Nga Prof. asoc. Dr. Sonila Boçi
Pjesa e parë
Memorie.al / Viti 1946, shënoi një moment kthesë në historinë e Shqipërisë, por edhe më gjerë. Kontradiktat ndërmjet Aleatëve të Mëdhenj, SHBA-së, Britanisë së Madhe, nga njëra anë, dhe Bashkimit Sovjetik, nga ana tjetër, po bëheshin gjithnjë e më të dukshme. Lufta ideologjike, shtrirja e zonave të influencës dhe imponimi i sistemeve të qeverisjes, kishte bërë që në Europë të binte ajo, që Willson Churchill-i do ta konsideronte “Perdja e Hekurt”. Kjo situatë do të ndikonte drejtpërdrejt edhe në një vend të vogël, si Shqipëria.
Sa i takon politikës së brendshme në Shqipëri, fitorja në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, i dha një lloj qetësie udhëheqjes komuniste shqiptare. Ajo kishte përmbushur me këto zgjedhje, objektivin e saj të parë, legjitimimin e pushtetit. Zgjedhjet kishin qenë kushti kryesor i Aleatëve Perëndimorë, për ta njohur qeverinë e re shqiptare dhe për të vendosur me të marrëdhënie diplomatike.
Shpallja e Republikës Popullore, më 11 janar 1946 dhe miratimi i Statutit të saj, më 14 mars të po atij viti, sanksionuan juridikisht programin e Frontit, por mandati popullor i “pushtetit popullor”, mbetej i diskutueshëm për shkak të paketës ligjore, me të cilën u organizuan zgjedhjet; rasteve të manipulimeve të rezultatit të tyre dhe, mbi të gjitha, për shkak të 20 deputetëve të ç’mandatuar, të burgosur apo të ekzekutuar gjatë asaj legjislature. Pavarësisht kësaj, zgjedhjet kishin hapur rrugën për të përmbushur objektivin e dytë edhe më të rëndësishëm, “vendosjen e një rendi të ri dhe mbajtjen e tij”.
Në fillim e vitit 1946, drejtuesit e lartë të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare, u treguan më të vendosur në marrjen e disa masave në fushën politike dhe ekonomike, për forcimin e regjimit komunist në vend. Në aspektin politik, komunistët shqiptarë u treguan të ashpër dhe të prerë në krijimin e organeve politike-administrative, gjyqësore dhe ushtarake të shtetit shqiptar, të kontrolluara nga PKSH-ja, që vazhdonte të qëndronte në gjysmë ilegalitet brenda Frontit Demokratik.
Në fushën ekonomike, u ndërmorën hapa për krijimin dhe forcimin e sektorit shtetëror në ekonomi, nëpërmjet shpronësimeve të të huajve dhe atyre që u cilësuan bashkëpunëtorë të pushtuesit. Ekonomia po organizohej sipas parimit të “centralizimit ekonomik”, megjithëse ende ekzistonte prona private, sigurisht nën kontrollin e rreptë shtetëror.
Regjimi miratoi dhe filloi të zbatonte një sërë projektesh ambicioze, si: ndërtime rrugësh, hekurudhash, tharje kënetash, të cilat kërkonin burime të mëdha financiare, por edhe mobilizim të gjerë njerëzor. Regjimi komunist krijoi në këtë mënyrë, shtresën e vet mbështetëse politike dhe ekonomike. Më 21 shkurt 1946 u mblodh Plenumi V-të i Komitetit Qendror të PKSH-së, i cili diskutoi dhe vendosi për rrugët dhe zhvillimet e ardhshme të Shqipërisë.
Në Plenum u deklarua se në Shqipëri, po vendosej “një diktaturë demokratike revolucionare e punëtorëve dhe e fshatarëve me Partinë Komuniste në krye”. Sipas komunistëve, sistemi ishte demokratik, sepse ishte i të gjithë popullit dhe i takonte popullit që të luftonte kundër klasave që ishin dje në fuqi, feudalëve dhe borgjezëve, të cilët kishin ende pozita me rëndësi në duart e tyre.
Në këtë proces, detyra e partisë ishte të ndërgjegjësonte masat për misionin e ri që kishin. Plenumi shpalli kështu zyrtarisht luftën e klasave, si themelin ku do të mbështetej shteti i ri, luftë kjo, që u shndërrua në një nga plagët më të rënda për të gjithë shoqërinë shqiptare gjatë gjithë diktaturës komuniste.
