Nga Kevin Haxhiu
(Me rastin e dhënies së titullit “Qytetar Nderi” nga Këshilli Bashkiak i Lushnjes, më 28 korrik 2020)
Qerim Bajram Haxhiu lindi në Lushnjë më 7 shkurt të vitit 1920, në një familje qytetare, fisnike dhe me tradita atdhetare, pasi ai ishte i biri i patriotit të njohur, Bajram bej Haxhiu, i cili ishte një nga anëtarët e Komisionit Nismëtar të Thirrjes dhe Organizimit të Kongresit të Lushnjës. Qerimi shkollën fillore e kreu në Lushnje, ndërsa të mesmen në “Medresen” e Tiranës dhe më pas shkollën e lartë e vazhdoi për Teologji (Shkenca Islame) në Universitetin “Al-Azhar” në Kajro, të Egjyptit. Që kur ishte në Shqipëri në vitet ’30, ai u aktivizua si futbollist me ekipin e futbollit “Kongresi i Lushnjes” i qytetit të Lushnjes. Ai ishte një nga futbollistët e gjeneratës së parë të ekipit lushnjarë dhe i pari që nisi rrugën e gjatë të mbiemrit që bëri histori në sportin lushnjarë dhe atë shqiptarë (“Haxhiu”), rrugë të cilën më pas do ta ndiqte edhe i vëllai, Abdurrahman Roza Haxhiu, një nga legjendat e sportit shqiptar pas viteve 1945.
Emigrimi në Egjipt në vitin 1938
Në vjeshtën e vitit 1938, Qerimi u nis nga Lushnja duke udhëtuar tranzit në Selanik dhe më pas mbërriti në Aleksandri të Egjiptit. Kjo rrugë e gjatë për Qerimin ishte e paharruar, për faktin se për të ishte rrugë pa kthim mbrapa në atdhe, deri në vitin 1967, ku arriti të merrte një leje për vizitë në atdhe. Patrioti Qerim Haxhiu fizikisht ishte në Egjipt, por me shpirt e zemër, ishte gjithmonë në atdheun e tij, Shqipërinë që ai e deshi aq shumë. Këtë e tregon edhe fakti që ai botonte gjithnjë artikuj për atdheun, Shqipërinë e tij të dashur dhe çështjen kombëtare, duke i publikuar ato në gazeta, revista të diasporës shqiptare, dhe të Egjiptit gjithashtu, ka ai pati shkruar dhe cikle me poezi, ku spikaste malli për atdheun.
Memorandum Titos e Naserit, për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi
Qerim Haxhiu ka qënë nismëtarë i shumë aktiviteteve, organizimeve si dhe hartues i disa memorandumeve e peticioneve, të gjitha këto për çështjen kombëtare Shqiptare. Në 7 prill të vitit 1939, Qerimi hartoi një peticion dhe ai ishte njëri prej studentëve shqiptarë, organizator kryesor i protestave në Kajro, kundër okupimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Në vitin 1958, kur kreu i Jugosllvisë, Marshalli Josif Broz Tito, do të vizitonte Naserin në Egjypt, Qerimi i nisi një memorandum rreth 20 faqe, për gjëndjen e shqiptarëve në Jugosllavi. Në përmbajtjen e ati Memorandumi, jepeshin të dhëna mbi golgothën e shqiptarëve në Jugosllavi dhe aty me fakte historike ai argumentonte dhe shpjegonte se popullsia myslimane nuk jetojnë vetëm në Bosnje, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e gjetiu dhe se ata me kombësi janë shqiptarë. Memorandumi megjithëse i’u drejtua Naserit, (për t’ia dhënë Titos) nuk u protokollua në zyrat e Institucionit të Presidentit të Egjiptit, por u dorëzua në ambasadën Jugosllave në Kajro. Kjo bëri që atdhetari Qerim Haxhiu, të arrestohej dhe të mbahej i izoluar sa herë që Marshalli Josif Broz Tito, do të vizitonte Egjiptin.
Poezi për Teqen Bektashiane të Kajros
Në 9 korrik të vitit 1941, Qerimi do të shkruante poezinë “Teqeja Magauri”, kushtuar teqesë bektashiane shqiptare në Kajro të Egjiptit, e cila u kthye në një “shtëpi e dytë” për shqiptarët e emigruar atje pas pushtimit të Shqipërisë nga italia fashiste. Haxhiu ishte ndër personalitetet e njohura shqiptare që emigruan në Egjipt dhe një atdhetar i paepur për çështjen kombëtare shqiptare në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit, pasi ai të gjithë jetën e tij, i’a kushtoi atdheut, Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve të Malit te Zi, Maqedonisë dhe Çamërisë. Qerimi ishte antikomunist i flakët dhe një nacionalist që s’harronte kurrë të përkujtonte figurat dhe personalitete që kishin lënë gjurmë dhe me kontribute në historinë e Shqipërisë. Kështu, në 21 vjetorin e ndarjes nga jeta të Andon Zako Çajupit (11 korrik 1930-11 korrik 1951), Qerimi mbajti një fjalim mbi jetën dhe veprën e tij, gjatë homazheve që zhvilluan atdhetarët e kolonisë shqiptare të Egjiptit, në varrin e Andon Zako Çajupit. Nga të gjithë veprimtarët e Kolonisë Shqiptare të Egjiptit, Qerim Haxhiu, ishte i vetmi që shkruajti një përmbledhje (histori) për diasporën shqiptare të Egjiptit, që i duhej Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, në SHBA-ës. Edhe në Egjipt, gjatë gjithë jetës së tij Qerimi qëndroi pranë shqiptarëve dhe për këtë, ai shprehej: “Unë kudo që të shkoj, kërkoj shqiptarë, sepse pa ta dita nuk më shkon”.
Takimet me Mbretin Zog dhe Faruk të Egjiptit
Gjatë periudhës së emigracionit në Egjipt, Qerimi pati rastin të takohej edhe Mbretin Faruk me origjinë shqiptare, takim i cili u realizua gjatë një iftari që mbreti organizoi për studentët dhe njëherë tjetër në Bashkësinë Shqiptare. Po kështu në Kajro, Qerimi ka takuar edhe personalitete të rëndësishëm shqiptare, si p.sh.: Mbretin Zog I-rë dhe Familjen Mbretërore Shqiptare (Mbretëreshën Geraldina, Princin Leka I-rë, Skënder Zogu), Ernest Koliqi, Abaz Kupi, Nexhmedin Qorraliu, Qemal Butka, Aleksandër Meksi, etj. Gjatë qëndrimit të Familjes Mbretërore Shqiptare në Aleksandri, Qerimi mbajti lidhje miqësore dhe kjo ishte vazhdimësi e një miqësie të vjetër që fillesat i ka në vitin 1920, në Kongresin e Lushnjes, e babait të Qerimit, nismëtarit të Kongresit, Bajram Haxhiu, me delegatin e Matit, Ahmet Zogun, që me forcat e tij siguroi punimet e atij Kongresi. Qerimi e vizitonte shpesh Familjen Mbretërore Shqiptare në residencën e saj në Aleksandri, ku ai gjithnjë do të gjente mikpritjen bujare të saj. Gjithashtu gjatë stinës së verës, Qerimi qëndronte në residencën e Familjes Mbretërore Shqiptare, ku i mësonte dhe gjuhën arabe (lexim dhe shkrim) mbesave të Mbretit Zog. Qerimi kishte miqësi edhe me Abaz Kupin, (Heroin e rezistencës së armatosur të 7 prillit 1939 kundra Italisë fashiste) dhe me djalin e tij, Petrit Kupin, që ishin moshatarë dhe shokë të ngushtë. Qerimi ka kontribuar vullnetarisht në mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e shqiptarëve në Kajro, ku ai gjithashtu jepte edhe leksione (3 herë në javë) për studentët shqiptarë në Liceun e Kajros.
Vizita në Shqipëri në vitin 1967
Në vitin 1967, gati pas tre dekadash, emigranti shqiptar Qerim Haxhiu, arriti të siguronte një vize (pasi kapërceu pengesa të shumta burokratike të regjimi diktatorial komunist), për të vizituar për herë të parë atdheun e tij, Shqipërinë, që ishte dhe vizita e parë pas vajtjes me studime në Egjipt në vitin 1938. Kjo do të ishte vizita e parë dhe e fundit në atdhe, ndaj dhe e kujtoi gjatë gjithë jetës së tij. Një moment prekës të kësaj vizite, atdhetari Qerim Haxhiu nuk e harroi asnjëherë dhe për të cilin ai do të tregonte: “Nga Tirana deri në Lushnje nuk kam pushuar së qari. Kur arrita në Lushnje, oborri i shtëpisë ishte mbushur me njerëz. U takova me të gjithë me shumë mall. Kur hyra në dhomë në të cilën po rrinte babai (Bajram Haxhiu), ai posa më pa, thirri: Qerim! Dhe i ra të fikët! Nuk kishte faj nga që kishte plot 29 vjet që nuk më kishte parë! Këto janë përshtypjet e kësaj dite që nuk do t’i harroj kurrë”. Qerim Haxhiu ishte i martuar me znj. Shukrane me origjine nga Prishtina, por me vendbanim në Kajro, vajza e Dr. Shyqyri Çupishti, i cili ishte kirurg dhe Drejtor në Spitalin e Vlorës në vitet 1933-‘35. Qerimi ka lënë dy fëmijë: një djalë dhe një vajzë. Djali Iliri me profesion farmacist që punon në fabrikën e prodhimit të medikamenteve (ilaçeve) mjeksore në Stamboll të Turqisë, ndërsa vajza Dhurata, Doktore e Shkencave të Kimisë, profesoreshë në Universitetin Koç të Turqisë. Iliri i ndoqi studimet në Universitetin e Kajros, ndërsa Dhurata në atë Amerikan. Femijët e Qerimit, jo vetëm që flasin rrjedhshëm dhe shkruajnë gjuhën shqipe që ua mësoi i ati, por ata njohin edhe disa gjuhë të huaja.
