Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), i cili i përket vitit 1974, ku Drejtori i Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”, apo siç njihej ndryshe ‘Shtëpia Botuese e Librit Politik’, Kristo Sharra, informon sekretarin e Komitetit Qendror, Ramiz Alinë, (që mbulonte propagandën, artin e kulturën), lidhur me disa autorë librash të cilët i kishin kopjuar ato nga literatura dhe tekstet sovjetike, si p.sh.: Alfred Uçi, Thimi Çollaku, Osman Allkja, Petrit Mezezi, Vangjel Zigori, e Dhamo Bezhani, etj. Lidhur me librin e akademikut të njohur, midis të tjerash në raport-informacionin në fjalë thuhet: “Në librin me titull “Estetika, jeta, arti”, të Alfred Uçit, shembujt për ilustrim janë futur në mënyrë artificiale dhe formalisht. Ndihet menjëherë që këta shembuj (shumica e tyre janë vargje), janë futur sa për të ilustruar diçka, por ato nuk burojnë si rezultat i argumentit që trajtohet. Duket më fort sikur këta shembuj kanë zëvendësuar në tekst vargje të tjera të po kësaj natyre, të letërsive të tjera. Pasi e mbaron së lexuari këtë libër, nga këta shembuj që citohen aty-këtu, nuk të krijohet asnjë ide për ekzistencën e një estetike shqiptare, popullore dhe të kultivuar njëkohësisht”.
Edhe pse Shtëpia Botuese “8 Nëntori” ishte e destinuar kryesisht për librin politik, gjë e cila nënkuptonte se çensura ndaj autorëve, që dërgonin aty librat për botim ishte në shkallën më të lartë dhe gjithashtu edhe autoçensura nga vetë autorët ishte po në këtë shkallë, përsëri vigjilenca e organeve kompetente aty ishte në maksimum. Madje edhe ndaj autorëve që gëzonin një emër të madh jo vetëm në fushat përkatëse nga ata vinin, por që gjithashtu kishin një mbështetje të madhe dhe në nomenklaturën e lartë të regjimit komunist të asaj kohe. Si p.sh., Prof. Dr. Alfred Uçi,(nipi i Petro Nini Luarasit) akademik dhe estet i njohur, ish-partizan që në moshën 14 vjeçare, i diplomuar për Estetikë dhe Filozofi në vitet ’50-të në Universitetin “Lomonosov” të Moskës, pedagog i Estetikës dhe Filozofisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, që nga krijimi, anëtar i Akademisë së Shkencave që nga themelimi i saj, Drejtor i Institutit të Kulturës Popullore, e deri në funksionin e Kryetarit të Komitetit të Shkencës dhe Kulturës në fundin e viteve ’80-të. (Si rrallë ndonjë personalitet tjetër i kulturës shqiptare dhe me funksione të larta drejtuese gjatë periudhës së regjimit komunist, duhet thënë se akademiku Uçi, ka pasur një reputacion të madh edhe pas vitit 1990, madje ai është vlerësuar dhe dekoruar edhe nga ish-Presidenti Republikës Bujar Nishani, me dekoratën e lartë “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”). Edhe pse gëzonte një reputacion të madh, në qarqet akademike e kulturore, akademiku Uçi, nuk kishte mundur që t’i shpëtonte “filtrit” që ndërmerrte Drejtoria e Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”, e cila merrej kryesisht me botimin e librit politik. Madje jo vetëm kaq, por dhe ta akuzonte atë se librin e tij “Estetika, jeta arti”, e kishte kopjuar apo përshtatur nga literatura dhe librat sovjetik. Por ajo që vihet re në dokumentin në fjalë, është fakti se Ramiz Alia, nuk ka vënë asnjë shënim në dokument, gjë e cila rrallë ndodhte, për të mos thënë se në rastin konkret, ku bëhet fjalë për një problem plagjiature, kemi të bëjmë me një përjashtim. Ndoshta kjo, ka ndikuar që libri i prof. Uçit, “Estetika, jeta, arti” ta ketë kaluar barrierën e Drejtorisë së Shtëpisë Botuese “8 Nëntori” dhe të dilte nga botimi, ndryshe nga disa autorë të tjerë që citohen në këtë dokument, ku librat e tyre janë pezulluar dhe nuk kanë dalë nga botimi. Bashkë me akademikun e njohur Uçi, në raport-informacionin e Drejtorit të Shtëpisë Botuese “8 Nëntori” Kristo Sharra, dërguar sektorit të Shtypit dhe propagandës së Komitetit Qendror të PPSH-së, (që mbulohej personalisht nga Ramiz Alia), janë akuzuar për plagjiaturë edhe disa autorë të tjerë, si Thimi Çollaku, Osman Allkja, Petrit Mëzezi, Vangjel Zigori, Dhamo Bezhani e Ali Zotërija. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti në fjalë, të cilin ashtu si pjesa më e madhe e dokumenteve të botuar në këtë libër, po e publikojmë të plotë.
