Nga Fazli Hajrizi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Rexhep Mitrovica, është një figurë madhore, komplekse e dramatike, luftëtar i orëve të para për krijimin e Shqipërisë etnike, një personalitet i shquar dhe i veçantë i luftës për liri, demokraci dhe bashkim kombëtar, një intelektual i mirëfilltë, drejtues e edukator, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912, në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, deputet i Pejës e Gjakovës në Parlamentin Shqiptar, ministër i Arsimit (1922-1924), reformator i arsimit kombëtar, kryetar i organizatës “Lidhja Popullore Shqiptare” me seli në Mitrovicë, kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, e Kryeministër i Shqipërisë.
Pas kapitullimit të Italisë, më 8 shtator 1943, në Shqipëri u vendosën trupat gjermane të Korpusit XXI e XXII. Gjermanët nderuan Shqipërinë e çliruar, indipendentë e të lirë, duke shpallur veten, garant të pavarësisë së saj.
Rexhep Mitrovica, kryetar i parë i Komitetit Qendror të Lidhjes II-të të Prizrenit
Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm, më 11 shtator 1943, rishpalli pavarësinë. Në krye të këtij Komiteti, u emërua Ibrahim Biçaku, i biri i Aqif Pashë Elbasanit. Në këtë kohë, Xhafer Deva udhëtoi menjëherë për në Tiranë, me një qëllim të përcaktuar, të çlironte nga kampi i Porto-Romanos afër Durrësit, disa prijës të njohur, si; Mehdi Frashërin, Rexhep Mitrovicën, Bedri Pejanin, Dr. Xhelal Mitrovicën etj. Pas lirimit, më 13 shtator 1943, këta personalitete, formuan një përfaqësi për të biseduar në emër të Kosovës, me përfaqësuesit e dalluar të Shqipërisë së 1913-ës. U formua grupi prej 22 vetash, i cili hyri menjëherë në bisedime me përfaqësuesin e plotfuqishëm të shtetit gjerman, Dr. Herman Nojbaher (Neubacher).
Nacionalistët shqiptarë aspironin të ruanin bashkimin e të gjitha viseve shqiptare. Për këtë arsye, ata u organizuan politikisht, për t’i realizuar synimet kombëtare. Duke parë se popullata shqiptare në disa vise të Kosovës, sidomos në veri të saj, po kërcënohej seriozisht nga sulmet e çetnikëve nacionalistë serbo-malazezë dhe nga bandat komuniste serbo-malazeze-maqedone, me niciativën e Xhafer Devës, Asllan Boletinit e Bedri Gjinajt, që të tre nga Mitrovica, pastaj të Musa Shehut, Sheh Hasanit, Lukë Simon Mjedës, Pjetër Vuçajt nga Prizreni, Tahir Zajmit nga Gjakova, Qazim Bllacës nga Suhareka etj., u shtrua nevoja për mbajtjen e një mbledhjeje pikërisht në Prizren dhe zgjedhjes së një Këshilli Ekzekutiv, i cili do të kujdesej për qeverisjen e vendit përkohësisht deri në formimin e ndonjë organi qeveritar, që do të dilte nga vullneti i përgjithshëm popullor.
Kjo mbledhje, sipas tyre, do të jetë në frymën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe do të quhet Lidhja e Dytë e Prizrenit. Mbledhja u mbajt më 16 shtator 1943. Kuvendi u pagëzua njëzëri: “Lidhja e Dytë e Prizrenit”. U zgjodh kryesia në përbërje: Musa Shehu (kryetar), Aqif Bluta (nënkryetar), Rexhep Krasniqi (nënkryetar) dhe Bedri Gjinaj (sekretar).
