Dashnor Kaloçi
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare, të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e çmimit ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën, e cila që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që ajo të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë. Dokumentacioni i plotë, (tashmë i de-klasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famshme, në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekste të ndryshme, penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan atë vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkombëtar!
Raport-informacion i Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme, Jorgo Melica, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me vizitën e Nënën Terezës në Shqipëri
Komiteti
Nr. 204 Tiranë, me 6 dhjetor 1990
I N F O R M A C I O N
Në bazë të kërkesës së saj, nga 1 deri 5 dhjetor 1990 bëri një vizitë në vendin tonë Nënë Tereza. Ajo shoqërohej nga një prej motrave të shtëpive të bamirësisë, Marie Emizonne Nolla Noyaux, (Marie Franse) nga Mauricius dhe prodhuesja e filmit mbi ‘Nënë Terezën’ Janette Petrie, kanadeze e cila ka ardhur tre herë në vendin tonë.
Qëllimi i Nënë Terezës ishte që të hapte në vendin tonë një Shtëpi Bamirësie dhe të sjellë në Tiranë me 5 dhjetor 1990 katër motra (një shqiptare nga Prizreni që është në Washington, një italiane, një indiane dhe një nga Maucius, që e kish sjellë me vete).
Për këtë ajo kërkoi të dilte dhe të shikonte lagjet e varfra, siç thonte ajo, ish-kishat që kanë qenë në Tiranë, shtëpinë ku kanë banuar nëna e motra e saj. Nga sa pa, i pëlqeu shtëpia që është ngjitur me ish-Kishën Katolike në rrugën “Ali Pashë Gucia” Nr. 3, ku është tani Shtëpia e Pionierëve e Rajonit Nr.3, e cila përbëhet nga tre dhoma në katin e parë dhe tre dhoma në katin e dytë.
Nënë Tereza bëri një vizitë në Kopshtin e Fëmijëve që i është vënë emri i saj. Atje u prit me përzemërsi dhe ngrohtësi nga fëmijët, edukatorët dhe prindër të fëmijëve. Ajo shprehu falënderimin për vënien e emrit të saj Kopshtit Nr. 42 dhe se gëzohesh që shikonte fëmijë të shëndetshme, të lumtur e të gëzuar duke bërë krahasim me punën që bënin motrat e saj me fëmijët e uritur, të sëmurë e pa prindër në botë.
Në pritjen që i bëri shoqja Nexhmie Hoxha, nënë Tereza i tha se: unë kam një dhuratë të bukur: “Të sjell në Shqipëri katër motra e mija dhe ju të më jepni një shtëpi të thjeshtë në Tiranë” dhe i tha se tani atje janë pionierët. Ajo vuri në dukje se ka hapur Shtëpi Bamirësie në 94 vende të botës dhe kjo që do të hapte në Shqipëri do të jetë e 95- ta.
Ajo vuri në dukje se edhe në Shqipëri kish vënë re se ka shumë njerëz që e duan dhe për këtë tha se duam t’i shërbejmë popullit shqiptar me kujdesin dhe dashurinë tonë. Pastaj i foli për shtëpitë e hapura kohët e fundit në Bashkimin Sovjetik (6 janë hapur dhe do të hapen edhe 7 të tjera) në Kubë, Rumani etj.
Shoqja Nexhmije i tha se do ta shikonim në kohën e duhur me organet kompetente kërkesën e saj dhe këtë e bënim për t’i plotësuar asaj dëshirën si shqiptare që është dhe jo se kishim nevojë, mbasi shërbim ndaj të sëmurëve, pleqve etj., bëhet nga shteti.
Me rastin e 80 vjetorit të ditëlindjes, Presidiumi i Kuvendit Popullor i akordoi urdhrin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë, me këtë motivacion: “Personalitet i shquar botëror, që e frymëzuar nga dashuria e pafund për njerëzit, sidomos për të varfrit, të sëmurët e të uriturit, u ka kushtuar atyreve tërë jetën e vet. Veprimtaria vetëmohuese e Nënë Terezës, shpirti i rrallë i sakrificës dhe ndjenja e lartë e humanizmit të saj, ka fituar simpatinë e mbarë njerëzimit. Shqiptarët janë krenarë për këtë bijë të madhe e të nderuar të tyren!”
Nënë Tereza tha se dekorimi i saj ishte një surprizë shumë e këndshme dhe se vlerësohet puna jonë me njerëzit në botë.
Me padurim priste të takohej me shokun Ramiz Alia. Që sa mbërriti e kërkoi një gjë të tillë dhe donte ta bënte sa më parë mbasi si dukesh e kish vendosur që shtëpinë e bamirësisë në Tiranë ta hapte gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri. Takimi qe shumë i përzemërt dhe i ngrohtë. Shoku Ramiz i foli që në fillim kur ajo ngriti problemin e hapjes së shtëpisë së bamirësisë me zemër të hapur.
Ai i kërkoi mendimin e saj duke i shpjeguar situatën që gjendet në vendin tonë tani dhe se çdo masë që duhet marrë në çdo sektor të jetës duhet të jetë i studiuar dhe duke qenë në rregull me ligjet. Koha më e përshtatshme do të jetë 4 marsi 1990 për hapjen e kësaj Shtëpie Bamirësie, duke sjellë motrat në Shqipëri të cilat mund të punojnë me handikapat që kemi në vendin tonë.
Shoku Ramiz i theksoi se për ne kjo është diçka simbolike që bëjmë për ju, ndërsa për ju vetë, është diçka e zakonshme që bëni kudo në botë. Nënë Tereza e pranojë këtë “marrëveshje”.
Me pas ajo foli për punën që bën ajo kudo në botë, për 3000 motra që ka në 440 shtëpi që ka hapur në 94 vende, e ku ka 35 kombësi. Se kudo motrat punojnë për të lehtësuar dhembjet e njerëzve, se ata nuk kërkojnë por jetojnë me çka u japin individët e ndryshme në vende të ndryshme.
Pas takimin me shokun Ramiz Alia, ajo ishte shumë e gëzuar dhe këtë ja tregoi shoqërueseve Adelina Mazreku, Theofan Nishku e Natasha Hito. Ajo tha se: “Më bëri përshtypje ngrohtësia dhe çiltërsia me të cilën e priti shoku Ramiz. Nuk e mora vesh se isha duke biseduar me një kryetar shteti, e ndjeva veten sikur ishe në shtëpinë time”.
Menjëherë pas takimit, shoqëruesja njoftoi motrat në Romë me telefon përsa ishte vendosur dhe se Nëna ishte e gëzuar për këtë.
Gjatë bisedave të lira me shoqëruesit ajo fliste vazhdimisht për punën që bëjnë shtëpitë e bamirësisë kudo në botë duke dhënë shembuj të ndryshëm. Ajo u tha atyre se ne duam që në Tiranë të na vihet në dispozicion një shtëpi e vogël, në një lagje të thjeshtë, ku të ketë të paktën tre dhoma një për të banuar motrat, një për të pritur e kujdesur për njerëzit dhe një për të bërë lutjet motrat. Këtë shtëpi ajo tha se mund ta blinte, mbasi nga një irlandez kishte pasur ofertë për t’i dhënë paratë.
Ata do të jetojnë me ato që do t’i japin njerëzit dhe ato që do t’i jap vetë Nënë Tereza nga fondet që ka krijuar. Motrat mund të bëjnë çdo lloj pune, qoftë në spitale apo për të ndihmuar individë të ndryshëm që do të kenë nevojë. Për deri sa nuk ka priftërinj të seksit tyre, për të bërë faljet një herë në javë, mund të vinte një prift i tyre nga Roma e të largohesh pas bërjes së shërbesës. Për këtë nuk kërkonte që të hapej kishë. Shokut Ramiz i dorëzoi një letër në takim si dhe fotokopjen e një akti që kish nënshkruar në Bashkimin Sovjetik.
Gjatë qëndrimit të saj në vile, pati shumë njerëz që donin ta takonin. Shumica që vuanin nga sëmundje psikike, apo sakatë të cilët kërkonin ndihmën e saj për t’u kuruar jashtë, apo të tjerë që donin veçse ta takonin. Për të sëmurët, asaj ju shpjegua që më parë nga shoqëruesit për ndihmën që jep shteti në institucionet e ndryshme, si dhe për rastet e veçanta të nxjerrjes së tyre jashtë shtetit. Ajo u fliste me fjalë të ngrohta dhe se do të lutesh për ta. Të gjithëve u jepte një medaljon të vogël prej alumini me inicialet e saja.
Nënë Tereza u largua bashkë me dy shoqërueset mjaft e kënaqur për pritjen, vizitat dhe takimet e organizuara. Tha se do të merrej vesh me ambasadën tonë në Romë për hollësitë e ardhjes së motrave dhe të pajisjeve që mund të sillte në fillim të marsit të vitit të ardhshëm.
Ajo u largua për në Romë nga nuk kish vendosur në se do të shkonte në SHBA apo Liban. Para largimit ju dha një video kasetë ku u regjistruan takimet e vizitat e bëra si dhe dy kopje me fotografi nga veprimtaritë kryesore. Nga ana e saj ajo i drejtoi një letër të shkurtër falënderimi shokut Ramiz Alia si dhe një videokasetë me filmin që është bërë për atë (e dhuroi prodhuesja e saj Janette Petrie).
Kryetari
Jorgo Melica
Relacioni i Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme, Jorgo Melica, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, për letrën e Nënë Terezës dërguar Presidentit Ramiz Alia dhe pikturën që ajo e la për kopshtin e saj
Shokut Vaskë Çifligu
Bashkëngjitur po ju dërgoj letrën që Nënë Tereza, i’a dërgon shokut Ramiz Alia të cilën i’a dha shoqëruesve para largimit të saj. Gjithashtu po ju dërgoj, videokasetën me filmin për jetën e Nënë Terezës që i’a dhuron shokut Ramiz, prodhuesja e filmit Zhanet Petrie që ishte bashkë me Nënë Terezën.
Jorgo Melica
Tiranë më 6.12.1990
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
KOMITETI SHQIPTAR PËR MARRËDHËNIET KULTURORE E MIQËSORE ME BOTËN E JASHTME
Tiranë më 15.2.1990
KOPSHTIT TË FËMIJËVE “NËNË TEREZA”
Tiranë
Bashkë me këtë shkresë, ju dërgojmë një pikturë të Nënë Terezës të bërë nga një piktorë shqiptare. Nënë Tereza, para largimit të saj nga Shqipëria shprehu dëshirën që kjo pikturë të mbahet nga kopshti i saj.
Kryetari
(Jorgo Melica)
Relacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, për shoqëruesin e Nënë Terezës, Theofan Nishku, për letrat e saja dërguar në ambasadën shqiptare në Romë
Shokut Theofan
Me porosi të Drejtorit të Protokollit (Shokut Kostaq), po të nis dy shkresat e ardhura nga ambasada jonë në Romë, që ka letrat e Nënë Terezës, për t’i dhënë drejtim, sipas deklinacionit.
Tiranë më 17.2.1990
Përshëndetje Kozmai
Komiteti
Tiranë më 19.12.1990
I n f o r m a c i o n
Nënë Tereza, nëpërmjet ambasadës sonë në Romë, ka dërguar letër në emër të shoqes Nexhmije Hoxha, si dhe të shoqëruesve Adela Mazreku, Natasha Hito, dhe Theofan Nishku. Në këto letra ajo, falenderon për pritjen dhe kujdesin e treguar për të gjatë vizitës së fundit në Shqipëri. Në letrën drejtuar shoqjes Nexhmije Hoxha, i kërkon ta ndihmojë për të sistemuar “motrat” në 4 mars 1991 në shtëpinë që ka pëlqyer (në rrugën “Ali Pashë Gucia” ose e njohur ndryshe Shtëpia e Pionierëve të Rajonit Nr. 3) dhe për të ndërmjetësuar pranë Presidentit për zgjidhjen e këtij problemi. Ndërsa në letrën që i dërgon Theofan Nishkut i kërkon, që motrat të sistemohen në shtëpinë e mësipërme ose në ndonjë vend tjetër që do të dojë Presidenti.
Kryetari
(Jorgo Melica)
Shënim:
Bashkëlidhur është informacioni i Komitetit së bashku me letrat që Nënë Tereza, i dërgon Nexhmije Hoxhës, Adelina Mazrekut, dhe Theofan Nishkut.
24.12.1990
Llazari
Proces-verbal i bisedës së Presidentit Ramiz Alia me Nënën Terezën, më 4 dhjetor 1990
NE SHQIPTARËT JU NDEROJMË SEPSE SHIKOJMË TEK JU NJË BIJË TË POPULLIT SHQIPTAR
Më 4.12.1990, shoku Ramiz Alia, priti bamirësen e njohur me origjinë shqiptare, Nënën Terezën, me të cilën zhvilloi këtë bisedë:
Shoku Rmaiz Alia: Unë ju kam ndjekur, sepse jeni jo vetëm Nënën Tereza e Kalkutës, por edhe Nënë Tereza e Shqipërisë.
Nënën Tereza: Unë jam shqiptare dhe në të njëjtën kohë lidh Shqipërinë me Indinë. Kam 62 vjet që jetoj në Indi dhe kam shtetësinë indiane. Kam shkuar atje që në moshën 18 vjeçe.
Shoku Ramiz Alia: Por Shqipërinë nuk e keni harruar.
Nënë Tereza: Shqipërinë nuk e kam harruar, por atje nuk kam me kë të flasë shqip.
Shoku Ramiz Alia: Fjalë shqip dini?
Nënë Tereza: Di, p.sh.: “Lutu për mua” etj. Ju kam shkruar ju disa fjalë në gjuhën shqipe për herë të parë pas kaq vjetësh.
Shoku Ramiz Alia: I kam marrë letrat, ju faleminderit shumë. Ishin letra plot dashuri dhe ngrohtësi për popullin shqiptar dhe për mua.
Nënë Tereza: Kam sjellë diçka për ju, (është një dhuratë e vogël fetare). Unë nuk kam ar dhe argjend, mezi kam pritur të sjell motrat e mija këtu. Ne jemi shpërndarë në 94 vende të botës, Shqipëria do të jetë i 95-ti.
Sivjet ju më bëtë një dhuratë të veçantë për 80 vjetorin e ditëlindjes. Për vendin tim, për popullin tim, unë dua të hap këto shtëpi, edhe motrat e mija.
Shoku Ramiz Alia: Ju përshëndes për 80 vjetorin.
Nënë Tereza: Ju faleminderit shumë. Është një dhuratë vërtet e bukur. Të gjithë këtu janë sjellë me dashuri me mua.
Shoku Ramiz Alia: Dhe duhet të sillen me dashuri, se të rrallë janë njerëzit si ju. Ju jeni njeriu që keni një zemër të madhe. Ju keni dhënë shumë për njerëzimin, duke u kujdesur për njerëzit, për ata që vuajnë, për ata që kanë shpresë dhe për ata që nuk kanë shpresë. Prandaj dhe gjithë njerëzimi ju nderon, ju nderojnë dhe shqiptarët veçanërisht, sepse shikojnë tek ju edhe një bijë të popullit shqiptar.
Nënë Tereza: Prandaj thashë se kam qenë për gjithë botën dhe mezi prita të vija edhe në Shqipëri. Prandaj thashë se nuk kam ar dhe argjend t’ju jap, por do t’u jap motrat e mija dhe së bashku të bëjmë diçka të bukur.
Shoku Ramiz Alia: Shumë mirë. Dhe unë do ta marr si nga zemra dhe jam i bindur se ardhja juaj në Shqipëri ndiqet me vëmendje nga i gjithë populli shqiptar.
Nënë Tereza: Njerëzit kanë shfaqur një dashuri shumë të madhe për mua.
Shoku Ramiz Alia: Ne e kishim detyrim për ju si bijë e popullit shqiptar. Ne nuk japim dot çmime Nobel.
Nënë Tereza: Ju më jepni një shtëpi.
Shoku Ramiz Alia: Çmime Nobel; jo, por çmimin ‘Naim Frashëri’ po, se ai ka qenë një poet i madh shqiptar, një njeri i madh i kulturës shqiptare.
Nënë Tereza: Kishte shumë njerëz aty kur ma dhatë këtë dekoratë.
Shoku Ramiz Alia: Unë mund t’ju them një gjë, këtë djemtë e Televizionit e dhanë mbrëmë ceremoninë në televizion dhe fëmijët e mi u gëzuan shumë kur ju panë juve, gjithashtu, u gëzuan kur panë se kishte shumë njerëz kur morët dekoratën.
Në Shqipëri ju nderojnë sepse ju nderoni kudo Shqipërinë. U lodhët pak këto ditë në Shqipëri?
Nënë Tereza: Jo jo, nuk u lodha.
Shoku Ramiz Alia: Dje ishit tek fëmijët e vegjël?
Nënë Tereza: Po, shkova tek fëmijët e Kopshtit “Nënë Tereza”.
E botuan të tëra gazetat indiane dhe ishin shumë të gëzuar për këtë lajm, Indianët kanë dashuri shumë të madhe për mua.
Shoku Ramiz Alia: Duhet të kenë dashuri, se edhe ju keni bërë shumë për ta. Keni bërë shumë për të varfrit, për të sëmurët, por edhe për Indinë keni bërë shumë. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016