Raport-informacioni i Drejtorit të Shtëpisë Botuese, ‘8 Nëntori’, për Komitetin Qendror të PPSH-së, për autorët që kanë bërë plagjiaturë
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE
SHTËPIA BOTUESE “8 NËNTORI” Tiranë, më 30.XI.1974
Nr. 920 prot.
KOMITETIT QENDROR TE PPSH
(Sektorit të Shtypit dhe Propagandës)
T i r a n ë
Bashkangjitur ju dërgojmë një informacion mbi disa të dhëna të pjesshme të studimit që kemi bërë deri tani për origjinalitetin dhe përmbajtjen e disa librave botuar kohët e fundit nga Shtëpia Botuese “8 Nëntori”
Studimi vazhdon dhe për të dhënat e tjera që do të kemi do t’ju informojmë më vonë.
D R E J T O R I
(Kristo Sharra)
I N F O R M A C I O N
Në prizmin e fjalimeve të shokut Enver Hoxha, mbajtur kohët e fundit në Byronë Politike të K.Q. të PPSH-së, Drejtoria dhe organizata bazë e Partisë e Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”, ka ngritur një komision të posaçëm, i cili prej disa ditësh merret me studimin e disa librave me karakter politik, kulturor, tekniko-shkencor dhe të profileve të tjera. Ky studim i cili ka për qëllim që të përcaktojë masën e origjinalitetin dhe përmbajtjen politiko-ideologjike të këtyre librave, bëhet nga shokët e redaksisë dhe nga bashkëpunëtorë të jashtëm. Nga të dhënat e pjesshme që kemi deri më tani rezulton se:
- Për librin “Afrika” të autorit Petrit Mëzezi
(Punonjës i Ministrisë së Jashtme) që është gati për qarkullim, ka mendime nga shokët e Drejtorisë së Shtypit të kësaj Ministrie se është kopjuar nga një libër rusisht, botim i vitit 1972. Autori ka futur disa mendime të vetat tek tuk, por ato nuk janë të plota e të thella. Ky libër përveç që shumica është i kopjuar, del se ka edhe interpretime të gabuara nga ana politike. Republika Popullor Arabe e Egjiptit, p.sh., përshkruhet mjaft gjatë, në mënyrë të ngrohtë miqësore.
Dalin në pah përparimet e mëdha që janë bërë në të gjitha fushat (nënkuptohet me ndihmën e B.S.) E meta e tij qëndron se nuk del me forcë qëndrimi hipokrit i revizionistëve sovjetikë ndaj popujve të R.A. të Egjiptit për këto lloj ndihmash. Në shtypin tonë ka pasur artikuj të shumtë që sqarojnë këtë problem si dhe qëndrimin e qeverisë së R.P. të Shqipërisë ndaj kësaj çështjeje.
Mënyra se si është përshkruar R.A. e Egjiptit, stonon me atë të Algjerisë. Algjeria përshkruhet shkurt dhe më tepër dalin në dukje të metat dhe prapambetja e këtij vendi. E përshkruar në këtë mënyrë, lexuesi krijon përshtypjen sikur ka njëfarë kundërvënie midis këtyre dy vendeve, gjë të cilën e inkurajojnë revizionistët sovjetik. Këtu bëhet fjalë edhe për sektorin e “vetë administrimit” (tipik jugosllav), gjë e cila na duket ndërhyrje në punët e tyre politik-ekonomike. Gjendja ekonomike, kulturale, shëndetësore që paraqitet për Algjerinë nuk i përgjigjet realitetit të sotëm.
Në këtë libër flitet dhe për Kongon. Njëri shtet quhet Kongo Brazdvil, tjetri quhet Kongo – Kinshasa (Leopodvil), Në të vërtetë zyrtarisht këto shtete quhen: R.D. e Kongos dhe Republika e Zaires. Duket që është e vjetërsuar.
Guenea (Bisao) ka fituar pavarësinë. Në libër nuk del kjo gjë.
Situata politike në Etiopi ka ndryshuar e po ndryshon vazhdimisht dhe sigurisht kjo nuk përkon me librin.
Jemi të mendimit që libri “Afrika” ta çojmë në Ministrinë e Jashtme për ta parë më thellë. Këtë libër tani për tani e kemi pezulluar për të mos dalë në qarkullim. Pas konkluzioneve përfundimtare që do të na vinë nga shokët e Ministrisë së Jashtme, do të vendosim nëse do ta nxjerrim apo jo në shitje.
- Autori Thimi Çollaku (punonjës në Radio_Tirana) vitet e fundit ka shkruar tre libra për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Libri me titull “Mbretërit e pa kurorëzuar të Amerikës”, është botuar në vitin 1968. Libri me titull “Shoqëria e sëmurë” në vitin 1970, dhe libri “E vërteta mbi demokracinë e dollarit”, është botuar në vitin 1973.
Nga shqyrtimi që po i bëhet, del se të tre këta libra kanë të njëjtën tematikë e fakte të njëllojta. Nga këto del se:
Autori pjesën dërmuese të materialit e ka të kopjuar nga libra dhe broshura e artikuj sovjetik. Për librin e parë “Mbretërit e pa kurorëzuar të Amerikës”, jo vetëm materiali, por edhe titulli është marrë fjalë për fjalë nga një libër sovjetik, botim i vitit 1968. Po kështu edhe materiali i dy librave të tjerë, është marrë nga materialet Sovjetike.
Ky autor ka shkuar dhe më tej: në të dy librat e mëvonshëm “Shoqëria e sëmurë” dhe “E vërteta mbi demokracinë e dollarit”, ka rikopjuar mjaft artikuj të librit “Mbretërit e pa kurorëzuar të Amerikës”, Me një fjalë janë botuar tre libra ku pjesa më e madhe e fakteve janë të njëllojta.
Vetë fakti që në fund të librave nuk kanë vënë bibliografitë e literaturës së shfrytëzuar, tregon se autori me gjithë që mundohet të krijojë përshtypjen se gjoja ka shfrytëzuar edhe literaturë tjetër veç asaj sovjetike, del se ai është mbështetur vetëm në një apo dy libra, apo te disa artikuj të shkëputur nga literatura Sovjetike.
- Libri “udhëve të historisë së makinave”, i Osman Allkjes është marrë prej këtyre librave sovjetikë:
- “Makinat”
- “Makinat e shekullit të XX”
- “Makinat dhe njeriu”
Nga faqja 57 e këtij libri ka pjesë pothuaj të njëjta me librin “Makinat dhe njeriu” dhe konkretisht:
Fq. 57-64 u përgjigjen paragraf pas paragrafi faqeve 70-81 të librit rusisht.
Faqe 82-faqe 105 r.
Faqe 85-86 – faqeve 110 r.
Faqe 96-98 – faqeve 124-127 r.
Vende vende përkthimi çalon. Ka fraza të përkthyera gabim, si p.sh. “Pasardhësit e tij, fëmijët, të parët në botë, ndërtuan anijen e luftës “Dealogos” në të cilën vendosën 15 topa”. (fq.69)
Duhej thënë: “Pjella e tij, (ose krijesa e tij) e fundit ishte e para anije lufte me avull “Demologos”, në të cilën ishin instaluar 30 topa”.
Gara e parë automobilistike u bë në korrik 1894 e jo në qershor (fq.85 rusisht f.110)
Maqina e parë arriti në Ruan pas 6 orësh (f.110) e jo pas 15 orësh (shih fq 86).