Në kuvend u bisedua për çështjen e shpalljes së vullnetit të popullit, për bashkimin e viseve të Kosovës, Dibrës, Strugës, Ulqinit dhe Tuzit, me shtetin shqiptar, për bashkimin e prefekturës së Mitrovicës me Shqipërinë, meqë ajo me nënprefekturat e Vushtrrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri, ndodheshin nën pushtimin gjerman dhe administrativisht bënin pjesë nën shtetin serb; për organizimin ushtarak të popullit dhe përgatitjen e mbrojtjes së kufijve etnikë; për krijimin e një Komiteti Qendror, me seli në Prizren dhe të nën-komiteteve në të gjitha qendrat e tokave të liruara, për të drejtuar veprimtarinë e nevojshme të qeverisjes dhe mbrojtjes së vendit; për përpilimin dhe aprovimin e Kushtetutës së organizatës Kombëtare, Lidha e Dytë e Prizrenit etj.
Në ditën e dytë, pra më 18 shtator 1943, në sallën e shkollës fillore “Bajram Curri”, ku mbahej kuvendi i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, hynë Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Xhafer Deva dhe Xhelal Mitrovica. Me të hyrë në sallë, delegatët u ngritën në këmbë dhe i përshëndetën me duartrokitje, duke thirrur emrat e tyre me radhë. Rexhep Mitrovica, i emocionuar nga atmosfera festive që mbretëronte në qytet, e sidomos në sallën e dekoruar me flamuj kombëtarë e fotografi të personaliteteve kombëtare, në diskutimin e tij para delegatëve, ndër të tjera, kërkoi që t’i jepet rëndësi e madhe, dy pikave kryesore, siç janë: “Organizimi ushtarak për mbrojtjen e vendit kundër ndonjë masakrimi eventual të popullsisë nga çetat subversive, regjistrimi i popullsisë së Kosovës, që deri tash asht neglizhua prej qeverive tona”.
Rexhep Mitrovica, shpjegon gjerë e gjatë rolin që do të luante në Konferencën e Paqes, regjistrimi dhe dokumentet që provojnë se Kosova është shqiptare. Ai u bën apel sidomos arsimtarëve për realizimin e regjistrimit të popullsisë: “Duhet t’ia lëshojmë rrugën punës, e jo fjalëve të thata, në qoftë se duem me jetue si shtet, si komb, ose si njeri. Lypset kujdesje të mëdha e duhet derdhun shumë mundime, në të mbledhunit e dokumenteve që kanë lidhje me interesin e jetës sonë të përbashkët. Fundi i luftës, duhet të na gjejë krejt kompakt me të gjitha përgatitjet e duhuna, për me ju ba ballë çdo kërcënimi a intrige politike, që mund të kërkojë sigurimi i lirisë sonë të përjetshme”.
Ky fjalim i zjarrtë, që u përshëndet ngrohtë nga delegatët, veprimtaria e tij e mëhershme mjaft e begatshme, vuajtjet që përjetoi në Porto-Romano etj., ishin arsyet që i shtyn delegatët, më 23 shtator 1943, ta zgjedhin kryetar të Komitetit Qendror, t’i japin besimin që të udhëheqë Lidhjen e Dytë të Prizrenit. Kryesia e Komitetit Qendror, përbëhej prej shtatë vetash. Ky Komitet Qendror, u kryesua së pari nga Rexhep Mitrovica (18–26 shtator 1943), së dyti, nga shkollari e politikani Bedri Pejani (12 tetor 1943–26 korrik 1944), dhe së fundi, nga intelektuali poliglot, Xhafer Deva (fundi i korrikut 1944–19 nëntor 1944). Komiteti Qendror, nën udhëheqjen e Rexhep Mitrovicës, organizoi komitetet qendrore të prefekturave të Prizrenit, të Pejës, të Mitrovicës, si dhe disa komitete rrethore nëpër nënprefektura.
Lidhja e Dytë e Prizrenit e kryesuar nga Komiteti Ekzekutiv i zgjedhur nga Kuvendi i shtatorit 1943 iu përvesh punës për organizimin e luftës kundër shkaut në bashkëpunim me qeverinë e Tiranës, e cila ishte bërë një qeveri kombëtare qysh se mori fund aneksimi i Shqipërisë nga Italia fashiste. Komiteti Ekzekutiv i Lidhjes së Dytë të Prizrenit në Kosovë kreu detyrën e qeverisë, në bashkëpunim të ngushtë me nëpunësit e emëruar nga qeveria e Tiranës.