Shtëpia e Qerim Haxhiut, një “Shqipërie e vogël” në Egjipt
Shtëpia e patriotit Qerim Haxhiu në Egjipt ishte një mjedis trësisht shqiptarë, por në tokë të huaj. Biblioteka e tij ishte “një derë e hapur”, kryesisht për studentët shqiptarë me studime në Kajro, (me origjinë nga Shqipëria, Kosova, shqiptarë të Malit te Zi, Maqedonisë dhe Çamërisë,) që e vizitonin shpesh patriotin e njohur dhe merrnin libra nga bibloteka e tij apo edhe këshilloheshin me të për probleme të ndryshme, kryesisht për çështjet shqiptare. Bibloteka e tij e pasur përbëhej nga një literaturë e zgjedhur në disa gjuhë si: shqip, turqisht, italisht, anglisht, frëngjisht, etj. Librat kryesorë në bibliotekën e atdhetarit të shquar, Haxhiu, ishin ata që tregonin për historinë e Shqipërisë dhe për çështjen kombëtare shqiptare. Në disa prej rafteve të biblotekës së madhe të Qerimit, qëndronin pothuajse të gjithë librat e shkruar nga autori i preferuar i tij, “Homeri Shqiptar”, Padër Gjergj Fishta. Librat e Fishtës e kthenin shpesh herë me mëndje e zemër në atdhe, por pa harruar edhe një nga pikturat e veçanta për të, ajo e Guri Madhit, me të cilën ai nxirrte mallin për atdheun, që Qerim aq shumë e donte dhe kishte kontribuar pamasë për çështjen kombëtare shqiptare. Qerim Haxhiu ishte një erudit, por që nuk arriti dot të jepte kontributin e tij në Shqipëri, sepse në atë kohë, regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte “mbyllur dyert” personaliteteve intelektuale të arsimuar jashtë dhe që jetonin e punonin në dhe të huaj. Megjithatë, ai e vazhdoi në Egjipt veprimtarinë e tij patriotike me kontributin e madh për çështjen kombëtare shqiptare.
“Rilindasi i Fundit” në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit
Qerim Haxhiu është konsideruar me të drejtë si “Rilindasi i fundit”, në Koloninë e Shqiptarëve të Egjiptit. Ai u nda nga jeta më 1 janar të vitit 2003. Për Qerim Haxhiun janë shkruar disa faqe në librin “Shqiptarët e Egjiptit”, (Autor, Emin Azemi, Shkëlzen Halimi, Botuar, Logos-A, 1993 Shkup). Po kështu, me rastin e ndarjes së tij nga jeta, në Gazetën “Illyria”, (Neë York, 1209, 21-23 janar 2003), është botuar një artikull nga Prof. Beqir Ismaili, me titull “U largua nga kjo jetë edhe një veprimtar i diasporës shqiptare: Qerim Haxhiu (1920-2003)”. Në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Roli i Mërgatës në Shtetformim”, Prizren, (10-13 qershor 2012) e organizuar nga Ministria e Diasporës Kosovë, me rastin e 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar, është publikuar një shkrim për atdhetarin e madh Qerim Haxhiu. Në vitin e 100 vjetorit të lindjes së atdhetarit (1920-2020), Këshilli Bashkiak Lushnje me Vendimin me Nr.67 Datë 28/07/2020, vendosi të vlerësojë me titullin “QYTETAR NDERI I LUSHNJES” Z. Qerim Haxhiu (pas vdekjes), me motivacionin: “Bir i një familjeje shumë të njohur lushnjare, zoti QERIM HAXHIU, mbetet një atdhetar i madh midis diasporës shqiptare në botë. Në Egjiptin e largët, ku jetoi e punoi, për gati 60 vite ai krijoi një Lushnje e Shqipëri të vogël, bëri gjithçka për mësimin dhe përhapjen e gjuhës sonë të lashtë dhe lartësoi vlerat e bukura morale e kulturore të vendit tonë”. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016