fituar pafajësinë, si ish-i dënuar politik
SEKRET
Ekzemplar Nr. 2
E përkohshme, 2 vjet
Tiranë, më 21/8/1974
I N F O R M A C I O N
Kërkoi takim Myrteza Bajraktari, u shpreh:
“Erdha për një diçka që e kapa me vonesë, pasi u largova prej jush. Më thatë që për problemet të cilat i shtrova, të shkoja në Drejtorinë e Tiranës. Nuk e kuptoj pse?! Unë u kontaktova me juve dhe vet sh. Tahir, më tha: se këtë problem, do ta shikojmë neve.
Më duket se, për deri sa e morët juve në dorë një gjë të tillë, ka mundësi ta çoni deri në fund. Jua them hapur, se nuk jam i qetë aspak. Jeta më ka bërë, që gjithnjë të mendoj. Asnjëherë, nuk e kam ndjerë veten të ngrohtë. Mendoj se problemi im i punës dhe i strehimit, mund të ishte zgjidhur brenda këtyre nëntë muajve.
Edhe për problemin e dokumenteve që kam dorëzuar, nuk më dhatë asnjë përgjigje. Dhe e keni lënë në heshtje, se si qëndron e vërteta e tyre.
Unë them, se dënimi im, ka qenë i padrejtë. Këtë desha ta kërkoja, por megjithatë e lashë. Mua në hetuesi, më janë padrejtësi. Jo se më kanë keqtrajtuar, por se janë sjellë jo mirë, deri sa ka pasur edhe falsifikim dokumentesh (të firmës time). Jo vetëm kaq, por një kohë të gjatë hetuesie, nuk kam qenë në gjendje të mirë nervore, dhe për këtë, u shtrova në Spitalin Psikiatrik.
Në atë kohë, kam folur shumë kundër vetes. Mbas daljes nga spitali, më thanë se ai proces, nuk do të merrej në konsideratë, ndërsa në fakt, ishte materiali bazë i akt-akuzës sime. Në hetuesi dhe në gjyq, kam kërkuar që këto materiale, të kalonin në ekspertizë, por në fakt, nuk u bë, për deri sa ato qëndruan.
Edhe dëshmitarët kanë qenë një për një. Megjithëse kërkova disa persona, për të dalë dëshmitarë, sollën 4-5, të cilët nuk ngrinin peshë. I them këto, se unë nuk dua të kërkoj pafajësi, meqenëse e kam edhe tre muaj të drejtën e një kërkesë të tillë. Kjo gjë, më mundon së tepërmi.
Unë gjithnjë, do konsiderohem i dënuar, për pasojë ka ndikuar në heqjen e gruas nga Radio-Televizioni, tek fëmija në të ardhmen dhe tek unë.
Unë jam i bindur, se po ta kërkoj, patjetër do ta marr, pafajësinë, rrjedhimisht, do të kem të drejtën e kalimit Në arsim. Këtë kërkesë, nuk e kam bërë deri tani, sepse nuk kam dashur t’u kundërvihem juve, duke pasur frikë, mos prishemi. Jam i shqetësuar. Jam inferior ndaj njerëzve dhe shokëve të mi.
Kur më përshëndet ndonjëri, i kthej përgjigje, në të kundërt nuk i flas. Për këtë gjë, por shkurtimisht me pika, i kam shkruajtur, zv / ministrit, shokut Rexhep Kolli, i cili më ka ardhur dy herë në hetuesi.
Të them të drejtën, në hetuesi kam qenë i revoltuar, sepse ndryshme mund të mos isha dënuar fare. Që nga ajo kohë, më ka ngelur edhe kjo që dridhem. U vizitova dhe më rekomanduan disa ilaçe, të cilat, nuk ishin këtu, por m’i solli motra.
Deri sa nuk kisha dalë në gjyq, kisha besim të plotë se nuk do të dënohesha, por, kur u dënova, u deziluzionova. Megjithatë, duhet thënë, se kur jam dënuar në Jugosllavi, kam qenë krenar, kurse dënimi këtu, më ka munduar. Kam besim, se kërkesa për pafajësi, do të zgjidhet në favorin tim”.
Shënim:
-Takimi u bë, nga P.op. Vehip Proda. Ishte mjaft i eksituar dhe mundohej të krijonte përshtypjen se nga sistemi nervor, nuk ishte mirë, si pasojë e dënimit jo të drejtë dhe mbajtjes pa punë dhe strehim, për disa muaj mbas daljes nga burgu.
-Ju tha, se: Drejtoria e Tiranës, interesohet për t’a sistemuar në punë, prandaj, nga ana jonë, është drejtuar atje.
-Për sa i përket dënimit, ju përsërit, se; ne qëndrojmë tek vendim i që ka marrë gjykata.
Mendojmë, se pavarësisht nga dyshimet, se duhet sistemuar menjëherë me punë, gjë që po ja kërkoj vazhdimisht Drejtorisë së Tiranës.
Kam mendimin se mund të thirret nga ne, me pretekstin e materialeve që na dorëzoi “Shënimet Operative”, të dhëna gabimisht nga Drejtoria ne Tiranës, t’i thuhet mendimi ynë dhe t’i kërkohet që si me punë, të justifikoje veten. Në të njëjtën kohë, të ushtrohet kontroll, sidomos për të përcaktuar, lidhjet aktuale të tij. Memorie.al
Si problem, ta ndjeki, P. Op., Vehip Proda
KRYETARI DEGËS SË IV-të
Tahir Malo
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016