Kryeministri Rexhep Mitrovica dhe qeveria e tij
Rexhep Mitrovica dhe shokët e tij, krijuan Shqipërinë etnike, shpallën pavarësinë dhe neutralitetin e saj. Më 14 shtator 1943, në Tiranë, u formua një këshill provizor, prej 22 vetash, i cili shpejt zgjodhi një Komitet Ekzekutiv Provizor, prej shtatë vetash, që kryesohej nga Ibrahim Biçaku. Ky Komitet Ekzekutiv Provizor, do të drejtonte punët e shtetit, deri në formimin e një qeverie legale, do të bënte shpalljen publike mbi gjendjen në Shqipëri, të njohur nga Berlini, si shtet të pavarur, do të marrë masa për të sjellë rregull e qetësi në kryeqytet e, në vendet e tjera, do të pranojë dorëheqjen e qeverisë së kohës të kryesuar nga Eqrem Libohova, do të ndikojë në lirimin e dymijë të burgosurve politik, që mbaheshin në kampin Porto-Romano në Durrës, etj.
Berlini e pranoi qeverinë, nuk mori masa të imponimit të një administrate ushtarake, që zakonisht e karakterizon sundimi e zaptimi i huaj, në kohë lufte. Organet e sigurimit ushtarak gjerman, vazhduan të mbajnë qëndrim të mospërzierjes në çështjet e brendshme shqiptare. Pushtuesit gjerman, nuk arritën të shfrytëzojnë prodhimet e ekonomisë shqiptare. Në saje të pasurisë bujqësore-blegtorale të Kosovës, në Shqipëri, kishte një bollëk të jashtëzakonshëm në gjëra ushqimore dhe në mallra industriale. Ushtarët gjerman, ishin të detyruar që të blejnë mallra në tregun shqiptar, me franga shqiptare.
Shpallja e Këshillit të Regjencës
Më 16 tetor 1943, u mblodh në Tiranë Kuvendi Kombëtar, i cili shpalli “Këshillin e Lartë të Regjencës”, të përbërë nga; Mehdi Frashëri, Fuad Dibra, Anton Harapi, Lef Nosi dhe më 5 nëntor 1943, Regjenca emëroi qeverinë, me Kryeministër Rexhep Mitrovicën, të cilit iu besua edhe detyra e ministrit të Kulturës Popullore. Asambleja Kombëtare e përgjithshme, që përbëhej nga përfaqësues të të gjitha viseve të Shqipërisë dhe atyre të përtej-kufijve të vitit 1913, pra kurrë në historinë shqiptare, nuk ishte përfaqësuar nga të gjitha krahinat që flasin gjuhën shqipe, shpalli pavarësinë e Shqipërisë dhe neutralitetin e saj.
Bashkëpunimi i kryeministrit me gjeneralin gjerman, për Evropën Juglindore, Nojbaher, në fillim jepte rezultate të kënaqshme për kapërcimin e vështirësive të shumta, me të cilat po ballafaqohej populli shqiptar. Ish-deputeti i parlamentit të parë demokratik shqiptar, ish-ministri për Arsim, pjesëmarrësi në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i parë i Lidhjes Popullore Shqiptare në Mitrovicë, kryetari i parë i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, nacionalisti dhe personaliteti i shquar i arsimit dhe kulturës shqiptare, që u sakrifikua shpesh për t’i shërbyer momentit kritik, në të cilin po kalonte kombi, Rexhep Mitrovica, formoi kabinetin e tij, që kishte në përbërje mjaft personalitete me edukatë shkollore të lartë, që nuk ishin vegla të fuqisë së huaj, me këtë formacion:
Rrok Kolaj, ministër i Drejtësisë, Xhafer Deva, ministër i Punëve të Brendshme (shtator 1943-qershor 1944), Ago Agaj, ministër i Ekonomisë, Sokrat Dodbiba, ministër i Financave, Musa Gjylbegaj, ministër i Botores, Kolë Tromara, ministër i Kulturës e Propagandës, Eqrem Çabej, ministër i Arsimit, Bahri Omari, ministër i Punëve të Jashtme, Vehbi Frashëri, Qazim Bllaca e Ernest Çoba – nënsekretarë të shtetit. Qeveria e tij kishte nën administrimin e vet, pjesën më të madhe të Kosovës të bashkuar me Shqipërinë. Ajo nuk kishte përfaqësimin e asnjë force politike, ose konsensusin e forcave politike kryesore, që dominonin skenën luftarake në Shqipëri, përkundrazi, përfaqësonte kombin shqiptar, deri në Mitrovicë, mbështetej brenda vendit dhe premtonte se do të siguronte normalitetin në kushte të pushtimit, në mënyrë që Shqipëria mos të dilte e shkatërruar nga lufta.