Lufta e klasave në Shqipëri mori përmasa të mëdha. Objekt i saj nuk ishin vetëm bashkëpunëtorët e pushtuesit, apo kriminelët e luftës, por edhe shtresat e pasura të shoqërisë, borgjezët, fisnikëria e tokës, krerët e malësive të Veriut, dhe të gjithë ata që nuk i miratonin apo u mungonte entuziazmi për reformat që po ndërmerrte qeveria e re shqiptare.
Këneta e Maliqit dhe projekti për tharjen e saj
Këneta e Maliqit zinte një sipërfaqe shumë të madhe toke dhe ishte bërë burim sëmundjesh malarike, për të gjithë atë zonë. Plani për tharjen e saj ishte hartuar në vitin 1936, nga inxhinieri italian, Angelo Omodeo. Plani ishte me të vërtetë ambicioz. Ai parashikonte hapje dhe sistemimin e dy kanaleve, të poshtëm dhe të sipërm, sistemimin e lumit të Devollit dhe përroit të Dunavecit, si dhe ndërtimin e disa kolektorëve kryesorë.
Në përfundim të këtij projekti, parashikoheshin të thaheshin 4.500 ha tokë dhe të bonifikoheshin 4.500 të tjera. Sipas ekspertëve të kohës, plani i Omodeos ishte mjaft i detajuar, sa u takonte punimeve për hapjen e dy kanaleve, ndërsa për pjesën tjetër, projekti kishte të dhëna të përgjithshme dhe pa specifikimet e nevojshme.
Në fillim të vitit 1946, Ministria e Punëve Botore, e bazuar në projektin e Omodeos, hartoi një plan pune për tharjen e kënetës së Maliqit. Sipas Subi Bakirit, drejtuesit politik të ngarkuar për ndjekjen e punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit, ministria nuk kishte bërë një studim paraprak mbi planin e Omodeos, por e kishte marrë atë të mirëqenë dhe kishte filluar punën, duke u bazuar te ky. Koha tregoi se një studim mbi projektin, kishte qenë shumë i nevojshëm.
Duket se Omodeo nuk kishte qenë shumë i kujdesshëm, në kalkulimet për zbatimin e projektit. Kështu, në projekt nuk ishte parashikuar që gjatë hapjes së kanalit, hasej në tokë shkëmbore, si dhe në disa raste, nuk ishte llogaritur mirë thellësia e kanalit. Një studim paraprak i projektit, mund t’i kishte eliminuar këto pasaktësi të projektit fillestar, por qeveria shqiptare kishte nxitim, për t’i filluar sa më shpejt punimet për tharjen e kënetës.
Më së shumti mund të ishin arsyet ekonomike që e nxisnin qeverinë shqiptare, në ndërmarrjen e një nisme të tillë, por nuk mund të përjashtohen edhe arsyet propagandistike dhe politike. Çlirimi nga uji i një sipërfaqeje të tillë bujqësore, do t`i jepte frymëmarrje ekonomisë së rajonit, por njëkohësisht do t’i bindte njerëzit në politikën e drejtë të qeverisë së re shqiptare.
Me një shpejtësi të pajustifikuar, Ministria e Punëve Botore bëri një planifikim të përafërt për koston e veprës, forcat e punës dhe makineritë e pajisjet që do të duheshin për ta përfunduar veprën. Sipas këtij planifikimi paraprak, tharja e kënetës së Maliqit do të bëhej brenda 180 ditëve, duke nisur nga 1 maji 1946. Si forca pune do të përdoreshin një numër i vogël punëtorësh me rrogë, kurse pjesa më e madhe e fuqisë punëtore do të ishin vullnetarë.
Po kështu, do të përdorej edhe një sasi e kufizuar mjetesh të motorizuara, si ekskavatorë, motopompë etj. Pas shqyrtimit të këtij plani nga Komisioni i Planit të Shtetit, ai vendosi që i gjithë projekti të mbaronte në 150 ditë, pra një muaj përpara kohës që ishte kërkuar nga Ministria. Komisioni kishte rritur numrin e vullnetarëve, që do të përfshiheshin në punimet për tharjen e kënetës. Gjithashtu ishte ulur me gati 50% kostoja e përgjithshme e projektit. Në përfundim të punimeve, parashikoheshin të çlirohej nga uji, rreth 2.000 ha. tokë.