Motori diesel gjeti përdorim të gjerë. Shqip është thënë….”si në makinat që udhëtojnë në tokë ashtu dhe në ato ajrore”. (fq.86)
Nuk ishte e mundur të përdorej ky motor në atë kohë.
4. Në librin me titull “Estetika, jeta, arti”, të Alfred Uçit, shembujt për ilustrim janë futur në mënyrë artificiale dhe formalisht. Ndihet menjëherë që këta shembuj (shumica e tyre janë vargje), janë futur sa për të ilustruar diçka, por ato nuk burojnë si rezultat i argumentit që trajtohet. Duket më fort sikur këta shembuj kanë zëvendësuar në tekst vargje të tjera të po kësaj natyre, të letërsive të tjera. Pasi e mbaron së lexuari këtë libër, nga këta shembuj që citohen aty-këtu, nuk të krijohet asnjë ide për ekzistencën e një estetike shqiptare, popullore dhe të kultivuar njëkohësisht.
Letërsia dhe artet kanë në bazën e tyre një estetikë të fuqishme, e cila nuk bie ndesh me parimet e përgjithshme të estetikës marksiste-leniniste, përkundrazi, Ajo është një mishërim i tyre. Në tekstet e estetikës revizioniste sovjetike, përveç shembujve të klasikëve botërorë, në përgjithësi dhe shembujve të artit rus, nuk ka asgjë që të lidhet me karakterin kombëtar të estetikës. Kjo i përshtatet politikës rusomadhe dhe shoviniste të zhdukjes së kombeve, që po realizon revizionizmi sovjetik. Duke folur gjithmonë në përgjithësi dhe vetëm kur vjen puna për Rusinë në veçanti, këta estetë revizionistë kanë përgatitur praktikisht dystimin, zhdukjen e karakterit kombëtar të letërsive dhe arteve në perandorinë sovjetike.
Në mënyrë paraprake mund të themi (sepse akoma nuk kemi bërë konfrontimet me literaturën e huaj që ka shfrytëzuar autori), se libri i Alfred Uçit, është shkruar sipas kësaj skeme. Futja e shembujve në formë ilustrimi nga poezia jonë, e bërë kjo në mënyrë të jashtme, metafizike, nuk e shpëton gjendjen. Gjithë trupi i veprës duket si i huaj, dhe këta shembuj, mbeten si zbukurime të jashtme. Libri i Alfred Uçit, do të kishte karakter kombëtar në qoftë se do të ndihej “kombëtarja”, “shqiptarja”, jo në ca vargje, tituj veprash ose emra personazhesh, por në bazën e tij, në konceptet në tezat që trajtohen. Ky libër mbetet jashtë artit tonë popullor që është tabani i gjitha arteve tona.
Kapitulli ku kritikohen estetët revizionistë sovjetikë është shkruar shumë dobët, aty kemi vetëm kritikë frazash. Tezat që kritikohen kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, nuk përbëjnë një sistem.
Nga librat tekniko-shkencorë që janë çuar për reçensionim deri tani kemi të dhëna vetëm për librin “Manuali i Kimistit” me autorë Ali Zotrija, Dhamo Bezhani, dhe Vangjeli Zigori. Ky libër është i tëri i kopjuar nga rusishtja. Mendohet se nga librat e botuara në këtë redaksi, shumica dërrmuese e tyre janë të përkthyer e të kopjuar dhe kanë frymë teknokratike. Autorët nuk kanë bërë përpjekje për t’i lidhur ato me dinamikën e zhvillimit dhe përvojën e pasur 30 vjeçare të Partisë sonë në fushën e revolucionit tekniko-shkencor.
Në këto libra nuk del njeriu ynë i ri, figura e tij, talenti i klasës sonë punëtore dhe inteligjencës popullore. Ka munguar përpjekja e autorëve për të dhënë veprat origjinale ose për t’i përshtatur veprat e përkthyera me problemet tona. Këto janë disa të dhëna paraprake të cilat këto ditë do t’i studiojmë dhe do t’i thellojmë më tej./Memorie.al
(Ky shkrim është marrë nga libri më i ri, “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, i gazetarit Dashnor Kaloçi, që pritet të dalë së shpejti).
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016