Partia Komuniste, e denonconte qeverinë e Rexhep Mitrovicës, duke e quajtur; “qeveri kolaboracioniste, qeveri kukull naziste, tradhtare të idealeve kombëtare”, etj. Zjarri i luftës vëllavrasëse po ndizej dhe atij më shumë po i frynin Dushan Mugosha e Miladin Popoviçi, përmes disa komunistëve shqiptarë. Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Jugosllave, në një letër që ua dërgonte komunistëve shqiptarë, të udhëhequr nga Dushan Mugosha e Enver Hoxha, ndër të tjera, me cinizëm, thuhej: “Të ngresh çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, do të thotë t’u japësh dorën reaksionarëve të ndryshëm, duke përfshirë edhe vetë armikun…! Jugosllavia e re që po ndërtohet, do të jetë një vend i kombeve të lira dhe, si rrjedhim, nuk do të ketë vend për shtypje kombëtare të pakicave shqiptare”. (Rexhinald Hilbert, libri Fitorja e Hidhur, f.12).
Dorëheqja dhe largimi në Kosovë
Rexhep Mitrovica, duke parë se qeveria e tij nuk po ia dilte të ruante normalitetin dhe neutralitetin, nuk po arrinte mirëkuptimin kombëtar, e as të shpëtonte kombin shqiptar nga masakra e vendin nga lufta civile, duke parë se komunistët ishin dalldisur gjer në atë masë, sa do të fillojë lufta vëllavrasëse, duke mos dashur që të jetë bashkëpjesëmarrës të krimit e, përgjegjës përpara historisë, vendosi të japë dorëheqje. Pas manipulimeve të ndryshme politike, sabotimeve që bëheshin për formimin e një qeverie të fortë, për konsolidimin e saj, së bashku me Xhafer Devën dhe grupin kosovar, e pa të arsyeshme, që të kthehen në Prizren, me qëllim që të mbrojnë Kosovën, që tashmë ishte bërë pikë e sulmeve të koncentruara serbo-malazeze, çetnike e komuniste.
Rexhep Mitrovica, qëndroi pak kohë në Prizren dhe pastaj vizitoi disa qendra të tjera të Kosovës, si; Gjilanin, Pejën dhe Mitrovicën. Në mesin e nëntorit 1944, për arsye të rrethanave të luftës botërore, Lidhja e Dytë e Prizrenit, detyrohet të pezullojë veprimtarinë në atdhe, për të vazhduar misionin e vet në mërgim. Para largimit, Komiteti Qendror ftoi një mbledhje ku morën pjesë: Musa Shehu, Sheh Hasani, Jonuz Shahsivari, Lukë Simon Mjeda, Ahmet Suhareka, Kemal Karahoda, Pjetër Vuçaj, avokat Esat Berisha, avokat Sokol Dobroshi, Dr. Xheladin Deda, Dr. Durmish Prizreni, etj. U formua një komision i përkohshëm për të siguruar qetësinë në qytet. U shpreh vullneti e bindja e disave se, për arsye të shumta, anëtarët e Komitetit Qendror, do të largohen nga Kosova, për të vazhduar përpjekjet për liri të popullsisë shqiptare të Kosovës, në mërgim.