Më 15 prill 1946, filluan punimet përgatitore për ngritjen e kantierit të Maliqit. Më 5 maj, me një ceremoni madhështore, u inaugurua zyrtarisht fillimi i punimeve dhe, një ditë më vonë, filloi puna për zbatimin e një projekti ambicioz, i cili parashikohej të përfundonte më 1 tetor 1946. Për drejtimin e punimeve, u caktua Abdyl Sharra, inxhinier 35-vjeçar. Ai ishte shkolluar në Stamboll, në Robert College dhe më pas kishte ndjekur studimet e larta, në Torino të Italisë.
Kishte punuar si specialist në Ministrinë e Punëve Botore, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më pas i ishte përgjigjur thirrjes së qeverisë shqiptare, për të mobilizuar specialistët e shkolluar të vendit dhe ishte angazhuar për ndërtimin e disa urave, në të gjithë Shqipërinë. Atij ju bashkuan një grup inxhinierësh dhe teknikësh, si ing. Vasil Mano, gjeometrat Pandeli Zografi, Aleks Vasili, italiani Mario Guarnieri, etj.
Shpejt u kuptua se projekti që Sharra kishte marrë përsipër të drejtonte, nuk varej vetëm nga mundësitë dhe aftësitë personale të tij. Ai nuk kishte forca të mjaftueshme punëtorësh të kualifikuar ku të mbështetej, nuk kishte makineri të mjaftueshme që të ndihmonin për shpejtimin e punimeve, dhe kishte mjaft llogaritje të gabuara, të cilat duheshin korrigjuar gjatë rrugës. Po t’u shtosh këtyre arsyeve edhe paaftësinë dhe mungesën e përvojës si të administratës shtetërore edhe të asaj partiake lokale, këto bënë që ritmet e punimeve të ishin mjaft të ngadalta.
Për këtë shkak, në korrik 1946, Ministria largoi nga detyra inxhinierin Abdyl Sharra, për ta zëvendësuar atë, me Kujtim Beqirin. 30-vjeçari kishte qenë një prej nxënësve të Shkollës Teknike të Tiranës. Ai kishte studiuar në Vjenë për inxhinieri civile dhe ishte dalluar për talentin e tij të veçantë, në fushën e inxhinierisë.
Kujtim Beqiri e filloi punën duke rishikuar planin e Omodeos dhe, duke u përpjekur të ndreqte të gjitha pasaktësitë dhe llogaritjet e gabuara, që gjendeshin në projektin fillestar, paraqiti një projekt të përmirësuar për tharjen e kënetës, i cili kërkonte dhe mjete e shpenzime shtesë, të cilat nga drejtuesit partiakë lokalë, u konsideruan të ekzagjeruara.
Nga shtatori i vitit 1946, po bëhej gjithnjë e më e qartë se tharja e kënetës së Maliqit, nuk do të përfundonte në kohën e duhur. Drejtuesit më të lartë të PKSH-së filluan të shqetësoheshin dhe të bënin presion për ritme më të larta.
Përgjigja që merrnin nga specialistët, ishte e njëjtë: afati mund të plotësohej me fuqi të jashtëzakonshme punëtore (sipas projektit të inxhinier Konomit, do të duheshin deri në 10.000 punëtorë në ditë), me makineri më të shumta dhe me fonde financiare më të mëdha, të cilat ishin të pamundura të akordoheshin.
Më 6 shtator. një Komision Kontrolli, i ngritur posaçërisht për të kontrolluar punimet për tharjen e kënetës, dërgohet në kantierin e Maliqit. Në një mbledhje maratonë. u diskutua gjatë mbi problematikat e dala gjatë kësaj pune. Proces-verbali i mbledhjes, është një dëshmi e qartë e mungesave dhe e vështirësive të panumërta, me të cilat ishte ndeshur ekipi i inxhinierëve dhe i teknikëve të Maliqit.
Më 30 shtator 1946, konkluzionet përfundimtare të grupit të kontrollit, u analizuan në një mbledhje në Ministrinë e Punëve Botore. Grupi i kontrollit nuk mungonte të vinte në dukje, parashikimet shumë optimiste të ministrisë, mbi rendimentin e punëtorëve të krahut, makinerive, kostos financiare e, së fundi, dhe të parashikimit të gabuar për kohën e përfundimit të punimeve.
Kontrolli akuzonte inxhinier Sharrën për sabotim të punimeve dhe kërkonte arrestimin e tij dhe të teknikut italian, Mario Guarnieri11. Ai gjithashtu kërkonte t’i tërhiqej vërejtje me shkrim, inxhinierit Aleks Vasili, gjeometrit Pandeli Zografi dhe disa të tjerëve.