Para largimit nga Prizreni, përfaqësuesit e Komitetit Qendror në përbërje: Ing. Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi dhe Xhelal Mitrovica, që nominalisht përfaqësonin Këshillin e Lartë të Regjencës në Kosovë, me shpresë të zbarkimit të pritur të aleatëve të perëndimit në Ballkan, kishin ngarkuar një intelektual të njohur shqiptar me detyrë, që të udhëtojë në Shkup e në Selanik, për t’i paraqitur Komandës Aleate Perëndimore, një memorandum në gjuhën frënge, në të cilin shkurtazi, shpjegoheshin arsyet historike të luftës së mbrojtjes së popullsisë shqiptare, kundër sundimit të huaj dhe të imponuar të Serbisë dhe dëshirën e popullit të Kosovës, për të vendosur vetë, për të qenë pjesë integrale e shtetit shqiptar.
Populli shqiptar asnjëherë nuk e ndjeu veten më të sigurt se në kohën e qeverisë së Rexhep Mitrovicës. U arrit bashkimi kombëtar gjatë luftës së stuhishme botërore. Këtë periudhë, populli e quajti; “Koha e Shqipnisë”. Ambasadori amerikan, pranë qeverisë së Greqisë, në Kajro, në korrik të vitit 1944, shkruan se; “Qeveria e Rexhep Mitrovicës, është e përbërë prej njerëzve, të cilët në të kaluarën, gëzonin respekt në vend dhe disa prej tyre, llogariten si njerëz më të mirë që dolën nga gjiri i Shqipërisë. Shumica prej tyre, nuk njihen si pro-gjermanë të ndezur, e as si fashistë politikë.
Disa me të vërtetë, ishin miq të Anglisë e Amerikës. Nuk gabohet nëse thuhet se ata, ishin kundër dominimit italian. Aq sa ndershmëria personale, mund ta kapë, ata janë njerëzit me kualitetet më të larta, prej gjithë atyre qeverive që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Sidoqoftë, këta njerëz pranuan sundimin gjerman dhe qëndruan në anën e Gjermanisë. Arsyeja ndoshta ishte se ata, me sinqeritet e përcjellin politikën e Chamberlainit. Ata përpiqen me çdo kusht, që të mbesin neutralë. Shpresojnë për ta bashkuar mbarë kombin shqiptar si në Shqipëri, ashtu edhe në Jugosllavi, në një pjesë kompakte, që do të mund të miratohej prej ngadhënjimtarëve kushdo që do të mund të ishin (gjermanët apo aleatët)”.
‘Gjyqi Special’, veprimtaria nëpër Evropë
Në Gjyqin special që u mbajt në Tiranë, në shkurt-mars 1945, Bahri Omari deklaron: ”Qeveria e Rexhep Mitrovicës, ku unë mora pjesë, kishte proklamua independencën dhe neutralitetin shqiptar. Këtë fakt, e kishte vërtetua edhe gjenerali aleat, Sër Uilson, në një proklamatë, në të cilën thoshte se pranohet qëndrimi i qeverisë shqiptare, me konditë që kjo të mos u japë ndihmë gjermanëve dhe, në rast se konstatohet vepër bashkëpunimi me gjermanët, atëherë shpallja e neutralitetit, nuk kishte asnjë vleftë.
Ne nuk kemi pasur qëllim bashkëpunimi me gjermanët, sepse ne, nuk kemi dashur aspak të jemi bashkëpunëtorë me gjermanët, por ka qenë vetëm një transaksion, qëndrimi ynë kundrejt gjermanëve. Qeveria, në të cilën bëja pjesë unë, nuk i ka dhënë ndihmë gjermanëve. Ne ndaluam që gjermanët, të vinin në qarkullim monedhën e tyre dhe për shumë gjëra, kemi qenë në kundërshtim; derisa në fund dhamë dorëheqje që të gjithë, në maj të vitit 1944”. (Arkivi i Rendit, Gjyqi Special, Dëshmi e Bahri Omarit).
Ministri i Financave, Sokrat Dodbiba, gjithashtu thekson se; Qeveria e Rexhep Mitrovicës, nuk ka qenë kuislingë. Ai deklaron se për masakrën e 4 shkurtit 1944, ku u vranë 84 qytetarë e shumë të tjerë u plagosën, nuk ishte fajtor Rexhep Mitrovica e, as ministri i Punëve të Brendshme, Xhafer Deva, po ishte vepër e Kadri Cakranit, Xhelal Staraveckës e Irfan Ohrit, që vepronin nën autoritetin gjerman të pushtimit.
Kolë Tromara, gjithashtu ministër në Qeverinë e Rexhep Mitrovicës, ndonëse në një presion të jashtëzakonshëm shpirtëror e fizik, nën trysninë çnjerëzore dhe kërcënimin e dënimit kapital, deklaron: “Qeveria e Rexhep Mitrovicës, në të cilën unë kam marrë pjesë, ka qenë, sa ishte e mundur, indipendente nën një okupacion, siç ishim ne. Për mua, Qeveria e Rexhep Mitrovicës, nuk ka qenë kuislinge, sepse nuk mendojshim me bë vepra të kundërta me interesin e popullit, aq sa qe e mundun, në kohë okupacioni”. Në gjysmën e nëntorit 1944, grupi i kosovarëve; Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Tahir Zajmi, Xhelal Mitrovica dhe Rexhep Krasniqi, mori rrugën e mërgimit. Pasi bënë dorëzimin e gjendjes financiare, thesarin e paprekur, që gjendej në arkën e Lidhjes II të Prizrenit, më 15 nëntor, u nisën nga Prizreni nëpër Prishtinë, nëpër gjëmimin e bombardimeve dhe sulmeve të tërbuara mbi këtë qytet, u ndalën pak kohë në Mitrovicë, për të vazhduar rrugën në drejtim të Kralevës. Nisja u shty deri në orët e vona, për shkak të mungesës së Rexhep Mitrovicës, i cili u takua me prijësit e Shalës.
Udhëtuan me automobil personal të Xhafer Devës, e pastaj me aeroplan deri në Zagreb. Atje u mirëpritën nga kryetari i shtetit kroat, Ante Paveliqi, dhe ministri i Jashtëm kroat, që ishte boshnjak. Këta kosovarë, të cilët qëndruan dy javë në Zagreb, bashkë me disa atdhetarë të tjerë, përkujtuan festën kombëtare të 28 Nëntorit. Në fillim të dhjetorit, pas përpjekjeve e peripecive të mëdha, këta nacionalistë, kaluan alpet slloveno-austriake dhe u vendosën në Vjenë, ku gjendeshin edhe grupe të tjera nacionaliste, me Gjon Marka Gjonin, Nuredin bej Vlorën, Shefqet Vërlacin, Mehdi Frashërin me familje, etj.
Shtëpitë ku banonin Mehdi Frashëri, Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva, u bënë qendra në shërbim të të gjithë emigrantëve shqiptarë. Rexhep Mitrovica, i cili kishte shëndet delikat, u detyrua të shtrohet në sanatoriumin afër qytetit Feldkireh, afër kufirit zviceran. Gjatë periudhës 1945-1947, Xhafer Deva qëndroi në Austrinë perëndimore. Në verë të këtij viti, ai bashkë me Xhelal Mitrovicën, Tahir Zajmin dhe Ali Dragën, shkuan në Itali. Prej andej e tërhoqën edhe Rexhep Mitrovicën, e përmirësuar. U vendosën në Gjenovë të Italisë dhe pas dy muajsh, me ndihmën e një deputeti turk (me origjinë shqiptare), nga Prizreni, mik personal i Xhafer Devës, i siguruan lejen për të shkuar në Turqi.
Në fund të vitit 1947, Xhafer Deva, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi dhe Xhelal Mitrovica, emigruan në Siri. Ata vazhdimisht mbanin lidhje me Rexhep Mitrovicën, i cili në Ankara, Stamboll e qytete të tjera, ishte i rrethuar nga nderi dhe respekti i shumë atdhetarëve atje. Më 3 dhjetor 1948, në Stamboll, u formua Komiteti Shqiptar. Aty Rexhep Mitrovica, takoi Mit´hat Frashërin dhe biseduan për idenë e themelimit të një komiteti nacional, që do të kishte orientim perëndimor dhe mbështetjen e SHBA-ve, Anglisë e Francës. Mit´hat Frashëri, kërkoi nga Rexhep Mitrovica që të bënte përpjekje, për të rikrijuar gjithashtu një komitet për Kosovën.
Ai kërkoi që të dërgojë në komitetin “Shqipëria e Lirë” dy përfaqësues të Komitetit të Kosovës. Në një letër që i dërgon Luan Gashit, Rexhep Mitrovica, ndër të tjera, shkruan: “Tue pa gjendjen tonë të vajtueshme për mosveprimin pozitivisht për Kosovën, pata vendos që në këtë moshë, të hyj ndoshta për herë të fundit në aktivitet, në qoftë së do të gjeja ndonjë përkrahje prej ndonjë grupi kosovar. Ardhja e Mid’hatit në Stamboll, ma kishte forcue këtë dëshirë. Kontrollimi i lidhjeve tona politike që kemi pasë me Mid’hatin, me qenë se kemi konstatue të pëlqyeshme, ramë dakord të ringjallim një aktivitet serioz, në dobinë e Shqipnisë etnike, tue krijue një komitet Kosove. Mid’hat Frashëri, kërkonte që ky komitet, të drejtohej prej meje dhe më premtonte të më mbështeste. Pata vendos t’i hyj kësaj valleje, mbasi t’i kem konsultue kosovarët”.
Rexhep Mitrovica, bashkëthemelues i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, mendon se Xhelal Mitrovica dhe Rexhep Krasniqi, dy djem universitarë, “së pakti, do të më japin të njëjtën të drejtë, që më kish dhanë edhe Mid’hat Frashëri. Të përpiqemi të gjithë së bashku, t’i bajmë për vete, se janë dy fuqi intelektuale të Kosovës që s’duhet neglizhue, s’duhet lanë të marrin ndonjë udhë tjetër nga ajo jona e aq ma pak të mbeten nën influencën e njerëzve të errët. Mue, vazhdon Rexhep Mitrovica, më takon detyra e plakut, që s’ka ambicie tjetër, përveçse t’i mbledh djemtë në nji vatër. E juve, ju takon ajo e vëllazërimit. Jam në mendimin tuej pra, që të hyni në letërkëmbim me ta, t’i afroni e, kështu të jemi të bashkuem për të mirën e Kosovës”!
Shpesh në takimet me atdhetarët në Turqi dhe me të tjerët që vinin për t’u takuar me të, Rexhep Mitrovica, shprehej se Shqipëria si shtet ekziston, mirëpo, meqë atë e udhëheqin komunistët, nuk do të ketë jetë të gjatë, pra nuk do të jetë i sigurt. Populli nuk do të gëzojë lirinë e mirëqenien, sepse nuk mund të ketë Shqipëri, pa Shqipëri etnike. Me argumente, ai e denonconte politikën dritëshkurtër të Enver Hoxhës dhe politikën intrigante të Titos, ndaj shqiptarëve të Kosovës. Edhe pse ishte i vetëdijshëm për rrezikun e madh të murtajës së kuqe, Rexhep Mitrovica, nuk i humbi kurrë shpresat te bashkëkombësit e vet, sidomos te rinia e Kosovës. Jetoi e punoi i qetë, e i prirë për Shqipërinë etnike, deri në çastet e fundit kur mbylli sytë më 1960.
Shtypi i kohës në Shqipëri, në Kosovë dhe Jugosllavi, njoftoi për vdekjen e tij, duke përdorur fjalët më denigruese. U quajt: “fashist, tradhtar, kriminel”, etj. Sipas kritereve të demokracive perëndimore, nuk është provuar se Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, apo ndonjë nacionalist tjetër shqiptar, kanë qenë kriminelë lufte. Në vendet ku regjimet e tyre shquhen për demokraci të mirëfilltë, ata u pritën ngrohtë, u rrethuan me nderimin e njerëzve dhe kryen punë mjaft me përgjegjësi. Po të ishte provuar se ata janë kriminelë lufte, përkrahës të fashizmit etj., atëherë asnjërit, nuk do t’u lejohej qëndrimi për asnjë çast në vendet më demokratike të Botës. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016