Gjyqi i inxhinierëve të Kënetës së Maliqit – proces i ngritur mbi dyshime, por jo mbi fakte!
Konkluzionet e Komisionit Special, vinin më vonë në kohë, pasi organet e Sigurimit të Shtetit, u kishin paraprirë atyre. Po më 30 shtator 1946, ata arrestuan inxhinierin Abdyl Sharra, inxhinierin Aleks Vasili, gjeometrat Pandeli Zografi dhe Mario Guarnieri, bashkëshorten e inxhinierit Vasil Mano, kroaten Zyrika Mano, si edhe punëtorët Jani Vasili e Anastas Risto, të cilët i akuzonin si korrierë të të parëve. Arrestimi i tyre, ishte hapi i parë në një skemë të madhe arrestimesh, që do të vijonin përgjatë muajit tetor.
Organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk kishin nevojë për shumë prova, mjaftonte që një nga të arrestuarit të përmendte një emër gjatë procesit të dhunshëm hetimor dhe zinxhiri i arrestimeve zgjatej. Kështu, u arrestuan më pas, inxhinier Vasil Mano, gjeometri Mihal Stratobërdha dhe llogaritari italian, Eugenio Scaturo, për ta mbyllur këtë faze, me arrestimin e inxhinier Kujtim Beqirit, më 24 tetor 1946.
Të shtrënguar nga dhuna gjatë procesit hetimor, të akuzuarit pothuajse të gjithë pranuan akuzat e bëra. Ata akuzoheshin se kishin bashkëpunuar me anëtarin e Misionit Civil Amerikan në Tiranë, Harry Fultz, për të sabotuar tharjen e kënetës së Maliqit, me qëllim diskreditimin e qeverisë shqiptare.
Sipas të dhënave të hetimeve, “puna (sabotuese) u nda si vijon: Inxhinier Sharra mori përsipër të sabotonte punën në kanal, duke mos filluar punën sipas planit të parashikuar, me përdorimin e ekskavatorëve, jo në pikat e nevojshme të punës, me vendosjen e forcave vullnetare, jo në vendet e duhura, me humbjen e kohës dhe rendimentin, me zbukurimin e skarpateve.
Aleks Vasili mori përsipër të sabotonte punën në gurore, duke harxhuar mjaft materiale, si barut të zi, etj.
Gjeometri Pandeli Zografi, mori përsipër të sabotonte punën në dekovile, në mënyrë që të vonohej lidhja e kanalit me guroren, e cila do të vlente dhe për pengesën e punëtorëve në gurore. Eugenio Scaturo, do të sabotonte në ushqimet e mensës së punëtorëve dhe të specialistëve, me qëllim që këta të mbeteshin të pakënaqur dhe të krijonin urrejtje ndaj pushtetit.
Inxhinier Vasil Mano, mori përsipër të sabotonte punën në kantier, duke mos ngritur shpejt barakat e punëtorëve me qëllim që këta të mërziteshin e të iknin, të mos shtrëngonte teknikët për riparimin e makinerive të ndryshme, që mund të kishin defekte, do të mundohej të nxirrte material jashtë përdorimit qofshin dhe me pak defekte”.
Më 8 nëntor 1946, në Kinemanë “Nacional”, u hap gjyqi në ngarkim të inxhinierëve dhe teknikëve të Maliqit. Jashtë ndërtesës së kinemasë, ishin vendosur altoparlantë të mëdhenj, me anë të të cilëve qytetarët e Tiranës, ndiqnin zhvillimin e gjyqit. Me porosi të veçantë, të Komitetit Qendror të PKSH-së, punëtorët e kantierit të Maliqit, duhet të ndiqnin me kujdes të veçantë gjyqin.
Akt-akuza vinte në dukje se: “Të gjithë të pandehurit e mësipërm, që kanë qenë me përgjegjësi të ndryshme për tharjen e Maliqit dhe që kanë pasur lidhje me elementë të jashtëm, janë të akuzuar se kanë kryer sabotime të rënda, duke i shkaktuar shtetit dëme të mëdha. Gjithashtu specifikohet se; për të kryer këto sabotime, të pandehurit kanë kryer mbledhje të fshehta, se u kanë raportuar të huajve rreth punimeve dhe që kanë ndjekur urdhëresat e tyre për kryerjen e sabotimeve”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm